Nga Majlinda BUSHJA/
Përplasja e mendimeve të kundërta për të vërtetën në ditët e sotme, por jo vetëm është pasojë e kompleksitetit të rrethanave në të cilën ajo merr formë dhe transmetohet. E vërteta është komplekse në çdo kohë, por sot zhvillimi i teknologjisë ka bërë të mundur një fluks informacionesh, jo të përputhshme mes tyre për të njëjtën ngjarje, apo çështje të rëndësishme, ku e vërteta vështirësohet po për këtë shkak. Ndërkohë që, po aq i vështirë është edhe ballafaqimi i të vërtetave historike, të cilat vijnë nga e kaluara e largët kur kushtet nuk kanë qenë të favorshme për t’i ruajtur me përpikmëri. Shoqëria, ndodhur mes informacionesh të cilat vijnë si një proces i së shkuarës njerëzore dhe së tashmes e ka të vështirë të gjej të vërtetën e vërtetë lidhur me ngjarje, apo çështje të caktuara. Kush është e vërteta, në të vërtetë? A është ajo, “një”? Lufta për të vërtetën e së shkuarës dhe të së tashmes është në qendër të përditshmërisë sonë.
Mënyra se si përcillet e vërteta nisur nga këndvështrime të ndryshme, duke mbrojtur secili të vërtetën sipas versionit të tij, (pasi kështu ka ndodhur në çdo kohë njerëzit janë pozicionuar), e bën atë të mos jetë “një” në pamje të parë, por e fragmentuar në disa të vërteta. Përsa kohë njerëz të ndryshëm japin versione të ndryshme të së vërtetës për të njëjtën ngjarje, apo çështje është e vështirë të gjendet e vërteta, e vërtetë. Secili individ mbron të vërtetën e tij nisur jo vetëm nga çfarë ka dëgjuar, lexuar, por dhe nga çfarë përjeton vet çdo ditë. Pra logjikisht, ne e thërrmojmë të vërtetën, që është “një”, por që nuk përcillet si e tillë jo vetëm për arsyet e mësipërme, por dhe për një sërë arsyesh të tjera. Përse ndodh kjo? Çdo person jep versionin e tij të ngjarjes apo të çështjes që trajtohet, jo vetëm sipas këndvështrimit të tij, por dhe sipas interesit të tij. Interesi ndryshon të vërtetën, “e vërteta është ashtu si dua unë të jetë e vërtetë”, mund të thotë secili prej nesh. Të tjerë persona spektator në ngjarje me kohën besojnë atë, që ju pëlqen të besojnë, e zgjedhin variantin e tyre të së vërtetës që ju shkon më përshtat. psh. Për një personazh që ka hyrë në histori, dikush mendon që është hero, dikush tjetër mendon të kundërtën. A kanë të drejtë të gjithë? Sigurisht që po, sipas këndvështrimit të secilit që e mendon të drejtën ashtu, duke i dhënë fuqi të vërtetës së vet sipas këndvështimit personal.
Përplasje për të njohur të vërtetën, si atë të afërt dhe atë të largët bëhet çdo ditë në jetën tonë, ku secili jep variantin e tij, dhe ku keqkuptimet vërtet nuk kanë fund për të njëjtën ngjarje apo çështje që ngrihet për diskutim. Ndaj e vërteta ecën përmes përlasjesh që nuk shihet fundi i së vërtetes qartësisht. Aq shpejt lindin keqkuptimet sa, vetëm lënia përgjysmë e një fjalie e tjetërson atë duke lënë hapësira për interpretim, duke e tjetërsuar të vërtetën, e duke nxjerrë konkluzione sipas arsyetimit personal. Çdo pakujdesi si në këtë rast i shërben të vërtetës imagjinare që krijon mjegull mbi të vëretën e vërtetë. E vërteta imagjinare, është e vërteta konfliktuale, që çon në mjegullimin e së vërtetës reale. Nëse i referohemi shtypit të përditshëm, ndodh të kemi përplasje të dhënash e shifrash për shkak të nxitimit se kush do ta jap lajmin i pari për të njëjtën ngjarje, apo çështje, ndërkohë që e vërteta është “një” por nuk përcillet si e tillë. Gazetarët që marrin informacionin janë të prirur të besojnë të vërtetën sipas informacioneve që disponojnë. Problemi, në këtë lum informacionesh qendron se çfarë duhet të besojmë si të vërtetë, atë që lexojmë, dëgjojmë, apo të besojmë në atë çka njerëzit ju rrëfejnë njeri-tjetrit, por që është një histori e pashkruar, thjesht transmetohet. Ndaj e vërteta është e mbuluar me mister, pasi shpesh ka mospërputhje mes këtyre të vërtetave që vijnë nga kanale të ndryshme. Kështu, na serviren disa variante të së vërtetës, për të njëjtën gjë, e ne s’na mbet gjë tjetër veçse të përzgjedhim. Përzgjedhja është individuale, dhe e vërteta e plotë s’është asnjëherë e qartë. Megjithëse në vetvete ajo është “një”, fragmetimi i saj është i pashmangshëm.
Problemi më i madh qendron me të vërtetat e vjetra, në kohën kur ka pas pak dritë për të ndriçuar të vërtetat që kanë ndodhur për ngjarje të rëndësishme. Sot, ndodh jo rrallë, që disponojmë informacione, ndonjëherë jo të plota të së shkuarës dhe përpiqemi të hedhim dritë mbi to, të hamendësojmë, e të nxjerrim konkluzione për një ngjarje, apo çështje. Por a mund të nxjerrim konkluzione të sakta me informacione jo të plota? Natyrisht që jo. Gjithsesi, ne jemi të prirur të nxjerrim disa konkluzione, sidoqoftë. Mirëpo, ka një problem, kur njerëzit ushqehen me të njëjtin mendim për shumë kohë, ata e ka të vështirë të ndryshojnë këtë mendim, e të mendojnë të vërtetën ndryshe për një ngjarje të caktuar. Ndodh që, koha e transformon të vërtetën në rrugëtimin e saj të gjatë për një sërë arsyesh, e kjo na bën jo pak konfuz mbi atë çka duhet të mendojmë për të shkuarën tonë. Sa më komplekse të jetë ngjarja, sa më shumë personazhe të marrin pjesë, aq më shumë kompleksohet e vërteta. Pasi interesat janë të ndryshme, dhe e vërteta ka rrjedhur në interes të secilit personazh që merr pjesë. Pse ndodh kështu? Prirja e njeriut gjithmonë është të mos preken interesat e tij, dhe e vërteta të jetë në atë anë duke i shërbyer, ndaj përdor të gjitha mënyrat për t’ia arritur. Ky është qellimi i secilit personazh të përfshirë në një ngjarje, që historia ta kujtojë për mirë. Ndaj e vërteta transmetohet në këtë mënyrë duke krijuar përplasje mes atyre që mbrojnë të vërtetat e tyre, dhe ata që i kundërshtojnë ato. Pasi, në fund të fundit, në çdo situatë prirja e njeriut është të pastroj “baltën” nga fytyra e tij në çdo kohë dhe e vërteta t’i shërbejë atij në lidhje me çështje të caktuara, ku ai është pjesëmarrës. Këtë të vërtetë përpiqet t’ua transmetoj të tjerëve sa më shumë të jetë e mundur. E vërteta sfumohet në këtë përpjekje, dhe mbet e tillë për breza të tërë, ku secili më vonë pozicionohet ashtu si i duket e drejtë sipas këndvështrimit të tij. Në këtë situatë paqartësie të gjithë mendojnë, se ajo që ata mendojnë, është versioni i së vërtetës për një ngjarje të caktuar të së shkuarës së largët. Shembuj të tillë ka plotë.
Siç vërehet, e vërteta qoftë në të shkuarën, por dhe në të tashmen shpesh kalon përmes paqartësish, duke lënë në dritë një variant i cili është i pranueshëm dhe absorbueshëm për shoqërinë në kohën që jeton, megjithëse ka vazhdimisht një konflikt mes së vërtetës së shkruar dhe asaj të pashkruar, se ku në të vërtetë, gjendet e vërteta. Pasi një gjëndje e tillë e krijuar e transformon të vërtetën me një pamje tjetër nga ajo fillestare duke na servirur një të vërtetë në variant ndryshe.
Gjithçka më sipër tregon se, e vërteta nuk është e thjeshtë, ajo është e ndërlikuar, sepse janë një sërë arsyesh që e çojnë në këtë gjendje. Midis të vërtetave, të vërtetat që kanë peshën më të madhe janë ato që kanë të bëjnë me ngjarjet historike dhe fatin e mijëra njerëzve. Të vërtetat mbi ngjarje të rëndësishme historike shpesh kanë çuar në konflikte të vazhdueshme mes shtetesh, apo kanë ftohur marrëdhëniet mes tyre për një kohë të gjatë. Secila palë mbron të vërtetën e vet në çdo kohë dhe i jep të drejta vetes nisur nga kjo logjikë arsyetimi: Unë zotëroj variantin e së vërtetës, së vërtetë, dhe unë kam të drejtë në çështjen që bëhet fjalë. Këtë qendrim mban çdo shtet i përfshirë në një konflikt përmes përfaqësuesve të vet. “E drejta është në anën time”. Përplasja për të vërtetën, në kërkim të së drejtës, është shndërruar sot në një “mollë sherri” mes shtetesh. Kush thotë të vërtetën, dhe kush është e vërteta për një sërë çështjesh të rëndësishme, shumë pikëpyetje me variante të ndryshme të së vërtetës, për të njëjtën çështje, e një lumë variantesh për shumë çështje. Ne si individ, jemi të prirur të zgjedhim variantin që na shkon më shumë përshtat, e kështu ecet përmes fragmentimit të së vërtetës, që në vetvete është “një”, për secilën çështje apo ngjarjeje. Ne shpesh themi: do gjej të vërtetën, do të ndriçojë të vëretën, do them të vërtetën, sepse brenda saj, ajo, është “një”, pavarsisht shkaqeve që e tjetërsojnë.