• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidentja Osmani dekoroi Ambasadorin Walker, Kongresistin e ndjerë Lantos, Ambasadorin Fried, Josh Black dhe Mira Ricardel

October 19, 2024 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani i ka dekoruar me Urdhrin e Lirisë dhe Urdhrin e Pavarësisë, Ambasadorin William Walker, Kongresistin e ndjerë Tom Lantos, Ambasadorin Daniel Fried, Josh Black dhe Mira Ricardel.

Postimi i plotë i Presidentes Osmani:

FALEMINDERIT nga populli i Kosovës! 🇽🇰🇺🇸

Përmes përpjekjeve të tyre të pandërprera dhe angazhimit të palëkundur për paqen, lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës, Ambasadori William Walker, Kongresisti i ndjerë Tom Lantos, Ambasadori Daniel Fried, Josh Black dhe Mira Ricardel janë disa nga aleatët tanë amerikanë që kanë lënë një trashëgimi, e cila do të kujtohet gjithmonë me përulësi nga populli i Kosovës.

Mbështetja e tyre ka formësuar të kaluarën tonë, fuqizon të tashmen tonë dhe frymëzon të ardhmen tonë! Për këtë kontribut, sot, në Washington D.C., pata nderin që, në emër të Republikës së Kosovës, t’i dekoroj me Urdhrin e Lirisë dhe Urdhrin e Pavarësisë.

Filed Under: Rajon

“Paketimi” i hegjemonisë serbe prapa psikologjisë së viktimës

October 8, 2024 by s p

Prof. Dr. Sylë Ukshini/

Beogradi bashkë me ndjenjën e viktimës, luajti me kartën e Rusisë, si protektore dhe si drejtuese e projektit të pengimit të etablimit të Perëndimit në rajon dhe në veçanti në Kosovë. Është e pritshme që Rusia, e cila që nga përfundimi i luftës, ka inkurajuar dhe përkrahur strukturat paralele të Serbisë që të pengojnë funksionimin e shtetit të Kosovës dhe të pengojnë legjitimitetin e plotë të ndërkombëtarëve në Kosovë si shtet i pavarur, do ta ngrejë zërin për “përndjekjen” e serbëve dhe kundër procesit të gjyqësorit kundër pjesëtarëve të grupit terrorist të ish-nënkryetarit të Listës Serbe.

Po bëheshin dy vjet dhe situata në veri të Kosovës nuk po ecte siç e kishte projektuar Beogradi. Krijimi i fakteve në terren, sidomos pas zhbërjes së bandës terroriste dhe kriminale të Radoiçiqit, po i kthehej si bumerang presidentit serb, i cili në përpjekje për të nxjerrë bonuse nga nisma franko-gjermane, kishte urdhëruar në mënyrë të befasishme dorëheqjen e katër kryetarëve të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, me arsyetimin se “populli i vuajtur” “kërcënohej për ekzistencë” nëse i kërkohej konvertimi i targave të veturave në RKS pas çerek shekulli prej largimit të juridiksionit serbe mbi Kosovën. Me skenarin për të fituar sa më shumë dhe për ta shfrytëzuar përkrahjen ndërkombëtare, me urdhër të Vuçiqit sërish serbët i bojkotuan zgjedhjet në prill të vitit 2023, ndërsa në maj bandat serbe, të ndihmuar edhe nga njerëz të aparatit shtetëror serb, sulmuan trupat e KFOR-it, duke lënduar afro njëqind pjesëtarë të tyre. Qëllimi ishte i qartë, në veri të krijohej një vakum institucional, të tërhiqej Policia e Kosovës dhe katër kryetarët shqiptarë të mos hynin në objektet komunale, me qëllim që ato objekte të administroheshin nga strukturat e Radoiçiqit.

Dhe pikërisht kur në njëvjetorin e agresionit serb në Bansjkë, kur Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzën kundër 45 personave, në mesin e tyre edhe të Millan Radoiçiqit, për sulmin e armatosur kundër Kosovës, ku brenda dosjes 158 faqesh përmblidhen fakte dhe veprime jo vetëm për Banjskën, por edhe për gjithë dhunën që ndodhi në muajin maj të vitit 2023, presidenti serb u ndie i shqetësuar se plani i tij është dekonstruktuar plotësisht nga institucionet kosovare të sigurisë dhe vendet partnere. Në stilin e tij patetik, teatral, viktimizues dhe njëkohësisht kërcënues, presidenti serb shpërfaqi edhe një herë qëndrimet e tij agresive ndaj Kosovës duke u fshehur prapa ndjenjës së psikologjisë së viktimës. Ai u mundua të modifikonte veprimet e dy vjetëve sipas synimit politik dhe ideologjik. Ai sërish përdori gënjeshtrën si mjet historik, si mjet mashtrimi dhe si mjet viktimizimi. Ky zakon i gënjeshtrës, i praktikuar nga shumë politikanë dhe ushtarakë serbë, e sidomos e institucionalizuar nga shkrimtari Dobrica Qosiq (“serbët gënjejnë me kreativitet, gënjejnë me kreativitet”) presidenti llafazan serb shpalli shtatë kushte ose kërcënime për Kosovën. Qëndrimet e tij agresive presidenti serb i fshehu sërish prapa psikologjisë së viktimës. Ai dëshironte të eklipsonte shpalljen publike të aktakuzës ndaj pjesëtarëve të grupi kriminal të Radoiçiqit për sulmin terrorist dhe agresiv ndaj Kosovës. Fenomeni i të gënjyerit nga presidenti serb nuk është i panjohur, por ai tregon një gjë, fenomenin e ndjenjës së inferioritetit, sepse duke qenë një shtet i vogël ka vendosur para vetes ambicie joreale me pretendime për ta vazhduar projektin e pambaruar të Serbisë së madhe. Në të kaluarën gënjeshtra ishte në bazën e propagandës naziste dhe të çdo sistemi totalitarist. Edhe Serbia prej shumë dekadash është e zhytur në një kulturë të gënjeshtrës.

Edhe në këtë rast, gënjeshtra e presidentit serb përdorej për arritjen e një qëllimi, bashkë me ndjenjën e viktimizimit, të minimizohej jehona e procesit gjyqësor në Kosovë kundër njerëzve që shteti i tij i kishte nisur në një mision “patriotik” për aneksimin e veriut të Kosovës. Metodologjia e Beogradit në rastin e Banjskës, ka një paralele të jashtëzakonshme me sjelljen e Serbisë si në rastin e Sarajevës, ku një shekull e ca më parë një grup terrorist serb i mbështetur nga Serbia zyrtare organizoi vrasjen e Franc Ferdindnadit në Sarajevë, ngjarje e cila provokoi agresionin austro-hungarez ndaj Serbisë, përkatësisht Luftën e Parë Botërore. Vetëm duke njohur mirë ngjarjet e rëndësishme të shekullit 20 dhe përmasat e përfshirjes së Serbisë në to, mund të arrihet në kuptimin e thellë të veprimeve aktuale të Beogradit. Ato nuk janë veprime sporadike, por një doktrinë serbomadhe, e cila nuk u dënua asnjëherë.

Megjithëse dihej se të gjitha fijet të shpinin në Serbi, zyrtarisht asnjëherë nuk u dokumentua se qeveria serbe qëndronte prapa një ngjarjeje të tillë. Si atëherë, ashtu edhe tani, Beogradi bashkë me ndjenjën e viktimës, luajti me kartën e Rusisë, si protektore dhe si drejtuese e projektit të pengimit të etablimit të Perëndimit në rajon dhe në veçanti në Kosove. Është e pritshme që Rusia, e cila që nga përfundimi i luftës, ka inkurajuar dhe përkrahur strukturat paralele të Serbisë që të pengojnë funksionimin e shtetit të Kosovës dhe të pengojnë legjitimitetin e plotë të ndërkombëtarëve në Kosovë si shtet i pavarur, do ta ngrejë zërin për “përndjekjen” e serbëve dhe kundër procesit të gjyqësorit kundër pjesëtarëve të grupit terrorist të ish-nënkryetarit të Listës Serbe.

Sidoqoftë, procesi gjyqësor, pos që do të nxjerrë në dritë të gjitha elementet e agresionit serb në veri të vendit, është në interesin e Kosovës që të monitorohet edhe nga organizata vendore dhe ndërkombëtare të specializuara për të drejtat e njeriut, në mënyrë që të garantohet një proces i drejtë gjyqësor dhe të kuptohet se “të burgosurit politikë” të presidentit serb ishin pjesëtarë të një organizate ushtarake të etabluar dhe të mbështetur në të gjitha format për të zhvilluar agresion ushtarak kundër Kosovës. Për këtë arsye, “Putini” i Ballkanit ka panikun se ky proces do të nxjerrë në dritë paradigmën se vendi i tij është vetëm një zgjatje e Rusisë në rajon dhe se rruga e integrimit evropian, të cilën më shumë e afishon Perëndimi sesa elita politike në Beograd, fatkeqësisht klasa politike neo-millosheviqinae dhe shoqëria serbe nuk e pranon. Kjo duket po ashtu jo vetëm me mënyrën si shteti serb i bën glorifikimin e të dënuarit të Tribunalit të Hagës, por edhe mënyrën se si mohohen në vazhdimësi krimet kundër shqiptarëve, kroatëve, dhe boshnjakeve apo interpretimi i krimeve si një lloj heroizmi i shoqërisë serbe.

Se është në interesin e Kosovës që gjykimi të jetë sa më transparent dhe i monitoruar edhe nga organizatat ndërkombëtare, për të treguar se sulmi nuk kishte të bëjë as me fatin e serbëve dhe as me të drejtat e tyre, por thjesht me territorin e Kosovës, me synimin për ta ndjekur skenarin rus të okupimit të Krimes, pastaj të Ukrainës Lindore dhe më pas edhe të përpjekjes për pushtimin e kryeqytetit Kiev.

Tani kur Prokuroria Speciale e Kosovës foli, BE-ja dhe SHBA-ja nuk mund të thonë më se nuk kemi fakte dhe nuk kemi në dorë hetimet dhe nuk kemi një pasqyrë më të qartë se kush ishte prapa kësaj ngjarjeje dhe kush ishin urdhërdhënësit dhe financuesit e grupit. Nëse një vit më parë përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, sulmin në Banjskë e kishte cilësuar si “sulm terrorist” kundër Policisë së Kosovës, është koha që t’i kërkohet Serbisë që të dorëzojë gjithë ata persona që janë në listën e të akuzuarve si pjesëmarrës të sulmit në Banjskë. Në të kundërtën, nëse Serbia bëhet vendstrehim i grupeve terroriste sikur të ishim në Evropën e vitit 1914, atëherë çfarë kuptimi do të kishte dialogu i Brukselit apo Marrëveshja e Ohrit, e cila edhe pas afro dy vjetësh ka mbetur në vend dhe nuk e dëshiron askush, pos presidentes së vendit, e cila në përballje për t’u bërë e preferuar e ndërkombëtarëve, një ditë e mbështet marrëveshjen, ndërsa ditën tjetër del kundër saj. Ky është momenti për të vënë në sprovë edhe një herë seriozitetin e qeverisë serbe, nëse ajo vërtet është për paqe dhe normalizim të raporteve apo vazhdon me mendësinë hegjemoniste të ndjekë projektin e papërfunduar të Serbisë së madhe.

Dhe tash kur janë ngritur aktakuzat për pjesëmarrësit e sulmit të Banjskës, radhën e ka BE-ja dhe SHBA-ja, të cilat duhet të kenë qëndrim më të qartë ndaj Beogradit dhe përtej retorikës se përgjegjësit e sulmit duhet të përgjigjen para drejtësisë, duhet të kenë një qëndrim sanksionues ndaj Serbisë, sepse mosndëshkimi i Banjskës do të ishte inkurajim për Beogradin dhe forcat kriminale për ta vënë sërish në rrezik sigurinë e qytetarëve të Kosovës. Fajin, thotë një fjalë e urtë shqiptare, nuk e merr askush, por duhet pranuar se hyrja e gjithë atij arsenali armësh të kalibrave të rëndë nga territori i Serbisë, ishte një dështim i misionit të KFOR-it, aq më tepër kur shumë kohë para sulmit në Banjskë, ligjvënësja britanike Alicia Kearns për disa muaj me radhë paralajmëroi se Serbia po fuste armatim përmes ambulancave në kishat dhe manastiret ortodokse në veri të Kosovës.

BE-ja dhe SHBA duhet ta detyrojnë Serbinë të bashkëpunojë ose në të kundërtën ka ardhur koha të rishqyrtohet sa ja vlen të ulesh në tavolinën e bisedimeve në Bruksel me palën e cila në njërën anë negocion në Bruksel për normalizim të marrëdhënieve, ndërsa në anën tjetër, përgatit dhe dërgon grupe të armatosura kundër Kosovës. Një gjë dihet, se përmes deklaratave gojore nuk mund të detyrohet Serbia të marrë masa ndaj përgjegjësve për Banjskën. Koha është që qasja e BE-së dhe SHBA-së të ndryshojë jo vetëm ndaj Kosovës, por edhe ndaj Serbisë, por në drejtime të kundërta me atë që ka qenë deri më tani.

Intenca serbe, dialog pa limit

Si në Rambouillet (1999), ashtu edhe gjatë procesit për adresimin e statusit politik të Kosovës në negociatat e Vjenës (2006-2007), strategjia serbe ka qenë imponimi i negociatave pa limit ose e rinegociimit të marrëveshjes së bërë, me qëllim për të arritur kompromis të ri mbi kompromisin e mëparshëm. Megjithëse dialogu i Brukselit do të duhej të kishte një limit kohor. Në të njëjtën kohë ai nuk do të duhej të sfidonte pavarësinë dhe subjektin ndërkombëtar të Kosovës. Në harkun trembëdhjetëvjeçar janë arritur edhe marrëveshje të mira e të rëndësishme, si ajo për menaxhimin e integruar të kufirit (IMB), por në pesë vjetët e fundit, përjashto disa marrëveshje për përfshirjen e Kosovës në Rrjetin Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmetimit (ENTSO-E), gradualisht Procesi i Brukselit ka devijuar nga objektiva madhore e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme. Ndërsa, vendimi i fundit i BE-së për njohjen e pasaportave ilegale të qendrës koordinues serbe, në të cilat territori i Kosovës paraqitet si Serbi, është agresion i paprecedentë i shtetësisë së Kosovës. Është pak e habitshme si deri më tani është kaluar me kaq lehtësi ky rast kaq i rëndë, si nga qeveria, ashtu edhe nga opozita. Shikuar nga aspekti formal juridik, BE-ja edhe mund të mos e pyesë Kosovën, por shikuar nga aspekti politik dhe juridik, Kosova është dashur që 22 vendeve anëtare të BE-së që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, t’u kërkonte në kanale diplomatike që ta rishikojnë vendimin, pasi njohja e pasaportave të tilla i barazon ato me pasaportat e shtetit të Kosovës. Në rrafshin e së drejtës ndërkombëtare, nuk mund të barazohen pasaportat e një entiteti shtetëror me ato të një qendre ilegale të një shteti tjetër. Në të kundërtën, BE-ja po legalizon një institucion që shërben si zgjatje e Serbisë në Kosovë. Sipas këtij vendimi, del se BE-ja po trimëron gatishmërinë serbe për ta komplikuar situatën në Kosovë dhe gjithë procesin negociues të Brukselit.

Nëse dikur ishte presidenti Hashim Thaçi, tani kryeministri Albin Kurti ai që ka adresuar një varg akuzash të ashpra ndaj BE-së dhe veçanërisht ndaj të dërguarit të posaçëm të BE-së Miroslav Lajçak për qasje të njëanshme në dialog. Një handikap i madh për Lajçak ishte edhe trashëgimia e tij anti-Kosovë, sidomos lobimi i tij përkrah Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO. Rrjedhimisht, ai kurrë nuk gëzoi ndonjë reputacion të mirë në Kosovë dhe nuk do të jetë çudi nëse pas përfundimit të mandatit aktual do ta shohim në pozicionet e tij të vjetra.

Ka disa vjet që BE-ja gjithashtu hoqi dorë nga ambiciet e mëdha për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese. Po ashtu, tani më askush nuk thotë se “ka ardhur koha që tash dialogu të përmbyllet” apo se “marrëveshja gjithëpërfshirëse është çështje muajsh e jo vitesh”. Dhe për më tepër, viteve të fundit dialogu ka ecur një hap para dhe dy prapa dhe është vështirë të evidentojmë ndonjë rezultat konkret. Ndërkaq, rreth marrëveshjes finale më nuk flet askush, madje as Marrëveshja e Brukselit në shkurt dhe as Aneksi i Ohrit në mars të vitit 2023 nuk paraqesin ndonjë përparim drejt marrëveshjes finale. Mënyra si është bërë në kontekstin e luftës së Ukrainës, një marrëveshje e tillë duket më shumë se është bërë për “ambalazhimin” e Asociacionit dhe për ta mirëmbajtur një lloj status-quo. Përveç kësaj, kjo marrëveshje nuk është aspak e ngjashme me Traktatin Bazë të dy shteteve gjermane dhe nuk reflekton raportet mes Kosovës dhe Serbisë, as kontekstin gjeopolitik dhe as qëllimet e palëve. Nëse nisma franko-gjermane kishte vërtet për qëllim të afronte palët dhe të promovonte një bashkëpunim gjithëpërfshirës, atëherë ka mundur të ndiqej modeli i Marrëveshjes së Élysée-së midis Gjermanisë dhe Francës, e cila u nënshkrua 18 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe shërben si një bazë për miqësinë dhe partneritetin mes dy vendeve që kishin qenë në konflikt për shekuj me radhë.

Dhe, tani 13 vjet pas fillimit të këtij dialogu, jo vetëm që nuk duket në horizont mundësia e normalizimit, por mes Kosovës dhe Serbisë ka pasur përkeqësim të raporteve. Në vend të marrëveshjes gjithëpërfshirëse, me apo pa fajin e qeverisë, BE-ja është marrë me çështjen e targave të automjeteve, zyrat e institucioneve ilegale të Serbisë që operojnë ilegalisht brenda Kosovës, “çështjen” e dinarit serb, me “statusin” e urës së Mitrovicës, të cilës i është dhënë dimension të cilin nuk e ka, rrezikshmëri rajonale dhe evropiane, mbase për të fshehur ndonjë ujdi ndërkombëtare se përtej kësaj ure shqiptarët nuk kanë çfarë të kërkojnë. Ndryshe, është e pashpjegueshme, si mund të rrezikohen serbët në veri të vendit, por jo edhe në brendësi të Kosovës, si në Graçanicë apo në Shtërpcë.

Është mjaft zhgënjyese lehtësia me të cilën BE-ja dhe SHBA-ja kanë tejkaluar rastin e agresionit ushtarak të Serbisë ndaj Kosovës në shtator të vitit 2023 (rasti i fshatit Banjskë), dhe njëkohësisht mënyra sesi tri vendet e BE-së, Gjermania, Franca dhe Italia, e stopuan anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE). Pos për çështjen e Asociacionit, mendoj se mosanëtarësimi lidhet edhe me frikën e BE-së se anëtarësimi i Kosovës në KiE do ta bënte automatikisht edhe pjesë të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila do të mund të kontestonte vendimet e Gjykatës Speciale. Një moment tjetër i keq për Kosovën ishte prishja e marrëveshjes nga ndërmjetësit e BE-së në çastin kur Kosova ishte e gatshme ta pranonte. Që në fillim të takimit të Ohrit, siç e pohon edhe Marc Weller, Serbia deklaroi se nuk do të nënshkruante asnjë gjë me Kosovën në asnjë rrethanë. Në vend se të insistohej te nënshkrimi i marrëveshjes, me apo pa marrëveshje paraprake, BE-ja i njohu Serbisë “ekuivalentin gjerman”, i cili u materializua përmes letrës së kryeministres serbe. Sjellja serbe ishte ndjekje e modelit të “Letrës së unitetit gjerman”, sipas së cilës, pala gjermane nuk hiqte dorë nga e drejta e mbajtjes hapur të çështjes gjermane, respektivisht nga e drejta e bashkimit të dy shteteve gjermane. Përveç kësaj, të gjithë zyrtarët e BE-së, por edhe vetë Lajçaku e ka pranuar se kjo Marrëveshje Bazë e Brukselit është vetëm një hap drejt marrëveshjes gjithëpërfshirëse. Në anën tjetër, ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, e ka thënë qartë se Marrëveshja e Ohrit nuk nënkupton njohje, por normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke mos e qartësuar se si mund të normalizohen marrëdhëniet në rast se nuk ka njohje.

Viteve të fundit disa herë është përmendur një argument i çuditshëm: Pa një normalizim të raporteve Kosovë-Serbi, asnjë nga pesë shtetet nuk do të jetë gati për njohjen e Kosovës. Ky justifikim nuk qëndron, sepse është e kundërta, pa një njohje nga pesë vendet anëtare të BE-së, procesi i dialogut nuk mund të ketë përparim. Për sa kohë që kjo qasje nuk ndryshon, nuk mendoj se është realiste të pritet një njohje nga Serbia.

Pak përkrahje nga aleatët

Duhet pranuar se disa gjëra kanë ndryshuar në veri, sidomos pas agresionit të shtetit serb kundër Kosovës në shtatorin e vitit të kaluar (Rasti Banjska). Ky zhvillim pa dyshim e ka nxjerr keq edhe faktorin ndërkombëtar, i cili për njëzet e pesë vjet i mëshoi refrenit se situata në veri ishte komplekse. Tani u pa qartë se as nuk pati përpjekje serioze dhe as vullnet. Por, me fajin apo pa fajin e Qeverisë së Kosovës, kjo ngjarje megjithatë me elemente agresive dhe terroriste nuk e paralizoi Serbinë, ajo si në rastin e Sarajevës (1914) u mbrojt duke viktimizuar serbët lokalë dhe duke u rikthyer në krahët e “vëllezërve” rusë.

Ky bilanc është një lajm i keq për Kosovën, e cila, si asnjëherë deri më tani, ka humbur përkrahjen e aleatëve, madje edhe atëherë kur ajo ka të drejtë plotësisht në kauzat që po ndjek. Por, duket qartë se për gjeopolitikën drejtësia ka pak vlerë.

Prandaj, shumica e vendimeve të Qeverisë së Kosovës janë kundërshtuar nga SHBA-ja dhe aleatët brenda BE-së. SHBA-ja disa herë e ka theksuar faktin se çështja e targave, e dinarit, strukturave paralele, e urës dhe çështjet e tjera duhet të adresohen brenda procesit të Brukselit, edhe pse në fakt ato janë marrëveshje të negociuara, por të pazbatuara nga Beogradi. Ky presion mbi palën kosovare, që të ngjason shumë me situatën para krijimit të Dhomave të Specializuara, gjithsesi ndërlidhet me top prioritetin e ndërkombëtarëve, formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të Republikë së Kosovës (AKSHS i RKS). Që nga viti 2013 gjithçka është sjellë rreth një pike, asociacionit, të cilin pala shqiptare me të drejtë e sheh si zgjatje e Serbisë brenda Kosovës. Në anën tjetër, ndërkombëtarëve nuk u pengon nëse serbët marrin gjithçka nga menyja e Planit të Ahtisaarit dhe njëkohësisht e sfidojnë shtetin e Kosovës. Ka kohë që Serbia e ka nisur fushatën për të ringjallur pretendimet e saj ndaj Kosovës, duke mohuar ekzistencën e shtetit të Kosovës. Dhe këtë e bëri në dhjetor të vitit 2022, duke i kërkuar NATO-s për kthimin e një mijë e trupave ushtarake e policore serbe në Kosovë. Serbia këtë kërkesë e ka bërë duke u thirrur në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, teksa në horizont po lansohej me pompozitet dhe pritje të mëdha nisma franko-gjermane për normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë.

Përtej deklaratave të “paketuara” diplomatike, partnerët e Kosovës, ata që e kanë ndihmuar në rrugëtimin e saj drejt pavarësisë, kanë qenë tepër të qartë, kundërshtojnë operacionet e Policisë së Kosovës apo vendimet e ekzekutivit pa koordinim paraprak. Argumenti kryesor i miqve të Kosovës ka qenë se Qeveria e Kosovës duhet të tregohet më e kujdesshme në raport me veriun në kohën kur SHBA, BE dhe NATO janë të fokusuara në çështjen e agresionit ushtarak rus kundër Ukrainës.

“Koha.net“

Filed Under: Rajon

SA JANË SHQIPTARËT TË (NËN) PËRFAQËSUAR NË ORGANET DHE INSTITUCIONET SHTETËRORE NË MAL TË ZI ?

October 4, 2024 by s p

Në pushtetin aktual në Mal të Zi, shqiptarët janë të përfaqësuar me katër pozita të rëndësishme. Ata ushtrojnë pozitën e nënkryetarit të qeverisë, të nën kryetarit të parlamentit dhe drejtojnë me dy ministri. Ky është një përfaqësim politik i cili erdhi si rezulltat i kualicionit të subjekteve të caktuara politike shqiptare me subjektin politik Lëvizja ‘Europa Tani’ (PES), subjekt ky i cili fitoi mandatin për formimin e qeverisë në zgjedhjet parlamentare që u mbajtën vitin e kaluar në Mal të Zi.

S’ka dyshim se nga perspektiva e faktorit politik shqiptar, ky përfaqësim i tanishëm politik i shqiptarëve mund të radhitet si ndër arritjet më të mëdha të tyre gjatë periudhës së pluralizmit politik në Mal të Zi.

Por, shtrohet pyetja se si qendron situata e përfaqësimit (punësimit) të përgjithëshëm të shqiptarëve në nivelet e tjera të shërbimit publik, organeve,institucioneve dhe ndërmarrjeve shetërore dhe sa reflektohet ky përfaqësim i lartë pushtetar i tyre në Mal të Zi në ngritjen e të punësuarve të tjerë shqiptarë në këto institucione ?.

Megjithëse viteve të fundit,pra që nga ndërrimi i pushtetit në Mal të Zi në vitin 2020 nuk kemi ndonjë raport zyrtar i cili tregon numrin apo përqindjen e shqiptarëve në organet e shërbimit publik(shtetëror), dihet mirë se shqiptarët vazhdojnë të jenë të margjinalizuar në këtë aspekt. Pra, edhe përkundër funksioneve të larta që shqiptarët ushtrojnë kohë pas kohe në qeveri, numri i përgjithëshëm i të punësuarve shqiptarë në institucionet publike dhe ndërmarrjet shtetërore vazhdon gjithënjë të mbetet simbolik dhe nën nivelin e përfaqësimit të tyre proporcional.

Papunësia në vendbanimet shqiptare është mbi mesataren e papunësisë së përgjithëshme në Mal të Zi.Kohë më parë portali informativ UlqiniOnline publikoj një të dhënë e cila konstatoj se në ‘Ulqin janë ‘26 magjistra të papunë’. Është interesant se ky lajm erdhi përafërsisht në të njëjtën kohë kur u bë edhe rikonstruktimi i qeverisë së Malit të Zi, pra në muajin korrik të këtij viti, lajm ky i cili muar një vëmendje të jashtëzakoshme mediatike, kurse lajmi i ‘magjistarve të papunë’ për çudi nuk nxiti shqetësimin dhe vemendjen e askujt.

Elita politike e privilegjuar, me bazën e vet zgjedhore të diskriminuar ?!

Shqiptarët përbëjnë rreth 5% të numrit të popullsisë së Malit të Zi dhe përfaqësimi (punësimi) i tyre në organet shtetërore dhe ndërmarrjet publike vazhdon të jetë gjithënjë shumë i ultë në krahasim me përqindjen e tyre në numrin e përgjithëshëm të popullsisë në këtë shtet.

Për fat të keq mos përfaqësimi i duhur dhe proporcional i shqiptarëve në institucionet publike dhe shtetërore është një dukuri që është trashiguar nga pushteti 30-të vjeçar të DPS-it ( Partisë Demokratike të Socialistëve).Statistikat zyrtare të kohës së pushtetit të DPS-it tregojnë se shqiptarët në Mal të Zi nuk e kanë kaluar asnjëherë pragun e 1.3% të përfaqësimit të tyre në organet e shërbimeve publike dhe institucioneve apo ndërmarrjeve shtetërore, çka do të thot se për një kohë të gjatë atyre iu është mohuar një e drejtë themelore kushtetuese.

Vlen të theksohet gjithashtu se gjatë shumicës së kohës së pushtetit të DPS-it, drerisa në njërën anë shqiptarët ishin pjesë e atij pushteti dhe mbanin pozita të larta shtetërore, në anën tjetër dhe në mënyrë paradoksale, pjesa tjetër e shqiptarëve nuk ishin të përfaqësuar (punësuar) në mënyrë proporcionale në organet shtetërore dhe administratën publike në Mal të Zi. Pra, e kaluara na mëson se përfaqësimi politik i shqiptarëve përmes posteve dhe funksioneve të larta qeveritare, domosdoshmërisht nuk reflekton dhe nuk ndikon edhe në punësimin e përgjithëshëm të shqiptarëve në nivelet e tjera shtetërore. Kjo ka ndikuar, që në njërën anë të kemi një elitë politike të privilegjuar, kurse në anën tjetër baza e saj zgjedhore e diskriminuar.

Rikujtojmë edhe një herë Kushtetutën e Malit të Zi , (Nenin 79, pikën 10 të saj), ku thuhet se pjesëtarët e popujve pakicë, ku përfshihen edhe shqiptarët, u ‘garantohet e drejta e përfaqësimit proporcional’ në organet e shërbimit publik, në orgnet e qeverisjes shtetërore dhe atyre të vetëqeverisjes lokale. Për 34 vite me radhë shqiptarëve iu është muhuar një e drejtë e tillë dhe kanë pësuar diskriminim të vazhdueshëm në përfaqësimin (punësimin) proporcional të tyre. Asnjë qeveri e Malit të Zi,deri më sot nuk ka arritur që ta plotësojnë apo realizojnë këtë të drejtë të tyre kushtetuese. Përgjegjësi për mos realizmin e përfaqësimit (punësimit) proporcional të shqiptarëve në Mal të Zi, mbajnë edhe ato subjekte politike shqiptare të cilat përmes përfaqësuesve të vet, kanë bashkëqeverisur dhe kanë qenë pjesë e atij pushteti.

Edhe qeveria e tanishme e cila në përbërjen e vet ka katër pjesëtarë të përkatësisë shqiptare me poste të rëndësishme, e ka filluar mandatin e vet me mos përfaqësimin proporcional të shqiptarëve në organet dhe institucionet e tjera të shërbimit publik në Mal të Zi. Kur këto funksione dhe pozita të larta që shqiptarët mbajnë sot në qeverinë aktuale të Malit të Zi nuk pasojnë me rritjen e numrit të punësimeve të shqiptarëve në përgjithësi në nivelet e ndryshme të institucioneve shtetërore dhe publike, atëherë ashtu si në të kaluarën, këto poste shtetërore do të shihen nga të tjerët vetëm si avancim dhe arritje të karrierave të tyre personale dhe jo si një angazhim serioz edhe për punësimin e shqiptarëve në ndërmarrjet dhe institucionet e tjera shtetërore, gjithënjë sipas rregullit të përfaqësimit (punësimit) proporcional të tyre.

Mbetet të shihet në të ardhmen nëse do të ndryshojnë diçka pozitivisht në këtë drejtim por mendoj se egziston një skepticizëm i arsyetuar që kjo do të vazhdojnë të jenë një çështje e pazgjidhur edhe gjatë mandatit të kësaj qeverie.

Xheladin Zeneli

Filed Under: Rajon

Glauk Konjufca: Rusia nuk ka hequr dorë nga “bota ruse” e as Serbia nga “bota serbe”

October 2, 2024 by s p

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, mori pjesë dhe mbajti fjalim në konferencën “Impakti i agresionit rus në Rusi dhe në gjeopolitikën evropiane”, organizuar sot në Prishtinë nga Instituti për Studime të Luftës Hibride, OCTOPUS.

Në adresimin e tij para të pranishmëve kryetari Konjufca tha se pasojat e agresionit rus në Ukrainë kanë ndikuar kontinentin evropian, paqen, stabilitetin, sigurinë, politikën dhe gjeopolitikën e tij, më shumë se çdo konflikt tjetër që prej Luftës së Dytë Botërore.

Kreu i Kuvendit tha se për shkak të mosdhënies së një përgjigjeje të vendosur në vitin 2014 ndaj pushtimit rus të Krimesë, por trajtimi i Rusisë si partneri despotik me të cilin mund të bashkëpunohej ekonomikisht, duke supozuar gabimisht se synimet pan-ruse të Putinit ishin të kufizuara, Evropa sot po ballafaqohet me një luftë e cila nuk ka të bëjë vetëm me fatin e Ukrainës si shtet sovran dhe me dinjitetin e ukrainasve si komb, por kjo luftë përbën edhe një betejë vendimtare për rendin demokratik në Evropë, të ndërtuar pas rënies së “Perdes së Hekurt” më 1989.

“Në kontekstin tonë rajonal dhe ballkanik, agresioni pushtues i Rusisë në Ukrainë paraqet aktin e parë të një strategjie destabiliteti të Evropës, ku natyrisht Ballkani, me Serbinë si një zgjatim të Rusisë do të ishte akti i dytë i kësaj strategjie. As Rusia e as Serbia nuk kanë hequr dorë nga kjo strategji, sepse as Rusia nuk ka hequr dorë nga ‘bota ruse’, e as Serbia nuk ka hequr dorë nga ‘bota serbe’. Sulmi terrorist ndaj Kosovës në Banjskë shtatorin e vitit të kaluar ishte një replikë identike e sjelljes agresore të Rusisë ndaj Ukrainës. Trupa paramilitare serbe, të trajnuara nga ushtria serbe, të pajisura me arsenal luftarak të Ministrisë serbe të Mbrojtjes, si dhe në zbatim të aspiratës së Beogradit për ndarjen e Kosovës, synuan aneksimin e veriut, me ç’rast në mbrojtje të sovranitetit, integritetit dhe sigurisë së Republikës së Kosovës u vra oficeri i Policisë së Kosovës, tashmë heroi, Afrim Bunjaku”, tha kryetari Glauk Konjfuca.

Në vazhdim të fjalës së tij kreu i Kuvendit të Kosovës tha se dualizmi është armë e njohur e Serbisë në arenën ndërkombëtare, për realizimin e interesave të veta, por po aq i njohur është edhe fakti që Serbia kurrë në historinë e saj nuk ka qenë një kështjellë ku është mbrojtur Perëndimi, sepse pas çdo lufte Serbia gjithnjë është rreshtuar kah Lindja. Pra, në këtë luftë të Ukrainës në mbrojtje të sovranitetit të vet, shtoi kryetari Konjufca, Serbia nuk është aleat i saj, por thjesht po përfiton duke bërë biznes e duke shitur armët e prodhimit të saj.

“Përpjekja për destabilizimin e Bosnjës përmes Dodikut që promovon çdo ditë shkëputjen e Republikës Srpska dhe bashkimin e saj me ‘botën serbe’, refuzimi i normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën përmes njohjes faktike që kornizon Marrëveshja e Brukselit dhe përpjekja për ndryshimin e orientimit euro-atlantik të Malit të Zi, janë gjurmë konkrete të një politike që synon të minojë çdo progres që investimi euro-perëndimor ka pasur në rajonin tonë”, nënvizoi kryetari Konjufca, duke shtuar se siç lufta në Ukrainë është edhe luftë e Evropës në mbrojtje të rendit të saj demokratik, edhe stabiliteti i Ballkanit Perëndimor do të varet se sa ai do të ndërtohet, mbi parimet demokratike dhe europianizuese apo mbi interesa parciale ekonomike.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës tha se në rajonin tonë nuk do të ketë stabilitet pa u arritur stabilizimi i demokracisë në secilin prej shteteve, e në veçanti kjo nënkupton pa heqjen dorë të Serbisë prej aspiratave të saj hegjemoniste, të cilat prekin pavarësinë dhe sovranitetin e të paktën tri shteteve të saja fqinje.

“Nuk mund të ketë unitet pa barazi, sikurse nuk ka garanci për lirinë pa demokraci. Mendoj që këto janë fundamentet për të cilat sot Perëndimi po mbështet në Ukrainë dhe duhet t’i mbështesë edhe në Ballkan”, tha në fjalën e tij kryeparlamentari Konjufca.

Filed Under: Rajon

Lee Zeldin: “We must send Marko Kepi to the New York State Senate”

October 1, 2024 by s p

Lee Zeldin: “We must send Marko Kepi to the New York State Senate”

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • …
  • 203
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Vatra Long Island” fton komunitetin në festën e Pavarësisë së Kosovës që organizohet më 15 shkurt 2026
  • Tradita Amerikane e “Groundhog Day”, -25°F dhe ngrohja globale që na gjeti me pallto leshi
  • “BORDI I PAQES”, NJË SPROVË PËR SHQIPTARËT NË NJË BOTË QË PO NDRYSHON
  • “Have You Listened to Radio Prishtina?”
  • Tribuni i lirisë, Major Abas Kupi u përkujtua në Krujë
  • KOMUNITETI KRAJAN NË NEW YORK MBAJTI MBLEDHJEN E ZHJEDHJEVE TË PËRGJITHSHME TË KRYESISË SË RE TË SHOQATËS “KRAJA”
  • Fan Noli, Federata Vatra dhe John F. Kennedy: Lidhjet e Diasporës Shqiptare me Politikën Amerikane dhe Demokracinë Globale
  • Today marks the 84th anniversary of the Voice of America
  • MËRGATA SHQIPTARE, NGA KUJTESË E SË KALUARËS NË SUBJEKT AKTIV
  • Përse duhet t’i lexojmë klasikët?
  • ANNA KOHEN: Nuk harrroj vlerat humanitare dhe bujarinë e shqiptarëve
  • Akademia e Shkencave përkujton me nderim në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta akademik Kristo Frashërin
  • Ndryshimet e Kodit Penal një realitet me risqe dhe kurthe penalizimi për gazetarët
  • Kongresi Kombëtar i Lushnjes u bë gur themeli për ndërtimin e shtetit shqiptar
  • Libri “Tragjedia Çame” i bashkëautorëve Lita-Halimi, një testament dokumentar

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT