Princi shqiptar që nuk reshti së ëndërruari çlirimin e Arbërisë.
Nga Rafael Floqi

Historia shqiptare e shekullit XV është e lidhur pazgjidhshmërisht me emrin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Fitorja e tij kundër Perandorisë Osmane dhe rezistenca njëçerek shekullore e Arbërisë e kanë bërë heroin kombëtar simbolin më të njohur të identitetit shqiptar. Megjithatë, pas vdekjes së Skënderbeut në vitin 1468 dhe rënies përfundimtare të kështjellave shqiptare, historia nuk u mbyll. Ajo vazhdoi në një skenë tjetër, jashtë kufijve të Arbërisë, aty ku fisnikët shqiptarë të detyruar të mërgonin u përpoqën ta shndërronin Evropën në aleaten e çlirimit të vendit të tyre.
Njëri prej tyre ishte Kostandin Komnen Arianiti, një figurë që për dekada mbeti në hijen e Skënderbeut, megjithëse në kohën e tij ishte një nga shqiptarët më të njohur në oborret mbretërore të Evropës. Ai shërbeu pranë papëve, mbretërve të Francës dhe perandorëve të Perandorisë së Shenjtë Romake, drejtoi ushtri, zhvilloi misione diplomatike, qeverisi principata italiane dhe u përfshi në projektet më ambicioze të kohës për organizimin e një kryqëzate kundër Perandorisë Osmane. Për më shumë se katër dekada ai mbeti zëri më këmbëngulës i aristokracisë shqiptare në mërgim.
Megjithëse disa bashkëkohës e konsideruan aventurier për shkak të pretendimeve të tij mbi titujt bizantinë, dokumentet historike dëshmojnë një realitet shumë më kompleks. Kostandin Arianiti nuk ishte një fisnik që kërkonte vetëm lavdi personale. Ai ishte pjesë e brezit të princërve shqiptarë që besonin se pushtimi osman nuk ishte i përhershëm dhe se Evropa, herët a vonë, do të organizonte një ekspeditë të madhe për çlirimin e Ballkanit. Jeta e tij është historia e një njeriu që jetoi midis diplomacisë dhe luftës, midis idealit dhe realpolitikës, midis kujtesës së Bizantit dhe lindjes së Evropës moderne.
Trashëgimtari i një prej familjeve më të mëdha princërore shqiptare
Kostandin Komnen Arianiti lindi rreth viteve 1456–1457, ndoshta në Durrës, në një periudhë kur Arbëria po jetonte vitet e fundit të rezistencës së organizuar kundër Perandorisë Osmane. Ai ishte djali i Gjergj Arianitit, një prej komandantëve më të mëdhenj shqiptarë të gjysmës së parë të shekullit XV, princi që kishte fituar një sërë betejash kundër ushtrive osmane edhe përpara se Skënderbeu të ngrinte flamurin në Krujë më 1443.
Historianët shpesh e kanë lënë në plan të dytë figurën e Gjergj Arianitit, por kronikat e kohës dëshmojnë se ai ishte një nga aleatët më të rëndësishëm të Skënderbeut dhe një nga udhëheqësit ushtarakë më të respektuar të Arbërisë. Për afro tri dekada ai mbrojti zotërimet e tij nga sulmet osmane dhe u bë simbol i qëndresës shqiptare. Nëna e Kostandinit ishte Pietrina Francone, bija e baronit Oliviero Francone nga Pulia, çka e lidhte familjen Arianiti edhe me aristokracinë italiane.
Rrjeti familjar i Arianitëve ishte ndër më të fuqishmit në Ballkan. Motra e tij Donika ishte bashkëshortja e Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Motra tjetër, Angelina, u martua me despotin serb Stefan Brankoviç, ndërsa Vojisava u bë bashkëshortja e Ivan Crnojeviçit, sundimtarit të Zetës. Këto martesa nuk ishin rastësi; ato përbënin pjesë të një politike aleancash që synonte bashkimin e forcave të krishtera kundër zgjerimit osman.
Pas vdekjes së Gjergj Arianitit dhe Skënderbeut në vitin 1468, ekuilibri politik në Ballkan u shemb me shpejtësi. Njëra pas tjetrës ranë qytetet shqiptare. Kruja u pushtua në vitin 1478, ndërsa një vit më vonë ra edhe Shkodra. Mijëra familje shqiptare u detyruan të kalonin Adriatikun drejt brigjeve italiane. Midis tyre ishte edhe familja e re e Kostandinit.
Në vitin 1463, Senati i Republikës së Venedikut njohu tre djemtë e Gjergj Arianitit me titullin Patricë Venedikas, duke njohur statusin dhe rëndësinë politike të kësaj familjeje. Kjo nuk ishte vetëm një nderim simbolik; ishte një mënyrë për të ruajtur lidhjet me aristokracinë shqiptare, e cila konsiderohej ende një faktor i rëndësishëm në politikën adriatike. Dokumentet venedikase dëshmojnë se nëna e Kostandinit, Pietrina, kërkoi mbështetjen e Senatit për të siguruar mbijetesën e familjes pas rënies së Arbërisë.
Fillimi i një karriere evropiane
Ndryshe nga shumë fisnikë të tjerë shqiptarë që mbetën në shërbim ushtarak të Mbretërisë së Napolit, Kostandini zgjodhi një rrugë më të gjerë politike. I ri në moshë, ai hyri në administratën pontifikale gjatë papatit të Sikstit IV dhe mori detyrën e protonotarit apostolik, një funksion që e afronte me administratën më të lartë të Selisë së Shenjtë.
Papa i dha një pension të konsiderueshëm mujor, çka tregon se ai gëzonte besim dhe mbështetje. Për një princ shqiptar në mërgim, kjo ishte një mundësi e rrallë për të hyrë në qendrat ku vendosej politika evropiane. Ai filloi të krijonte lidhje me fisnikërinë italiane, diplomatët francezë dhe oborret mbretërore, duke fituar gradualisht reputacionin e një njeriu të kulturuar, me aftësi të spikatura negociuese dhe njohës të shkëlqyer të Ballkanit.
Kthesa vendimtare në jetën e tij erdhi në vitin 1492, kur u martua me Françeska Paleologun e Monferratos, vajzën e markezit Bonifaci III Paleolog. Përmes kësaj martese ai u lidh me dinastinë e fundit perandorake të Bizantit, familjen Paleologe, një lidhje që do të ndikonte fuqishëm në karrierën dhe ambiciet e tij politike. Martesa i solli jo vetëm prona, kështjella dhe pasuri në Piemonte, por edhe një prestigj të jashtëzakonshëm në qarqet aristokratike evropiane.
Që nga kjo periudhë, emri i tij shfaqet në dokumente si Constantinus Comnenus Arianites, duke bashkuar trashëgiminë shqiptare me atë bizantine. Pikërisht këtu fillon edhe historia e pretendimeve të tij për titujt Princ i Maqedonisë, Dukë i Akaisë dhe më vonë Despot i Moresë. Edhe pse historianët modernë i konsiderojnë këta tituj kryesisht simbolikë, në fundin e shekullit XV ata kishin një rëndësi të madhe diplomatike. Në një Evropë ku legjitimiteti dinastik ishte pjesë e politikës ndërkombëtare, këta tituj e paraqisnin Kostandinin si një kandidat të mundshëm për udhëheqjen e territoreve që mund të çliroheshin nga osmanët.
Në fund të shekullit XV, Evropa ndodhej në një udhëkryq historik. Vetëm katër dekada kishin kaluar nga rënia e Kostandinopojës dhe zgjerimi osman dukej i pandalshëm. Megjithatë, në oborret mbretërore të Francës, Napolit, Vjenës dhe Romës vazhdonte të ushqehej ideja e një kryqëzate të re, e cila jo vetëm do të ndalte marshimin osman, por do të rikthente edhe tokat e humbura të krishterimit në Ballkan.
Për Kostandin Komnen Arianitin kjo nuk ishte thjesht një strategji diplomatike. Ishte misioni i jetës së tij.
Projekti i Karlit VIII dhe shpresa për rikthimin në Arbëri
Në vitin 1494, mbreti i ri i Francës, Karli VIII, nisi ekspeditën e tij drejt Italisë për të marrë fronin e Napolit. Për shumë historianë kjo ishte vetëm fillimi i Luftërave Italiane, por për Kostandin Arianitin ajo përfaqësonte një mundësi historike.
Në Casale të Monferratos ai u takua me mbretin francez dhe i paraqiti një projekt shumë më të madh sesa pushtimi i Napolit. Sipas planit të tij, pasi Franca të siguronte Italinë Jugore, ushtria franceze duhej të kalonte Adriatikun dhe të zbarkonte në brigjet shqiptare. Në të njëjtën kohë shqiptarët, grekët dhe popujt e tjerë të Ballkanit do të ngrinin kryengritje të përgjithshme kundër Perandorisë Osmane. Ky ishte vizioni i një fronti të përbashkët evropian për çlirimin e Ballkanit.
Diplomati dhe kronisti francez Philippe de Commynes, i cili e njihte personalisht Kostandinin, shkruante se princi shqiptar ishte i bindur se shqiptarët prisnin vetëm një shenjë për t’u ngritur në armë. Sipas tij, “Maqedonia dhe Thesalia janë pjesë e trashëgimisë së tij”, duke iu referuar pretendimeve dinastike të Arianitit dhe besimit të tij se mund të udhëhiqte territoret e çliruara. Për Commynes, Kostandini nuk ishte një aventurier, por një nga njerëzit më të informuar për gjendjen politike në Ballkan.
Në këtë projekt një rol të rëndësishëm kishte edhe kryepeshkopi i Durrësit, Martin Albari (ose Martin Firmiano), i cili udhëtonte fshehurazi midis Shqipërisë, Venedikut dhe Italisë së Jugut për të organizuar kryengritjen. Dokumentet venedikase tregojnë se ai transportonte armë, korrespondencë dhe udhëzime për krerët shqiptarë, ndërsa mbante lidhje të vazhdueshme me Arianitin dhe me oborrin francez.
Siç shkruan dhe historiani Joël Blanchard në studimin e tij Commynes evropiani, “peshkopi shqiptar Martino pak kohë më parë kishte bërë një inspektim në zonën e Dalmacisë, ku kishte takuar nipat e Konstandin Aranitit dhe të Skënderbeut. Ai kishte frymëzuar shpirtrat e mijra kristianëve që ishin gati të ngriheshin në luftë.” Megjithatë, Martino arriti të arratisej, apo të lirohej, siç shkruhet dhe në një letër të datës 10 mars 1495, që miqtë e tij në Venecie i dërgojnë ambasadorit francez Commynes, i cili kishte bërë të gjitha përçapjet që ta nxirrte arqipeshkvin shqiptar nga qelia ku e mbanin. Franciscus Bernardus Vivecomes dhe Taddeus Vicomercatus, i shkruajnë “Illustrissime et excellentissime Seigneur Philippe Commynnes” se “arqipeshkvi shqiptar që po përgatitej këto ditë të ikte në Levant, u la i lirë në sajë të mbështetjes, influencës dhe kërkesave të princ d’Argenton”.
Frika e Venedikut
Nëse Franca e shihte projektin si një mundësi për të zgjeruar ndikimin e saj në Mesdhe, Republika e Venedikut kishte një këndvështrim krejt tjetër. Ajo kishte ndërtuar prej dekadash një ekuilibër delikat me Perandorinë Osmane, mbi të cilin mbështetej tregtia e saj në Lindje.
Një kryengritje shqiptare e mbështetur nga Franca rrezikonte ta prishte këtë ekuilibër.
Ndërkohë Konstandini kishte shkuar në Milano dhe kishte kërkuar të bindë fisnikët Sforza të Milanos që të angazhoheshin edhe ata në këtë betejë të madhe. Por Sforzat nuk pranuan, madje fshehurazi, ata i kërkuan venedikasve që ta ndalonin Aranitin në përpjekjet e tij. Në Durrës, luftëtarët e Martino Firmianos mblidhnin armë, ndërsa në bregun tjetër të Adriatikut, Konstandini u kërkonte dalmatëve të Raguzës që tu shisnin disa anije lufte, “lombarda”, për të mundur kështu të pushtonin kështjellat që ishin ende në duart e osmanëve.
Më 22 shkurt të vitit 1495, Charles VIII hyri në Napoli. Ai hyri pa pompozitet dhe i pa armatosur. Ai priste që Papa Alexandre VI të shfaqej në oborrin e tij për të bërë bekimin papal të domosdoshëm, por ndërkohë në fshehtësi, Papa ishte bashkuar në një Ligë të formuar midis milanezëve dhe vendikasve, pra në një ligë anti-franceze.
Kur Senati venedikas mori vesh planet e Kostandin Arianitit dhe të kryepeshkopit Martin, reagoi menjëherë. Martin Albari u arrestua, dokumentet e tij u sekuestruan dhe përgatitjet për kryengritjen u sabotuan. Vetë Kostandini arriti të shpëtonte vetëm falë ndërhyrjes së miqve të tij dhe statusit si patric venedikas. Për Venedikun, ruajtja e paqes me sulltanin kishte përparësi ndaj çdo ideje për një kryqëzatë.
Ky episod tregon një nga paradokset më të mëdha të politikës evropiane të kohës. Ndërsa princat shqiptarë përpiqeshin të bindnin Perëndimin të organizonte çlirimin e Ballkanit, interesat ekonomike dhe rivalitetet ndërmjet fuqive italiane e bënin pothuajse të pamundur një bashkim të vërtetë kundër Perandorisë Osmane.
Beteja e Fornovës
Edhe pse projekti i zbarkimit në Shqipëri dështoi, Kostandini nuk u shkëput nga Karli VIII. Ai vazhdoi ta shoqëronte mbretin francez gjatë fushatës italiane.
Kulmi i kësaj periudhe ishte Beteja e Fornovës, më 6 korrik 1495, një nga përplasjet më të rëndësishme të Luftërave Italiane. Ushtria franceze, shumë më e vogël në numër, u përball me forcat e Lidhjes së Shenjtë të përbërë nga Venediku, Milano, Mantova dhe aleatët e tyre.
Në të dy kampet luftonin edhe stratiotët shqiptarë, kalorësit e famshëm ballkanikë që kishin fituar reputacion të jashtëzakonshëm për shpejtësinë dhe aftësitë luftarake. Disa ishin në shërbim të Francës, të tjerë të Venedikut dhe Mantovës. Ishte një situatë paradoksale ku shqiptarët gjendeshin në të dyja anët e fushës së betejës.
Kronikat tregojnë se vetë Karli VIII luftoi në vijën e parë. Stratiotët sulmuan kolonën franceze, por duke u shpërndarë për të plaçkitur karvanin mbretëror humbën avantazhin fillestar. Francezët arritën të çanin rrethimin dhe të vazhdonin marshimin drejt veriut.
Edhe pse beteja nuk solli fitues të qartë, ajo shënoi fundin e ëndrrës së Karlit VIII për një ekspeditë drejt Ballkanit. Franca tashmë duhej të merrej me konfliktet italiane dhe jo me çlirimin e Shqipërisë.
Për Kostandin Arianitin kjo ishte një goditje e rëndë. Një mundësi historike kishte humbur.
Regjent i Monferratos
Pas vdekjes së markezit Bonifaci III dhe më pas të Maria Brankoviçit, Kostandini mori kujdestarinë e trashëgimtarit të mitur Guglielmo IX dhe u bë regjent i Monferratos.

Për pesë vjet ai qeverisi një nga principatat më të rëndësishme të Italisë Veriore. Ishte një arritje e jashtëzakonshme për një princ shqiptar në mërgim. Ai drejtonte administratën, ushtrinë dhe marrëdhëniet diplomatike të principatës, duke fituar respektin e shumë oborreve evropiane.
Megjithatë politika ishte e pamëshirshme. Kur në fronin francez erdhi Luigji XII, balancat ndryshuan. Kostandini u akuzua se nuk ishte mjaftueshëm besnik ndaj interesave franceze, u arrestua në Novara dhe u burgos. Por edhe kësaj radhe ai arriti të arratisej dhe rifilloi karrierën diplomatike.
Në shërbim të Papëve dhe Perandorëve
Arratisja nuk shënoi fundin e karrierës së tij. Përkundrazi.
Perandori Maksimilian I e emëroi ambasador pranë Selisë së Shenjtë, ndërsa Papa Juli II e bëri një nga bashkëpunëtorët më të afërt.
Kronikat papnore e përshkruajnë Kostandinin si një burrë me shtat të lartë, elokuent dhe me autoritet të madh diplomatik. Papa jo vetëm që ia rriti pensionin, por e emëroi komandant të forcave papnore dhe e mori me vete në disa nga ekspeditat më të rëndësishme ushtarake të kohës.
Ai ishte pjesë e ceremonive madhështore të hyrjes së Julit II në Bolonjë, mori pjesë në krijimin e Lidhjes së Kambrës dhe shërbeu si ndërmjetës midis Francës, Perandorisë dhe Papatit. Në këtë periudhë emri i tij përmendet vazhdimisht në korrespondencën diplomatike të Evropës Perëndimore.
Në vitin 1514 Papa Leoni X e emëroi guvernator të Fanos, qytetit strategjik në brigjet e Adriatikut. Nuk ishte një zgjedhje rastësore. Fano ishte një nga portat kryesore ku mbërrinin refugjatët shqiptarë dhe grekë dhe konsiderohej pikënisje e mundshme për çdo ekspeditë të ardhshme drejt Ballkanit.
Megjithatë administrimi i qytetit u vështirësua nga politikat fiskale të Papatit. Banorët u rebeluan dhe Arianiti u detyrua të strehohej në kështjellë. Edhe pse u largua përkohësisht nga detyra, Papa Klementi VII e riktheu më vonë në administratë, një dëshmi e besimit që Selia e Shenjtë vazhdonte të kishte ndaj tij.
Fundi i një jete të jashtëzakonshme
Vitet e fundit të jetës Kostandini i kaloi në Montefiore Conca, një fortesë e fuqishme në zotërim të Papatit. Edhe në pleqëri ai vazhdoi të përdorte titujt Princ i Maqedonisë, Dukë i Akaisë dhe Despot i Moresë, jo si shenjë vaniteti, por si simbol i një bote që besonte se mund të ringjallej.
Ai vdiq më 8 maj 1530, rreth moshës 74-vjeçare. Trupi i tij u varros në Romë, ndërsa vendndodhja e saktë e varrit mbetet ende objekt diskutimesh mes historianëve. Në epitafin e tij u gdhendën pikërisht titujt që kishte mbrojtur gjatë gjithë jetës.
Trashëgimia
Historia shqiptare e ka kujtuar me të drejtë Skënderbeun si heroin e madh të qëndresës, por shumë më pak është ndalur te brezi që vazhdoi betejën pas tij. Kostandin Komnen Arianiti ishte figura më përfaqësuese e këtij brezi.
Ai nuk arriti ta çlironte Arbërinë. Nuk u bë mbret i Maqedonisë dhe as despot i Moresë. Por për më shumë se dyzet vjet ai mbajti gjallë në kancelaritë e Evropës idenë se Shqipëria dhe Ballkani nuk ishin një çështje e mbyllur.
Në një kohë kur Evropa po kalonte nga Mesjeta në Rilindje, ai ndërtoi ura midis aristokracisë shqiptare, trashëgimisë bizantine dhe diplomacisë perëndimore. Prandaj figura e tij nuk duhet parë si ajo e një pretendenti romantik ndaj froneve të humbura, por si një diplomat shqiptar me ndikim evropian, i cili përdori prestigjin, lidhjet familjare dhe aftësitë politike për ta mbajtur gjallë çështjen shqiptare në një nga periudhat më të vështira të historisë sonë.
Në këtë kuptim, Kostandin Komnen Arianiti mbetet një nga personalitetet më ndërkombëtare të aristokracisë shqiptare të shekujve XV-XVI, një njeri që jetoi mes lavdisë së së kaluarës dhe shpresës për një të ardhme që nuk u realizua kurrë, por që la gjurmë të pashlyeshme në historinë politike të Evropës.
Burimet
- Franz Babinger, studimet mbi Kostandin Komnen Arianitin.
- Philippe de Commynes, Mémoires.
- Jonathan Harris, studime mbi trashëgiminë bizantine dhe diasporën.
- Giorgio Fiori, Gli Arianiti, una famiglia albanese alla corte di Monferrato.
- Paolo Petta, studime mbi aristokracinë shqiptare në Itali.
- Pierluigi Piano, studime mbi familjen Arianiti dhe Monferraton.
- Didier Le Fur, Charles VIII.
- Ivan Cloulas, Charles VIII.
- Marino Sanudo, Diarii.
- Domenico Malipiero, Annali.
- Dokumentet e Arkivit të Vatikanit.
- Dokumentet e Arkivit Shtetëror të Venedikut.