
Prof.dr. Pal Nikolli/
Universiteti shqiptar nuk po vuan vetëm nga kriza e dijes, por edhe nga uzurpimi politik i katedrave, ku militantizmi, bindja partiake dhe servilizmi po përpiqen të zëvendësojnë meritën, integritetin dhe lirinë akademike.
Ka një tragjedi që nuk matet me statistika, nuk pasqyrohet në raportet zyrtare dhe nuk duket në fasadat e universiteteve. Është tragjedia e një vendi që, pasi nuk arriti të ndërtojë një demokraci të shëndetshme, po lejon që sëmundjet e politikës të depërtojnë deri në zemrën e institucioneve që duhet të prodhojnë dije, qytetari dhe mendim të lirë.
Kjo tragjedi bëhet edhe më e rëndë kur politika nuk mjaftohet më me kontrollin e institucioneve shtetërore, por kërkon të zotërojë edhe universitetin, katedrën, auditorin dhe vetë ndërgjegjen e intelektualit. Atje ku duhet të sundojë arsyeja, vendoset bindja partiake; atje ku duhet të vlerësohet aftësia shkencore, peshohet besnikëria ndaj grupit; atje ku duhet të triumfojë debati akademik, organizohen grupazhe, intriga dhe eliminime të atyre që nuk pranojnë të nënshtrohen.
Kur militanti partiak hyn në katedër me kredencialet e bindjes politike, ndërsa studiuesi i aftë shtyhet drejt daljes me kredencialet e meritës, universiteti pushon së qeni tempull i dijes dhe shndërrohet në zgjatim të zyrave partiake.
I. Nga kapja e shtetit te kapja e katedrave.
Gjatë këtyre tri dekadave e gjysmë, politika shqiptare, me përgjegjësi të ndryshme të forcave që kanë qeverisur dhe të atyre që kanë bërë opozitë, ka dëshmuar se e konsideron pushtetin jo si përgjegjësi publike, por si pronë që duhet shpërndarë mes njerëzve të besuar. Në këtë logjikë, institucionet nuk ndërtohen mbi profesionalizmin, por mbi lidhjet; postet nuk fitohen gjithmonë përmes konkurrimit të ndershëm, por përmes rekomandimit, ndërmjetësimit dhe besnikërisë.
Universiteti nuk ka qenë dhe nuk êshtê i imunizuar nga kjo kulturë. Përkundrazi, në raste të shumta, ajo ka depërtuar në mënyrë veçanërisht të rrezikshme, sepse është maskuar pas gjuhës së titujve akademikë, procedurave formale dhe hierarkive institucionale.
Kështu, katedrat po kthehen në territore të grupeve të interesit, ku militantë partiakë, anëtarë të forumeve drejtuese të partive dhe njerëz të lidhur me qarqe politike po fitojnë ndikim mbi jetën akademike. Problemi nuk është përkatësia politike e një pedagogu, sepse liria e mendimit dhe e bindjes është e drejtë themelore. Problemi lind kur lidhja partiake përdoret si kapital për të marrë poste, për të kontrolluar vendimmarrjen akademike dhe për të penguar kolegët që kanë më shumë dije, përvojë dhe integritet.
Universiteti nuk mund të jetë pronë e asnjë partie. Katedra nuk është shpërblim për militantizmin, ndërsa titulli akademik nuk është dekoratë për besnikërinë politike.
Megjithatë, sa herë që emërimi, promovimi apo avancimi profesional ndikohet nga lidhjet partiake më shumë sesa nga merita, universitetit i bëhet një plagë që nuk shërohet me deklarata për autonominë akademike.
II. Importimi i metodave partiake në katedër.
Dëmi më i madh nuk qëndron vetëm te prania e njerëzve të lidhur me politikën. Ai qëndron te importimi i metodave të politikës në jetën universitare.
Në vend të bashkëpunimit, krijohen grupazhe. Në vend të debatit shkencor, përdoren intriga. Në vend të argumentit, shfrytëzohen ndikimi dhe presioni. Në vend të konkurrimit të ndershëm, ngrihen barriera për ata që nuk i përkasin rrethit të duhur. Dhe në vend që dallimet akademike të zgjidhen përmes studimit, diskutimit dhe provës shkencore, ato shndërrohen në konflikte personale, ku kundërshtari nuk trajtohet si koleg me mendim ndryshe, por si pengesë që duhet neutralizuar.
Kjo është logjika e partisë së transferuar në universitet: të krijosh një rreth besnikësh, të kontrollosh vendimmarrjen, të shpërndash privilegje dhe të izolosh këdo që nuk pranon të bëhet pjesë e grupit.
Në këtë mjedis, pedagogu i pavarur, studiuesi kritik dhe intelektuali që nuk pranon të nënshtrohet mund të shndërrohen në objekt presioni, përjashtimi nga vendimmarrja ose pengimi profesional. Jo domosdoshmërisht sepse u mungon aftësia, por pikërisht sepse pavarësia e tyre e bën të vështirë kontrollin mbi ta.
Një universitet i tillë nuk ka nevojë për censurë të shpallur zyrtarisht. Mjafton të krijojë një klimë ku secili e kupton se karriera e tij mund të varet nga heshtja, bindja dhe marrëdhënia me njerëzit që kontrollojnë strukturat.
Kështu lind autocensura. Kështu vdes guximi intelektual. Kështu katedra humbet funksionin e saj më të shenjtë: të kërkojë të vërtetën pa frikë dhe pa urdhra.
III. Eliminimi i të aftëve dhe promovimi i të bindurve.
Një nga padrejtësitë më të rënda që mund t’i bëhet universitetit është përmbysja e hierarkisë së meritës.
Në një universitet normal, përvoja shkencore, botimet serioze, cilësia e mësimdhënies, kontributi në kërkim dhe integriteti profesional duhet të jenë kriteret themelore të vlerësimit. Në një universitet të deformuar nga interesat e grupit, këto kritere rrezikojnë të zëvendësohen nga pyetje të tjera: Kujt i përket? Kë mbështet? Me kë është? Kush e solli? A do të votojë siç i kërkohet?
Kjo është pika ku kriza institucionale kthehet në krizë morale.
Sepse kur një pedagog emërohet apo promovohet për shkak të aftësive të tij, universiteti fiton një vlerë të re. Kur ai favorizohet për shkak të lidhjeve, universiteti humbet një pjesë të autoritetit të vet. Por kur një studiues i aftë pengohet qëllimisht për t’i hapur rrugën një individi më të bindur ndaj grupit, kemi të bëjmë me një përmbysje të qëllimshme të logjikës akademike.
Dhe pasojat nuk përfundojnë te individi që pëson padrejtësinë. Ato përhapen në të gjithë institucionin. Studentët humbasin mundësinë të mësojnë nga pedagogët më të mirë. Kërkimi shkencor dobësohet. Standardet ulen. Besimi te titujt akademikë gërryhet. Të rinjtë kuptojnë se përparimi mund të mos varet nga puna dhe talenti, por nga aftësia për t’u përshtatur me interesat e atyre që kanë pushtetin.
Kur ky mesazh përsëritet, universiteti nuk edukon më qytetarë të lirë. Ai rrezikon të prodhojë njerëz të bindur, të cilët e shohin servilizmin si strategji karriere dhe heshtjen si kusht mbijetese.
Nuk ka poshtërim më të madh për një universitet sesa të detyrojë të aftët të justifikojnë meritat e tyre përpara të paaftëve, ndërsa të bindurit e grupit trajtohen si të paprekshëm.
IV. Katedra si çerdhe e klientelizmit politik.
Militanti që hyn në universitet me mendësinë e forumit partiak nuk e lë domosdoshmërisht atë mendësi jashtë derës së auditorit. Nëse institucionit i mungojnë mekanizmat e kontrollit dhe kultura e përgjegjësisë, ai mund të përpiqet të organizojë edhe kolegët sipas skemës që njeh më mirë: miq dhe kundërshtarë, besnikë dhe të dyshimtë, të dobishëm dhe të tepërt.
Kështu, katedra shndërrohet në një strukturë klienteliste. Disa njerëz mbështesin njëri-tjetrin jo sepse ndajnë të njëjtin vizion shkencor, por sepse kanë interesa të përbashkëta. Një emërim prodhon një detyrim; një favor kërkon një shpërblim; një votë siguron një privilegj të ardhshëm. Dhe në këtë rrjet marrëdhëniesh, vendimmarrja akademike humbet pavarësinë e saj.
Nëse këto mekanizma shoqërohen edhe me frikësimin e kolegëve, përjashtimin nga proceset vendimmarrëse ose përdorimin e procedurave për të ndëshkuar zërat kritikë, dëmi bëhet edhe më i thellë.
Kjo nuk është më thjesht një mosmarrëveshje mes pedagogësh. Është një çështje e qeverisjes universitare, e barazisë në punë, e integritetit të procedurave dhe e së drejtës së çdo akademiku për t’u vlerësuar pa diskriminim e pa presion.
Një katedër nuk është celulë partie. Një mbledhje departamenti nuk është mbledhje forumi. Një votim akademik nuk është test besnikërie. Dhe një pedagog nuk është ushtar i askujt.
V. Intelektualët që heshtin dhe përgjegjësia e tradhtuar.
Ka një akuzë e rëndë morale ndaj atyre që, në emër të intelektualizmit dhe pavarësisë, heshtin përballë deformimit të lirisë dhe lejojnë që interesat e ngushta të shndërrohen në model qeverisjeje.
Kjo kritikë merr një domethënie të veçantë kur e vendosim përballë universitetit shqiptar.
Çfarë vlere ka titulli profesor, nëse mbajtësi i tij hesht përballë padrejtësisë që i bëhet kolegut? Çfarë vlere ka një karrierë e gjatë shkencore, nëse përdoret për të legjitimuar një proces të padrejtë? Çfarë kuptimi ka të flasësh për demokracinë në auditor, nëse brenda departamentit mbështet përjashtimin e mendimit të lirë?
Universiteti nuk mbrohet vetëm me ligje dhe statute. Ai mbrohet edhe me karakter. Me guximin për të thënë të vërtetën kur ajo nuk është e leverdishme. Me refuzimin për të marrë pjesë në intriga. Me solidaritetin ndaj kolegut që përballet me padrejtësi. Me aftësinë për të dalluar interesin e përbashkët nga përfitimi personal.
Një universitet ku të gjithë shohin, por askush nuk flet, është një universitet që po mësohet me padrejtësinë.
VI. Universiteti nuk mund të jetë pronë e atyre që e kontrollojnë.
Autonomia universitare nuk është privilegj i rektorit apo i drejtuesit të departamentit. Ajo nuk është as licencë për të krijuar rrethe të mbyllura dhe për të shpërndarë pushtetin sipas interesave personale. Autonomia është garanci që dija të prodhohet e të përcillet pa ndërhyrje të papërshtatshme politike dhe pa arbitraritet administrativ.
Për këtë arsye, përgjegjësia për mbrojtjen e universitetit nuk mund t’u lihet vetëm pedagogëve që bëhen objekt presioni. Ajo u takon edhe drejtuesve, senatit akademik, strukturave të etikës, organeve të garantimit të cilësisë dhe çdo institucioni që ka detyrimin të sigurojë ligjshmëri e transparencë.
Nëse dikush ka fituar një pozicion përmes meritës, nuk ka arsye t’i trembet transparencës. Nëse një vendim është i drejtë, ai duhet të jetë në gjendje t’i qëndrojë shqyrtimit. Vetëm institucionet që pranojnë kontrollin mund të fitojnë besimin e publikut.
Kur universiteti nuk u ofron garanci njerëzve të vet, ai bëhet pjesë e mekanizmit që i largon ata nga atdheu. Studiuesit e talentuar kërkojnë institucione ku vlerësohen. Të rinjtë kërkojnë vende ku e ardhmja nuk përcaktohet nga lidhjet. Dhe shoqëria humbet pikërisht ata njerëz që i duhen për të ndërtuar zhvillimin e saj.
Çfarë kuptimi ka të flasim për patriotizëm, nëse lejojmë që meritokracia të mbytet nga klientelizmi? Çfarë kuptimi ka të mburremi me universitetet tona, nëse nuk mbrojmë njerëzit që u japin atyre vlerë? Dhe çfarë kuptimi ka të kërkojmë që të rinjtë të mos largohen, nëse u japim shembullin se për të ecur përpara duhet të jesh i lidhur me dikë dhe jo të jesh i aftë?
Një vend nuk e humbet të ardhmen vetëm kur i largohen qytetarët. E humbet edhe kur i mban fizikisht brenda kufijve, por ua mbyll rrugët e zhvillimit dhe ua shuan besimin te drejtësia.
VII. Është koha të çlirohen katedrat.
Universiteti shqiptar ka nevojë për një ndarje të qartë midis dijes dhe militantizmit, midis meritës dhe klientelizmit, midis autoritetit shkencor dhe pushtetit të grupit.
Kjo nuk arrihet duke shpallur armiq të gjithë ata që kanë bindje politike, as duke zëvendësuar një grup me një tjetër. Do të ishte përsëritje e së njëjtës sëmundje. Zgjidhja është të vendosen rregulla që vlejnë për të gjithë, pavarësisht bindjeve, miqësive dhe lidhjeve.
Asnjë parti nuk duhet të ketë të drejtë të përcaktojë se kush meriton një katedër. Asnjë drejtues nuk duhet ta trajtojë departamentin si pronë personale. Asnjë grup kolegësh nuk duhet të mundësojë përparimin e të vetëve duke penguar të tjerët. Dhe asnjë titull akademik nuk duhet të shërbejë si mburojë ndaj llogaridhënies.
Katedrat duhet të hapen për dijen, jo për militantizmin. Për studiuesit, jo për oborrtarët. Për mendimin e lirë, jo për bindjen e verbër. Për konkurrimin e ndershëm, jo për pazaret e heshtura.
Dhe mbi të gjitha, duhet të marrë fund ideja se njeriu që të ka sjellë në një pozicion ka fituar të drejtën të të zotërojë. Një pedagog i emëruar me procedurë të ligjshme nuk i detyrohet bindjeve personale drejtuesit që ka marrë pjesë në emërimin e tij. Ai i detyrohet universitetit, ligjit, etikës profesionale dhe së vërtetës shkencore.
Sepse universiteti nuk mund të jetë shkollë e servilizmit në një shoqëri që pretendon të ndërtojë demokracinë.
Nëse katedrat mbushen me njerëz që dinë të votojnë sipas urdhrit, por jo të mendojnë në mënyrë të pavarur, çfarë qytetarësh do të përgatisin ata për Shqipërinë e nesërme?
Nëse të aftët shtyhen mënjanë dhe të bindurit shpërblehen, çfarë mesazhi u japim studentëve për vlerën e dijes? Nëse intriga bëhet mjet karriere dhe heshtja kusht mbijetese, çfarë morali mund të pretendojë universiteti se u mëson brezave?
Këto nuk janë pyetje retorike pa pasoja. Janë pyetje për të ardhmen e vendit.
Shqipëria nuk ka nevojë për katedra që prodhojnë duartrokitës të pushtetit, por për katedra që prodhojnë mendim kritik. Nuk ka nevojë për profesorë që matin fjalën sipas interesit të grupit, por për akademikë që kanë guximin të kundërshtojnë edhe kur mbeten vetëm. Nuk ka nevojë për tituj që fshehin mediokritetin, por për dije që i japin titullit kuptim.
Sepse një universitet mund të ketë godina moderne, programe të shumta dhe tituj të panumërt, por nëse meritën e zëvendëson me militantizëm, ai e ka humbur misionin e vet.
Dhe një vend që e humbet universitetin, rrezikon të humbasë edhe të ardhmen.
Katedrat nuk janë plaçkë e partive. Universiteti nuk është pronë e grupeve të interesit. Dija nuk i përket pushtetit. Ajo i përket shoqërisë.
Është koha që këtë të vërtetë ta kuptojnë ata që i kanë kthyer katedrat në territore ndikimi, por edhe ata që, duke heshtur përballë kësaj gjendjeje, u kanë hapur rrugë padrejtësive.
Sepse atdheu nuk ndërtohet mbi bindjen ndaj të fortit, por mbi dinjitetin e njeriut të lirë. Dhe universiteti nuk shpëtohet duke ndërruar militantët në katedra, por duke rikthyer meritën, integritetin dhe lirinë akademike në vendin që u takon.
Një katedër e uzurpuar nga militantizmi është një auditor i humbur për dijen. Një studiues i eliminuar nga intrigat është një mundësi e humbur për kombin. Dhe një universitet që i nënshtrohet partisë, në vend që t’i shërbejë së vërtetës, është një universitet që tradhton misionin e vet.