
Dr. Paulin Marku/
Qeveria shqiptare, e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, pas trembëdhjete vite pushtet ndodhet përballë një sprove të vështirë të legjitimitetit dhe të besimit publik pas shumë akuzave për korrupsion të zyrtarëve të qeverisë së tij. Skandalet e njëpasnjëshme, dënimi i disa ministrave për korrupsion, akuza të vazhdueshme për keqpërdorimin e fondeve publike dhe përfshirja e zyrtarëve të lartë në çështje që kërkojnë hetim të plotë e të pavarur kanë ngritur një pyetje themelore: kush mban përgjegjësi politike kur institucionet e qeverisë përballen me kriza të përsëritura të besimit publik dhe me krizë të madhe ekonomike e shoqërore?!
Shqipëria përballet me krizë mbi krizë, krizë shëndetësore, krizë arsimore, krizë ekonomike, krizë shoqërore dhe tashmë edhe krizë politike.
Shqiptarët protestuan në mënyrën më paqësore e demokratike për njëqind e tridhjete e pesë ditë kundër qeverisë me pjesëmarrës të të gjitha moshave, të moshuar, familjarë me fëmijët e tyre, të reja e të rinj që kërkonin të drejtat e tyre. Në protestë shpërndahej lule, kishte pankarta të shumta qytetare dhe disa prej tyre mbanin në dorë pankarta me flamingo që ishte edhe një simbol i rëndësishëm i protestës. Pas çdo proteste, qytetarët pastronin vendin dhe shpërndaheshin paqësisht. Ky model qytetarie ishte për t’u marrë shembull edhe në vendet më të emancipuara perëndimorë.
Qëndresa e tyre e palëkundur dhe as kërkesat e protestuesve nuk u morën në konsideratë, madje edhe u injoruan nga Kryemistri Rama, në vend që të jepte llogari publike për pronat e Rrjodhit, Zvernecin, vjedhjet e fondeve publike, si në rastin e inceratorëve, infrastrukturë rrugore, mungesën e investimeve në shëndetësi, arsim, energjetik e shumë skandale të denoncuara publikisht dhe hetuar nga drejtësia. Kryeministri, jo vetëm që nuk i dëgjoi ankesat e popullit dhe të mbante përgjegjësi publike për aferat qeverisëse por justifikohej me pretendimin se “kush han dardha pas shpine mban përgjegjësi individuale”. Një nga problemet më të mëdha të qeverisjes është përpjekja për ta paraqitur përgjegjësinë për skandalet si çështje individuale, pa sqaruar përgjegjësinë politike dhe institucionale të drejtuesve që kanë detyrimin të mbikëqyrin administratën shtetërore.
Natyrisht, çdo person duhet të përgjigjet për veprimet e veta, por përgjegjësia individuale nuk e përjashton përgjegjësinë e atyre që kanë emëruar në qeveri, mbikëqyrur ose administruar institucionet ku dyshohet se janë kryer abuzime, dhe për më tepër që kryeministri nuk ka dijeni, e as përgjegjësi për korrupsionin në vend. E njëjta llogaridhënie kërkohet për investimet në shëndetësi, arsim, energjetikë dhe infrastrukturë.
Nënvleftësimi ndaj protestës dhe mos mbajtje e përgjegjësisë ndaj qeverisë së korruptuar, udhëhequr prej Tij, ka shkaktuar pakënaqësi të madhe dhe zemërim në popull. Kur një qeveri përballet me skandale të përsëritura, me humbje të besimit publik dhe me protesta që kërkojnë llogaridhënie, nuk mjafton të pretendojë se gëzon mbështetje elektorale sepse mandati zgjedhor katër vjeçar është një përgjegjësi për të qeverisur vendin dhe jo një leje për të abuzuar me besimin qytetarë.
Revolta studentore, e mbështetur nga qytetarë të shumtë, ka nxjerrë në pah një realitet që pushteti nuk mund ta shpërfillë më: qytetarët nuk kërkojnë vetëm premtime të reja, por dorëheqjen e kryeministrit Rama.
Protestat e ditëve të fundit, të karakterizuara nga pjesëmarrja e studentëve, të rinjve, të moshuarve, grave dhe familjeve shqiptare, dëshmuan se kundërshtimi ndaj qeverisë mund të shprehet me dinjitet dhe përgjegjësi qytetare që shpërtheu në Tiranë dhe u përhap në qytete të ndryshme. Zemërimin e popullin shqiptar nuk e ndalon më as gazi lotsjellës, as dhuna policore çnjerëzore e ushtruar ndaj protestuesve, veçanërisht ndaj studentëve dhe as arrestimet që janë mbushur komisariatet me të rinj e të reja.
Qytetarët protestojnë sepse duan një vend ku të mund të jetojnë të lirë e të sigurtë, të punojnë, të arsimohen dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre pa u detyruar të emigrojnë jashtë vendit. Ata kërkojnë që institucionet të funksionojnë në shërbim të qytetarëve dhe jo të kthehen në struktura që mbrojnë interesat e pushtetit të lidhur me krimin e organizuar. Pikërisht për këtë arsye, përgjigjja e kryeministrit duhet të ishte dialogu, transparenca dhe llogaridhënia qytetare për të mbrojtur interesin publik, dhe jo injorimi ndaj kërkesave të tyre dhe shpesh herë duke përdorur batuta e retorika boshe për të zhvendosur përgjegjësinë tek të tjerët.
Sot protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama, qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme. Unë mendoj se dorëheqja e kryeministrit Rama është një akt përgjegjësie për arsye se ka humbur besimin publik dhe një formë për të ndaluar përshkallëzimin e protestës nëpërmjet formave institucionale politike duke shmangur përplasjet fizike dhe gjakderdhjen midis protestuesve dhe policisë së shtetit.
Justifikimi i Tij se nuk largohet sepse është votuar nga një milion shqiptar dhe se është njeriu i duhur dhe i vetmi për të futur Shqipërinë në Bashkimin Evropian nuk është i mjaftueshëm për të drejtuar qeverinë shqiptare pas të gjithë atyre skandaleve të vazhdueshme përgjatë trembëdhjetë vite kryeministër. Premtimi për integrimi në Bashkimin Evropian nuk mund të jetë vetëm një premtim elektoral që përsëritet nga një mandat në tjetrin, ndërkohë që nga Shqipëria janë larguar një milion shqiptar.
Nëse kryeministri Edi Rama beson se ka mbështetjen e shumicës, rruga demokratike për ta provuar besueshmërinë me votë është të jap dorëheqjen, të krijohet qeveri teknike dhe të shkojë në zgjedhje të lira dhe demokratike pa patur nevojë të dhunojë protestuesit duke i gjakosur trotuareve për të mbajtur pushtetin me forca policore. Shteti shqiptar ka detyrim të ruaj rendin publik të kujdeset për protestuesit dhe për policët, për pronën publike e private dhe të garantojë lirinë e shprehjes dhe të tubimeve paqësore dhe jo të kërcënojë dhe të kap njërës nëpër sheshe e trotuare dhe t’i fusë në fugon nga persona pa uniformë policie, pa mjet identifikimi, të cilët i dhunonin në mënyrë mizore. Policia ka detyrim të veprojë brenda ligjit dhe të zbatojë të drejtat e qytetarëve për protestë dhe jo të dhunojë ata për të mbajtur në pushtet qeverinë socialiste.
Zgjidhja nuk është dhuna policore por dorëheqjen e Kryeministrit Rama dhe të qeverisë socialiste sepse nuk mund të mbajnë peng të ardhmen e një vendit për interesa partiake sikur të ishin pronarë të shtetit. Qytetarët meritojnë një Shqipëri të lirë e demokratike, ku përgjegjësia është reale, drejtësia e pavarur dhe pushteti i kontrollueshëm me institucione që japin llogari. Sot Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për siguri publike, për institucione të besueshme, luftë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit që nuk zgjidhen me retorikë politike.
Protesta studentore dhe qytetare duhet të dëgjohet dhe të respektohet kërkesa e tyre. Qeveria, me në krye kryeministrin Rama duhet të kishte dhënë dorëheqjen kohë më parë për skandalet e vazhdueshme, së paku jepeni dorëheqjen tani dhe çlirojeni popullin shqiptar nga pushteti autokrat.