• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dita e Presidentëve dhe kuptimi aktual i saj

February 16, 2026 by s p

Dita e Presidentëve është një festë federale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që kremtohet çdo vit të hënën e tretë të muajit shkurt. Ajo njihet zyrtarisht si “Ditëlindja e Uashingtonit”, por në përdorim të përditshëm është bërë simbol i nderimit për të gjithë presidentët amerikanë. Kjo ditë ka një rëndësi të veçantë historike, sepse lidhet me zhvillimin e shtetit amerikan, forcimin e institucioneve demokratike dhe me figurat që kanë ndikuar në rrjedhën e historisë së vendit.

Fillimisht, festa u krijua për të nderuar George Washington, i lindur më 22 shkurt 1732. Washington ishte komandanti i ushtrisë kontinentale gjatë Luftës për Pavarësi dhe më pas presidenti i parë i vendit. Ai vendosi themelet e funksionimit të presidencës, duke theksuar rëndësinë e unitetit kombëtar dhe të ndarjes së pushteteve. Vendimi i tij për të mos kërkuar një mandat të tretë krijoi një precedent të rëndësishëm demokratik, duke dëshmuar se pushteti nuk duhet të përqendrohet në duart e një individi për një kohë të gjatë.

Më vonë, kjo ditë filloi të përfshinte edhe përkujtimin e Abraham Lincoln, i lindur më 12 shkurt 1809. Lincoln udhëhoqi vendin gjatë Luftës Civile dhe u bë simbol i ruajtjes së unitetit kombëtar. Përmes Proklamatës së Emancipimit, ai hodhi hapat vendimtarë drejt shfuqizimit të skllavërisë. Trashëgimia e tij lidhet me përkushtimin ndaj barazisë dhe me mbrojtjen e Kushtetutës në një kohë përçarjeje të thellë.

Në vitin 1885, ditëlindja e Washingtonit u shpall festë federale, ndërsa në vitet 1970, si pjesë e reformës së kalendarit federal, ajo u zhvendos në të hënën e tretë të shkurtit për të krijuar një fundjavë të zgjatur. Megjithëse emri zyrtar nuk ndryshoi, popullariteti i termit “Dita e Presidentëve” u përhap në mbarë vendin, duke e shndërruar këtë festë në një moment reflektimi për të gjithë presidencën amerikane.

Rëndësia historike e kësaj dite qëndron në faktin se presidenca është një institucion kyç në sistemin politik amerikan. Presidenti është kreu i shtetit dhe i qeverisë, komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura dhe përfaqësues i vendit në arenën ndërkombëtare. Çdo president ka lënë gjurmë në zhvillimin ekonomik, shoqëror dhe politik të vendit. Për këtë arsye, Dita e Presidentëve është një mundësi për të analizuar rolin e udhëheqjes dhe përgjegjësinë që mbart ky post.

Ndër presidentët e shquar që kanë ndikuar thellësisht në historinë amerikane përmenden disa figura të rëndësishme. Thomas Jefferson, autor kryesor i Deklaratës së Pavarësisë dhe presidenti i tretë, zgjeroi territorin amerikan përmes blerjes së Luizianës, duke dyfishuar sipërfaqen e vendit.

Theodore Roosevelt njihet për reformat progresiste, mbrojtjen e mjedisit dhe forcimin e rolit të SHBA-së në politikën botërore. Franklin D. Roosevelt udhëhoqi vendin gjatë Depresionit të Madh dhe Luftës së Dytë Botërore, duke zbatuar programin “New Deal” për rimëkëmbjen ekonomike dhe duke forcuar rolin e qeverisë federale. John F. Kennedy frymëzoi një brez të tërë me vizionin e tij për përparim dhe eksplorim hapësinor, ndërsa Ronald Reagan luajti një rol të rëndësishëm në fundin e Luftës së Ftohtë dhe në transformimet ekonomike të viteve 1980. Këta presidentë përfaqësojnë periudha të ndryshme dhe sfida të ndryshme, por të gjithë kontribuuan në formësimin e identitetit amerikan.

Dita e Presidentëve ka gjithashtu një dimension arsimor dhe qytetar. Në shkolla organizohen aktivitete që synojnë të rrisin ndërgjegjësimin për historinë kombëtare dhe për rëndësinë e pjesëmarrjes demokratike. Nxënësit mësojnë se si zgjedhjet, debatet dhe vendimet politike ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. Kjo festë shërben si kujtesë se demokracia është një proces i vazhdueshëm që kërkon angazhim dhe përgjegjësi.

Nga ana shoqërore, kjo ditë shënon një moment pushimi dhe aktivitetesh familjare. Megjithatë, përtej ofertave tregtare dhe fundjavës së zgjatur, mesazhi kryesor mbetet nderimi i institucioneve dhe reflektimi mbi rrugëtimin historik të kombit. Presidenca amerikane ka kaluar periudha stabiliteti dhe krize, suksese dhe polemika, por ka mbetur një simbol i vazhdimësisë institucionale.

Në dekadat e fundit, presidenca ka qenë shpesh në qendër të debateve të forta politike. Një nga figurat më të diskutueshme ka qenë Donald Trump. Trashëgimia e tij mbetet subjekt debatesh të gjera në shoqërinë amerikane. Mbështetësit e tij theksojnë politikat ekonomike, uljen e taksave dhe emërimet në Gjykatën Supreme si arritje të rëndësishme. Kritikët, nga ana tjetër, vënë në dukje polarizimin politik, retorikën përçarëse dhe sfidat ndaj normave tradicionale institucionale. Pavarësisht qëndrimeve të ndryshme, presidenca e Trumpit ka lënë një ndikim të dukshëm në diskursin politik dhe në mënyrën se si perceptohet roli i presidentit në epokën moderne.

Në përfundim, Dita e Presidentëve është një moment reflektimi mbi historinë dhe të ardhmen e Shteteve të Bashkuara. Ajo nderon figura të mëdha si George Washington dhe Abraham Lincoln, kujton kontributet e presidentëve të tjerë të shquar dhe fton qytetarët të mendojnë mbi përgjegjësinë që mbart pushteti. Nëpërmjet kësaj dite, amerikanët jo vetëm që kujtojnë të kaluarën, por edhe riafirmojnë angazhimin e tyre ndaj parimeve demokratike që kanë udhëhequr kombin për më shumë se dy shekuj.

Rafael Floqi

Filed Under: Politike

GAZETA “DIELLI”, GËZUAR DITËLINDJEN E 117-TË

February 15, 2026 by s p

Sokol Paja/

Gazeta me kontributin më të madh në historinë kombëtare, gazeta më e fuqishme dhe më jetëgjatë e diasporës shqiptare, “Dielli” i Vatrës, “Dielli” i shqiptarëve të Amerikës, “Dielli” i Rilindjes Kombëtare, “Dielli” i botës shqiptare, “Dielli” i shpirtit shqiptar, “Dielli” i mërgatës përtej Atlantikut, “Dielli” i kombit shqiptar sot feston ditëlindjen e 117-të. Që prej 15 Shkurtit 1909, Gazeta “Dielli” – “Nderi i Kombit” është gazeta më e vjetër në botën shqiptare, regjistri, arkiva, historia, krenaria, identiteti, lavdia, trashëgimia, përshpirtshmëria dhe vazhdimësia e Vatrës, vatranëve e shqiptarëve të Amerikës.

Gazeta “Dielli” është institucion atdhedashurie, shkollë gazetarie, referencë historie, pasuri kombëtare dhe identitare shqiptare. Gazeta “Dielli” është dritë që do ndriçojë përjetë qiellin e shqiptarisë. “Dielli” është e shkuara e tashmja dhe e ardhmja e mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gazeta “Dielli” është një dëshmi autentike e përpjekjeve të shenjta për shqiptarinë prej patriotëve, atdhetarëve e veprimtarëve të shquar të çështjes kombëtare.

Media më e fuqishme dhe më e rëndësishme për ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare, promovuese e vlerave shqiptaro-amerikane, “Dielli” u shndërrua në një xhevahir të çmuar të mendimit politik, eseistik, kritik, atdhetar, komunitar e kulturor shqiptar në diasporën e Amerikës.

Mbrojtëse dhe promovuese e gjuhës shqipe, historisë, frymës atdhetare e identitetit kombëtar, pasqyrë e shpirtit shqiptar, frymëzuese dhe përbashkuese e komunitetit shqiptar në mërgim, Gazeta “Dielli” është fillimi i shekullit të dytë të frymëzimit kombëtar, ruajtjes, trashëgimit dhe konsolidimit të vlerave më të çmuara të kombit tonë.

Gazeta “Dielli” është pasuri e çmuar historisë së lavdishme të kombit tonë, gjuhës, kulturës, medias, traditës dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve të Amerikës dhe mbarë trojeve shqipfolëse. “Diell”, ndriço, qëndro, shkëlqe e vezullo në shekuj të shekujve.

Mirënjohje përjetë editorëve të “Diellit”, kryetarëve të “Vatrës”, çdo vatrani e patrioti për mbështetjen, përkrahjen dhe dashurinë ndaj gazetës më të shquar të botës shqiptare në mërgim.

Filed Under: Politike

NJË STUDIM ME VLERA PËR HISTORINË E KOSOVËS, FEDERATËS “VATRA” E GAZETËS “DIELLI”

February 13, 2026 by s p

Akad. Beqir Meta/

Studimi i Prof. dr. Roland Gjini me titull “Pavarësia e Kosovës, Federata Panshqiptare “Vatra” dhe gazeta “Dielli” e ShBA-së (1981-2008)” është një vepër me vlerë shkencore për njohjen e një prej periudhave më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, pasi pasqyron kontributin e organizatës më të fuqishme dhe më jetëgjatë të emigracionit shqiptar ndaj çështjes më madhore kombëtare – çështjes së Kosovës. Ky libër mbush një boshllëk në studimet për diasporën shqiptare dhe Kosovën, pasi sjell një informacion të gjerë burimor, analiza shkencore të sakta dhe objektive mbi zhvillimet në Kosovë dhe qëndrimet e Federatës “Vatra” në momentet kyçe e dramatike që kaloi ajo në fundshekullin e kaluar dhe në fillim të këtij shekulli.

Prof. Gjini ka shkruar me një gjuhë të qartë dhe të këndshme, dhe njëkohësisht të balancuar, lidhur me qëndrimet e “Vatrës” dhe kontributet e sajë të çmuara historike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Në këtë botim spikat gjithashtu gjerësia e argumenteve dhe karakteri autentik i tij. Në studim ndërthuren qasje, analiza dhe informacione interesante lidhur me reagimin e “Vatrës” dhe gazetës së saj “Dielli”, ndaj demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, duke filluar nga evidentimi i vlerës së rezolutës së parë të “Vatrës” për Kosovën, miratuar në kuvendin e saj vjetor të 22-23 marsit 1981, e cila iu dërgua presidentit amerikan, Ronald Regan, në të cilën mbështetej kauza e drejtë e shqiptarëve, kërkesa e tyre për republikë dhe denoncohej dhuna jugosllave; i bëhet jehonë protestës së mijëra shqiptarëve më 25 mars, përpara ndërtesës së OKB-së dhe përfaqësisë jugosllave në këtë organizatë, ndaj dhunës jugosllave kundrejt shqiptarëve; spikat gjithashtu dhe nota e “Vatrës” dërguar Sekretarit të OKB-së dhe Sekretarit të Shtetit të ShBA-së, në prill 1981. Që nga ajo kohë, në çdo numër të saj gazeta “Dielli” nuk rreshti së shkruari për Kosovën editoriale, njoftime, lajme, kronika, shkrime analitike, letra nga lexuesit.

Autori, përmes një lënde të pasur, ka arritur të japë një panoramë konkrete dhe korrekte mbi fuqinë e “Vatrës” dhe impaktin e madh që pati aktiviteti i saj në emigracionin shqiptar në SHBA, në opinionin më të gjerë amerikan dhe në diplomacinë evropiane.

Kjo periudhë, për nga kontributet atdhetare të “Vatrës”, intensitetin, vlerën dhe rëndësinë e tyre, mund të krahasohet pa mëdyshje me periudhën më të artë të saj, atë të viteve 1912-1920, kur “Vatra” ishte organizata më e fuqishme dhe më me ndikim në emigracionin shqiptar, për rifitimin e pavarësisë sonë kombëtare. Prandaj, edhe ky studim i prof. Roland Gjinit ka një vlerë të veçantë.

Përmes këtij botimi, ne mësojmë dhe përulemi me nderim të veçantë për kontributin e pashlyeshëm atdhetar të intelektualëve të shquar shqiptarë në Amerikë dhe më gjerë, si të Sami Repishtit, Arshi Pipës, Petër Priftit, Rexhep Qoses, Mark Krasniqit, etj si dhe të Xhevat Kallajxhiut, i cili si kryeredaktor i gazetës “Dielli”, siç e theksonte prof. P. Prifti, e shndërroi Kosovën në “çështje të ditës”.

Gazeta “Dielli” u bëri jehonë dhe pasqyroi qindra demonstrata e protesta të shqiptarëve në qytete të ndryshme të SHBA-së, kundër dhunës serbe e jugosllave. Këto pasqyrime, së bashku me letrat e panumërta të shqiptarëve që botoheshin në këtë gazetë, krijuan një panoramë të qartë se diaspora shqiptare po ziente në mbrojtje të drejtave kombëtare dhe kundër dhunës jugosllave. Në këtë studim është pasqyruar edhe një nga demonstratat më të mëdha e më të fuqishme- ajo e 18 majit 1981 në New York.

Gazeta “Dielli” u bëri jehonë edhe reagimeve të disa organizatave të kombeve të tjera në Amerikë në mbrojtje të Kosovës. Njëkohësisht ajo denoncoi heshtjen dhe mungesën e reagimit adekuat të qeverisë së Enver Hoxhës ndaj të drejtave të shqiptarëve në Kosovë dhe kundër dhunës serbe.

Një vlerë të veçantë kishin artikujt e thellë dhe të mprehtë të Sami Repishtit (në maj 1981), ku analizoheshin shkaqet e demonstratave në Kosovë.

“Dielli” artikulon kritika edhe për diplomacinë dhe shtypin perëndimor, për heshtjen e tyre apo pasqyrimin e ngjarjeve në Kosovë sipas informatave jugosllave. Një vlerë të veçantë kishin të dhënat që jepte “Dielli” për burgosjet në Kosovë gjatë viteve 1980. Vlerë të posaçme ka edhe artikulli i intelektualit të shquar Arshi Pipa mbi platformën antishqiptare të Millosheviçit (25 janar 1989), duke e analizuar atë dhe kufizimin e autonomisë së Kosovës, denoncimi i propagandës jugosllave se gjoja serbët po largoheshin nga Kosova, argumentimi i drejtësisë së kërkesave shqiptare për republikën, etj.

Pas heqjes së autonomisë së Kosovës në mars 1989, senatorët amerikanë dhe shtypi evropian u aktivizuan dhe e dënuan këtë politikë. “Dielli”dhe “Vatra” u bëri jehonë atyre dhe ishte një inkurajuese e fuqishme e këtij reflektimi. Rezolutave të Kongresit dhe të Senatit Amerikan për Kosovën tashmë u bëhet jehonë e madhe nga “Dielli”, duke ndezur opinionin shqiptar.

Po kështu, i bëhej jehonë aktit historik të Kuvendit të Kosovës, Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990, rezolutës së Parlamentit Evropian të 13 korrikut 1990 në përkrahje të saj dhe të Republikës së Kosovës në Jugosllavi.

“Dielli” ishte mbështetës konstant i Ibrahim Rugovës dhe LDK-së që ishin vënë në krye të rezistencës paqësore, qytetare e kombëtare të shqiptarëve, e cila ishte shumë efektive dhe me ndikim të pashlyeshëm në opinionin perëndimor.

Deklarata e ashpër e “Vatrës” më 4 mars 1998 kundër reprezaljes së serbëve në Kosovë, ushtoi në kancelaritë amerikane e evropiane. Pohimet e saj rrëqethëse por të vërteta se “Prishtina dhe e gjithë Kosova po lahen me gjakun e pafajshëm të fëmijëve tanë, të nënave e baballarëve, të motrave e vëllezërve tanë”, vetëm sepse populli shqiptar i Kosovës “dëshiron të jetojë i lirë, të vendosë vetë mbi fatet e tij, mbi jetën e tij, mbi të ardhmen e fëmijëve të tij” mbeten një spikamë me vlera historike për rolin e diasporës shqiptare në mbrojtje të popullit tonë. “Vatranët” dënonin terrorin serb dhe fajësonin bashkësinë ndërkombëtare se nuk i ishte qasur me drejtësi e vendosmëri çështjes së Kosovës dhe çështjes shqiptare në tërësi.

Pas vrasjes së Adem Jasharit “Vatra” organizoi më 25 mars 1998 një nga demonstratat më të mëdha që kanë bërë ndonjëherë shqiptarët në Washington, ku morën pjesë më se 20 000 vetë, ku ushtoi fjala e kryetarit të “Vatrës”, atdhetarit të shquar, Agim Karagjozit. Të gjitha këto ngjarje pasqyrohen me objektivitet e të argumentuara në studim. Nga studimi mësojmë se “Vatra” i lidhi ngjarjet në Kosovë edhe me krizën e vitit 1997 në Shqipëri, të cilën e cilësoi si të nxitur nga të huajt, për t’i dhënë goditje Kosovës e Shqipërisë.

Në këtë studim është trajtuar me nota realiste por tepër prekëse edhe alarmi dhe qëndrimi i “Vatrës” ndaj eksodit të shqiptarëve dhe spastrimit etnik të Kosovës. Gjithashtu i bëhet jehonë ndërhyrjeve të NATO-s dhe të Presidentit Klinton për çlirimin e Kosovës.

Këtu spikat edhe deklarata e “Vatrës” më 28 majit 1999 në mbështetje të UÇK-së dhe kundër gjenocidit serb.

Emocione të forta të krijon mbyllja e një editoriali të “Diellit” të prill-majit 1999, ku shkruhej: “Jemi ne të vrarët, të gjakosurit, të djegurit, të dhunuarit, të nëpërkëmburit, gjymtyrëthyerit, synxjerrit, të shpërngulurit e të stërshpërngulurit, të copëtuarit e kongreseve berlineze dhe konferencave londineze, që kërkojmë jo thjesht për hir të asaj që pësuam, por për hir të së drejtës, Kosovën tonë të lirë e të pavarur”.

Pas çlirimit nga pushtuesit serb, “Vatra” mbështeti ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve në Kosovë, duke bërë thirrje për përmbajtjen e tyre demokratike e kombëtare.

“Vatra” promovoi dhe mbështeti Kosovën përmes demonstratave, memorandumeve etj., i tërhoqi vëmendjen opinionit ndërkombëtar ndaj rishfaqjes së dhunës serbe në veri, në shkurt 2000, bëri thirrje për qetësi dhe uljen e tensioneve midis forcave politike në Kosovë; bëri thirrje për qetësi e rregull, pas trazirave të marsit 2004, duke mbështetur Presidentin Rugova dhe institucionet e Kosovës. Të gjitha këto qëndrime të drejta dhe vizionare argumentohen, analizohen dhe përbëjnë një vlerë të veçantë të këtij studimi. Edhe pas pavarësisë së Kosovës, “Vatra” ishte vigjilente dhe në mbrojtje të saj. Kështu ajo dënoi akuzat e trilluara të Dik Martit në Këshillin e Evropës dhe mbështeti bisedimet Kosovë-Serbi, duke bërë thirrje për unitet midis shqiptarëve.

Në përfundim vlen të theksohet se ky botim do të zërë një vend me rëndësi në historinë e Federatës Panshqiptare Vatra dhe të diasporës shqiptare të Amerikës, i cili sigurisht do të referohet e do tu shërbejë më së miri studimeve për historinë tonë bashkëkohore kombëtare. Ky studim jep një panoramë më të qartë mbi rrugën që ndoqi procesi i qëndresës dhe i përpjekjeqeve së popullit shqiptar të Kosovës në luftën e tij për fitimin e të drejtave kombëtare, deri në arritjen e lirisë nga pushtimi i gjatë serb dhe fitoren finale: atë të shpalljes së Pavarësisë. Ai ka vlera të shumta shkencore dhe edukative prandaj besoj se do pritet me interes nga lexuesi shqiptar.

E përgëzoj dhe i shpreh urimet më të mira Prof. Roland Gjinit për punën e madhe dhe shumë të vlefshme që ka kryer për realizimin e këtij studimi. I uroj suksese të mëtejme në veprimtarinë shkencore.

Filed Under: Politike

VATRA APEL PUBLIK DREJTUAR KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN

February 12, 2026 by s p

Të dashur bashkatdhetarë,

Vëllezër e motra të komunitetit shqiptaro-amerikan,

Nisur nga përpjekjet shekullore të popullit të Kosovës për liri, dinjitet dhe pavarësi, e në veçanti nga lufta titanike dhe heroike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot ndodhemi përballë një momenti të rëndë historik dhe moral. Një padrejtësi e madhe po u bëhet liderëve të UÇK-së dhe, nëpërmjet tyre, vetë luftës çlirimtare të popullit tonë.

Proceset gjyqësore që po zhvillohen në Dhomat e Specializuara në Hagë, në formën dhe frymën e tyre aktuale, rrezikojnë të njollosin një luftë të drejtë, një sakrificë sublime dhe një popull që luftoi për mbijetesë, liri dhe pavarësi përballë një regjimi gjenocidal.

Ne nuk mund të heshtim përballë kësaj padrejtësie.

Prandaj, Federata Panshqiptare e Amerikës “Vatra” u bën thirrje të gjithë shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të bashkohen në një protestë paqësore në Uashington, me një mesazh të qartë dhe dinjitoz:

“Drejtësi për luftën çlirimtare të Kosovës dhe udhëheqësit e UÇK-së”

Në këtë apel ne i drejtohemi:

Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald J. Trump,

Senatit dhe Kongresit Amerikan,

Institucioneve të drejtësisë ndërkombëtare si dhe opinionit publik amerikan, duke u kujtuar se populli shqiptar dhe Shtetet e Bashkuara kanë qenë dhe do të mbeten aleatë të përhershëm në mbrojtje të lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

Ne themi qartë:

Mos lejoni që, përmes proceseve të montuara gjyqësore, të fyhet gjaku i derdhur për liri.

Mos lejoni që të poshtërohen dëshmorët e kombit tonë.

Mos e barazoni kurrë viktimën me xhelatin.

Mos i mbyllni sytë përballë një regjimi që vrau, masakroi, dhunoi dhe shkatërroi në përmasa gjenocidiale.

Më 24 mars 1999, me vendosmërinë e Amerikës dhe të NATO-s, filluan bombardimet kundër atij regjimi kriminal dhe u shpëtua një popull i tërë nga shfarosja. Ky ishte një akt i madh i drejtësisë historike. Sot kërkojmë që ajo frymë drejtësie të mos shuhet.

Ne kërkojmë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendi dhe populli më mik i shqiptarëve që të ndikojnë për të parandaluar këtë padrejtësi të madhe, e cila na fyen nderin, gjakun e derdhur dhe moralin tonë kombëtar.

Lufta e UÇK-së ishte luftë për liri, për mbrojtje të pragut të shtëpisë dhe nderit kombëtar;

Ishte luftë për mbijetesë, jo për hakmarrje;

Ishte luftë për paqe e liri, dhe mbrojtje të substances kombëtare.

Prandaj sot ngrihemi për të mbrojtur të vërtetën historike dhe dinjitetin e një populli.

Data dhe detajet e protestës do të njoftohen në kohë.

Me respekt dhe përgjegjësi kombëtare,

I ftoj të gjithë shqiptarët në Amerikë që të jenë pjesë e kësaj thirrjeje për drejtësi.

Liri për Çlirimtarët.

Drejtësi për Kosovën.

Dr. Elmi Berisha

Kryetar,

Federata Panshqiptare e Amerikës “Vatra”

Filed Under: Politike

VATRA KËRKON DREJTËSI NË HAGË

February 10, 2026 by s p

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra dhe mbarë bashkësia shqiptaro-amerikane i apelon Tribunalit të Hagës për një drejtësi të ndershme, të moralshme, të paanshme dhe të bazuar në fakte e prova të pakundërshtueshme, jo të bazuar të falsifikimet serbo-ruse. Kërkesa për dënim 180 vjet burg për çlirimtarët dhe luftëtarët e lirisë: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi është një marrëzi dhe fyerje jo vetëm për luftën e drejtë të UÇK por për mbarë kombin shqiptar.

Aktakuza bazuar në prova të rrejshme dhe dëshmitarë të stisur e qesharakë është çmenduri dhe fyerje për vetë sistemin ndërkombëtar të drejtësisë.

Civilizimi perëndimor duhet ta ndalojë këtë turp.

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një luftë e drejtë, e pastër, e ligjshme, e moralshme dhe e domosdoshme për mbijetesën e popullit shqiptar në Kosovë përballë regjimit okupator e gjenocidal serb. UÇK është krenari, histori, frymëzim, integritet dhe dinjitet kombëtar. Askush nuk mund ta baltosë apo njollosë lavdinë, pastërtinë, shpirtin dhe nderin e Lëvizjes Çlirimtare që dëboi e theu përgjithmonë regjimin gjakatar serb.

Federata Vatra dhe mbarë bashkësia shqiptaro-amerikane i apelon Perëndimit dhe Institucioneve Amerikane që të ndalojnë e refuzojnë këtë turp padrejtësie në emër të drejtësisë ndërkombëtare. Çlirimtarët dhe Luftëtarët e lirisë janë frymëzim dhe nderim i përjetshëm për çdo shqiptar. Fatet e Kosovës dhe kombit shqiptar vendosen vetëm në Uashington.

Liria e Kosovës është rezultat i sakrificës sublime të popullit të Kosovës, miqve e aletëve të kombit tonë dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës është vlera dhe krenaria e kësaj sakrifice për liri, shtet dhe dinjitet kombëtar.

Dr. Elmi Berisha,

Kryetar i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA”

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 670
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ELIOT ENGEL – NJË MIK I PAHARRUAR I SHQIPTARËVE DHE ZË I LIRISË DHE DREJTËSISË PËR KOSOVËN
  • REALIZIMI I TË DREJTAVE GJUHËSORE SHQIPTARE (1924–2026): ARTIKULIMI QYTETAR DHE DIPLOMACIA
  • BOOKFEST NË CHICAGO
  • “Brenga”, trinomi filozofik nga rrëfimi historik tek drama morale
  • Vatra Boston mbështet ekspozitën e kostumeve tradicionale shqiptare
  • Në kujtim të 160 civilëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë fashsite!
  • PERSONALITETE TË MËRGATËS SHQIPTARE NË MICHIGAN VIZITUAN KISHËN ORTODOKSE SHQIPTARE TË SHËN THOMAIT
  • VATRA CHICAGO ORGANIZOI “ALBANIAN BOOKFEST 2026”
  • U FESTUA NË NEW YORK 115 VJETORI I KRYENGRITJES SË MALËSISË
  • ROLI I KONTIT LEOPOLD BERCHTOLD NË ÇËSHTJEN SHQIPTARE
  • Pashk Përvathi, poeti i peizazhit, virtuozi i ngjyrave të thella dhe dritës së vezullimtë të natyrës
  • Hormuzi – “Çil e mbyll”
  • Repertori i Mjeshtrit të Këngës Hajro Ceka bashkon Kombin
  • Vetëdija jonë kombëtare…
  • Kontributi për kulturën arbëreshe – thesar edhe për brezat që vijnë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT