
Prof.dr. Pal Nikolli/
Zoti Rama, Shqipërinë dhe shqiptarët duhet t’i duash me vepra, jo me fjalë e propagandë! Duhej të kishe ndërtuar politika në shërbim të popullit dhe jo të oligarkëve e të të korruptuarve; në mbështetje të studentëve dhe të akademikëve të ndershëm, jo të plagjiaturës dhe të figurave të diskutueshme në krye të universiteteve; në shërbim të kulturës dhe dijes, jo të spektaklit dhe të pelivanëve të studiove televizive.
Pas më shumë se një dekade në pushtet, shqiptarët kanë të drejtë të kërkojnë llogari për arsimin e degraduar, shpopullimin, largimin e të rinjve, dobësimin e meritokracisë dhe humbjen e besimit te institucionet publike.
Dija, dinjiteti njerëzor, ndershmëria dhe patriotizmi nuk mund të flijohen për interesa pushteti! Kur njerëzit e aftë e të ndershëm ndihen të përjashtuar, ndërsa servilizmi dhe klientelizmi perceptohen si rrugë drejt karrierës, dëmtohet jo vetëm e tashmja, por edhe e ardhmja e vendit.
Shqipëria nuk ka nevojë për fjalime të bukura, propagandë dhe premtime të përsëritura. Ajo ka nevojë për institucione të pavarura, drejtësi, arsim cilësor, universitete meritokratike, mundësi reale për të rinjtë dhe politika që vendosin interesin publik mbi interesat private.
Pushteti nuk është pronë personale dhe as privilegj i përjetshëm. Ai është përgjegjësi ndaj qytetarëve!
Prandaj, zoti Rama, përballuni me përgjegjësitë politike që mbartni dhe me bilancin e qeverisjes suaj. Shqipëria ka nevojë për një ndryshim të thellë të mënyrës së qeverisjes, për rikthimin e meritokracisë dhe të dinjitetit institucional. Nëse nuk jeni në gjendje t’i garantoni këto, atëherë largimi juaj nga pushteti është një kërkesë legjitime politike dhe qytetare.
Shqipëria është e shqiptarëve, jo e pushtetarëve!