TIRANË, 30 Qershor/ATSH/Presidenti i Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso u nderua sot në Tiranë nga Presidenti i Republikes me dekoratën e lartë të “Flamurit Kombëtar”.
Motivacioni i dekorimit e vlerëson z. Barroso “Për meritat e veçanta si President i KE-së, për mbështetjen e vazhdueshme në procesin e integrimit, si dhe kontributet për përafrimin institucional të Republikës së Shqipërisë drejt BE-së”.
Në ceemoninë e organizuar në Presidencë, ku merrnin pjesë kryeministri Edi Rama, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ministra, deputetë të dyja palëve, etj, presidenti Nishani theksoi se së bashku sapo kemi shënuar një arritje të rëndësishme në afrimin institucional të Shqipërisë me BE-në dhe drejt anëtarësimit të saj me familjen europiane.
“Në këtë moment dua të shpreh mirënjohjen time të thellë në emër të qytetarëve shqiptarë, për të gjitha institucionet e BE-së, qytetarët dhe institucionet e vendeve anëtare, për mbështetjen e vazhdueshme, ndihmesën bujare, mirëkuptimin dhe durimin e demonstruar ndaj Shqipërisë, në kohë të mira e të vështira. Në këtë kuadër, Komisioni Europian, por sidomos Ju, z. Barroso na keni qëndruar vazhdimisht shumë pranë. Ju siguroj se ne e kemi ndjerë fort praninë tuaj në timonin e ekzekutivit europian”, nënvizoi Nishani në fjalën e tij.
Pas marrjes së dekoratës, Presidenti Barroso falenderoi për nderimin e bërë, duke theksuar se Komisioni Europian ka qënë një negociator i drejtë, objektiv në procesin e integrimit të Shqipërisë. “Jam krenar për pozicionin që ka mbajtur BE-në”, shtoi Barroso.
Barroso: Hapja e negociatave në BE, pas reformave kyçe nga Shqipëria
Kreu i Komisionit Europian: Vizita e Kryeministrit Rama në Beograd, shumë e rëndësishme-
TIRANË, 30 Qershor/-ATSH-Ylli Pata/-Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, deklaroi të hënën në Tiranë, se hapja e stadit të ri për Shqipërinë që të hapë negociatat e anëtarësimit në BE, do të vijë pas një procesi monitorimi “realist” që si pika kryesore do të ketë zbatimin e prioriteteve kyçe nga qeveria shqiptare, si dhe ndalimin e asaj që ai e quajti “polarizim ekstrem” i situatës politike.
Në një konferencë shtypi që zhvilloi së bashku me Kryeministrin shqiptar, Edi Rama, në selinë e qeverisë shqiptare, Presidenti i Komisionit Europian, e ka uruar publikisht kreun e qeverisë shqiptare për marrjen e statusit kandidat dhe deklaroi se Komisioni Europian do të jetë në anën e vendit tani që procesi i integrimit futet në një stad të ri, që është ai i hapjes së negociatave për anëtarësim.
Vizita e zotit Barroso është e dyta që zhvillon në Tiranë, e para u zhvillua më 18 shkurt 2006, ndërkohë që një vizitë e planifikuar në vitin 2011 u anulua pas impasit të vendit për të plotësuar axhendën e integrimit europian.
Edhe pse në fund të mandatit të tij si President i Komisionit Eiuropian, vizita e zotit Barroso në Tiranë, është mjaft e rëndësishme pasi konfirmon qëndrimin e Bashkimit Europian për të vazhduar partneritetin me Shqipërinë. Këtë e bëri të ditur vetë Presidenti i Komisionit Europian, i cili theksoi megjithatë se Shqipëria duhet të ecë parpara me reformat, ku lufta ndaj krimit, korrupsionit, reforma në drejtësi, duhet të jenë jo vetëm në axhendën kombëtare por që duhet të vihen në jetë sa më parë. Zoti Barroso, ka përgëzuar aksionin e policisë shqiptare në Lazarat, duke e konsideruar të suksesshëm, por ka bërë thirrje që lufta ndaj kultivimit dhe trafikimit të drogës të vazhdojë me të njëjtin intensitet.
Një tjetër aspekt i rrugëtimit të Shqipërisë në BE, të cilën e ka prekur Jose Manuel Barroso, ka qenë edhe bashkëpunimi rajonal.
“Një nga arsyet që unë e dua Bashkimin Europian është se ne jemi një bashkim i paqes. Jemi së bashku vendet që dikur janë vrarë me njëri tjetrin, ndërsa tani votojnë së bashku dhe zgjedhin drejtuesit e përbashkët. E njëjta gjë duhet të nodhë në Ballkan, ku 100 vjet më parë këtu shpërtheu Lufta e Parë Botërore, ndërsa tani është një territor ku ka paqe. Ju duhet të promovoni bashkëpunimin duke krijuar tryeza bashkëpunimi të përbashkëta”, deklaroi Kreu i Komisionit Europian, duke e përgëzuar publikisht nismën e Kryeministrit shqiptar, Edi Rama, për të zhvilluar një vizitë zyrtare në Beograd.
Kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama, deklaroi se axhenda e integrimit do të jetë në krye të përpjekjeve, duke theksuar se në shtator do të zhvillohet Dialogu i Nivelit të lartë ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së, ndërkohë që është ngritur edhe Këshilli Kombëtar i Integrimit.
Rama deklaroi se procesi i integrimit do të jetë gjithëpërfshirës për të gjitha pjesët e shoqërisë shqiptare, padyshim edhe të opozitës.
“Ne nuk duam që opozita të bjerë në sevda me ne, ne padyshim jemi votuam që të qeverisim, por ne kemi ftuar opozitën që të jetë së bashku me ne në simbolikën e festimit modest të marrjes së statusit. Ndërkaq nga ana substanciale ne do të presim deri në ditën e fundit të sesionit parlamentar që Partia Demokratike të bëhet pjesë e reformës administrative-territoriale”, deklaroi Kryeministri, Edi Rama, i cili ka ftuar opozitën që të jetë pjesë edhe në reformën e pritshme në drejtësi.
Pikërisht drejtësia është një nga axhendat kryesore të prioriteteve që Bashkimi Europian i ka kërkuar Shqipërisë. Zoti Rama ka falënderuar në mënyrë të veçantë edhe Komisionerin për Zgjerimin, Stefan Fule, të cilën e ka konsideruar një “mik të madh të shqiptarëve”.
Vizita dhe fjalimi që do të mbajë Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, sot në Gjykatën e Krimeve të rënda, është dëshmi konkrete e këtij prioriteti, që padyshim do të jetë sprova më e madhe e Shqipërisë për të hapur negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Ndërkaq, vizita e pritshme e Kryeministrit shqiptar, Edi Rama, në Beograd, pritet të japë një dimension tjetër jo vetëm i politikës stabilizurse të Shqipërisë në rajon, por edhe rolit të Ballkanit si një zonë që pritet të integrohet në BE me një filozofi dhe koncept tjetër komunikimi dhe bashkëpunimi.
Vizita e Jose Manuel Barrosos në Tiranë, është e fundit në detyrën e Presidentit të Komisionit Europian, post që pritet ta marrë ish-kryeministri i Luksemburgut, Jean-Claude Juncker.
Barroso në Kuvend: Nuk do jetë i plotë bashkimi i Europës pa Europën Juglindore
Presidenti i Komisionit Evropian, Hose Manuel Barroso, gjatë vizitës së sotme në Tiranë iu drejtua me një fjalë të gjatë përshëndetëse Kuvendit të Shqipërisë, përmes së cilës përcolli mesazhe të rëndësishme për politikën dhe qytetarët shqiptarë.
Në hapje të seancës së posaçme kryetari i Kuvendit, Ilir Meta e cilësoi historike vizitën e sotme në Tiranë të Presidentit të KE-së, e cila vjen pak ditë pas marrjes nga Shqipëria të statusit të kandidatit në BE.
“Shqipëria dhe rajoni ynë kanë avancuar në mënyrë të dukshme drejt integrimit euroatlantik. Z. Barroso vjen sot në një vend anëtar të NATO-s dhe vizita e tij ka një kontekst tepër të rëndësishëm për Shqipërinë në procesin e integrimit në BE. Më lejoni të shpreh mirënjohjen e Kuvendit për mbështetjen e pakursyer dhe punën e palodhur të KE-së, nën drejtimin e Presidentit Barroso, në mbështetje të kandidaturës së Shqipërisë për anëtarësim. Në këtë kuadër do ta siguroja Presidentin se parlamenti shqiptar do të jetë platforma e hapur e debatit demokratik dhe e inkurajimit të reformave madhore të vendit, përmes garantimit të gjithëpërfshirjes dhe dialogut politik”, nënvizoi Meta në fjalën e tij.
Ai theksoi se miratimi i statusit të vendit kandidat ishte vendimi i duhur dhe plotësiisht i merituar për Shqipërinë, por dhe një lajm i mirë dhe mesazh pozitiv për gjithë rajonin, ku vendi ynë ka një rol të rëndësishëm. Vendimi ishte dëshmi e vazhdimit të angazhimit të BE-së në favor të perpektivës europiane të rajonit tonë, tha Meta.
Më pas, kreu i Kuvendit ia dha fjalën Presidentit të KE-së, i cili, fillimisht falenderoi qeverinë, Kuvendin dhe popullin shqiptar për mirëseardhjen e ngrohtë “në kryeqytetin e bukur, Tiranë”.
“Është nder i veçantë për mua dhe jam mirënjohës që të flas para Kuvendit vetëm disa ditë pas vendimit historik të BE-së për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, një vendim që KE e kishte propozuar dhe që u miratua me unanimitet nga të gjitha vendet anëtare. Ky vendim lë pas një faqe të rëndësishme në historinë e Shqipërisë dhe shënon nisjen e një faze të re ndërtuese. Ne presim që ky vendim t’i japë një shtysë refomave dhe progresit të Shqipërisë në rrugëtimin drejt BE-së”, theksoi Presdienti Barroso.
“Ky vendim, vijoi ai, po ashtu tregon se persepktiva europiane e vendeve të Europës Juglindore nuk është thjesht diçka e shkruar në letër, por është reale, e besueshme dhe angazhimi i BE-së në të ardhmen mbetet zgjerimi, një proces shumë i rëndësishëm në axhendën tonë”, u shpreh Kreu i KE-së në fjalën e tij.
Duke folur për Komunitetin Europian, Barroso tha se kjo organizatë është gjithnjë e më fortë, sidomos pas asaj që ndoshta ishte kriza më e madhe ekonomike me të cilën ajo ishte përballur. BE-ja po ecën përpara dhe po bën progres dhe zgjerimi gradual ka qënë gjitmonë në paralele me njëra tjetrën. “Unë vetë kam jetuar në diktaturë për 14 vitet e para të jetës sime dhe kam përjetuar atë shpresë që na ofronte Europa dhe BE dhe se si e përfituam. Prandaj, kjo është arsyeja që unë ndjehem afër jush. Ju e lidhni perspektivën e aderimit me konsolidimin dhe modernizimin e institucioneve tuaja. Ky është procesi që duhet të motivoni”, tha ndër të tjera kreu i KE-së.
Barroso në vijim të fjalës së tij në parlamentin shqiptar tha se para 10 vitesh ne bashkuam Lindjen dhe Perëndimin, pas dekadash ndarjesh dhe bashkimi, por bashkimi i Europës nuk do të jetë i plotë pa Europën Juglindore. “Nga Tirana në Sarajevë, nga Beogradi në Prishtinë njerëzit e shohin BE-në si një dritë shprese dhe garantuese të një politike ekonomike dhe ne nuk do t’i zhgënjejmë ata”, tha ai.
Sipas Presidentit të KE-së , një rol të rëndësishëm për plotësimin e të gjitha kushteve për anëtarësim në BE, kërkohet angazhimi i politikës. “Mund ta them këtë pasi kam qenë në krye të BE-së dhe se këto reforma ja vlejnë. Duhen gjithnjë dy vetë për të arritur rezultate, ndaj të gjithë qytetarët e Shqipërisë duhet ta dinë se duhet të plotësohen detyrimet që vinë nga anëtarësimi. Unë do ju them se do ketë një vëmendje të veçantë për Shqipërinë. Dhe do ju shohin në një mënyrë më realiste, si një vend i ardhshëm që do të aderojë në BE. Si anëtarë të këtij Kuvendi, keni një rol të rëndësishëm, që të përgatiteni për t’u anëtarësuar në BE. Ju nuk po i ndërmerrni këto reforma për të kënaqur BE-në, por për qytetarët tuaj. Një gjyqësor më efikas do të ketë një ndikim pozitiv për shqiptarët. Aplikimi i standardeve evropiane, do të japë reflektime pozitive, nënvizoi ai.
Duke u ndalur tek reformat ekonomike, Barroso tha se ato do të ndihmojnë në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit. “Reformat ekonomike, sado të vështira të jenë, do të kontribuojnë për të rregulluar stabilitetin makroekonomik të Shqipërisë. Më lejoni të pranoj angazhimet e Shqipërisë në reformën ekonomike, siç është ajo me FMN-në. Të jeni të sigurt që KE do të bashkëpunojë nga afër me institucionet financiare për të dhënë mbështetje financiare për ju. Unë besoj se roli i tyre është tepër i rëndësishëm, siç është në disa projekte të integrimit rajonal. Ndaj, unë ju uroj për angazhimet tuaja të fortë, për bashkëpunimin rajonal. Jo vetëm tregtia e lirë është një shtysë për bashkëpunim rajonal, ku Shqipëria luan një vend aktiv, e bën atë një vend që tërhiqet nga investitorët”, theksoi Barroso.
Më tej në fjalën e tij zyrtari i lartë europian theksoi se Shqipëria është Evropa dhe integrimi i saj në BE duhet të jetë një projekt për secilin prej nesh, për brezin tonë, pasi realizojmë një aspiratë historike. “Ky është një nga mësimet më të mira sa i takon zgjerimit. Konsensusi në vend i të gjitha partive politike është shumë i rëndësishëm. Këtu në Kuvend vijnë dhe përfaqësohen të gjitha idetë dhe kjo është salla e demokracisë. Unë e vlerësoj rolin tuaj, dhe e vlerësoj debatin demokratik. Një gjë që se kam pritur kurrë gjatë opozitës ishte që të kisha mbështetjen e qeverisë. Por, në disa sektorë është e mundur që të realizohet një konsensus real, përtej pikëpamjeve politike”, vijoi më tej Barroso.
Ai theksoi se vendet e BE-së e kanë të rrënjosur ms tyre ADN-në e bashkëpunimit dhe se për nxitjen e një demokracie do të duhet shumë punë. “Kjo shtron nevojën për të ndjekur me vendosmëri një rrugë të caktuar dhe se duhet t’i përmbaheni rezolutës së Kuvendit të miratuar në nëntor 2013, sa i takon realizimit të platformave, për aderimin e Shqipërisë më pas në BE”, u shpreh Barroso.
Në vijim të mesazheve të tij Kreu i KE-së tha se procesi i integrimit është një proces paqeje, ndaj dhe BE e ka marrë këtë çmim. Ai u shpreh optimist se Shqipëria do bëhet pjesë e Bashkimit Europian. “Unë besoj, se Shqipëria do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, besoj se ky hap, i statusit të vendit kandidat, por tani shumica e punës varet nga ju, si përfaqësues i këtij populli, të cilin e respektoj shumë. Unë besoj se ju mund të merrni të mirat e anëtarësimit në BE, por mund të jepni dhe kontribute për të dhënë stabilitet në këtë rajon. KE do vazhdojë të punojë bashkë me ju, me mbështetje në politikat financiare, duke ofruar miqësi, që së bashku me popullin shqiptar të shkruajmë të ardhmen evropiane. Faleminderit!, e mbylli fjalën e tij në parlamentin shqiptar Presidenti i KE-së, Hose Manuel Barroso
ULQIN: Anisa Petrela,“Miss Shqipëria 2014”
Mbrëmjen e së premtes, një nga pikat më të frekuentuara turistike, Kalaja e Ulqinit ka dhuruar një spektakël të përmasave të mëdha. 31 vajza bukuroshe të mbledhura nga të gjitha trevat e Shqipërisë kanë ndezur qytetin turistik të Ulqinit dhe kanë kthyer vëmendjen tek një tjetër monument i rëndësishëm i historisë shqiptare. Kombinimi i mureve të vjetra, të larta, me skenografinë madhështore të ndërtuar nga Rebus Studio dhe ndriçimin e Franco Ferrarit i kanë dhënë mundësi, “Deliart Association” të mendojë një spektakël të përmasave të mëdha, i cili është ndjekur me një interes të jashtëzakonshëm jo vetëm nga qytetarët e Ulqinit, por edhe nga një numër i madh qytetarësh të ardhur nga Shqipëria dhe Kosova. Kështu spektakli i së premtes ka mbledhur si asnjëherë tjetër spektatorë pasionantë rrëzë kalasë madhështore të qytetit bregdetar.
Pas disa sfilatave të vajzave konkurrente, përzgjedhjes së dhjetë më të mirave dhe një votimi të menduar nga juria e këtij viti, fituese e këtij edicioni të spektaklit të bukurisë është shpallur 19-vjeçarja nga Tirana, Anisa Petrela. Ndërkaq shoqëruesja e parë e Miss-it është shpallur Kristi Pejo, 20 vjeçe nga Tirana dhe shoqëruese e dytë, 22-vjeçarja nga Shkupi, Sara Ymeri.
Si destinacion final të këtij edicioni të “Miss Shqipëria”, organizatorët zgjodhën këtë vit kalanë e Ulqini. I dëshmuar si vendbanim që nga periudha parahistorike të dhënat arkeologjike dhe histori-grafike mbi Ulqinin flasin qartë se historia më e lashtë e këtij qyteti mijëvjeçar zë rrënjë në truallin e qytetërimit ilir dhe si i tillë, ky është një nga qytetet më të vjetra dhe më interesante të Adriatikut që zhvillimin më të lartë e arriti në kohën e mbretërisë së Ilirëve. Pra, një destinacion që i vjen për shtat misionit të konkursit shqiptar të bukurisë një Miss-një kala. Nën këtë efekt u ideuan edhe elementët e show-, të cilët ofruan një spektakël me të ftuar dhe surpriza të shumta. Nën drejtimin e prezantueses e këngëtares Orinda Huta në “Miss Shqipëria” performuan disa nga emrat më të njohur të muzikës shqiptare, si Irma Libohova, Aleksandër Gjoka, Elton Deda, Redon Makashi, Mihrije Braha etj, të cilët krijuan tjetër atmosferë mes vajzave që konkurronin për titullin e më të bukurës shqiptare, por edhe në publik. Ndërsa anëtarët e jurisë së këtij viti ishin emra të rëndësishëm në artit, kulturës, medias, etj., të cilët ndanë disa fasha fituesesh. Prania e tyre këtë vit, ishte konceptuar krejt ndryshe nga herët e tjera. Kledi Kadiu, Arlinda Dudaj, Virgjil Kule e Ylljet Aliçka, si anëtarë të kësaj jurie u bënë paksa edhe prezantues, ndërsa ndanin disa prej trofeve të këtij eventi si, “Miss Inteligjenca”, “Miss Kinemaja”, “Miss Press”, “Miss Buzëqeshja”, etj.. Pjesa tjetër e jurisë, Holta Dulaku, Amarda Toska, Mark Frroku, Ardit Cela, kryetari i komunës së Ulqinit, Fatmir Gjeka dhe Miss Shqipëria 2013, Florenza Lekstakaj kanë dhënë votat dhe vlerësimet e tyre për më të bukurat e këtij edicioni. Një çmim special u dha sivjet nga sponsori zyrtar i “Miss Shqipëria 2014”, Cotonella. Vajza e përzgjedhur për të mbajtur fashës e “Miss Cotonella” ishte 17-vjeçarja nga Elbasani, Lindita Idrizi, nxënëse për flaut në Liceun Artistik, e cila ka fituar njëherësh edhe një kontratë ekskluzive si imazh i Cotonella-s në Shqipëri. Ndërsa për fituesen e “Miss Shqipëria”, si çdo vit edhe sivjet Universiteti “Marin Barleti” ofron një bursë studimi. Me të tilla çmime, nata finale rrodhi shumë shpejt, nën ethet e një gare që sivjet u duk të ishte e fortë, por edhe një spektakli të bukur që ofruan të ftuarit specialë, artistë të kësaj mbrëmje.
Kështu është mbyllur rrugëtimi i këtij viti i “Miss Shqipërisë”, i cili si çdo vit edhe sivjet ka nisur tre javë më parë me rrugëtimin e bukurosheve nëpër trevat historike dhe kulturore të vendit tonë. Të premten e javës së kaluar konkurrentet kanë shijuar turin e Malit të Zi, pasi vizituan për dy javë të tjera zona historike dhe turistike të Shqipërisë. Rrugëtimi i “Miss Shqipërisë” sivjet filloi në qytetin e Vlorës, ku për dy ditë vajzat kanë vizituar bazën e Pashalimanit, duke prerë në një farë mënyrë edhe shiritin e moraturiumit, i cili deri tani ndalonte udhëtimin me mjete të motorizuara përgjatë bregut. Me anije turistike, ndryshe nga vitet e tjera ku vajzat janë shoqëruar nga policia dhe kanë udhëtuar me anije luftarake, ato kanë parë Karaburunin, bregun e pastruar të Vlorës dhe bukuritë natyrore të bregut shqiptar. Më pas turi ka vazhduar në Berat, ku janë vizituar dy qendra biznesi, partnere të “Deliart Association” dhe kanë ndalur në kala ku janë pritur nga banorët. Mali i Shpiragut ka qenë destinacioni i radhës ku janë realizuar etyde,janë vjelë qershitë, frutin e stinës nëpër frutoret e zonës, kanë parë Osumin dhe më pas i janë drejtuar qendrës së Shqipërisë. Në Kavajë janë zgjuar sërish emocionet e edicionit të dy viteve më parë në vizitën e bërë në Gosë, ku u realizua “Miss Shqipëria 2012”. Në Durrës gjithashtu vajzat, konkurrente të këtij viti, mbrëmjen e 12 qershorit kanë qenë protagoniste të një feste të organizuar në Los Locos Beach me veshjet e skuadrave më të njohura të futbollit në botë, me rastin e çeljes së kampionatit Botëror Brazil 2014. Pas kësaj grupi i është drejtuar Veriut, për herë të parë qytetit të Pukës, ku janë mirëpritur nga banorët dhe kanë qenë mysafiret speciale të haneve, vizitore të Muzeut të qytetit, bukurive natyrore dhe historike që ruan ky qytet me shtrirje të madhe gjeografikë. Më tutje në Malësinë e Bogës, vajzat kanë qenë protagoniste të një really, destinacioni final i së cilës ka qenë Thethi. Të tjera bukuri natyrore dhe mikpritje janë shijuar në Theth e më pas në Shkodër për t’u përmbyllur përtej kufirit me mbrëmjen finale të së premtes, në të cilën u shpall një tjetër mbretëreshë bukurie. Florensa Lekstakaj i ka dorëzuar kurorën Anisa Petrelës, e cila do të përfaqësojë Shqipërinë në “Miss Globe 2014”.
‘Kathimerini’ në Lazarat: Pirgje hashashi…
Një grup gazetarësh të gazetës greke Kathimerini kanë qenë në Lazarat gjatë ditëve të operacionit policor antidrogë, kanë takuar banorë të fshatit, kanë biseduar me ta dhe kanë filmuar pamjet e fshatit pas ndërhyrjes së policisë.
“Vetëm pak kilometra larg nga kufiri greko-shqiptar, në një shpat mali shtrihet Lazarati me 5.000 banorë”, shkruan Kathimerini. Që nga fillimi i viteve 2000, kur filloi të kultivohej kanabis, në këtë fshat nuk shkelte këmbë polici. Dy javë më parë, njerëzit e RENEA-s me mjete dhe maska në fytyrë, rrethuan fshatin dhe malet përreth duke ndjekur prodhuesit e hashashit. “Prodhimi ishte aq i madh saqë kur arritëm në Lazarat, në epilogun e operacioneve policore, në çdo rrugicë e oborr kishte pirgje bimësh hashashi të djegura”, shkruan gazetari. Po aq shpesh dëgjohen edhe të shtënat, ndërkohë që çdo ditë policia zbulon dhe sekuestron municione. “Me ardhjen tonë në Lazarat na ndaluan në 3 pika kontrolli. Prania e policisë në fshat ishte aq e madhe, saqë në kafenetë e sheshit qendror, nuk kishte fshatarë, por prokurorë, hetues, e policë të ardhur nga Tirana. Policia ka kontrolluar mbi 130 shtëpi, ku ka gjetur drogë, armë e municione. Ku kaluar shënon hyrjen me një “X” i madh”, thuhet në shkrim. Gazetari grek ka takuar kolegun shqiptar Telnis Skuqi, i cili i ka treguar se Lazarati në të shkuarën ka qenë peng i organizatave kriminale dhe në të s’mund të shkelte asnjë gazetar. Skuqi rrëfen historinë e tij të kërcënimeve pas shkrimeve për trafikun e drogës.
Më pas gazetari grek i referohet avionit të Divjakës, për të cilin sic thotë deri javën e kaluar janë të panumërta raportimet e medias shqiptare. Opozita mori avantazhin duke kritikuar qeverinë e Edi Ramës për tregtinë e pakontrollueshme të drogës, deri në protestat që PD zhvilloi në rrugët e Tiranës duke e akuzuar Ramën se mbështet trafikantët. Presioni politik përkoi me pritjen e Shqipërisë për dhënien e vendit kandidat për anëtarësim në BE, e cila u dha disa ditë më parë.
Megjithatë, shton Kathimerini, raporti më i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit tha se Shqipëria në vitin 2013 mbeti burimi kryesor i marihuanës për tregun evropian. Sidomos tre vitet e fundit, prodhimi i hashashit është rritur. Vitin e kaluar numri i të arrestuarve për trafik droge në rrethina dhe kufirin e Shqipërisë ka qenë 803, ndërsa në vitin 2012 ishte 729. Transferimi i hashashit në Evropë bëhet me anije, aeroplanë, madje edhe me mushka më të trajnuara të ndjekin këtë rrugë pa drejtues. Pavarësisht prodhimit në rritje, autoritetet shqiptare nuk mund të hynin në Lazarat dhe çdo aksion i tyre nuk ka mundur ta ulë prodhimin e hashashit. Ndërkaq në Lazarat vendasit tani po kërkojnë ndihmë nga shteti, për t’i futur në punë, shkruan Kathimerini pa harruar të ndalojë edhe në Dervician ku banorët minoritarë grekë shprehen se kanë frikë nga hakmarrja dhe tregojnë muret e shtëpive të shpuara nga plumbat
Obama u uroi të gjithë besimtarëve myslimanë fillimin e Ramazanit
Në emër të popullit amerikan, Michelle dhe unë ju përcjellim urimet më të mira për të gjitha komunitetet muslimane këtunë Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën në fillim të muajit të bekuar të Ramazanit. /
Nga BEQIR SINA, New York/
WHITE HOUSE : Presidenti amerikan, Barack Obama, u ka uruar myslimanëve në Shtetet e Bashkuara dhe në gjithë botën, fillimin e muajit të shenjtë të Ramazanit.Në deklaratën e zotit Obama theksohen kontributet e myslimanëve në Shtetet e Bashkuara, përfshirë arsimin, punën humanitare dhe reduktimin e dallimeve në të ardhura dhe në varfëri.
Muaji i shenjë i Ramazanit fillon sot dhe karakterizohet me agjërim prej agimit e deri në muzg të ditës.Ramazani përfundon me festën myslimane të Bajramit të Madh.Presidenti Obama tha se ai i pret me nderim myslimanët amerikanë në Shtëpinë e Bardhë për iftarin tradicional, me të cilin përfundon një ditë e agjërimit.
Në emër të popullit amerikan, Michelle dhe unë ju përcjellim urimet më të mira për të gjitha komunitetet muslimane këtu në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën në fillim të muajit të bekuar të Ramazanit.
Një kohë për vetë-reflektim dhe përkushtim nëpërmjet lutjes dhe të agjërimit, Ramazani, thotë në dekleratë Presidenti Oabama është gjithashtu një rast kur muslimanët në tërë botën riafirmojnë angazhimin e tyre për të ndihmuar njerëzit me më pak fat, duke përfshirë edhe ato të luftojnë për shkak të vështirësive ekonomike dhe pabarazisë. Këtu në Shtetet e Bashkuara, ne jemi mirënjohës për shumë organizata muslimane amerikane, individëve dhe bizneseve që janë të përkushtuar për të krijuar mundësi për të gjithë duke punuar për të reduktuar pabarazinë e të ardhurave dhe varfëri, jo vetëm nëpërmjet përpjekjeve të tyre të bamirësisë, por edhe përmes iniciativave të tyre për fuqizojë studentët, punëtorët dhe familjet me arsim, aftësitë dhe kujdesin shëndetësor që ata meritojnë.
“Ramazani, gjithashtu na kujton përgjegjësinë tonë të përbashkët për të parë të tjerët si ne dëshirojmë ashtu si dhe veten tonë dhe parimet bazë që lidhin njerëzit e besimeve të ndryshme janë së bashku: një dëshirë e zjarrtë për të parë vetëm paqe, drejtësisë dhe barazisë njerëzore. Në një moment kur shumë njerëz në mbarë botën vazhdojnë të vuajnë nga konflikti pakuptimtë dhe dhuna, edhe këtë herë ky muaj i shenjtë na përkujton obligimet tona të përbashkëta për të parë drejtësinë dhe paqen dhe për tëmbrojtur dinjitetin e çdo qenieje njerëzore”.
Në fund të kësaj Deklarate nga Presidenti i SHBA, Barack Obama me rastin e Ramazanit thuhet se :”Ashtu si unë e kam bërëçdo vit si President, unë shoh përpara për të përshëndetur myslimanët amerikanë nga gjithë Shtetet e Bashkuara nnga Shtëpia e Bardhë duke shtruar një darkë Iftari. Që kjo të jetë një tjetër mundësi për mua për të përcjellë vlerësimin e Amerikës për kontributin eamerikanëve myslimanë në vendin tonë dhe të uroj myslimanëve në botë, një muaj i bekuar me gëzimet më të mira të familjes,komunitetit, paqeja dhe mirëkuptimi. Ramadan Kareem.” thotë Presidenti Obama
MBLEDHJA E MINISTRAVE TË JASHTËM TË NATOS
Nga Frank Shkreli/
Ministrat e Jashtëm të 28-vendeve anëtare të NATO-s, përfshirë edhe Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati, u mblodhën të ënjtën në Bruksel për të biseduar mbi mbledhjen e nivelit të lartë të Aleancës së Atlantikut që do të mbahet në shtator dhe për të biseduar mbi një numër çështjesh të tjera të rëndësishme me të cilat përballet sot bota, përfshirë edhe gjëndjen në Ukrainë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen u shpreh për median se, “Mbledhja e nivelit të lartë të Ministrave të Jashtëm u mbajtë në një kohë kur po shtohen sfidat ndaj sigurisë përtej kufijve të Aleancës së Nato-s”, dhe shtoi se “Sot, ne theksuam rëndësinë e mbrojtjes së përbashkët”, duke marrë parasyshë ndryshimin e gjëndjes së sigurisë në Europë, si përfundim i agresionit rus në Ukrainë. Udhëheqsi i NATO-s në deklaratën e tij, mbështeti planin për paqë të propozuar nga Presidenti ukrainas Petro Poroshenko, duke thënë se “Ukraina ka një strategji të qartë për zgjidhjen e krizës”, duke shtuar se “Marrëdhënjet (e Natos) me Rusinë nuk do të normalizohen për derisa Rusia nuk sillet në përputhje me obligimet e saja ndërkombëtare.” Si përfundim, në mbledhjen e Ministrave të Jashtëm u shqyrtuan gjithashtu edhe marrëdhënjet e Aleancës me Rusinë. Ndërkaq, Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry tha për gazetarët, pas takimit në Bruksel se, “Për derisa Rusia nuk angazhohet plotësisht dhe seriozisht ndaj procesit të paqës dhe stabilitetit në Ukrainë, Shtetet e Bashkuara dhe Europa do të vazhdojnë të përgatiten për marrjen e masave më të forta kundër Rusisë, përfshirë sanksione të rrepta ekonomike, me shpresë se nuk do të jetë e nevojshme që ato të përdoren.” Por, u shpreh kryediplomati amerikan Kerry, “Kjo varet nga masat që do të marrë Rusia dhe presidenti i saj, në ditët dhe javët e ardhëshme.”
Takimi i Ministrave të Jashtëm të Aleancës Perëndimore në Bruksel të mërkurën ishte mbledhja e fundit para se udhëheqsit e NATO-s të mbajnë mbledhjen e tyre të nivelit të lartë në shtator, në samitin e Uellsit të Anglisë. Gjatë takimit të mërkurën në Bruksel, Ministrat e Jashtëm të Aleancës perëndimore ranë dakort mbi propozimet për të përpiluar një plan veprimi gatishmërie të aleancës për t’ua paraqitur udhëheqsve të lartë të NATO-s në mbledhjen e shtatorit, me qëllim për të ndihmuar Ukrainën që ajo të jetë e aftë të mbrojë veten. U bisedua gjithashtu se ç’duhet bërë me Afganistanin kur në atë vend do të të marrë fundi misioni luftarak në fund të këtij viti. Në njoftimin e aleancës mbi punimet e mbledhjes, thuhet se Ministrat e Jashtëm biseduan gjithashtu edhe mbi mënyrat për të përforcuar bashkpunimin me partnerët e saj anë e mbanë botës dhe se njëkohsisht u diskutuan mënyrat për të ndihmuar partnerët, të cilët kanë nevojë për të bërë reformat e nevojshme në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë.
Në lidhje me antarësimin e vendeve të tjera në NATO, Sekretari i Përgjithëshëm i Aleancës, Anders Fogh Rasmussen tha të mërkurën se dera mbetet e hapur për ato vende që dëshirojnë të antarësohen, duke shtuar se: “Dua të jem i qartë: Dera e antarësimit në NATO mbetet e hapur dhe asnjë vend i tretë”, siç duket kjo një reference ndaj Rusisë, “nuk ka veto mbi zgjërimin e aleancës NATO.” Sipas njoftimit të NATO-s për media, Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s shqyrtuan përparimin e bërë nga katër vende që aspirojnë antarësimin në NATO e që janë, Gjorgjia, Mali i Zi, Bosna Hercegovina dhe Maqedonia. Sekretari i Përgjithëshëm i NATO-s, Rasmussen citohet të ketë thënë se secili vend to gjykohet për antarësim, bazuar në meritat dhe shtoi se, “Secili prej këtyre vendeve ka gjithnjë shumë për të bërë në fusha të ndryshme, por ne do tu japim mbështetjen e nevojshme për t’ua bërë të mundur antarësimin.” Specifikisht mbi aspiratën e Malit të Zi për tu bërë anëtar i NATO-s, thuhet se Aleanca do të fillojë bisedimet intensive dhe të fokusuara me Podgoricën për të vlerësuar, jo më larg se fundi i vitit 2015, nëse do të ftojë Malin e Zi që t’i bashkohet Aleancës. Sipas njoftimeve në media, Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Gjermania kundërshtojnë ftesën për Malin e Zi, sepse sipas tyre ai vend ka gjithnjë nevojë të bëjë reforma të mëtejshme në fushën e zbatimit të ligjit, që të ndërmarrë reformat në përputhje me standardet e NATO-s në sektorin e sigurisë dhe të luftojë korrupsionin si dhe krimin e organizuar. Ndërsa në lidhje me antarësimin e Gjorgjisë, Sekretari i Përgjithëshëm i NATO-s tha se Aleatët ranë dakort, në parim, që gjatë javëve të ardhëshme të përgatisin një paketë të konsiderueshme propozimesh, që sipas tij ,do të bëjë të mundur dhe të ndihmojë Gjorgjinë të jetë më afër NATO-s. Njëkohësisht, thuhet se disa aleatë, sidomos ministrat nga vendet Baltike dhe ata të Europës Lindore u shprehën se me këtë rast, NATO-ja duhej t’i dërgonte një mesazh të fortë Moskës duke e ftuar Gjeorgjinë të bënte pjesë në programin MAP, një program ky që ofron këshilla, ndihma dhe mbështetje për vendet që dëshirojnë antarësimin në NATO, por kjo nuk ndodhi.
Pas mbarimit të luftës së ftohtë shumë veta bënin pyetjen nëse Aleanca e NATO-s ishte gjithnjë e nevojshme.Por pas agresionit të Rusisë në Ukrainë, shkruante revista prestigjoze britanike, Economist marsin që kaloi, NATO-ja s’ka më nevojë të arsyetojë ekzistencën e saj.Këtë e bëri Rusia e re revanshiste me agresionin e saj në Ukrainë, megjithëse ajo nuk përbën rrezikun që përbënte dikurë Bashkimi Sovjetik për Perëndimin, thotë revista Economist. Por, ajo vazhdon duke thënë se sfida me të cilën përballet tani NATO-ja, është se si të mund të bindë të gjithë 28- vendet anëtare të saj mbi natyrën e rrezikut që paraqet Rusia për sigurinë në Europë dhe për të vendosur se si duhet përgjigjur ndaj këytre sfidave.Revista thotë se Vladimir Putin është i gabuar kur mendon se NATO është një aleancë e dominuar nga Amerika, qëllimi i së cilës është të mposhtë Rusinë. Në të vërtetë, thotë Economist, AleancaNATO është treguar shumë elastike duke lëshuar pe dhe ka provuar me seriozitetin më të madh për të bërë Rusinë ortake të Aleancës. Revista britanike shkruante se NATO ndoshta nuk e di ende se si të përballet me kërcënimet që paraqet sot Rusia e Putinit, por thekson se NATO ka përballuar në të kaluarën sfida edhe më të mëdha.Këtë, në të vërtetë, e tha edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry në konferencën me median në Bruksel të mërkurën që kaloi kur theksoi se, “ AleancaNATO ka vazhduar të jetë e suksesshme për më shumë se 60-vjetë të historisë së saj, për faktin se ajo ishte e vetdijshme se kërcënimet ndajë sigurisë në të ardhmen nuk do të jenë gjithmonë si kërcënimet me të cilat përballemi sot dhe sigurisht që nuk do të jenë të ngjashme me kërcënimet me të cilat jemi përballur në të kaluarën.”Kryediplomati amerikan u tha gazetarve se përpjekjet dhe organizatat shumë kombëshe si NATO mund të ndikojnë gjithnjëpozitivisht në përballjen e sfidave të ndryshme. “Dhe jam i bindur”, tha ai, “Se në konferencën e ardhëshme të nivelit të lartë të NATO-s në Uells të Anglisë shtatorin që vjen, Aleanca e Atlantikut do të demonstrojë forcën dhe guximin e përbashkët duke përballuar — me mënyra të reja – shumë sfida të shekullit 21, me të cilat përballet sot bota”, përfundoi Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry në përmbyllje të takimit të Ministrave të Jashtëm të 28-vendeve anëtare të NATO-s në Bruksel të mërkurën.
- « Previous Page
- 1
- …
- 175
- 176
- 177
- 178
- 179
- …
- 203
- Next Page »