• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MBRËMJE ULQINAKE NË DURRËS

May 31, 2019 by dgreca

Marinarët ulqinakë sjellin aromën e valëve ulqinake  në pallatin e Kulturës “Aleksandër Moisiu”

nga Shefqet Kërcelli*

Grupe muzikore nga Ulqini afruan dje mbrëmjen ulqinake për qytetarët e Durrësit….

në një sallë të mbushur plot jo vetëm me banorë me origjinë nga Ulqini, por dhe qytetarë durrsakë, më 30 maj, në sallën kryesore të pallatit “Aleksandër Moisiu” u organizua mbrëmja muzikore Ulqinake.

Në një mbrëmje ndryshe, muzikantë, solistë e këngetarë nga Ulqini krijuan një atmosferë plot gjallëri duke interpretuar këngë tradicionale të Ulqinit.

Për mëse 2 orë këngëtarë të dy grupeve muzikore, Burimi dhe “marinarët”, sollën një repertor të pasur të këngëvë popullore qytetare të Ulqinit.

Nën moderimin e aktores me origjinë ulqinake Aishe Stari, këngëtarët e mirënjohur ulqinakë sollën nga repertori i tyre 18 këngë që u shoqëruan me duartrokitje gjatë gjithë kohës.

Është për tu theksuar se Ulqinakët kanë tradita të lashta e vlera të gjithanëshme jo vetëm si popull atdhedashës e patriot, ku gjuha shqipe dhe flamuri janë të shenjta, por ata kanë rol të vecantë në kultivimin e traditës së detarisë së popullit tonë. Janë me dhjetra detarë ulqinakë që ndihmuan në zhvillimin e detarisë në Shkodër, Durrës e krejt Shqipërinë. Jo më kot themi se, nuk ka fund deti pa detarë ulqinakë.

Por, Ulqinakët vërtet janë lundërtarë të zotë, por kanë shpirt artisti, ata dinë ti këndojnë traditës, jetës, natyrës, marinarëve. Kënga dhe vallja për ulqinakët, janë tradita që trashëgohen brez pas brezi, ashtu si profesioni i detarit. Janë një duet i pandarë për ulqinakët. Këtë e shohim më së miri në Durrës. ku ulqinakë të vjetër e të rinj, treguan se dairja, ky instrument aq popullor gjendej në cdo shtëpi ulqinake dhe nën tingujt e saj, shoqëroheshin këngët që përhapeshin e këndoheshin në cdo shtëpi. Fillimisht interpretuan solistët e grupit “Burimi” këngët : Vijn’ vaporat moj nano, një këngë e vjetër detarësh dhe pastaj “Shegë e amël, shegë e butë’.

Gjithmonë kanë thënë se Shkodra dhe Ulqini, janë si dy lagje të një qyteti. Janë shumë këngë të njëjta që interpretohen në Shkodër dhe Ulqin. Ndaj grupi “Burimi” solli një kolazh me këngë shkodrane.

Më pas “grupi marinarët” solli një sërë këngësh të vjetra ulqinake, si “o ti kisha krahët si pllumbi”, ” o moj bukuroshe”, “të djelën nadje”, etj. ndërsa këngët ja linin radhën njera-tjetrës, publiku interpretoi disa prej tyre bashkë me grupin muzikor. Në repertor ishin futur dhe këngë të reja si “Ulqinake me ty kam merak”, me tekst të Zyhni Beqirajt, orkestruar  nga Erion Sheqeri.

Repertori dhe tematika e pasur solli që koncerti të ndiqej me vëmendje nga pjesmarrësit, duke e shoqëruar me duartrokitje të shumta gjatë gjithë kohës. Të dy grupet merituan falenderimet dhe mirënjohjen e qytetarëve durrsakë për nivelin dhe profesionalizmin e treguar në interpretimet e të gjithë këngëve. Plot ngrohtësi, kolor e dashuri. Aktivitete të tilla shtojnë lidhjet dhe miqësinë me vëllezrit tanë të një gjaku, ndaj pjesmarrësit evidentuan rëndësinë dhe vijimësinë e tyre. Kjo u tregua dhe në fund të koncertit, ku pati përqafime, gëzim e shkëmbim kontaktesh për tu takuar përsëri në Ulqin e Durrës. Një falenderim shkon për organizatorët e këtij aktiviteti mbresëlënës, që në prag të sezonit turistik, këto dy qytete, qëndra të turizmit shqiptar, ofrojnë një mbrëmje ndryshe, për tju larguar politikës e halleve të përditëshme.

* Per me shume fotografi shkoni ne Facebook Gazeta Dielli

Filed Under: Reportazh Tagged With: Shefqet Kercelli-Mbremje Ulqinake ne Durres

KUFIRI I ËNDRRËS

January 3, 2019 by dgreca

“Sapo e paskam kaluar kufirin e hekurt që ishte dikur midis Shqipërisë dhe Kosovës”, ishte mendimi i parë që i erdhi pas zgjimit nga dremitja në ulësen e kupesë. “Ishte si fundi i botës, kufiri fatkeq që i ndante shqiptarët…”/

1 Behlul RD

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

PRISHTINË, 3 Janar 2019/ “Kufiri i ëndrrës” ishte reportazhi futuristik që kam shkruar para 21 viteve, në fundvitin 1997, botuar pikërisht në 3 Janar 1998 në Prishtinë në gazetën e rezistencës e pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha. Në atë reportazh në kohë të rënda okupimi paralajmëroja “festimin gjithëkombëtar të pritjes së vitit jubilar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kuvendit historik për kufijtë e atdheut”.

Ishte ky reportazhi i tretë i ardhmërisë në kohën e viteve të rënda të okupimit, kur me shkrimet futuristike e shihja dhe e përshkruaja Kosovën e së ardhmes, të lirë, shtet, të ëndërrave.

I pari ishte reportazhi futuristik me titull “Një ditë e një viti që vjen”, i shkruar dhe  dërguar nga Prishtina drejt Tiranës në 27 Dhjetor 1995.

Ndërsa, reportazhi i dytë futuristik ishte “Udhëtimi për në Prizren…”, botuar në Prishtinë e Tiranë në 31 Dhjetor 1996.

Shumë nga ato që shkruaja në reportazhet futuristike atëherë e që dukeshin si ëndërra,  që ishin ngjarje të fantazuara-parashikuara, tashmë janë realizuar në Kosovën e lirë nga Qershori 1999 dhe të pavarur nga 17 Shkurti 2008.

Ky ishte reportazh futuristik i para 21 viteve:

KUFIRI I ËNDRRËS

(Reportazhi i Ardhmërisë – III)

Shkroi: Behlul JASHARI

1 Kufiri i Endrres

Një qiell i akullt hënor po mbushej me dritën e mëngjesit mbi Dukagjin. Ishte imazhi që po i fanitej prej dritares së trenit, që me rrugën nga Janina e kishte kaluar edhe natën. Vajza nga Lurasi, që po mbaronte studimet në Gjirokastër, për herë të parë po udhëtonte në veri të atdheut, në kërkimet, për punim diplome, të kufijve të botës shqiptare nëpër shekuj. Nëpër pjesën e hekurudhës së sapondërtuar po hynte në Gjakovë.

“Sapo e paskam kaluar kufirin e hekurt që ishte dikur midis Shqipërisë dhe Kosovës”, ishte mendimi i parë që i erdhi pas zgjimit nga dremitja në ulësen e kupesë. “Ishte si fundi i botës, kufiri fatkeq që i ndante shqiptarët…”

Tek po përpiqej ta maste me sy madhësinë e qytetit ku po ndalonte treni, më shumë e pëlqente një krahasim të përsëritur shumë vjet: “Kosova brenda vitit shtohet për një qytet, lind fëmijë aq sa ka banorë Gjakova”.

Zbriti vetëm për pak  sa t’i shkelin këmbët në tokën e Kosovës, që nga Çamëria e parafytyronte si një takim me legjendën… “Rekord i arit në Trepçë”, ishte titulli me shkronja të mëdha në ballë të faqes së parë të botimit të mëngjesit të njërës nga gazetat që i mori t’i lexojë në vazhdimin e rrugës për në Prishtinë, ku kishte paralajmëruar arritjen për atë ditë…

Nga qendra hekurudhore në Fushë-Kosovë nëpër metronë që çon në Prishtinë arriti në Qytetin Studenti. E gjeti lehtë Zyrën e Shërbimeve Studentore, që i kishin thënë se ndodhet pranë Fakultetit Filozofik, para të cilit nga larg shihet një përmendore e lartë e Naimit.

“O, po, ju kemi pritur, e kemi marrë telegramin tuaj, ku keni paralajmëruar një qëndrim studimor. Ju kemi siguruar vend në konviktin e studentëve nr. 9”, i tha plot përzemërsi sekretarja e Zyrës Studentore.

Zyra, që e priste plot mirëpritje, po i bënte një përshtypje të veçantë me fotografitë e pikturat e varura nëpër mure, si në një ekspozitë.

“Është një pjesë e historisë”, i tha nikoqirja, duke i treguar në veçanti pamjet nga demonstratat studentore të viteve 1968, ‘81…  ’97…

Pikturën, që ishte aty e kishte parë origjinalin në Galerinë Kombëtare në Tiranë. Është “Molla e Kuqe”, një shenjë e paharrueshme e gjeografisë e historisë shqiptare.

“A do të hyjë edhe Molla e Kuqe në punimin tënd të diplomës, ajo ishte shenjë e kufirit me serbët?” – pyeti nikoqirja.

“Pikërisht edhe për Mollën e Kuqe jam nisur këndej”, tha studentja që kishte marrë udhën e largët, deri te “kufiri i ëndrrës”. Shprehja “Kufiri i ëndrrës” i erdhi nga titulli i një libri me motive të dëbimit të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit në vitet 1877-78…

Gjumi e kishte zënë derisa po shfletonte një atlas të gjeografisë shqiptare, dhe ishte zgjuar herët për të shkuar në Bibliotekën Kombëtare e Universitare. Rrugës u ndal në një klub studentësh, që me kafenë e mëngjesit të shfletojë gazetat e ditës. Më shumë u ndal në shkrimet që lidheshin me interesimet e saj. Gazeta “Rilindja” paralajmëronte se “së shpejti do të fillojnë bisedime shqiptaro-serbe për rirregullimin e kufirit”, ndërsa gazeta “Bota shqiptare” shkruante se “rritet përditë e më shumë numri i shqiptarëve në Turqi që kërkojnë të kthehen në tokat prej nga janë shpërngulur të parët e tyre”…

Gjithçka kërkoi në Bibliotekë ia sollën nga arkivat në tavolinë. Kishte kaluar shumë orë shfletimi e kërkimi të përgjigjes në pyetjen se kah do të ketë qenë vija e kufirit të natyrshëm shqiptar në veri para vitit 1877, para dëbimeve masive të mbi një milon a më shumë shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit?

Kronikat thoshin: “Elementi shqiptar më së shumti jetonte në Qarkun e Toplicës. Toplica shtrihej në mes të Jastrebovcit të Vogël, në veri të Kopaonikut, në perëndim të Sikobicës, maleve të Arbanasit, i afrohej Moravës Jugore”… Kronikat përmendnin Jabllanicën, Qarkun e Toplicës e të Nishit, të Pirotit… “Elementi shqiptar shtrihej edhe përtej Sanxhakut të Nishit”, thoshin disa kronika, e disa të tjera se “kalonte edhe  lumin Moravë”…

Gjithë ato vende që përmendnin kronikat i kishte vijëzuar në një hartë, dhe po kërkonte vendin për të vënë shenjën e Mollës së Kuqe.

Si nga një shetitje në histori po dilte nga Biblioteka, ku do të kthente edhe disa herë ditëve të ardhme. Kishin mbetur edhe vetëm pak minuta deri në orën e takimit me shoqen e shokët që sapo i kishte njohur në Prishtinë.

E pritnin në kafiterinë “Orëjeta”, ballë hotelit “Evropa”, prej nga do të shkonin në Teatrin e Operës e Baletit, për të parë një shfaqje të trupës së artistëve nga Shkodra…

Qielli i akullt sikur po shkrihej bardh në errësirën mbi dritat e neonit shesheve e rrugëve të qytetit. Po reshte një borë e butë. Mbi bredhin e madh plot ditëza në rrugën “Nëna Tereze” nga bora që e kishte mbuluar nuk mund të shiheshin më të gjithë numrat e fundit të urimit. Mund të lexohej vetëm: Gëzuar Vitin e Ri dymijë e…”

Mbishkrimi mbi bredh ia përkujtoi të shkojë në telekom t’ia urojë në telefon Krishtlindjet familjes në Luras, dhe t’u paralajmërojë mikpritësve në Prizren shkuarjen në festimin gjithëkombëtar të pritjes së vitit jubilar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kuvendit historik për kufijtë e atdheut. Sa shumë vjet kishin kaluar…

(Botuar në Gazeta “Bujku” Prishtinë – e shtunë, 3 Janar 1998, faqe 6)

 

Attachments area

Filed Under: Reportazh Tagged With: Behlul Jashari, KUFIRI I ËNDRRËS

Një Dallëndyshe në Kishën Shën Maria të Bezhanit

August 23, 2018 by dgreca

 

4. NE kISHE ok1. Klodi-Maria Bezhani ok.JPG2. kisha e shen Marise ok.JPG

Nga Vepror Hasani/ *

Atë çast Klodi-Maria Bezhani ishte duke lexuar librin “Bezhani” të shkrimtarit Vangjush Ziko. Befas iu duk sikur një dallëndyshe fluturoi aty pranë. Nuk ishte e sigurtë nëse vërtet kishte qenë një dallëndyshe ose jo, por ndjesia e pranisë së saj ishte e fortë. Mendja i shkoi te fshati i prindërve të saj, në Bezhan të Kolonjës; ai ishte një fshat me shumë dallëndyshe. Vetë Klodi-Maria Bezhani ishte lindur dhe rritur në Korçë; aty kishte studiuar për flaut. Më pas u shkollua për mësuesi, prej 23 vitesh ushtronte këtë profesion. Tashmë ka 5 vjet që jeton në Tiranë së bashku me dy fëmijët e saj; aktualisht studentë. Fshatin e prindërve, Bezhanin, e kishte vizitur vetëm një herë në vitin 2004. Që nga ajo kohë nuk kishte shkuar më. Në momentin e fërfëritjes së krahëve të dallëndyshes, i lindi dëshira të fluturonte edhe ajo drejt Bezhanit për të festuar emrin e saj, Maria, në kishën Shën Maria të Bezhanit. Sigurisht, ishte ndikuar edhe nga libri i Vangjush Zikos. Do të fluturonte edhe ajo si një dallëndyshe në folezën e saj. Po afronte gushti i vitit 2018.

Premtimi

Këtë ide të lindur papritmas ua tha prindërve të saj në Korçë, por i ati, Stavri Bezhani, i mbetur i çuditur nga fjalët esë bijës i tha: “Për çfarë do të shkosh? Kush të pret atje?  Kë do  të takosh?!.  Eh, moj bijë, – vijoi ai,- atje s’ka shkelur njeri që prej një dekade e gjysmë, as gurët s’i kanë mbetur e jo me shtepitë…”.  Dhe ndërsa i fliste për braktisjen e madhe të fshatit, Klodi-Maria Bezhani, dëgjonte dhe qante; lotët i rridhnin faqeve si rrëke shiu. E përlotur, mes dhimbjes që ndjente, i tha të atit: “Unë do të shkoj në Bezhan! Do ta pastroj Kishën e Shën Marisë me duart e mia dhe do t’i mbledh njerëzit! Më 15 gusht kambana e saj do të kumbojë si himn dashurie për të gjallët dhe për zgjjm të kujtimit të shpirtrave të harruar. Do ta bëj! E ndjej detyrim shpirteror e moral ndaj gjyshërve, stërgjyshërve e katërgjyshërve të mi. Me këdo mund të bëj kompromise, por me shpirtin tim e paskam të pamundur.  Ai vend po më thërret baba: “Shko dhe rihape atë shtëpi të Nënës së Dritës, sepse njerëzimi sot më shumë se kurrë ka nevojë për këtë dritë! I ati e vështroj në sy.  Çuditërisht vajza e tij i ngjasoj me një dallëndyshe, madje ajo dukej sikur ishte shndërruar në dallëndyshe.  Ndoshta edhe udhëtimi i saj drejt Bezhanit do të ishte si një fluturim dallëndysheje.

Tokë e shkretë

Po atë mëngjes foli me Gjergji Pantazin, burrë fisnik, prej vitesh përpiqej për kishën e Shën Marisë, e vizitonte shpesh. Kishte çelur edhe dy llogari bankare për mbledhjen e ndihmave. I kërkoi të shkonin në Bezhan. Më 31 korrik, mes peripecish të shumta, herë duke ecur në këmbë, herë me makinë, mbërritën në Bezhan. Ç’të shihje: tokë e shkretë! Gjithçka mbuluar nga bari i lartë e i përzhitur prej diellit. Edhe  varret nuk dalloheshin më. S’dije ku të hidhje këmbët. Gjergji i kërkonte të ishte e kujdesshme: “Shiko ku ecën se ka gjarpërinj!”. Me të kaluar oborrin u shfaq një pamje tjetër më makabre: Kishës nuk i kishte mbetur asgjë, librat e shenjtë, Ungjilli, ikonat i kishte gërryer nga lagështia, koha dhe brrejtja e minjve. Befas u dëgjua  klithma e fortë e Klodi: “Zot! Zonja Shën Mari! Si të paskan bërë kështu! Nisi të ecte mes hapësirës së saj, mbuluar nga gati 2-3 pëllëmbë rëre që presupizohej të ishte suvaja e përdorur me fondet për kishën, për restaurimin e saj. Gjithçka kishte qenë papërgjigjshmëri dhe shpërdorim. Ky vend quhet Bezhan që do të thotë “të ikurit”. Metafore e fuqishme! Ikja, madje arratisja e fshatit klithte frikshëm.

Lotët e Klodi-Maria Bezhanit

“Qaja si fëmijë, qaja e flisja me vete,- tregon Klodi Maria Bezhani. Kisha shpresuar se mund ta pastroja vetë kishën e Shën Marisë, por pashë se atje duhej një brigadë e tërë; burra me karroca e lopata. Gjergji i shqetesuar më tregoi se gjendja kishte avancuar, krahasuar me një a dy vjet më parë. I thashë të më linte vetëm. Filmova e fotografova ç’munda, pasi lotët s’më lejonin pamje të qartë. Qaja mbi ikonat dhe lotët binin mbi to. Nxora nga xhepi kartpicetat, fshiva lotët dhe pastrova fytyrat e Shenjtorëve. I lava me lotët e mi. Dola jashtë në oborr, këputa disa lule të egra ngjyrë lejla, i vendosa te ikona e Zonjës Hyjlindëse dhe teksa u luta, premtova me zë të lartë: të premtoj o nënë e Zotit se kjo kishë do të pastrohet dhe rregullohet siç të takon. Në 15 gusht kjo kishë do të mbushet me njerëz dhe mbi pluhurin e harresës së këtij vendi do mbeten gjurmët tona si dëshmi se nuk të kemi braktisur, por ashtu si djali plangprishës po kthehemi me pendesë sërirsh tek ti. Megjithatë, një çast e humba shpresën se mund ta bënin gati kishën deri më 15 gusht, por çuditërisht atë çast ndjeva fërfëritjen e fluturimit të një dallëndysheje. Mora zemër, Zoti do të na ndihmojë.

Mrekullia

Dhe vërtet, Zoti na ndihmoi. Të gjitha punët u bënë si nga një dorë e padukshme: Thoma Zisi, nënkryetar i Bashkisë Kolonjë dërgoi një brigadë me punëtorë të pastronin kishën, të korrnin barrin rreth saj. Dërgoj dhe një fadromë për sistemimin e  rrugës që të çonte në Bezhan.  E Tëreshenjta e bëri vetë hapin e parë. Atë që unë lusja, atë që i premtova teksa mbytesha në lot por me frikën a do më vijnë të më ndihmojnë që ta pastrojmë kishën Zonja Shën Mari dërgoi në çast engjëjt e vet.  Një ditë para së Kremtes ,së bashku me dy miq bezhanllinj Fillareti Shkrapi Nikolla, Stefi Ziko, dhe ish nxënësi im Niko Pulluqi vuri në dispozicion fuoristraden e tij, mbushëm makinën me ndihma, mbledhur derë më derë për kishën: sixhade, copa të leshta, të punuara si udhë, ikona, karrige, takëme, zbukurimi, kandila, temjan, qirinj bidona 10 l me ujë, fshesa, kova dhe mjete të tjera pastrami. Hymë në kishë plot gëzim. Oborri i kositur të jepte komoditetin të ecje e shkelje pa frikën e ndonjë gjarpëri të mundshëm. Nuk pati nevojë për ndarje detyrash. Secili e gjeti vetë vendin dhe rolin e vet. Nikolini im fshiu gjithë kishën si një nikoqire e mirë. Kur mbaruam gjithçka vura lulet Krizantema qe bleu Filla në vazon e kristaltë, blerë enkas për Shën Marinë nga unë, ndezëm dhe kandilet dhe temjanin.

Dallëndyshja

Pikërisht këtë çast hyri në kishë një dallëndyshe dhe qetë-qetë fluturoi duke përshkuar çdo cep të kishës, kaloi dhe mbi kokat tona dhe doli sërish andej nga erdhi. Ishte më shumë se një zog! Ishte vetë Zonja Shën Mari që i gëzohej hapjes së shtëpisë së harruar. Po kjo gjë ndodhi të nesërmen, më 15 gusht. Kisha u mbush plot, ishin rreth 80 veta. Sapo ra këmbana dhe do fillonte meshimi, hyri sërish dallëndyshja, por këtë herë jo e qetë, hyri zhurrmshëm… Zëri i saj e mposhti atë të priftit… Ajo na dha bekimin prej larti. Zonja Shën Mari e meritonte ta kishte atë shtëpi, që dikur xha Vasili e  ngriti me aq dashuri e perkushtim. Dhe sipas të gjithëve e gjitha kjo ndodhi fal dallëndyshes së quajtur Klodi-Maria Bezhani. Deri në brezin e stërgjyshit paraardhësit e saj janë lindur në Korçë, por para tyre banonin në Bezhan të Kolonjës. Në pemën gjenealogjike të familjes së saj, rrenja nis në fisin Ziko, nga Linotopi, Shën Zagaria. Brezi i 8 i këtij fisi daton më 1767 me Papa Koten, prift dhe dy djemtë e tij, Ziko dhe Pando; ky i fundit prift si i ati. Më 1776 Linotopi u dogj nga turqit që detyronin muslimanizimin e popullatës. Papa Pandoja që në Linotop  shërbente në kishën e Shën Pjetrit, mori sa mundi takëme prej saj që t’i shpëtonte prej djegies dhe bashkë me vellanë i ranë rrotull malit të Gramozit dhe u vendosen në Bezhan. Atje nuk kishte as kishë e as prift dhe ata të dy ngritën kishën e Shën Pjetrit. Kjo kishë u shemb në kohën poskomuniste, ndoshta pas 1990. Fshati u braktis nga bezhanllinjte e ikur në emigrim dhe koha rënoi çdo banese të tyre. E vetmja ndërtesë, madje e quaj pa hiperbolizuar vepër arti, ështe kisha e Shën Marisë, ndërtuar më 1907-1912 prej duarartit xha Vasil Dhimoshit, arti i gdhendjes së gurit, të të cilit gjendet sot në kisha të Greqisë, madje dhe në Mal të Shenjtë, megjithatë gjithnjë do të shfaqet një dallëndyshe që jep shpresë dhe gëzim ashtu si Klodi-Maria Bezhani….(me shume foto i shihni ne fb(dielli vatra)

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: në Kishën Shën Maria, Një Dallëndyshe, të Bezhanit, Vepror Hasani

Presidentja e Kroacisë, mysafire në Shqipëri

July 18, 2018 by dgreca

Presidenti Meta mirëpret në një vizitë shtetërore në Tiranë, Presidenten e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarović/

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta i uroi mirëseardhjen në Shqipëri, Presidentes së Republikës së Kroacisë, Sh.S.Znj. Kolinda Grabar-Kitarović, e cila me ftesë të Kreut të Shtetit, po zhvillon një vizitë shtetërore në Shqipëri.

Pas ceremonisë së mirëseardhjes dhe ekzekutimit të himneve kombëtare të të dy vendeve, Presidenti Meta dhe Presidentja Grabar-Kitarović zhvilluan një takim kokë më kokë dhe më pas kryesuan takimin e zgjeruar midis dy delegacioneve zyrtare.

Presidenti Meta vlerësoi lidhjet e forta historike të miqësisë midis dy popujve, si dhe marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve.

Të dy bashkëbiseduesit shprehën angazhimin dhe mbështetjen për ngritjen e këtyre marrëdhënieve në nivel të partneritetit strategjik, duke nënvizuar se kjo do ta intensifikojë më shumë dialogun politik dhe do t’i nxisë më tej marrëdhëniet ekonomike e tregtare.

Një vëmendje e veçantë gjatë takimit iu kushtua bashkëpunimit në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.

Presidenti Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e fortë e të qartë të Kroacisë dhe personalisht të Presidentes Grabar-Kitarović për çeljen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe nënvizoi se të gjitha institucionet e shtetit shqiptar janë të angazhuara për të përmbushur me sukses të gjitha standardet dhe detyrimet përkatëse.

Duke u ndalur në bashkëpunimin rajonal, të dy Presidentët nënvizuan nevojën e një angazhimi dhe koordinimi më të mirë në mënyrë që stabiliteti dhe siguria e rajonit të konsolidohen dhe procesi i mirëkuptimit e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit të vijojë në mënyrë të qëndrueshme.

Presidenti Meta vlerësoi edhe rolin e kontributin e Kroacisë në kuadër të Procesit të Brdo-Brijunit, si dhe shprehu besimin që Samiti i ardhshëm që do të zhvillohet në Shqipëri, në vitin 2019, do ta gjejë rajonin dhe vendet e saj në një situate edhe më të favorshme, si në marrëdhëniet me BE-në ashtu edhe me NATO-n.

Në fund të bisedimeve zyrtare të dy Presidentët dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp, si dhe iu përgjigjën interesit të gazetarëve për çështje të ndryshme me interes dypalësh e rajonal.

Në vijim deklarata e Presidentit Meta në konferencën e përbashkët për shtyp:

Sot kisha kënaqësinë që t’i uroja mirëseardhjen në Tiranë, në një vizitë shtetërore, mikes së shqiptarëve dhe Presidentes së Republikës së Kroacisë, zonjës Kolinda Grabar-Kitaroviç.

Kemi bashkëbiseduar si për marrëdhëniet dypalëshe, edhe për ato rajonale dhe zhvillimet e ndryshme ndërkombëtare.

Që në fillim dua të konfirmoj menjëherë se marrëdhëniet midis dy vendeve tona janë mëse të shkëlqyera. Në themel të tyre qëndron miqësia shumëshekullore midis dy popujve dhe kombeve tona dhe lidhjet e forta historike.

Prania e Arbanasve të Zarës prej më shumë se 300 vitesh në Kroaci, por edhe e një komuniteti të ri shqiptar nga të gjitha trevat, të cilat kanë luftuar dhe shumë prej tyre dhe kanë dhënë jetën për lirinë e Kroacisë, e bëjnë edhe më të fortë këtë miqësi.

Albanologu i shquar kroat Milan Shuflaj (Milan Šufflay) apo dhe albanologu tjetër i apasionuar, Arbanasi nga Zara, Aleksandar Stipćević, kanë shërbyer si ura lidhëse të jashtëzakonshme midis dy popujve tanë sepse ata u bënë zëdhënës të besueshëm të historisë së shqiptarëve, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në forcimin dhe të ardhmen e kësaj miqësie.

Së bashku me Presidenten Grabar-Kitaroviç, kemi rënë dakord gjithashtu që gjatë vitit të Skënderbeut të bëjmë dhe një vizitë të përbashkët në zonën ku banojnë Arbanasit.

Sot pata kënaqësinë t’i shprehja edhe njëherë mirënjohjen Presidentes për mbështetjen që Kroacia i jep procesit të integrimit të Shqipërisë, por edhe vendeve të tjera të rajonit tonë.

Kroacia ka qenë dhe mbetet një mbështetëse e fortë e çeljes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Modeli dhe eksperienca e Kroacisë në BE, është shumë e vyer për ne shqiptarët.

Po kështu, si dy vende anëtare në NATO, ne ndajmë vizion dhe interesa të përbashkëta edhe në fushën e sigurisë dhe për këtë kemi një bashkëpunim shumë të mirë e të konsiderueshëm dhe që do ta shtojmë akoma më tej në të gjitha aspektet.

Dy vendet po punojnë që së shpejti ta ngrenë nivelin e bashkëpunimit, në atë të “partneritetit strategjik”.

Në kuadrin dypalësh, një vëmendje shumë domethënëse i kushtojmë bashkëpunimit ekonomik, pasi potencialet dhe burimet e të dy vendeve, si në aspektin dypalësh edhe në atë rajonal, janë të jashtëzakonshme.

Interesat e të dy vendeve janë të përbashkëta dhe komplementare dhe kuadri i përbashkët ligjor në fuqi na krijon të gjitha mundësitë për të forcuar bashkëpunimin, veçanërisht në fushën e turizmit, energjetikës, infrastrukturës, etj.

Realizimi në mënyrë të veçantë i projekteve madhore rajonale të gazifikimit TAP-it, por dhe IAP-it, si dhe Korridori Blu, do t’i bëjë dy vendet tona edhe më të ndërlidhura me njëri-tjetrin.

Një bashkëpunim me interes është edhe ai detar, si dhe ndërmjet porteve shqiptare e kroate. Si dy vende të Adriatikut, bashkëpunimi në këtë aspekt është shumë i dobishëm, bashkëpunim që shtrihet edhe në çështjet e mbrojtjes së ambientit dhe menaxhimit të ndotjeve.

Me këtë rast i shpreha mirënjohjen Presidentes për mbështetjen që Kroacia i ka dhënë edhe projektit të përbashkët me Programin e Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (PNUD) për menaxhimin e ndotjeve të ujërave detare (Marine) dhe të Bregdetit (Coastline) për rritjen e sigurisë në det dhe në porte, në përputhje me Ligjin dhe Politikën e BE për Detin.

Në këtë drejtim ne shohim mundësinë e mbështetjes dhe shtrirjes së këtij projekti edhe në formatin rajonal trilateral, duke përfshirë edhe Malin e Zi.

Sigurisht që bashkëpunimi rajonal ishte një prej çështjeve qendrore të bisedës sonë. Theksuam vendosmërinë për të vijuar me kontributin konstruktiv për të forcuar qëndrueshmërinë dhe bashkëpunimin në rajonin tonë.

Po kështu patëm kënaqësinë që të mirëprisnim edhe njoftimin e Komisionerit Avramopoulos sot se, Kosova i ka plotësuar të gjitha kërkesat për liberalizimin e vizave dhe të gjithë urojmë që qytetarët e saj sa më shpejt të udhëtojnë në hapësirën Shengen.

Njëkohësisht ne mbështesim dialogun Kosovë-Serbi, për një zgjidhje të qëndrueshme dhe përfundimtare e cila ndihmon perspektivën evropiane të të dy vendeve të gjithë rajonit tonë dhe pa dyshim që jemi shumë të lumtur për ftesën që ka marrë Maqedonia për t’u anëtarësuar në NATO, pasi ky vend e ka nisur këtë proces së bashku me dy vendet tona, me Kroacinë dhe Shqipërinë përmes Kartës së Adriatikut, prej kohësh.

Ashtu sikurse kemi diskutuar dhe shpresojmë për zhvillime më pozitive edhe në Bosnje-Hercegovinë në të ardhmen.

Në vitin e ardhshëm, në Shqipëri do të organizohet Samiti i radhës së Krerëve të Shteteve të vendeve të rajonit të Procesit të Brdo-Brijunit, ku dihet që është një iniciativë ku Presidentët e Kroacisë dhe Sllovenisë kanë një rol shumë të rëndësishëm që nga themelimi dhe vijimësia e kësaj nisme. Kemi diskutuar së bashku edhe për të koordinuar për një organizim sa më të suksesshëm dhe të dobishëm në vendin tonë gjatë vitit të ardhshëm.

Presidentja e Kroacisë nuk mund të mos vizitonte Shqipërinë gjatë vitit të Skënderbeut. Unë kam kënaqësinë që ajo ka gjetur kohën e mjaftueshme për të ndarë tre ditë me të gjithë ne, ku do të pritet edhe nga autoritetet e tjera më të larta të vendit, por dhe do t’i adresohet me një përshëndetje të veçantë Kuvendit të Shqipërisë.

Duke e uruar edhe për performancën e jashtëzakonshme të ekipit të Kroacisë në Kampionatin Botëror të Futbollit, besoj se ka qenë një përfaqësim i shkëlqyer jo vetëm për Kroacisë, por mendoj dhe i mundësive që ka çdo vend që beson tek suksesi, që i përkushtohet atij dhe që mbështet talentet e tij për të arritur majat, dua edhe njëherë tjetër t’i uroj suksese gjatë kësaj vizite mjaft të rëndësishme dhe ta ftoj për të dhënë mesazhin e saj.

Faleminderit!

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: Kolinda Grabar-Kitarović, Presidenti Meta, prêt Presidenten e Kroacisë

KUSH THA SE KOSOVA ESHTE VEND I RREZIKSHEM?

July 10, 2018 by dgreca

-U thanë se është vend i rrezikshëm, por francezët mbeten gojëhapur nga Kosova/

Kosova? Po ku gjendet ky vend? Kush janë banorët e saj? Cila është historia e këtij vendi? Siç ju treguam edhe në artikullin e mëparshëm, gjysma e njerëzve që takuam në Serbi na bindën se ky vend ishte i rrezikshëm dhe jointeresant.

  • 1 / Mirësevini në Republikën e Kosovës. Kalimi i kufirit ishte i lehtë dhe pa problem, në kundërshtim me atë që disa na kishin njoftuar. Përveç kësaj, pika doganore është e vendosur në 1100 metra mbi nivelin e detit, nuk ka shumë njerëz. Me sa duket, për një automjet serb që dëshiron të kalojë vendin, procedura është pak më e komplikuar, por kalon. Një shenjë na informon, si në hyrjen e çdo vendi, mbi limitet e shpejtësisë. Ne habitemi që ende nuk e gjejmë shenjën e autostradës. Por, më vonë mësojmë se kjo është për arsye se këtu mungon lloji i kësaj rruge. (kufiri i Mutivodës), përcjell albinfo.ch.

    2 / Gjendemi rreth 500 metra larg kufirit dhe duam ta vendosim tendën tonë këtu sepse peizazhi është i bukur. Kosova, këtë e premton! (kufiri i Mutivodës)

    3 / Natën mbërrijmë në Prishtinë dhe tashmë kemi akomodimin tonë për të bujtur. Pranë pikës kufitare, në fshatin Prapashticë, takuam Sadikun, i cili na ofroi kafe në kopshtin e kamp shtëpisë së tij. Jemi të kënaqur që krijuam kontaktin tonë të parë me një kosovar dhe pyetjet dhe përgjigjet ndiqen njëra pas tjetrës. Përderisa kaluam një kohë të mirë së bashku, ai na ofroi të kalonim natën në shtëpinë e tij në kryeqytet, në mbrëmje. Gjeniale!

    Republika e Kosovës ka 2 milionë banorë që jetojnë në këtë territor, dhe një milion shtesë jashtë vendit, ashtu si edhe mikpritësi ynë, i cili e kaloi jetën e tij në Zvicër dhe tani ai kalon kohën në të dy vendet, që kur u pensionua. Me të ardhurat e tij zvicerane, ai është në gjendje të investojë në strehimin kolektiv, të cilin ua jep me qira kryesisht studentëve.

    Në mëngjes herët, qëllimi ynë i parë ishte gjetja e një harte, në mënyrë që të orientohemi dhe të vizitojmë qytetin. Është e pabesueshme, por këtu nuk ka zyrë turistike dhe asnjë hartë në dispozicion, bile as edhe në hotele. Edhe më e pakuptueshme: Kur pyesim vendasit nëpër lokale për të vizituar ndonjë vend turistik, apo ndonjë restorant të këndshëm për tu ushqyer, ata nuk janë në gjendje të na përgjigjen. Pronarja e një lokali nuk mund të gjejë as edhe dyqanin e saj në hartën e qytetit që e shet për 5 euro! Trafiku është i dendur dhe na bën presion. Nuk ka asgjë për të parë, asgjë për të vizituar. Qyteti është krejt i ri. Interesi i vetëm që gjejmë është arkitektura e jashtme e Bibliotekës Kombëtare. Në fakt, kam përshtypjen se kjo “palë e tretë nga jashtë” është për të “blerë kapital”, dhe e cila në fund të fundit duket si një kryq në mes të një kantieri dhe një qendre madhështore të një qyteti të tërë. Hmmm! Ju na njihni: Kjo është e gjitha që duam!

    Në mes të trafikut të rëndë, Gaëtani e kalon kufirin prej 4000 km. Nëpër rrugë, flamuj të Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë. Ky qytet i nënshtrohet popullaritetit të tij të fundit si kryeqendër e re e Ballkanit dhe simbol i fitores së shqiptarëve mbi serbët. Ai tregon qartë ashurimin e tij ndaj SHBA-ve (Bulebardi Bush, Bulevardi Bill Clinton, flamuri amerikan kudo, përkthime sistematike në anglisht, shkollat e gjuhës, shkollat amerikane). Në rrugë, na afrohen: “A jeni amerikan?” Sikur të shpresonin ta takonim ndonjë, ndërkohë që flamuri ynë i trotuareve valëvitet dukshëm pas biçikletës së Gaëtanit. Në vitin 1999, NATO mori pjesë në konflikt duke vendosur ta bombardojë Serbinë, derisa të dorëzohej. Sigurisht, atmosfera ndonjëherë është e tensionuar (por jo e rrezikshme!), Sepse nuk mund të gjejmë bashkëbisedues neutral për të na treguar faktet. Shqiptarët na tregojnë për terrorin që serbët e kishin ushtruar ndaj tyre, ndërsa ata kanë qenë paqësorë. Dhe, ata pak serbë që i takuam (kanë mbetur edhe 10 për qind) na tregojnë për një pushtim të dhunshëm të shqiptarëve në territorin “e tyre”. Situata është e vështirë të kuptohet, edhe pse banorët na mirëpresin shumë lehtë dhe kurrë nuk ishim në rrezik, në këtë vend. Përkundrazi. (Prishtinë – kryeqytet), transmeton albinfo.ch.

    4 / Pas aventurës në Prishtinës, e cila zgjati vetëm një mëngjes, ne marrim drejtimin e Graçanicës. Sipas hartës sonë serbe (e cila na tregon rrugët e Kosovës!), ekziston një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Kur arrijmë në këtë qytet, vëmë re diçka të çuditshme: gjithçka shkruhet në qirilicë, ndërsa kosovarët përdorin alfabetin latin. Ka edhe pamflete për zgjedhjet rajonale që po zhvillohen në Serbi. Bile na folën edhe në gjuhën serbokroate. Në të vërtetë, këtu shumica e banorëve janë serbë dhe e pretendojnë Kosovën si një territor që i përket atyre. Mund të përdorim edhe dinarët tanë të fundit serbë, ndërsa monedha e vendit është euro. Ne jemi humbur. (Manastiri i Graçanicës)

    5 / Përderisa ne kërkonim një vend për tu strehuar. Afrimi, një zvicerano-kosovar që jeton në zonën e Romandisë, na sfidon duke parë flamurin tonë francez. Ne ndalemi afër tij dhe fillojmë të bisedojmë. Shumë shpejt, ai na pyet për atë se përse kemi ardhur në këtë kodër, e cila nuk ofron shumë. Ne i përgjigjemi se duam vetëm një vend të sigurt për tendën tonë. Pesë minuta më vonë dhe ne gjendemi në shtëpinë e tij, të cilën na e la për mbrëmje, ndërkohë që ai shkon në një darkë familjare. Afrimi erdhi për të kontrolluar disa punë në shtëpinë e tij, kështu që ai pati kohë dhe na propozoi për të na treguar disa vende përreth. Natyrisht se e pranuam propozimin. I vizituam rrënojat romake të Ulpianës, si dhe Shpellën e mermerit.

    6 / Afrimi pëlqen verë të mirë dhe raclette. Ai e ka edhe djathin që e ka sjellur nga Zvicra. Menjëherë, sytë e Gaëtanit xixëlluan. Ju duhet të jeni të vetëdijshëm se ai është e ushqimi i tij i preferuar. Mikpritësi ynë na fton të qëndrojmë edhe një natë shtesë, për të ndarë së bashku një raclette të madhe të shoqëruar me verë kosovare. E cila, në të vërtetë është e shkëlqyeshme!, transmeton albinfo.ch.

    7 / Paraprakisht, ne ju kishim folur për problemin me identitetin dhe faktin se nuk e dimë nëse ky territor i takon Serbisë apo jo. Si nëpër shenjat e komunikacionit, të cilat rregullisht janë të shkruara me ndonjërin prej alfabeteve, shkruan “Oumenelevent.wordpress”, njofton Albinfo.ch.

    Shenja të tjera që kanë ngjallën kuriozitetin tonë. Përse një tank? Ata datojnë nga lufta dhe vetëm informojnë tonazhin që të mos kalojë në pjesë të caktuara të rrugëve apo urave.

    8 / Ky vend është shumë kodrinor. Do të kalojmë disa ditë për tu ngjitur në një lartësi mbidetare prej 1300 metrash, me biçikletat tona monstra. Moti është gjithmonë me ne, është kohë e mirë. Kalimet shpesh janë të pajisura me hotele dhe dyqane të të gjitha llojeve. Kemi simpati me tregtarët e prodhimeve vendore dhe na pëlqen të na përgëzojnë që mbërritëm lartë, ato na ofrojnë fruta ose djathë. Ndërsa unë nxitoj për ta gllabëruar. E pabesueshme kjo bujari!

    9 / Prizreni, qyteti i dytë më i madh në vend, duket më mikpritës se kryeqyteti. Qyteti nuk është në ndërtim e sipër dhe ka një trashëgimi historike. Këtu, ka një përzierje të kulturës dhe fesë, përveç përkthimit të dyfishtë serbokroat dhe shqip, ka edhe përkthim turk. Trashëgimia e pushtimit otoman prej më shumë se 500 vitesh. Shumë monumente janë klasifikuar në UNESCO. Për fat të keq shumica janë në restaurim, kështu që ne nuk mund t’i vizitojmë ato. Për fat të keq! Këtu, nuk ju lënë jashtë. Ashtu sikur është Toni, të cilin e takojmë në rrugë dhe na fton ta kalojmë mbrëmjen me familjen e tij. Megjithëse mund të ndodhë që njerëzit nuk kanë kohë ose ndoshta nevojë për të na takuar, ne pothuajse gjithmonë na jepet një vend brenda, si dhe ushqim të ndryshëm. (Prizren, qyteti multikulturor)

    Kalaja e kohës së Perandorisë Osmane dominon qytetin, një vend i përsosur për një mëngjes. Më vonë, ne vizitojmë xhaminë tonë të parë të udhëtimit dhe jo vetëm cilëndo: ate të arkitektit të famshëm Sinan Pasha. Dëgjohet ezani. Turistët largohen dhe besimtarët mblidhen nën kupolë. Gaetani vendos të qëndrojë aty dhe fillon t’i imitojë, si në kohën që ai kishte ndjekur mikpritësin tonë Mustafa në xhaminë e fshatit të tij të vogël, në Saharë. Është kënaqësi: ne gjunjëzohemi, ngrihemi. Kurdoherë që Imami thotë “All-llah”, ndryshon pozicionin në një përkulje të Perëndisë. Asgjë e keqe, përkundrazi. Ne kujtojmë se jemi ateistë, por që ky udhëtim ka për qëllim të përpiqet të kuptojë kultura të ndryshme nga tonat. Dhe për një herë, Islami është një skedar i mirë. Pra, ndryshe nga ata që mund ta konsiderojnë këtë praktikë si ekstreme, sepse imponon një disiplinë të rreptë (imazhi televiziv i mijëra muslimanëve që përulen sikurse të jetë vetëm një njeri në Mekë), ne shohim përmes përvojës sonë një moment të mbledhjes ditore dhe ndarjen në paqe dhe dashamirësi, të gjitha të përfshira në një ritual të mirë prej rreth 30 min. Një klishe që u shpërnda gjerësisht në Francë: Mungesa e higjienës nga ana e miqve tanë arabë? Myslimani lutet pesë herë në ditë, pas kryerjes së riteve të tij, dmth. Duke i larë duart deri në kyçet e dorës, fytyrën, qafën, veshët, gojën, mëngët dhe këmbët. Është gjithashtu koha që ata të marrin frymë më lirshëm në ditë, për t’u larguar nga jeta e përditshme për t’i shpëtuar mendimit të tyre shpirtëror dhe për t’u takuar me besimtarë të tjerë. Atje shkojnë shumë persona, lahen së bashku, pas lutjes, vishen së bashku dhe shpesh, marrim rastin të ftojmë njëri-tjetrin. Përherë buzëqeshjet janë të gjera dhe nuk shohim se dikush është i injoruar. Po, është gjithashtu një vend i socializmit. (Kështjella Osmane, Prizren)

    10 / Jo, jo, nuk është verë, por është mu ashtu në mes të tetorit. Ne jemi në pantallona të shkurtra dhe i heqim trikotë kur ngjitemi në Grykën e Prevallës. Kemi marrë një vështrim të plotë nga çdo kënd, i cili na bën të harrojmë se jemi ngjitur për 18 km. Ky kalim është më i larti që nga fillimi i aventurës, me këto 1515 metra. (Kolegji i Prevallës)

    11 / Duke arritur në maje, zbulojmë se ai është një vend ultra turistik, ka dhjetëra hotele e restorante. Donim ta kalonim natën, por nuk është e mundur. Pak kilometra nga takimi, ne pamë një shtëpi të braktisur dhe një burim. Nuk kishim nevojë për më shumë, për këtë natë. Zbritëm tre kilometra dhe bëmë një kalim të vogël në banjë, në ajër të pastër, për të liruar djersën e ngjitjes. (Gryka e Prevallës)

    12 / Këtu, do të jetë bujtina për sonte. Nuk mund të shpresonim më mirë. Një pamje mahnitëse e luginës, një qiell i mbushur me yje dhe ne jemi me fat për të parë disa yje të ndritshëm. (Gryka e Prevallës)

    13 / Për një çast, zbuluam origjinën e mbiemrit Gaëtan. Xhoni, është me origjinë kosovare-serbe. Me sa duket disa prej këtyre paraardhësve kishin bërë një pasuri nga vaji. Por, ai preferonte të udhëtonte me biçikletë !!

    14 / Në tre kilometra para kufirit, kalojmë fshatin e fundit të Kosovës, Hani i Elezit. Po planifikonim natën ta kalonim në Maqedoni. Por si gjithmonë ndryshojnë planet dhe bujaria e kosovarëve përsëri ka goditur. Besimi na mirëpret për natën. Diskutuam shumë tema duke përfshirë përvojën e tij në Zvicër. Ai shpjegon 13 vjet të jetës së tij ka jetuar në Lozanë, si një kuzhinier – ai do të na bëjë një darkë të shkëlqyeshme. Në kohën kur pasaporta jugosllave ishte e fortë, nuk kishte asnjë problem për të udhëtuar. Për fat të keq, Qeveria zvicerane vendosi të mos lëshonte më leje pune dhe Besimi ishte detyruar të kthehej.

    Për viza udhëtimi drejt Bashkimit Europian, kosovarët sërish po përballen me një sfidë. Në kryeqytet, Shpëtimi, pasi kishte jetuar në Zvicrën frankofone, na ftoi për një kafe. Ai është xhaxhai i Lorik Canës, ish kapiteni i Olympique Marseille dhe ekipit kombëtar të Shqipërisë. Natyrisht se folëm edhe për futbolli: Me krenari na i tregoi fotot e tij me Ribery, Nasry, … Më vonë, ai na kërkoi ndihmë për të marrë një vizë për Francë, për te dhe djalin e tij.

    Një vizë: Më parë, në kohën e ish Jugosllavisë, kosovarët kishin qasje të lehtë në të dy blloqet (SHBA dhe BRSS) dhe aleatët e tyre qëkur ky shtet ishte pozicionuar si i painkuadruar. Pasaporta jugosllave ishte një nga më të fuqishmet, deri në atë masë që ajo u shit me një çmim të lartë në tregun e zi. Pastaj, ishte e mjaftueshme për ta deklaruar atë si “të humbur” për të marrë një të re. Në atë kohë, shumë persona gjithashtu zgjodhën të emigronin në Europë dhe sa i përket Kosovës, kryesisht në Zvicër. Sot, marrja e një vize për Europë për kosovarët nuk është e lehtë. Ata kanë nevojë për një ftesë dhe disave ju kushton një rrogë e tërë – mesatarisht fitojnë mes 200 dhe 350 euro në muaj.

    15 / Babai i Besimit përkujdeset për lopën e tyre në mëngjes dhe mbrëmje. Djathi, kosi dhe qumështi që hanë këtu, janë rezultat i punës së tyre. 12 litra në ditë qumësht të freskët. Një ditë më parë, Gaëtan vëzhgon, të nesërmen fillon negociatat dhe ndërmerr masa. Gjyshi bujar, por kokëfortë nuk është i lehtë për tu ndihmuar. Së fundi, ai do të ketë të drejtën për 3 minuta vizatim dhe jo më shumë. Por të paktën ai e njeh ndjenjën e “vapën e nxehtë në duart e tij” siç thotë ai. Përtej mjeljes, shohim punën e madhe të prodhimit të qumështit tonë, të cilin e hamë pothuajse çdo ditë.

    16 / Kosova, ne jemi befasuar mrekullisht nga këto peizazhe të jashtëzakonshme, nga këta banorë dhe këto kontraste. Peizazhet dhe malet e pakta së paku do të na i freskojnë sytë për një kohë. Kalimi i këtij vendi do të ketë qenë i shkurtër, 9 ditë, dy gryka më shumë se 1300 m dhe 300 km. Por do të mbajmë mend sidomos bujarinë e këtyre banorëve, buzëqeshjet e tyre të gjera dhe historinë e tyre.

    Përpara në Maqedoni, për aventura të reja!(Dergoi per Diellin albinfo.ch)

Filed Under: Reportazh Tagged With: : ” Francezët, gojëhapur nga Kosova

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 98
  • 99
  • 100
  • 101
  • 102
  • …
  • 172
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • HISTORIA E KRYEVEPRES SË NDOC MARTINIT
  • SI LETRAT BRENDA SHISHEVE…
  • Zëri i gjëmimshëm i Andrea Bocellit, si një thirrje për zgjim shpirtëror
  • SI U HOQ BUTRINTI NGA DUART E PUBLIKUT
  • Të arratisurit nga Shqipëria deri më 31 tetor 1990
  • Nga lufta e Kosovës, në Distriktin 14-të në New York
  • Hieroglifet e mallit…
  • Një ftesë për shqiptarët e Amerikës
  • VATRA ORGANIZON SIMPOZIUM SHKENCOR NË 50 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT ABAS KUPI
  • Si e ka portretizuar Kosova sportin në pullat e saj postare
  • Balluku nuk është rasti, është testi!
  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT