• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidentja e Kroacisë, mysafire në Shqipëri

July 18, 2018 by dgreca

Presidenti Meta mirëpret në një vizitë shtetërore në Tiranë, Presidenten e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarović/

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta i uroi mirëseardhjen në Shqipëri, Presidentes së Republikës së Kroacisë, Sh.S.Znj. Kolinda Grabar-Kitarović, e cila me ftesë të Kreut të Shtetit, po zhvillon një vizitë shtetërore në Shqipëri.

Pas ceremonisë së mirëseardhjes dhe ekzekutimit të himneve kombëtare të të dy vendeve, Presidenti Meta dhe Presidentja Grabar-Kitarović zhvilluan një takim kokë më kokë dhe më pas kryesuan takimin e zgjeruar midis dy delegacioneve zyrtare.

Presidenti Meta vlerësoi lidhjet e forta historike të miqësisë midis dy popujve, si dhe marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve.

Të dy bashkëbiseduesit shprehën angazhimin dhe mbështetjen për ngritjen e këtyre marrëdhënieve në nivel të partneritetit strategjik, duke nënvizuar se kjo do ta intensifikojë më shumë dialogun politik dhe do t’i nxisë më tej marrëdhëniet ekonomike e tregtare.

Një vëmendje e veçantë gjatë takimit iu kushtua bashkëpunimit në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.

Presidenti Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e fortë e të qartë të Kroacisë dhe personalisht të Presidentes Grabar-Kitarović për çeljen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe nënvizoi se të gjitha institucionet e shtetit shqiptar janë të angazhuara për të përmbushur me sukses të gjitha standardet dhe detyrimet përkatëse.

Duke u ndalur në bashkëpunimin rajonal, të dy Presidentët nënvizuan nevojën e një angazhimi dhe koordinimi më të mirë në mënyrë që stabiliteti dhe siguria e rajonit të konsolidohen dhe procesi i mirëkuptimit e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit të vijojë në mënyrë të qëndrueshme.

Presidenti Meta vlerësoi edhe rolin e kontributin e Kroacisë në kuadër të Procesit të Brdo-Brijunit, si dhe shprehu besimin që Samiti i ardhshëm që do të zhvillohet në Shqipëri, në vitin 2019, do ta gjejë rajonin dhe vendet e saj në një situate edhe më të favorshme, si në marrëdhëniet me BE-në ashtu edhe me NATO-n.

Në fund të bisedimeve zyrtare të dy Presidentët dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp, si dhe iu përgjigjën interesit të gazetarëve për çështje të ndryshme me interes dypalësh e rajonal.

Në vijim deklarata e Presidentit Meta në konferencën e përbashkët për shtyp:

Sot kisha kënaqësinë që t’i uroja mirëseardhjen në Tiranë, në një vizitë shtetërore, mikes së shqiptarëve dhe Presidentes së Republikës së Kroacisë, zonjës Kolinda Grabar-Kitaroviç.

Kemi bashkëbiseduar si për marrëdhëniet dypalëshe, edhe për ato rajonale dhe zhvillimet e ndryshme ndërkombëtare.

Që në fillim dua të konfirmoj menjëherë se marrëdhëniet midis dy vendeve tona janë mëse të shkëlqyera. Në themel të tyre qëndron miqësia shumëshekullore midis dy popujve dhe kombeve tona dhe lidhjet e forta historike.

Prania e Arbanasve të Zarës prej më shumë se 300 vitesh në Kroaci, por edhe e një komuniteti të ri shqiptar nga të gjitha trevat, të cilat kanë luftuar dhe shumë prej tyre dhe kanë dhënë jetën për lirinë e Kroacisë, e bëjnë edhe më të fortë këtë miqësi.

Albanologu i shquar kroat Milan Shuflaj (Milan Šufflay) apo dhe albanologu tjetër i apasionuar, Arbanasi nga Zara, Aleksandar Stipćević, kanë shërbyer si ura lidhëse të jashtëzakonshme midis dy popujve tanë sepse ata u bënë zëdhënës të besueshëm të historisë së shqiptarëve, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në forcimin dhe të ardhmen e kësaj miqësie.

Së bashku me Presidenten Grabar-Kitaroviç, kemi rënë dakord gjithashtu që gjatë vitit të Skënderbeut të bëjmë dhe një vizitë të përbashkët në zonën ku banojnë Arbanasit.

Sot pata kënaqësinë t’i shprehja edhe njëherë mirënjohjen Presidentes për mbështetjen që Kroacia i jep procesit të integrimit të Shqipërisë, por edhe vendeve të tjera të rajonit tonë.

Kroacia ka qenë dhe mbetet një mbështetëse e fortë e çeljes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Modeli dhe eksperienca e Kroacisë në BE, është shumë e vyer për ne shqiptarët.

Po kështu, si dy vende anëtare në NATO, ne ndajmë vizion dhe interesa të përbashkëta edhe në fushën e sigurisë dhe për këtë kemi një bashkëpunim shumë të mirë e të konsiderueshëm dhe që do ta shtojmë akoma më tej në të gjitha aspektet.

Dy vendet po punojnë që së shpejti ta ngrenë nivelin e bashkëpunimit, në atë të “partneritetit strategjik”.

Në kuadrin dypalësh, një vëmendje shumë domethënëse i kushtojmë bashkëpunimit ekonomik, pasi potencialet dhe burimet e të dy vendeve, si në aspektin dypalësh edhe në atë rajonal, janë të jashtëzakonshme.

Interesat e të dy vendeve janë të përbashkëta dhe komplementare dhe kuadri i përbashkët ligjor në fuqi na krijon të gjitha mundësitë për të forcuar bashkëpunimin, veçanërisht në fushën e turizmit, energjetikës, infrastrukturës, etj.

Realizimi në mënyrë të veçantë i projekteve madhore rajonale të gazifikimit TAP-it, por dhe IAP-it, si dhe Korridori Blu, do t’i bëjë dy vendet tona edhe më të ndërlidhura me njëri-tjetrin.

Një bashkëpunim me interes është edhe ai detar, si dhe ndërmjet porteve shqiptare e kroate. Si dy vende të Adriatikut, bashkëpunimi në këtë aspekt është shumë i dobishëm, bashkëpunim që shtrihet edhe në çështjet e mbrojtjes së ambientit dhe menaxhimit të ndotjeve.

Me këtë rast i shpreha mirënjohjen Presidentes për mbështetjen që Kroacia i ka dhënë edhe projektit të përbashkët me Programin e Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (PNUD) për menaxhimin e ndotjeve të ujërave detare (Marine) dhe të Bregdetit (Coastline) për rritjen e sigurisë në det dhe në porte, në përputhje me Ligjin dhe Politikën e BE për Detin.

Në këtë drejtim ne shohim mundësinë e mbështetjes dhe shtrirjes së këtij projekti edhe në formatin rajonal trilateral, duke përfshirë edhe Malin e Zi.

Sigurisht që bashkëpunimi rajonal ishte një prej çështjeve qendrore të bisedës sonë. Theksuam vendosmërinë për të vijuar me kontributin konstruktiv për të forcuar qëndrueshmërinë dhe bashkëpunimin në rajonin tonë.

Po kështu patëm kënaqësinë që të mirëprisnim edhe njoftimin e Komisionerit Avramopoulos sot se, Kosova i ka plotësuar të gjitha kërkesat për liberalizimin e vizave dhe të gjithë urojmë që qytetarët e saj sa më shpejt të udhëtojnë në hapësirën Shengen.

Njëkohësisht ne mbështesim dialogun Kosovë-Serbi, për një zgjidhje të qëndrueshme dhe përfundimtare e cila ndihmon perspektivën evropiane të të dy vendeve të gjithë rajonit tonë dhe pa dyshim që jemi shumë të lumtur për ftesën që ka marrë Maqedonia për t’u anëtarësuar në NATO, pasi ky vend e ka nisur këtë proces së bashku me dy vendet tona, me Kroacinë dhe Shqipërinë përmes Kartës së Adriatikut, prej kohësh.

Ashtu sikurse kemi diskutuar dhe shpresojmë për zhvillime më pozitive edhe në Bosnje-Hercegovinë në të ardhmen.

Në vitin e ardhshëm, në Shqipëri do të organizohet Samiti i radhës së Krerëve të Shteteve të vendeve të rajonit të Procesit të Brdo-Brijunit, ku dihet që është një iniciativë ku Presidentët e Kroacisë dhe Sllovenisë kanë një rol shumë të rëndësishëm që nga themelimi dhe vijimësia e kësaj nisme. Kemi diskutuar së bashku edhe për të koordinuar për një organizim sa më të suksesshëm dhe të dobishëm në vendin tonë gjatë vitit të ardhshëm.

Presidentja e Kroacisë nuk mund të mos vizitonte Shqipërinë gjatë vitit të Skënderbeut. Unë kam kënaqësinë që ajo ka gjetur kohën e mjaftueshme për të ndarë tre ditë me të gjithë ne, ku do të pritet edhe nga autoritetet e tjera më të larta të vendit, por dhe do t’i adresohet me një përshëndetje të veçantë Kuvendit të Shqipërisë.

Duke e uruar edhe për performancën e jashtëzakonshme të ekipit të Kroacisë në Kampionatin Botëror të Futbollit, besoj se ka qenë një përfaqësim i shkëlqyer jo vetëm për Kroacisë, por mendoj dhe i mundësive që ka çdo vend që beson tek suksesi, që i përkushtohet atij dhe që mbështet talentet e tij për të arritur majat, dua edhe njëherë tjetër t’i uroj suksese gjatë kësaj vizite mjaft të rëndësishme dhe ta ftoj për të dhënë mesazhin e saj.

Faleminderit!

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: Kolinda Grabar-Kitarović, Presidenti Meta, prêt Presidenten e Kroacisë

KUSH THA SE KOSOVA ESHTE VEND I RREZIKSHEM?

July 10, 2018 by dgreca

-U thanë se është vend i rrezikshëm, por francezët mbeten gojëhapur nga Kosova/

Kosova? Po ku gjendet ky vend? Kush janë banorët e saj? Cila është historia e këtij vendi? Siç ju treguam edhe në artikullin e mëparshëm, gjysma e njerëzve që takuam në Serbi na bindën se ky vend ishte i rrezikshëm dhe jointeresant.

  • 1 / Mirësevini në Republikën e Kosovës. Kalimi i kufirit ishte i lehtë dhe pa problem, në kundërshtim me atë që disa na kishin njoftuar. Përveç kësaj, pika doganore është e vendosur në 1100 metra mbi nivelin e detit, nuk ka shumë njerëz. Me sa duket, për një automjet serb që dëshiron të kalojë vendin, procedura është pak më e komplikuar, por kalon. Një shenjë na informon, si në hyrjen e çdo vendi, mbi limitet e shpejtësisë. Ne habitemi që ende nuk e gjejmë shenjën e autostradës. Por, më vonë mësojmë se kjo është për arsye se këtu mungon lloji i kësaj rruge. (kufiri i Mutivodës), përcjell albinfo.ch.

    2 / Gjendemi rreth 500 metra larg kufirit dhe duam ta vendosim tendën tonë këtu sepse peizazhi është i bukur. Kosova, këtë e premton! (kufiri i Mutivodës)

    3 / Natën mbërrijmë në Prishtinë dhe tashmë kemi akomodimin tonë për të bujtur. Pranë pikës kufitare, në fshatin Prapashticë, takuam Sadikun, i cili na ofroi kafe në kopshtin e kamp shtëpisë së tij. Jemi të kënaqur që krijuam kontaktin tonë të parë me një kosovar dhe pyetjet dhe përgjigjet ndiqen njëra pas tjetrës. Përderisa kaluam një kohë të mirë së bashku, ai na ofroi të kalonim natën në shtëpinë e tij në kryeqytet, në mbrëmje. Gjeniale!

    Republika e Kosovës ka 2 milionë banorë që jetojnë në këtë territor, dhe një milion shtesë jashtë vendit, ashtu si edhe mikpritësi ynë, i cili e kaloi jetën e tij në Zvicër dhe tani ai kalon kohën në të dy vendet, që kur u pensionua. Me të ardhurat e tij zvicerane, ai është në gjendje të investojë në strehimin kolektiv, të cilin ua jep me qira kryesisht studentëve.

    Në mëngjes herët, qëllimi ynë i parë ishte gjetja e një harte, në mënyrë që të orientohemi dhe të vizitojmë qytetin. Është e pabesueshme, por këtu nuk ka zyrë turistike dhe asnjë hartë në dispozicion, bile as edhe në hotele. Edhe më e pakuptueshme: Kur pyesim vendasit nëpër lokale për të vizituar ndonjë vend turistik, apo ndonjë restorant të këndshëm për tu ushqyer, ata nuk janë në gjendje të na përgjigjen. Pronarja e një lokali nuk mund të gjejë as edhe dyqanin e saj në hartën e qytetit që e shet për 5 euro! Trafiku është i dendur dhe na bën presion. Nuk ka asgjë për të parë, asgjë për të vizituar. Qyteti është krejt i ri. Interesi i vetëm që gjejmë është arkitektura e jashtme e Bibliotekës Kombëtare. Në fakt, kam përshtypjen se kjo “palë e tretë nga jashtë” është për të “blerë kapital”, dhe e cila në fund të fundit duket si një kryq në mes të një kantieri dhe një qendre madhështore të një qyteti të tërë. Hmmm! Ju na njihni: Kjo është e gjitha që duam!

    Në mes të trafikut të rëndë, Gaëtani e kalon kufirin prej 4000 km. Nëpër rrugë, flamuj të Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë. Ky qytet i nënshtrohet popullaritetit të tij të fundit si kryeqendër e re e Ballkanit dhe simbol i fitores së shqiptarëve mbi serbët. Ai tregon qartë ashurimin e tij ndaj SHBA-ve (Bulebardi Bush, Bulevardi Bill Clinton, flamuri amerikan kudo, përkthime sistematike në anglisht, shkollat e gjuhës, shkollat amerikane). Në rrugë, na afrohen: “A jeni amerikan?” Sikur të shpresonin ta takonim ndonjë, ndërkohë që flamuri ynë i trotuareve valëvitet dukshëm pas biçikletës së Gaëtanit. Në vitin 1999, NATO mori pjesë në konflikt duke vendosur ta bombardojë Serbinë, derisa të dorëzohej. Sigurisht, atmosfera ndonjëherë është e tensionuar (por jo e rrezikshme!), Sepse nuk mund të gjejmë bashkëbisedues neutral për të na treguar faktet. Shqiptarët na tregojnë për terrorin që serbët e kishin ushtruar ndaj tyre, ndërsa ata kanë qenë paqësorë. Dhe, ata pak serbë që i takuam (kanë mbetur edhe 10 për qind) na tregojnë për një pushtim të dhunshëm të shqiptarëve në territorin “e tyre”. Situata është e vështirë të kuptohet, edhe pse banorët na mirëpresin shumë lehtë dhe kurrë nuk ishim në rrezik, në këtë vend. Përkundrazi. (Prishtinë – kryeqytet), transmeton albinfo.ch.

    4 / Pas aventurës në Prishtinës, e cila zgjati vetëm një mëngjes, ne marrim drejtimin e Graçanicës. Sipas hartës sonë serbe (e cila na tregon rrugët e Kosovës!), ekziston një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Kur arrijmë në këtë qytet, vëmë re diçka të çuditshme: gjithçka shkruhet në qirilicë, ndërsa kosovarët përdorin alfabetin latin. Ka edhe pamflete për zgjedhjet rajonale që po zhvillohen në Serbi. Bile na folën edhe në gjuhën serbokroate. Në të vërtetë, këtu shumica e banorëve janë serbë dhe e pretendojnë Kosovën si një territor që i përket atyre. Mund të përdorim edhe dinarët tanë të fundit serbë, ndërsa monedha e vendit është euro. Ne jemi humbur. (Manastiri i Graçanicës)

    5 / Përderisa ne kërkonim një vend për tu strehuar. Afrimi, një zvicerano-kosovar që jeton në zonën e Romandisë, na sfidon duke parë flamurin tonë francez. Ne ndalemi afër tij dhe fillojmë të bisedojmë. Shumë shpejt, ai na pyet për atë se përse kemi ardhur në këtë kodër, e cila nuk ofron shumë. Ne i përgjigjemi se duam vetëm një vend të sigurt për tendën tonë. Pesë minuta më vonë dhe ne gjendemi në shtëpinë e tij, të cilën na e la për mbrëmje, ndërkohë që ai shkon në një darkë familjare. Afrimi erdhi për të kontrolluar disa punë në shtëpinë e tij, kështu që ai pati kohë dhe na propozoi për të na treguar disa vende përreth. Natyrisht se e pranuam propozimin. I vizituam rrënojat romake të Ulpianës, si dhe Shpellën e mermerit.

    6 / Afrimi pëlqen verë të mirë dhe raclette. Ai e ka edhe djathin që e ka sjellur nga Zvicra. Menjëherë, sytë e Gaëtanit xixëlluan. Ju duhet të jeni të vetëdijshëm se ai është e ushqimi i tij i preferuar. Mikpritësi ynë na fton të qëndrojmë edhe një natë shtesë, për të ndarë së bashku një raclette të madhe të shoqëruar me verë kosovare. E cila, në të vërtetë është e shkëlqyeshme!, transmeton albinfo.ch.

    7 / Paraprakisht, ne ju kishim folur për problemin me identitetin dhe faktin se nuk e dimë nëse ky territor i takon Serbisë apo jo. Si nëpër shenjat e komunikacionit, të cilat rregullisht janë të shkruara me ndonjërin prej alfabeteve, shkruan “Oumenelevent.wordpress”, njofton Albinfo.ch.

    Shenja të tjera që kanë ngjallën kuriozitetin tonë. Përse një tank? Ata datojnë nga lufta dhe vetëm informojnë tonazhin që të mos kalojë në pjesë të caktuara të rrugëve apo urave.

    8 / Ky vend është shumë kodrinor. Do të kalojmë disa ditë për tu ngjitur në një lartësi mbidetare prej 1300 metrash, me biçikletat tona monstra. Moti është gjithmonë me ne, është kohë e mirë. Kalimet shpesh janë të pajisura me hotele dhe dyqane të të gjitha llojeve. Kemi simpati me tregtarët e prodhimeve vendore dhe na pëlqen të na përgëzojnë që mbërritëm lartë, ato na ofrojnë fruta ose djathë. Ndërsa unë nxitoj për ta gllabëruar. E pabesueshme kjo bujari!

    9 / Prizreni, qyteti i dytë më i madh në vend, duket më mikpritës se kryeqyteti. Qyteti nuk është në ndërtim e sipër dhe ka një trashëgimi historike. Këtu, ka një përzierje të kulturës dhe fesë, përveç përkthimit të dyfishtë serbokroat dhe shqip, ka edhe përkthim turk. Trashëgimia e pushtimit otoman prej më shumë se 500 vitesh. Shumë monumente janë klasifikuar në UNESCO. Për fat të keq shumica janë në restaurim, kështu që ne nuk mund t’i vizitojmë ato. Për fat të keq! Këtu, nuk ju lënë jashtë. Ashtu sikur është Toni, të cilin e takojmë në rrugë dhe na fton ta kalojmë mbrëmjen me familjen e tij. Megjithëse mund të ndodhë që njerëzit nuk kanë kohë ose ndoshta nevojë për të na takuar, ne pothuajse gjithmonë na jepet një vend brenda, si dhe ushqim të ndryshëm. (Prizren, qyteti multikulturor)

    Kalaja e kohës së Perandorisë Osmane dominon qytetin, një vend i përsosur për një mëngjes. Më vonë, ne vizitojmë xhaminë tonë të parë të udhëtimit dhe jo vetëm cilëndo: ate të arkitektit të famshëm Sinan Pasha. Dëgjohet ezani. Turistët largohen dhe besimtarët mblidhen nën kupolë. Gaetani vendos të qëndrojë aty dhe fillon t’i imitojë, si në kohën që ai kishte ndjekur mikpritësin tonë Mustafa në xhaminë e fshatit të tij të vogël, në Saharë. Është kënaqësi: ne gjunjëzohemi, ngrihemi. Kurdoherë që Imami thotë “All-llah”, ndryshon pozicionin në një përkulje të Perëndisë. Asgjë e keqe, përkundrazi. Ne kujtojmë se jemi ateistë, por që ky udhëtim ka për qëllim të përpiqet të kuptojë kultura të ndryshme nga tonat. Dhe për një herë, Islami është një skedar i mirë. Pra, ndryshe nga ata që mund ta konsiderojnë këtë praktikë si ekstreme, sepse imponon një disiplinë të rreptë (imazhi televiziv i mijëra muslimanëve që përulen sikurse të jetë vetëm një njeri në Mekë), ne shohim përmes përvojës sonë një moment të mbledhjes ditore dhe ndarjen në paqe dhe dashamirësi, të gjitha të përfshira në një ritual të mirë prej rreth 30 min. Një klishe që u shpërnda gjerësisht në Francë: Mungesa e higjienës nga ana e miqve tanë arabë? Myslimani lutet pesë herë në ditë, pas kryerjes së riteve të tij, dmth. Duke i larë duart deri në kyçet e dorës, fytyrën, qafën, veshët, gojën, mëngët dhe këmbët. Është gjithashtu koha që ata të marrin frymë më lirshëm në ditë, për t’u larguar nga jeta e përditshme për t’i shpëtuar mendimit të tyre shpirtëror dhe për t’u takuar me besimtarë të tjerë. Atje shkojnë shumë persona, lahen së bashku, pas lutjes, vishen së bashku dhe shpesh, marrim rastin të ftojmë njëri-tjetrin. Përherë buzëqeshjet janë të gjera dhe nuk shohim se dikush është i injoruar. Po, është gjithashtu një vend i socializmit. (Kështjella Osmane, Prizren)

    10 / Jo, jo, nuk është verë, por është mu ashtu në mes të tetorit. Ne jemi në pantallona të shkurtra dhe i heqim trikotë kur ngjitemi në Grykën e Prevallës. Kemi marrë një vështrim të plotë nga çdo kënd, i cili na bën të harrojmë se jemi ngjitur për 18 km. Ky kalim është më i larti që nga fillimi i aventurës, me këto 1515 metra. (Kolegji i Prevallës)

    11 / Duke arritur në maje, zbulojmë se ai është një vend ultra turistik, ka dhjetëra hotele e restorante. Donim ta kalonim natën, por nuk është e mundur. Pak kilometra nga takimi, ne pamë një shtëpi të braktisur dhe një burim. Nuk kishim nevojë për më shumë, për këtë natë. Zbritëm tre kilometra dhe bëmë një kalim të vogël në banjë, në ajër të pastër, për të liruar djersën e ngjitjes. (Gryka e Prevallës)

    12 / Këtu, do të jetë bujtina për sonte. Nuk mund të shpresonim më mirë. Një pamje mahnitëse e luginës, një qiell i mbushur me yje dhe ne jemi me fat për të parë disa yje të ndritshëm. (Gryka e Prevallës)

    13 / Për një çast, zbuluam origjinën e mbiemrit Gaëtan. Xhoni, është me origjinë kosovare-serbe. Me sa duket disa prej këtyre paraardhësve kishin bërë një pasuri nga vaji. Por, ai preferonte të udhëtonte me biçikletë !!

    14 / Në tre kilometra para kufirit, kalojmë fshatin e fundit të Kosovës, Hani i Elezit. Po planifikonim natën ta kalonim në Maqedoni. Por si gjithmonë ndryshojnë planet dhe bujaria e kosovarëve përsëri ka goditur. Besimi na mirëpret për natën. Diskutuam shumë tema duke përfshirë përvojën e tij në Zvicër. Ai shpjegon 13 vjet të jetës së tij ka jetuar në Lozanë, si një kuzhinier – ai do të na bëjë një darkë të shkëlqyeshme. Në kohën kur pasaporta jugosllave ishte e fortë, nuk kishte asnjë problem për të udhëtuar. Për fat të keq, Qeveria zvicerane vendosi të mos lëshonte më leje pune dhe Besimi ishte detyruar të kthehej.

    Për viza udhëtimi drejt Bashkimit Europian, kosovarët sërish po përballen me një sfidë. Në kryeqytet, Shpëtimi, pasi kishte jetuar në Zvicrën frankofone, na ftoi për një kafe. Ai është xhaxhai i Lorik Canës, ish kapiteni i Olympique Marseille dhe ekipit kombëtar të Shqipërisë. Natyrisht se folëm edhe për futbolli: Me krenari na i tregoi fotot e tij me Ribery, Nasry, … Më vonë, ai na kërkoi ndihmë për të marrë një vizë për Francë, për te dhe djalin e tij.

    Një vizë: Më parë, në kohën e ish Jugosllavisë, kosovarët kishin qasje të lehtë në të dy blloqet (SHBA dhe BRSS) dhe aleatët e tyre qëkur ky shtet ishte pozicionuar si i painkuadruar. Pasaporta jugosllave ishte një nga më të fuqishmet, deri në atë masë që ajo u shit me një çmim të lartë në tregun e zi. Pastaj, ishte e mjaftueshme për ta deklaruar atë si “të humbur” për të marrë një të re. Në atë kohë, shumë persona gjithashtu zgjodhën të emigronin në Europë dhe sa i përket Kosovës, kryesisht në Zvicër. Sot, marrja e një vize për Europë për kosovarët nuk është e lehtë. Ata kanë nevojë për një ftesë dhe disave ju kushton një rrogë e tërë – mesatarisht fitojnë mes 200 dhe 350 euro në muaj.

    15 / Babai i Besimit përkujdeset për lopën e tyre në mëngjes dhe mbrëmje. Djathi, kosi dhe qumështi që hanë këtu, janë rezultat i punës së tyre. 12 litra në ditë qumësht të freskët. Një ditë më parë, Gaëtan vëzhgon, të nesërmen fillon negociatat dhe ndërmerr masa. Gjyshi bujar, por kokëfortë nuk është i lehtë për tu ndihmuar. Së fundi, ai do të ketë të drejtën për 3 minuta vizatim dhe jo më shumë. Por të paktën ai e njeh ndjenjën e “vapën e nxehtë në duart e tij” siç thotë ai. Përtej mjeljes, shohim punën e madhe të prodhimit të qumështit tonë, të cilin e hamë pothuajse çdo ditë.

    16 / Kosova, ne jemi befasuar mrekullisht nga këto peizazhe të jashtëzakonshme, nga këta banorë dhe këto kontraste. Peizazhet dhe malet e pakta së paku do të na i freskojnë sytë për një kohë. Kalimi i këtij vendi do të ketë qenë i shkurtër, 9 ditë, dy gryka më shumë se 1300 m dhe 300 km. Por do të mbajmë mend sidomos bujarinë e këtyre banorëve, buzëqeshjet e tyre të gjera dhe historinë e tyre.

    Përpara në Maqedoni, për aventura të reja!(Dergoi per Diellin albinfo.ch)

Filed Under: Reportazh Tagged With: : ” Francezët, gojëhapur nga Kosova

Komandanti i Forcës Detare të NATO-s vizitoi Shqipërinë

July 7, 2018 by dgreca

1 Of marineKomandanti i Forcës Detare të NATO-s, NënAdmiral Clive CC Johnstone, vizitoi Shqipërinë/

3 ShefqetNga Shefqet Kërcelli/2 Shefqet

Në kuadër të bashkëpunimit midis Forcave tona të Armatosura dhe Aleancës Veriatlantike, në datat 4-5 korrik 2018, zhvilloi një vizitë zyrtare në vendin tonë, Komandanti i Forcës Detare të NATO (Allied Maritime Command, MARCOM), NënAdmiral, {VADM}. Clive CC Johnstone.

Në ditën e parë të vizitës, NënAdmiral Johnstone, u prit nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, Gjeneral Brigade Bardhyl Kollçaku. Mbasi i uroi mirëseardhjen në vendin tonë, Gjeneral  Kollçaku, theksoi se Forca Detare është një nga prioritetet kryesore te FARSH, për modernizimin, trajnimin dhe stërvitjet e përbashkëta. Këto aktivitete kanë synim përmbushjen e standarteve e kërkesave të NATO-s, por edhe detyrave në nivel kombëtar, në mënyrë që të mund të shtojmë kontributin e FARSH në hapësirën tonë Detare. Në vijim gjatë takimit Gjeneralbrigade Kollçaku solli në vëmendje kontributin e Forcave Detare Shqiptare në Detin Egje, në kuadër të misionit “Sea Guardian”, me një Anije Patrulluese si pjesë e Grupit Detar të NATO-s, të caktuar për të patrulluar në dy zona kundër emigracionit të paligjshëm, si dhe pjesëmarrjen e tyre në stërvitjet vjetore të marinës, kryesisht me vendet e NATO, si Greqia, Italia, Sllovenia dhe Mali i Zi. Nga ana e tij NënAdmirali Johnstone, vlerësoi maksimalisht shërbimin e Forcës Detare Shqiptare në operacionin “Sea Guardian”, në Detin Egje, duke e siguruar Gjenera Kollçakun  dhe FA shqiptare për vijimësinë  e bashkëpunimit edhe në të ardhmen, si dhe mbështetjen e Forcës Detare Shqiptare në operacionet e NATO-s. Gjatë takimit, të dy bashkëbiseduesit diskutuan edhe për perspektivat dhe mjedisin e sigurisë si dhe sfidat në kuadër të këtij bashkëpunimi me strukturat e NATO-s. Në ditën e dytë të vizitës, NënAdmiral Johnstone vizitoi Komandën e Forcës Detare, ku u prit nga Komandanti i kësaj Force, Gjeneralmajor Ylber Dogjani dhe kuadro të shtabit. Gjatë takimit Gjeneral Dogjani falenderoi VADM. Johnstone për mbështetjen që komanda Detare e NATO-s ka dhënë për Forcën tonë Detare, veçanërisht gjatë qëndrimit në mision në detin Egje. Ai e njohu VADM Johnstone me gjendjen aktuale të Forcës, arritjet dhe sfidat me të cilat përballet FD shqiptare.

Zoti Dogjani theksoi se, po synohet realizimi i objektivave që ka Forca Detare, për sa i përket situatës detare, shkëmbimit të informacionit dhe rritjes së ndërveprueshmërisë me aleatët, gjithashtu vlerësoi operacionin në detin Egje, si një nga eksperiencat më të vyera për efektivat tanë. Nga ana e tij VADM Johnstone, shprehu interes veçanërisht mbi sfidat dhe vështirësitë me të cilat përballet Forca Detare shqiptare dhe nënvizoi mbështetjen e tij për shtimin e kapaciteteve operacionale të FD shqiptare. Për sa i përket operacionit “Sea Guardian”, në detin Egje, VADM. Johnstone tha se, prania e anijes shqiptare atje ndihmoi të balancohej prania e forcave në det, ndaj shprehu falënderim për këtë. Ajo që dua të theksoj është: “Jam i befasuar nga aftësitë që demonstrojnë efektivat tuaj, janë staf shumë i zoti, keni oficerë shumë cilësorë dhe faleminderit për këtë”. Vice Admirali u njoh gjithashtu me strukturën dhe kapacitet që ka Forca Detare dhe më pas zhvilloi vizitë në një nga anijet e klasit Iliria.  Zoti Johnstone vizitoi anijen “LISSUS”, e cila ishte bregëzuar enkas për këtë vizitë në molin nr.5 të portit të Durrësit. Këtu Komandanti i MARCOM, u prit nga kuadro dhe detarë të Grupit patrullues të Kepit të Palit dhe ekuipazhi i anijes. Gjatë takimit VADM Johnstone falenderoi direkt detarët tanë për aftësitë e tyre profesionale dhe kontributin në kuadër të operacioneve të NATO-s. Gjithashtu zoti Johnstone zhvilloi një bisedë të ngrohtë, të hapur e miqësore si detari me detarët, pamvarësisht gradës e funksionit. Ndërkohë kuadrot e Flotiles sonë detare dhe ekuipazhi i anijes “LISSUS”, falenderuan VADM Johnstone për vizitën dhe i premtuan se, dhe në të ardhmen detarët tanë do jenë të përkushtuar për kryerjen e operacioneve e stërvitjeve të përbashkëta me strukturat e Komandës detare të NATOS. {MARCOM}. Mbasditen e 5 korrikut, VADM Johnstone u largua nga vendi ynë.

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: NATO, NënAdmiral Clive CC Johnstone, Shefqet Kercelli, vizitoi Shqipërinë

Mirupafshim nga Stratosfera!

June 25, 2018 by dgreca

2017-02-14_17-03-34
Nga Skënder Buçpapaj, Elida Buçpapaj/
Një Boeing 747 djeg rreth 10 – 11 ton karburant në orë, afërsisht 4 litra karburant çdo sekondë. Avioni mund të mbajë deri në 238 604 litra karburant. Një avion jumbo (Boeing 747- 400) që fluturon nga Londra në Nju Jork djeg rreth 70 000 litra ose 70 tonë karburant. Imagjinoni sa fluturime ka në ditë në 365 ditë të vitit. Imagjinoni se sa nevojë ka për lëndën djegëse me prejardhje fosilore që ndot ambientin, qiejt, detet, rrugët. Njeriu duhet të kthehet në zog që të jetojë e të ngopet me oksigjen të pastër nëpër pyje!

Por ka edhe një zgjidhje tjetër!

Është energjia e pastër që vjen prej perëndisë së Diellit!

Energjia diellore, e pakushtueshme, e pashterrueshme, eternel.

Zvicra është një nga vendet pioniere në kërkim të zgjidhjeve për zëvendësimin me energji diellore të llojeve dhe të rinovueshme të energjive të ndotura, shpesh shkatare të konflikteve, të padrejtësive apo katastrofave të tmerrshme natyrore dhe njerëzore.

Si pjesë e APES ne kemi patur fatin të takohemi me kokat e këtyre projekteve madhore që kanë tejkaluar edhe fantazinë e Zhyl Vernit. Ndërmjetësues të shkëlqyer kemi Presence Suisse.

Mediokriteti shqiptar krenohet kur takohet me politikanët e korruptuar të shtetin amë e rrethinë, ne krenohemi që jemi takuar me figura të gatshme për sakrificë sublime me qëllim që njerëzimi të hedhë hope gjigande!

Mendoni pak, sikur në një të afërme jo të largët, energjia diellore të përdoret në të gjitha fushat e jetës! Mendoni sa më të kaltër do të jenë qiejtë, sa më i pastër do të jetë ajri nga ndotjet që sot janë shkaktare të sa e sa sëmundjesh!

Destinacioni i grupit tonë të gazetarëve ishte Payerne, një aeroport ushtarak i Zvicrës, ku SolarStratos ka ekipin e vet për të vënë në jetë një ëndërr: Fluturimin me avion diellor në stratosferë në mbi 25 mijë metra lartësi!

Payerne nuk është i panjohur për ne, përkundrazi, kemi qenë këtu edhe disa vjet më parë, pikërisht në shtatorin e vitit 2014 për t’u takuar me ekipin e Bertrand Piccard dhe Andre Borschberg. Në atë reportazh kemi shkruar se të dy ata janë heronjtë e milenarit të tretë. Projekti u tyre njihej me emrin Solar Impluse dhe Solar Impulse 2 e synonte ushtëtimin e parë rreth botës me avion me energji solare, mision që do ta realizonin dy vjet pas takimit tonë, më 26 korrikun e vitit 2016!

Katër vjet më vonë ne u takuam në të njëjtin vend me një hero tjetër të njerëzimit. Ai është Raphael Domjan, zvicerani 46 vjeçar nga Neuchatel. Projekti i tij njihet me emrin SolarStratos dhe synon të fluturojë me avion solar në lartësitë mbi 25 mijë metra!

Kur u takuam bashkë, Domjan posa ishte kthyer nga Rusia, ku kish kontaktuar me një firmë që do të përgatisë kostumin e tij special për lartësi të tilla.

Projekti Solar Stratos ndahet në tri faza. Sivjet Raphael Domjan do të kryejë në shtator një fluturim në lartësitë deri dhjetë mijë m, në vitin 2019 deri më 16 mije m, ndërsa në vitin 2020 mbi 25 mije m.

Është një fluturim i pandodhur kurrë më parë.

Për të krijuar një idé le të sjellim disa të dhëna. Fluturimi me avionë bëhet në zonën e troposferës që shkon deri në 20 mijë metra lartësi. Bertrand Piccard ka fluturuar në vitin 2016 me Solar Impulse deri në 9420 metra lartësi; Avionët e linjave fluturojnë në troposferë në lartësi që shkon rreth 10 mijë metra, jetët privatë arrijnë të fluturojnë deri 12 mijë m, ndërsa Mig-25 dhe XB-70 Valkyrie janë avionë supersonikë ushtarakë përkatësisht rus dhe amerikanë që fluturojnë në lartësitë mbi 20 km me shpejtësi mbi 3000 km/orë.

Ndërsa Raphael Domjan me avionin e tij SolarStratos me energji të rinovueshme diellore në vitin 2020 do të fluturojë në lartësitë mbi 25 mijë m duke i sfiduar edhe avionët supersonikë ushrarakë!

Energjia diellore është energji e rinovueshme! Energjia e rinovueshme sigurohet nga burime të ripërtëritëshme, të pasosura, sikur energjia diellore është edhe era, shiu, nxehtësia gjeotermike etj

Po kush është Raphaël Domjan!

Raphaël Domjan është një eko-eksplorator, eksplorues ekologjist, ai është pilot avioni dhe helikopteri, zhytës, parashutis, alpinist, ëndërrimtar, aventurier.

Doni më të dini për të?

Në vitin 2001 ai është bashkëthemelues i Société Horus Networks Sàrl, të parit web me energji diellore në botë.

Bertrand Piccard dhe Andre Borschberg bënë një fluturim horizontal, rreth botës qark me avionin diellor, ndërsa Raphaël Domjan do të fluturojë vertikalisht drejt së panjohurës!

A nuk ngjan se ndërmarrja e tij është edhe më guximtare!

Në stratosferë nuk përdoret dot parashuta!

Gjithsesi në bisedimin tonë me të, kur erdhi puna e rrezikut, ne i thamë Raphaël Domjan se jemi shans për të sikur ishim edhe për Bertrand Piccard dhe Andre Borschberg!

Dhe urojmë me gjithë zemër që të jemi!

Më 2005 ai ishte i pari që lancoi projektin e tij me energji solare.

Midis 2010 deri më 2012 ai kreu të parin udhëtim rreth botës në 585 ditë duke përshkuar 60 mijë km me katamaranin PlanetSolar që lëvizte me energji diellore.

Më 2014 ka lançuar projektin e tij SolarStratos për të fluturuar me avion me energji diellore në stratosferë.

Raphael Domjan është një hero i njerëzimit, sepse ai riskon për të arritur dikund ku nuk ka arritur kush deri tani duke eksperimentuar një burim të pastër energjie që, kur të përdoret masivisht, do ta nxjerrë njerëzimin në dritë.

Në majin e vitit 2016, në kaudrin e projektit SolarStratos të Raphaël Domjan u lëshua nga Châtel-Saint-Denis (FR) për në stratosferë në lartësinë 35.5 mijë metra një balonë me panele diellore fotovoltaike me qëllim që të analizohej reagimi i stratosferës ndaj tyre. Balona u nis në orën 9:45 dhe u kthye pak pas orës 12:00 në distancë 23 km nga vendi ku u lançua. Në balonë ndodhej verë e bardhë nga Neuchâtel, disa matës për të kuptuar se në çfarë lartësie do të avullonte dhe një lopë Happy Lilly, simbol i Presénce Suisse.

Për të treguar shkallën e rrezikut po kujtojmë faktin se trupi i njeriut për shkak të presionit të ulët në lartësitë 19 mijë metra lartësi kthehet në lëng fluid, salivë, pa marrë parasysh se temperaturat janë minus 50 gradë Celsius. Në stratosferë temperatura shkon në minus 70 gradë celsius, prania e ozonit është masive, ndërsa radiacioni kozmik etj e shtyjnë avionin dhe pilotin në limite.

Sa për energjinë, energjia sigurohet edhe gjatë fluturimit ne sajë të paneleve te qelizave fotovoltaike, që thithin parreshtur energji diellore dhe shërbejnë si rezervuare për avionin SolarStratos.
Raphael Domjan në lartësitë stratosferike do të ndeshet me shumë të panjohura dhe vështirësi. Veshja e tij do të jetë e përshtatëshme për fluturime ndërhapsinore por nuk dihet ende se si do të reagojnë panelet diellore në lartësi të tilla me një ekpozim ndaj radiacionit kozmik!

Në majin e 2017 për herë të parë SolarStratos u ngrit nga toka në një lartësi 300 metra dhe çdo gjë shkoi për bukuri! Tani i mbetet të provojë lartësitë e vërteta në tri etapa, 10 mijë, 16 mijë dhe në vitin 2020 mbi 25 mijë metra!

Ngjitja vertikale në stratosferë dhe kthimi në tokë i SolarStratos drejtuar nga Raphaël Domjan nuk do të zgjasë gjatë, veç disa orë!

Nuk na mbetet vetëm që t’i urojmë sukses dhe ta takojmë në vitin 2020 për të na treguar projetet e tij të reja!

Në fund të fundit ai është një aventurier nga ata që hyjnë me emër të madh në historinë dhe zemrën e njerëzimit !

Photos: © Peter Kenny

Lopa me emrin Happy Lilly simbol i Zvicrës që u hodh me balonë në stratosferë dhe u rikthye.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Elida Buçpapaj, Mirupafshim nga Stratosfera!, Skender Bucpapaj

MAGJIA SI FLOÇKA E UJËRAVE KA ZBRITUR NË VOLOREK (DRILON)

June 25, 2018 by dgreca

1 Lasgushi & Pellumbi.JPG1 Volorek.jpg1 Pellumb

NGA PËLLUMB GORICA/*

Unë e di se kush vjen në Pogradec nuk mund të mos largohet edhe pa shijuar vizitën  në Volorek (Drilon), se është sikur të mos kesh ardhur fare aty dhe bukuria të është vjedhur prej syve. Kjo sepse është një nga perlat më të bukura turistike të Natyrës shqiptare, që dikur ishte një “mollë e ndaluar” për këdo, veç jo për pushtetarët e sërës së lartë dhe tashmë tërheq çdo ditë me qindra vizitorë, të dashuruar me të.

Panorama tërheqëse dhe piktoreske e Volorekut të krijon një kënaqësi të veçantë. Sigurisht të pushton një ndjenjë ndryshe, me kërshëri tundimi, kur kthehesh këtu pas shumë vitesh. Kemi pasur rast të vizitojmë shumë herë në fillim të Viteve ’90, ndaj edhe shumëllojshmëria e kujtimeve dhe të asaj kohe, kaq natyrshëm, të rrjedh si ujëvarë, por mjediset kanë ndryshuar në përshtatje me ndërtime të reja. Ato, edhe pse me nota optimiste për një turizëm elitar, po shpërfytyrojnë jo bindshëm panoramat e bukura, të cilat humbasin vlerat dhe mund të kthehen në antivlera duke i shkatërruar. Aty vështron një përzierje e vorbullës, të asaj që ne i themi zhvillim në emër të progresit me betonizimin pa kriter të ndërtesave e cila nuk duhet të ketë vend në asnjë mendim tolërant.

Voloreku shtrihet pranë liqenit, me valët i numëron pa u lodhur në breg, si një shushurimë e lehtë dhe ndodhet  pak kilometra nga qyteti i Pogradecit,  aty ku simbolet e reja të zhvillimit modern; pallate shumëkatshe me konstruksione të ndryshme arkitekturore, skulptura, parqet, shatërvanë, rrugë të shtruara me standarte, të rrethuara nga të dy anët me blirë e drurë decorative që ndërthuren me ndërtime të vjetra. Pogradeci njihet për shpirtin e veçantë poetik dhe liqenin, i cili jo vetëm për forcë të zakonit, që nuk shprehet me fjalë, është një lloj pasqyre për bukurinë e tij. Duke shkuar përtej pikëpamjeve gjuhësore, banorëve u pëlqen ta emërtojnë “gjoli“, duke ruajtur autoktoninë e vjetër shqipe të kësaj fjale. Por, më shumë njerëzit e këtij qyteti gjuhën e kanë të ëmbël dhe mburren me këtë pasuri shpirtërore e poetin Lasgush Poradeci, që derdhte në vargje emrin “liqeri”, të cilët identifikojnë njëri-tjetrin, si një binom i trupëzuar. Duke kundruar liqenin që llokoçit lehtë në breg valët, që aq bukur i këndoi Lasgushi dhe të përkëdhelur nga flladi i Malit të Thatë fytyrat emocionohen e të kumbojnë vargjet e tij, ku ai ka derdhur dhimbjen për plagët e nositit:

“Un’ ik liqerit zemërak
Fatlum dh’ i pastër si zëmbak,
Po zemra ime kullon gjak:

Se vijnë-urtuar zogjtë-e mi,
Dh’ u jap ushqim me dashuri-
Një dashuri për llaftari.

Liqeri i shkretë e rrit tallazin porsi det
E shpirtin duke më përcjellë më thotë se:
Ah! Shih sa është i thellë
Ky gjiri em që të patë pjellë”
Voloreku, që ekspozon një panoramë magjepse, si një poezi a telajo e pikturuar me ngjyra drite, si një kartolinë shumëngjyrëshe, të jep një ndjesi mjaft pozitive, me privilegje të së bukurës. Të shprehesh me shumë fjalë e gjithë ndjenja, gati i dalldisur, të rrëmbejnë fluturimthi e befasishëm dhe të pushtojnë aq shumë panoramat qetësuese, të parkut të vogël, i mbushur me drurë të lartë dekorative dhe me shtrirje përgjatë ujërave të qeta e të kristalta, si loti i syrit zbritur nga burimet e malit të Thatë. Kundërmimi erëmirë i luleve, romantika mahnitëse, sa reale, aq edhe e ëndërrt, mërmërima e lehtë e flladit dhe varkat e vogla, si mbi një shilarë natyror, në sipërfaqen e kthjellët, (shto këtu spektaklin e pllaquritjes së mjellmave me përplasjen e krahëve të gjatë mbi ujë, ku valët e lehta që linin pas, përplaseshin në brigjet, por edhe të peshqve, aq sa marrin shikimin e vizitorëve të shumtë) me simfoninë e cicërimave të zogjve nëpër pentagramet e pemëve, të bëjnë të ndjehesh i dehur nga kënaqësia.
E shijon më bukur prarimin e magjishëm të kësaj Natyre, kur edhe
Dielli i Verës, me ndriçimin vezullues, derdh rreze, të cilat, teksa përthyhen në ujrat e reflektojnë mahnitjen e dashuruar të kësaj bukurie të papërshkruar. Ndaj, me syrin e memories së aparatit fotografik, e përjeton këtë Natyrë dhe shushurimën e patrajtshme të gjallesave natyrore, së bashku me freskipuhizën që rrudhos ujërat.

Si një perlë, Voloreku në çdo stinë pret e përcjell pushues të shumtë, të cilëve u pëlqen të kalojnë çaste në qetësinë e tij, jo vetëm në pranverë, ku trëndafilat e parfumosin, apo në Verën e praruar nga rrezet e diellit; Vjeshtën me larminë e ngjyrave dhe freskinë, që të ledhaton butësisht; por edhe në Dimrin me bukurinë e veçantë të bardhësisë verbuese të borës, si një këmishë dhëndri e vello nuse. E zbukurojnë këndshëm edhe bar- kafetë, restorantet e hotelet, që i japin atij një pamje të gjallë e gazmore dhe të afrojnë meny tradicionale (dhe atë që është me rëndësi), përkujdesjen e veçantë. Dhe gumëzhin nga lëvizjet e vizitorëve, të apasionuarve të përhershëm të tij, që i bëjnë miqësi, të shijojmë me ecjaket pastërtinë, ngjyrat, qetësinë, flladin e përkëdheljen e pllaquritjen e e ujërat të kristalta. Qëndrojmë ca çaste aty e nuk ja shkulim sytë pamjes së tij tërheqës e mbi të gjitha ulur diku në bar- kafetë duke ‘’kuvenduar” me gota vere për të shijuar peshkun e famshëm Koran.
Voloreku është pra, një poezi që meriton të interpretohet. Dhe s’ka si të ndodh ndryshe në këtë perlë magjepse të natyrës shqiptare që gjithkush e viziton, gjen dhe Parajsën e shpirtit të munguar!…

*Per me shume foto shih ne fb(dielli vatra)

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: Bukurite e Drilonit, Pellumb Gorica, Pogradec

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 105
  • 106
  • 107
  • 108
  • 109
  • …
  • 179
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ÚJ IFJÚSÁG (1968) / “PËR TË ARDHMEN DËSHIROJ VETËM NJË GJË : PAQE DHE QETËSI.” — INTERVISTA ME MBRETËRESHËN GERALDINË NË MADRID
  • Sot, 35 vjet nga rivendosja e marrëdhënieve me SHBA
  • Kujtojmë në ditën e lindjes Faik Konicën, një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare
  • Lamtumirë Jürgen Habermas, një prej ndërgjegjeve më të mëdha të Evropës moderne
  • Hormuzi dhe Kharg: beteja për arterien e naftës botërore
  • PRANVERA E DINJITETIT – KUJTESË E SAKRIFICËS DHE GUXIMIT PËR LIRI
  • ANGELA KOSTA DHE CHANEL BASHHYSA FITUESE TË ÇIMIMIT NDËRKOMBËTAR TË EKSELENCËS “DIVINAMENTE DONNA” NË SENATIN E REPUBLIKËS ITALIANE
  • “TASHMЁ JEMI TЁ VJETЁR PЁR T’U KTHYER NЁ SHTЁPI” – POEZI NGA ORIADA DAJKO
  • IRONIA DHE HIPOKRIZIA RRETH PRONËSIMIT TË KATEDRALËS NË SHKODËR
  • Dita e Verës – Festa e lashtë e ripërtëritjes shqiptare
  • Luan Rama sjell në Tiranë tablotë ikonike të piktorëve francezë për Shqipërinë dhe shqiptarët
  • Në Tiranë u zhvillua koncerti “Me Zanin e Bjeshkëve” i këngëtarit Gëzim Nika “Mjeshtër i Madh”
  • Shqipëria ka nevojë për Xhorxh Uashingtonët e saj
  • Kriza globale, nga Ukraina në Lindjen e Mesme
  • IRONIA DHE STILI NË DEBATET MES NOLIT DHE KONICËS 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT