
Julika Prifti/
12 korrik 2026 – Në Ohër po shkoja për herë të parë. Jo vetëm për t’u njohur me qytetin e lashtë por edhe për të ndjekur interpretimin e sopranos shqiptare me famë botërore, Ermonela Jaho.
Për herë të parë në historinë 66-vjeçare të festivalit “Vera e Ohrit”, që zhvillohet për 40 ditë, nga 12 korriku deri më 20 gusht, Gala Koncerti hapës do të drejtohej nga një soprano shqiptare. Krah saj do të interpretonte tenori amerikan Charles Castronovo, ndërsa Orkestra e Operës dhe Baletit të Maqedonisë do të drejtohej nga dirigjenti italian Mario Boemi. Kisha ardhur me kohë nga Nju Jorku për ta parë Ermonela Jahon edhe në një skenë tjetër, më modeste se ajo e Metropolitan Opera. Pyesja veten nëse ajo do të mund të sillte të njëjtat emocione në teatrin antik të ndërtuar në shekullin II.
Teatri antik ndodhet mes dy kodrave dhe gëzon një akustikë të shkëlqyer. Rruga drejt tij nuk është e lehtë, pasi kalon nëpër kalldrëm e tatëpjetë, por kur mbërrin në majë, shpërblehesh me një pamje mahnitëse të qytetit dhe liqenit.
Në të dy anët e hyrjes së teatrit qëndronin dy të rinj të veshur me të zeza, me një objekt ndriçues të kuq mbi kokë, që tërhiqnin menjëherë vëmendjen e spektatorëve që vinin grupe-grupe. Pas hyrjes, disa vajza të reja, të veshura me elegancë dhe me kapele karakteristike, u ofronin të pranishmëve dhurata të vogla simbolike: freskues, peceta dhe suvenire të tjera.
Në shkallët prej guri të teatrit ishin vendosur jastëkë të kuq me logon e bardhë “A1”, një nga sponsorët kryesorë të festivalit. Aty-këtu shihje edhe kuba të mëdhenj të kuq me të njëjtën logo, që shërbenin njëkohësisht si dekor dhe reklamë.
Dy prezantues të televizionit maqedonas u uruan mirëseardhjen autoriteteve, të ftuarve dhe spektatorëve. Më pas Presidentja e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, ministri i Kulturës dhe Turizmit, si edhe drejtuesi artistik i festivalit pershendeten shkurt dhe me shumë dinjitet duke theksuar rëndësinë që ka arti në jetën e njerëzve dhe për rolin e tij si urë lidhëse mes kulturave dhe popujve. Drejtori i festivalit, Gjorgji Cuckovski, tha se:
“Prej më shumë se gjashtë dekadash, ‘Vera e Ohrit’ ka formësuar hartën tonë shpirtërore dhe kulturore. Tema e këtij viti, ‘Love’, është një traditë që lidh kulturat dhe popujt.”
Pas fjalëve përshëndetëse, që zgjatën rreth njëzet minuta dhe u përkthyen në anglisht në ekranin e madh pas orkestrës, u ndez flakadani i festivalit, i vendosur në anën e djathtë të teatrit. Për një çast u krijua ndjesia sikur ishim kthyer në lashtësi.
Koncerti u hap me “Dance of the Hours” nga opera La Gioconda e Amilcare Ponchiellit, interpretuar nga Orkestra e Operës dhe Baletit. Mes duartrokitjeve të ngrohta dhe entuziaste u shfaq Ermonela Jaho. Ajo interpretoi arien “Io son l’umile ancella” nga opera Adriana Lecouvreur e Francesco Cileas.
Nën qiellin blu të natës së Ohrit, fustani i saj elegant, i ndriçuar nga projektorët, e bënte të dukej si një hënë e zbritur mbi skenën antike. Zëri i saj i kthjellët, melodioz dhe teknikisht i përsosur të krijonte ndjesinë se ajo kishte lindur për këto role. Çdo notë kalonte përmes shpirtit të saj. Nuk këndonte thjesht muzikën, por jetonte me personazhin.
Interpretimi i saj magjepsi publikun, si në ariet solo, ashtu edhe në duetet me tenorin e njohur amerikan Charles Castronovo i cili u prit me admirim të madh. Zëri i tij i ngrohtë, elegant dhe interpretimi plot finesë u ndërthurën në mënyrë të përkryer me ndjeshmërinë artistike të Ermonelës. Ata ishin partnerë të denjë për njëri-tjetrin, duke krijuar momente të rralla bukurie artistike.
Në fund të mbrëmjes, duartrokitjet e gjata dhe ovacionet në këmbë dëshmuan se publiku kishte përjetuar një natë të jashtëzakonshme. Për mua, ishte një privilegj ta shihja Ermonela Jahon në një skenë krejt ndryshe nga Metropolitan Opera, por me të njëjtën madhështi artistike. Teatri antik i Ohrit nen qiellin e hapur, pranë liqenit krijuan një atmosferë që do të mbetet gjatë në kujtesën time si një mbrëmje koncertale dhe një festë e artit, e kulturës dhe e bukurisë njerëzore.