
Rita Filipi/
Historia përsëritet. Arben Broci nuk jeton më… Të majtët dhe të djathtët e kanë shpallur hero, madje ka edhe gjimnaze me emrin e tij. Kaq ishte jeta e një djali që iku në lule të moshës, me beben e syrit të fokusuar te demokracia. Katër protestues u kthyen në martirë më 2 prill 1991, që në krye të vendit të vinte një qeverisje e mirë dhe demokratike. Katër protestues u vranë në vitin 2011, që në krye të vendit të vinte një qeverisje e drejtë dhe e ndershme. Paradoksale ajo që erdhi më pas. Megjithatë, ata u shpallën Dëshmorë të Kombit. Gjaku i tyre nuk shkoi kot, përkundrazi… Sakrifikimi i tyre “forcoi” muret e kullave të larta famëkeqe mbi themele të kujtesës historike.
Dhuna ka sjellë gjithmonë vetëm dhunë mes njerëzve të thjeshtë, qofshin protestues apo policë. Gjeneralët kanë qenë dhe janë ata që japin urdhra. Një herë fiton njëri, pastaj tjetri. Dhe kjo lëvizje përsëritet si një karusel i pafund. Pas këtij revolucioni mbrojtës të flamingove (natyrës), por shkatërrues të betonizimit urban, të shohim kush do të vazhdojë t’i ndërtojë kullat e tij gjithnjë e më të larta mbi themelet e trashëgimisë sonë kulturore dhe natyrore.
Mos i fal, o Zot, se politikanët tanë e kanë ditur gjithnjë se çfarë po bëjnë!
A ka shpresë ta ndalim përfundimisht këtë karusel që prodhon antivlera dhe të zgjedhim në krye njerëz që udhëhiqen nga pasioni, dashuria, bujaria, toleranca dhe profesionalizmi? Njerëz që nuk e përdorin dhimbjen e të tjerëve si shkallë për pushtet, por e kthejnë atë në përgjegjësi, drejtësi dhe ndryshim të vërtetë?!
A ka shpresë të mos lëndojmë e të mos vrasim njëri-tjetrin?! Të mos shkatërrojmë pronat e njëri-tjetrit dhe as pronën tonë të përbashkët, atë shtetërore?! Na kanë lënë të varfër dhe, me atë që po ndodh këto ditë, rrezikojmë të bëhemi edhe më të varfër.
A ka shpresë për ndryshim?!
Fitimtarët te ne kanë qenë përherë arrogantë ndaj opozitës dhe njerëzve që i kundërshtojnë, por paradoksale është se kanë qenë arrogantë edhe ndaj atyre që u dhanë votën dhe u besuan.
Dhe karuseli ka vazhduar të rrotullohet sipas kësaj skeme.
Të jesh kokëulur kur fiton, është një virtyt i lartë, të cilin ne nuk e njohim fare si shoqëri, ndaj as ua përcjellim dot brezave. Sepse të jesh kokëulur do të thotë të shfrytëzosh gjithë potencialin tënd në të mirë të shoqërisë. Politikat tona kanë nxitur investime të shumta në beton e hekur, ndërsa investimet në edukim, kulturë dhe shëndetin fizik e mendor të shqiptarëve kanë qenë me pikatore. Dhe rezultati është ky që po shohim këto ditë.
Por këtë herë karuseli duhet të ndalet. Ende në Shqipëri kanë mbetur personalitete me integritet, profesionalizëm dhe pasion për t’i bërë mirë këtij vendi. Janë midis nesh, por nuk i shohim dot nga hijet e stërmëdha që lëshojnë kokat e politikës shqiptare.
Kur të qetësohen gjakrat, do t’i shohim fare qartë dhe pikërisht këta duhet të propozojmë e të votojmë.
(Foto e bërë nga unë në protestën paqësore të flamingove)