• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nderim i përjetshëm për Presidentin Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova

July 2, 2026 by s p

Ilir Cubi/

I nderuari kryetari i Komunës së Klinës, prof. dr. Zenun Elezaj,

Të nderuar anëtarë të familjes Rugova

I nderuari Nënkryetar i Komunës së Klinës, z. Fadil Gashi,

Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Komunës së Klinës të nderuar krytarja Vjosa Osmani

Të nderuar ish kryministri Ramush Haradinaj

Të nderuar ish kryeministër Abdullah Hoti

Të dashur qytetarë,

Zonja dhe zotërinj,

Në emrin tim dhe të gjithë familjes sime, ju falënderoj nga zemra për praninë tuaj në këtë ditë të veçantë.

Sot, në Klinën kreshnike e historike, Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, përjetësohet në shtatore, si shenjë e respektit dhe mirënjohjes së përhershme për veprën e tij madhështore në shërbim të Kosovës dhe të gjithë kombit shqiptar.

Studiues, historianë dhe personalitete të shumta e vlerësojnë Dr. Rugovën si një nga figurat më të mëdha të historisë sonë moderne kombëtare. Ai ishte një burrë shteti me vizion të rrallë, një udhëheqës që e ngriti çështjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe i dha popullit tonë shpresë në kohët më të vështira.

Dr. Ibrahim Rugova ishte i veçantë si njeri, si politikan, si ideolog dhe si filozof. Me urtësi, mençuri, vizion dhe përkushtim të palëkundur, ai e udhëhoqi popullin e Kosovës në një nga periudhat më të rënda të historisë sonë, duke ndërtuar rezistencën paqësore dhe duke mbajtur gjallë idealin e lirisë.

Kjo shtatore që zbulojmë sot në Klinë nuk është thjesht një vepër arti e punuar në bronz. Kjo shtatore është simbol i një epoke, simbol i qëndresës paqësore, i besimit në liri, demokraci dhe pavarësi, përfaqëson vizionin e Presidentit Rugova për një Kosovë të lirë, demokratike, të integruar në familjen euroatlantike dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleatin tonë më të madh dhe garantuesin e paqes, sigurisë dhe lirisë së Kosovës.

Unë jam një dardan i lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 48 vjet më parë. Ndihem jashtëzakonisht me fat që pata privilegjin ta njoh nga afër Presidentin Rugova, ta shoqëroj, ta pres dhe ta përcjell gjatë vizitave të tij diplomatike dhe patriotike në Shtetet e Bashkuara.

Këtë privilegj e pata së bashku me babain tim, Marjan Cubi, i cili në atë kohë ishte Kryetar i Degës së LDK-së për New York, New Jersey dhe Connecticut. Ishte një nder i veçantë të kontribuoja, qoftë edhe modestisht, në misionin e Presidentit Rugova për ta bërë të njohur çështjen e Kosovës para botës.

Krenaria ime më e madhe është se jam biri i një burri që pati fatin të ishte mik i afërt i Presidentit Dr. Ibrahim Rugova. Kjo është një trashëgimi morale që do ta mbaj me nder gjatë gjithë jetës sime.

A few words in English

I am incredibly proud to stand here today in a free and independent Kosova.

What makes this moment even more meaningful is that today I had the honor of delivering a speech in the Albanian language, on Albanian soil, surrounded by my Albanian brothers and sisters.

I hope and pray that we have made our ancestors proud and that we continue to honor the sacrifices of those who dedicated their lives to the freedom of our nation.

Thank you.

Ju faleminderit të gjithëve!

Të dashur miq,

Me kete rast ndjeh obligim te falenderoj Komunën e Klinës, gjegjesisht kryetarin e Komunes, prof. dr. Zenun Elezajn dhe Nënkryetarin e Komunës, z. Fadil Gashin, të cilët u angazhuan me tërë përkushtimin që sot, në Ditën historike të 2 Korrikut, në këtë vend të lartësohet kjo shtatore e Dr. Rugovës, e cila nga sot do të rrezatojë në qytetin e. ukur të Klinës, e cila do t’i jap imazh atraktiv këtij qyteti te rezistencës dhe qytetërimit.

Faleminderim të veçantë njëherësh ju përçojmë kryerësve artistë te veprës, z. Burim Berisha dhe Agron Beqiri për kontributin dhe veprën cilësore që reslizuan.

Bashkë endës të mi, klinas të dashur dhe gjithë ju qytetarë të pranishëm,

Gëzuar kjo Ditë e Bekuar dhe kjo Shtatore e Bukur- shprehje e RiLINDJES NË BRONZ e Arkitektit të Pavarësisë së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

Zoti e bekoftë Amerikën.

Zoti e bekoftë Kosovën.

Zoti e bekoftë familjen Rugova!

Ju faleminderit.

Klinë, më 2 Korrik 2026

Filed Under: Reportazh

Ansambli “Trojet” niset drejt SHBA-së për të përfaqësuar shqiptarët e Evropës në Festivalin “Lahuta” – Detroit 2026

June 30, 2026 by s p

Nga Dashnim HEBIBI/

Kloten/Zvicër, 27 qershor, 2026 – Në një atmosferë plot emocione, krenari dhe ndjenja patriotike, Ansambli Kulturor “Trojet” ka përcjellë delegacionin e tij në Aeroportin e Cyrihut, nga ku valltarët, drejtuesit dhe përfaqësuesit e ansamblit morën rrugën drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në Festivalin Shqiptar “Lahuta 2026”, që do të mbahet në Detroit. Ky festival konsiderohet një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të diasporës shqiptare, ndërsa këtë vit Ansambli “Trojet” do të ketë nderin të jetë i vetmi përfaqësues shqiptar nga Evropa, duke prezantuar me dinjitet traditat, vallet dhe kulturën kombëtare shqiptare para mijëra bashkatdhetarëve dhe artdashësve në Amerikë.

Delegacioni përbëhet nga 13 valltarë, 1 lahutar dhe 4 anëtarë të kryesisë dhe organizimit, të cilët do të përfaqësojnë me krenari kulturën shqiptare në këtë festival mbarëkombëtar. Në ceremoninë e përcjelljes morën pjesë familjarë, miq, dashamirës të kulturës shqiptare dhe përfaqësues të ansamblit. Një moment tepër emocionues ishte shpalosja e flamurit kombëtar shqiptar, përkrah flamurit të Zvicrës dhe atij të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, simbol i lidhjes së fortë ndërmjet shqiptarëve kudo që jetojnë. Me fjalë të ngrohta dhe plot emocion, kryetari i Ansamblit “Trojet”, Zeqë Gashi, falënderoi valltarët për përkushtimin e tyre, prindërit për mbështetjen e vazhdueshme dhe donatorët që kanë bërë të mundur realizimin e këtij udhëtimi të rëndësishëm.

Ai theksoi se kjo pjesëmarrje është një përgjegjësi e madhe, por edhe një mundësi e jashtëzakonshme për të promovuar kulturën dhe identitetin shqiptar në arenën ndërkombëtare. Në delegacion janë gjithashtu edhe lahutari Shaqir Dema – Baci SHAQ, anëtari i kryesisë Bubekir Morina dhe kostumografja Teuta Gashi, të cilët do të kontribuojnë në prezantimin sa më autentik të trashëgimisë sonë kulturore. Valltarët që do të përfaqësojnë Ansamblin “Trojet” në Festivalin “Lahuta 2026” janë:

Blearta Shala

Marisa Murtezi

Alisa Lahu

Leotrim Gashi

Ensar Morina

Sovran Shala

Eriona Kryeziu

Betim Ajrizi

Donjeta Gashi

Edona Kurtishi

Shaqir Gashi

Bubekir Morina

teuta Gashi

Zeqir Gashi

Kian Shala

Arik Shala

si dhe pjesa tjetër e ekipit artistik që përbën delegacionin prej 13 valltarësh.

Ky grup përfaqëson një brez të ri shqiptarësh me profesione dhe formime të ndryshme – nga mjekësia, pedagogjia dhe ekonomia, deri te menaxhimi, juridiku dhe shkencat biomjekësore – të bashkuar nga një pasion i përbashkët: ruajtja dhe promovimi i folklorit shqiptar.

Pjesëmarrja në Festivalin “Lahuta” synon:

të prezantojë kulturën shqiptare me dinjitet;

të forcojë lidhjet ndërmjet diasporës shqiptare në Evropë dhe SHBA;

të promovojë traditat, vallet dhe identitetin kombëtar;

të krijojë ura bashkëpunimi mes brezave të shqiptarëve në mërgatë.

Ansambli “Trojet” vazhdon të dëshmojë se kultura shqiptare nuk njeh kufij. Me punë, përkushtim dhe dashuri për traditën, këta të rinj do të jenë ambasadorë të denjë të kombit shqiptar në Detroit, duke përcjellë tek publiku amerikan dhe diaspora shqiptare bukurinë e folklorit, kostumeve kombëtare dhe vlerave që trashëgojmë brez pas brezi. Udhëtim të mbarë dhe suksese Ansamblit “Trojet” në Festivalin Shqiptar “Lahuta 2026”!

( Foto Adi HEBIBI)

Filed Under: Reportazh

Në gjurmët e trashëgimisë sonë, nga Dragobia në Korab

June 26, 2026 by s p

Nga Dr. Afrim Shabani/

Qysh para gjashtë vitesh, familja jonë, bashkëshortja ime Emine, si dhe dy djemtë tanë, Fehimi dhe Learti, morëm një vendim që sot është shndërruar në një mision familjar: të njohim çdo pëllëmbë të trojeve shqiptare. Jo thjesht si udhëtarë, por si kërkues të kujtesës sonë kombëtare.

Qëllimi ynë është i qartë: të shohim malet, pyjet, kullotat, fshatrat historike, vendbanimet arkeologjike, lumenjtë, liqenet, detet, burimet ujore, Alpet, shpellat, kështjellat, fortesat, muzetë, rrugët e vjetra, urat shekullore, kishat, xhamitë, teqetë, kullat tradicionale, stanet, fushat pjellore dhe çdo gjurmë që dëshmon vazhdimësinë e qytetërimit shqiptar ndër shekuj.

Udhëtimi im i këtij qershori të vitit 2026 ishte i veçantë. Këtë herë udhëtova vetëm, pasi pjesa kryesore e ekspeditës kërkonte ngjitjen e malit më të lartë të të gjitha trojeve shqiptare, Korabit madhështor, me lartësi prej 2,764 metrash.

Udhëtimi im filloi në Shkup, kryeqytetin e sotëm të Maqedonisë së Veriut, por edhe kryeqendrën e dikurshme të Dardanisë së lashtë. Në aeroport më priste miku im i kahershëm, profesori Kujtim Elezi, njeri i dijes dhe i maleve, me të cilin më lidh jo vetëm miqësia, por edhe dashuria për trashëgiminë shqiptare.

Megjithatë, asnjë udhëtim imi nuk fillon pa një ndalesë të shenjtë: takimin me gjyshen time, Nënën Tishe, tashmë në prag të një shekulli jete. Ajo është 90 vjeçe, por në shpirt mbetet po ajo grua e fortë e maleve tona. Unë e thërras me përkëdheli “Sheqer”, sepse fjalët e saj gjithmonë kanë pasur ëmbëlsinë e mjaltit dhe urtësinë e kohës.

Për mua, vizita te Nëna Tishe nuk është vetëm një detyrim familjar. Është një kthim te rrënjët. Në fytyrën e saj lexoj historinë e një shekulli shqiptar: luftërat, mundimet, mërgimet, lindjet dhe shpresat. Duart e saj të rrudhura mbajnë ende aromën e bukës së pjekur në saç dhe kujtimin e netëve kur kënga popullore ruante identitetin tonë. Çdo përqafim me të është një bekim dhe një kujtesë se njeriu, sado larg të shkojë, mbetet gjithmonë bir i trungut të vet.

Të nesërmen, bashkë me profesor Kujtimin, mikun tonë Naser dhe Selimin kryetarin e Shoqatës së Bjeshkatarëve “Ujëmiri”, nisëm udhëtimin e gjatë drejt Qarkut të Tropojës.

Ndalesa e parë ishte qyteti i Bajram Currit, zemra administrative e Malësisë së Gjakovës. Qyteti mban emrin e heroit kombëtar Bajram Curri, tribun i lirisë shqiptare. I rrethuar nga male madhështore, qyteti duket si një portë që hapet drejt Alpeve Shqiptare. Në sheshin qendror ngrihen monumente që kujtojnë historinë e qëndresës shqiptare, ndërsa mbi qytet qëndrojnë hijerëndë majat e maleve, sikur të ruanin ende kufijtë shpirtërorë të kombit.

Nga aty vazhduam drejt Dragobisë legjendare. Pak vende në trojet shqiptare mbartin aq shumë simbolikë sa Dragobia. Këtu ndodhet Shpella e Dragobisë, e lidhur përjetësisht me emrin e Bajram Currit, i cili gjeti strehë dhe fundin e jetës së tij në këtë vend. Për shqiptarin, kjo shpellë nuk është thjesht një formacion natyror; ajo është një monument i qëndresës dhe i sakrificës.

Ecja drejt shpellës kalon përmes pyjeve të ahut, pranë ujërave të kristalta të Valbonës. Çdo hap dukej sikur na afronte me historinë. Gurët, lisat dhe rrëketë e malit flisnin me gjuhën e heshtjes, atë gjuhë që vetëm malësori dhe udhëtari i vëmendshëm mund ta kuptojnë.

Pas kthimit, zbritëm pranë lumit Valbonë. Aty përgatitëm ushqimin dhe pushuam pranë ujërave që zbresin nga Alpet si damarët e gjallë të kombit. Zhurma e lumit dhe era e pishave krijonin një qetësi që vështirë mund të përshkruhet me fjalë.

Mbrëmjen e kaluam në Valbonë, rreth njëzet kilometra më larg. Të nesërmen u nisëm drejt Malit të Rosit. Ngjitja ishte e gjatë dhe sfiduese. Sa më lart ngjiteshim, aq më shumë horizonti hapej para nesh. Kur arritëm në lartësitë e malit, Alpet Shqiptare shpaloseshin në të gjitha drejtimet si një amfiteatër gjigant guri. Aty, mbi retë, njeriu kupton se malet nuk janë vetëm reliev; ato janë identitet.

Një ditë më pas u nisëm drejt Kalasë së Rosujës. E vendosur në një terren të lartë kodrinor, rreth 900 metra mbi nivelin e detit, kjo kala ka zënë një vend të rëndësishëm në historinë e itinerarit iliro-dardan. Pozicioni i saj strategjik, me pamje mbi luginën e Valbonës dhe rrugën natyrore që kalon përmes Qafës së Morinës në drejtim të Dardanisë, dëshmon se Rosuja ka shërbyer ndër shekuj si pikë vrojtimi, mbrojtjeje dhe kontrolli të lëvizjeve tregtare e njerëzore. Gjetjet arkeologjike të zbuluara në këtë vend tregojnë se kjo qendër ka qenë e banuar që nga periudha e vonë e hekurit dhe ka vazhduar të luajë rol të rëndësishëm edhe gjatë periudhës romake.

Arritja deri te Kalaja e Rosujës ishte ndër përvojat më të vështira të këtij udhëtimi. Shtegu pothuajse ishte zhdukur në shumë pjesë dhe përparimi kërkonte kalimin përmes shkurreve të dendura, pyjeve dhe terreneve të thyera malore. Në disa segmente na duhej të hapnim vetë rrugën mes bimësisë së egër, duke ecur me kujdes nëpër një terren të pjerrët e të pakalueshëm. Ishte një ngjitje e lodhshme, por vetë vështirësia e saj dukej sikur e ruante edhe më shumë misterin dhe lashtësinë e këtij fortifikimi ilir, të fshehur prej shekujsh në gjirin e Alpeve Shqiptare.

Nga Rosuja vazhduam drejt Nikaj-Mërturit, një nga krahinat më autentike shqiptare. Rruga kalon përmes fshatrave të izoluara, ku koha duket se ecën më ngadalë. Kullat tradicionale, stanet, mikpritja e banorëve dhe historia e krenarisë së kësaj treve e bëjnë Nikaj-Mërturin një muze të gjallë të etnografisë shqiptare. Kjo krahinë ka qenë ndër shekuj simbol i lirisë dhe vetëqeverisjes së malësorëve.

Të nesërmen soditëm Liqenin e Komanit nga lart. Pamja ishte madhështore. Ujërat e kaltër, të rrethuar nga faqet vertikale të maleve, krijonin një peizazh që të kujton fjordet norvegjeze, por me shpirt shqiptar. Drita e mëngjesit pasqyrohej mbi sipërfaqen e liqenit si një pasqyrë e pafundme.

Më pas vizituam qytetin e Pukës. I vendosur mes pyjeve të dendura, Puka ruan një qetësi fisnike. Monumentet dhe bustet e figurave kombëtare dëshmojnë për kontributin e kësaj treve në historinë shqiptare. Shëtitja në qytet ishte një rikujtim se edhe vendet më të qeta mbartin histori të mëdha.

Nga Puka udhëtuam drejt Radomirës, porta natyrore e Korabit. Fshati, i vendosur në skajin verilindor të Shqipërisë, është një nga vendet më të rëndësishme për alpinizmin shqiptar. Aty ngritëm kampin për natën e fundit.

Në agimin e ditës pasuese, grupit tonë iu bashkuan edhe miqtë Bedri dhe Ekrem. Tashmë gjashtë vetë, nisëm ngjitjen drejt Korabit.

Nuk është e lehtë të përshkruash me fjalë përvojën e ngjitjes së Korabit. Shtegu kalon përmes livadheve alpine, burimeve të ftohta dhe shpateve shkëmbore. Me rritjen e lartësisë, ajri bëhet më i hollë dhe çdo hap kërkon përkushtim.

Për mua, si shqiptar që jeton në Amerikë, kjo ngjitje kishte një kuptim të veçantë. Ishte shumë më tepër sesa një sfidë sportive. Ishte një kthim simbolik te maja e identitetit tim. Në ato lartësi, larg zhurmës së qyteteve moderne, ndjeva edhe një herë lidhjen e pashkëputshme me vendlindjen, me gjuhën dhe me historinë tonë.

Kur arritëm në majën e Korabit, heshtëm për disa çaste. Përballë nesh shtrihej një horizont pa fund. Retë lëviznin poshtë këmbëve tona, ndërsa era e malit sillte aromën e lirisë. Ishte një nga ato momente të rralla kur njeriu ndjen se është njëkohësisht shumë i vogël përballë natyrës dhe shumë i madh për shkak të shpirtit të tij.

Pas ditësh të mbushura me ecje, kujtime dhe emocione, u ktheva i përmbushur në Kërçovë.

Megjithatë, ky udhëtim nuk përfaqëson fundin e rrugëtimit tonë familjar. Përkundrazi, ai është vetëm një kapitull tjetër në kërkimin tonë të pandërprerë për të njohur trashëgiminë shqiptare.

Ka ende male për t’u ngjitur, lumenj për t’u ndjekur, kështjella për t’u studiuar dhe fshatra për t’u dëgjuar. Sepse trojet shqiptare nuk njihen vetëm duke i parë; ato njihen duke i jetuar.

Dhe ne do të vazhdojmë t’i jetojmë.

Filed Under: Reportazh

NJË RRËNJË QË LIDH ZEMRAT – INAUGURIMI I QENDRËS KOMUNITARE “ILIRIAN” NË MANCHESTER

June 23, 2026 by s p

Djana Koçiaj

Foto: Robert Minaj/

Ka ditë që mbeten gjatë në kujtesë, sepse mbartin më shumë se një ceremoni; ato mbartin ëndrra, përkushtim dhe dashurinë për atdheun. Një ditë e tillë ishte inaugurimi i Qendrës Komunitare “Ilirian” në Manchester, një vatër e re shqiptarie që do të shërbejë si urë bashkimi për komunitetin tonë në mërgatë.Në atmosferën e ngrohtë festive, mes flamujve kuqezi dhe emocionit që bashkonte të gjithë të pranishmit, Councillor Jawad Amin, në fjalën e tij përshëndetëse, theksoi se kjo qendër ishte një domosdoshmëri për komunitetin dhe shprehu kënaqësinë e veçantë që ndodhej pjesë e kësaj dite të rëndësishme inaugurimi.Një mesazh frymëzues përcolli edhe Zëvendësambasadori i Kosovës, z. Vlorat Gashi, i cili e cilësoi këtë qendër si një shtëpi shpirtërore të shqiptarëve në mërgatë, një vend ku ruhen e kultivohen gjuha, traditat dhe ndjenja e përkatësisë kombëtare. Ai shprehu gëzimin për një nismë që afron zemrat shqiptare dhe forcon lidhjet mes brezave.

Në fjalën e tij, drejtori i Shkollës Shqipe “Iliria” në Londër, z. Visar Berbatovci, vuri theksin te rëndësia jetike e mësimit të gjuhës shqipe, duke e cilësuar atë si thesarin më të çmuar që mund t’u përcillet fëmijëve tanë. Ai nënvizoi se ruajtja e gjuhës dhe trashëgimisë kombëtare është garancia më e fortë për ruajtjen e identitetit shqiptar kudo në botë.Me emocion dhe përkushtim foli edhe Besa Gjergji, përfaqësuese e komunitetit shqiptar në Manchester dhe mësuese e Shkollës “Iliria”, e cila shprehu lumturinë e saj për këtë arritje dhe gatishmërinë për të kontribuar në edukimin e brezit të ri me dashuri për gjuhën, kulturën dhe vlerat kombëtare.

Kjo ditë mori ngjyrat më të bukura të shqiptarisë falë ushqimeve tradicionale, të përgatitura me shije, aromë dhe dashuri Shqipërie. Kostumet popullore, vallet dhe këngët e trashëguara brez pas brezi e shndërruan këtë festë në një copëz atdheu të sjellë në zemër të Manchesterit.Qendra Komunitare “Ilirian” nuk është thjesht një godinë. Ajo është një vatër shprese, një strehë e gjuhës shqipe, një shtëpi ku do të rriten ëndrrat e fëmijëve tanë dhe ku do të ruhet gjallë fryma e kombit. Sepse, edhe larg trojeve tona, shqiptaria vazhdon të rrahë fort në zemrat e bijve dhe bijave të saj.Një falënderim i përzemërt dhe mirënjohje shkon për komunitetin e madh të shqiptarëve në Manchester, që ishin shpirti dhe zëri atdhetar i veprimtarisë!🇦🇱👏🇽🇰

U bëftë kjo qendër një dritë e pashuar e identitetit tonë kombëtar dhe një simbol i bashkimit, krenarisë dhe dashurisë për rrënjët tona shqiptare!🇦🇱🇽🇰

Filed Under: Reportazh

Biodiversiteti në laguna dhe pasqyrimi filatelik i tij

June 18, 2026 by s p

Besnik Fishta

Shqipëria është një vend i pasur me vlera natyrore dhe biodiversitet të larmishëm. Pozita e saj gjeografike, relievi i shumëllojshëm dhe prania e ekosistemeve të ndryshme, si lagunat, pyjet, malet dhe ligatinat, kanë krijuar kushte të favorshme për zhvillimin e një flore dhe faune të pasur. Megjithatë, krahas kësaj pasurie natyrore, vendi përballet me rrezikun e zhdukjes së shumë specieve bimore dhe shtazore. Për këtë arsye, mbrojtja e biodiversitetit dhe ruajtja e zonave të mbrojtura përbëjnë një nga sfidat më të rëndësishme të kohës sonë.                                                                                                                                                                                         Një rol të veçantë në ndërgjegjësimin e publikut për mbrojtjen e natyrës ka luajtur filatelia shqiptare. Përmes emisioneve të ndryshme të pullave postare, ajo ka promovuar vlerat e florës dhe faunës së vendit, duke i kushtuar vëmendje të veçantë specieve të rrezikuara. Pullat postare nuk kanë shërbyer vetëm si mjete komunikimi, por edhe si ambasadore të kulturës, historisë dhe trashëgimisë natyrore kombëtare.                                        Një nga speciet më të njohura të paraqitura në filatelinë shqiptare është pelikani kaçurrel (Pelecanus crispus), një nga shpendët më të rrallë dhe më të rrezikuar në Evropë. Prania e tij në lagunat shqiptare, veçanërisht në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta dhe në zonat e tjera ligatinore të bregdetit, e ka shndërruar atë në një simbol të rëndësishëm të biodiversitetit shqiptar. Për këtë arsye, filatelia shqiptare i ka kushtuar disa emisione të veçanta, duke e paraqitur si një pasuri natyrore që meriton mbrojtje dhe kujdes të vazhdueshëm. Krahas pelikanit kaçurrel, në pullat postare shqiptare është pasqyruar edhe lejleku, një tjetër banor karakteristik i habitateve ligatinore dhe i peizazhit tradicional rural shqiptar. Prania e këtyre dy shpendëve në filateli nuk ka vetëm vlerë artistike apo dokumentuese, por shërben edhe si një mesazh ndërgjegjësues për ruajtjen e ekosistemeve ku ata jetojnë dhe shumohen.

Viti 1961 

Viti 1965(Lejleku) 

    Viti 1967     

Viti 1997 

Viti 2017   

Megjithatë, biodiversiteti shqiptar po përballet me një sërë kërcënimesh serioze. Shpyllëzimet, degradimi i habitateve natyrore, ndertimet pranë zonave të mbrojtura dhe ndotja e mjedisit kanë ndikuar negativisht në mbijetesën e shumë specieve. Një problem gjithnjë e më shqetësues është zhvillimi i pakontrolluar i turizmit. Ndërtimet pa kriter, rritja e aktivitetit njerëzor dhe presioni mbi ekosistemet e brishta mund të shkaktojnë dëme afatgjata në habitatet natyrore, veçanërisht në zonat bregdetare dhe ligatinore.                                                                                 Ky nuk është vetëm një problem shqiptar. Në dekadat e fundit, konferenca dhe samite të shumta ndërkombëtare mbi mjedisin kanë ngritur alarmin për pasojat e shkatërrimit të habitateve natyrore. Organizatat ndërkombëtare dhe komuniteti shkencor kanë theksuar se humbja e biodiversitetit përbën një nga sfidat më të mëdha globale, pasi ndikon drejtpërdrejt në ekuilibrin ekologjik dhe në cilësinë e jetës së njerëzve.                                                                             Në këtë kuadër, zonat e mbrojtura luajnë një rol thelbësor në ruajtjen e specieve të rrezikuara. Ato ofrojnë kushte të përshtatshme për jetesën dhe shumimin e faunës së egër, duke siguruar vazhdimësinë e ekosistemeve natyrore. Mbrojtja e lagunave, pyjeve dhe habitateve të tjera duhet të shoqërohet me politika të qëndrueshme zhvillimi dhe me ndërgjegjësimin e publikut për rëndësinë e natyrës.                                                                                     Pelikani, i paraqitur në pullat postare shqiptare, është simbol i pasurisë natyrore të Shqipërisë dhe një kujtesë për përgjegjësinë që kemi ndaj brezave të ardhshëm. Përmes filatelisë, mesazhi i mbrojtjes së biodiversitetit arrin te një publik i gjerë, duke na kujtuar se ruajtja e specieve të rrezikuara dhe e habitateve të tyre është një detyrë e përbashkët. Vetëm përmes mbrojtjes së zonave natyrore dhe zhvillimit të qëndrueshëm mund të sigurojmë që pelikanët, lejlekët dhe shumë specie të tjera të vazhdojnë të jenë pjesë e peizazhit natyror shqiptar.

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 193
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Koha për debat serioz, reflektim dhe zgjidhje
  • MJEKU KURON, NATYRA SHËRON…
  • Vitet parisiane të Hasan Tahsinit…
  • KONSULLATA SHQIPTARE NË MICHIGAN – NJË KËRKESË E VJETËR E DIASPORËS QË TANI PRET TË BËHET REALITET
  • Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore të Tiranës në skenën e Teatrit “Marcello Mascherini” në Azzano Decimo
  • Ky vend është sakat sepse humbi shtyllën morale!
  • AARC 2026 Gala – “An organized and engaged community means our voice carries over,” Martin Vulaj
  • Shqiptarët në Philadelphia e ngritën zërin për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së
  • “The Journalist’s Mission”, filmi i mirënjohjes ndaj SHBA-së dhe NATO-s, premierë në Manhattan
  • Ah, ky telefoni! Dashuri apo tradhti?
  • Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë
  • Guximi për të qenë vetvetja
  • Gjuha shqipe në pasqyrën e poliglotisë evropiane: Dëshmia e “Lutjes së Zotit” te Lorenzo Hervás y Panduro
  • “Mes shkencës dhe dritës” – një roman për njeriun modern
  • KOSOVA NË SESIONIN E 81-TË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT