• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Journey of faith”

August 22, 2025 by s p

The people of Kosova hold dear the principles of compassion, service, and steadfast faith—values exemplified in the life and work of Mother Teresa. Her time in Kosova, particularly during her youth, was both spiritually significant and deeply formative. It was during one of her visits there that she received her calling, setting her on a path that would go on to inspire the world. The upcoming performance on September 6 at the Music Center at Strathmore, Journey of Faith: A Musical Tribute to Mother Teresa, honors not only her legacy but also the universal call to serve with dignity and purpose. I commend this initiative and invite all who attend to reflect on the enduring power of these ideals.

His Excellency Ilir Dugolli, Ambassador of the Republic of Kosovo in Washington, D.C.

👉For more information on this event, visit: https://www.strathmore.org/…/journey-of-faith-a…/

Filed Under: Reportazh

ZJARRE APOKALIPTIKE NË BOTËN SHQIPTARE

August 21, 2025 by s p

Xhelal Zejneli/

Zjarrfikës, ju heronj të luftës  me flakët, e gëzoni respektin e thellë të kombit!

Krahas investimeve në mbrojtje nga rreziku rus, Evropa duhet të përgatitet edhe për luftë kundër zjarreve. Këtë ia imponojnë ndryshimet klimatike. Evropa Jugore në flakë. Zjarret përfshijnë vende të rajonit mesdhetar, si Qiproja, Greqia, Turqia, Spanja, Portugalia, Franca, Italia. Flakë dhe tym të zi kemi në Shqipëri, në Kosovë, në Mal të Zi, në Maqedoni, në Bullgari etj. Zjarr dhe erëra të forta. Mesdheu përballet me temperatura të larta që arrijnë deri në 45°C.     

   Shqipëria në luftë me zjarret. Atdheu nën flakë. Mëmëdheu digjej. Situatë dramatike e shkaktuar nga zjarret, situatë alarmante. Tokë e djegur, shtëpi të shkrumbuara. Gjendja përkeqësohej nga erërat e forta dhe nga temperaturat e larta. Zjarri nuk kurseu natyrën, jetën, kafshët. Zjarri la pas një peizazh të djegur. Zjarrfikësit në luftë me flakët. Krahas tyre, në këtë luftë janë përfshirë edhe njësi të forcave të armatosura, njësi të policisë, por edhe vullnetarë. Digjen pyje, kodra, zabele, gërxhe, bjeshkë, kullota, stane, pisha, ullishte, pemë frutore, koshere bletësh, bletë, stalla, shtëpi, një kishë, vreshta, rrjet ujësjellësi, bimësi, bimë foragjere, ushqime rezerve për kafshët. Janë djegur rreth 4 mijë kafshë shtëpiake – bagëti e imët, grigja (tufa dhensh, kope), derra, bagëti e trashë, lopë, viça, mëzetër, qe, gomarë, kuaj. Është djegur flora, fauna, kafshë të egra, shpesë, thëllëza, zogj, kunadhe (shqartha), kaproj, dhi të egra, lepuj, ketra, mace të egra, këlyshë, derra të egër, arinj, dhelpra, ujqër, habitate, etj.; asfiksim nga tymi, një viktimë. Të mos vijë puna të përflaken edhe kreshtat, vendbanime të shqiponjës, simbolit të shqiptarisë. Shqiponja, kjo sundimtare e qiellit!  

Për pësimin e bagëtisë, përkatësisht të kafshëve të pyllit, duhet të reagojnë edhe shoqatat e mbrojtjes së kafshëve. Duhet të ndalohet ruajtja e bagëtisë nëpër zona të cilat potencialisht rrezikohen prej zjarreve. Shfrytëzoje kalin apo gomarin vite me radhë nëpër terrene të vështira kreshtash dhe katundesh, që në fund të digjen të gjalla. Mili lopët dhe delet vite me radhë që edhe ato më në fund të përzhiten të gjalla. Klithmat e dhimbshme të tyre duhet të trazojnë ndërgjegjen e shoqërisë!    

Për fat të keq, në këtë pjesë të kontinentit të vjetër, zjarre do të ketë prore. Në një moment të caktuar ka pasur 50 vatra zjarri. Më 11 gusht të vitit në vazhdim kanë qenë vepruese 40 vatra zjarri. Një ditë më vonë, 50 vatra prushi dhe flake. 

Shqipëria u përball me një situatë të rënduar zjarresh. Në disa qarqe të saj u evidencuan mbi 20 vatra. Për mbrojtjen e zonave të banuara dhe për krijimin e perimetrave të sigurisë përreth vatrave më problematike u angazhuan maksimalisht zjarrfikësit, Forcat e Armatosura, forca të policisë së shtetit dhe vullnetarë. Operacionet u ndërmorën nga toka dhe ajri. U vunë në veprim edhe helikopterë dhe avionë. Forcave shqiptare iu bashkuan edhe dy helikopterë të Forcave Ajrore të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe mjete fluturuese nga Greqia, Çekia,  Sllovakia, Italia, Kroacia, Bullgaria. Malet hijerënda të kombit nuk duhet lejuar të shkrumbohen! 

Heronj të këtyre ditëve zhuritëse dhe përcëlluese janë zjarrfikësit. Para sakrificës së tyre përulet një komb i tërë.

Ka zjarre të shkaktuar prej zjarrvënësve të qëllimshëm. Ka piromanë që ndezjen e zjarreve e kanë sëmundje shpirtërore. Ndaj tyre duhet të merren masa ligjore. Kush janë këta që djegin të ardhmen e një populli. Malet u përkasin brezave të sotëm dhe atyre që vijnë. Mos vallë midis tyre ka edhe ndonjë mercenarë, në shërbim të dikujt?! Kush ua vë flakën maleve të Shqipërisë, hijeshisë së të cilave, me aq dashuri e mall u këndoi qysh para 145 viteve bilbili i gjuhës sonë. “O malet’ e Shqipërisë e ju o lisat’ e gjatë”  

*   *   *

Shqipëria dhe Kosova s’kanë mjete ajrore për shuarjen e zjarreve – Për ndërhyrje nga ajri u vunë në veprim avioni Canadair kroat; dy helikopterë të Forcës Ajrore të Emirateve të Bashkuara Arabe, 1 canadair nga Greqia, dy helikopterë të mekanizmit evropian nga Çekia dhe Sllovakia etj. Kanaderi është hidroavion i specializuar për shuarjen e zjarreve në male dhe në terrene të padepërtueshme. Sipas të dhënave të vitit 2017, çmimi i kësaj fluturakeje ka qenë rreth 30 milionë euro. Këtë lloj hidroavioni e kanë poseduar kryesisht shtetet e mëdha detare në të cilat brenda vitit zjarret kanë qenë të shpeshta. Kanaderit i nevojitet sipërfaqe ujore e madhe për t’u ulur, për ta mbushur rezervuarin e vet me ujë dhe për t’u ngritur në ajër. Pengesa mund të jenë urat, digat, niveli i ulët i ujit, etj. Për ta drejtuar kanaderin nevojiten stërvitje të veçanta dhe licenca. Sipas të dhënave të vitit 2017, një orë fluturimi të kanaderit ka kushtuar 7.000 euro. Gjatë fluturimit, kanaderi mund të marrë nga sipërfaqja e ujit rreth 5,5 tonë ujë, për ta derdhur pastaj përnjëherë mbi zjarr, si bombë uji. Këta avionë të verdhë i ka prodhuar firma kanadeze “Canadair”, nga ku e kanë marrë edhe emrin. 

Avionët për shuarjen e zjarreve kanader nuk prodhohen më. Fluturaket që i zëvendësojnë kushtojnë 50 milionë euro. Kanaderët e fundit (Canadair Bombardier CL 415) janë livruar në vitin 2015. Prej atëherë ky aeroplan kundër zjarrit nuk prodhohet më, kurse për ta blerë pasardhësin e tij DHC 515 të cilin momentalisht e ofron firma kanadeze De Havillend Aircraft Ltd, blerësi duhet të paguajë rreth 50 milionë euro. Për shkak të kërkesës së madhe blerësi nuk mund ta marrë avionin  para viti 2030.    

*   *   *

ZJARRET NË KOSOVË – Sipas Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, më 11 gusht të vitit në vazhdim në Kosovë janë regjistruar 38 vatra zjarri. Prej tyre, vepruese kanë qenë 24 vatra. Kosova nuk posedon helikopterë për shuarjen e zjarreve. Për t’i shuar zjarret gjithmonë ndërhyn KFOR-i. Kosova nuk ka kompetencë dhe nuk është përgjegjëse për hapësirën e saj ajrore. Për sigurinë e hapësirës ajrore të Kosovës përgjegjës është misioni i KFOR-it. Sidoqoftë, Kosova duhet të ketë helikopterë për Ministrinë e Mbrojtjes, për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe për Ministrinë e Shëndetësisë.

*   *   *

Fjala “zjarr” të përkujton romanin “Zjarr në kadastër” ((Incendio al catasto, Vallecchi, Firence, 1956), të shkrimtarit italian Karlo Montella (1922-2010). Në vitin 1998 Montella përjetoi një tragjedi familjare. Për të mbrojtur sigurinë e gruas së tij Anna, ai vrau djalin e tij Claudio i cili vuante nga probleme mendore. 

*   *   *

Helikopterët dhe avionët për shuarjen e prushit nuk blihen duke harxhuar para për punë më pak të rëndësishme, përkatësisht dytësore. Shtetarët shqiptarë duhet t’i reduktojnë udhëtimet nëpër botë. Ka udhëtime të kota, të panevojshme, jo të domosdoshme dhe të kushtueshme. Politikanët shqiptarë nuk duhet të merren me politikë botërore apo me politikë të madhe. Bota shqiptare është e vogël për t’u marrë me politikë të madhe dhe për të ndërtuar politikë botërore. 

Udhëheqësit shqiptarë duhet të merren me problemet konkrete të shtetit dhe të popullit. Qytetarët shqiptarë duhet të ndihmojnë në pajisjen e mëmëdheut me fluturake anti-flakë dhe jo të bëjnë dasma të shtrenjta glamuroze, plot salltanet, me numër të madh të ftuarish, të bëra me para të dyshimta që s’u dihet burimi. Dasma me disa grupe muzikore dhe me këngëtarë të shtrenjtë. Ndodh që gjatë dasmës këngëtarin apo këngëtaren ta mbulojnë me euro, me franga zvicerane, me dollarë. A e kujtojnë të rinjtë dhe prindërit e tyre se dasma soset kurse jeta vazhdon. Ç’do të hajë familja pas dasme po qe se energjitë e veta i shter në ceremoninë martesore?! 

Meshkuj të do fshatrave me dekada punojnë në Kroaci si ëmbëltorë, byrektorë dhe bozaxhinj. Ka ndodhur që gjatë dasmës vjehrra t’ia stolisë nuses me flori edhe gishtërinjtë e këmbëve?! Duket e pabesueshme. Ka pasur raste kur dasmori e ka marrë nusen e të birit me helikopter. S’kemi helikopter për shuarjen e zjarrit, por kemi të tillë për ta marrë nusen. Në botën shqiptare ende ka raste kur dasma zgjat rreth dhjetë ditë. “O tempora, o mores!” 

Shqiptarët s’kanë asnjë hidroavion, kurse nuses i blejnë veshje të shtrenjta, dimi të punuara me fije të praruara (sërma), dimi me bikme, kaftane, mitanë të punuar me fije të praruara, stoli ari në një kohë kur ky metal i çmueshëm ka arritur çmime astronomike. Disa nga fustanet e saj që kanë kushtuar mijëra euro, nusja i veshën jo më shumë se dy-tri herë në jetë. Ceremoni martesore të kushtueshme, përfshi edhe natën e beqarisë. Ka raste kur për dasmën e madhe të të birit, dasmori merr kredi bankare me normë të lartë interesi. Mendësi provinciale, primitivizëm, garë se kush do të jetë i pari i lagjes, i mëhallës, i fisit, i katundit, i provincës. Këtu kemi të bëjmë edhe me tjetërsimin e individit.  

Kanaderë s’ka, por ka me të madhe ceremoni fetare, pelegrinazh, pushime vjetore të kushtueshme nëpër vende ezoterike, edhe pse natyra i ka dhuruar Shqipërisë dy dete. Po ta llogaritësh çmimin e pelegrinazhit dhe numrin e pelegrinëve, do të rezultojë një shumë e konsiderueshme mjetesh financiare. Kujt i duhen veturat e shtrenjta në shtetet shqiptare ku s’ka numër të mjaftueshëm parkingjesh, ku shumë rrugë nuk i plotësojnë kriteret për t’u quajtur të tilla?! Aty ku ka provincializëm, ka edhe snobizëm. Aty marrin hov kiçi dhe shundi.  

S’blihen dot fluturake për mbrojtjen e pyjeve me muzikë pornografike, as me programe televizive reality show, me festivale muzikore të kushtueshme, me skena muzikore si të San Remos, me veshje të shtrenjta, me dieta dhe mëditje të pamerituara të deputetëve dhe të pushtetarëve. S’blihen jo, me mungesë ndjenje të modestisë, me gra pushtetarësh që porositin veshje dhe preparate grymi prej Parisi dhe Rome. Ç’duan të tregojnë ato me veshjet dhe pamjet e tyre, me çantat e shtrenjta lëkure krokodili? A e dinë ato se Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete me shkallë ekonomike më të ulët në Evropë?! 

Mjetet ajrore kundër flakës nuk blihen duke vjedhur atdheun. Kanë vjedhur: gjyqtarë, prokurorë, avokatë, hetues, doganierë, policë, përgjegjës të sektorit të urbanizmit, shefa të auto-shkollave, infermierë, mjekë, kirurgë, profesorë universiteti, kryetarë bashkish, kryetarë komunash, gra kryetarësh bashkie, ministra, deputetë, gra ministrash, gra deputetësh, pushtetarë nivelesh të ndryshme, djem, vajza, dhëndurë, reja politikanësh. Abuzimet, korrupsioni, veprimet e paligjshme, të kundërligjshme arrijnë majat e pushtetit – vendor dhe qendror. Për veprime të paligjshme akuzohen politikanë, përkatësisht ish-politikanë të nivelit më të lartë të shtetit. Mitë, ryshfet, ndërtime pa leje. Uzurpim hapësirash publike, plazhesh, trotuaresh, pedonalesh, parqesh.

Vila të shtrenjta të ndërtuara me paratë që i janë uzurpuar këtij populli të lodhur. Vila të shtrenjta në një vend ku një pjesë e popullsisë jeton në kushte ekonomike të vështira, ku pensionet janë sa ndihmat sociale, ku ende ka paga me 300 euro. Kur veprimet e kundërligjshme rrokin majat e shtetit, mos prit që shteti të ketë mjete zjarrfikëse ajrore.

Abuzimet e përmasave të këtilla t’i përkujtojnë vendet e Amerikës Latine të viteve ’50 të qindvjeçarit XX. Flakët e kreshtave s’luftohen dot me imoralitet.

Kujt i duhen lobimet në ShBA për t’u fotografuar me njerëz eminentë të politikës amerikane, lobime që kushtojnë qindra mijë dollarë?! Ç’duan të tregojnë ata me fotografi të tilla? Kë duan ta mashtrojnë? Kujt duan t’i hedhin hi syve? A e dinë ata se dy shtetet shqiptare, Shqipëria dhe Kosova nuk prodhojnë gjë për eksport, përpos ullinjve, domateve, patateve. 

Shqipëria eksporton bimë mjekësore, perime të freskëta dhe të përpunuara, vajra esenciale, shalqinj, pjesë të brendshme bagëtie, peshk të konservuar dhe lëkurë të papërpunuar.

Mjetet ajrore kundër zjarrit nuk blihen duke e vjedhur shtetin dhe duke i detyruar të rinjtë t’i braktisin trojet amtare.  

*   *   *

Në shoqërinë shqiptare mungon mendimi kritik. Mungon gjykimi dhe veprimi racional, i arsyeshëm. Aty ku mungon mendimi kritik, shoqëria nuk përparon.

Filed Under: Reportazh

JEHONA E VJOSËS, SIMFONI E TRADITËS NË MEMALIAJ

August 19, 2025 by s p

Ramazan Çeka/

Polifonia që ktheu Memaliajn në kryeqendrën e folklorit shqiptar.

Në qendër të Memaliajt, aty ku Vjosa rrjedh e pandalshme me madhështinë e saj të amshuar, u ndez për të dytin vit radhazi flaka e Festivalit Folklorik “Jehona e Vjosës”, duke kthyer qytetin në kryeqendër të folklorit mbarëkombëtar. Në kulmin e gushtit, në sheshin “Minatori”, mbi 150 artistë dhe 20 ansamble nga të gjitha trevat shqiptare u mblodhën për të dhuruar një magji që do të mbetet e paharrueshme.

   Çdo këngë, çdo valle, çdo ritëm shpalosi pasurinë e folklorit tonë. Publiku u bë pjesë e një magjie të përbashkët, ku traditat e veriut dhe të jugut, e gjithë Shqipëria dhe trojet shqiptare, u takuan në një valle që bashkonte gjithë kombin. Ishte një simfoni që lidhte traditat dhe emocionet në një ritëm të vetëm.

   Dy netë të mbushura me emocione të papara, garë të fortë dhe interpretime të shkëlqyera e shndërruan Memaliajn në një sofër mikpritëse. 

Parada e kostumeve tradicionale, ekspozita e pikturave e fotografive, tingujt e polifonisë dhe ritmet e valleve shpalosën një pasuri shpirtërore që e bëri publikun të ndjejë krenari e nostalgji njëkohësisht.

   Atmosfera solemne e ditës së parë u shndërrua në një zjarr emocionues në natën e dytë, kur skena u mbush me ngjyra, zëra dhe ritme të papërsëritshme. Në këtë festival, çdo këngë ishte një amanet i brezave, çdo valle një lutje e hershme, dhe çdo melodi një urë që lidhte të djeshmen me të sotmen. 

   Drejtori artistik i festivalit, z. Viktor Aliu, theksoi se ky event synon të aktivizojë dhe promovojë grupet polifonike, duke ruajtur jetën folkorike si trashëgimi shpirtërore të popullit tonë dhe duke transmetuar tek brezat e rinj dashurinë për folklorin dhe traditën. Ky festival tashmë është pjesë e kalendarit kulturor kombëtar dhe premton të mbajë gjallë traditën për shumë vite.

   Ky festival, ndryshe nga të tjerët, ka një hapësirë të gjerë gjeografike, duke bashkuar çdo vit grupe të ndryshme nga të gjitha trevat e Shqipërisë dhe trojet shqiptare, dhe duke nxjerrë në pah pasurinë dhe gjallërinë unike të folklorit burimor. Veçoria e tij qëndron pikërisht në diversitetin e grupeve të përfshira, të cilat vijnë nga komunitete të ndryshme, duke dëshmuar pasurinë dhe larmishmërinë e trashëgimisë sonë kulturore.

   Çmimet u dorëzuan nga emra të nderuar dhe u bënë një kurorë për artin, duke e kthyer ceremoninë në një moment solemn. Juria, e përbërë nga personalitete të artit dhe kulturës; dirigjenti Ermir Dizdari, specialisti i kulturës z. Sejmen Gjokoli dhe shkrimtari z. Feti Zeneli, vlerësoi me profesionalizëm grupet më të spikatura, duke shpërblyer talentin dhe pasurinë e folklorit tonë.

   Çmimi i Parë – Ansambli “Lunxheria”

   Çmimi i Dytë – Grupi Polifonik “Lazarat” & Ansambli “Haziz Ndreu”

   Çmimi i Tretë – Grupi Polifonik “Memaliaj” & Ansambli “Ferizaj”

   Çmimi i Publikut – Shoqëria Artistike “Gurra e Picarit”

   Çmimi Special i Festivalit – Ansambli Artistik “Kaltersia”

   Diploma “Simboli i Trashëgimisë” – Grupi “Krojet e Velçës”, Ansambli “Drenica”, Rapsodët e Deçanit dhe Ansambli “Mat”.

   Moderatorja Migena Kraja, me profesionalizmin dhe sharmin e saj, u shndërrua në pasqyrë të suksesit; ajo i dha festivalit hijeshi dhe bukuri, duke e kthyer çdo çast në një përjetim të veçantë, të mbushur me magji.

   Sheshi u mbush me qytetarë, me emigrantë të kthyer për pushime dhe me mysafirë nga të gjitha trevat, që u shkrinë në një valë entuziazmi të papërshkrueshëm, një pëlhurë emocionesh që i bashkoi të gjithë. Shumë prej tyre pohuan: “Në këtë qytet ndjehesh vërtet artist.”

   Festivali, i organizuar nga Shoqata “AlbAccess Open” në bashkëpunim me Bashkinë Memaliaj dhe me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, dëshmoi se trashëgimia shqiptare nuk është vetëm kujtim, por një thesar që vazhdon të frymojë dhe të gjallërojë zemrat e njerëzve.

   “Jehona e Vjosës” tashmë është kthyer në traditë, një festival që jeton në zemrat e publikut si një frymëmarrje e përhershme e kulturës sonë. Është një festë që rizgjon kujtesën dhe lidhjen e brezave me Memaliajn, një urë që bashkon shqiptarët kudo që janë, një pasqyrë ku shohim vetveten të ndriçuar nga drita e trashëgimisë sonë.

   Në atmosferen kulmore të kësaj feste, mbetet e qartë: Folklori shqiptar nuk është vetëm një kujtim i së kaluarës, por një gjallëri që frymon me çdo këngë, me çdo hap dhe me çdo valle. Në Memaliaj, këto ditë gushti, festivali foli me zërin e polifonisë, vallëzoi me ritmet e trevave dhe u përjetua si një solemnitet festiv, një poezi e gjallë e trashëgimisë kombëtare.

Filed Under: Reportazh

PALASA E PUSHTUAR…

August 14, 2025 by s p

Kastriot Fetahu/

Borgjezët e rinj nuk janë njerëz interesantë; ndërkohë që bota ju duket shumë personale, ata nuk duan që ajo të rrotullohet. E kam vizituar për herë të parë Palasën kur isha student. Ka qenë delta e lumit të atij fshati dhe profesori im i gjeologjisë, një njeri i jashtëzakonshëm si Servet Pasho, që na shpjegoi se ata gurët e bardhë të deltës janë shkëmbinj brekçiozë. Sekretari i Pablo Picassos thoshte se turistët amerikanë vijnë në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore për të parë Papën, Pompein dhe Pablo Picasson. Sa do të më pëlqente që, meqenëse Picasso nuk jeton më, të zëvendësohej me Palasën në thënien e sekretarit të tij.

Deri para pak vitesh, kaloja shpesh në rrugën e Rivierës së Jonit për në Sarandë dhe asaj delte, që dukej nga Llogaraja aq e bukur, i gëzohesha si një fëmijë.

Këtë herë nuk mora kënaqësinë e njohur, se nuk ma rroku syri. Gjeta vetëm një pushtim urban, pushtim industrial, si derivat i një pushtimi detar. Kserksi “modern”, kështu mund ta shkatërronte Salaminën greke, mendova. Imagjinata është fragmenti më i bukur i jetës në të cilin ndërtojmë limitin e të ardhmes.

Nuk po e kuptoja imagjinatën e importuar në Palasë.

Para tre vitesh ishin vetëm dy lokale dhe unë preferova “Samoa”-n. Atëherë ishte mrekulli, pasi barbarët nuk kishin zbarkuar akoma dhe as bajlozi nga deti.

Para dy ditësh vizitova përsëri Palasën. Pas një shëtitjeje të shkurtër qëndrova në një lokal në atë “lagjen si pazari turk i Stambollit” dhe, edhe pse një ambient shumë i bukur, në të ishin gjithsej 4 njerëz në pikun e sezonit. Jemi në fillim të gushtit.

U riktheva përsëri dhe në mbrëmjen e sotme përrallore të bregdetit, u ula te dashuria e vjetër, lokali “Samoa”.

Unë nuk i tradhtoj gjërat që iu kam besuar dhe nuk u zhgënjeva as këtë herë, pasi u kënaqa; një kameriere e përkushtuar na e bëri të bukur “Samoa”-n. Pas pak shkova te një mol aty pranë. Nga natyra jam gjithmonë shumë kurioz, nuk qëndroj dot pa pyetur. Nuk e di nëse ka qenë kështu idhulli im Hemingway, amerikani nga Oak Park i Çikagos. Gjatë gjithë kohës së qëndrimit në Palasë më dukej fare pa kuptim aforizma e shkruar nga unë se “Liria ime është një drejtëz dhe askush nuk mund t’i vendosë skajet veç instiktit tim”.

Pasi erdhi një skaf dhe shkarkoi tre djem, pyes dikë nga ata nëse mund të xhironim me të në det?

Akoma i frikshëm më duket emri “skaf”, më ngjan me atë dragoin që ruante lëkurën e dashit të artë në ishullin Kolhidë. Ishte një djalë i qeshur dhe, me të qeshur, më tha se: “Të shkojmë te Shpella Blu, duhen 250 mijë lekë deri në katër persona, për rreth 1 orë e 30 minuta.” U zmbrapsa i trembur. M’u kujtua se kisha prenotuar një jaht në “Lake Michigan” të Çikagos për 25 dollarë orën – një jaht, jo një barkë me motor si në Palasë. Nuk dija çfarë t’i thoja qeshjes së këtij djali të qeshur. Ai e pa dhe e rriti intensitetin e qeshjes. Pas tij erdhi një djalë tjetër, që na dëgjoi dhe u shtruam në bisedë.

Doja të flisja me dikë që të mos më kujtonte dialogun e filmit “Dikush fluturoi mbi folenë e qyqes” me aktorin Jack Nicholson.

—McMurphy, pse dreqin i flet? Ai s’dëgjon fare!

— Po i flas vetes, jo atij. Më ndihmon të mendoj.

— Por s’po ndihmon atë.

— Keq s’po i bëj, apo jo?

— Si të shkon puna sivjet? – e pyeta atë djalë.

I pezmatuar, më tha se është gjysma e punës së vjetshme.

— I kupton arsyet? – vazhdova.

— Po, – më tha. – Parkimin këta e kanë 30 mijë lekë (të vjetra) ditë-natë, ndërsa për dy orë e kanë 5 mijë lekë, çadrat 30-70 euro dhe këtë e bëjnë ata që janë të pasur, se nuk duan të vijnë njerëz jashtë standardit të tyre.

— Në qendër të Bostonit, në Back Bay magjik, – i bëra me dije, – është 2 dollarë ora, kurse të dielave parkimi bëhet falas.

— A e kupton?

Të dielave është falas, ndërsa ditëve të tjera të javës ora e parkimit kushton 1650 lekë me kursin e dollarit në ditën e sotme.

Pasi folëm gjëra të përgjithshme, shfryu për një çast dhe u largua, duke më uruar gjithë të mirat.

Ndërkohë në errësirën që pushtoi vendin lëvizjet u intensifikuan, duke bërë që njerëzit e makinat të rralloheshin.

Palasa, ashtu si një vajzë që e di se është e bukur, por s’di ç’të bëj me bukurinë e saj, po e shkatërron veten me operacione plastike.

Duhet praktikë, mendim dhe aftësi për të jetuar pa pendime.

Lotët janë të parëndësishëm nëse gëzimi njerëzor harron se kufiri mes tij dhe krizave ekzistenciale është sa koha e “vendosjes së kalit grek në Trojën e festës së fitores”.

Në antikitetin klasik, shkrimtari romak Lucan regjistroi një vend të quajtur Palaeste në malin Ceraunian në Chaonia, të Ilirisë. Palasa, ka qene banuar nga fisi epirot i Kaoneve. Jul Qezari zbarkoi ushtrinë e tij në plazhin e Palasës, nga Brindizi në betejën kundër Pompeut, i cili ishte vendosur në Orikum. Qezarit iu bashkuan dhe Amantët e qytet shtetit ilir Amantia, ndaj Palasa është shumë më shumë se një plazh i pushtuar. Në vitin 1632 u krijua një shkollë shqipe në Palasë. Në vitin 1663 u krijua një shkollë greke.

Nuk e zgjidh dot enigmën nëse ka burgje më të tmerrshëm se sa fjalët, apo fjalë më të tmerrshme sesa burgjet?! Hije që nuk mbeten kurrë pas…Në Martinique, ku pushojnë bilionerët e botës, Jeff Bezos e Co., në qiellin e të cilës nuk lejohet të qarkullojnë avionë (një koloni franceze Martinika), nuk janë këto çmime. Atje do të gjejmë dhe statujën e vendases së atij ishulli, Joséphine de Beauharnais, gruaja e parë e Napoleon Bonapartit – ishull që bën pjesë në Antilet e Vogla të Karaibeve. Thënia e Bonapartit: “Të vetmet pushtime që janë të përhershme dhe nuk lënë keqardhje janë pushtimet tona mbi veten tonë”, më kumton se Palasa ngjan si një vend i marrë hua.

Toka e huaj zgjon ndjenjën e aventurës tek burrat, kurse toka jonë zgjon dashurinë për të dhe përtej saj, duke hapur dyert shqiptarisht për shqiptarët.

Filed Under: Reportazh

Piktori austriak Leopold Forstner dhe Shqipëria

August 13, 2025 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Leopold Forstner (1878–1936), një ndër përfaqësuesit më të shquar të Jugendstil-it austriak dhe pjesë e lëvizjes së njohur Secession të Vjenës, la pas një trashëgimi të pasur ku mjeshtëria dekorative bashkohet me ndjeshmërinë artistike. I specializuar në mozaik dhe pllaka dekorative, ai përdorte teknika të përziera dhe materiale të çmuara, duke gërshetuar harmoninë e formës me ngjyrën. Bashkëpunimet e tij me figura të njohura si Gustav Klimt, Otto Wagner, Otto Schönthal dhe Emil Hoppe e vendosin Forstner-in në qendër të skenës artistike të fillimshekullit XX, në një kohë kur arti europian po përjetonte transformime të thella.

Fati e solli që gjatë Luftës së Parë Botërore, kur trupat austro-hungareze u vendosën në veriun dhe qendrën e Shqipërisë (1916–1918) pas shkatërrimit të Serbisë, Forstner të shërbente si oficer i grumbullimit në Shqipëri dhe Maqedoni. Ky rol, përveç detyrave logjistike, i hapi atij mundësinë për të dokumentuar vizualisht jetën e përditshme, arkitekturën dhe tiparet etnografike të vendeve ku qëndroi. Ndryshe nga shumë ushtarakë të kohës, Forstner e shfrytëzoi këtë periudhë për të ndërtuar një arkiv të pasur me vizatime dhe piktura që sot kanë një vlerë të dyfishtë – artistike dhe historike.

Në Shkodër, ai gjeti një qytet me ndërthurje të qartë osmane dhe perëndimore: rrugica të ngushta, çati të pjerrëta, tregje të mbushura me jetë dhe ndërtesa monumentale. Në Tiranën e asaj kohe, ende një qytezë e vogël, regjistroi me kujdes xhamitë, shtëpitë me oborre dhe rrugët me kalldrëm, duke e ruajtur përmes penelit një atmosferë që sot ka humbur. Kavaja e tij është më e qetë, me pamje tregjesh lokale dhe banorë të paraqitur në veshje popullore, ku vërehet qartazi dashuria e artistit për detajet e punimit dhe ngjyrat e gjalla.

Portretet e Forstner-it nuk janë të ftohta apo vetëm dokumentare; ato pasqyrojnë një vështrim të mprehtë mbi psikologjinë e “etnotipit shqiptar”. Ai portretizon burra me plis e kostume kombëtare, gra me veshje të qëndisura shumëngjyrëshe dhe fëmijë me një vështrim të pastër e të drejtpërdrejtë, duke kapur jo vetëm pamjen e tyre, por edhe një ndjesi të brendshme të karakterit dhe krenarisë. Në këtë mënyrë, pikturat e tij bëhen jo vetëm peizazhe urbane, por edhe dëshmi të gjalla të një shoqërie në prag të ndryshimeve të mëdha.

Sot, këto vepra shihen si burime të pazëvendësueshme ikonografike për historinë e qyteteve shqiptare të fillimshekullit XX. Ato janë dëshmi të një periudhe tranzicioni – nga struktura osmane drejt modernizimit – dhe ofrojnë detaje arkitekturore e etnografike që shpesh nuk gjenden më në terren. Për studiuesit, ato janë një dritare për të kuptuar zhvillimet urbane e kulturore të kohës; për botën e artit, ato tregojnë aftësinë e një artisti të formuar në rrymën elegante të Vjenës për të përthithur dhe përçuar estetikisht realitetin shqiptar.

Ekspozitat dhe botimet e viteve të fundit në Austri dhe Shqipëri e kanë rikthyer në vëmendje figurën e Forstner-it, duke e vendosur jo vetëm si një nga mjeshtrit e fundit të Jugendstil-it, por edhe si një kronikan të heshtur vizual të Shqipërisë gjatë Luftës së Parë Botërore – një artist që, pa e ditur, kontribuoi në ruajtjen e kujtesës historike dhe kulturore të një vendi në ndryshim.

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 172
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT