
Akademik Frashër Demaj*
Anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës/
Studimi “Malësia – studime e hulumtime” i autorit Anton Lulgjuraj është rezultat i një pune të gjatë kërkimore e shkencore dhe përkushtimi i veçantë i autorit që merr në shqyrtim kapituj të rëndësishëm të historisë, kulturës dhe traditës së një vendi me vlera siç është Malësia në tërë kompleksitetin e saj. Ky punim, në të cilën janë gërshetuar disiplina të ndryshme shkencore, është fryt i një pune të përkushtuar kërkimore disa vjeçare e cila përmbush të gjitha kriteret të quhet monografi shkencore mbi Malësinë. Në Malësi ndërthuren historia, qëndresa, identiteti dhe krenaria e një populli të lidhur fort me truallin dhe traditën e të parëve.
Dashuria për atdheun më së miri tregohet me përpjekje, vepra dhe me punë me vlera për të tashmen dhe të ardhmen e brezave. Të futësh në një studim ku kritika mund të vijë nga anë të ndryshme shoqërore, nuk është fare e lehtë, por përkundrazi kërkon përkushtim të veçantë dhe guxim deri në vetmohim. Por, përtej mendimeve ndryshe dhe kritikës shkencore, më e rëndësishmja nga të gjitha është trashëgimia që do të mbetet e kulturës dhe qytetërimit të një trualli të vogël të një populli dhe kombi tradicional që historia e “gjykoi” në kohë dhe hapësira të ndryshme që nga antikiteti e deri te qytetërimi modern.
Malësia nuk është vetëm një hapësirë gjeografike shqiptare në të cilën jetuan me shekuj një popull që vuajti nga padrejtësitë historike dhe tendencat për pushtim dhe zhbërjen e një populli të tërë i cili nuk shfaqi asnjëherë armiqësi e pretendime ndaj fqinjëve, por gjithmonë u desh të mbrohej nga etja për pushtimin e fqinjëve të vet që projektuan elaborate për dhunë, dëbim, vrasje, nënshtrim dhe veprime tjera deri në asimilim. Qëndresa ndaj pushtimeve, ruajtja e identitetit kombëtar dhe roli i Malësisë në momentet kyçe të historisë kombëtare e bëjnë këtë trevë një burim të pashterrshëm për studim dhe qasje multidisiplinare.
Studimi “Malësia – studime e hulumtime” është mbështetur në analiza të thelluara të burimeve arkivore, dokumentave të autorëve të ndryshëm që kanë shkruar për Malësinë si dhe intervistave të ndryshme për lagjet dhe fshatrat e Malësisë të mbledhura si materiale historike nga vetë autori. Mbledhja dhe trajtimi i këtyre burimeve në mënyrë objektive do të ndriçojë të kaluarën dhe të tashmen e Malësisë, që siç pohon, për disa objekte me rëndësi kulturore – historike gati i ka mbuluar pluhuri i harresës.
Historia në thelb nuk është vetëm kujtesë e së kaluarës, por instrument për të kuptuar të tashmen dhe për të orientuar brezat drejt të ardhmes. Në këtë kuptim, autori synon të kontribuojë në pasurimin e dijes historike përmes një qasjeje metodologjikisht të strukturuar dhe shkencërisht të argumentuar. Faktet e parashtruara në këtë punim, janë shqyrtuar në mënyrë kritike, duke krahasuar burime të ndryshme dhe duke shmangur interpretime të njëanshme të cilat do ta nxirrnin autorin në një terren të rrëshqitshëm, emocional dhe subjektiv.
Në këtë monografi shkencore, ato pak të dhëna që autori i bën për fshatra e lagje të Malësisë, për pasuritë natyrore të saj, janë si rreze drite që mundohen të shpërndajnë mjegullën, e cila mbuloi tokën e Malësisë për shekuj me radhë. Autori këtë punim e ka shtruar në gjashtë kapituj duke ndjekur parimin kronologjik dhe saktësinë shkencore. Kapitulli i parë i librit fillon me një panoramë mbi zhvillimet historike në Malësi. Vazhdon me pozitën gjeografike të Malësisë, me rrënjët e lashta të cilat autori na i sjell me fakte të pakundërshtueshme nga shkenca e sotme duke përmendur pasuritë arkeologjike, varret ilire (tumat), pasuritë etnografike ku bëjnë pjesë: kultura tradicionale – materiale dhe shpirtërore (shpirtërore), ku përmenden veshjet tradicionale, vajtimet etj. Autori spikatë duke trajtuar pasurinë gjuhësore dhe dallimin e gjuhës shqipe nga gjuhët tjera në Mal të Zi. Kapitullin e parë e mbylle me përhapjen e besimit të krishterë në trojet tona duke i dhënë rëndësi jetike jetës dhe veprave të meshtarëve katolik ndër shekuj të cilët kanë shkruar ato pak gjëra për jetën dhe historinë e popullit të Malësisë.
Në kapitullin e dytë, autori shpalos originalitetin e punimit. Të dhënat e këtij kapitulli fitojnë rëndësi të veçantë për arsye se përveç se ka përdorur burime shkencore dhe materiale të ndryshme në këtë punim, vlerë e shtuar janë intervistat e shumta që ka shënuar mbi të dhënat më interesante të fshatrave dhe lagjeve të Fiseve/Maleve të Malësisë. Studiuesi Lulgjuraj fillon me Fisin/Malin e Hotit, si i pari ndër Malet e Malësisë. Shpjegon telegrafikisht origjinën dhe përbërjen, pastaj vazhdon me krahina tipike të Traboinit dhe të Rapshës duke u futur edhe në ndarjet e tyre më të thella në fshatra dhe lagje, duke treguar kujdes të veçantë për sa i takon ndarjeve gjeografike të Malësisë.
Kapitulli i tretë flet për Fisin/Malin e Grudës, ku autori trajton gjeografinë, statistikat e popullatës, objektet e kultit, varret dhe jetën ekonomiko-sociale të fshatrave dhe lagjeve të Grudës. Gjithashtu, një vend të veçantë në këtë kapitull zënë edhe mullinjtë përgjatë lumit Cem të cilët kanë shërbyer për përpunimin e drithërave në të kaluarën e që kanë mbetur vetëm mbetje arkeologjike.
Në kapitullin e katërt autori merr në shqyrtim vendbanimet, popullsinë dhe pasuritë tjera të Fisit/Malit të Trieshit duke trajtuar edhe histori të personaliteteve të cilat kanë lënë gjurmë në pashlyera në historinë kombëtare.
Kapitulli i pestë vazhdon me Fisin/Malin e Kojës, duke folur për dy lagjet respektive që gjenden në Kojë. E duke qenë se si vend, Koja është më e vogël se fiset/malet tjera që i përmenden më lartë, autori këtu shtjellon edhe qendrën e Malësisë – Tuzin së bashku me disa fshatra që e rrethojnë në mënyrë që të plotësohen kriteret e kapitullit.
Në kapitullin e fundit (gjashtë), autori flet për pasuritë natyrore të Malësisë duke përfshi liqene, lumin, bjeshkët, tokën dhe nëntokën e Malësisë dhe disa objekte me vlerë si muzeumet në Malësi. Nuk i anashkalon Liqenin e Shkodrës dhe atë të Rikavecit të cilat historikisht, në jug dhe në veri e kanë lagë kufirin e territorit të Malësisë. Poashtu, përmend lumin Cem i cili rrjedh pothuajse përgjatë gjithë territorit të Malësisë. Nuk lenë pa përmendur edhe Samoborrin si vend arkeologjik i një rëndësie të veçantë. Gjithashtu, as Medauni ose Meteoni antik, që ka qenë një nga qytetet e rëndësishme të fisit ilir të Labeatëve. Ky kapitull vazhdon me dy muzeje të veçanta në territorin e Malësisë. Ndërsa, në fund përmend edhe bjeshkët më veriore të Malësisë që janë: Korita, Koshtica dhe Greça.
Autori Anton Lulgjuraj përfundimisht ka arritur që këtë temë ta trajtojë me seriozitet e përkushtim duke u mbështetur në mendimin kritik, metodat moderne të kërkimit të thelluar shkencor që garantojnë nivel të lartë dhe cilësi akademike. Ai ka arritur që të trajtojë tema dhe probleme historike dhe aktuale me një qasje të mirëfilltë shkencore duke ndërtuar një analizë të qartë, të argumentuar dhe të mbështetur në burime të besueshme. Suksesi i autorit mbështetet në aftësinë e tij për të depërtuar përtej përshkrimit sipërfaqësor dhe narrativës së zakonshme, duke ofruar interpretime me vlerë dhe duke sjellë një kontribut të rëndësishëm për lexuesit e zakonshëm qytetar, studentët dhe studiuesit. Vepra do të jetë pikë e referimi për studiuesit që kanë për synim të thellojnë dijet për Malësinë në gjithë dimensionet dhe kompleksitetin historik e aktual dhe për shqiptarët që jetojnë me shekuj në këto troje.
*Marrë nga libri “Malësia – studime e hulumtime”, monografi shkencore nga Anton Lulgjuraj.