• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË VËMENDJE: 106 VJETORI I VRASJES SË HEROIT ISA BOLETINI

January 24, 2022 by s p

NGA  NDUE  BACAJ

Me 23 janar 1916 ,vritet pabesisht në Podgoricë , mbi Urën e Moraçës bashkë me shtatë trima  të  tij Isa Boletini. Vritet trimi i kosoves , kreshniku i shqiptarisë dhe armiku i sllavisë. Nga kujtimet  e  deshmitarit  të vetëm të  shpëtuar gjallë, (Tafil Boletinit, nipit të   Isës), vrasja e Isës me shokët e tij të shqiptarisë do të ndodhte ato ditë kur Mali i Zi ishte pushtuar nga perandoria Austro-Hungareze, ndaj kasneci lajmëronte: pushtet ma  s’ka , gjithkush  nëpër shpija. Ushtria austriake ka hi në qytet. Xhandarmëria po mban qetësinë deri në dorëzim. Ajo detyrë i ishte ngarkue major Savo Pjetri -Llazareviç me dy batalione xhandarë. Ky kriminel i njohur sllav  me këta xhandarë që quheshin “krillash” (me krahë), ka pasë  tmerrue me masakrime e vrasje, djegie, plaçkitje e me çdo lloj torturash barbare rrethet e Pejës, Gjakovës, Plavës e Gucisë, terror që shumë breza s’kanë me e harrue dhe historia kurrë…. Këtë xhelat populli shqiptar i atyne trojeve e njehë  me emrin Savë Batarja, që e kishte fitue tue ba batare… Në ato moment mbërrin axha, po tue qenë ura në bërryl të rrugës nuk shifesh gja deri sa ka hip në urë. Me të hypë axha Isë në urë jepet shenji: Qe ky asht vetë Isa Boletini! Dhe prapa e nxanë urën. Kështu axha me Jonuzin me shokë rrethohen në hallkë. Oficeri komandues me za të naltë urdhëron : Predajte oruzhje! (Dorëzoni armët!). Axha Isa: Jo besa, kurrë  s’ia  kam dorëzue as mbretit, as kralit! Nagantin e mbante para dhjetçes.  E para pushkë nga malazezët ka qenë e Pero Buriçit nga Vasoviçi. Në flakë të ksaj axha Isa me shokë iu bijnë atyne përqark. Edhe Jonuzi ka pasë dy revolverë, nagant e dhetçe. Krejt i kanë zbrazë, ndonëse të rrëzuem prej plumbave deri sa iu ka ra edhe me bomba dore. Çuni i axhës Isë, Halili, përveç revolverit iu ka ra edhe me bombën që ia pat marrë Niko Xhandarit…Në ketë betejë  të pabesë u vra Isa Boletini dhe shtatë shqiptar nacionalist të tjer :

1. Isa  Boletini

2. Halil  Isa  Boletini  (djali i Ises) 

3. Seit  Isa   Boletini  ( djali  i Ises )

4. Jonuz   Boletini      (nipi i Ises)

5. Halil   Boletini        (nipi i  Ises)

6. Hajdar  Selim  Radisheva

7. Idris  Bislimi 

8. Misin  Nimani 

(Sipas kujtimeve të  deshmitarit  të vetem të  shpëtuar gjallë, Tafil Boletinit, nipit të   Isës. Kujtime të cilat i  përgatiti për botim prof. dr. Marenglen Verli, Botimpex, Tiranë 2003). Është interesant se në vitin 1958, Milovan Gjilasi (komunist malazez) boton  në New York librin me kujtime, me titull: “Land Without Justice” (Tokë pa drejtësi). Në kë libër ai thotë se Isa Boletini është vrarë nga Nikolla Gjilas, (babai i Milovan Gjilasit), ndërsa Nikollën, vrasësin e Isa Boletinit e kanë vrarë në vitin 1943 “fashistet” shqiptare…

PAK NGA JETËSHKRIMI I HEROIT TË POPULLIT ISA BOLETINI 

Isa Boletini kishte lindur me 15 janar 1864 dhe megjithse nuk ka pasur moshen të jenë as  pjesmarres dhe as protagonist i kuvendit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878), ai  shquhet si luftetar trim që në moshen 17 vjeç (1881) , në radhet e ushtrisë të organizuar nga Lidhja e Prizrenit. Trimëria e heroizmi i Ises tregohet në dhjetra beteja në mbrojtje të trojeve shqiptare kundër fqinjeve serb e malazez që me bekimin e Europes plakë kerkonin të grabisnin sa më shumë troje shqiptare ,shpesh të lena hali nga pushtuesi shekullor turko-osman. Perandoria pushtuese turke-osmane duke  njohur trimerinë dhe aftesinë e luftetarit  trim Isa Boletini me 1902 i beson  detyren e komandantit të “Rojeve shqiptare” të Sulltan Abdul Hamid II (1876-1909) në Stamboll. (Kjo detyrë që sot mund të krahasohet me atë të komandantit të gardës që ruan drejtuesit më të lartë të shtetit N.B.)… Isa Boletini qëndroi në këtë detyrë deri në nëntor të vitit 1908, kur ai i dhá përkrahjen Revolucionit xhonturk. (Robert Elsie, Fjalori Historik i Shqipërisë, fq.126-127, sh.b. Uegen 2011). Isa Boletini ishte edhe një nga organizatorët e Kuvendit të Ferizajve (1908) që luajti rol të rëndësishëm në shpalljen e Kushtetutës. Kur xhonturqit nuk i mbajten premtimet Isa Boletini iu kundërvu politikës antishqiptare të xhonturqëve. Pas kesaj Isa Boletini do të ishte luftëtari trim më  i shquar i Kosoves e më gjërë për çeshtjen kombëtare shqiptare. Vlen të cilësohet se në nëntor 1908, kur Xhavid Pasha dërgoi një ushtri me 7000 ushtarë drejt Shqipërisë për të nënshtruar Kosoven, Isa Boletini me një grusht burrash i bëri qëndresë të fortë. Në tërheqje e sipër, trupat turke dogjën kullen e familjes së tij në shenjë hakmarrjeje. Më 1909 udhëhoqi betejat në Prishtinë, Prizrën e gjetkë dhe luajti rol të rëndësishëm kryengritjen e përgjithshme (të Kosovës) në pranverë 1910, kur për dy ditë bllokoi përparimin e forcave turke në Cerelavë, midis Ferizajt dhe Prizrenit. Gjatë luftës  Ballkanike më 1912, u vu në krye të çetave të armatosura në Kosovë dhe më pas në Shqipëri. (Robert Elsie, po aty, fq.127). Isa Boletini udhehoqi  mijera luftatar trima në mbrojtje të trojeve shqiptare si kundër perandorisë turke dhe kundër lakmive të shoveneve fqinjë. Isa Boletini ishte një nga atdhetarët më të shquar per trimeri dhe urti. Ai ishte edhe një mik i madh i kryetrimit të Malesisë e shqiptarisë Dedë  Gjon Luli , me të cilin bashkepunoi edhe në kryengritjen antiosmane të vitit 1911. Isa Boletini diten e shpalljes së  Pavaresisë të Shqiperisë (28 nentorit 1912) , megjithë luften titanike të tij dhe trimave të tij per të arritur kete ditë , ai per aresye të pengesave që dihen nuk ka arritur të vijnë në Vlorë, por ka mberritur një ditë më vonë (me 29 nentor 1912).. Gjithsesi ai sapo mberriti në Vloren e shpalljes së Pavaresisë mori detyren e shenjtë të organizimit të forcave të armatosura  per mbrojtjen e Qeverisë së Perkohshme të Vlores.. Isa Boletini edhe pas shpalljes së pavarësisë ishte protagonist i shumë betejave në frontin e luftes dhe diplomacisë ku mbroheshin interesat e Shqiperisë së pavarur.. Proverbiale ka mbetur ajo e Londres 1913 kur  Baca Isë , shkonte me delegacionin shqiptar në Londer të takonte Eduard Grejin, (ministër i Jashtëm i asaj asokohe i Britanisë), dhe  roja i kërkoi Ises  me xhentilesë që të dorëzonte revolverin. Isa u bind pa fjalë. Pas bisedimeve Grej, si një anglez i vërtetë bëri shaka: Nesër gazetat do të shkruajnë se atë që nuk e bëri dot ushtria e pamatë osmane, e bëra unë. Isa Boletini u çarmatos vetëm në Londër! Ndersa  Isa i është përgjigjur: Jo besa, as në Londër ! Dhe ka nxjerrë një tjetër revolver që e mbante diku fshehur.. (Edwin Jacques, SHQIPTARËT,Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditën e sotme, fq.377, botim nga fondacioni Abraham Linkoln, Tiranë 1995). Për veprimtarinë e tij atdhetare, kur në pushtet erdhen komunistët e vlersuan “disi” Isa Boletinin, ndonse  më shumë për reklamë, pasi  në nëntor 1943 në Shkodër njësiti guerril (komunist) i qytetit i drejtuar nga Vasil Shanto… i kishte vra djalin, Adem Boletinin. (Kujto.al). “Interesant” mbetet pergjigja e Enver Hoxhës kur ia raportuan shoket e tij se e kishin vra “gabimisht” djalin e Isa Boletinit, kur ai do t’u thoshte: “Epo, më mirë që u vra kështu tani se na ishte dashur ta vrasim më vonë, pasi edhe ai si babai i tij, Isa , do të na kërkonte që Kosova të mos mbetej nën vëllezrit tanë komunist të Serbisë e Jugosllavisë moter…

“HISTORI  RRUGËTIMI  I  ISA BOLETINIT PAS VRASJES”!: 

“Rrugëtimi” i trupit apo eshtrave të Isa Boletinit pas vrasjes, nga shkjetë serbo-malazez në priten e pabesë ka pasur një kalvar jo të zakonshën deri në vitin 2015..  Pas vrasjes, trupi i tij u varros në Potgoricë.Varrin me trupin (eshtrat) e Isa Boletinit i ruajtën trojet  Iliro-Shqiptare (edhe pse nën shkja)  deri në vitin 1989 , kur këta eshtra u derguan provizorsiht në Prizren. Nga Prizreni eshtrat e Isës të futura në një arkë e të mbeshtjellura me një thes  u derguan në Mitrovicë , ku u “varrosen” fshehurazi në oborrin e xhamisë.. Në vitin 2004 qeveria e Kosoves mori një vendim që eshtrat e Isa Boletinit të varroseshin në vendlindjen e tij ,te kulla Boletin ,në kodren e Sokolicës , në Mitrovicen e Veriut …Vitet kaluan dhe ky varrim nuk u bë , ndersa  qeveria e Kosoves kishte  kumtuar (perseri pas dhjetë vitesh) se me 28 nentor 2014 do të behej varrimi i eshtrave të Isa Boletinit , por perseri asgjë  dhe eshtrat mbeten në oborrin e xhamisë… Ndersa shteti Shqiptar në vitin 1974  në varrezat e dëshmorëve të “Bajram Currit” në mes varreve të ketij rrethi nderton edhe një varr (bosh) me emrin e Isa Boletinit, si dhe më vonë  në Shkodër do të  ndertonte shtatoren “gjigande”e cila  qendron hjishëm edhe sot).. Varrimi cermonial  i eshtrave të Isa Boletinit në vendlindje (Mitrovicën e Veriut) u bë  vetem me 10 qershor të vitit 2015.  Në këtë vëmendje nuk po mundem të lê pa kujtuar se në kohen që diskutohej për varrimin e eshtrave , aty ku u varros (në Mitrovicën e Veriut më 2015), kryeministri jonë Edvin Kristaq Rama, miku për kokë i ministrit të (dis)informacionit të Millosheviçit serbomadhit Aleksandër Vuçiç (president i Serbisë), kërkonte me ngulm që eshtrat e Isa Boletinit të Varroseshin vetëm në Vlorë pranë atyre të Ismail Qemalit. Këtë kërkesë e “lidhte”  me kontributin e Isa Boletinit në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë me 28 nëntor 1912. Në atë kohë unë isha nga ata shqiptarë që me shkrimet e mia publicistike modeste e kundështova, pasi Isa Boletini sikur ka qenë përsëgjalli luftëtar trim e piramidë e gjallë e trojeve etnike të Kosovës e Shqipërisë, varri i tij në Mitrovicën e Veriut duhet të ishte piramidë e perjetshme në roje të këtyre trojeve etnike dardane-shqiptare, përballë shovenëve serb… Kerkesen e kryeministrit Edi Rama e kundershtuan edhe shumë intelektual, familjarë të Isës,  penda të shquara shqiptare, por mbi të gjitha e kundershtoi qeveria e asaj kohe e Kosovës, e cila organizoi cermoninë e varrimit në vendlindjen e Isës , Mitrovicën e Veriut. Në atë kohë nuk më ka shkuar mendja, se kerkesa e Edi Ramës ka qënë një djallëzi (me dashje apo padashje), e gatuar në “guzhinën” serbe të antishqiptarisë. Sot Vuçiçit, mikut për krye të Edi Ramës, me “Ballkanin e Hapur”, nuk i ishte dashur as ky  simbol i pavdekshëm shqiptarie në Mitrovicën e Veriut … 

Gjithsesi nga viti 2015 varri i Isa Boletinit  do të qendrojë në përjetësi si “piramidë” e gjallë në mbrojtje  të  trojeve etnike shqiptare , per të cilat  dhe jetën si me lindë Isa Boletini.. Trojet shqiptare nuk kanë mbetur kurr  pa kreshnikë atdhetarie në votër . Një nga këta kreshnikë atdhetarie (ndër më të medhenjtë e gjitha kohrave të historisë sonë) është Isa Boletini , i cili sa ishte gjallë nuk iu a ktheu  kurr shpinën trojeve  shqiptare të Mitrovicës e Kosoves , por edhe pas vdekjes ai ka lënë amanet që kurr  të mos jua kthej shpinen , ndaj “ndertimi” i një varri  madhështor  në vendlindjen e tij , Mitrovicen e Veriut është edhe  mbajtja e ketij amaneti, që  ne shqiptaret kemi thënë e vertetua se amanetin e mbanë edhe toka.

Isa Boletini ndonse u vra fizikish para 106 viteve ,vepra e tij atdhetare  nuk mund të vritet as për mijëra vite, deri sa të  ketë shqiptari mbi  planetin tokë… 

Shqipëri, Malësi e Madhe me 23 janar 2022.

Filed Under: Rajon

KUR “ARNAUTISTANI” DIGJEJ PERANDORIA TURKE-OSMANE KRIHEJ

January 22, 2022 by s p

Në përkujtim të 160 vjetorit të luftës së Kërnicës (17 janar- 23 shkurt 1862). 

NGA NDUE BACAJ

“HYRJE” 

Në përgjithësi historia jonë ka shkruar më shumë për luftrat e kryengritjet që shquhen për fitore të të parëve tanë mbi armiqtë pushtues apo grabitqarë të trojeve tona ndër shekuj. Ndërsa unë në këtë shkrim të shkurtër historik dua të bëj disi të kundërtën. E them të kundërtën pasi dua të përkujtoj 160 vjetorin e një luftë të përbashkët të Malësorëve, Shkodranëve, Ulqinasve, Krajanëve dhe Dukagjinasve,  të cilët megjithëse luftuan heroikisht në mbrojtje të trojeve tona, ata e humbën këtë betejë të përgjakur mbrojtëse të lirisë nga invazionet sllave të Malit të Zi… Kjo betejë luftarake e “humbur” njihet “pak” në analet e historisë si Lufta e Kërnicës. Lufta e Kërnicës vjen fill pas gjëmimit famëmadh që tronditi jo vetëm sarajet e pushtuesit shekullor Otoman që tashmë kishte filluar të lëngonte, por mbi të gjitha pallatet e Kralit të Malit të Zi, e pse jo edhe të Europës së përgjumur. Ky gjëmim vinte nga kulla e Vraninës me në krye Oso “barotin”, Kuken me trimat e “tij” malësorë e shkodranë…  Po në atë kohë Mali i Zi dhe fqinjë të tjerë kishin filluar të marrin zemër për dy arsye, së pari se Europa nën “syzet” e fuqishme të Rusisë e ndonjë fuqie tjetër europiane, vendosnin vija e hije në trojet tona për të “ngopur” pangopësinë e Sllavëve, dhe së dyti, fuqia e pushtuesve  shekullorë Turko-Osman  kishte filluar të lëkundej e gati të shembej për tokë nga pesha e pushtimeve, keq-qeverimeve e krimeve shumëshekullore që kishin ushtruar mbi Shqipërinë e më gjerë. Në këto kushte perandoria turke-osmane që mbante të pushtuara prej shekujsh trojet shqiptare, për të “shpëtuar” diçka nga vehtja , bënte “sehirë” para krimeve e pushtimeve të fqinjëve shoven-sllav  që donin të grabisnin sa më shumë nga trojet etnike shqiptare…

LUFTA E KËRNICËS 17 JANAR -23 SHKURT 1862… 

Si datë e fillimit të luftës së Kërnicës njihet 17 janari i vitit 1862, luftë që zgjati “periodikisht” deri me 23 shkurt 1862, kur Malazezët e pangopur kishin pushtuar Kërnicën tërësisht shqiptare, si me popullsi dhe territor. Këto troje shqiptare të pushtuara nga malazezët, në të ardhmen donin t’i përdornin edhe si pikë strategjike për pushtime të tjera të trojeve shqiptare. Lajmi i pushtimit të Kërnicës  u përhap si rrufeja, në formën e një kushtrimit që e dëgjoi jo vetëm Shkodra e Malësia, por edhe Ulqini, Kraja, Dukagjini e më gjerë. Madje për të shkuar për të luftuar për çlirimin e Kërnicës u grumbulluan menjëherë 500 vullnetarë që përbëheshin momentalisht nga Shkodranë, Malësorë e Ulqinakë të cilët, pa vonuar e pa marrë parasysh rreziku u nisën në 40 lundra që tërhiqeshin nga një avullore e kohës. Duhet sqaruar se pushtuesi shekullor turko-osman ju kërkua ndihmë nga vullnetarët për të çliruar e mbrojtur trojet shqiptare, që njëkohësisht “njiheshin” si  trojet e “vetë” perandorisë turke-osmane. Por ndihma ishte thuajse zero, madje shpesh kjo perandori e të keqes për të shpëtuar veten ishte gati të falte pjesë të “sajë”. Gjithsesi shqiptarët e këtyre trojeve që kishin kundërshtuar me armë në dorë edhe vetë pushtuesin turko-osman, ishin gati të mbronin me çdo çmim çdo pëllëmbë të trojeve të tyre, që Zoti jua kishte falur që herët kur krijoi njeriun mbi tokë. Tashmë këto trima pasi lundruan për disa kohë zunë vend në katundin Shestan, ku edhe do të përgatiteshin për të çliruar Kërnicën e pushtuar. Por Malazezët me të marrë vesh sulmuan vetë Shestanin, duke shkaktuar për një ditë mjaft gjak e mjerim si ndër 500 burrat luftëtarë të lirisë të trojeve shqiptare, por edhe në forcat e tyre të shumta. Sipas kronikës së M.Sirrit, në “Almanaku Shkodra” e vitit 1962, fq.143, (Cituar  nga “Shkodra dhe Motet, vll.I-rë”, fq.415-420 të Hamdi Bushatit,”Mësues i Popullit”, botim i vitit 1998), janë të shënuar si luftëtarë të rënë dëshmorë: Hysen Rrjolli, Zenel Egçi, Salih Ishaku, Oso Verçana dhe 20 vetë (pa emra) nga Kopliku. Mjerisht këta trima Malësorë që derdhën gjakun për lirinë e këtyre trojeve nuk kanë askund emrat e tyre që meritojnë shumë më shumë se kaq. Pas kësaj beteje në Shestan forcat Malazeze u thyen dhe u tërhoqën në Kernicën e pushtuar. Gjatë këtyre ditëve të tmerrshme në Shkodërlocen u grumbulluan mbi 600 luftëtarë të tjerë të cilët ishin nga Shkodra e Dukagjini. Kjo forcë luftëtarësh tashmë komandohej nga Hasan Hoti, por pa vonuar nga viset e sipërshënuara shqiptare do të mblidheshin vullnetarë të tjerë, të cilët do të niseshin për çlirimin e Kërnicës së pushtuar. Me të mbërritur afër Kërnicës u ndez lufta në mes vullnetarëve Shqiptarë dhe pushtuesve Malazezë, ku duhet shënuar se kjo luftë ishte disi e pabarabartë, pasi Malazezët ishin më të organizuar ushtarakisht, ishin me armatimet më moderne, të fortifikuar në pozicionet e tyre, por edhe shumë më të shumtë në numër. Gjithsesi beteja ishte tepër e ashpër, por trimat shqiptarë luftuan me heroizëm të pashoq, deri edhe trup më trup, shpatë me shpatë e bajonetë për bajonetë. Për fat të keq shqiptarët me gjithë trimërinë e tyre në këtë betejë të pabarabartë humbën mjaft luftëtarë të lirisë gjatë luftimeve, por edhe u zunë robë nga Malazezët mjaft të tjerë, duke përfshirë edhe vetë Hasan Hotin… Madje nga gojëdhënat që përmend Hamdi Bushati tek “Shkodra dhe Motet” vll.I-rë ,thuhet që robër u zunë rreth 600 luftëtarë vullnetarë shqiptarë, si dhe ranë duke luftuar në fushën e betejës rreth 500 vullnetarë të tjerë  shqiptarë. Madje në këto shkrime të tij (H.B.) theksohet se sipas kronikës të M. Sirrit u janë prerë kryet e marrë kokat nga malazezët plot 105 shqiptarëve. Disfata e luftëtarëve shqiptarë shkon aq larg sa thuhet se shpëtuan nga zënia rob apo nga vdekja fare pak, e ndër këta thuhet se ishin Halil Kopliku dhe Çun Mula i Hotit. Po në këtë kronikë (kronika e M. Sirrit) shënohen emrat e këtyre  dëshmorëve të rënë nga Shkodra në këtë luftë: Abdylla Agë Drishti, Hysen Begu i Beqir Begut, Hasan Beg Ulqini, Hyso Bordullaku, Jusuf Djepaxhia, Man Hil Hoxha, Salo Cani, Fetah Salo Texhali, Taro Dragusha, Gush Kruja (nipi i Can Krujës), Abdyl Rama, Kaso Shkreli (vëllai i Dasho Shkrelit) e tjerë.  Në këtë betejë shkruhet se u dalluan malësorët trima për të cilët ka një listë emrash me dëshmorë e të plagosur vetëm nga Bajraku i Hotit të cilët janë marrur nga regjistrat e famullisë, (dhe të shenuar nga Hamdi Bushati në “Shkodra dhe Motet”vllimi I-rë ), të cilët cilësohen se kanë rënë në fushën e betejës si dëshmorë të lirisë: Lekë Ulja,  Mirash Martini, Prelë Marku, Tomë Luli,  Gjokë Martini, Gjon Ujka,  Shyt Preçi,  Prekë Mark Luci,  Vas Bardhi. Ndërsa të plagosur në këtë luftë janë të shënuar trimat: Pjetër Pali, Prelë Marashi, Ulë Martini, Marash Gjeloshi, Mirash Hasi, Tomë Gjoni, Gjeto Preçi, Lulash Vuji, Prek Nik Vuli, Gjeto Preç Doka, Prelë Mark Toma dhe Lucë Marku. “Ndahen” për trimni në këtë luftë kundër Malazezëve Lan Ula i cili ka pre tre krena Malazezësh, pastaj vijnë Marash Ula që ka pre një krye (malazezi), Gjelosh Nika që ka pre një krye (malazezi), Lekë Ula që ka pre një krye malazezi (para se të plagosej), Gjon Nika që ka pre një krye malazezi dhe ka marrë bajrakun, Marash Daka ka pre një krye (malazezi), Lekë Pëllumbi ka pre një krye (malazezi), Prelë Preka ka pre një krye (malazezi), Marash Leka ka pre një krye (malazezi), Dedë Vuji ka pre një krye (malazezi), Tomë Pashani ka pre një krye (malazezi), Prekë Gjeloshi ka pre një krye (malazezi), (Hamdi Bushati ; Tomë Preçi ka marrë një krye (malazezi), Nikë Miculi ka marrë një krye (malazezi). (Hamdi Bushati,Shkodra dhe Motet,traditë, ngjarje, njerëz… Vll. I. Fq.417-418). Gjithsesi gojëdhënat trashëgohen edhe për trimërinë e luftëtarëve Krajanë e Dukagjinas, që dhanë jetën apo u plagosën e tjerë, por mjerisht pa asnjë emër konkret. Gjithashtu në këto gojëdhëna apo shkrime duke përfshirë edhe ato të kronikës të M.Sirrit e Hamdi Bushatit që i cituam më sipër, “tregohet” edhe për trimërinë e shqiptarëve Ulqinakas, ku emri i trimit në krye të Ulqinasve Mustafa Broçit, tregohet edhe sot si legjendë, ku thuhet se pasi luftoi me Malazezët dhe preu disa koka të tyre, erdhi momenti dhe këtij trimi ia prenë kokën Malazezët, por edhe kështu me kokë të prerë ka ecur plot shtatë hapa të tjerë… Përmendet për trimëri Ceno Begu i cili u printe Ulqinakëve, por edhe trimat Daut Pelinku dhe Halil Beci e tjerë. Por edhe pas kësaj lufte që mund të quhet e humbur, Shqiptarët- Malësorë, Shkodranë, Ulqinakë, Dukagjinas e tjerë nuk e humbën zemrën e trimërinë për t’u dalur zot trojeve të tyre etnike, ata edhe pas kësaj zhvilluan beteja të tjera në mbrojtje të trojeve shqiptare që perandoria turko-osmane tashmë i kishte lënë “hali”, ndërsa Europa i kishte nxjerrë në Ankand… Gjithsesi Malazezët e tjerë pas kësaj morën disi “zemër” nga beteja e “fituar” e Kërnicës të cilët edhe pse e kishin paguar mjaft shtrenjtë, nuk u “ngopën”, në grabitjen e trojeve shqiptare, duke detyruar kështu shqiptarët Malësorë, Shkodranë, Ulqinakë, Dukagjinas e më gjërë të zhvillojnë dhjetëra beteja të tjera që vazhduan nga Shestani, Muriqi, Palva, Gucia, Tivari, Hoti, Gruda, Ulqini, Shpuza, Kosova e tjera troje të Shqipërisë Etnike e asaj “londineze”. Mjerisht disa nga këto treva që përmenda më lart Europa që kishte forcën por jo të drejtën ia “fali” për zgjerim Malit të Zi, Serbisë, “Maqedonisë” e tjerë, e një ndër të parat “viktima” që “bekoi “ në gojën e ujkut sllav Europa plakë ishte edhe Kërnica e përgjakur e cila tashmë ka pësuar fatin tragjik (druar) pa kthim, duke u bërë pjesë e Malit të Zi, ku sot kjo trevë dikur shqiptare banohet nga jo pak malazezë ardhacakë pas vitit 1862, ose nga ata të paktë banorë shqiptarë që në kushtet e mbijetesës dalëngadalë u sllavizuan, duke humbur jo vetëm emrin, besimin, gjuhën, por mbi të gjitha, fatkeqësisht me shumicë edhe ndërgjegjen se janë pjesë e trupit dhe gjakut shqiptar që rrinë tuj vlue… 

Filed Under: Rajon

Presidenti Meta, vizitë dhe ligjëratë në ITShKSh të Shkupit

January 12, 2022 by s p

Shkup, 11.01.2022 – Sot Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, e vizitoi Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta, i cili para studentëve të universiteteve shqiptare mbajti një ligjeratë me temën “Shqiptarët në mijëvjeçarin e ri – sfidat dhe perspektivat”.

Presdenti Meta në fjalën e tij veç tjerash tha se shqiptarët duhet gjetur të gjitha format dhe mundësitë për bashkëpunim të ndërsjellë në rajon, duke i këmbyer aseset kulurore, shkencore dhe ekonomike, për t’u bërë ballë sfidave që na presim në këtë mijëvjeçar të ri. Sipas tij, për të gjithë shqiptarët është shumë e rëndësishme që bashkërisht të punojnë që në këto hapësira të mbisundojë ligji, vlerat evropiane dhe euroatlantike, demokracia dhe bashkëjetesa me të gjitha komunitetet, për të pasur një prosperitet dhe stabilitet të garantuar. 

Drejtori i Institutit, Skender Asani, tha se në këtë kohë kur regjistrohen trende shqetësuese të ikjes së të rinjve nga vendi, nga këto duam të përcjellim porosinë deri te politikbërësit që të kenë kujdes më të shtuar ndaj rinisë, e cila duhet të ngelet këtu për të vepruar për vendin tonë. 

Paraprakisht, Presidenti Meta bashkë me delegacionin e Departamentit të Trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Tereza pranë ITShKSh-së, vendosën lule pranë pllakës përkujtimore ku gjendej shtëpia e Gonxhe Bojaxhiut në sheshin e Shkupit. 

Filed Under: Rajon

NGRITJA E PERANDORIVE TË REJA

December 29, 2021 by s p

Nga ANGELO PANEBIANCO – “Corriere della Sera”, 15 dhjetor 2021 – Përktheu: Eugjen Merlika

Nëse ndërlikimet e asaj që mund të ndodhë të mos ishin shumë serioze, do të duhej të buzëqeshnim duke kujtuar një fjali të njohur: “po arrin revolucioni dhe nuk kam asgjë për të vënë”. Në janarin e vitit t’ardhshëm, ose mbas pak javësh, do të jemi mjaft këtu n’Evropë duke pritur pa frymë ngjarjet. Rusia, që ka grumbulluar një sasi të madhe trupash në kufi me Ukrainën mund të vendosë t’a mvatojë me qëllim të pushtojë Kievin. Biden-i, NATO-ja, madje edhe Bashkimi evropian po tregojnë fytyrën e tyre të ashpër e, edhe se përjashtojnë përdorimin e forcës, kërcënojnë Putinin me sanksione tejet të rënda. A do të mjaftojë? Ndërkaq presidenti rus nxjerr në fushë të gjitha mjetet që ka, armët por edhe kërcënimin energjitik kundrejt një Evrope që nuk ka menduar të pakësojë vartësinë e saj nga gazi rus në vite në të cilët kishte mundësi. Me që ra fjala, mund të vërehet se edhe nga kjo pikpamje, jo të gjithë n’Evropë jemi vlerësues entuziastë të Anxhela Merkelit e të trashëgimisë së saj politike. Ndoshta kriza ukrainase mund të kalohet (përkohësisht), duke gjëndur një marrëveshje mes Rusisë dhe perëndimorëve që të bëjë të mos humbin faqen asnjëri. Mbetet fakti që, n’atë krizë edhe ne evropianët e Bashkimit jemi të përzjerë. Pikërisht ne që deri pak kohë më parë, zbaviteshim me formula të tipit ”Evropa e qytetëruar”, duke përfytyruar se nuk do t’arrinim kurrë më të bënim llogaritë me rregullat e ashpra të politikës së forcës. 

Nga çështja ukrainase mund të nxirren që tani mësime të ndyshme. I pari është që bëhet fjalë për një pasojë të rënies (relative) të fuqisë amerikane, pa të cilën vështirësisht Putini do t’ishte zotuar në një të tillë belegu me perëndimorët. Edhe ai pothuajse dështim i “takimit të demokracive”, aq të dëshirur nga Biden-i, është një shenjë e humbjes së autoritetit, pra të fuqisë së Shteteve të Bashkuara. Një mësim i dytë ka të bëjë me ndërvartësinë e ngushtë, në një botë tashmë shumëkahëshe, ndërmjet zonave të ndryshme të krizave që pështjellojnë interesat jetike të fuqive të mëdha. Sigurisht kinezët nga kriza ukrainase mund të nxjerrin tregues për të kuptuar se çfarë do të bënin amerikanët nëse e kur Kina të vendoste të mësynte Taivanin. Një tjetër mësim ka të bëjë me qëndrimin e perandorive të rilindura (Kina) ose që synojnë të rimëkëmben (Rusia). Nga kjo pikpamje ka një ngjajshmëri të dukëshme ndërmjet dëshirës ruse për të rimarrë Ukrainën dhe asaj kineze për të pushtuar Taivanin. Njimendësia perandorake, përfytyresa që perandoria ka për vetëveten, është e dëmtuar nëse ajo nuk merr kontrollin e plotë të  territoreve të zotëruar prej saj në shekujt e shkuar (aq më shumë nëse, si në rastin e Kievit, kanë për perandorinë një vlerë të madhe simbolike), n’atë kohë t’artë në të cilën ajo gëzonte rëndësinë e shkëlqimin më të madh. Përballë kësaj kërkese asnjë argument që mund t’i kundërvihet e që ka për bazë parimet e pavarësisë e të sovranitetit kombëtar (të Ukrainës e të Taivanit) ose çështja e të drejtave njerëzore (të ukrainasve, të taivanasve apo të kujtdo) nuk ka asnjë vlerë. Siç është parë së fundi në Hong Kong. 

Ka së fundi dhe një mësim që lidhet me ne evropianët që pikërisht tani nuk kanë asgjë për të vënë. Mbas tërheqjes rrënuese amerikane nga Kabuli edhe më hutaqët kanë kuptuar se për Evropën mbaslufta e gjatë (mbaslufta e Dytë botërore) është me të vërtetë e mbaruar, që mbrojtja amerikane nuk është më një fakt i sigurtë, që ka një problem jetik të sigurisë evropiane. Por çfarë duhet të bëhet e si do të bëhet? Për shëmbull, jemi nën kërcënimin energjitik të Rusisë. Mbas jo shumë kohe, kur gazsjellësi North Stream 2 do të hyjë në veprim (ndalesa e tanishme vështirësisht do të bëhet e përherëshme) aftësia  e ndikimit rus mbi evropianët do të shtohet më shumë. Brukseli papritmas u zgjua dhe propozon masa për të pakësuar vartësinë energjitike nga Rusia brënda 2030. E ndërkaq? Cilido qoftë përfundimi i krizës ukrainase, është e sigurtë që trysnia e Rusisë mbi Evropën, përpjekja për të kushtëzuar vendimet, do të rritet në vitet e ardhëshme, në lidhje të drejtpërdrejtë me dobësimin e Shteteve të Bashkuara.  

Është e dukëshme papregatitja evropiane për të bërë llogaritë me revanshizmat e sotme perandorake (jo vetëm të fuqive të mëdha). Për të marrë një shëmbull nga shtëpia e jonë e që ka të bëjë me interesat tona jetike, i kemi lejuar otomanëve (Turqia) të rimerrnin Tripolitaninë një shekull më mbrapa mbasi pikërisht Italia u a kishte hequr nga duart e tyre (më 1912), pa patur Vëndi vetëdijen e plotë t’asaj që ka ndodhur. Shumë bujare nga ana e jonë. Mesdheu po bëhet një det i zotëruar nga rusët e turqit, por problemi nuk e shqetëson aspak opinionin tonë publik apo atë të Vëndeve të tjera evropiane. Thuhet: Evropa duhet të ketë sa më shpejt mbrojtjen e përbashkët. E përsosur. Por a jemi të sigurtë se Evropa e ka kuptuar me të vërtetë? Presidenti francez flet. Por në sfond është gjithmonë kujtimi i Madhështisë franceze. Me të vërtetë, n’emër të mbrojtjes së përbashkët, Franca do t’i lejonte kontrollin mbi armët bërthamore një organizmi të përbashkët evropian? Të kujtojmë se Makroni me gjasë do të matet në votimet e ardhëshme presidenciale, me një kandidate goliste. Përjashtohet që në kohë të shkurtëra të mund të kryejë veprime kaqë bujare. Për arsye të ndryshme, as evropianët e tjerë nuk duken të përgatitur psikologjikisht e moralisht, të ndryshojnë zakonet e vjetra (të formuara në një botë që nuk është më). Hamendësohen, edhe në temën e mbrojtjes, bashkëpunime të përforcuara, madje të drejtuara nga një pakt ndërmjet Francës, Gjermanisë dhe Italisë. Por nuk është aspak e sigurtë që palloi, Franca me mbeturinat e saj të Madhështisë), lopa e butë dhe e shëndoshë (Gjermania)  dhe kameleoni (Italia) mund të jenë në gjëndje të zotohen me të vërtetë në një sipërmarrje të tillë.

Ndërkaq, kërcënojnë krizat e rrezikëshme, si ajo ukrainase, që do të mundnin nga një ditë në tjetrën të ndryshonin pritmëritë e Evropës. Kur nuk ka çadra mund vetëm të shpresohet të mos bjerë shi. Së paku jo së shpejti.

“Corriere della Sera”, 15 dhjetor 2021    Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Rajon

E ardhmja nuk mund të jetë banaliteti

December 20, 2021 by s p

Agim Baçi

Ka pak nga ata që besojnë sot se mund të ndryshojnë diçka në përditshmërinë e tyre, e aq më pak në shoqërinë ku jetojnë. Pjesa më e madhe besojnë se janë të pafuqishëm të përballen me manipulimin që vjen nga televizioni, nga politika, nga frikërat prej të këqijve apo nga drogat dhe joshjet e ndryshme. Sipas filozofit spanjoll, Fernando Savater, pjesa më e madhe mendojnë sipas logjikës: “Meqenëse nuk jemi të lirë, nuk kemi faj për çka ndodh…”.Është pikërisht kjo filozofi që ka rritur numrin e kurrizulurve, kokëtundësve, e gjithë të tjerëve që presin diçka vetëm nga të tjerët, pa besuar se ndryshimi nis pikërisht nga vetë ata. Filozofja Hannah Arendt solli në vëmendje “banalitetin e së keqes” (1963), duke iu referuar rastit të gjeneralit të SS-së dhe Drejtorit të Zyrës për Çështjet e Hebrenjve, Adolf Eichmann, i cili gjatë procesit gjyqësor rrëfeu se ishte sjellë si një burokrat i bindur pa u thelluar në pasojat e veprimeve të tij që çuan miliona hebrenj drejt shfarosjes.Në analogji të njëjtë me Eichmann u sollën thuajse në këto tridhjetë vite gjithë bashkëpunëtorët e ish-sigurimit apo hetuesit e ish-regjimit të Enver Hoxhës, teksa kanë deklaruar rëndom se “ashtu ishte koha dhe se ata zbatuan vetëm ligjet e kohës”. Një gënjeshtër e rrëzuar nga shumë dëshmi të të mbijetuarve nga burgjet dhe internimet, të cilët kanë rrëfyer se si një pjesë jo e vogël e ish-hetuesve apo zyrtarëve të rangjeve të ndryshme i kanë kapërcyer ligjet e kohës, shpesh nga zelli për t’u treguar bindjen e tyre dhe gatishmërinë e tyre për të bërë gjithçka që do t’u kërkohej.“Banaliteti i së keqes” mbetet një nga çështjet më të diskutueshme edhe sot, thuajse në të gjithë botën, pasi shumë njerëz, ashtu si Eichmann, vijojnë të mbrojnë apo fshehin të keqen ndaj të tjerëve, duke u bërë shpesh shumë më të rrezikshëm sesa ata që e bëjnë një të keqe publikisht apo me dashje. “Republika e banalëve” është një republikë në rritje, që pengon vazhdueshëm njerëzit drejt lirisë, kuptimit, e sidomos drejt guximit për të rrëfyer atë që i shërben një shoqërie më të mirë, më dinjitoze. Këtij hutimi përpara kuptimit të Lirisë, si dhe të sjellurit banalë, i kanë shërbyer edhe dhjetëra botime lidhur me supozime konspiracionesh të ndryshme, duke synuar pikërisht të godasin një nga pasuritë më të mëdha të njeriut- Kurajën për të Ndryshuar! Duke tentuar t’i krijojnë idenë njeriut se gjithçka është paravendosur dhe se ai nuk ka asnjë mundësi të ndryshojë rrjedhën, ata mbjellin dekurajimin. Një problem ky që në Shqipëri, nëse do të kërkohej ndonjë sondazh verifikues, do të ishte besoj një nga problemet më të mëdha – dekurajim dhe ankth nga gënjeshtrat.Përballë këtij banaliteti të parët duhet të nisin betejën ata që jetojnë me fjalën, ata të cilët nuk shkruajnë vetëm për vetveten. Më së paku, duke rrëfyer atë çka humbim çdo ditë nga shmangia e përgjegjësisë dhe dorëzimi që iu ndodh gjithkujt që pranon të jetojë në banalitet…

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 89
  • 90
  • 91
  • 92
  • 93
  • …
  • 206
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. promovon romanin “Brenga” të Dr. Pashko Camaj 
  • ASOCIACIONI SI ENTITET PARA-SHTETËROR APO VETËMENAXHIMI SI GARANCI E RUAJTJES SË RENDIT KUSHTETUES NË KOSOVË
  • Luana Bajrami, aktorja nga Kosova feston 25 vjetorin me Oscar dhe hyn në Histori
  • Çfarë e bën mashkullin burrë?
  • Pse Hoxhë Hasan Tahsini ishte drejtuesi i lobit shqiptar në Stamboll
  • Artan Shabani, piktori i ngjyrave që vuan dramën e Çamërisë
  • Gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra, por stresi i jep krahë: Pse biem pre e gënjeshtrave?
  • Shuhet lahutari rugovas Rrustem Bajrami-Imeraliaj, 1932-2026
  • PËKUSHTIM XHEVAT KORҪËS
  • Shqiptarët në Philadelphia festuan Ditën e Verës
  • RAKETAT SUPERSONIKE TË SERBISË: SINJAL ALARMI PËR SIGURINË NË BALLKAN
  • MONOGRAFI E RËNDËSISË SË VEÇANTË
  • BALLKANI PERËNDIMOR NDËRMJET ARKITEKTURËS SË PAQES DHE RREZIKUT TË RIFORMATIMIT GJEOPOLITIK
  • Zgjidhja e mençur angleze e Shekullit XIX – Krijimi i Pullës Postare
  • Love Bombing si dukuri digjitale

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT