• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mbyllja festive e vitit shkollor 2025–2026 në Shkollën Shqipe “Gjuha Jonë” – Philadelphia

June 10, 2026 by s p

“Bijtë e Shqipes”/

Një festë e gjuhës, kulturës dhe krenarisë se historise shqiptare. Në një atmosferë të mbushur me emocione, krenari dhe dashuri për gjuhën amtare, ditën e diel, më 7 qershor 2026, Shkolla Shqipe “Gjuha Jonë” pranë Shoqatës Shqiptaro-Amerikane “Bijtë e Shqipes” në Philadelphia organizoi ceremoninë festive të mbylljes së vitit shkollor 2025–2026 – një ditë e veçantë që bashkoi nxënës, prindër, gjyshër, familjarë dhe anëtarë të komunitetit shqiptar në një festë të bukur të identitetit tonë kombëtar. Që në hyrje të sallës ndihej atmosfera festive. Skena ishte shndërruar në një tablo të bukur shqiptarie, falë talentit dhe kreativitetit të zonjës Erina Hasa, e cila kishte krijuar një dekor të veçantë e plot domethënie, ku spikaste madhështor flamuri ynë kombëtar – simboli që bashkon zemrat shqiptare kudo në botë. Muzika e përzgjedhur me kujdes nga DJ Bruno mirëpriste të pranishmit me ritme plot energji, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe festive gjatë gjithë aktivitetit.

Pas çdo performance fshihej puna e palodhur dhe përkushtimi i mësueseve të shkollës – zonjave Irini Zenelaj, Afërdita Muzhaqi, Mimoza Sotiri, Raimonda Bardhi dhe Rudina Bani – të cilat për javë të tëra punuan me dashuri dhe profesionalizëm me nxënësit për të sjellë në skenë një program artistik të pasur me këngë, valle, recitime dhe interpretime në gjuhën shqipe.

Këngët dhe recitimet, të interpretuara me shumë ndjenjë nga nxënësit, përcollën pafajësinë, talentin dhe shpirtin e bukur të fëmijëve tanë. Tingujt e këngëve shqiptare zgjuan shqiptarinë e ruajtur në zemrat e tyre, ndërsa recitimet sollën emocione të veçanta, duke shprehur krenarinë, dashurinë dhe mirënjohjen për gjuhën, kulturën dhe rrënjët tona. Mesazhet humane e falënderuese prekën zemrat e të pranishmëve, ndërsa kërcimet moderne mbushën sallën me energji, buzëqeshje dhe duartrokitje, duke e kthyer skenën në një festë të vërtetë.

Programi artistik u prezantua me shumë hijeshi nga dy nxënës të klasës së katërt, Amelia Prifti dhe Frenki Tolumbi, të cilët, me natyrshmëri dhe vetëbesim, udhëhoqën aktivitetin me krenari shqiptare dhe emocion të veçantë. Një nga çastet më prekëse dhe solemne të aktivitetit ishte ngritja e flamurit kombëtar nga dy flamurtarët e vitit shkollor, Harper Kolici dhe James Hoxha – nxënës shembullorë që për katër vite kanë ndjekur me përkushtim shkollën shqipe. Në tingujt e Himnit Kombëtar, të kënduar nga të gjithë të pranishmit, salla u mbush me emocion, krenari dhe dashuri për atdheun e rrënjët shqiptare.

Në emër të kryesisë së Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, të pranishmit i përshëndeti Nënkryetari i Shoqatës, z. Mexhit Koboci, i cili vlerësoi punën e mësuesve, sakrificën e prindërve dhe rëndësinë e jashtëzakonshme të ruajtjes së gjuhës shqipe tek brezat e rinj që rriten larg atdheut.

Një mirënjohje e veçantë iu shpreh edhe prindërve që kontribuuan për ta bërë këtë ditë edhe më të bukur. Znj. Elda Janji, me shumë bujari, solli tortën festive të aktivitetit, ndërsa znj. Nertila Gegolli-Hoxha kontribuoi me pretzels dhe tollumba nga Anila’s Kitchen për të gjithë fëmijët, duke shtuar ëmbëlsi dhe buzëqeshje në festën tonë.

Falënderime të veçanta shkojnë edhe për fotografin Armir Koka, i cili, me profesionalizëm dhe pasion, fiksoi në fotografi emocionet më të bukura të kësaj dite, duke krijuar kujtime të çmuara që do të mbeten gjatë në zemrat e nxënësve, familjeve dhe komunitetit tonë.

Një nga momentet më emocionuese të ceremonisë ishte përshëndetja e nxënësve të klasës së pestë, të cilët përfunduan me sukses rrugëtimin e tyre në Shkollën Shqipe “Gjuha Jonë”, duke mbyllur një kapitull të rëndësishëm të lidhjes së tyre me gjuhën amtare.

Me krenari të veçantë u përgëzuan nxënësit e diplomuar të vitit shkollor 2025–2026: Alen Janji, Aiden Zebib, Luis Bajlas, Sara Tabaku, Dion Brami, Daren Zeneli, Aiden Zela, Emma Pajollari, Anna Maria Plaku dhe Doel Beqollari.

Këta nxënës, gjatë viteve të shkollimit në gjuhën shqipe, jo vetëm mësuan të lexojnë e të shkruajnë në gjuhën e prindërve të tyre, por forcuan lidhjen me kulturën, traditat dhe identitetin shqiptar. Ata janë dëshmia më e bukur se gjuha shqipe jeton e trashëgohet me dashuri edhe larg trojeve tona.

Në shenjë respekti dhe vlerësimi, Shoqata Shqiptaro-Amerikane “Bijtë e Shqipes” nderoi me Certifikatë Mirënjohjeje prindërit e nxënësve të klasës së pestë për përkushtimin dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj shkollës shqipe dhe ruajtjes së identitetit kombëtar tek brezat e rinj.

Festa vijoi më tej mes muzikës, pica, pijeve, këngëve dhe valleve, duke sjellë buzëqeshje, gëzim dhe momente të paharrueshme për të gjithë të pranishmit.

Një falënderim i përzemërt për mësuesit, prindërit, vullnetarët dhe çdo mbështetës që kontribuon në këtë mision fisnik – ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar në diasporë.

Urime të gjithë nxënësve për përfundimin me sukses të vitit shkollor 2025–2026! Pushime të mbara dhe shihemi sërish në shtator, me edhe më shumë dashuri për gjuhën tonë të bukur shqipe – gjuhën e zemrës sonë.

Filed Under: Reportazh

“Çështja çame, histori, të drejtat e njeriut dhe dialog”

June 9, 2026 by s p

CYRIH – Në ambientet e Bibliotekës Pestalozzi në Cyrih u mbajt mbrëmja tematike me titull “Çështja çame: Histori, të drejtat e njeriut dhe dialog”, e organizuar nga Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” në bashkëpunim me LIDHJA SHQIPTARE NË BOTË

Në panel morën pjesë drejtuesi i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, Alket Veliu, juristi Nazmi Jakurti, akademiku dhe diplomati Prof. Dr. Pëllumb Xhufi, diplomati dhe shkrimtari Luan Rama, Prof. Dr. Bashkim Kuçuku si dhe filantropi Lazim Destani. Të pranishëm ishin gjithashtu veprimtarë, intelektualë dhe pjesëtarë të komunitetit shqiptar në Zvicër.

Mbrëmja u hap nga Nazmi Jakurti, i cili falënderoi drejtoreshën e bibliotekës, Suela Jorgaqi, delegacionin e ardhur nga Shqipëria dhe të gjithë pjesëmarrësit. Ai theksoi se një ditë më parë çështja çame ishte ngritur edhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, duke bërë të ditur se Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” kishte dorëzuar dokumentacion përkatës lidhur me këtë çështje. Në fjalën e tij, Jakurti u ndal te nevoja për drejtësi dhe trajtim të dinjitetshëm të kësaj teme historike.

Filantropi Lazim Destani falënderoi organizatorët për ftesën dhe shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen në këtë aktivitet, duke përshëndetur të pranishmit.

Në vijim, gazetari dhe publicisti Enver Robelli foli për rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve kudo që jetojnë, duke përmendur sfidat me të cilat përballen shqiptarët në rajon. Ai theksoi nevojën për mobilizim dhe bashkëpunim më të gjerë kombëtar.

Fjalë rasti mbajti edhe drejtoresha e Bibliotekës Pestalozzi, Suela Jorgaqi, e cila falënderoi pjesëmarrësit dhe prezantoi fondin e librave në gjuhën shqipe që posedon biblioteka. Ajo njoftoi se në fund të aktivitetit pjesëmarrësit do të kishin mundësinë të vizitonin ambientet e bibliotekës dhe të njiheshin më nga afër me koleksionin e saj.

Një moment i veçantë i mbrëmjes ishte paraqitja e një grupi të udhëhequr nga stilistja Balaj Flora, ku katër pjesëmarrës të veshur me kostume tradicionale çame surprizuan delegacionin e ardhur nga Shqipëria dhe të pranishmit në sallë.

Prof. Dr. Pëllumb Xhufi u ndal gjerësisht te historia e Çamërisë, duke trajtuar zhvillimet historike dhe sfidat me të cilat është përballur popullsia çame ndër vite.

Diplomati dhe shkrimtari Luan Rama foli për dimensionin njerëzor të çështjes çame, duke shprehur shqetësimin për humbjen graduale të identitetit dhe trashëgimisë kulturore të çamëve që jetojnë në Greqi.

Ndërkaq, Prof. Dr. Bashkim Kuçuku u fokusua në zhvillimet më të reja historike, duke trajtuar aspektet që lidhen me të drejtat dhe trajtimin e komunitetit çam në periudha të ndryshme.

Në fjalën e tij, Alket Veliu vlerësoi bashkëpunimin me Lidhjen Shqiptare në Botë dhe organizatat shqiptare brenda dhe jashtë trojeve shqiptare. Ai kujtoi kontributin e shqiptarëve çamë gjatë periudhës së luftës në Kosovë, duke bërë paralele mes përvojave historike të dëbimit të popullsisë çame dhe vuajtjeve të shqiptarëve të Kosovës. Veliu prezantoi gjithashtu aktivitetet e fondacionit dhe theksoi nevojën që çështja çame të zërë më shumë vend në tekstet shkollore.

Në vazhdim, Nazmi Jakurti ritheksoi se nuk duhet të ketë dallime mes shqiptarëve, ndërsa vlerësoi kontributin e gazetarit veteran Rexhep Rifati.

Rexhep Rifati ndau përvojat nga vizita e tij në Çamëri, duke folur për trashëgiminë historike dhe kulturore të krahinës, si dhe për ngjashmëritë mes komuniteteve shqiptare të shpërndara në vende të ndryshme.

Pjesa e fundit e aktivitetit iu kushtua diskutimit të hapur me pjesëmarrësit, të cilët parashtruan pyetje dhe ndanë mendimet e tyre mbi çështjen çame dhe sfidat me të cilat përballen komunitetet shqiptare në rajon.

Mbrëmja u përmbyll me një vizitë në ambientet e bibliotekës, ku pjesëmarrësit patën mundësinë të njiheshin me fondin e librave në gjuhën shqipe dhe të zhvillonin biseda e njohje të mëtejshme mes tyre në një atmosferë miqësore.

Marrë nga “Besainfo Ch”

Filed Under: Reportazh

Festivali Shqiptar në Waterbury solli dy ditë krenarie, tradite dhe bashkimi komunitar

June 8, 2026 by s p

WATERBURY, CT – Komuniteti shqiptar në Waterbury festoi me sukses Festivalin Shqiptar, një aktivitet dyditor që mblodhi rreth pesë mijë pjesëmarrës për të shijuar kulturën, traditat dhe mikpritjen shqiptare. Festivali u zhvillua në ambientet e Qendrës së Komunitetit Shqiptaro-Amerikan Mysliman në Waterbury dhe ofroi një program të pasur me aktivitete kulturore, artistike dhe komunitare.

Gjatë dy ditëve të festivalit, vizitorët patën mundësinë të shijojnë gatime tradicionale shqiptare, muzikë live, aktivitete familjare dhe një atmosferë të ngrohtë që pasqyroi vlerat dhe trashëgiminë tonë kombëtare.

Një nga momentet më të veçanta të festivalit ishin vallet e fëmijëve, të interpretuara me shumë përkushtim nga nxënësit e shkollës së komunitetit. Performancat e tyre u pritën me duartrokitje të shumta dhe dëshmuan rëndësinë e ruajtjes së gjuhës, kulturës dhe traditave shqiptare te brezat e rinj.

Në kuadër të aktivitetit u ndanë gjithashtu bursa për studentët, duke vlerësuar arritjet e tyre akademike dhe duke inkurajuar vazhdimin e suksesit në arsim. Ky gjest përfaqëson përkushtimin e komunitetit për të mbështetur të rinjtë dhe të ardhmen e tyre.

Një moment tjetër i rëndësishëm ishte ceremonia e nderimit të disa personaliteteve dhe mbështetësve të komunitetit. Me titullin “Miq të Shqiponjës” u vlerësuan individë që kanë kontribuar në forcimin e lidhjeve dhe mbështetjen e komunitetit shqiptar. Po ashtu, me mirënjohje të veçantë u nderua z. Rrustem Demiraj për kontributin e tij të palodhur dhe punën vullnetare ndër vite në shërbim të komunitetit.

Festivali u karakterizua nga një pjesëmarrje e gjerë dhe aktivitete të shumta që promovuan unitetin, kulturën dhe krenarinë shqiptare.

Organizatorët shprehin mirënjohjen e tyre të sinqertë për të gjithë sponsorët, vullnetarët, anëtarët e komisionit organizues dhe pjesëmarrësit që kontribuuan në suksesin e këtij festivali. Falë mbështetjes dhe përkushtimit të tyre, Festivali Shqiptar në Waterbury vazhdon të mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të komunitetit shqiptar në Connecticut.

Faleminderit të gjithëve që kontribuuan dhe morën pjesë në këtë festë të kulturës, traditës dhe bashkimit shqiptar.

Me rrespekt dhe lutje.

Endrit Himaj

Foto: Gerolld Nikoliqi

Filed Under: Reportazh

Takim në Zyrën e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut në OKB për çështjen çame

June 5, 2026 by s p

Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini”/

Sot, në zyrën e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, u zhvillua një takim kushtuar çështjes çame dhe të drejtave të mohuara të shqiptarëve të Çamërisë për më shumë se 82 vjet.

Delegacioni shqiptar përbëhej nga Alket Veliu, drejtues i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, Nazmi Jakurti, kryetar i Lidhjes së Shqiptarëve në Botë me qendër në Zvicër, diplomati dhe akademiku Prof. Dr. Pëllumb Xhufi, diplomati, shkrimtari dhe publicisti Luan Rama, si dhe Prof. Dr. Bashkim Kuçuku, themelues dhe kryeredaktor i parë i gazetës “Çamëria”.

Delegacioni u prit nga znj. Claudia De La Fuente, Sekretare e Nënkomitetit për Parandalimin e Torturës pranë Degës së Traktateve të të Drejtave të Njeriut.

Gjatë takimit, z. Veliu theksoi se çështja çame nuk është thjesht një çështje historike e së kaluarës, por një problem me pasoja konkrete që vazhdojnë të prekin shqiptarët e Çamërisë edhe sot. Ai nënvizoi se të drejta themelore, si e drejta e pronës, e drejta mbi trashëgiminë historike dhe kulturore, si dhe e drejta për të vizituar lirisht vendlindjen e prindërve dhe gjyshërve të tyre, vazhdojnë të mohohen nga shteti grek.

Në mënyrë të veçantë, z. Veliu solli në vëmendje rastet e shumta të personave të lindur në Çamëri, të cilëve u ndalohet hyrja në Greqi dhe vizita në shtëpitë ku kanë lindur, përmes pretekstesh administrative që bien ndesh me standardet europiane të të drejtave të njeriut.

Prof. Dr. Pëllumb Xhufi paraqiti një pasqyrë historike të çështjes çame, duke argumentuar se që prej vitit 1913 politika shtetërore greke ka ndjekur një linjë të qartë diskriminimi dhe spastrimi etnik ndaj popullsisë shqiptare të Çamërisë. Ai vuri në dukje gjithashtu mungesën e një angazhimi të qëndrueshëm të diplomacisë shqiptare për trajtimin e kësaj çështjeje në arenën ndërkombëtare. Prof. Xhufi theksoi se mbajtja në fuqi e Ligjit të Luftës përbën një paradoks të papranueshëm në marrëdhëniet mes dy vendeve që kanë nënshkruar traktate miqësie dhe bashkëpunimi.

Diplomati dhe shkrimtari Luan Rama solli në vëmendje mënyrën se si Europa ka trajtuar rastet e krimeve të kryera ndaj popullsive të ndryshme, duke kujtuar aktet e reflektimit dhe kërkimit të faljes të ndërmarra nga burra shteti europianë si François Mitterrand dhe Willy Brandt. Ai theksoi se një reflektim i tillë nga shteti grek mungon ende për krimet e kryera ndaj shqiptarëve të Çamërisë.

Z. Rama ngriti gjithashtu shqetësimin për humbjen progresive të identitetit shqiptar në Çamëri. Sipas tij, shkatërrimi i shtëpive tradicionale, objekteve të kultit, monumenteve dhe trashëgimisë historike përbën jo vetëm humbje për shqiptarët, por edhe për vetë trashëgiminë kulturore europiane. Ai nënvizoi se shqiptarët nuk kanë kërkuar kurrë ndryshim kufijsh, por vetëm respektimin e të drejtave themelore të mohuara prej dekadash.

Prof. Dr. Bashkim Kuçuku foli për përpjekjet e vazhdueshme të shqiptarëve të Çamërisë, institucioneve dhe intelektualëve shqiptarë për ta sjellë çështjen çame në vëmendjen e institucioneve ndërkombëtare. Ai theksoi se kërkesat e shqiptarëve të Çamërisë janë paqësore dhe plotësisht në përputhje me frymën e konventave europiane dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Nga ana e tij, z. Nazmi Jakurti theksoi se çështja çame është një çështje kombëtare shqiptare, për të cilën janë angazhuar shqiptarë nga të gjitha trojet dhe diaspora. Ai nënvizoi se Lidhja e Shqiptarëve në Botë e ka përfshirë çështjen çame në mënyrë të vazhdueshme në agjendën e saj institucionale dhe publike.

Në përfundim të takimit, znj. Claudia De La Fuente falënderoi delegacionin për informacionin e paraqitur dhe shprehu gatishmërinë për ta përcjellë këtë çështje pranë strukturave përkatëse të Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut. Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e marrjes së informacionit zyrtar nga shteti grek dhe ai shqiptar, me qëllim krijimin e një panorame të plotë mbi qëndrimet institucionale lidhur me çështjen çame.

Në fund të takimit, z. Veliu i dorëzoi znj. De La Fuente një dosje të gjerë dokumentare mbi çështjen çame, që përfshin materiale historike, juridike, politike dhe kulturore, si dhe dëshmi autentike të të mbijetuarve të dëbimit dhe persekutimit të shqiptarëve të Çamërisë.

Gjenevë 5 Qershor 2026

Filed Under: Reportazh

PROTESTA NE TE GJITHE SHQIPERINE KUNDER SHITJES DHE SHPERBERJES TE VENDIT

June 2, 2026 by s p

Dr. Dritan Demiraj/

Prej shumë vitesh kam ngritur zërin publikisht në media, konferenca dhe institucione ndërkombëtare për një fenomen tepër shqetësues: vendimmarrjen që shpeshherë i ka shërbyer interesave të ngushta politike, ekonomike dhe të huaja, ndërsa interesat e qytetarëve shqiptarë janë lënë në plan të dytë.

Ajo që dikur konsiderohej si paralajmërim, sot po shfaqet përpara syve të të gjithëve. Mashtrimi, propaganda, dezinformimi dhe përdorimi i mediave të kontrolluara për të fshehur realitetin nuk mund të mbulojnë më pakënaqësinë e qytetarëve. Shqiptarët po përballen çdo ditë me humbjen e pronës, pasigurinë ekonomike, emigracionin masiv dhe mungesën e shpresës për të ardhmen.

Protestat e nisura në Vlorë, Lezhë, Dukagjin, Rrjoll dhe zona të tjera të vendit tregojnë qartë se propaganda e pushtetit po humbet fuqinë e saj. Qytetarët po kuptojnë se pas sloganëve për “investime strategjike” shpesh fshihen interesa të ngushta oligarkike që nuk përputhen me interesin kombëtar dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

E njejta gje po ndodh ne Qipro, Greqi tashme dhe ne Shqiperi, ku objektivi eshte i qarte shpopullim i qellimshem me qellim gazakizimin e Shqiperise, duke perdorur terma dhe justifikime per investime strategjike dhe metoda dhune, shkaterrimi, kercenimi me disa ndyresira me kapuc qe masakrojne qytetaret nen mbrojtjen e policise te shtetit e cila ka per mision mbrojtjen e tyre.

Për më shumë se një dekadë kam paralajmëruar për rrezikun e zbrazjes demografike të Shqipërisë, për largimin e të rinjve dhe për shndërrimin e vendit në një hapësirë ku qytetari i zakonshëm ndihet gjithnjë e më pak zot i shtëpisë së vet. Sot, fatkeqësisht, këto shqetësime po bëhen gjithnjë e më të dukshme.

Asnjë qeveri dhe asnjë pushtet nuk mund të qëndrojë mbi ligjin, mbi të drejtën e pronës dhe mbi dinjitetin e qytetarëve. Dhuna, presioni, intimidimi apo përdorimi i forcës kundër qytetarëve nuk mund të zëvendësojnë dialogun dhe drejtësinë.

Prandaj, është momenti që qytetarët të mbrojnë me mjete demokratike dhe paqësore familjet e tyre, të ardhmen e fëmijëve të tyre dhe të drejtën e pronës. Protesta qytetare është një e drejtë themelore në çdo demokraci dhe duhet të mbetet paqësore, e organizuar dhe e vendosur.

Zëri i qytetarëve nga Veriu në Jug duhet të dëgjohet qartë. Nga Rrjolli e Dukagjini, në Vlorë, Shkodër dhe Tiranë, shqiptarët duhet të kërkojnë llogari, transparencë dhe respekt për interesin kombëtar, duke krijuar nje mase e cila duhet te detyroje qeverine antishqiptare te Rilindjes ti pergjigjet deri ne nje popullit qe e ka vjedhur keto 14 vjet deri ne palce.

Koha për të reaguar është sot. Nesër mund të jetë vonë.

Keto protesta nuk duhen lejuar te behen prone e partive politike, por e perfaqesuesve nga populli qe nuk perfaqesojne interesat e oligarkeve te pushtetit.

🇦🇱 Shqipëria u përket shqiptarëve dhe e ardhmja e saj duhet të ndërtohet në shërbim të qytetarëve të saj.

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 193
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë
  • Guximi për të qenë vetvetja
  • Gjuha shqipe në pasqyrën e poliglotisë evropiane: Dëshmia e “Lutjes së Zotit” te Lorenzo Hervás y Panduro
  • “Mes shkencës dhe dritës” – një roman për njeriun modern
  • KOSOVA NË SESIONIN E 81-TË
  • Për Bujar Alimanin, “Virgjereshën” dhe kinematografinë shqiptare
  • PETRO NINI LUARASI NË AMERIKË 1904-1908 — NJË MISION PATRIOTIK
  • KOSOVA MES KONSOLIDIMIT KUSHTETUES DHE AFIRMIMIT NDËRKOMBËTAR
  • NËSE UASHINGTONI MBRON SOVRANITETIN E VET PËRBALLË NJË GJYKATE NDËRKOMBËTARE, KOSOVA DUHET TË KETË TË DREJTËN TË HAPË DEBATIN E VET KUSHTETUES PËR DHOMAT E SPECIALIZUARA
  • Pse arrestimi i kreut të SHISH është një dështim shtetëror
  • “Si shihet atdheu nga larg”
  • Në besnikërinë ndaj Shqipnisë…
  • Shqiptarët dhe Europa…
  • SHQIPTARËT NË MAL TË ZI DHE IDENTITETI SI PJESË E VLERAVE TONA KOMBËTARE
  • ÇËSHTJA ÇAME NË PUNIMET E ASAMBLESË KUSHTETUESE TË VITIT 1924

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT