• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kryetari Glauk Konjufca takoi ish-Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, Nancy Pelosi dhe Kongresistin Torres

March 29, 2023 by s p

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, në vazhdën e vizitës së tij zyrtare në SHBA, është pritur në takim nga ish-Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, Nancy Pelosi. Kryetari Konjufca dhe kongresistja Pelosi shkëmbyen pikëpamje për zhvillimet në rajon dhe arenën ndërkombëtare, forcimin e bashkëpunimit dypalësh, rëndësinë e avancimit në proceset euroatlantike dhe vazhdimin e mbështetjes së Republikës së Kosovës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kreu i Kuvendit të Kosovës potencoi se Kosova dhe SHBA-ja ndajnë të njëjtat vlera dhe parime të lirisë e demokracisë dhe se çdo ditë e më tepër po i zgjerojnë fushat e bashkëpunimit të ndërsjellë. “Kosova dhe populli ynë janë të bekuar që kanë miq kaq të mrekullueshëm dhe përkrahjen e pakursyer të Shteteve të Bashkuara”, theksoi kryetari Konjufca. Në takim morën pjesë edhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Uashington DC, Ilir Dugolli dhe Shefi i Stafit, Ilir Kërçeli. Vizita e kryetarit të Kuvendit në Uashington do të vazhdojë me takime të tjera në Kongresin Amerikan.

Kryetari Glauk Konjufca falënderon kongresistin Torres për përkrahjen ndaj Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka vijuar vizitën e tij zyrtare në Uashington, me takime me anëtarë të Senatit dhe të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan. Në kuadër të këtyre takimeve, kryetari Konjufca është pritur nga kongresisti Ritchie Torres, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin e ngushtë Kosovë – SHBA, zhvillimet politike në shtetin tonë dhe mbështetjen amerikane për proceset euroatlantike të Republikës së Kosovës. Kryetari Glauk Konjufca ka shprehur mirënjohjen për përkrahjen e vazhdueshme të Kongresistit Torres ndaj Republikës së Kosovës dhe përkushtimin e tij në forcimin e miqësisë dhe thellimin e marrëdhënieve dypalëshe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. ​

Filed Under: Rajon

FAQE ARKIVI: Reportazhi nga kufiri Kosovë-Shqipëri “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”- Mars 1996

March 21, 2023 by s p

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

Para 27 viteve, në 18 Mars 1996, në gazetën e përditshme të rezistencës “Bujku”, të vetmes atëherë në Kosovë, themelues-kryeredaktor i  parë i së cilës isha, në reportazhin nga kufiri Kosovë-Shqipëri me titull “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”,  i dërguar edhe në Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë dhe që në “Paraqitje e shkurtër e regjistrimeve të gjetur” të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë e gjejë se është botuar, në 19 Mars 1996, edhe në gazetën Rilindja që dilte në Tiranë pas ndalimit nga regjimi okupues në Prishtinë,  mes tjerash, kam shkruar:

“Një grup i të rinjëve dhe të rejave nga rrethi i Prizrenit, ditë më parë ishin penguar të shkojnë në Shqipëri, meqë nuk iu ishin dhënë vizat dalëse nga administrata e instaluar policore serbe në Prizren.

Qëllimi i udhëtimit të tyre në Shqipëri ishte të marrin pjesë në festën e njohur të qytetit të Elbasanit-të Ditës së Verës, Ditës së Luleve, të 14 Marsit.

Donin të shihnin se si kremtohet në Elbasan e njëjta festë që është edhe në Prizren e rrethinë”…

***

Në gazetën “Bujku” reportazhi ka nënshkrimin edhe të korrespondentit të saj në Prizren, Fatmir Pireci, bashkë me të cilin shkuam drejt kufirit…

Filed Under: Rajon

Escobar: Marrëveshja Kosovë – Serbi, historike dhe duhet të zbatohet menjëherë

March 20, 2023 by s p

ZERI I AMERIKES: https://www.zeriamerikes.com/a/7013109.html


Arkiv
Arkiv

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha të hënën se pajtimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre është historik, dhe palët duhet të fillojnë vënien në jetë të saj.

Në një konferencë në distancë më gazetarë, ai tha se marrëveshja e së shtunës në Ohër është fillimi i ripajtimit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, që kanë detyrime ligjore për t’i përmbushur. Serbia tha ai, duhet të fillojë njohjen e disa dokumenteve të Kosovës dhe simboleve të tjera kombëtare, letërnjoftimeve dhe gjërave të kësaj natyre.

“Për Kosovën është e rëndësishme që të fillojë hartimin e versionit të saj të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ka shumë detyrime të tjera, por mendoj se këto janë më të rëndësishmet”, tha zoti Escobar, duke nëvizuar se u takon palëve të përcaktojnë se si do të duket asociacioni.

“Por, ne besojmë se duhet të jetë një që u shërben interesave të popullit të rajonit, një që funksionon për të dyja palët, që lejon serbët etnikë të marrin pjesë plotësisht në jetën civile dhe demokratike të Kosovës, por po ashtu, duhet të jetë një asociacion që nuk shkel strukturën kushtetuese të Kosovës apo prek funksionalitetin e saj”, tha zoti Escobar.LEXONI EDHE KËTËBorrell: Kosova dhe Serbia u pajtuan për zbatimin e planit evropian

Sipas marrëveshjes së të shtunës, Kosova është zotuar t’i jap një shkallë më të gjerë të “vetë-menaxhimit” komunitetit serb në Kosovë dhe të zbatojë marrëveshjen për themelimin e Asociacionit.

Nga një pjesë e opozitës dhe kritikëve të kryeministrit Kurti, kjo është interpretuar ai autonomi e gjerë për komunitetin serb.

“Ekziston një paragraf i cili flet për një nivel adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit joshumicë serb dhe natyrisht se ne do të udhëhiqemi prej standardeve më të larta që edhe serbët në Kosovë të mos kenë asnjë cenim, asnjë diskriminim”, tha kryeministri Kurti të shtunën, duke theksuar se ndërkaq se në planin themelor evropian thuhet se të gjitha marrëveshjet e deritashme duhet të zbatohen.

Plani evropian për të cilën palët u pajtuan më 27 shkurt në Bruksel ndërsa të shtunën për zbatimin e tij kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore. Ai kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë.

Mosnënshtrimi i dokumentit në takimin e së shtunës ka nxitur mëdyshje nëse marrëveshja mund të trajtohet si ligjërisht e detyrueshme.

“Dua ta bëjë të qartë. Ky është detyrim ligjor për të cilin Serbia është pajtuar, sikurse edhe Kosova. Diskutimi rreth nënshkrimit është përqendrim ndaj diçkaje që nuk ka ndikim në faktin se e kemi një marrëveshje. Është një marrëveshje, ne e trajtojmë të tillë, të dyja palët hynë në të me seriozitet dhe Bashkimi Evropian e konfirmoi se është e tillë në sytë e tij ”, tha zoti Escobar.

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell njoftoi sot ministrat e Jashtëm të bllokut ndërsa të enjten pritet të informojë shefat e shteteve për marrëveshjen, zbatimi i së cilës do të mbikëqyret nga një komision i përbërë nga të dyja vendet dhe Bashkimi Evropian.LEXONI EDHE KËTËPerëndimi mirëpret marrëveshjen Kosovë – Serbi, mëdyshje në të dyja vendet

Të përgëzuar nga diplomacia perëndimore për marrëveshjen e së shtunës, udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë po përballen me kritika në shtëpi.

Lëvizjet e djathta në Serbi akuzuan presidentin serb për pranimin e planit evropian, duke e cilësuar si njohje të pavarësisë së Kosovës të cilën Beogradi vazhdon ta kundërshtojë.

Opozita ftoi për të enjten në seancë parlamentare kryeministrin Kurti të raportojë për marrëveshjen për të cilën një pjesë e opozitës tha se do të dëmtojë për një periudhë të gjatë proceset integruese të vendit.

Filed Under: Rajon

Irene Breznica zgjedhet kryetare e Shoqatës së Bashkësisë Shqiptaro- Kanadeze në Toronto

March 20, 2023 by s p

Shani Pnishi/

Në praninë e rreth njëqind anëtarëve të saj, Shoqata e Bashkësisë Shqiptaro- Kanadeze në Toronto organizoi kuvendin e saj të rregullt zgjedhor. Mbledhja u nda në dy pjesë; e para e prezentimeve të cilën e udhëhoqi Alfred Hasimaj dhe të dytën, atë zgjedhore të cilën e udhëhoqi Saimir Lolja.Në fillim kryetari në largim z. Bujar Zejnullahi tregoi në mënyrë të organizuar të gjitha aktivitetet në mandatin e tij katërvjeçar, ku nuk kaloi pa përmendur edhe aktivitetet e jashtëzakonshme të shoqatës gjatë pandemisë COVID-19, ku shoqata kishte gjetur megjithatë mënyra të tjera të organizimit të saj. Midis pandemisë kishte marrë nismën për porositjen dhe shpërndarjen e disa maskave me motive kombëtare shqiptare, të cilat do t’i dhuroheshin falas bizneseve esenciale shqiptare që operojnë në Toronto. Maskat me ngjyra të kuqe dhe të kaltra ishin punuar nga stilistja shqiptare Tatjana Kaci- Sherifaj. Z. Zejnullahu përmendi se gjatë mandatit të tij shoqata ka shënuar edhe 30- vjetorin e themelimit. “Personalisht ndihem i priviligjuar dhe krenar që kam qenë pjesë dhe vazhdoj të kontribuoj vullnetarisht në një shoqatë kulturore dhe kombëtare me historinë më të vjetër në Kanada. Jam mirenjohës për të gjithë themeluesit, drejtuesit, anëtarët e bordit ndër vite, dhe mbështetësit e vazhdueshëm të saj nga themelimi e deri me sot.”- tha z. Zejnullahi. Ai më tutje përmendi edhe bashkëpunimin e vazhdueshëm që ka patur me udhëheqësit e kaluar të kësaj shoqate ku theksoi se në Këshillin e Nderit të shoqatës, disa prej të cilëve ishin të pranishëm në kuvend si Murat Hashani, Roland Lelaj, Saimir Lolja, etj. Ai me krenari përmendi se komunikimi me shumicën e ish-drejtuesëve dhe anëtarve të bordit është aktiv. Raportin e financave për delegatët e pranishëm e paraqiti financieri Rex Rexhepi, ku u përqëndrua tek të ardhurat e anëtarësimeve, sponsorëve, si dhe harxhimet thelbësore të shoqatës gjatë këtij mandati.Në pjesën e dytë u mbajtën zgjedhjet ku anëtarët e përgjithshë zgjodhën të trembëdhjetë anëtarët e rinj të bordit: Irene Breznica, Amarda Selimi, Rex Ferati, Bruna Mersini, Emiljana Zenelaj, Oriana Naska, Perparim Kapllani, Anisa Arra, Elbunit Bugacku, Nora Marku, Lindita Kalo, Flora Selmani dhe Eranda Zoga.Në një mbledhje të shkurtër me vetëm një rend dite, pra zgjedhjen e kryetarit, anëtarët vendosën në mënyrë unanime për të zgjedhur kryetare Irene Breznicën, një aktiviste dhe anëtare e bordit të shoqatës prej shume vitesh. Në deklaratën e parë të saj si kryetare, znj. Breznica falënderoi të pranishmit dhe kryesinë e re për besimin e dhënë duke theksuar se ka qenë e përfshirë me komunitetin shqiptar që si fëmijë. Irena njihet si aktiviste e palodhshme, e cila ka qenë e lidhur me komujnitetin shqipatr në Toronto që si fëmijë. Në një intervistë të saj të mëparshme dhënë gazetës “Diaspora Shqiptare” ajo ndër të tjera thekson: “Unë shkoja në shkollën shqipe në Toronto dhe recitoja poezi në ahengje të ndryshme të komunitetit tonë. Pastaj isha pjesë e një grupi vallëzimi, cili në rininë time gjithashtu interpretonte nëpër aktivitete të këtij komuniteti. Në disa raste, kam kryer edhe punën e konferencieres në gjuhën shqipe e angleze. Siç e thashë burri im gjithashtu më inkurajoi që të bashkohesha në kryesinë e SHBSHK të Torontos, ku tashmë po bëhen rreth tetë vite aktivizim, ndërsa në mandatin e fundit jam zgjedhur edhe nënkryetare, punë të cilën e kryej me kënaqësinë më të madhe. Besoj se edhe në të ardhmen do ta japë kontributin tim në ruajtjen e kulturës dhe traditës shqiptare në Kanada”.Në mbledhjen e ardhshme të kryesisë zgjedhen edhe krerët tjerë të shoqatës, si nënkryetari, sekretari, arkëtari dhe financieri.

Filed Under: Rajon

QASJA E GABUAR E PERËNDIMIT NDAJ SERBISË

March 10, 2023 by s p

Prof. Xhelal Zejneli/

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës e këndej, Perëndimi ka pasur ndaj Serbisë një qasje të gabuar. Fuqitë e Mëdha perëndimore shpesh e zbatojnë politikën e kulaçit dhe e kërbaçit apo e shkopit dhe e karotës. Por në rastin e qëndrimit hegjemonist dhe ekspansionist të Serbisë ndaj Kosovës, kjo nuk ndodhi. Fuqitë perëndimore, jo vetën që nuk ndoqën ndaj Serbisë politikë të kulaçit dhe të kërbaçit, por edhe e ledhatuan atë, e përkëdhelën. Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës e deri më sot, Fuqitë perëndimore investuan në Serbi miliarda euro dhe dollarë. Në ndërmarrjet perëndimore të ngritura në Serbi, u punësuan mbi njëqind mijë serbë. Serbia, në një anë mbështetej nga Rusia e Putunit, nga Kina dhe nga vende të tjera, ndërsa në anën tjetër ajo mbështetej ekonomikisht edhe nga Fuqitë perëndimore, d.m.th. nga Gjermania, nga ShBA-ja, nga Franca, nga Austria etj. Nga Moska dhe Pekini, Serbia mbështetej politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht, ndërsa nga Perëndimi – ekonomikisht. Sot kemi një situatë kur ajo mbështetet nga perëndimorët, jo vetëm ekonomikisht, por edhe politikisht, për të mos thënë edhe ushtarakisht. Qëndrimi i ShBA-së ndaj Serbisë ka pësuar një salto mortale, një kthesë të pabesueshme. * * * Agresionin rus ndaj Ukrainës, shqiptarët e dënuan në shkallë kombi. Pushtimin rus të Ukrainës, Kosova e dënoi në mënyrë të prerë, duke i vënë Moskës edhe sanksione. Por plani franko-gjerman, i mbështetur nga Uashingtoni, dëshmon se qëndrimi i Kosovës ndaj agresionit rus në Ukrainë, nuk u vlerësua fare. Madje, Uashingtoni, Parisi dhe Berlini mbajnë anën e Beogradit, ndonëse serbët ishin dhe mbeten të vetmit në Evropë që nuk i vënë sanksione Rusisë. Çfarë paradoksi?! Kjo politikë joparimore e Fuqive perëndimore e befasoi tërë kombin shqiptar. Për të treguar se janë me shqiptarët, perëndimorët e afirmojnë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. Por plani franko-gjerman tregon se perëndimorët nuk qenkëshin me Kosovën. Shqiptarëve nuk u duhet afirmimi i Shqipërisë në rrafshin ndërkombëtar, në një kohë kur perëndimorët, me themelimin e bashkësisë së komunave me shumicë serbe, cenojnë tërësinë tokësore të kombit shqiptar. E ashtuquajtura bashkësi e komunave me shumicë serbe apo zajednica, nuk është asgjë tjetër pos dodik republikë, asgjë tjetër pos shtet brenda shtetit. Sapo të themelohet dodik republika, serbët do ta formojnë edhe ushtrinë e këtij shteti brenda shteti. Sakaq, do të shkaktojnë edhe pretekste për ta shkëputur nga Kosova dhe për t’ia bashkëngjitur Serbisë. Para ndodhive të tilla Uashingtoni, Parisi dhe Berlini do t’i mbyllin sytë. Asociacioni, zajednica, dodik republika, d.m.th. shteti brenda shtetit, do të jetë përmbi Kosovën, do të jetë më i favorizuar se Kosova vetë. Shteti brenda shtetit do t’i parandalojë edhe marrëdhëniet midis Kosovës dhe Shqipërisë, do t’i pengojë kontaktet dhe marrëveshjet. Sot në veri ndodhet përmendorja e princit mesjetar serb, “car” Llazarit (Lazar Hrebеljanović / Лазар Хребељановић, 1329-1389). Nesër do të ngrihet edhe ajo e Sllobodan Millosheviqit, e Vojisllav Sheshelit. dhe e dishepullit të tyre – Aleksandar Vuçiqit. Angazhimi i ShBA-së për themelimin e zajednicës, e dodik republikës, d.m.th. e shtetit brenda shtetit dëshmon se për Uashingtonin Serbia paraqitka interes më të madh seç paraqitkan shqiptarët, d.m.th. interesi amerikan në Serbi qenkësh më i madh se te shqiptarët. * * * Qëkur u çlirua nga Kosova nga pushtuesit serbë në vitin 1999 e këndej, s’ka dyshim se e ashtuquajtura klasë politike shqiptare, ka bërë gabime. Gabime ka bërë edhe inteligjencia shqiptare. Ndryshe, zajednica, dodik republika apo shteti brenda shtetit nuk do të ishte në rend dite. Për gabime të këtij lloji paguhet çmim historik. Në anën tjetër, politika dhe diplomacia serbe s’ka reshtur së punuari dhe së vepruari nëpër kancelaritë evropiane dhe në Uashington për t’i bërë për vete perëndimorët dhe për t’i denigruar dhe për t’i paraqitur shqiptarët si popull joperëndimor apo pseudo-perëndimor. * * * Gjithmonë kur Kosova vihet në krye të agjendës së Brukselit, në Tiranë shpërthejnë zënkat ndërpartiake. Nga kjo rezulton se shqiptarët nuk kanë të përkufizuar një kauzë kombëtare. Kauzat personale në Shqipëri të politikanëve të harxhuar, kanë dalë përmbi kauzat kombëtare. Kauzat personale të politikanëve të lodhur apo të politikanëve që ndodhen matanë interesit kombëtar, u shiten shqiptarëve si kauza kombëtare. * * *Aty ku e la Millosheviqi politikën serbomadhe, mu aty e vazhdoi po atë ideologji dhe politikë, pasardhësi i tij i devotshëm – Vuçiqi. Që atëherë, Serbia, në vend që të përjetonte katarzë dhe të merrte rrugën e demokratizimit, ajo u ndal dhe mbeti aty ku ishte, në vitet ’90 të shekullit XX. Që atëherë, ora e Vuçiqit ka punuar dhe vazhdon të punojë me atë të kohës së kasapit të Ballkanit. Zjarrvënësin e gadishullit, perëndimorët e ndëshkuan, ndërkaq birin shpirtëror të Sheshelit, e mbështesin me të madhe. Ç’farë paradoksi?! Paradoks, por jo si ai i filozofit grek Diogjenit (Diogjeni, nga Sinopa, rreth viti 400 deri në vitin 323 para K.).Uashingtoni, Berlini dhe Parisi mbështesin politikën klerofashiste të Serbisë. Kjo s’i bën nder Perëndimit. Ka parime në politikën e perëndimorëve apo ka interesa politikë?! Një politikë që bazohet në interesa politikë dhe jo në parime, është në kundërshti me vlerat evropiane dhe me demokracinë perëndimore.Sot në Serbi, mu si në kohën e Millosheviqit, mbizotëron një qeverisje jodemokratike dhe antihistorike, totalitare dhe tiranike, despotike, autoritare dhe autokratike, bolshevike dhe proruse, retrograde, anakronike dhe mesjetare. Si është e mundur që një politikë të tillë ta mbështesin dhe ta shpërblejnë perëndimorët?! Në vend që ta dënojnë dhe ta ndëshkojnë. Në rrethana të tilla, në shoqërinë serbe, lidhur me realitetin e ri në rajon, përfshi dhe Kosovën, nuk ka hapësirë për lindjen dhe përhapjen e ideve racionale. Shoqëria serbe vazhdon të notojë në ujërat e turbullta të radikalizmit dhe të obskurantizmit mesjetar. Sot, mbase edhe Vuçiqi është duke e parë se gjithë ky iracionalizëm po bëhet pengesë për një transformim demokratik të Serbisë. Në dy dekadat e fundit, në krye të politikës, të bazuar në mite mesjetare, ka qëndruar pikërisht ai. Ky është peng, edhe i Putinit, edhe i vetvetes. Plani franko-gjerman bie ndesh: – me pakon e Ahtisarit, pako kjo të cilën e kanë mbështetur vetë perëndimorët;- me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, në orën 15:39, në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë; pavarësi kjo të cilën e kanë mbështetur vetë perëndimorët;- me parimet e BE-së për pacenueshmërinë e kufijve;- me vlerat dhe parimet demokratike të BE-së.- me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë*;Shënim: Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me qendër në Hagë, si organ i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, pasditen e datës 22 korrik 2010 bëri të ditur se “shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008 nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare”. Njoftimin e bëri publik kryetari i GjND-së, juristi dhe diplomati japonez i shkolluar në Kembrixh, Hisashi Ovada (Hisashi Owada, 1932- ). * * * Për çfarë dialogu mund të flitet?! Nuk mund të investosh në Serbi dhjetëra miliardë euro apo dollarë dhe të kërkosh prej saj të bëjë dialog. Ledhatoje, përkëdhele dhe favorizoje Serbinë, e pastaj kërkoji asaj dialog. Një kërkesë e tillë s’ka sesi të mos jetë sterile, shterpe. Serbia do ta njihte realitetin e ri në Kosovë dhe në rajon, vetëm kur Fuqitë perëndimore – Uashingtoni, Berlini dhe Parisi do ta izolonin atë. Këta e kanë bërë të kundërtën. Izolimi apo veçimi i Serbisë nuk është vetëm interes i shqiptarëve, i Kosovës. Është interes i rajonit, i Evropës dhe i mbarë Perëndimit. Politika e Beogradit, qëkur u shpërbë amalgama jugosllave, paraqet gangrenë për rajonin. Ajo politikë, e bazuar në një ideologji mesjetare, më vonë edhe garashaniniste, nëpërkëmb tërë sistemin perëndimor të vlerave. Me të mbështetur Serbinë sot, vetë perëndimorët i shkelin vlerat dhe parimet e veta. * * * Asociacion, bashkësi komunash, zajednicë, dodik republikë, shtet brenda shtetit! Po atëherë përse u bë lufta?! Përse u vranë mijëra njerëz, fëmijë, gra dhe pleq. Sa për asociacion, zajednicë, bashkësi komunash serbe, dodik republikë dhe shtet brenda shtetit s’ka pasur nevojë për luftë. Pas themelimit të asociacionit, bashkësisë së komunave serbe, zajednicës, dodik republikës, përkatësisht shtetit brenda shtetit a thua do të ketë politikan dhe intelektual shqiptar që do të shkojë për të bërë homazh te varri i komandantit legjendar Adem Jasharit?! Një politikan i Kosovës, dikur ushtarak i lartë i luftës çlirimtare, e ka përdorur më herët shprehjen “dodik republikë”. Sot i njëjti e mbështet kërkesën e perëndimorëve për themelimin e bashkësisë së komunave serbe. Çfarë kthese absurde?! Asociacioni, bashkësia e komunave serbe, zajednica, dodik republika s’janë tjetër pos krijimin në Kosovë të shtetit brenda shtetit. Krijim ky që do të jetë shumë më e favorizuar dhe më e privilegjuar se Kosova vetë. Krijim ky që shumë shpejt do të shkëputet nga Kosova për t’iu bashkëngjitur Serbisë. Dhe s’do të ketë kush që do ta ndalë. Atëherë s’do të jenë as emisari special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor Gabriel Eskobar (Escobar) me shuttle diplomacy-në e tij, as ambasadori i ShBA-së në Beograd, Kristofer Hill (Christopher Robert Hill, 1952- ). * * * Duket sikur rrumbullakimin e shtetësisë së Kosovës nuk do ta bëjnë demokratët amerikanë. Ata e filluan në vitin 1999 me presidentin Bill Klinton (William Jefferson Clinton, 1946- ) dhe duket sikur thonë: “Prej nesh, kaq!” Me fjalë të tjera, një qëndrim më të prerë ndaj Serbisë, duhet të manifestojnë republikanët. Por bota e di se politika strategjike amerikane është një. Ajo nuk ndryshon as me ndërrimin e administratave. Kush janë interes strategjik i amerikanëve: shqiptarët proamerikanë apo serbët prorusë dhe prokinezë?! * * * Për çfarë dialogu ngulin këmbë Uashingtoni, Berlini dhe Parisi, kur Vuçiqi deklaron: “Sa të jem unë kryetar i Serbisë, kurrë s’kam për ta njohur pavarësinë e Kosovës”; kur ai thotë se Serbia do ta parandalojë anëtarësimin e Kosovës në OKB. Serbia s’e ka të drejtën e vetos, por e kanë miqtë e tyre – rusët. * * *Asociacion, bashkësi komunash serbe, zajednicë, dodik republikë apo shtet brenda shteti. Edhe po të bëhet kjo, Kosova do të vazhdojë të mbetet në Kushtetutën e Serbisë, pjesë e saj, të vazhdojë të quhet Kosovë dhe Metohi. Kur ta marrin detyrën deputetët apo funksionarët e Serbisë, do të betohen se do ta mbrojnë tërësinë territoriale të saj. Kosova do të vazhdojë të konsiderohet “tokë e shenjtë serbe”, “djep i Serbisë”, “Jerusalem serb”, “Serbi e Vjetër”. Uashington, Berlin dhe Paris, mos i krijoni mundësi klerit fashist të Kishës Ortodokse Serbe që bashkë me Vuçiqin ta sjellin legalisht Rusinë në asociacionin, në zajednicën apo në dodik republikën që mëtoni ta krijoni ju! * * *Në vend që ta kushtëzojnë dhe ta shantazhojnë Serbinë, perëndimorët e kushtëzojnë Kosovën. E pabesueshme! Flijohet viktima në dobi të agresorit serbo-çetnik që ka kryer gjenocid ndaj shqiptarëve. Për liberalizimin e vizave, Kosova duhej të priste vite e vite. Po qe liberalizimi i vizave për Kosovën bëhet si kompensim apo si shpërblim për ta nënshkruar themelimin e shtetit brenda shtetit, kurrë mos u liberalizofshin ato. Ku është parë në histori: “Unë ty territor, ti mua viza”. Territor për viza! Një absurditet si ky s’e gjen dot as te teatri absurd apo në antidramat e dramaturgut, romancierit dhe poetit irlandez Semjuel Bek (Samuel Barclay Beckett, 1906-1989), aty ku Estragoni pret pafundësisht Godonë, i cili s’dihet në do të vijë ndonjëherë. * * * Kosova është digë e shqiptarisë përballë synimeve ekspansioniste të hordhive të egra barbare sllavo-bizantine. Xhelal ZejneliPhoto: BBC

Filed Under: Rajon Tagged With: Xhelal Zejneli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 67
  • 68
  • 69
  • 70
  • 71
  • …
  • 206
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ANGELA KOSTA DHE CHANEL BASHHYSA FITUESE TË ÇIMIMIT NDËRKOMBËTAR TË EKSELENCËS “DIVINAMENTE DONNA” NË SENATIN E REPUBLIKËS ITALIANE
  • “TASHMЁ JEMI TЁ VJETЁR PЁR T’U KTHYER NЁ SHTЁPI” – POEZI NGA ORIADA DAJKO
  • IRONIA DHE HIPOKRIZIA RRETH PRONËSIMIT TË KATEDRALËS NË SHKODËR
  • Dita e Verës – Festa e lashtë e ripërtëritjes shqiptare
  • Luan Rama sjell në Tiranë tablotë ikonike të piktorëve francezë për Shqipërinë dhe shqiptarët
  • Në Tiranë u zhvillua koncerti “Me Zanin e Bjeshkëve” i këngëtarit Gëzim Nika “Mjeshtër i Madh”
  • Shqipëria ka nevojë për Xhorxh Uashingtonët e saj
  • Kriza globale, nga Ukraina në Lindjen e Mesme
  • IRONIA DHE STILI NË DEBATET MES NOLIT DHE KONICËS 
  • MËRGIM XHEVAT KORҪA, IN MEMORIAM
  • Ardita Statovci, pedagoge pranë “Washington Conservatory of Music”: “Muzika është gjuhë universale që të mundëson ta prezantosh një copëz të identitetit e kulturës së vendit tënd në çdo anë të botës”
  • Përkujtojmë sot në përvjetorin e ndarjes nga jeta Fan Stilian Nolin, një figurë themelore të historisë dhe kulturës shqiptare
  • Festohet bukur 7-8 Marsi në Fialdelfia nga shoqata “Bijtë e shqipes”
  • Përtej mitit: identiteti si vetëdije shoqërore
  • Harmonia fetare në imazhin e një pulle postare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT