• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë-Serbi, me dallime e pa afat kohor për Asociacionin e komunave serbe

January 28, 2016 by dgreca

“Asgjë nuk do të funksionojë në Kosovë nëse nuk është në suaza të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kjo është e qartë edhe për palën serbe”, ka thënë kryeministrat kosovar Isa Mustafa pas takimit në Bruksel me kryeministrin serb, Aleksandar Vuçiç/
-Gjatë takimit Mustafa-Mogherini është diskutuar për aspektet e zbatimit të marrëveshjeve të arritura, si dhe perspektivat e dialogut për të ardhmen/
AAK: Mustafa nuk ka më legjitimitet të bisedojë me Serbinë/
PRISHTINË, 28 Janar 2016-B.Jashari/ Në Bruksel, mbrëmë, ka përfunduar raundi i 30-të i dialogut në nivel të lartë Kosovë-Serbi, me takimin e përbashkët trilateral të Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, me kryeministrat Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç, pasi i takoi veçmas duke nisur pasdite.
Në këtë raund bisedimesh për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash dhe rrugën përpara në dialog, sipas raportimeve nga Brukseli, temë kryesore ka qenë zbatimi i marrëveshjes për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, ku nuk ka pasur ndonjë dakordim për afat kohor dhe kryeminsitri kosovar Mustafa dhe ai serb Vuçiç kishin “qëndrime të kundërta rreth vendimeve të Kushtetueses” së Kosovës.
Në njoftimin e dërguar nga Brukseli nga delegacioni kosovar bëhet e ditur se, kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, u takua me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini, në kuadër të dialogut të Brukselit.
“Gjatë takimit është diskutuar për aspektet e zbatimit të marrëveshjeve të arritura, si dhe perspektivat e dialogut për të ardhmen.
Ishte vlerësim i të gjithëve që dialogu në Bruksel dhe thellimi i bashkëpunimit me Bashkimin Evropian është interes madhor i Republikës së Kosovës në rrugën e saj përpara në integrimet euroatlantike”, theksonte njoftimi nga Zyra e Kryeministrit, pas takimit bilateral të shefes së diplomacisë evropiane, Mogherini me kreun e qeverisë kosovare Mustafa, që u pasua me takimin me kryeministrin serb Vuçiç.
Ndërsa, pas takimit të përbashkët trilateral Mustafa-Mohgerini-Vuçiç, ndërmjetësuesja e BE-së, përmes një deklarate për media, ka falënderuar kryeminsitrat për, siç ka thënë, përkushtimin e tyre të vazhdueshëm për të normalizuar më tej marrëdhëniet e tyre në kuadër të dialogut.
“Takimet e sotme kanë treguar gatishmërinë e tyre për të ecur përpara me një qasje shumë konstruktive. Ne të gjithë e kemi parasysh nevojën për të sjellë përfitime të drejtpërdrejta dhe konkrete për të gjithë njerëzit në Serbi dhe në Kosovë, të cilët dëshirojnë të përparojnë në rrugën e tyre evropiane”, ka thënë Mogherini, duke shtuar se të dyja palët janë pajtuar për të nisur bisedimet për lidhje direkte ajrore dhe hekurudhore midis Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri i Kosovës, Mustafa ka deklaruar për median se bisedimet kanë qenë të mira dhe konstruktive. Ai ka theksuar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe mund të zbatohet “vetëm në suaza të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të marrëveshjes së parë (të nënshkruar në Bruksel në raundin e 10-të në 19 prill 2013) dhe të ligjit të ratifikimit të marrëveshjes së parë (të miratuar nga Kuvendi i Kosovës)”.
“Asgjë nuk do të funksionojë në Kosovë nëse nuk është në suaza të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kjo është e qartë edhe për palën serbe”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se nuk është rënë dakord për asnjë afat kohor për formimin e Asoaciacionit.
Ndërsa, kryeministri i Serbisë, Vuçiç, ka insistuar se nuk pranon asnjë vendim të, siç ka thënë, të ashtuquajturës Gjykatë Kushtetuese të Kosovës.
“Bisedimet nuk janë të lehta dhe po kërkojmë mënyra se si të zhbllokohet formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, ka thënë Vuçiç për Radio Televizionin e Serbisë.
Asociacioni i komunave me shumicë sebe në Kosovë është një nga katër marrëveshjet Prishtinë-Beograd të nënshkruara në mbrëmjen e 25 gushtit 2015 në Bruksel, në raunin e 28 të dialogut në nivel kryeministrash, ndërsa kundërshtohet nga opozita kosovare me bllokim të seancave të Kuvendit të Kosovës edhe me hedhje gazi lotsjellës e me protesta, prej më shumë se katër muajsh dhe me paralajmërime edhe në vazhdimësi.
Në 23 dhjetor 2015, Gjykata Kushtetuese, pas kërkesës që i është bërë nga Presidentja e Republikës të vlerësojë përputhshmërinë e dokumentit të emërtuar “Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe në Kosovë – parimet e përgjithshme/elementet kryesore”, ka vendosur se, “këto Parime nuk janë tërësisht në përputhje me standardet kushtetuese përkatëse dhe ka konkluduar se akti ligjor i qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Statuti duhet të jenë në përputhje”.
Pas këtij vendimi, qeveria e Kosovës ka siguruar se, “i tërë procesi dhe çdo akt juridik për të finalizuar asociacionin e komunave me shumicë serbe do bëhet duke u bazuar dhe respektuar konkluzionet e Gjykatës Kushtetues” dhe se “edhe Statuti i asociacionit do dërgohet në Kushtetuese”.
Takimet në nivel të lartë në Bruksel të kryeministrave aktualë Mustafa e Vuçiç, të qeverive të zgjedhjeve 2014 në të dy shtetet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë, pasojnë 23 raundet e zhvilluara nga kryeministrat e mëparshëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, të cilët edhe tash janë pjesëmarrës delegacionesh në këtë dialog si ministra të punëve të jashtëme. Raundi djeshëm ishte i shtati i takimeve në Bruksel të kryeministrave Mustafa e Vuçiç, i pari në vitin 2016.
Kosova dhe Serbia në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, takimin e parë kryeministror në Bruksel e kanë zhvilluar në 19 tetor 2012.
Bisedimet në nivel kryeministrash kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011, po ashtu në Bruksel, ku në krye të delegacionit kosovar ishte Edita Tahiri atëherë zëvendëskryeministre, tani ministre e Dialogut.
***
AAK: Mustafa nuk ka më legjitimitet të bisedojë me Serbinë

PRISHTINË, 28 Janar 2016/ Partia opozitare e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, reagon pas raundit të 30-të të dialogut Kosovë-Serbi, të zhvilluar dje në Bruksel.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – AAK, deklaroi sot se, “konsideron se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese ku konstatohet se Marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, është në kundërshtim me Kushtetutën, kryministri i Kosovës e ka humbur legjitimitetin që ta përfaqësojë Kosovën në çfarëdo bisedimesh”.
“Aq më tëpër ai nuk mund të ketë mandat që të diskutojë të njejtat çështje, të cilat i ka negociuar një herë dhe i ka nënshkruar në kundërshtim me Kushtetutën”, shtohet në deklaratë.
“Krejt çka mund të bëjë ai, është që të kthehet në Kosovë dhe ta hapë rrugën që vendi të dalë nga kriza politike, duke shkuar në zgjedhje të parakohshme”, përfundon AAK.

Filed Under: Opinion, Rajon Tagged With: Behlul Jashari, e pa afat kohor për Asociacionin, Kosove-Serbi, me dallime

Kosovë-Konkretizohet bashkëpunimi me Luginën e Preshevës

January 26, 2016 by dgreca

-Memorandumi mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sportit të Kosovës dhe Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës është një hap i parë drejt ndërkomunikimit më aktiv kulturor, në funksion të njohjes dhe promovimit të kulturës mbarëkombëtare/
-Përfaqësuesit e Luginës së Preshevës nesër në Strazburg takim me përfaqësues të Komisionit të Latë për të Drejtat e Njeriut, ku do të diskutohet për të drejtat e shqiptarëve në Luginë, për gjendjen ekonomike e sociale/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 26 Janar 2016/ Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Qeverinë e Kosovës, Kujtim Shala ka pritur sot në takim kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar të Luginës së Preshevës, Jonuz Musliu, kryetarin e Preshevës, Ragmi Mustafa dhe atë të Bujanocit, Nagip Arifi.
Ky takim pason vizitën zyrtare që ministri Shala ka zhvilluar në Luginë të Preshevës dhe ka nënshkruar Memorandumet e Bashkëpunimit me Komunën e Preshevës dhe të Bujanovcit.
Me këtë vizitë, fillon faza e intensifikimit të bashkëpunimit dhe bashkërendimit të aktiviteteve ndërmjet MKRS-së dhe përfaqësuesve politikë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Në këtë takim, u nënshkrua një Memorandum Bashkëpunimi mes Ministrisë kosovare të Kulturës, Rinisë e Sportit dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar, nëpërmjet të cilit synohet të krijohen kushte për bashkëpunim në politikat, programet dhe aktivitet kulturore dhe rinore në Luginën e Preshevës.
Në takim, përfaqësuesit e Luginës, e falënderuan ministrin Shala për vizitën që i ka bërë kësaj pjese, por edhe për mbështetjen që u ka dhënë shqiptarëve.
Përfaqësuesit e Luginës së Preshevës e vlerësuan si historike vizitën e ministrit Shala si dhe nënshkrimin e Memorandumeve të Bashkëpunimit që janë të parat të këtij lloji.
Ndërsa ministri Shala u shpreh se Ministria kosovare e Kulturës, Rinisë e Sportit po punon gjithnjë e më shumë për promovimin dhe afirmimin e kulturës shqiptare në mbarë hapësirat nacionale. Në këtë drejtim, ai u shpreh se Memorandumi mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sportit të Kosovës dhe Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, është një hap i parë drejt ndërkomunikimit më aktiv kulturor, në funksion të njohjes dhe promovimit të kulturës mbarëkombëtare.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Jonuz Musliu, ka bërë të të ditur për median se pas vizitës sot në Prishtinë, të mërkurën e 27 janarit do të udhëtojnë për në Strazburg, ku në një takim me përfaqësues të Komisionit të Latë për të Drejtat e Njeriut do të diskutohet për të drejtat e shqiptarëve në Luginë, për gjendjen ekonomike e sociale.

Filed Under: Rajon Tagged With: Behlul Jashari, Kosovë-Konkretizohet bashkëpunimi me, Luginën e Preshevës

Kosovë-Serbi, në Bruksel nesër raundi 30 i dialogut kryeministror

January 26, 2016 by dgreca

-Nga zyra e ndërmjetësueses, shefes së Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, është bërë e ditur se në takimin e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, palët do të diskutojnë zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tani dhe hapat e mëtejshëm në kuadër të dialogut/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 26 Janar 2016/ Kosova dhe Serbia nesër në Bruksel zhvillojnë raundin e 30-të të dialogut në nivel të lartë kryeministror, të parin në 2016-tën, të shtatin të krerëve aktualë të dy qeverive, në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA.
Nga zyra e ndërmjetësueses, shefes së Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, është bërë e ditur se në takimin e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, palët do të diskutojnë zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tani dhe hapat e mëtejshëm në kuadër të dialogut. Se, nesër në Bruksel do të diskutohet zbatimi i marrëveshjeve të deritashme, paralajmërohet edhe nga burimet në Prishtinë dhe Beograd, referuar zyrtarëve të dy qeverive.
Në takimin e fundit, në 13 tetor 2015, me ftesë të ndërmjetësueses së dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, kryeministrat e Kosovës e Serbisë, Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç, ishin në një “darkë joformale” në Bruksel, në “kontekst të dialogut të lehtësuar nga BE”.
Në Bruksel, kryeministrat Mustafa e Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë, kanë zhvilluar deri tani gjashtë takime, ndërsa nga gjithsej 29 raundet e dialogut Prishtinë-Beograd në nivel të lartë, 23 ishin mes kryeministrave të atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç.
Kosova dhe Serbia në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, takimin e parë kryeministror në Bruksel e kanë zhvilluar në 19 tetor 2012.
Bisedimet në nivel kryeministrash kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011, po ashtu në Bruksel, ku në krye të delegacionit kosovar ishte Edita Tahiri atëherë zëvendëskryeministre, tani ministre e Dialogut.
Fishë teknike-Datat e të gjitha takimeve kryeministrore Kosovë-Serbi në Bruksel:
Thaçi-Daçiç:
Viti 2012:
Raundi 1 – 19 tetor
Raundi 2 – 7 nëntor
Raundi 3 – 4 dhjetor
Viti 2013:
Raundi 4 – 17 janar
Raundi 5 – 19-20 shkurt
Raundi 6 – 4 mars
Raundi 7 – 20 mars
Raundi 8 – 2 prill
Raundi 9 – 17 prill
Raundi 10 -19 prill
Raundi 11 – 21 maj
Raundi 12 – 20-21 qershor
Raundi 13 – 8 korrik
Raundi 14 – 24 korrik
Raundi 15 – 27 gusht
Raundi 16 – 8 shtator
Raundi 17 – 7 tetor
Raundi 18 – 6 nëntor
Raundi 19 – 5 dhjetor
Raundi 20 – 13 dhjetor

Viti 2014:
Raundi 21 – 27 janar
Raundi 22 – 12 shkurt
Raundi 23 – 31 mars
Mustafa-Vuçiç:

Viti 2015:

Raundi 24 – 9-10 shkurt
Raundi 25 – 21 prill
Raundi 26 – 23 qershor
Raundi 27 – 29 qershor
Raundi 28 – 25 gusht
Raundi 29 – 13 tetor
Viti 2016:
Raundi 30 – pritet në 27 janar

Filed Under: Rajon Tagged With: Behlul Jashari, i dialogut kryeministror, Kosove-Serbi, në Bruksel nesër, raundi 30

Kosova dhe Kroacia, marrëdhënie të shkëlqyera

January 26, 2016 by dgreca

– Miqësi të thellë dhe shumë gjëra të përbashkëta. Zëvendëskryeministri Thaçi takoi ambasadoren e re kroate në Kosovë, Marija Kapitanoviç/
PRISHTINË, 26 Janar 2016/ Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot ambasadoren e re të Republikës së Kroacisë në Prishtinë, Marija Kapitanoviç.
Zëvendëskryeministri Thaçi i dëshiroi mirëseardhje ambasadores Kapitanoviç, duke uruar që të vazhdohet bashkëpunimi i shkëlqyer mes dy vendeve.
“Kemi marrëdhënie të shkëlqyera mes dy shteteve tona dhe tani duhet të kërkojmë mënyra për të zgjeruar këtë bashkëpunim edhe në rrafshin ekonomik”, u shpreh zëvendëskryeministri Thaçi.
Thaçi theksoi se Kosova dhe Kroacia kanë miqësi të thellë dhe shumë gjëra të përbashkëta. Ai gjithashtu e falënderoi ambasadoren kroate për mbështetjen që shteti i saj po vazhdon t’i japë Kosovës në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO si dhe në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, ambasadorja Kapitanoviç u shpreh se Kroacia dhe Kosova gëzojnë raporte të shkëlqyera, një bashkëpunim më i vjetër se sa vet dy shtetet gjegjëse, dhe se këto marrëdhënie veçse po thellohet edhe më shumë.
Ambasadorja Kapitanoviq nënvizoi se në të dy vendet diaspora respektive kontribuojnë në thellimin e lidhjeve mes dy vendeve.
Në fund, ambasadorja Kapitanoviç tha se Kroacia e mbështet Kosovën në aspiratën për t’u bërë anëtare e BE-së dhe e NATO-s dhe se shteti i saj do të vazhdojë t’i japë përkrahje konkrete Kosovës në këto procese./b.j/

Filed Under: Rajon Tagged With: Kosova-Kroacia, marrdhnie et shkelqyera, Thaci Marija Kapitanovic

Kosova me konsullatë edhe në, Des Moines – Iowa të SHBA-së

January 25, 2016 by dgreca

Nga Beqir Sina/
Des Moines Iowa: Për herë të parë në historinë e Iowa’s do të hapet një konsullatë diplomatike e një shteti të huaj. Republika e Kosovës po planifikon ta vendosë një konsullatë në qendër të Des Morines, këtë muaj, për ta bërë hapjen e madhe të zyrës më 29 janar.
Lajmin e ka bërë të ditur në statusin e saj në rrjetin social “Facebook” ambasadoria e Kosovës, në Washington D.C: znj. Vlora Çitaku e cila shkruan se :”Të nderuar që nga nesër, bashkë me atasheun ushtarak të Republikës së Kosovës Gjeneral Xhavit Gashi do të jemi në Iowa. Pasë një pune intensive të bërë nga Gjeneral Gashi dhe pararendësi im , z.Akan Ismajli, me datën 29 Janar, Republika e Kosovës do të hapë Konsullatën në Des Moines, Iowa.”
Të pranishëm, shton ambasadoria Çitaku në ceremoni do të jenë zyrtare të lartë nga Republika e Kosovës dhe nga shteti i Iowa’s.
Për herë të parë në historinë e Iowa-s do të hapet një zyrë e huaj diplomatike: Republika e Kosovës planifikon të hapë konsullatën në qendër të qytetit Des Moines, më 29 janar, njofton radioja publike, Radio Iowa.
Pra Kosova, pas Ambasadës në Washington DC dhe konsullatës në New York, tani do të ketë edhe një konsullatë në Iowa, shtetit me të cilin Kosova është binjakëzuar më 2013 me një akt ceremonial të nënshkruar nga presidentja e Kosovës dhe Guvernatori i Iowa-s. Partneriteti midis Iowa-s dhe Kosovës është rezultat i përzgjedhjes nga ana e Departamentit Amerikan të Shtetit, atij të Mbrojtjes dhe Zyrës së Gardës Kombëtare, raporton rtk nga SHBA-ja.
Sipas Kim Heidemann, drejtore ekzekutive e Shteteve të binjakëzuara, konsullata do të jetë një zyrë ku qytetarët kompanitë, kushdo nga çfarëdo sektori që është interesuar do të mësojë për dhe çfarë mund të ofrojë Kosova.
Njëkohësisht konsullata do të jetë edhe një dritare e Kosovës në këtë shtet amerikan. Në vizitat e mëhershme reciproke të zyrtarëve të Iowa-s dhe Kosovës janë identifikuar shumë mundësi për këmbime midis dy vendeve në bujqësi, në arsim dhe në fushën e biznesit dhe industrisë.
Me një sipërfaqe 13 herë më e madhe se Kosova dhe me mbi 3 milion banorë, Iowa paraqet një mundësi të jashtëzakonshme të zhvillimit ekonomik dhe thellimit të marrëdhënieve të mëtejshme midis Kosovës dhe SHBA në të gjitha fushat. Konsullata do të jetë në një hapësirë rreth 100 metra katrorë në një ndërtesë pesë-katëshe, në qendër në pjesën historike të qytetit Des Moines
Kim Heidemann, drejtoreshë ekzekutive e Iowa Sister States, thotë se Kosova ka ambasadë vetëm në Washington D.C dhe një konsullatë tjetër në New York.
“Jemi duke bërë vërtet hap të madh në lidhje me marrëdhëniet ndërkombëtare”, thotë Heidemann.
“Ky do të jetë vendi ku qytetarët e Iowa’s, kompanitë e vendit, dhe kushdo qoftë që dëshiron të dijë më shumë për Kosovën dhe atë që Kosova ka për të ofruar, mund të shkojnë dhe ta vizitojnë këtë konsullatë”, thotë Heidemann, raporton Radio Iowa,.
“Do të ketë shumëllojshmëri të shërbimeve që ata do t’i ofrojnë”.
Ajo thotë se Kosova zgjodhi Iowa për konsullatën e saj për shkak të lidhjeve të forta civile dhe ushtarake. Marrëdhënia filloi në vitin 2011 kur Garda Kombëtare e Iowa bëri partneritet me Forcën e Sigurisë së Kosovës, ku kjo marrëveshje u nënshkrua nga guvernatori i Iowa’s dhe Presidenti i Kosovës në vitin 2013.
Zyra e konsullatës do të jetë relativisht e vogël, rreth një mijë metra katrorë, por Heidemann thotë se puna dhe ndikimi do të jenë të mëdha.
“Fillimisht stafi do të vijë nga ambasada e Kosovës në Washington e pastaj do të vijë dikush për qëndrim permanent”, thotë Heidermann, duke shtuar se madje pas ca muajsh do të shtohet edhe një person i dytë për këtë konsullatë.
Konsullata do të jetë më lokacionin e njohur si Saddlery Building, në kryeqytetin Des Moines, sheshi historik i Gjykatës së Qarkut, raporton Radio Iowa
Në maj 2015 – ish Ambasadori i Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Akan Ismaili, është dekoruar me medaljen për “Shërbim të shquar” nga Garda Kombëtare e shtetit të Iowa-s, në një ceremoni të veçantë ushtarake, e cila u mbajt në Kampin Dodge, në qytetin Johnston të Iowa-s.

Filed Under: Rajon Tagged With: Beqir Sina, kosova me Konsullate, ne Iowa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 124
  • 125
  • 126
  • 127
  • 128
  • …
  • 206
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. promovon romanin “Brenga” të Dr. Pashko Camaj 
  • ASOCIACIONI SI ENTITET PARA-SHTETËROR APO VETËMENAXHIMI SI GARANCI E RUAJTJES SË RENDIT KUSHTETUES NË KOSOVË
  • Luana Bajrami, aktorja nga Kosova feston 25 vjetorin me Oscar dhe hyn në Histori
  • Çfarë e bën mashkullin burrë?
  • Pse Hoxhë Hasan Tahsini ishte drejtuesi i lobit shqiptar në Stamboll
  • Artan Shabani, piktori i ngjyrave që vuan dramën e Çamërisë
  • Gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra, por stresi i jep krahë: Pse biem pre e gënjeshtrave?
  • Shuhet lahutari rugovas Rrustem Bajrami-Imeraliaj, 1932-2026
  • PËKUSHTIM XHEVAT KORҪËS
  • Shqiptarët në Philadelphia festuan Ditën e Verës
  • RAKETAT SUPERSONIKE TË SERBISË: SINJAL ALARMI PËR SIGURINË NË BALLKAN
  • MONOGRAFI E RËNDËSISË SË VEÇANTË
  • BALLKANI PERËNDIMOR NDËRMJET ARKITEKTURËS SË PAQES DHE RREZIKUT TË RIFORMATIMIT GJEOPOLITIK
  • Zgjidhja e mençur angleze e Shekullit XIX – Krijimi i Pullës Postare
  • Love Bombing si dukuri digjitale

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT