• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Diskriminimi i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut 

April 24, 2025 by s p

Skënder Karaqica/

Libri i historisë për klasën e shtatë në Maqedoninë e Veriut, me fyerje të rënda kundër kombit shqiptar në hapësirën etnike.

Në Shkup përmes porosisë “shkencore” të Ministrisë së Arsimit në Maqedoninë e Veriut, është botuar libri mësimor për lëndën e historisë për klasën e shtatë, ku, përseri autorët(maqedonas) me mendësi kundër shqiptare, kanë bër lojë fjalësh e fyerjesh për kombin shqiptar.

Në botimet e librit shkollor për lëndët mësimore të historisë e të gjeografisë, ndër vite janë bër fyerje, denigrim të përmasës se kombi shqiptar në hapësirën etnike, sipas të “dhënava shkencore” paskëshin ardhur nga malet. Për këtë paraqitje kundër kombit shqiptar, korpusi politik shqiptar, mbeti veçse si spektator i ngjarjeve për librin mësimor me shenjën e fyerjeve e të denigrimit të kombit shqiptar.

Përkitazi me këta skenarë të njohur kundër kombit shqiptar, qyshse nga vitet 1945 e deri më sot, qarqet e regjimeve komuniste e tashti me kostumin e “demokracisë” nuk e kanë ndërruar politikën zyrtare në Shkup, në të gjitha rrafshet deri të fëmija i pasalindur shqiptar, të mbajnë qëndrim për “pakicën shqiptare” dhe, gati-gati si qiragjinjë në hapësirën e diellit të tij!

Pse po ndodh kjo?Kur dihet se përmes koalicioneve politike shqiptare me partitë maqedonase, në kabinetin qeveritar në Shkup kemi pasur të emëruar gjashtë ministra shqiptar të arsimit, që përkitazi në rrafshin e botimit të librit mësimor për arsimin dhe shkollën shqipe, janë bër këto lëshime deri në përmasën e denigrimit të historisë të kombit shqiptar.

Në hapësirën shqiptare nuk kemi unifikim, kemi përqarje dhe në vijat e tarsha për shkak të privilegjeve politike të korpusit politik shqiptar, kanë shkuar në dyert e qeverisë maqedonase si argat e veçse numra qeveritar kemi rastin më të shëmtuar të kryetarit të komunës së Tetovës, Bilall Kasami, i cili pa turp e pa shijen politike e thotë për hatër të regjimit maqedonas se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po përzihet në punët e brendshme të Maqedonisë së Veriut. Shteti shqiptar e ka të drejtën kushtetuese të mbrojë e të avancojë çështjen shqiptare në trojet etnike të ndara e të grabitura nga fqinjët ballkanik.

Për fund kur do të ndalet kolovajza kundër kombit shqiptar në hapësirën etnike në Maqedoninë e Veriut?!

Filed Under: Rajon

Neoshqiptarizmi, si harta identitare e një zgjimi kombëtar në kohën e stuhisë globale!

April 15, 2025 by s p

Nga Arian Galdini/

Jetojmë në një epokë ku bota po riformulohet me shpejtësi që s’e ka njohur më parë. Kufijtë gjeopolitikë nuk po ndryshojnë më me tanke, por me teknologji, me rrjete mendimi, me ekonomi të reja dhe logjika që s’e pyesin më as për të shkuarën, as për gjuhën, as për kujtesën. Sistemet që dikur konsideroheshin të palëkundura, demokracia liberale, globalizmi i tregut të lirë, vetë ideja e rendit ndërkombëtar, po sfidohen, rishkruhen, relativizohen.

Ndërsa fuqitë e mëdha po kërkojnë pozicionime të reja në hartën e interesave, kombet e vegjël, si yjet në vorbullën e një galaktike, kanë vetëm dy zgjedhje: të projektojnë veten me vetëdije, ose të treten në fatin që t’u caktojnë të tjerët. Në këtë botë që ndryshon më shpejt se refleksi, shqiptarët nuk mund të jenë më spektatorë të historisë. Sepse historia, këtë herë, nuk do të na falë. Dhe këtu vjen Neoshqiptarizmi, jo thjesht si ide, por si hartë. Jo si nostalgji, por si strategji e thellë për mbijetesë dinjitoze dhe përparim të bashkërenduar kombëtar.

Pse shqiptarëve u duhet një zgjim i madh?

Të gjithë e ndjejmë se ka një plogështi të rrezikshme në shpirtin shqiptar. Një zhgënjim i përhapur, një përhumbje në ditën që vjen e në ditën që ikën, pa horizont, pa një “ne” që e ngre veten bashkë. Nga Gjirokastra në Preshevë, nga Malësia në Tetovë, nga Shkupi në Prishtinë, nga diaspora në lagjet e Tiranës, të gjithë jemi në një lëvizje të heshtur drejt individualizmit shpëtimtar, ku secili përpiqet të shpëtojë vetë dhe askush s’mendon më për të shpëtuar “ne-në”.

Por siç thoshte Martin Heidegger, “shkalla më e lartë e humbjes është të harrosh se ke qenë”. Dhe Neoshqiptarizmi na vjen si kujtesë filozofike e doktrinore se përkatësia nuk është vetëm koincidencë gjenetike, por rrënjë që duhet mbajtur gjallë me vetëdije morale dhe shoqërore.

Pse një Rinisje Kombëtare është emergjencë dhe domosdoshmëri?

Një komb, për të qenë i gjallë, nuk mjafton të ketë gjuhë, flamur dhe territor.

Duhet të ketë qëllim.

Duhet të ketë ideal.

Duhet të ketë drejtim të përbashkët.

Sot, shqiptarët janë më të shpërndarë se kurrë, por nuk kanë qenë kurrë kaq pa një qëllim të përbashkët kombëtar. Të ndarë në shtete, në sisteme arsimore të ndryshme, në ligjësi kushtetuese të papërbashkëta, të veçuara në interesa politike që shpesh i kundërvihen njëri-tjetrit. Andaj, Rinisja Kombëtare, siç e propozon Neoshqiptarizmi, nuk është një retorikë romantike, por një domosdoshmëri strategjike.

Pse na duhet një hartë identitare e unifikuar?

Sepse në një botë ku identitetet janë të lëkundura, ai që nuk e përkufizon vetveten, do të përkufizohet nga të tjerët. Në epokën e rrjeteve sociale, ku gjithkush është konsumator i përkatësive sipas trendit, shqiptaria duhet të jetë më shumë se një tifozeri stadiumesh apo “bio” në Instagram a Facebook. Duhet të jetë një formë përmbajtjeje personale dhe shoqërore.

Neoshqiptarizmi propozon një identitet shqiptar që është moral, kulturë, drejtësi dhe përpjekje për ndriçim.

Jo një shqiptari që e përkufizon veten vetëm me fjalë si “jemi të lashtë sa bota” e “jemi bijtë e Skënderbeut”, por një shqiptari që bëhet drita dhe vlera e botës sot e në vijim dhe që përkufizon veten me vlerat që Skënderbeu mishëroi. Sipas Charles Taylor, në librin The Malaise of Modernity, identiteti modern ka nevojë për një narrativë të brendshme që ngre individin në bashkësi morale. Neoshqiptarizmi është ajo narrativë për ne shqiptarët, që na lidh jo vetëm me njëri-tjetrin, por me vetveten e thellë, të harruar.

Pse na duhet unifikimi i mendimit, strategjisë dhe veprimit kombëtar?

Sepse një komb që mendon në mënyrë të fragmentuar, vepron në mënyrë të çorientuar dhe zhvillohet në mënyrë të pabarabartë. Dhe nuk mund të ketë qëndrueshmëri kombëtare pa simetri në përpjekje. Për këtë, Neoshqiptarizmi ofron një shtyllë të re bashkimi, jo mbi baza krahinore, politike apo mitike, por mbi përbashkësinë e qëllimit, të vlerës dhe të vetëdijes kombëtare.

Ukshin Hoti, në librin e tij Filozofia Politike e Çështjes Shqiptare, thekson se:

“Kombet që nuk projektojnë të ardhmen e tyre me mendim dhe vullnet, janë të destinuar të bëhen shërbëtorë të projekteve të të tjerëve.” Sot, jemi në një moment ku ose e ndërtojmë një strategji kombëtare të re, të përbashkët e të mençur, ose mbetemi si grimca në vorbullën e një bote që nuk ndalet për ne.

Bota sot dhe uria për vetëdije dinjitoze.

Në dhjetë vitet e fundit, filozofë si Yuval Noah Harari, Francis Fukuyama dhe Byung-Chul Han, kanë paralajmëruar se njerëzimi po hyn në një epokë post-identitare, ku individi zhvishet nga lidhjet me historinë, përkatësinë dhe bashkësinë.

Por pikërisht në këtë kontekst, ajo që e shpëton njeriun është përkatësia me kuptim, jo si barrë, por si ndërtim.

Neoshqiptarizmi është antidoti shqiptar i kësaj krize.

Ai nuk i kundërvihet globalizmit me izolim, por e përballon atë me vetëdije të qartë dhe me një shqiptari që është paqësore, dinjitoze, krijuese dhe bashkëkohore.

Neoshqiptarizmi si rrugë për të mos mbetur thjesht shqiptarë, por për t’u bërë komb. Sot, më shumë se kurrë, nuk mjafton thjesht të jesh shqiptar. Duhet të jesh me vetëdije, me vlerë, me ndershmëri dhe me mision. Kombi shqiptar ka nevojë jo për më shumë flamuj nëpër podiume, por për më shumë rrënjë në ndërgjegje, më shumë qartësi në vizion, më shumë bashkim në strategji, më shumë drejtësi në shpirt.

Neoshqiptarizmi është projekti i shekullit XXI për shqiptarinë.

Një projekt që nuk thërret për luftë, por për përmirësim.

Që nuk kërkon përjashtime, por bashkime të thella.

Që nuk ushqehet me frikë, por me besim.

Që nuk e ndërton kombin mbi armiq, por mbi virtyt.

Që nuk kërkon pushtet, por zgjim.

Kombet që duan të jetojnë, zgjedhin ti japin kuptim vetvetes përpara se të jetë vonë. Dhe ky është kuptimi i vërtetë i Neoshqiptarizmit. Një dritë që lind jo për të ndezur flakë, por për të mos na lejuar të flejmë më në errësirë.

Filed Under: Rajon

REL: Sudani e njeh pavarësinë e Kosovën, thotë Osmani

April 12, 2025 by s p


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, takohet me ministrin e Jashtëm të Sudanit, Ali Yousuf al-Sharif, në Antalia, Turqi, 12 prill.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, takohet me ministrin e Jashtëm të Sudanit, Ali Yousuf al-Sharif, në Antalia, Turqi, 12 prill.

Shpërndaje

 Printoje

Sudani, vend në verilindje të Afrikës, e ka njohur pavarësinë e Kosovës të shtunën, njoftoi presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Në një njoftim në X, Osmani tha se Kosova dhe Sudani janë pajtuar për të lidhur marrëdhënie diplomatike.

“Ky është fillimi i një partneriteti madhështor”, shkroi Osmani.

Njohja nga Sudani është e dyta brenda javësh për Kosovën, pasi një shtet tjetër afrikan, Kenia e njohu atë në fund të marsit.

Në një video përkrah ministrit të Jashtëm të Sudanit, Ali Yousuf al-Sharif, në Forumin e Diplomacisë në Antalia të Turqisë, Osmani tha se u njoftua nga ai për vendimin e presidentit të Sudanit për ta njohur Kosovën dhe për të lidhur marrëdhënie mes dy vendeve.

SHIKONI EDHE:

Pse ka rëndësi njohja nga Kenia?

Njohjet nga Kenia dhe Sudani vijnë pas një rënie të ritmit të njohjeve të Kosovës në vitet e fundit. Para tyre, shteti i fundit që e njohu atë ishte Izraeli në vitin 2021.

Sudani është bërë tani shteti i 119-të që e njeh Kosovën, një vendim që pritet ta zemërojë Serbinë, e cila e lufton vazhdimisht pavarësinë e fqinjit të vet.

Serbia e dënoi vendimin e Kenias për ta njohur Kosovën dhe tha se ai mund të ndikojë edhe në marrëdhëniet e Beogradit me shtetin afrikan.

Një ekspert kishte paralajmëruar për Radion Evropa e Lirë në fund të marsit se njohja nga Kenia do të nxiste edhe shtete të tjera afrikane ta marrin të njëjtin vendim.

https://www.evropaelire.org/a/sudani-njeh-kosoven/33363249.html?layout=1&platformType=self-embed

Gëzim Visoka, autor i librit “Çnjohja e shteteve”, tha për REL-in më 29 mars se, nëse institucionet angazhohen, kjo mund të jetë një “pikë kthese në favor të Kosovës”.

“Njohja nga Kenia paraqet një mundësi të mirë për Qeverinë e Kosovës, por edhe për aktorët e tjerë të angazhuar, që të rikthejnë vrullin dhe të punojnë në mënyrë të qëndrueshme dhe strategjike për të përmbyllur procesin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës”, tha Visoka asokohe.

Sudani e njohu Kosovën rreth tri javë më vonë.

Visoka, profesor i Studimeve për Paqe dhe Konflikt në Universitetin e Dublinit në Irlandë, parashikoi se Kosova duhet të synojë 10 deri në 12 njohje brenda vitit.

Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte shprehur druajtjen e tij se njohja nga Kenia mund të nxiste një trend të njohjeve të Kosovës.

Më shumë rreth Sudanit

Sudani është duke u përballur me krizën më të madhe humanitare në botë, si pasojë e një luftë pothuajse dyvjeçare.

Ai është bërë vendi i vetëm afrikan që po përjeton uri ekstreme, sipas Kombeve të Bashkuara.

Pothuajse 25 milionë njerëz – gjysma e popullsisë së Sudanit – përballen me uri ekstreme, ndërsa njerëzit po vdesin në zonat e goditura nga uria në Darfurin Perëndimor, sipas OKB-së.

Konflikti në Sudan nisi më 15 prill 2023, kur tensionet e kamotshme midis udhëheqësve ushtarakë dhe atyre paraushtarakë shpërthyen në kryeqytetin Kartum dhe u përhapën në rajone të tjera, përfshirë zonën e gjerë të Darfurit Perëndimor.

Prej atëherë, thuhet se të paktën 20.000 njerëz janë vrarë, megjithëse numri ka mundësi të jetë shumë më i lartë.

Në fund të muajit të kaluar, ushtria sudaneze e rimori kontrollin mbi Kartum, një fitore e rëndësishme simbolike në luftë. Por, grupi paraushtarak rival, Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), vazhdon ta kontrollojë pjesën më të madhe të Darfurit dhe disa zona të tjera.

Filed Under: Rajon

Kosova feston Ditën e Kushtetutës, 17 vjet shtet

April 9, 2025 by s p

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 9 Prill  2025/ Kosova në  26 vjet Liri e 17 vjet Pavarësi feston sot Ditën e Kushtetutës, 9 Prillin.

 “Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”, thuhet në nenin 1 të Kushtetutës së miratur para 17 viteve, e cila, sipas nenit të fundit – 162 – “hyn në fuqi në 15 Qershor 2008”.

Ishte viti 2008 kur u miratua nga Kuvendi i Kosovës akti më i lartë  juridik i shtetit në ditën e 9 Prillit, më pak se dy muaj pas shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurtin historik.

“Duke u bazuar në votimin njëzëri të të gjithë deputetëve në sallë, sot në orën 10:45 u shpall solemnisht Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e miratuar nga 107 deputetët e Kuvendit të Kosovës”, tha atëherë Kryeparlamentari Jakup Krasniqi pas votimit, cituar në raportimin që kam bërë për  Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë  – Agjencinë Telegrafike Shqiptare /ATSH/ në 9 Prill 2008.

Raportimi theksonte se kryetari i Komisionit Kushtetues, Hajredin Kuçi, prezantoi përmbajtjen e Kushtetutës, e cila, siç bëri të ditur, ka 14 kapituj dhe 162 nene.


“Kemi synuar të kemi një Kushtetutë moderne, të shkurtër, të qartë dhe të kuptueshme, që garanton vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe zotimet ndërkombëtare dhe që është funksionale”, tha ai.

 Për Projektkushtetutën e hartuar nga Komisioni Kushtetues, i cili ishte ngritur nga Ekipi i Unitetit,  është zhvilluar debat publik që nga 28 Janari 2008, në fazën e parë, dhe që nga 19 Shkurti – dy ditë pas shpalljes së pavarësië, në fazën e dytë.


Gjatë debatit publik u është bërë e ditur qyetarëve se “Kushtetuta është hartuar mbështetur në dy vullnete, i pari që Kosova të jetë shtet sovran dhe i pavarur dhe i dyti që me Deklaratën e Pavarësisë të 17 Shkurtit Kosova si shtet ka marrë obligime ndërkombëtare për zbatimin e Paketës së Ahtisaarit”.

Dita e Kushtetutës, 9 Prilli, është festë shtetërore, sipas Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, të miratuar në Kuvend në 21 Maj 2008.

Dekretimi i këtij ligji dhe 40 ligjeve të tjera, të  dala nga Paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet më të rëndësishme të ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës, 15 Qershorit 2008. Dekretimin e bëri Presidenti i atëhershëm i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Deri në hyrjen në fuqi të Kushtetutës ligjet e miratuara në Kuvendin e Kosovës i ka nënshkruar Shefi i UNMIK-ut, Misionit të Organizatës së Kombëve të Bashkuara.

Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, presidenti “shpall ligjet e miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”. Poashtu,  “ka të drejtën e kthimit për rishqyrtim të ligjeve të miratuara, nëse konsideron se janë të dëmshme për interesat legjitime të Republikës së Kosovës ose të një a më shumë komuniteteve të saj”.

Zhvillimet më të rëndësishme brenda 17 viteve ishin në 2012-tën, kur Kuvendi, në 7 Shtator,  ka miratuar amendamentimin e  Kushtetutës së Republikës lidhur me përfundimin e mbikëqyrjes  ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, ndërsa në 10 Shtator pasoi vendimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar, i mbledhur në Prishtinë, për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare.

“Përmbyllja e mbikëqyrjes është vlerësimi më i lartë ndërkombëtar, që i është bërë shtetit të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë”, u vlerësua atëherë.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur pavarësinë, ishte formuar në 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të shtetit të ri, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin.

Deri në 17 vjetorin e Ditës së Kushtetutës pavarësia e Kosovës është e njohur nga 118 shtete të botës anëtare të OKB-së.

Në rrugën drejt pavarësisë Kosova ka një histori kushtetuese edhe para kushtetutës së saj të parë si shtet i pavarur me njohje ndërkombëtare.

Kosova prej vitit 1974  ka pasur Kushtetutën e vet, e cila i ka siguruar mëvetësi organizative si njësi konstituive me të drejtë vetoje në federatën  e atëhershme, nga shpërbërja e së cilës dolën shtatë shtete të reja të rajonit – Kosova, Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia.

Në 28 Mars të vitit 1989, Serbia në Kuvendin e saj miratoi “Kushtetutën e tankeve”, që përgjakshëm, në rrethana tragjike terrori, me forcë e në mënyrë kundërkushtetuese rrënoi autonominë që kishte Kosova.

 Kundërshtimi i fuqishëm rrënimit të autonomisë në Kosovë ishin demonstratat gjithëpopullore, në të cilat vetëm brenda dy ditëve, në 27 e 28 Mars 1989, në shtetrrethimin e hekurt ushtarako-policor të vendosur nga Beogradi u vranë 22 shqiptarë e plagosën qindra të tjerë në Prishtinë, Mitrovicë, Zhur e Dushanovë afër Prizrenit, Podujevë, Deçan, Gjilan e në anë të tjera të Kosovës.

Demonstratat pasonin grevën  e urisë të 1.300 minatorëve të Trepçës, nga 20 deri 28  Shkurt 1989, e cila ishte në mbrojtje nga sulmet e Serbisë kundër Kosovës e mëvetësisë së saj, rezistencë e fuqishme e përkrahur nga populli dhe në kërkim të lirisë, demokracisë e të drejtave të plota për shqiptarët.

Në vijimësi të kundërshtimeve të fuqishme gjithëpopullore dhe institucionale të “Kushtetutës së tankeve” serbe, në rrethana të okupimit, Kosova në vitin 1990 shpalli Deklaratën Kushtetuese për pavarësi në 2 Korrik e më pastaj Kuvendi miratoi në 7 Shtator Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Në vitin 1991, nga 26 deri në 30 Shtator u organizua edhe Referendumi ku kosovarët votuan 99,87 për qind për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur, i cili pasohej me zgjedhjet e para pluraliste, parlamentare e presidenciale të 24 Majit 1992, kur President i parë u zgjodh Dr. Ibrahim Rugova.

Republika e Kosovës me Kushtetutën e vet e institucionet demokratike të zgjedhura atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, por megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit të popullit mbi 90 përqind shumicë shqiptare, si edhe pjesëtarëve të komuniteteve pakicë.

Kosova e lirë, pas përfundimit të luftës në Qershor 1999, prej vitit 2001 deri në shpalljen e pavarësisë në 17 Shkurt 2008  ka pasur një Kornizë Kushtetuese, të miratuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, e cila ishte dokument më shumë inicial kushtetues, por ka mundësuar zhvillimin e vendit nga një krijesë defakto e pavarur, ndonëse nën protektorat, në një entitet shtetëror të pavarur, edhe pse nën mbikëqyrje ndërkombëtare për një kohë.

Me rastin e 10 vjetorit të Ditës së Kushtetutës, 9 Prillit, hartuesit e Kushtetutës së Republikës së Kosovës janë dekoruar me Medaljen Presidenciale Jubilare të dhjetëvjetorit të pavarësisë nga atëherë Presidenti Hashim Thaçi.

Shtatëmbëdhjetëvjetori i hyrjes në fuqi të Kushtetutës së shtetit të pavarur të Kosovës do shënohet në kohën kur nëpër qytetet e fshatrat kosovare do festohet 26 vjetori i lirisë, e cila nisi me Ditën e Paqes e Lirisë – 12 Qershorin e vitit 1999, kur forcat paqeruajtëse shpëtimtare të  NATO-s prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës  filluan të  hynin në Kosovë, nga Maqedonia, e të nesërmen edhe nga Shqipëria,  pas ndërhyrjes me aviacion në fushatën ajrore 78 ditëshe të goditjes së caqeve të forcave serbe që bënin masakra e spastrim etnik duke vrarë më shumë se 12 mijë shqiptarë, zhdukur mëse 6 mijë e dëbuar rreth një milion, shumicën drejt Shqipërisë.

 ***

Raportim që bëja  për  Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë  para 17 viteve-9 Prill 2008:

PËRMBLEDHJE – KUSHTETUTA FUQIZON SHTETIN E PAVARUR, SOVRAN, DEMOKRATIK, UNIK DHE TË PANDASHËM TË KOSOVËS

PRISHTINË, 9 prill /ATSH-B.Jashari/ – Kuvendi i Kosovës i mbledhur sot në një seancë solemne të jashtëzakonshme, ashtu si kur shpalli pavarësinë para më pak se dy muajsh, miratoi njëzëri Kushtetutën e Republikës së Kosovës, që, siç u tha, fuqizon shtetin më të ri në botë si të pavarur, sovran, demokratik, unik dhe të pandashëm.
“Duke u bazuar në votimin njëzëri të të gjithë deputetëve në sallë, sot në orën 10:45 u shpall solemnisht Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e miratuar nga 107 deputetët e Kuvendit të Kosovës”, tha kryeparlamentari Jakup Krasniqi pas votimit.
Gjithçka ishte unanime në këtë seancë, që nga fillimi i saj, kur ishin të pranishëm në sallë 103 deputetë, të cilët aprovuan të vetmen pikë të rendit të ditës: Miratimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Seanca e Kuvendit të Kosovës, ku merrnin pjesë udhëheqësit më të lartë të vendit, Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith, trupi diplomatik në Kosovë, si dhe përfaqësues të arsimit, shkencës, artit e të fesë, hapi punimet pak pas orës 10:00, nën drejtimin e kryeparlamentarit Jakup Krasniqi.
“Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë të hap punimet e kësaj seance të jashtëzakonshme dhe solemne të Kuvendit për miratimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, tha ai.
“Kushtetuta jonë sanksionon shkallë të lartë të idealizmit të një shoqërie të lirë, të hapur, demokratike dhe sovrane. Ajo promovon dhe u garanton të drejta të standardeve të larta komuniteteve pakicë në Kosovë. Që nga sot, të drejtat e komuniteteve nuk janë më thjesht vetëm vullnet i mirë dhe i deklaruar i shumicës, por kategori e përcaktuar kushtetuese dhe partneritet solemn e publik. Ato janë të mbrojtura dhe të pacenueshme”, theksoi kryeparlamentari Krasniqi.
Më pas, Kuvendit iu drejtuan presidenti Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi, e kryetari i Komisionit Kushtetues, Hajredin Kuçi, të cilët nxjerrjen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës  e vlerësuan një moment tjetër historik pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008.
“Në vazhdën e zhvillimeve jashtëzakonisht të rëndësishme dhe historike për Kosovën, pas shpalljes së pavarësisë dhe njohjes ndërkombëtare nga një numër i madh vendesh të botës demokratike, dita e sotme po kështu shënon një moment të veçantë në përmbylljen e ciklit të shtetndërtimit të Kosovës”, tha presidenti  Sejdiu.
”Kushtetuta, me peshën e saj të veçantë, sa mund të quhet me të drejtë përmbyllje e procesit shtetndërtues të Kosovës, po kaq, në të njëjtën kohë, në bazament të qëndrueshëm formal dhe juridik dhe esencial e fut Kosovën në rrafsh të ri të zhvillimeve shtetërore, politike dhe juridike”, shtoi ai.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës në të njëjtën kohë hap horizontin dhe mundësinë tonë për përballje me sfidat e shumta që do të kapërcehen duke e dëshmuar fuqishëm qëndrueshmërinë e institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovë, të cilat edhe në rrugën e deritanishme kanë dëshmuar seriozitetin dhe këmbëngulësinë për veprim të sukseshëm në realizimin e interesave të qytetarëve të Republikës së Kosovës ”, theksoi presidenti Sejdiu.
Ai u shpreh optimist se mbi bazën e parimeve të Kushtetutës dhe duke pasur parasysh ndërtimin e gjithë strukturës institucionale përgjegjëse për zbatimin e tyre, “Republika e Kosovës do të kapërcejë më shpejt edhe rrugën drejt integrimit të saj në Bashkimin Evropian dhe në NATO”.
Kryeministri  Hashim Thaçi tha se Kushtetuta e Republikës së Kosovës është evoluim i historisë së përbashkët të kosovarëve dhe garanton liriëtë dhe të drejtat e të gjithëve. 
“Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet e tjera. Vlerat fondamentale dhe liritë e të gjitha kombeve demokratike janë të mbrojtura me anë të kushtetutës. Prandaj, edhe ne sot kemi vendosur që ta ndjekim rrugën e shteteve të lira dhe demokratike”, u shpreh ai.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës, është vullneti ynë, është legjitimiteti dhe vula e shtetit të Kosovës”, theksoi kryeministri Thaçi.
Kryetari i Komisionit Kushtetues, Hajredin Kuqi, prezantoi përmbajtjen e Kushtetutës, e cila, siç bëri të ditur, ka 14 kapituj dhe 162 nene.
“Kemi synuar të kemi një Kushtetutë moderne, te shkurtër, të qartë dhe të kuptueshme, që garanton vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe zotimet ndërkombëtare dhe që është funksionale”, tha ai.
”Sot, në duart tuaja është drafti i Kushtetutës së Republikës se Kosovës si bazë e ndërtimit te sistemit politik, ekonomik dhe shoqëror në shtetin tonë në të cilën kemi shprehur synimet tona, në emër të popullit të Kosovës, për të ardhmen e vendit tonë të lirë, demokratik dhe paqedashës si shtet i të barabartëve”, është shprehur Kuqi.
“Sovranitetin e Republikës sonë Kushtetuta e përcakton se buron nga populli dhe i takon atij. Ajo garanton integritetin territorial të Kosovës si të pacenueshëm,të patjetërsueshëm dhe të pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e lejuara”, siguroi ai.
”Republika e Kosovës është e ndërtuar mbi bazën e konceptit të barazisë qytetare dhe e përcaktuar si shoqëri shumetnike, e përbëre nga shqiptarët dhe nga komunitetet e tjera ku qeveriset në mënyre demokratike dhe respektohet plotësisht sundimi i ligjit dhe barazia e qytetarëve para tij”, theksoi Kuqi.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës është nënshkruar të hënen pasdite nga Komisioni Kushtetues në një ceremoni zyrtare në ambientet e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, e ku morën pjesë udhëheqësit më të lartë të vendit e të komunave dhe përfaqësues të misioneve ndërkombëtare.
Në dy ditët e para të prillit Komisioni Kushtetues i Kosovës e miratoi me konsenmsus të plotë tekstin final të Projektkushtetuës, ndërsa Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Piter Feith, e certifikoi atë duke vlerësauar se është në përputhje me Paketën Ahtisaari.
Për Projektkushtetutën e hartuar nga Komisioni Kushtetues, i cili është ngritur nga Ekipi i Unitetit,  është zhvilluar debat publik që nga 28 janari 2008, në fazën e parë, dhe që nga 19 shkurti, dy ditë pas shpalljes së pavarësië, në fazën e dytë.
Gjatë debatit publik u është bërë e ditur qyetarëve se “Kushtetuta është hartuar mbështetur në dy vullnete, i pari që Kosova të jetë shtet sovran dhe i pavarur dhe i dyti që me Deklaratën e Pavarësisë të 17 shkurtit Kosova si shtet ka marrë obligime ndërkombëtare për zbatimin e Paketës së Ahtisaarit”.
“Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”, thuhet në nenin 1 të Kushtetutës, e cila, sipas nenit të fundit – 162 – “hyn në fuqi më 15 qershor 2008”./
a.jor.

Filed Under: Rajon

Në përkujtim të masakrës së Belegut, 29 mars 1999 në Deçan

April 1, 2025 by s p

Endrit Binakaj – i mbijetuar i masakrës së Belegut dhe autor i dy librave për masakrën.

Deri kur është pyetja e përditshme që familjarët e të zhdukurve në Beleg të Deçanit ia bëjnë vetes për fatin e më të dashurve të tyre, të vrarë e masakruar më 29 mars 1999. Tashmë kur kanë kaluar 26 vjet nga krimi monstruoz i forcave policore e ushtarake serbe mbi popullatën civile në fshatin Beleg, ende sot e kësaj dite familjet e të zhdukurve presin të lind çdo ditë me ankth për kumtin e familjarëve të tyre. Ata presin një grusht eshtra, ngase varret kanë mbetur të hapura, varre me emra në epitafe, por ende bosh, dhimbje që depërton thellë në secilen qenie njerëzore.

Ky është realiteti i zymtë, që e ka topitur secilin që pret lajmin për djalin, babain, axhën apo gjyshin që mbetet i zhdukur nga masakra e Belegut. Le te kthehemi pak në Belegun e vitit 1999, ajo katrahurë e skenë krimi mbetet e freskët për secilin person që e pa me sytë e tij, tmerrin dhe torturën e asaj dite marsi. Të gjithë që ende e jetojnë sot kanë të njëjtin rrëfim e tregim, tmerrin, vrasjen e torturën, djegien e maltretimin. Këto skena të shiritit të kujtesës kolektive i kam edhe une të freskëta, mbase më të freskëta e autentike se secili i rritur që ishte aty.

E gjithë kjo mbase isha fëmijë, vetëm 9 vjeçar e fëmija regjistron, shikon e ndjen realitetin e dhimbshëm ashtu siç më të vërtetë kishte ndodhur. Pa dashur të kthehem e të ripërsëris kujtimet e mia të hidhura të cilat i kam dokumentuar në dy librat e mi, po duhet të them se tashmë si një i rritur që ka kaluar mbi tre dekadë jetë e kam obligim moral e njerëzor e mbi të gjitha kombëtar që këtë masakër dhe përgjegjësit e saj të marrin dënimin e merituar.

Natyrshëm shtrohet pyetja e nuk të lënë të qetë ndërgjegjja se deri kur këta kriminelë do të marrin dënimin kapital?

Deri kur drejtësia vendore dhe ajo ndërkombëtare do të ngrisin akt-akuzë për kriminelët që tashmë dihet me emra dhe mbiemra?

Pavarësisht distancës kohore, krimet dhe kriminelët duhet ndjekur, akt-akuza dhe gjykimi qoftë në mungesë është sinjal që të pakten autorët e krimit që shetitin lirshëm në Serbi të marrin përgjegjësinë dhe “dënimin” të paktën nga distanca.

Personalisht ka dy vite që jam intervistuar nga njësia hetimore për krime lufte në Policinë e Kosovës, si dëshmitar kam deponuar materialin dhe dëshminë time (të argumentuar dhe dokumentuar katërcipërisht edhe në dy librat e mi për masakrën). Të njejtën e kanë bërë edhe shumë të mbijetuar të tjerë, por deri sot ende nuk ka ndonjë akt-akuzë për ndonjërin nga kriminelët që morrën pjesë në masakrën e Belegut. (përjashto akt-akuzën e ngritur për Muharrem Ibra për krimet në Osek Hylë, e që ishte pjesëmarrës edhe në Beleg së bashku më të vëllain Isuf Ibraj).

Çështja e të zhdukurve të luftës së fundit në Kosovë është padyshim rast që Serbia duhet të kushtëzohet në tavolinën e bisedimeve, secila qeveri që ka qenë deri më sot ndonëse me premtime të bollshme e ka trajtu si në margjina këtë situatë të mbi 1600 personave që ende nuk dihet asgjë për fatin e tyre e të 34 (mbesin akoma të zhdukur) nga 46 të ekzekutuarit në masakrën e Belegut.

Qeveria e Kosovës duhet që patjetër të shmang çdo negociatë pa e ditur fillimisht fatin e secilit të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.

Serbia ka kyer krime si shtet me organizim dhe hierarki të qartë komanduese, ajo duhet t’i hap arkivat e saj, e që për fat te keq nuk e ka bërë deri më tani dhe po vazhdon së sillet si viktimë e jo si agresori, vrasësi e terrorisuesi, ashtu siç është fytyra e saj e vërtetë.

Deri kur është pyetja e përditshme që familjarët e të zhdukurve në Beleg të Deçanit i’a bëjnë vetës për fatin e më të dashurve të tyre, të vrarë e masakruar më 29 mars 1999?!

Deri kur?!…

Do presim kumtin për:

Zymer (Miftar) Binakaj

Brahim (Adem) Zukaj

Hamid (Dervish) Zukaj

Rexhep (Lum) Neziraj

Faton (Hasan) Vishaj

Fatmir (Halil) Vishaj

Ramë (Shaban) Kilaj

Sadri (Hajdar) Vishaj

Mujë (Isuf) Vishaj

Malë (Isuf) Vishaj

Zenel (Ukë) Vishaj

Hazir (Himë) Zukaj

Shaban (Ramë) Nitaj

Nekë (Halil) Binakaj

Hajdar (Hamëz) Mazrekaj

Ali (Avdyl) Mazrekaj

Bashkim (Lush) Hadergjonaj

Afrim (Lush) Hadergjonaj

Xhevdet (Bajram) Hadergjonaj

Muhamet (Bajram) Hadergjonaj

Mehmet (Halil) Tolaj

Xhevat (Ukë) Tolaj

Misin (Hajdin) Tolaj

Arif (Haxhi) Mazrekaj

Isa (Tahir) Tolaj

Sahit (Bekë) Mazrekaj

Hasan (Sahit) Mazrekaj

Sundim (Sahit) Mazrekaj

Naim (Hysen) Tolaj

Ragip (Osmon) Morina

Beqir (Idriz) Dervishaj

Tafë (Bekë) Dinaj

Smajl (Ramë) Ukëhaxhaj

Haxhi (Shaban) Kadriaj

Ndërsa deri më tani nga Masakra e Belegut janë të identifikuar këta persona:

Shaqë (Curr) Binakaj

Hysni (Curr) Binakaj

Nezir (Ibish)Vishaj

Naim (Daut) Vishaj

Daut (Murat) Aliçkaj

Gëzim (Selmon) Vishaj

Jetmir (Arif) Mazrekaj

Qazim (Osë) Hulaj

Sadri (Adem) Zukaj

Shefqet (Curr) Belegu

Shaban (Haxhi) Kadriaj

Ali (Haxhi) Kadriaj

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 203
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ANNA KOHEN: Nuk harrroj vlerat humanitare dhe bujarinë e shqiptarëve
  • Akademia e Shkencave përkujton me nderim në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta akademik Kristo Frashërin
  • Ndryshimet e Kodit Penal një realitet me risqe dhe kurthe penalizimi për gazetarët
  • Kongresi Kombëtar i Lushnjes u bë gur themeli për ndërtimin e shtetit shqiptar
  • Libri “Tragjedia Çame” i bashkëautorëve Lita-Halimi, një testament dokumentar
  • FREEDOM IN JANUARY 2026
  • “ALBLIBRIS”, NJË PREMTIM KADARESË QË E KREVA NË NËNTËDHJETËVJETORIN E TIJ
  • Përmendorja e Skënderbeut në Ulqin
  • Join us at Albanian Heritage Day at Yankee Stadium!
  • ABAS KUPI, AKTIVITETI POLITIK NË EMIGRACION DHE NË SHBA
  • Marksizmi, nostalgjia e sfumuar filozofike dhe praktike
  • U mbajt konferenca shkencore “Tish Daija në 100 vjetorin e lindjes”
  • NDËRROI JETË PJETËR LEKA IVEZAJ
  • LIRIA KA EMËR: UÇK
  • VENDI IM

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT