• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nga fryma e 1981-shit te vizioni i së ardhmes

March 11, 2026 by s p

Prof.dr Skender Asani/

Në kujtesën historike të shqiptarëve, demonstratat e 11 marsit 1981 në Kosova përfaqësojnë një nga ato momente kur historia nuk rrjedh më vetëm si kronikë e ngjarjeve, por shndërrohet në një akt vetëdijeje kolektive. Ato nuk ishin thjesht një shpërthim spontan i pakënaqësisë studentore, por një artikulim i thellë i aspiratave të një populli për dinjitet, barazi dhe vetëvendosje. Në thelb, ato demonstrata përbënin një pikë kthese në procesin e emancipimit politik të shqiptarëve nën federatën e atëhershme jugosllave, duke e vendosur çështjen shqiptare në një horizont të ri historik dhe politik. Rinia shqiptare e asaj kohe, e frymëzuar nga idealet e lirisë dhe të drejtësisë historike, i dha zë një aspirate që kishte kohë që ishte ngjizur në ndërgjegjen kombëtare: kërkesës për një status të barabartë dhe për një të ardhme ku identiteti, kultura dhe e drejta për vetëvendosje të mos mbeteshin më në periferi të realitetit politik.

Në planin historik, demonstratat e vitit 1981 mund të kuptohen si një moment i rëndësishëm në evolucionin e rezistencës shqiptare në Kosovë, një moment kur kërkesat sociale dhe akademike u shndërruan në një platformë të gjerë politike, e cila do të ndikonte drejtpërdrejt në zhvillimet që do të pasonin në dekadat e ardhshme. Ato ngjarje nuk ishin të shkëputura nga rrjedha e historisë, por pjesë e një kontinuiteti të gjatë përpjekjesh për afirmim politik dhe kulturor. Në këtë kuptim, fryma e marsit 1981 ishte një pararendëse e proceseve që më vonë do të kulmonin me shpalljen e pavarësisë së Republika e Kosovës, duke dëshmuar se energjia e asaj lëvizjeje nuk u shua me represionin e kohës, por u transformua në një motivim të vazhdueshëm për brezat që pasuan.

Megjithatë, reflektimi mbi këtë përvjetor nuk duhet të mbetet vetëm në dimensionin memorial apo përkujtimor. Historia e demonstratave të vitit 1981 duhet të lexohet edhe si një tekst politik për kohën tonë, si një udhërrëfyes që na ndihmon të kuptojmë sfidat e së tashmes dhe të projektojmë strategjitë e së ardhmes. Nëse dikur sfida kryesore ishte mbijetesa politike dhe ruajtja e identitetit kombëtar në rrethana represive, sot sfidat janë të një natyre tjetër: konsolidimi institucional, zhvillimi demokratik, integrimi ndërkombëtar dhe ndërtimi i një shoqërie të qëndrueshme ku drejtësia, meritokracia dhe mirëqenia të jenë shtylla të zhvillimit.

Në këtë realitet të ri historik, fryma e vitit 1981 mbetet një kapital moral dhe politik që nuk duhet të mbetet i ngrirë në kujtesë, por duhet të përkthehet në një kulturë të re të përgjegjësisë politike. Elitat politike shqiptare, kudo që veprojnë në hapësirën kombëtare, duhet ta kuptojnë se legjitimiteti i tyre historik buron pikërisht nga sakrificat dhe idealet që u artikuluan në ato demonstrata. Pa vazhdimësinë e atij shpirti të përkushtimit ndaj interesit kombëtar, çdo projekt politik rrezikon të mbetet i zbrazët në përmbajtje dhe i brishtë në perspektivë.

Pikërisht për këtë arsye, sfida më e madhe e kohës sonë është ndërtimi i një kulture të re uniteti dhe pjekurie politike. Historia e shqiptarëve dëshmon se momentet më të mëdha të përparimit kanë ardhur atëherë kur energjitë kombëtare janë bashkuar rreth një vizioni të përbashkët. Në të kundërtën, fragmentarizimi dhe rivalitetet e ngushta kanë prodhuar shpesh dobësi strategjike dhe humbje të mundësive historike. Prandaj, në kohën kur rajoni dhe bota po kalojnë transformime të reja gjeopolitike, shqiptarët kanë nevojë për një kthjelltësi më të madhe politike, për një koordinim më të thellë strategjik dhe për një kulturë bashkëpunimi që e tejkalon interesin e momentit.

Në këtë kuptim, fryma e vitit 1981 duhet të rikthehet si një paradigmë morale dhe politike për brezat e sotëm. Ajo nuk është thjesht një kujtim i lavdishëm i historisë, por një thirrje për përgjegjësi. Ajo u kujton elitave politike se drejtimi i një kombi nuk është vetëm një privilegj institucional, por një barrë historike që kërkon vizion, maturi dhe ndjenjë të thellë përgjegjësie ndaj së ardhmes. Pa këtë dimension etik dhe strategjik, politika rrezikon të shndërrohet në një administrim të përditshëm të interesave të ngushta, duke humbur lidhjen me idealet që e kanë ushqyer historinë kombëtare.

Prandaj, ndërsa përkujtojmë 45-vjetorin e demonstratave të vitit 1981, mesazhi që del nga kjo përvojë historike është i qartë: uniteti dhe pjekuria janë kushtet themelore për të përballuar sfidat e reja. Vetëm përmes një vizioni të përbashkët, një strategjie të menduar dhe një fryme solidariteti kombëtar mund të ndërtohet një e ardhme e qëndrueshme për shqiptarët. Sepse historia na mëson se kur fryma e lirisë, e përgjegjësisë dhe e bashkimit mbetet e gjallë në ndërgjegjen e një populli, atëherë edhe horizontet e së ardhmes bëhen më të qarta dhe më të sigurta.

Filed Under: Rajon

KLASA POLITIKE NË SHQIPËRI DHE NË KOSOVË PO TRADHTON SHPRESËN DHE BESIMIN E SHQIPTARËVE PËR TË ARDHMEN

March 9, 2026 by s p

Frank Shkreli/

Deshta të them “Elita Politike Shqiptare”, por jo, se lexuesit e nderuar që kanë ndjekur shkrimet e mia modeste gjatë viteve e dinë se unë nuk kam menduar as besuar ndonjëherë, gjatë këtyre dekadave të fundit, por as pothuaj në gjysëm shekull komunizëm sllavo-aziatik — që bota shqiptare të ketë pasur një “elitë politike të mirëfilltë”. Në një intervistë me Zërin e Amerikës, (2005) në kapacitetin tim si Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtare Shqiptaro-Amerikanë, (NAAC) në Washington — Pavarësia, zgjidhja e vetme për çështjen e Kosovës — jam shprehur se shqiptarët, në përgjithësi, nuk kanë qënë kurrë më të lirë se në fillim të këtij shekulli. Kam shprehur gjithashtu shpresën dhe dëshirën time, atëherë, se kishte ardhur koha për shqipot tona ta shfrytëzonin këtë moment historik, ashtuqë shqiptarët të bëhen sa më shpejt pjesë e Evropës demokratike dhe si dy shtete shqiptare, anëtarë të organizmave evro-atlantike.

Që Shqipëria të bëhej sa më parë anëtare e NATO-s, që Kosova të bëhej sa më shpejt shtet i pavarur, fillimisht, dhe më pas anëtare e NATO-s dhe, më në fund, dy shtetet shqiptare të bëheshin anëtare të Bashkimit Evropian. Një pjesë e madhe e realizimit të këtyre mundësive historike për kombin është në dorën e shqiptarëve për t’u arritur, jam shprehur me atë rast. “Unë besoj se shqiptarët e Ballkanit i pret një e ardhme shumë e ndritur”, ishte bindja dhe shpresa ime atëherë. “Kurrë më parë, Kombi shqiptar nuk ka patur më shumë liri, më shumë demokraci dhe e ardhmja e tij është shumë shpresë-dhënëse”. Unë nuk isha i vetmi që mendoja kështu në fillim të çerekut të parë të shekullit XXI. Besimi dhe shpresat, në shumë qarqe kombëtare dhe ndërkombëtare, ishin në atë kohë, se shekulli XXI do të jetë, “Shekulli i Shqiptarëve”. Sot, një deklaratë e tillë do të dukej si një tallje.

Natyrisht, se edhe pikëpamjet e mia kanë ndryshuar gjatë 15-20-viteve të kaluara, në mënyrë drastike, dhe për më keq, në lidhje me tranzicionin e grabitur dhe për rolin e klasës politike në Shqipëri dhe Kosovë, që po dëbon shqiptarët nga trojet shqiptare. Por, qe ku jemi sot! Ja një përmbledhje të disa mendimeve të mia (me ndihmën e ai) të shprehura në shkrimet e shumta gjatë viteve si — dhe në disa nga intervistat– Frank Shkreli: Politika në Shqipëri dhe sfidat e shumta me të cilat ajo përballet | Gazeta Telegraf — gjatë viteve mbi këtë subjekt, si një thirrje e kotë që binte në veshë të shurdhër – se nëqoftse vazhdohet kështu klasa politike shqiptare, në të dy anët e kufirit, në vend që t’i mbronte, po tradhton shpresën dhe besimin e një populli për një të ardhme më të mirë. Por, fatkeqsisht, qe ku jemi sot!

Kanë kaluar më shumë se tri dekada nga rënia e diktaturës komuniste në Shqipëri d he pothuaj dy dekada nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Dy momente historike që duhej të shënonin lindjen e një epoke të re për Kombin shqiptar: me demokraci të vërtetë, institucione të forta, liri e drejtësi dhe shtete të ssë drejtës që i shërbejnë qytetarve shqiptarë dhe jo klasës politike në pushtet dhe interesave të tyre personale e partiake. Andaj një pyetje e rëndë vazhdon të rëndojë mbi ndërgjegjen kombëtare shqiptare: si është e mundur që shpresa e një populli për demokraci, liri, drejtësi dhe mirëqenie të përfundojë në një krizë kaq të thellë besimi ndaj klasës politike shqiptare si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë?

Sot, përballë realitetit të mjerueshëm politik në Shqipëri dhe në Kosovë, është e vështirë të mos pranohet një e vërtetë e hidhur se shpresa e madhe e shumicës së shqiptarëve dhe miqve të tyre ndërkombëtarë, në fillim të këtij në Ko, është tradhtuar nga kjo klasë politike e recikluar që sot shihet qartë se ka dështuar në misionin e saj historik. Në vend që të ndërtonte shtetin, një pjesë e madhe e kësaj klase politike ndërtoi rrjete pushteti. Në vend që të forconte institucionet e shtetit, politika shqiptare e këtyre dekadave, ajo i nënshtronte ato. Dhe në vend që të udhëhiqte shoqërinë drejt zhvillimit dhe dinjitetit kombëtar, e përdori shtetin si instrument për karrierë, klientelizëm, pasurim të vetin, dhe poste për familjarët dhe miqët e tyre.

Në Shqipëri, tranzicioni u kthye në një histori të pafund krizash politike, polarizimi ekstrem dhe korrupsioni sistemik, pasojë e regjimit diktatorial gjysëm shekullor, sllavo-komunist, gjurmët e të cilit shihen ende sot kudo me një prani në nivelet më të larta politike dhe administrative të shtetit shqiptar. Politikanët e ricikluar, që në fushata zgjedhjesh, të blear e të shitura, premtojnë liri, demokraci dhe drejtësi, kanë prodhuar sistemin politik aktual, ku pushteti qarkullon brenda të njëjtave rrethe politike dhe ekonomike. Emrat mund të ndryshojnë nga koha në kohë, partitë mund të ndërrojnë vendet në pushtet, por modeli korruptiv dhe autoritar mbetet pothuajse i njëjtë, për faqe të zezë të Shqipërisë dhe të Kombit – një model i cili po përfundon me zbrasjen serioze të trojeve shqiptare, një fenomen, që nga përmasat, është i paparë në historinë e shqiptarëve.

Ndërkohë, në Kosovë shteti që lindi nga një sakrificë historike dhe me mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë kishte një mundësi të rrallë që të ndërtonte institucione të reja, të lira e demokratike, të pastra nga trashëgimia e korrupsionit dhe autoritarizmit të diktaturës sllavo-komuniste. Por, mjerisht edhe aty, shumë shpejt, politika u përfshi nga sëmundjet e njohura të rajonit: nepotizëm, luftë për pushtet, kapje të institucioneve dhe korrrupcion. Në Kosovë, megjithëse dihet se realiteti politik është deri diku ndryshe nga ai Shqipërisë dhe sfidat shtetformuese janë ende të pranishme, kriza e besimit ndaj elitës politike mbetet po aq e dukshme, sin ë shtetin amë. Përplasjet e brendshme politike, zgjedhjet e shpeshta, ndonëse të lira, nuk përfundojnë në qeveri të forta, ndërkohë që tensionet institucionale — si ato të ditëve të fundit — dhe akuzat për korrupsion po dëmtojnë besimin e qytetarëve tek institucionet që duhej të simbolizonin sakrificën dhe idealin e lirisë për një komb që ka vuajtur aq shumë e gjatë nën thundrën terroriste serbe.

Por klasa politike në Shqipëri dhe Kosovë duhet të kuptojë se legjitimiteti nuk fitohet vetëm në zgjedhje, qofshin ato edhe të lira, por ai duhet të ruhet dhe të kultivohet përmes integritetit moral e kombëtar, transparencës dhe përgjegjësisë së politikës ndaj qytetarëve. Shpresohej se një brez tjetër politikanësh do bënte më mirë se i pari. Ironia më e madhe është se edhe ata pak politikanë të brezit të rinj politikë, të cilët premtuan dhe duhej të përfaqësonin një ndryshim moral, politik dhe kulturor, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, shpesh përfunduan duke kopjuar të njëjtin model të para-ardhësve të tyre, megjithse pretendonin se do ta rrëzonin atë model sistemi qeverisës, por më kot. Pasojat e këtij dështimi në vazhdimëse, janë të rënda dhe të dukshme sot në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar.

Siç thashë më lartë, një ndër këto pasoja serioze, qindra mijëra shqiptarë kanë zgjedhur emigrimin si votën më të qartë të mosbesimit dhe humbjes së shpresës së tyre ndaj politikës aktuale të dështuar në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar. Të rinjtë, që duhej të ishin energjia e zhvllimit, dhe intelektualët ndër më të mirët e Kombit, po largohen në masë nga Shqipëria dhe Kosova, njëkohësisht. Ndërkohë që institucionet qeveritare e shtetërore, perceptohen, me të drejtë, nga qytetarët, jo si garanci drejtësie, por si instrumente të interesave të politikës së ditës. Me këto fjalë, unë nuk po them asgjë të re, sepse, modestsisht, i kam thënë shpesh në të kaluarën, as nuk janë të reja për shqiptarët në Shqipëri e Kosovë, pasi janë ata që i vuajnë këto të vërteta të hidhura, nga dita në ditë, pa asnjë shpresë përmirësimi. Por, fatkqesisht, duhet të kujtojmë me dhimbje në zemër, se duke qenë dëshmitarë i zhvillimeve të fundit politike në Shqipëri dhe në Kosovë, konstatojmë edhe sot, ashtu si 15-20 vjet më parë, se kjo ishte dhe mbetet tragjedia e tranzicionit shqiptar. Brezi aktual politik “post-komunist” ndër shqiptarët, që duhej të ndërtonte shtetin, të vendoste lirinë, drejtësinë dhe demokracinë e mohuar shqiptarëve për një kohë shumë të gjatë, po e përjetëson atë sistem politik të korruptuar e autoritar, ndërkohë që shpesh është kthyer në pengesën kryesore për themelimin e një shtetit modern demokratik, me një sistem politik të lirë, të drejtë e demokratik, për të mirën e të gjithë shqiptarëve, pa dallim.

Natyrisht se përgjegjësia për këtë gjëndje të krijuar, nuk është vetëm politike individuale por ajo përfshin pothuaj të gjitha veprimtaritë e jetës shoqërore, mbarë shoqërinë, pra. Problemi është bërë, tanimë, strukturor që prek pothuaj të gjitha nivelet e jetës së shqiptarëve. Është krijuar një sistem i ndërtuar mbi klientelizmin politik i cili me kontrollin partiak të institucioneve prodhon vazhdimisht të njëjtin rezultat: një elitë politike që manipulon dhe i mbijeton sistemit, ndërsa shoqëria mbetet në krizë të vazhdueshme besimi, përball emigrimit, largimit masiv nga trojet stërgjyshore – si alternativë e vetme e njerëve, ndonëse kundër vullnetit personal, familjar e kombëtar, jo e dëshiruar prej shumëve.

Megjithatë historia na mëson një gjë: asnjë sistem i padrejtë nuk është i përjetshëm. Por, ndryshimi nuk do të vijë vetëm nga rotacioni i pushtetit, sepse tranzicioni shqiptar ka treguar se ndërrimi i partive shpesh nuk ndryshon pothuaj asgjë e sidomos jo kulturën e pushtetit. Pas 35-vjet, “post-komunizëm” në Shqipëri dhe pothuaj dy dekada pavarësi të Kosovës, ndryshimi i vërtetë dhe urgjent kërkon gjithashtu një transformim më të thellë. Kërkon institucione të pavarura, drejtësi që nuk i shërben politikës dhe një elitë të re që e sheh politikën si shërbim publik dhe jo si pronë personale.

Paradoksi është jo vetëm i dhimbshëm, por edhe pabesueshëm: dy shtete shqiptare që kanë kaluar përmes historive dramatike të vuajtjeve e të sakrificës kombëtare, sot përballen me një zhgënjim të thellë qytetar ndaj politikës. Në vend që të ndërtonin një kulturë të re politike, shumë aktorë të tranzicionit kanë riprodhuar modele të vjetra të pushtetit – centralizim të vendimmarrjes, klientelizëm dhe politizim të institucioneve dhe shkelje të lirive bazë të njeriut, siç është liria e shtypit. Demokracia nuk mund të mbijetojë vetëm me retorikë patriotike apo me fjalime elektorale. Ajo kërkon institucione të forta, drejtësi të pavarur dhe një elitë politike që e kupton se pushteti është përgjegjësi, jo privilegj.

Sepse në fund të fundit, pyetja nuk është vetëm kush qeveris sot. Pyetja është shumë më e rëndë: a do të vazhdojë Kombi shqiptar të mbetet peng i një klase politike që, sot për sot, ka humbur besimin e qytetarëve të vet? Patjetër që historia do të japë përgjigjen në kohën e duhur. Por një gjë është e sigurt. Një shoqëri që humb besimin te politika – për mirë ose për keq, heret ose vonë — kërkon ta rindërtojë atë nga e para, por me pasoja të pa-parashikueshme për Kombin, sidomos në një botë të pasigurt, si kjo bota në të cilën jetojmë sot.

Filed Under: Rajon

Një jetë në shërbim të historisë shqiptare

March 7, 2026 by s p

Avzi Mustafa/

(In memoriam për Prof. Dr. Halim Purellkun)

Më 2 mars 2026, në orët e pasmesnatës, në Shkup, pushoi së rrahuri zemra fisnike, e madhe dhe me ndjenja humane e historianit të pepur të historisë kombëtare, prof. dr. Halim Purellkut. Ishte një lajm i hidhur që e tronditi jo vetëm familjen, por edhe të gjithë miqtë, shokët, kolegët dhe publikun më të gjerë kulturor. 

https://www.zemrashqiptare.net/images/article/2016_04/42857/u1_Halim-Purellku.jpgÇdo vdekje e njeriut është e tillë, e papritur dhe e dhimbshme, pavarësisht lidhjes me jetëgjatësinë dhe gëzimet që ajo sjell. Por, kur ajo përmbush misionin e saj, për ne – të dashurit që kemi jetuar dhe përjetuar jetën me krijimtarinë e tij, pasurimin dhe përparimin e njerëzve dhe botës së jetës – atëherë emocionet tona arrijnë kulmin, dhimbja bëhet më e thellë dhe më e gjerë, ndërsa vetëdija për humbjen e një personaliteti të madh shpërthen në hapësirën e reales.

Kur vdekja Halim Purellkut u bë realitet që duhej pranuar, ne mundëm me dinjitet dhe dhimbje ta shprehim edhe kënaqësinë që në hapësirën tonë shoqërore, në periudhën e zhvillimit madhështor të arsimit, kulturës, shkencës, ai dha një kontribut jashtëzakonisht të rëndësishëm në zhvillimin tonë të përgjithshëm.

Halim Purellku u lind në vitin 1952 në fshatin Serbicë të Kërçovë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme e përfundoi në gjimnazin “Zef Lush Marku” në Shkup. Studimet për histori i përfundoi në Universitetin e Prishtinës, në vitin 1977, ku më pas mori edhe titullin magjistër i shkencave të historisë. Doktoraturën e mbrojti në Universitetin e Tiranës. 

Gjatë karrierës së tij punoi si profesor në gjimnazin “Zef Lush Marku” në Shkup dhe, më pas, si ligjërues në Universitetin e Tetovës, në Fakultetin Filozofik – dega e Historisë.

Prof. dr. Halim Purellku ishte një shembull i mrekullueshëm i ndershmërisë intelektuale dhe vepruese, i përkushtimit ndaj përparimit e humanizmit me pastërtinë e veprës dhe mobilizimin e potencialit njerëzor midis punonjësve të arsimit e shkencës jo vetëm në Maqedoni, por në tërë hapësirat shqiptare. Si një shembull i ndritur i frymës krijuese dhe arritjeve, prof. Halimi për pesë dekada veproi pa ndërprerë deri në frymën e fundit.

Me ikjen e tij nga kjo botë, në kuptimin fizik do të na mungojë, por ai do të jetë i pranishëm derisa të këtë shqiptarë dhe histori, sepse ai la një mori studimesh e veprash që i takojnë historisë shqiptare. Veprat e tij shkencore, si dhe puna e tij ligjërues në shkollat e mesme dhe në universitet, do të mbeten gjithmonë të ngulitura në mendjen dhe zemrën e shumë gjeneratave të nxënësve, studentëve dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Studimet shkencore dhe punimet e tij profesionale kanë vlerë të qëndrueshme në shkencën e historisë. Kjo qëndrueshmëri është vërtetuar edhe me faktin se ai kurrë nuk shkruante pa e dokumentuar punën e tij me të dhëna arkivore e dokumente, që nuk ishin vetëm dëshmi e hultimit të tij, por njëherazi edhe orientim në kërkimet e mëtejshme. Andaj ai i mori vlerësimet më të larta që mund t’i bëhen një autori të shkencave të historisë.

Veprat e tij flasin për një hulumtues dhe veprimtar revolucionar gjatë dekadave të trazuara të historisë sonë. Bashkëkohësit dhe njohësit e personalitetit dhe veprës së prof. Halimit thonë se ai ka ofruar një bazë të çmuar për hulumtime e vlerësime të mëtejshme dhe plotësim të argumenteve historiografike. 

Ai kudo e ngrinte zërin për një rivlerësim të historisë kombëtare dhe atë e kërkonte nëpërmjet një ndërmarrjeje shkencore. Kjo qasje do ta sjellë që ai të jetë një ndër themeluesit dhe drejtuesit e Shoqatës së Historianëve Shqiptarë në Maqedoni, e cila do ta botojë revistën shkencore “Kërkime historike”. Kjo revistë do t’i bëjë bashkë historianët më të mirë shqiptarë, të cilët aty do ta gjejnë tribunën e ndërtimit të mendimit shkencor në fushën e historiografisë shqiptare. Ai ishte organizator edhe pjesëmarrës aktiv në kongrese historike, këshillime dhe marrëveshje të ndryshme për qëllime shkencore. 

Pikëpamjet e tij progresive e të drejta, të artikuluara me një akribi të lartë shkencore, shpeshherë nxirrnin atë si të papërshtatshëm nga regjimi komunist, por edhe më vonë. Për këtë arsye, prof. Halimi ishte nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të pushtetit. Megjithatë, kjo nuk e pengoi atë që të vepronte në frymën e përparimit dhe zhvillimin e shkencës. 

Kontributi i tij nuk ishte vetëm shkencor, por edhe kombëtar. Ai ishte njëri ndër themeluesit e Universitetit të Tetovës, të cilin e shihte si mundësi për emancipim kombëtar edhe si mundësi e fuqizimit të identitetit kulturor të shqiptarëve të Maqedonisë.

Vdekja e prof. Halimit është një humbje e madhe për shkencën historiografike shqiptare, por një humbje e madhe edhe për mua. Unë e humba njeriun me të cilin kemi qarë aq halle bashkë që nga shkolla e mesme, në fakultet e në punën tonë universitare, ndërsa kemi marrë pjesë bashkë edhe në shumë simpoziume e debate. 

Halim i dashur, këtë humbje nuk kam si ta përshkruaj ndryshe, pos që të pajtohem me poetin e madh Sergej Esenin:

“Miku im i shtrenjtë, lamtumirë!

Ty këtu në shpirt të kam, ta dish!

Fati po na ndan sot pa dëshirë,  

Po diku do shihemi sërish! 

Lamtumirë mik, pa fjalë e lot!

Vetullat t’i ngrysësh, s’ka përse.

Vdekja s’është gjë e re në botë.

As të rrosh nuk është gjë e re”.

Filed Under: Rajon

Në përvjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

March 6, 2026 by s p

Besarta Hamëz Jashari/

Në përvjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si çdo vit më pushtojnë emocione të forta – emocione që marrin kuptim kur e di se janë ndarë dhe përjetuar nga mbarë kombi shqiptar.

Sot e nisa ditën në odën e familjes, ashtu si dikur.

Por sot aty nuk e gjeta babushin tim, siç e gjeja çdoherë… atë që më mbushte me forcë shpirtërore, që më dëgjonte e më këshillonte, atë që më jepte vetëbesim.

Në vend të tij, aty gjeta mixhën Rifatin.

Tek ai e shoh dhe e ndiej një pjesë të babushit tim. Besoj se edhe ai tek unë e sheh dhe e ndien vëllaun e tij, Hamzën – ndoshta edhe diçka më shumë.

Ne e kemi të vështirë ta përmbushim mixhën Rifatin për mungesën e madhe që bart në zemër, për mallin e pashuar për familjen.

Më kujtohet janari i vitit 1996, kur mixha Rifat erdhi ilegalisht në Kosovë dhe qëndronte në shtëpinë e pabanuar të familjes.

Ne fëmijët, duke luajtur në oborr, kishim vërejtur se në “shtëpinë e dytë” ishte një njeri “i huaj”, i cili herë pas here dilte në dritare dhe na shikonte.

Derisa në një moment ai “i huaji” doli nga shtëpia dhe erdhi tek ne… dhe e pamë se ishte mixha Rifati.

Sot, pas tri dekadash, e kujtoj atë moment dhe i kuptoj më thellë emocionet e tij.

Atëherë ai po çmallej duke i parë fëmijët e vet nga larg, pa pasur mundësi t’i përqafonte.

Sot, pas gjithë këtyre viteve, ai po çmallet me nipat e mbesat e tij… duke përmbushur mungesën e gjatë të përqafimeve.

Gëzuar Epopeja e të lavdishmes UÇK.

Lavdi

Filed Under: Rajon

Roli i SHBA‑së në ruajtjen e rendit global

March 5, 2026 by s p

Prend Ndoja/

Shtetet e Bashkuara mbeten një nga garantët kryesorë të sigurisë ndërkombëtare! Sot është dita e pestë që kur forcat amerikano‑izraelite ndërmorën një ofensivë të gjerë kundër regjimit të Republikës Islamike të Iranit. Ato forca goditën një strukturë që prej dekadash është perceptuar si burim de stabilizimi, represioni dhe kërcënimi global. Në këtë çast vendimtar për fatin e rendit botëror, bota duhet të qëndrojë e bashkuar përkrah Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, në çdo përpjekje që mbron të mirën, progresin dhe dinjiteti njerëzor. Historia na mëson se e mira nuk mbijeton vetë; ajo kërkon vullnet, sakrificë dhe aleanca që besojnë te liria dhe të vlerat që e ngrenë njeriun mbi frikën dhe tiraninë. Në një kohë kur rendi ndërkombëtar përballet me sfida të mëdha dhe kërcënime që prekin sigurinë e çdo kombi, Shtetet e Bashkuara dhe bota e qytetëruar u gjendën përballë një zgjedhje të vështirë: të veprojnë sot për të shmangur një rrezik në rritje, ose të përballen nesër me pasojat shkatërrimtare të një regjimi që synon armatim bërthamor.

Ambiciet bërthamore të Republikës Islamike të Iranit ka shum kohë që kanë tronditur komunitetin ndërkombëtar dhe kanë ngritur shqetësime të thella për stabilitetin global. Përballe këtij realiteti, ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara është parë nga shumë vende si një veprim i kryer në momentin e fundit të mundshëm, Ndërhyrja ishte një përpjekje për të parandaluar një katastrofë që do të prekte jo vetëm Lindjen e Mesme, por gjithë njerëzimin. Falë vendosmërisë së aleancës dhe falë Zotit, ky hap u ndërmor përpara se rreziku të merrte përmasa të pakontrollueshme. Qëllimi i Aleancës Amerikane-Izraelite nuk është lufta, por parandalimi i një kërcënimi që ka shqetësuar prej kohësh komunitetin ndërkombëtar.

Në këtë kuadër, Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se synimi i tyre është të godasin strukturat e një diktature, të hapin rrugën për lirinë e popullit iranian, të çmontojnë kapacitetet bërthamore që paraqesin rrezik global dhe, pasi të jetë garantuar siguria, të largohen nga territori Iranian. Ky është një vizion që lidhet me parimin se ndërhyrja nuk është synim pushtimi.

Thotë populli ynë; ”Ujku mbetet Ujk…” Sipas vlerësimeve të shumë analistëve ndërkombëtarë dhe deklaratave të tyre, qeveria e mbetur e Republikës Islamike të Iranit po ndjek një strategji të rrezikshme për të zgjeruar krizën përtej kufijve të saj. Këto synime lidhen me përpjekjen për të krijuar presion ekonomik dhe gjeopolitik ndaj vendeve të Gjirit Persik dhe komunitetit ndërkombëtar. Si, dëmtimin e infrastrukturës së naftës dhe gazit në vendet fqinje, me qëllim goditjen e ekonomive të tyre dhe krijimin e pasigurisë energjetike në rajon, mbylljen ose bllokimin e ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme të transportit detar në botë, nga i cili kalon një pjesë e madhe e furnizimit global me naftë, ndërprerjen e trafikut ajror rajonal, për të krijuar kaos logjistik dhe ekonomik në vendet e Gjirit, rritjen e çmimeve globale të energjisë dhe nxitjen e inflacionit ndërkombëtar, duke përdorur krizën si mjet presioni ndaj ekonomive të mëdha botërore. ”Ali Vaez; Ai vëren se strategjia e Teheranit nuk synon vetëm mbrojtjen e regjimit, por edhe shtrirjen e dhimbjes dhe destabilitetit në rajon, pa marrë parasysh koston e rëndë për popullin iranian apo dëmtimin e marrëdhënieve me fqinjët.”

Nga kjo strategji e dalur nga mbeturinat e një shteti diktatorial, Presidenti,Donald Trump, ka deklaruar se operacionet ushtarake kundër Iranit pritet të zgjasin 4 deri në 5 javë, por se SHBA ka “kapacitetin të vazhdojë shumë më gjatë” nëse është e nevojshme. Këtë e tha gjatë një ceremonie të Medaljes së Nderit, duke nënvizuar se fushata nuk ka kufizime të paracaktuara nëse situata kërkon zgjerim.”

Për ne shqiptarët në diasporë dhe të mbarë botën e kemi obligim moral, të jemi lidhur ngushtë me vlerat e lirisë, demokracisë dhe aleancës historike me Shtetet e Bashkuara, kjo çështje nuk është vetëm si një një debat gjeopolitik për ne. Është një kujtesë nga e kaluara e jonë se paqja dhe siguria nuk janë të dhuruara, por kërkojnë vigjilencë, përgjegjësi dhe veprim të përbashkët. Historia jonë na ka mësuar se kur tirania avancon, heshtja është bashkëfajësi, kur rreziku rritet, veprimi i drejtë është detyrim moral.

Filed Under: Rajon

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 206
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Festohet bukur 7-8 Marsi në Fialdelfia nga shoqata “Bijtë e shqipes”
  • Përtej mitit: identiteti si vetëdije shoqërore
  • Harmonia fetare në imazhin e një pulle postare
  • Mirash Ivanaj, 12 mars 1891-22 shtator 1953
  • Ramazani, tradita shqiptare e mikpritjes dhe harmonia ndërfetare
  • “Ajatollahu, fati i çdo sundimtari gjakatar”!
  • Departamenti i Shtetit ka publikuar një rregull përfundimtar për të ndryshuar Programin e Vizave të Imigrantëve të Diversitetit (“Programi DV”) që hyn në fuqi më 10 prill 2026
  • 50-VJET SHQIPËRIA PRITI!
  • Gjon Buzuku, nga cikli “Humanistë të hershëm shqiptarë shek XV-XVIII”
  • DIELLEZIM VLERASH PATRIOTIKE NE KUJTIM TE FAMILJES JASHARI NE FIRENCE ITALI
  • Zef Kolombi, mjeshtri i penelit dhe ngjyrave, një dritë e pashuar e artit shqiptar
  • ARSIMI NË GJUHËN LATINE NË TROJET SHQIPTARE
  • Through “Thinking of You”…
  • “Brenga” e autorit Dr. Pashko R. Camaj promovohet 15 mars 2026 te Kisha “Zoja e Shkodrës”
  • Nga fryma e 1981-shit te vizioni i së ardhmes

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT