• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Historia jonë do shikuar në mes të suksesit dhe rrezikut të vazhdueshëm

September 13, 2022 by s p

Dr. Lulzim Nika/

Në rrethanat aktuale, kur Rusia dhe Kina bashkë me aleatët kanë filluar hapur t’i kundërvihen SHBA-së në politikën ndërkombëtare, Kosova në këto rrethana duhet të jetë e kujdesshme dhe të përmbyllet dialogu me Serbinë me njohjen e ndërsjellë. Aktualisht, Kosova në raportin e politikës ndërkombëtare nuk është duke u forcuar si rezultat i prishjes së raportit SHBA-Rusia. Në këto rrethana, skena politike duhet të jetë unike në interesat strategjike të shtetit të Kosovës. Do parë rrezikun e një destabilizimi të politikes ndërkombëtare që mund të na dëmtojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

Duke shfletuar dokumente diplomatike të SHBA-së, dhe pas një kohe të gjatë të hulumtimit në Arkivat e bibliotekave të katër presidentëve të SHBA-së, shihet qartë se vendimet e tyre patën ndikim në çështjen shqiptare në përgjithësi, dhe në atë të Kosovës në veçanti.

Në bazë te dokumenteve relevante, shihet se Bushi i Parë, gjatë viteve 1990-92, kishte ndërtuar strategjinë politike dhe diplomatike, për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, në bashkëpunim me faktorin politik të krahut paqësor, si dhe administrata e Klintonit me atë ushtarak, të liderëve pragmatik politik të UÇK-së.

Kosova arriti të shpallë Pavarësinë, falë këtyre raporteve të mira me faktorin ndërkombëtarë. Kosova u bë shtet si rezultat i fitores diplomatike të faktorit historik e politik, përfshirë ndërtuesin e autostradës diplomatike dhe vendosmërinë politike të liderit politik të UÇK-së.

Se populli shqiptar që është i veçantë nga fqinjët e tij, kishte pasur një fat të rëndë gjatë shekujve, nuk do diskutim. Historia nuk na njeh edhe një ditë të vetme që të kemi bërë përpjekje të organizuara për të zgjeruar territorin tonë, a për të pushtuar popuj të tjerë.

Historikisht, gjeografia shqiptare ka pasur tkurrje, humbje të krahinave të tëra shqiptare. Sot, historianët duhet të ndalën edhe në vlerësimin kritik të historiografisë shqiptare.

Për shembull, pse në çdo rrethanë historike, kemi humbur territore dhe pse historinë tonë, në vetëmbrojtje e tragjike deri në ndërtimin e shtetit të Kosovës e kemi kthyer në një nacional-folklorizëm të tepruar dhe pa bërë fare një autokritikë realiste. Historiografia serbe është e bazuar kryesisht në mite dhe monumente fetare, por jo edhe në realitetin historik dhe etnik të popullsisë. Pra, ajo qëllimet i kishte në zgjerimin e gjeografisë dhe strategjisë për fuqizimin e Serbisë në Ballkan.

Në formimin e dy shteteve shqiptare, përveç sakrificës dhe vargut të madh të patriotëve dhe qytetarëve, ishte edhe ndihma e madhe diplomatike e miqve që vështirë se do t’ia kishim arritur qëllimit, si në ndërtimin e Shtetit shqiptar, po ashtu edhe të shtetit të Kosovës.

Duhet të jemi të kujdesshëm me shtetet mike të Kosovës dhe të kemi raporte të mira e të sinqerta. Për arsye se boshti i shteteve me mungesë të lirisë në qeverisje, siç janë Rusia dhe Kina, po luajnë politikën e destabilizimit ndërkombëtar.

Me qëllim të faktorizimit të tyre, e sidomos rusët, janë të interesuar për destabilizimin e Ballkanit, për t’u faktorizuar dhe për të mbrojtur interesat e tyre tradicionale në Ballkan. Për fatin e mirë të Kosovës, gjatë viteve 1999, ata nuk u pajtuan, por edhe nuk patën mundësi që të ndalojnë korrigjimin e hartës politike të Ballkanit nga SHBA-ja, dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës.

Filed Under: Rajon Tagged With: Lulzim Nika

KOSOVA ME AMERIKËN, KUJTON 11 SHTATORIN 2001…

September 11, 2022 by s p

-Para 21 viteve – 11 Shtator 2001: Populli i Kosovës manifestime solidariteti me popullin amerikan dhe duke dënuar sulmet terroriste kundër SHBA-ve: Amerikë, ne jemi me ty…/

-Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Bush, i dërgonte telegram: Me rastin e sulmit mbi Qendrën Tregtare në Nju Jork dhe mbi Pentagonin, drejtuar kundër civilëve dhe fuqisë Tuaj, pranoni simpatinë time dhe të popullit të Kosovës, i cili këtë tragjedi po e jeton me dhembje dhe në zi/

-Sot, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, Kryeministri Albin Kurti, e Ngarkuara me Punë e SHBA-ve, Alyson Grunder dhe Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla-Schwarz, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurorë me lule tek pllaka përkujtimore “Kosova kujton”, me rastin e 21-vjetorit të sulmeve terroriste në SHBA/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 11 Shtator 2022/ Kosova solidarizohej fuqishëm me Amerikën e goditur nga sulmet terroriste të para 21 viteve – 11 Shtatorit 2001.

Atëherë media raportonte se, e gjithë Prishtina ishte në Sheshin Nëna Terezë në shenjë solidariteti me Popullin Amerikan dhe duke dënuar sulmet terroriste kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Amerikë, ne jemi me ty – ishte motoja kryesore e pankartave.

Shumë nga qytetarët, që kishin dalë në sheshe e rrugë për të përkrahur Popullin Amerikan dhe për të protestuar kundër terrorizmit që i goditi SHBA-të, ishin mbështjellë me Flamurin Amerikan.

Manifestime solidariteti dhe protesta kundër terrorizmit u mbajtën edhe në qytetet tjera të Kosovës si në Ferizaj, Prizren, Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Gjilan etj. Pjesëmarrja e popullatës edhe në këto qytete ishte e madhe.

Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili ndodhej për një vizitë në Kanada, me rastin e sulmeve kundër SHBA-ve, Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Bush, i dërgonte këtë telegram:

I nderuari President,

Me rastin e sulmit mbi Qendrën Tregtare në Nju Jork dhe mbi Pentagonin, drejtuar kundër civilëve dhe fuqisë Tuaj, pranoni simpatinë time dhe të Popullit të Kosovës, i cili këtë tragjedi po e jeton me dhembje dhe në zi.

E dënojmë këtë sulm dhe jemi të bindur se të gjithë ata që bëjnë akte terrori dhe horrori kundër civilëve dhe fuqisë Tuaj dhe kundër njerëzimit, duhet të ndalen.

Në këto momente të rënda, jemi së bashku me Ju dhe me Popullin Amerikan, që së bashku me aleatët Tuaj ia sollët lirinë Kosovës.

Jemi të bindur se Ju do të mendoni një strategji të re të mbrojtjes për SHBA-të dhe për miqtë Tuaj e për botën e lirë demokratike.

Juaji sinqerisht,

Dr.Ibrahim Rugova

GAZETA  RILINDJA ME KRYETITULLIN NË BALLINË “SULM TERRORIST NË SHBA”  NË TË GJITHA FAQET E SAJ – E TËRA I KUSHTOHEJ NGJARJES TRONDITËSE DHE ZHVILLIMEVE E REAGIMEVE PAS SAJ

Në 11 Shtator 2001 Televizioni i Kosovës dhe televizionet e tjera nacionale e lokale janë kyçur drejtpërdrejt në rrjetin amerikan CNN me përkthim simultan për të përcjellë raportimet për sulmet terroriste në Amerikë.

Poashtu gazetat e përditshme të Kosovës shkruanin gjerësisht.

Gazeta  tradicionale e Kosovës “Rilindja” me kryetitullin në ballinë “Sulm terrorist në SHBA” dhe me dënim të fuqishëm të sulmit e me shumë mesazhe solidarizimi me Shtetin e Popullin Amerikan botonte shkrime e fotografi në të gjitha faqet e saj – e tëra i kushtohej ngjarjes tronditëse dhe zhvillimeve e reagimeve pas saj.

Gazeta “Bota Sot” në gjerësinë e tërë faqes së parë kishte titullin “Seri aktesh terroriste kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, supozohet për mijëra të vrarë”.

Gazeta “Koha Ditore” në faqen e parë shkruante në kryetitull “Në Nju Jork sulmohet civilizimi botëror”.

Gazeta “Zëri” në ballinë kishte titullin kryesor “Sulm terrorist kundër Amerikës”.

Gazeta “Kosova Sot”  kryetitull kishte “Terrroristët sulmojnë Amerikën”.

Të gjitha gazetatat e Kosovës botonin shumë shkrime e fotografi në ballina e faqe të brendshme.

PRESIDENTJA OSMANI: KOSOVA SË BASHKU ME MIQTË DHE ALEATËT, ME SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS

Sot, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, Kryeministri Albin Kurti, e Ngarkuara me Punë e SHBA-ve, Alyson Grunder dhe Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla-Schwarz, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurorë me lule tek pllaka përkujtimore “Kosova kujton”, me rastin e 21-vjetorit të sulmeve terroriste në SHBA. Në 11 Shtator 2019 në Kosovë është zbuluar obelisku i ngritur në oborrin e Qeverisë  kushtuar viktimave të  sulmit të 11 Shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Deklarata e plotë e Presidentes Osmani:

Sot me 11 shtator së bashku me kryeministrin. Zv/kryeministren dhe po ashtu me zëvendës ambasadoren e SHBA-ve i bashkohemi gjithë popullit amerikan për të ndarë dhimbjen për më shumë se 3000 mijë jetë të humbura në një betejë e cila edhe njëherë u dëshmua të jetë betejë vlerash.

Me 11 shtator 2001 shtetasit amerikanë, qytetarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishin nën një ndër sulmet terroriste më të tmerrshme në historinë e njerëzimit, por atë ditë nuk u atakua vetëm amerika, u atakuam të gjithë ne që besojmë në po të njëjtat vlera, në vlerat e lirisë dhe demokracisë.

Që nga ai vit e tutje, populli i Kosovës çdo ditë ka qëndruar me popullin amerikan, i kemi bashkuar forcat në mbrojtjen të këtyre vlerave, i kemi bashkuar forcat në luftim të terrorizmit dhe edhe Kosova është dëshmuar të jetë shembull në mbrojtjen e po këtyre vlerave.

Prandaj, do të  vazhdojmë të qëndrojmë së bashku me miqtë dhe aleatët tanë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ashtu siç SHBA-të kanë qëndruar pranë nesh në çdo moment dhe në çdo hap të historisë sonë.

Faleminderit! 

KRYEMINISTRI KURTI: POPULLI I KOSOVËS QËNDRON PRANË POPULLIT AMERIKAN

Prononcimi i plotë për media i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti:

Me 11 Shtator të vitit 2001, bota u trondit nga lajmi dhe shokua nga pamjet e sulmeve terroriste të cilat vranë 2977 qytetarë dhe në këtë mënyrë shënuan sulmin më të tmerrshëm terrorist i cili ndryshoi gjithë botën. 

Populli i Kosovës qëndron pranë popullit amerikan. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e dëshmuan edhe pas 11 Shtatorit se janë komb i njerëzve të lirë e të barabartë dhe se nuk bëjnë kompromis me vlerat e tyre. 21 vjet më vonë, ne nderojmë kujtimin për viktimat dhe shprehim dhembshurinë e solidaritetin tonë për atë ngjarje të rëndë dhe për familjet dhe gjithë kombin amerikan. 

Me Presidenten e Republikës dhe zëvendësambasadoren amerikane vendosëm lule të freskëta, këtu në memorialin që kujton këtë ngjarje dhe na e përkujton që mos ta harrojmë kurrë se liria dhe demokracia duhet të mbrohen përherë sepse ato vazhdimisht janë në rrezik. U prehshin në paqe të gjitha viktimat dhe jetoftë përgjithmonë miqësia dhe partneriteti midis Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.  

Filed Under: Rajon

LIBRI I CILI SOLLI MES NESH TRIMIN HALIT (AZEM) ÇUKA

September 8, 2022 by s p

Hazir MEHMETI   

“Ai që nuk njeh të kaluarën nuk do ta kuptojë as të ardhmen” (Eco) 

 Promovimi i librit HALIT (AZEM) ÇUKA, me autor  Qazim Azemi në Shtëpinë e Kulturës “Hasan Prishtina”, vlerë  historike kombëtare. 

       Në ambientet e bukura të sallës së Shtëpisë së Kulturës “Hasan Prishtina” u rikujtua njëri nga personalitet e historisë sonë të lavdishme, Halit Çuka, i cili  tërë jetën ia kushtoi luftës për liri kundër pushtuesve serb në kohët e rënda për kombin shqiptar. Emri i tij ishte halë në sy për pushtuesit deri në çlirimin e Kosovës. Familja e tij ishin në shënjestër dhe ishte e vështirë jeta e secilit anëtar në sistemin komunist i cili ua konfiskoi pasurinë deri në trohën e fundit nga magjja.  Por, mendja e ndritur e familjes e brumosur me ide përparimtare stërgjyshore u pasurua me shkollimin e shumë prej tyre edhe autori i librit, Prof.Qazim Azemi.  Shkollimi hapi shtigje të reja në luftën për çlirimin e kombit dhe sot jemi të lirë të përkujtojmë lirshëm trimat që dhanë jetën e tyre për liri.   Vushtrriasit përjetuan dhe mësuan për figurën e Halit Çukës si asnjëherë më parë.   Nderim i veçantë ishte prania e të parit të komunës Ferit Idrizi i cili mbajti fjalë rasti në respekt të veprës së trimit Halit Çuka. Ai përgëzoi autorin e librit për veprën e re monografike me rëndësi për historinë kombëtare. 
      Redaktori i librit, Prof. Bedri Tahiri, shkrun:  “Personalitetin e Halit Çukës e përplotësojnë dhe veprës i japin karakter shumëdimensional, duke kapërcyer atë familjar, jetëshkrimet për bashkëluftëtarët dhe bashkëveprimtarët e tij të shumtë, të cilat autori asnjëherë nuk i lë anash dhe u jep vendin e merituar. Të gjithë ata: vëllezër, miq, kushërinj, bashkëveprimtarë, dashamirë e atdhetarë të njohur, përherë janë krahë përkrahë me të, në beteja e në kuvende, në organizime e në veprime. Halit Çuka ishte kryetar i Komitetit për mbrojtjen e Kosovës në Komunën e atëhershme të Samadrexhës.” 
        “Halit Çuka e ndoqi rrugën e shumë patriotëve të shquar të kombit tonë, të cilët angazhoheshin për avancimin e çështjes kombëtare, të nuk kursyen as gjënë më të shtrenjtë pasurinë, jetën e vet dhe djemve të tij, ku tërë pasurinë që kishte e shkriu për çështjen kombëtare.” (Hysen Azemi, recensent). 

     Në fjalën e tij autori i librit Qazim Azemi para publikut që mbushte sallën mes tjerash tha: “Ka qenë periudhë e vështirë kur njeriu s’ka mundur t’a përmend emrin e babait, të gjyshit, me pretekst se ata kinse qenë “armiq” të popullit. Por, kujtesa e popullit mbajti të gjallë veprën e tij, emrin e tij. U tregua, u këndua dhe bisedua për atdhetarin dhe dëshmorin e kombit Halit Çuka, i cili dha jetën për liri. Gjatë hulumtimeve të mia në Arkivin Historik të Kosovës, edhe aty mungojnë materialet me të dhëna lidhur me konfiskimin e pasurisë dhe personave të likuiduar gjatë viteve 1945/46, janë të zhdukura nga dora gjakatare serbe. I falënderoj të gjithë miqtë dhe bashkëpunëtorët, të cilët më kanë ndihmuar në çfarëdo forme deri në realizimin e librit”. 

      Autorin e librit, Prof. Qazim Azemi, e kisha kolegë në Qendrën Shkollore të Vushtrrisë e cila përjetoj sulme të vazhdueshme nga pushtuesit serb. Duke pasur një kolektiv nga intelektual punëtor e patriot u bë cak i sulmeve nga armiqtë serb. Kjo qendër shkollore përjetoj diferencimin nga i cili pësuan disa mësimdhënës, mes tyre edhe Qazim Azemi. Shkolla përjetoj helmimin e nxënësve nga agjentët policor e ushtarak serb në vitin 1990, një krim për të cilin nuk foli drejtësia, përjetoj mbylljen e shkollës dhe dëbimin me dhunë nga lokalet shkollore. Por, kolektivi nuk u gjunjëzua, vazhdoi punën mësimore në shtëpitë shkolla gjithandej Vushtrrisë dhe fshatrave deri në çlirimin e vendit.  Halit Çuka dhe trimat e kombit ishin frymëzim për secilin prej nesh deri në realizimin e idealeve të tij dhe dëshmorëve tjerë të kombit për liri.  

                Sot Halit (Azem) Çuka kthehet krenar në Vushtrrinë dhe Kosovën e tij të lirë për të cilën dha jetën, dha bijtë dhe pasurinë e tij.  
            Biblioteka e Vushtrrisë u pasurua me veprën e re e cila do flet brezave që vijnë.  Autorit, Prof. Qazim Azemi, i dëshirojmë shëndet dhe shumë vepra tjera.  

Filed Under: Rajon

Kosova më 7 Shtator 1990: Republikë me Kushtetutë

September 7, 2022 by s p

KALENDARI HISTORIK

Drejt Lirisë e PavarësisëKosova para 32 viteve, në 7 Shtator 1990, u shpall Republikë me Kushtetutën e miratuar nga Kuvendi i saj në një mbledhje në Kaçanik, që pasonte Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 e pasohej me Referendumin për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur të mbajtur nga 26 deri në 30 Shtator 1991 me votimin pro 99,87 për qind, si dhe nga zgjedhjet e para pluraliste parlamentare dhe presidenciale të 24 Majit 1992/

 -Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova në  mesazhet e 7 Shtatorit -Viti 1998: Miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës më 7 Shtator të vitit 1990 shënon aktin fundamental për shtetin e Kosovës. Viti 2005: Dhashtë Zoti që sa më shpejt ta gëzojmë njohjen direkte të pavarësisë së vendit tonë nga Shtetetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, çfarë do të qetësonte popullin e Kosovës dhe këtë pjesë të Europës e të botës/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 7 Shtator 2022/  Para 32 viteve, në 7 Shtator 1990, Kosova u shpall Republikë me Kushtetutën e miratuar nga Kuvendi i saj në një mbledhje në Kaçanik, që pasonte Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut, poashtu të vitit 1990, e pasohej me Referendumin për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur të mbajtur nga 26 deri në 30 Shtator 1991 me votimin pro 99,87 për qind dhe pjesëmarrjen masive 87,01%  të 1.051.357 qytetarëve me të drejtë vote.

Republika e Kosovës me Kushtetutën e vet e institucionet demokratike të zgjedhjeve parlamentare e presidenciale që pasuan, të 24 Majit 1992, atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit  të popullit mbi 90 përqind shumicë shqiptare, si edhe pjesëtarëve të komuniteteve pakicë.

Në krye të Kuvendit të Kosovës në atë kohë të vendimeve e ngjarjeve historike ishte Ilaz Ramajli. Ishin këto ngjarje e zhvillime drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, gjithnjë në rrethana të rënda të okupimit e shtetrrethimit ushtarako-policor që kishte vendosur Beogradi, kur në mënyrë kundërkushtetuese dhe përgjakshëm me kushtetutën serbe të tankeve u rrënua autonomia që kishte Kosova me Kushtetutën e vitit 1974 element konstituv me të drejtë vetoje i federates. Ajo Kushtetutë ishte e para në historinë kushtetuese të Kosovës, ndërsa e dyta ishte ajo e 7 Shtatorit 1990.

“Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 Shtatorit 1990, jo vetëm që ishin akte kushtetuese juridike, por në kohën kur u nxorën ishin edhe akte mbrojtëse dhe pozicionuese në raport me situatë e krijuar në ish Jugosllavi”, ka theksuar Ramajli në një nga intervistat që kam zhvilluar për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë.

Nga shpërbërja e ish Jugosllavisë, nga elementet konstituive të federatës, mes të cilave ishte edhe Kosova që u bë shtet, shtete të reja të rajonit dolën gjithësej shtatë: Kosova, Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Maqedona, Mali i Zi dhe Serbia.

“Akti i nxjerrjes së Kushtetutës u bë pikërisht në kohën kur më nuk kishte asnjë dyshim se Jugosllavia kishte hyrë në rrugën e pakthim të shpërbërjes së sajë. Nxjerrja e Kushtetutës dhe shpallja e Republikës së Kosovës nga Kuvendi me 7 Shtator 1990 ishte dhënie e formës kushtetuese juridike të vullnetit të shprehur unanimisht nga shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës, dhe nga subjektet e atëhershme politike në Kosovë”, është shprehur Ilaz Ramajli në intervistën ekskluzive që kam zhvilluar në 20 vjetorin e Referendumit për Kosovën Shtet Sovran dhe të Pavarur të mbajtur nga 26 deri më 30 Shtator 1991.

Ndërsa në 30 vjetorin e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990, Ramajli për median kosovare theksonte se ndonëse për shkak të rrethanave Kushtetuta e Kaçanikut nuk ka pasur mundësi të që të zbatohet plotësisht në territorin e Kosovës, ajo ka qenë njëra ndër aktet më të përparuara në regjion.

“Deklarata e Pavarësisë e 2 korrikut dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e shpallur më 7 shtator 1990 u shndërruan me kohë në busullë të lëvizjes sonë paqësore politike dhe besoj se po këto akte kanë qenë edhe pikënisje e të gjitha sakrificave. Mbështetur në Kushtetutën e Kaçanikut u organizua komplet jeta në Kosovë jashtë sistemit të Serbisë dhe mundësoi që shqiptarët e Kosovës dhe popujt e tjerë joserbë të organizojnë rezistencën e tyre jo të dhunshme e më vonë edhe luftën çlirimtare”, ka thënë Ramajli.

Në Kosovën e lirë nga qershori 1990, prej vitit 2001 deri para 13 viteve, Kosova ka pasur një Kornizë Kushtetuese, e miratuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), e cila ishte dokument më shumë inicial kushtetues, por ka mundësuar zhvillimin e vendit nga një krijesë de fakto e pavarur, ndonëse nën protektorat, në një entitet shtetëror të pavarur, edhe pse nën mbikëqyrje ndërkombëtare për një kohë.

Kosova para 14 viteve miratoi Kushtetën e Republikës, e cila në nenin 1 e përcakton “shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”.  Ishte viti 2008 kur nga Kuvendi i Kosovës u miratua Kushtetuta – akti më i lartë  juridik i shtetit në ditën e 9 Prillit, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurtin historik, ndërsa ka hyrë në fuqi në 15 Qershor.

Atëherë, dekretimi i 41 ligjeve, të  dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet më të rëndësishme të ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës.

Zhvillimet më të rëndësishme brenda 14 viteve ishin në 2012-tën, kur Kuvendi, në 7 Shtator që ishte ditë e përvjetorit të Kushtetutës së vitit 1990,  ka miratuar amendamentimin e  Kushtetutës së Republikës lidhur me përfundimin e mbikëqyrjes  ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, ndërsa në 10 Shtator pasoi vendimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar, i mbledhur në Prishtinë, për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare.

“Përmbyllja e mbikëqyrjes është vlerësimi më i lartë ndërkombëtar, që i është bërë shtetit të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë”, u vlerësua atëherë.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur pavarësinë, ishte formuar në 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të shtetit të ri, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin.

Kosova e pavarur e shpallur para më shumë se 14 viteve në 17 Shkurt 2008 deri tani është njohur nga 117 shtete anëtare të OKB-së dhe njohja më e re është nga Izraeli, për të cilën delegacioni i Kosovës u njoftua derisa ishte në Uashington në Shtëpinë e Bardhë në 4 Shtator 2020.

PRESIDENTI HISTORIK DR. IBRAHIM RUGOVA: 7 SHTATORI 1990, THEMEL I SHTETËSISË SË KOSOVËS

 -Miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës më 7 Shtator të vitit 1990 shënon aktin fundamental për shtetin e Kosovës/

Presidenti historik i Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, vlerësonte se miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës në 7 Shtator të vitit 1990 shënonte aktin fundamental për shtetin e Kosovës. Po risjellim dy mesazhe të Presidentit Rugova për 7 Shtatorin, të vitit të luftës 1998 dhe të vitit të lirisë 2005 – të fundit të Presidentit historik për ditën historike të Kushtetutës së Republikës së Kosovës:

 VITI  1998: DEKLARATË E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA ME RASTIN E 7 SHTATORIT 

PRISHTINË, 7 Shtator 1998/ Me rastin e 7 Shtatorit – Ditës së miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës – Presidenti i  Republikës Dr. Ibrahim Rugova dha një deklaratë në të cilën thuhet:

Pas shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës më 2 korrik të vitit 1990, miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës më 7 shtator të vitit 1990 shënon aktin fundamental për shtetin e Kosovës. Kjo ngjarje e rëndësishme në historinë më të re të Kosovës, ka vënë themelet juridike e politike të shtetësisë së Kosovës.

Sot, tetë vjet pas miramitit të këtij akti të lartë, populli i Kosovës edhe pse në gjendje okupimi dhe i ballafaquar me ofensivat e egra të forcave serbe, me një vullnet të fortë po ndërton shoqërinë demokratike e civile në Kosovë. Dhe, përkundër vuajtjeve nëpër të cilat po kalon, ai është i përcaktuar që me mjete politike ta realizojë pavarësinë e Kosovës.

Në këto çaste të vështira që po përjeton, populli i Kosovës me përkrahjen dhe ndihmën e botës demokratike e sidomos të SHBA-ve dhe Unionit Evropian, do të dijë ta kapërcejë këtë gjendje të rëndë.

Zoti e bekoftë popullin e Kosovës!

VITI 2005: PRESIDENTI RUGOVA U DREJTOI NJË MASAZH QYTETARËVE TË KOSOVËS ME RASTIN E 7 SHATORIT


PRISHTINË, 7 Shtator 2005/ Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, ka përgëzuar qytetarët e Kosovës me rastin e 7 Shtatorit, ditës kur para 15 vjetësh u miratua Kushtetuta e Republikës së Kosovës në Kaçanik.

  
Në mesazhin e Presidentit Rugova thuhet:


Me rastin e 7 Shtatorit, në 15 vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Ju shpreh urimet e mia të përzemërta.


Dita e 7 Shtatorit e vitit 1990 është një ditë e rëndësishme në historinë tonë të re, sepse u miratua Kushtetuta e Republikës së Kosovës, që u bë pas shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë në korrik të po atij viti.

Kjo i vuri themelet e shtetit të Kosovës, që u vërtetua me Referendumin për pavarësi dhe hapi perspektiva për ndërtimin e jetës shtetërore demokratike.

Dhashtë Zoti që sa më shpejt ta gëzojmë njohjen direkte të pavarësisë së vendit tonë nga Shtetetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, çfarë do të qetësonte popullin e Kosovës dhe këtë pjesë të Europës e të botës.

Filed Under: Rajon

PËRKUJTOHET NË BUDAPEST SHËN NËNË TEREZA

September 5, 2022 by s p

Prof. Dr. Musa Ahmeti

Center for Albanians Studies – Budapest

Nënë Tereza: “Për sa i përket gjakut dhe prejardhjes, unë jam shqiptare, indiane për kah nënshtetësia, motër-murgeshë katolike, për kah thirrja, që i përkas gjithë botës, ndërsa për kah zemra i përkas plotësisht zemrës së Krishtit”.

Sot në Budapest, nën përkujdesjen dhe organizimin e Ambasadës Shqiptare në Budapest, përkatësisht të ngarkuarës me punë pranë kësaj Ambasade, znj. Genta Mburimi, u vendosën lule në monumentin e Nënë Terezës në sheshin që mban të njejtin emër Boldog Teréz anya tér në distriktin XII. Në këtë event ishin të pranishëm: shkëlqesia e Saj, Ambasadorja e Republikës së Kosovës, Gjeneza Budima, përfaqësuesi i Ambasadës së Maqedonisë në Budapest z. Nenad Mladenovikj, Konsulli i Nderit i Republikës së Shqipërisë  në Peç, z. Avni Hafuzi, drejtuesja e Programit Albanian Studies dr. Etleva Lala, përfaqësues të bashkisë së qytetit të Budapestit si dhe pjestarë të diasporës shqiptare nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Lugina e Preshevës që jetojnë e punojnë në Hungari.

Pas vendosjes së kurorave dhe buqetave me lule, Ambasadorja e Republiksë së Kosovës, Shkëlqësia e Saj, Gjeneza Budima, përshëndeti të pranishmit me një fjalë rasti, duke theksuar virtytet e Shën Nënë Terezës, porositë e saj për fëmijët dhe të varfërit e botës. Në vijim e ngarkuara me punë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë Genta Mburimi, falenderoi të gjithë të pranishmit, posaçërisht mysafirët që kishin nderuar këtë event me pjesëmarrjen e tyre. Znj. Genta Mburimi bërë një përmbledhje të shkurtër, por shumë përmbajtësore të aktiviteteve të organizuara gjatë këtij viti, ku në mënyrë të veçantë theksoi konferencën e organizuar nga Programi Albanian Studies pranë Universitetit Shtetëror ELTE të Budapestit për Nënë Terezën, që ishte një sukses i përbashkët i drejtueses së këtij Programi dr. Etleva Lalës dhe Ambasadës Shqiptare, ku morën pjesë studiues eminent, motrat e Nënë Terezës në Budapest dhe të tjerë. Të pranishmit i përshëndeti edhe përfaqësuesi i Ambasadës së Maqedonisë në Budapest z. Nenad Mladenovikj që pohoi se Nënë Tereza i përket tërë botës ashtu siç tha edhe ambasadorja e Kosovës. Pastaj lexoi një pjesë nga fjalimi i Shën Nënë Terezës me rastin e marrjes së çmimit Nobel.

Pas vendosjes së kurororave dhe luleve te statuja e Nënë Terezës, ambasadorja e Repulikës së Kosovës ftoi të pranishmit në një kafe rasti për të bashkëbiseduar dhe diskutuar për përdishmërinë aktuale. Me këtë rast u vu në dukje se me datën 11 shtator në qytetin e Ajkës, me iniciativën dhe sponsorizimin e Konsullit të Nderit për Peçin, z. Avni Hauzi do vendoset një pllakë përkujtimore me “Himnin e Nënë Terezës” për nder të përkujtimit të saj.

Është me rëndësi të theksojmë se: nën përkujdesjen e shoqërisë civile, por edhe të znj. Anikó Lévai (bashkëshorte e kryeministrit hungarez, z. Viktor Orban) dhe me iniciativë të Ambasadës Shqiptare në Hungari, në vitin 2011 u inicua një rezolutë në Parlamentin Hungarez, që 5 shtatori të shpallet si Dita e Bamirësisë e për nder të Nënë Terezës. Në këtë drejtim, me iniciativën e Komitetit të Ligjeve të Asamblesë Kombëtare Hungareze dhe me lobimin e rezolutës A/RES/ 67/ 105 nga Ministria e Jashtme Hungareze, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi me konsensus rezolutën A/RES/ 67/ 105, e cila e shpall ditën kur u shua e “Lumnuemja Nëna Terezë” 5 shtatorin, si Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë.  Mbështetëse të kësaj rezolute, e cila u miratua më 17 dhjetor të vitit 2012, ishin 44 shtete nga pesë kontinete dhe Shqipëria ishte njëra nga 44 shtetet që firmosën miratimin e kësaj rezolute. 

Statuja e Nënë Terezës është punuar nga skulptori hungarez Gábor Mihály, skulptor me emër ndërkombëtar, që është edhe fitues i çmimit “Munkácsy” i cili me mjeshtëri dhe ndjesi të veçantë ka modeluar Shën Nënë Terezën si një nënë lutëse, të butë dhe mëshiruese.

Ambasada shqiptare së bashku me Ambasadën e Kosovës dhe anëtarët e komunitetit shqiptar në Hunagri morën pjesë në eventin e bamirësisë që organizuar Minisonaret e Nënë Terezës në Budapest.

******

“Nënë Tereza është e bija e Nikollë e Drane Bojaxhiut, e cila lindi në Shkup, më 26 gusht të vitit 1910 dhe vdiq në Indi më 5 shtator 1997. Ajo ishte fëmija i pestë e familjes, më e vogla, e cila u pagëzua me emrin Gonxhe Anjeze, dhe në moshën tetë vjeç e gjysmë, në vitin 1919, u krezmua në katedralen e “Zemra e Krishtit” n; Shkup, sipas të dhënave zyrtare të Selisë së Shenjtë. Në moshën 18-vjeçare iu bashkua rregullit islandez të Loretos, motrat e të cilit mbanin një stacion misionar në Kalkutë. Më 1946, ajo kërkoi leje të ndërpriste shkollën dhe të punonte në mes të të varfërve në lagjet e qytetit, së cilës i erdhi si një “thirrje e dytë” nga Zoti. Në vitin 1948 u lejua të ndërronte rregullin uniforme të Loretos me sarin e lirë indian, duke krijuar misionarët e dashurisë për të ndihmuar, dashur dhe shërbyer të varfërve. Për më shumë se 15 vjet punë në ndihmë të të varfërve, më 1965, rregulli i Nënë Terezës, “Misionarët e dashurisë”, pranohet si kongregacion papnor nën mbrojtjen e Vatikanit. Ajo tashmë është një rregullatore e lirë. Në vitin 1979, Nënë Tereza merr çmimin “Nobel” për paqe, ku komiteti suedez ka vlerësuar shpirtin, i cili përshkon aktivitetin e Nënë Terezës, çdo krijesë njerëzore për të është e shenjtë, që pa ngurrim i dhuron dashuri. Ndërsa kryetari i Bankës Ndërkombëtare, z. Robert Maknamar, ka deklaruar se Nënë Tereza e meriton shpërblimin “Nobel” për paqe, sepse ajo ngriti paqen në mënyrën më esenciale, me konfigurimin e saj të pacenueshmërisë së dinjitetit të njeriut. Në marrjen e “Nobelit” midis shumë pyetjeve të tjera, ajo iu përgjigj pyetjes së një gazetari sllav: “N. T., ju keni lindur në Jugosllavi… jetoni në Indi… motrat tuaja veprojnë në shumë vende, si e ndieni veten?” Nënë Tereza i është përgjigjur: “Për sa i përket gjakut dhe prejardhjes, unë jam shqiptare, indiane për kah nënshtetësia, motër-murgeshë katolike, për kah thirrja, që i përkas gjithë botës, ndërsa për kah zemra i përkas plotësisht zemrës së Krishtit”.

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 80
  • 81
  • 82
  • 83
  • 84
  • …
  • 206
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PËKUSHTIM XHEVAT KORҪËS
  • Shqiptarët në Philadelphia festuan Ditën e Verës
  • RAKETAT SUPERSONIKE TË SERBISË: SINJAL ALARMI PËR SIGURINË NË BALLKAN
  • MONOGRAFI E RËNDËSISË SË VEÇANTË
  • BALLKANI PERËNDIMOR NDËRMJET ARKITEKTURËS SË PAQES DHE RREZIKUT TË RIFORMATIMIT GJEOPOLITIK
  • Zgjidhja e mençur angleze e Shekullit XIX – Krijimi i Pullës Postare
  • Love Bombing si dukuri digjitale
  • We invite you to join us for the 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • U festua Nata e Kadrit te Komuniteti Mysliman Shqiptaro-Amerikan në Waterbury
  • “VATRA”, “ONUFRI” DHE QENDRA KULTURORE “NËNË TEREZA” PROMOVUAN ROMANIN “BRENGA” TË AUTORIT DR.PASHKO CAMAJ
  • Komunikatë Zyrtare nga Oborri Mbretëror Shqiptar
  • ÚJ IFJÚSÁG (1968) / “PËR TË ARDHMEN DËSHIROJ VETËM NJË GJË : PAQE DHE QETËSI.” — INTERVISTA ME MBRETËRESHËN GERALDINË NË MADRID
  • Sot, 35 vjet nga rivendosja e marrëdhënieve me SHBA
  • Kujtojmë në ditën e lindjes Faik Konicën, një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare
  • Lamtumirë Jürgen Habermas, një prej ndërgjegjeve më të mëdha të Evropës moderne

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT