
Ambasador Flamur Gashi/
Ka burra që kufijtë nuk au ndajnë dot atdheun.
Ago AGAJ (1897–1994) ishte njëri prej tyre.
Lindi në Ramicë të Smokthinës, në Vlorë. U shkollua në Vjenë për agronomi dhe u kthye në atdhe më 1919. Mori pjesë në Kongresin e Lushnjës dhe më 1920, nuk qëndroi spektator por mori armën dhe luftoi në Luftën e Vlorës.
Atdheu i Ago AGAJT nuk mbaronte në Vlorë.
Kur historia e solli në Kosovë, ai shkoi vullnetarisht në Mitrovicë, ku shërbeu si prefekt.
Dhe Ago vlonjati u bë aq i afërt me Kosovën, sa mbeti në kujtesë si:
“KOSOVARI NGA VLORA”.
Në atë periudhë të trazuar të Luftës së Dytë Botërore, përkrah figurave si Xhafer DEVA, ai punoi për organizimin dhe mbrojtjen e shqiptarëve. Në atë histori gjenden edhe emrat e Mehmet GRADICËS, Shaban POLLUZHËS, Pajazit BOLETINIT, Ali DRAGËS dhe shumë të tjerëve.
Si prefekt i Mitrovicës, prefekturë që përfshinte edhe nënprefekturat e Vushtrrisë, Podujevës dhe Pazarit të Ri, Ago AGAJ e shtriu veprimtarinë e tij edhe në trevën e Pazarit të Ri, duke bashkëpunuar, në kuadër të Lidhjes Popullore Shqiptare, me figura të njohura atdhetare si Aqif BLYTA, Ahmet DACI, Bedri GJINAJ e të tjerë, në përpjekjet për organizimin e administratës shqiptare, mbrojtjen e popullsisë dhe veçanërisht në përhapjen e arsimit kombëtar dhe hapjen e shkollave shqipe në Pazar të Ri dhe në trevat përreth.
Në këtë kohë nga Shqipëria erdhën gjithashtu mësues, juristë, mjekë e nëpunës shqiptarë për t’i shërbyer Kosovës.
U hapën shkolla shqipe.
Shqipja hyri në administratë.
28 Nëntori kremtohej si festë kombëtare.
Ago AGAJ mori pjesë edhe në Lidhjen e Dytë të Prizrenit dhe më pas shërbeu si Ministër i Ekonomisë Kombëtare në qeverinë e Rexhep MITROVICËS.
Historia e asaj kohe ishte e rëndë dhe plot kundërthënie, nën pushtime të huaja dhe në vorbullën e Luftës së Dytë Botërore. Ajo duhet gjykuar me dokumente dhe pa fshehur asnjë të vërtetë.
Por një e vërtetë nuk mund të fshihet:
Ago AGAJ e konsideronte çështjen e Kosovës pjesë të pandashme të çështjes kombëtare shqiptare.
Pas ardhjes së komunizmit Ago AGAJ mori rrugën e mërgimit. Jetoi për vite të gjata në Egjipt, pastaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Shkroi e punoi për historinë dhe çështjen shqiptare. Na la ndër të tjera veprën “Lufta e Vlorës” dhe u mor edhe me historinë e Kosovës.
Por Kosova nuk mbeti për të një kujtim rinie.
E ndoqi deri në pleqëri.
Deri në mërgim.
Deri në ditën e fundit.
Më 24 dhjetor 1994, Ago AGAJ mbylli sytë përgjithmonë në Florida-SHBA, në moshën 97 vjeçare.
Dhe dhimbja e tij e madhe mbeti Kosova:
“Po vdes pa e parë të lirë Kosovën.”
Nuk jetoi edhe katër vjet që të shihte luftën e shqiptarëve për liri.
Nuk jetoi edhe pesë vjet që të shihte Kosovën të çliruar.
Nuk jetoi edhe katërmbëdhjetë vjet që ta shihte Kosovën të shpallte Pavarësinë.
Por iku duke e marrë Kosovën me vete në zemër…
Prandaj Ago AGAJ nuk është vetëm një figurë e Vlorës.
Është një urë mes Vlorës dhe Mitrovicës, mes Labërisë dhe Kosovës, mes Shqipërisë politike dhe Shqipërisë shpirtërore.
Sepse për brezin e tij:
Vlora dhe Mitrovica nuk ishin në dy atdhe.
Drenica dhe Labëria nuk ishin dy histori.
Kosova dhe Shqipëria nuk ishin dy kombe.
Ago Agaj lindi vlonjat.
Në Mitrovicë u bë kosovar.
Dhe vdiq siç kishte jetuar:
SHQIPTAR!
Nderim “Kosovarit nga Vlora” dhe të gjithë atyre burrave që Shqipërinë nuk e matën me kufijtë që na vunë të tjerët, por me kufijtë e gjuhës, kujtesës dhe zemrës shqiptare.