• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Seminari Mbarëkombëtar me Mësuesit e Gjuhës dhe Kulturës Shqiptare në Diasporë

August 10, 2025 by s p

Merita Isufi/

Vlerësim mbi Seminarin e XVIII në Shkodër – Përshtypje të përgjithshme

Seminari i XVIII në Shkodër, një traditë tashmë e konsoliduar prej 18 vitesh (një vit në Kosovë, një vit në Shqipëri), u zhvillua me një program të pasur dhe me pjesëmarrje të gjerë të mësuesve nga trevat dhe diaspora shqiptare. Ngjarja shërbeu si një hapësirë e vlefshme për shkëmbimin e ideve, prezantimin e punimeve dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet profesionistëve të fushës së gjuhës, kulturës dhe arsimit. Atmosfera bashkëpunuese dhe diversiteti i temave të trajtuara ishin ndër pikat më të forta të këtij edicioni.

Vlerat dhe rëndësia

Vlerat e seminarit qëndrojnë në rolin e tij si platformë për ruajtjen dhe promovimin e gjuhës shqipe, trashëgimisë kulturore dhe identitetit kombëtar. Seminari krijon mundësi për rrjetëzim dhe nxit frymën e bashkëpunimit mes pjesëmarrësve, duke e forcuar lidhjen mes brezave dhe komuniteteve shqiptare brenda dhe jashtë vendit. Pjesëmarrja e përfaqësuesve të ministrive, sidomos atyre të arsimit, kulturës apo diasporës, i jep seminarit një peshë zyrtare dhe e bën atë të perceptohet si një aktivitet me rëndësi kombëtare.

Qëllimi dhe përdorimi

Seminari shërbeu për prezantimin e punimeve shkencore, projekteve kulturore dhe përvojave që kontribuojnë në zhvillimin e arsimit dhe kulturës shqiptare. Diskutimet dhe rekomandimet që dalin nga seminari mund të ndikojnë drejtpërdrejt në hartimin ose përmirësimin e politikave arsimore dhe kulturore, kur ministritë janë të pranishme dhe të angazhuara. Për pjesëmarrësit, sidomos mësuesit e diasporës dhe studiuesit, prania e përfaqësuesve zyrtarë është një shenjë se puna e tyre vlerësohet dhe ka ndikim real. Temat dhe studimet e bera kanë për qellim që të kuptohen më konkretisht dinamikat e organizimit të mësimimdhënies në diasporë. Megjithëse, prindërit ishin një pjesë e studimeve, u vu re mungesa e një puntorie të dedikuar për prindërimin, një temë e domosdoshme për shkak të rolit kyç që prindërit kanë në edukimin e fëmijëve, në ruajtjen e gjuhës amtare dhe në përballjen me sfidat e teknologjisë. Përfshirja e kësaj fushe në të ardhmen do ta pasuronte më tej përmbajtjen e seminarit.

Arritja e qëllimit

Në përgjithësi, seminari e arriti qëllimin e tij, duke bashkuar studiues dhe kontribues të fushave të ndryshme dhe duke nxitur debatin konstruktiv. U fol për intelegjencen Artiviciale dhe perdorimi i sajë në edukimin e identitetit përmes gjuhës dhe udhëtimit mes traditës dhe teknologjisë. U diskutua se si të rritim nderveprimin e pergjegjshëm me mjetet digjitale për të ndihmuar dhe argëtuar fëmijët. U theksua mbi shpejtësinë e bartjes dhe te perhapjes së informacionit, praninë e zhvillimit gjithnjë e më të pasur të rrjeteve sociale, si dhe rreth struktures së një ore mësimore. Këto elemente kontribuojnë drejtpërdrejt në ndërgjegjësimin mbi përdorimin e teknologjisë për krijime konkrete dhe të dobishme me fëmijët. Sidoqoftë, disa aspekte organizative kërkojnë përmirësim. Nisja e punimeve ditën e parë u vonua mbi një orë, dhe ditët në vazhdim nga 20 min me vonesë, ndërsa mungesa e kohës së mjaftueshme për diskutime pas çdo prezantimi kufizoi shkëmbimin e ideve.

Edhe pse nuk iu dha hapësira e merituar, dua të theksoj një gjest thellësisht human e të çmuar: botimin e një libri me poezi të një autori dhe aktivisti që ka kontribuar për vite me radhë në mësimin e gjuhës shqipe në mërgatë. Ky veprim fisnik u realizua nga një grup mësuesish të Greqisë, në shenjë nderimi për kolegun e tyre të respektuar, duke përdorur pagesën e parë që ato morën nga Ministria e Arsimit.

Gjithnjë duhet të krijojmë hapësirë për mirënjohje të tilla, sepse këto janë shembuj të gjallë të humanizmit dhe solidaritetit. Vlera që, për fat të keq, po bëhen gjithnjë e më të rralla. Përmes librave për fëmijë, qoftë me tregime apo poezi, krijohen materiale shtesë që pasurojnë procesin mësimor me didaktika edukative e nxisin krijimtarinë e të nxënit. Prandaj, një nga aktivitetet e seminarit katërditor do të ishte e vlefshme të përfshinte edhe një përurim libri nga mërgata, si një urë mes mirësisë njerëzore dhe misionit tonë edukativ.

Sugjerime për përmirësim

• Respektimi strikt i orarit, me tolerancë maksimale prej 3-5 minutash.

• Përcaktimi i një personi – kontakti me emër, email dhe numër telefoni për komunikim paraprak.

• Çdo vit të këtë kohë të dedikuar dhe hapsirë për një përurim libri edukativ të autorëve shqiptarë nga mërgata.

• Pas çdo prezantimi të parashikohet kohë e dedikuar për pyetje dhe diskutime.

• Përfshirja e një puntorie të posaçme mbi prindërimin dhe rolin e prindërve në edukimin e fëmijëve ku përfaqësues të jenë edhe prindërit.

Vlerësimi i kumtuesve

Kumtuesit u dalluan për përgatitjen e tyre profesionale dhe temat me përmbajtje të pasur. Prezantimet sollën qasje të ndryshme dhe përvoja të vyera, duke kontribuar ndjeshëm në nivelin e seminarit. Dygjuhësia, ndërkulturalizmi dhe rolet e mësuesit në ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit gjuhësor ndërmjet teknologjisë ishin pothuajse të perfshira në secilen puntori të paraqitur. Megjithëse kufizimi i kohës për diskutime nuk lejoi gjithmonë shfrytëzimin maksimal të potencialit të kumtuesve, përpjekjet tona të përbashkëta janë një vlerë dhe frymëzim që i shtohet kombit dhe i dhurohet brezave të ardhshëm në mërgatë.

Akomodimi dhe shërbimi

Një element shumë pozitiv i këtij edicioni ishte akomodimi dhe shërbimi. Hoteli ku qëndruan pjesëmarrësit ofroi kushte të mira, ndërsa ushqimi ishte i shijshëm dhe i organizuar në mënyrë korrekte, duke krijuar një atmosferë të këndshme edhe jashtë sesioneve të punës. Pasditeve të seminarit, pjesëmarrësit përjetuan eksperienca kulturore përmes vizitave në Kalanë e Shkodrës, Muzeun e Marubit, si dhe koncerte duke e përmbyllur ditën me emocione të bukura në shoqërinë dhe miqësinë tashme shmëvjeçare të krijuar me njëri/a – tjetrin/en.

Përfundime

Seminari i XVIII në Shkodër mbetet një pikë referimi e rëndësishme në kalendarin kulturor dhe akademik shqiptar. Me disa përmirësime organizative dhe zgjerimin e tematikave, seminari ka potencialin të shndërrohet në një model edhe më të suksesshëm në vitet që vijnë. “Mirënjohje të thellë për të gjithë kontribuesit dhe organizatorët që bashkuan zërat më të përkushtuar të shqiptarisë në mërgatë. Ata që gjithmonë udhëhiqen nga një mision i përbashkët: të mbajnë të gjallë gjuhën, kulturën dhe identitetin tonë në çdo cep të botës.”

Filed Under: Reportazh

Plotësimi i një amaneti…

August 9, 2025 by s p

Nga Mimoza Dajçi/

Më fund të muajit të kaluar udhëtova nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për në Kosovë. Presidentja e Republikës së Kosovës Sh. S. Znj. Vjosa Osmani – Sadriu, më ftoi për një pritje që kishte organizuar me përfaqësues të suksesshëm të diasporës shqiptare nëpër botë.

Ishte kënaqësi për mua, u ndjeva vërtetë e vlerësuar nga Ftesa Zyrtare e Presidentes së Republikës së Kosovës Znj. Vjosa Osmani Sadriu. Sigurisht nē atë event të rëndësishëm tē pranishëm ishin edhe Ambasadorët e vendeve përkatëse, mes tyre edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës pranë Misionit të Kombeve të Bashkuara në New Jork, Shkëlqesia e Tij Z. Blerim Reka.

Gjithashtu me ftesë të Presidentes Osmani – Sadriu të pranishëm ishin, e mbijetuara e dhunës e përdhunimit seksual në Kosovë nga forcat militare serbe Znj. Vasfije Krasniqi Goodman, sëbashku me familjarët e saj, vëllain Naim Krasniqin me bashkëshorten e tij Elvirën, pedagoge e matematikës në Tiranë. Gjithashtu të ftuar ishin aktivistët e pa lodhur të çështjes kombëtare Belul Gashi etj.

Fjalën e hapjes e mbajti Presidentja e Republikës së Kosovës Sh. S. Znj. Vjosa Osmani Sadriu, e cila shoqërohej nga bashkëshorti i saj, Prindon Sadriu. Në Ceremoninë Përshëndetëse, Presidentja Osmani – Sadriu, i uroi mirëseardhjen bashkatdhetarëve në Kosovë. I përgëzoi për arritjet e sukseset e tyre, duke vlerësuar lart përkrahjen dhe mbështetjen që i kanë dhënë Kosovës në kohë lufte dhe në kohë paqe, si dhe i ftoi për bashkëpunime të mëtejshme. “Pasi edhe pa kontributin e sakrificat tuaja të çmuara – tha ajo – nuk do të fitohej lehtë paqa dhe Pavarësia e Kosovës.

I pranishëm ishte edhe Ansambli artistik “Vatra” nga Zvicra, që udhëhiqet nga artisti dhe aktivisti Lulzim Krasniqi. Ishin veprimtarë të tjerë nga Shqipëria, bota dhe trevat shqiptare. Ky evenimet special mbajtur për bashkatdhetarët në Rezidencën Presidenciale në Prishtinë u mbyll me një koncert të pasur artistik. Për të pranishmit u shtrua një koktej me ushqime tradicionale shqiptare, pije dhe fruta të stinës.

Si amanet nga im atë, dhe si mbesë e familjes Boletini, nuk mund të lija pa vizituar edhe “Kullën e Boletinëve” varrin e Heroit tonë kombëtar Isa Boletini dhe varrin e djemve, nipave dhe luftëtarëve të Isa Boletinit. Mes emocionesh të forta, këtë rrugëtim nga Prishtina, e mora sëbashku me Heroinën Shqiptare – Vasfije Krasniqi Goodman, vëllain e saj Naim Krasniqin, bashkëshorten e tij, Elvirën e vajzën Alsean. Udhëtuam njëherësh me dy makina, njëra pas tjetrës. 

Me mua ishin edhe disa nga kushërinjtë e mi që jetojnë në Kosovë, të cilëve gjatë kohës së luftës serbët i kishin djegur e shkatërruar Shkollën e Anglishtes në Mitrovicë, ku mësimin e gjuhës angleze e jepnin të gjithë si familje. Me fitoren e Pavarësisë së Kosovës e ringritën përsëri Shkollën, tashmë më të mirë dhe më funksionale përsa i përket mësimdhënies, pasi tani nxënësit, studentët aty praktikojnë e mësojnë jo vetëm anglishten, sigurisht shqipen, por edhe disa gjuhë të tjera të huaja.

Mbrritja në “Kullë” më shtoi më shumë emocionet, pasi në atë tokë që akoma dukeshin gjurmët e gjyleve, preheshin eshtrat e të parëve të mi. Në atë Kullë gjithashtu kishte lindur, rritur e kishte luftuar qysh fëmijë me pushkët e gjata nëpër frëngji edhe gjyshja ime Hajrie Boletini.

Megjithëse u preka, përsëri i mbajta lotët. Më duhej të qëndroja e fortë sikurse gjyshja ime Hajrie Boletini, stërgjyshja ime Ajshe Boletini, teze Ajete Boletini, teze Shehide Boletini etj, të cilat qysh në moshë fare të re jeta i përballi me luftra, vrasje, bombardime, halle e derte e kurrë nuk i ishin përkulur armikut apo të përloteshin. 

Një jetë e tërë me mbresa, kujtime, histori, ëndrra të vrara, luftra e jetë të humbura vetëm e vetëm që populli të jetonte në liri e në paqe. Pas vendosjes së buqetave me lule, në mënyrë solemne hymë një nga një në “Kullë”. Pamë odën e grave, odën e burrave, djepin ku u lindën e rriteshin fëmija, odën ku kuvendonte Isa me luftëtarët e patriotët e kombit shqiptar në Kosovë. Si një amanet i nënës së tij, Shehides, vajzës së Isës, eshtrat e Isa Boletinit, djemve, nipave dhe luftëtarëve të tij mes shumë rreziqeve e kontrolleve të shumta në Mirovicë i solli nipi i Isës, Remzi Murati. 

A person holding a bag of blankets

AI-generated content may be incorrect.

Pas vrasjes së Heroit Isa Boletini, djemve, nipave dhe luftëtarëve të tij në Podgoricë më 23 Janar 1916, eshtrat e tyre qëndruan më tepër se 80 vite në varrezat e Malit të Zi.

Që nga viti 1978 autoritet Kosovare filluan përpjekjet e para për tërheqjen eshtrave të Isa Boletinit dhe luftëtarëve të tjerë në Podgoricë e për t’i rivarrosur ato në vendin e lindjes në Kosovë, ku një nga këmbëngulësit e mëdhenj që eshtrat e Isa Boletinit të mbërrinin nga Mali i Zi në Kosovë ka qenë vetë Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova.

Mos kthimin e eshtrave të Isa Boletinit dhe luftëtarëve të tjerë në Kosovë e kundërshtoi edhe kryetari komunal i Mitrovicës, boshnjaku Osmanagic i cili shkroi: “Mos na i bini eshtrat e këtyre tradhëtarëve”. Nje meritë e veçantë i takon në këtë rast edhe përfaqësuesit të Bashkësisë Islame Idris Demiraj, për interesimin e pakufishëm që tregoi duke njoftuar hoxhën ne Mitrovicë, Prof. Asllan Muratin, Remzi Muratin dhe Muhamet Shukriun, për tërheqjen e eshtrave të Isa Boletinit dhe luftëtarëve të tjerë nga varrezat islame në Podgoricë.

Remzi Murati i biri i Shehide Boletinit mori parasysh çdo gjë, edhe vdekjen që si e si të realizonte amanetin e nënës së tij. Për të përfunduar këtë mision, u nis drejt Podgoricës nga Prishtina me autobus. Remzi Murati u nis në atë udhëtim final duke mbajtur në zemër edhe në shpirt amanetin e nanës së tij të dashur Shehides, që eshtrat e të atit të saj Isa Boletinit të ktheheshin patjetër në Kosovë.

Sipas kontakteve me Armend Muratin, djalin e Remzi Muratit edhe ky veprimtar i njohur i çështjes kombëtare shqiptare, që prej vitesh jeton e punon si inxhinier elektronik në Norvegji, më ka treguar se: “Ditën e kthimit me çantat e eshtrave për në Kosovë, Remzi Murati nuk lejoj që askush tjetër të jetë pranë tij, në rast se policia malazeze serbe do zbulonte se ç’ka ka në çanta. Familja e Remzi Muratit përjetoi disa ditë të vështira pasi që të gjithë e dinin se momenti më i vështirë do ishte transporti për në Mitrovicë nëse gjinden eshtrat, po nuk kishin kontakt me Remziun, dhe ato ditë ishin shumë të rënda për familjen. Remzi Murati sipas ditarit të tij, përshkruan udhëtimin në ndalje të autobusit, ku të gjithë urdhërohen të dalin jashtë dhe të renditen me çantat e veta para këmbëve, dhe në ato momente mendoi se çdo gjë mori fund, me dy çantat para këmbëve të tij, filloi të mendoj se ndoshta policia ka marë informata dhe për atë e ndaluan autobusin. Duke kërkuar nëpër çanta, policia gjeti tek një burrë letërnjoftimin dhe e arrestuan, të tjerëve u thanë të kthehen në vendet e tyre dhe autobusi u nis. Remzi Murati mendoi se do ndalen edhe një herë ose më shumë herë deri në Mitrovicë. Sidoqoftë, arriti në Mitrovicë”.

Ndërsa patriotja dhe mbesa e tij, Ariana Hoxha, punonjëse medicinale në Gjakovë, për median tha:”Daja im, Remzi Murati nuk jetoi që të ishte pjesë e rivarrimit të eshtrave të gjyshit të tij dhe dajëve të tij, dha kontribut deri në ditët e fundit edhe në projektin e renovimit të Kullës si Isa Boletinit. Por vepra e tij mbetet shembëlltyrë për aktin që definon sot ringjallimin e figurës së Isa Boletinit dhe qëndresës së ikonës Shqiptare në veri, si në ditët kur jetoi. Eshtë ky akt, momenti kur thua “o do vdes , o do e bëj” që e definon Remzi Muratin taman si nip i Isa Boletinit. Eshtë shqiptar, është nder, është vendosmëri, është integritet, është heroizëm. Gjaku nuk është ujë”. 

Fotot, shënimet, guri i madh përpara “Kullës” që ishte mburoja e parë e saj nga sulmet e armikut, veshjet e xhamadanët e Isës, të cilat ishin punuar me aq art e dashuri nga duart e nënës së tij Ajshes, me veglën e tezgjahut që ndodhej akoma edhe sot në “Kullë” tërhiqnin vëmendjen e të fusnin thellë në mendime për ngjarjet e së shkuarës…

Në atë “Kulle” ku përveç, luftës dhe vrasjeve, zhvillohej jeta, zihej brumi i bukës, trashëgohej ndër breza artizanati, arti dhe traditat kulturore shqiptare, mësohej gjuha e bukur shqipe. Lindinin e rriteshin fëmijë pa babë, pasi si luftëtarë trima e atdhetarë të flaktë vriteshin nëpër luftra e pusitë e armiqve të cilët e donin Shqipërinë të coptuar. 

Me makinën e vogël të tezgjahut aty u thurrën edhe pëlhurat për plagët e të plagosurve. Pajët e vajzave që nesër do të bëheshin nuse, sa fillonin ndaleshin pasi sulmet e një pasnjëshme tregonin se sa në rrezik ishte jeta e Boletinëve, ku sipas porosisë së Isës në rast sulmi duhej të largoheshin që andej vetëm me rrobat e trupit. Ashtu siç doli nuse edhe gjyshja ime, që kur ishte kthyer Isa dhe vëllezërit e saj nga lufta ishin mërzitur që nuk kishin mundur ta përcillnin nuse. 

Vajtja ime në Mitrovicë, tek “Kulla” në Boletin ishte një amanet i babait tim dhe unë gjithësesi nuk mund të mos e realizoja. Si duket “patëm këmbën e mbarë” pas mbërritjes tonë atje erdhën edhe vizitorë të tjerë, me thënë të drejtën u gëzova. Një ditë më parë “Kullën” e kishte vizituar edhe Ministri në Detyrë i Kulturës në Kosovë Hajrulla Çeku.

Për të lëvizur në Kosovë m’u desh të merja edhe taksi, shoferi i njërës prej tyre më tha: 

– Eh, sikur çfarë ka bërë Isa Boletini. 

– Më falni – i thashë – por më duket, se portreti juaj apo edhe i imi nuk gjendet në flamurin që përshkroi mes përmes stadiumin e Beogradit e valëvitet kudo nëpër botë nga shqiptarët me portretin e Isa Boletinit dhe Ismail Qemalit.

Kaq u desh e taksixhiu nuk foli më, heshti.

U largova nga “Kulla” në Boletin me mbresa e kujtime të jashtëzakonshme që do të mbeten gjatë në memorien time. Falenderoj me këtë rast, që në këtë ditë të shënuar për mua, pata pranë aktivisten e të drejtave të njeriut Heroinën Vasfije Krasniqi Goodman, të cilës i jap respektin maksimal për guximin e kurajon e saj, që ka treguar dhe flet hapur çdo ditë, ndaj malltrajtimit e dhunës seksuale që është ushtruar ndaj saj nga forcat barbare e kriminelët serbë, familjarët e saj si dhe kushërinjtë e mi.

Filed Under: Reportazh

ME PUSHIME NË KORÇËN E BUKUR

August 9, 2025 by s p

Thanas Gjika/

(FSHATARËT JANË BAZAMENTI I KOMBIT)

Sivjet bëra një vizitë të shkurtër në atdhe për të takuar njerëzit e mij në Korçë e për të bërë disa ditë plazh në Durrës, ku duhej të merrja kopjet e librit të ri “Panvera është kthim” të Julias, Botimet Jozef, 98 faqe. Më 17 maj ora 2:00 PM arrita në Rinas. Kësaj here atdheu më priti me shi të rrëmbyer, por taksisti, miku im i vjetër Besim Zorba, ma bëri të lehtë udhëtimin për në Korçë. Së pari pushuam te “Vila Bimbli” në Pogradec. Kjo vilë e bukur anës liqenit ka pronar Ing. Sotir Bimblin, vëllain e kunatit tim, Dr. Piros. Sotirin e takova në hyrje të vilës ku po bisedonte me një ingjinier për riparimin e pjesës para vilës për ta bërë më komode gjatë dimrit dhe kohëve me shi. Do ta mbulonin e rrethonin me xhama e plastmas.

Pasi kaluam të përpjetën e Plloçës shiu pushoi dhe përpara na u shfaq një ylber i madh që shtrihej nga Alarupi deri përtej Çërravës. Besimi ndali makinën dhe unë hapa xhamin e bëra disa foto. Mu duk si shenjë kozmike, që më thoshte se Korça e dashur, po më priste krahëhapur.

U sistemova te “Vila Trebicka”, rruga “Jorgo Plaku”, pronë e kushëririt tim, Arjan Trebicka. Në Korçë kisha jetuar vetëm 18 vjetët e parë të jetës e pasi mbarova shkollën e mesme ika në Tiranë. Këtu jetova 34 vjet, nga gushti i vitit 1962 deri më 4 korrik 1996, kurse nga kjo datë e deri sot, 29 vjet të tjerë, po jetoj në ShBA. Mirëpo kudo e kurdoherë, pavarësisht se ku ndodhem, e kam ndjerë dhe e ndjej veten korçar. Sa herë shkoja me pushime atje nga Tirana dhe sa herë po shkoj nga Amerika, më duket sikur aty kam jetuar pandërprerje. Këtë ndjenjë besoj ma krijojnë pamja e maleve që e rrethojnë, fushat pjellore të sistemuara, e sidomos takimet me njerëzit e fisit, me shokët e shoqet e shkollës e të mëhallës, si dhe pamja e shtëpive të bukura të mirëbajtura, oborret e ballkonet me trëndafila, mëllaga e lule plot ngjyra. Shumica e murreve të avllive dhe të kateve të para të shtëpive janë me gurë të gdhendur nga duart e ustallarëve duarartë.

Vizitën e parë e bëra të nesërmen, ditë e dielë, tek vorrezat e qytetit, sipas porosisë së Julias, bashkëshortes sime, e cila nuk mundi të vinte sepse arthriti e pengon të ecë gjatë në këmbë dhe të ngjitë shkallët.

I kisha njoftuar në fb dy kunatat, Kozetën dhe Vjollcën bashkë me burrat e tyre, Kriço Luarasin dhe Argjir Gjatën, baxhanakët / sivëllezëtit e mij. Vjollca erdhi me makinën e saj të më merrte tek katedralja ku dëgjova meshën e asaj dite. Më bëri përshtypje jo të mirë fakti se prifti gjatë meshës thoshte disa fjali greqisht. Kur pyeta, pse bëhet mesha në Korçën shqiptare e përzierë me gjuhën greke, më thanë se ka banorë që kanë qënë në Greqi e duan të dëgjojnë disa formula greqisht. U thashë, po kur ishin në Greqi këta zotërinj e zonja pse nuk u kërkonin priftërinjve grekë të mbanin meshën pjesërisht dhe në shqip? Po në fshatrat përtej Gramozit dhe në gjithë Çamërinë, ku ka shqiptarë autoktonë pse nuk u është dhënë kurrë e drejta të mbajnë meshën në gjuhën shqipe? Nuk më dhanë asnjë përgjigje e unë vijova: Sipas logjikës së këtyre grekomanëve të sotëm, u dashka që ne korçarët që vijmë nga Amerika e ata që vijnë nga Italia, Gjermania etj duhet të kërkojnë që mesha të mbahet pjesërisht dhe anglisht, italisht, gjermanisht, etj. Kjo që po ndodh në këtë katedrale të Korçës, nuk ndodh në asnjë vend tjetër të Europës, është thjesht shovinizëm grek. Kundër këtij shovinizmi luftuan rilindasit tanë dhe e kthyen gjuhën e kishës në shqip, kurse ju po lejoni të kthehet mbapsht historia. Do t’i ankohem Hirësisë së Tij Imzot Joan Pelushit, Kryepeshkopit të Kishës Shqiptare Ortodokse. Dhe kur të kthehem në Amerikë do ta bëj problem tek Federata Pan Shqiptare Vatra e Fan Nolit tonë të pavdekshëm…

Me Vjollcën shkuam tek varrezat, vendosëm lulet tek varret e prindërve dhe sollëm në mendje kujtimet tona për ta. Shkuam dhe tek varri ku prehej Ladi (Vladimir Naçi) vëllai i dytë i motrave Naçi.

Kozeta kishte përgatitur drekën te shtëpia, në lagjeja e jashtme e Korçës, ish-fshati Barç, ku ajo me të shoqin janë sistemuar pasi u kthyen nga kurbeti nja 15 vjet më parë. Ata blenë një shtëpi të vjetër rrëzë malit, me kopsht e bashtë, të cilën Kiçua me duart e tij e ka kthyer në vilë. Ka mbjellë pemë frutore, kultivon dhe zarzavate të shumta bio. Aty ke qejf të rrish jo disa orë sa për një drekë, por me ditë. Kur fjetëm një natë atje, unë e Julia disa vjet më parë, jemi kënaqur, sikur fjetëm në Voskopojë. Në mëngjez na zgjuan këngët e bilbilave dhe kanarinave. Dallëndyshet vinin e iknin me shpejtësi për të ushqyer të vegjlit që i prisnin gojë hapur. Kurse qeni na përshëndeti disa herë duke u ngritur në dy këmbët e prapme, kurse dy të parat i bashkonte para fytyrës, sikur bënte lutje. Natyra dhe ambjenti i këndshëm, si dhe bujaria e të zotëve të shtëpisë, e kanë kthyer këtë vilë në një teqe, ku vemë të gjithë për vizita herë të shkurta e herë të gjata. Aty shkojnë një herë në vit, ose më shpesh, dy djemtë dhe vajza e tyre me gjithë fëmijët. Olsi me nusen dhe Teon venë nga Greqia e afërt, Adoni nga Gjermania dhe Odeta me vajzën e djalin nga Anglia, si dhe motrat e vëllezërit e Kozetës e të Kiços nga Greqia e Amerika. Kozeta lodhet, por lodhja e saj shpëlahet shpejt nga gëzimet dhe emocionet që krijohen gjatë vizitave të njerëzve të gjakut. Kurse ne këtu në Amerikën e largët ndjejmë boshllëk në shpirt, na merr malli të na vijë njerëzit tanë.

Unë me Julian sa herë kujtojmë shtëpinë e Barçit, e kritikojmë veten që nuk ndoqëm dhe ne rrugën e Kozetës pas daljes në pension, po qëndruam në Worcester MA, ku po na dërrmon lagështia e oqeanit dhe të ftohtit e hidhur gjatë dimrit. Tani është shumë vonë për ta bërë një lëvizje të tillë…

Kozeta kishte pjekur një pulë fshati, kishte bërë dhe një lakror me qepka të njoma të kopshtit. Nga kopshti kishte mbledhur dhe gjethet e marules për sallatën. Verën e kishte blerë Argjiri. Gjatë gostisë ngritëm një dolli, duke thënë: “Të rrojmë e t’i kujtojmë prindërit dhe vëllezërit e motrat që janë larguar nga jeta!”.

Pas disa minutash biseda kaloi, si zakonisht, në politikën e brendshme. Unë vura në dukje ndryshimet e mëdha që bien në sy në ndërtimet cilësore të qyteteve dhe fshatrave, si dhe në rritjen e turizmit. Pastaj urova familjen Gjata për zgjedhjen e vajzës së tyre, Romina, deputete e Korçës.

-“Kjo nuk është gëzim vetëm për ju, shtova unë, por për mbarë familjet tona. I lumtë Rominës që punon me përkushtim dhe i rri larg korrupsionit! Kam parë në TV disa intervista të saj. Flet rrjedhshëm e qartë. Më ka tërhequr kultura e lartë e të folurit. Më është dukur sikur dëgjoj ndonjë pushtetare europiane, ose amerikane.”

Të nesërmen, bashkë me motrën time Margarita, bashkëshortin e saj Dr. Piro Bimbli dhe Z. Arian Trebicka, shkuam në Vithkuq, me makinën e Arianit. Drekuam te restorant-hotel “Grabocka”. Një gosti modeste për të kujtuar motrën e madhe, Pandora, që kishte punuar atje dy vite shkollore (1952-1053; 1953-1954), si mësuese matematike në shkollën 7-vjeçare.

Ushqimet e këndëshme e të shijshme dhe vera e kuqe që kishte nxjerrë Ladi vitin e kaluar, e ndezën muhabetin. Bashkëshortja e pronarit të hotel-restorantit, është një kuzhiniere e talentuar. Ajo gatuan me dashuri e cilësi gjellët, lakrorët, mishrat, ëmbëlsirat, etj. Këto vitet e fundit ka përgatitur djalin si mjeshtër kuzhine. Ndërsa Ladi shkëlqen në ndërtimin e mezeve, turshive, rakisë, verës dhe bulmetrave. Sivjet po e shtojnë sallën e restorantit duke e zgjatur nga ana lindore, sepse kishte pasur raste që i kërkoheshin gosti me më shumë vende sesa merrte salla. Rritja e kërkesave, nxit rritjen e biznesit.

Doktor Pirua, na kënaqi me disa histori gjahu, që i kishin ndodhur gjatë viteve të rinisë së tij, kur marshonte me kilometra nëpër ato male e pyje për të vrarë thëllëza, lepuj, etj. Nja dy prej tyre kam pasur fat t’i shijoj dhe unë të gatuara prej sime motre, gjatë vizitave.

Të gjitha pjatat me mezera e mish keci, ishin të mëdha e të mbushura plot, sa që nuk mundëm t’i mbaronim. Ariani bleu dy kile mjaltë për t’ua servirur pushuesve të hotelit të tij gjatë mëngjezit, që përfshihet në çmimin e fjetjes.

Kësaj radhe nuk pata kohë të flija ndonjë natë tek hotel “Grabocka”. U kthyem mbas dite vonë me stomakun e ngopur dhe mushkëritë plot ozon. Rashë të flija pa ngrënë darkë…

Të nesërmen u takova nga ora 10:00 me dy shokë të gjimnazit, Piro Cepën dhe Pandush Stefanin. Pimë kafen e mëngjezit duke kujtuar ndonjë ngjarje nga vitet e shkollës. Pandushi na mahniti me ngjitjet e tij çdo ditë në majë të Malit të Shën Ilisë mbi Mborje. Na mungoi shoqja jonë Jadi (Jadigjar Merdani Golka), sepse ishte duke lyer shtëpinë e nuk mundi të vinte.

Mbas dy ditësh, kunati i vogël, Argjiri, bashkë me Vjollcën më ftuan të drekonim te “Taverna Agolli” në një nga luginat në të majtë të rrjedhës së Lumit Devoll, 3 km më tej se Maliqi. Më shëtitën me makinën e tyre deri afër Moglicës ku dukej liqeni i krijuar nga diga e re mbi rrjedhën e Devollit. Lugina kishte një gjelbërim të shëndetshëm. Banorët e Lozhanit e të fshatrave të tjerë kishin shtuar shumë rritjen e bletëve dhe tregtonin mjaltë.

Argjiri dhe Vjollca janë amatorë peshkimi. Gjatë muajve të verës dalin për peshkim, herë anës Devollit e herë te rezervuari i madh i Gjançit. Disa herë, kur nuk kapin mjaftueshëm peshq, ndalin për të drekuar në ndonjë nga bujtinat aty pranë. Një nga këto është dhe “Taverna Agolli” ku ndalëm e u kënaqëm me zarzavate të freskëta të kopshtit, me troftë taze të pjekur në zgarë. Zoti Ervin Agolli e kultivon troftën te rezervuari që ka krijuar vetë duke ia prerë rrugën përroit. Vera si zakonisht ishte verë e bërë vetë, pije pa hile.

Uji i ftohtë më bëri ta ndjeja stomakun bosh. Porosita e një pjatë të dytë me mish gici të pjekur në bidon. Mishi ishte si llokume. Mbasi mbaruam së ngrëni na erdhi në tavolinë i zoti i tavernës. Na tregoi historinë si arriti ta krijonte këtë lokal kaq të suksesshëm, ku gjatë muajve maj-shtator, të shtunave e të djelave bujtin rreth 200 persona për dreka. Gjatë dimrit dhe në ditët e javës shkojnë rreth 40-50 bujtës.

“Gjyshi im, filloi të tregonte Ervini, një djalosh 40-vjeçar, kishte ndërtuar një mulli afër grykderdhjes së përroit në Devoll, kurse shtëpitë e vjetra i kishte ngritur ja atje sipër, ku është godina e re dykatshe ku banon familja ime sot. Katin e parë të saj e përdorim si restorant për dasma, si dhe gjatë dimrit, kur e mbyllim tavernën. Gjyshi im, Bektash Agolli, që i ndrittë shpirti, e kishte blerë gjithë këtë luginë të vogëln që shtrihet nga fshati Plovisht e deri te Lumi Devoll. Mirëpo në fillim të viteve 1960-të, ushtria na e shtetëzoi shtëpinë dhe tokat. Krijoi një pikë hapjeje (depo armësh). Gjyshi u detyrua të ngjitej lart në fshat e të hynte në kooperativë. Mbas ndërrimit të regjimit, në vitin 1994, babai im, Ademi, shkoi te zyrat e kadastrës në Korçë dhe u tregoi tapitë e tokës e të shtëpisë. Me gjyq mundi ta rimerrte gjithë tokën e luginës bashkë me godinën e depos ushtarake, të cilën e ktheu në shtëpi banimi e lokal të vogël. Të ardhurat ishin të pakta, popullsia ishte ende e varfër. Ne nuk kishim mundësi të investonim. Unë u detyrova të emigroj në Greqi. Punova për ndërtim pishinash gjatë viteve 2001-2012. U ktheva me mendjen top, që të ndërtoja me kursimet që kisha mbledhur një restorant të vogël, por modern, si ato të Greqisë. Dhe ja, si e shikoni, mund të them se e realizova ëndrrën time: Kam krijuar familje. Me gruan kemi dy djem, dhe të katër punojmë në restorant e tavernë. Kam në plan të blej dhe disa shtëpi druri e t’i vendos në dy anët e përroit, e t’i lidh me një urë në mes. Kështu klientët, vendas e të huaj, mund të vijnë të jetojnë disa ditë, të peshkojnë në Devoll, të shëtisin në luginë, të hanë e të flenë këtu, në këtë pikë pushimi në gji të natyrës, larg zhurmave të qyteteve.

Kurse dy vëllezërit e mij vijojnë të punojnë në mërgim, i madhi në Greqi merret me ndërtime, i mesmi, punon hidraulik në Nju Jork. U janë rritur fëmijët dhe nuk duan të kthehen, por pasi të dalin në pension mund të vijnë të kalojnë disa muaj behari këtu…

U ngritëm dhe e uruam me gjithë zemër: “Të lumtë dhe të vaftë mbarë!”

Unë nxora kuletën të paguaja, por Vjollca kishte mbaruar punë. Gjatë kohës që fliste Ervini, ajo, gjoja se donte të shikonte bidonin ku piqeshin mishrat, kishte takuar kamarjerin dhe kishte paguar.

Gjatë kthimit, kur po i afroheshim Korçës, rreth orës 4:00 PM, Vjollca propozoi të pinim një kafe te resorti i hipizmit “H 3 – House horses & Hilton”, të cilin e ka krijuar miku i tyre, Z. Hilmi Myrtollari. Pastaj ktheu makinën në të djathtë të rrugës. Parkoi makinën dhe na udhëhoqi të hynim tek salla e restorantit, ku takuam të zotin e biznesit dhe zonjën e tij, Daniela.

Mikpritja shqiptare filloi. Daniela la grupin e kamarjereve dhe erdh i hodhi duart në qafë Vjollcës, duke thënë:

– “Nga keni humbur, keni disa javë që nuk na keni dalë.”

Vjollca, si e turpëruar i tha me zë të ulët, se kishin pasur shumë punë këto kohë te zyra e Argjirit, për përkthime dokumentash të disa emigrantëve…

Hilmiu, nga ana e tij na dha dorën përzemërsisht dhe na drejtoi te karriket. U ul bashkë me ne. Argjiri më prezantoi dhe sqaroi se u ndalëm për një kafe. Pastaj shtoi: “Im kunat, Thanasi, ka ardhur nga Amerika për disa ditë. Eshtë vatran dhe ka dëshirë të dëgjojë se si munde të ngresh ti këtë biznes që është pak i përhapur në Shqipëri.

Daniela nuk dërgoi kamarjeren, por erdhi vetë e na pyeti se ç’ dëshironim të pinim. Argjiri e Vjollca kërkuan kafe, unë çaj kamomili. Hilmiu nuk e zgjati. Filloi të tregonte thjesht, shkurt dhe pa emocione:

– “Viti 1992, kur u ndërrua regjimi mua më gjeti djalë të vogël, 10-vjeçar. Jetonim në fshatin Porodinë, babai im ishte kryetar i këshillit. Unë kisha shumë qejf kuajt. Kur u vendos që të ndaheshin pronat e kooperativës, unë iu luta babait: “Mos kërko lopë, e dele, po ki kujdes të marrësh atë kalin dori të kooperativës. Dhe ai ma plotësoi dëshirën, krahas tokave, një lope e dy deleve, mori dhe kalin dori. Babai u tregua largpamës. Vendosi menjëherë të shpërnguleshim në Korçë. Shiti tokat, shtëpinë dhe delet dhe me ato para bleu tek hyrja e Korçës, anës rrugës që vjen nga Voskopoja, një nga stallat e reja të Kooperativës Bujqësore të Korçës, për 1.000.000 (një milion lekë të vjetra). Ishte godinë e re e painaguruar ende. Kështu babai hodhi hapin e duhur në kohën dhe vendin e duhur.

E kthyem stallën në shtëpi, në një anë krijuam një bilardo, shtuam dhe një lopë tjetër. Unë me biçikletë vija tek pallatet pranë u shisja qumshin e 2 lopëve. Pastaj blemë dhe një lopë tjetër. Në vitin 1997 vëllai i madh, Eltoni, 17-vjeçar, shkoi në Greqi ku filloi punën në bujqësi.

Me paratë që mblidhnim nga shitja e qumshtit dhe ato që dërgonte vëllai nga Greqia ndërtuam shtëpinë e re me dy kate dhe një kafene, ku punonte nëna e babai. Në vitin 2000, sa mbusha dhe unë 17 vjetët, u nisa për Selanik të Greqisë. Gjeta punë në një stallë me kuaj garash (hipizëm). Pastroja bajgat, i krehja kuajt, ngrija pengesat kur i rëzonin kuajt gjatë stërvitjeve e garave. Pas një viti sollën dhe disa kuaj të rinj garash. Ishin disi të egër se nuk ishin stërvitur. Asnjë grek, serb, ose çek që punonte atje, nuk guxoi t’i hipte e të kalëronte me ta. Unë, 18-vjeçar guxova. E mora njërin kalë me të mirë, e fërkova dhe e shalova. Ai filloi të përpiqej të më rëzonte, por unë rezistova. Kalërova sa e binda kalin, pastaj e ndala dhe zbrita. Trajneri serb, Zoti Rajko Dokiç erdhi më përgëzoi dhe mori pësipër të më trajnonte. I jam borxhlli se punoi me mua me dashuri e përkushtim. Ai më bëri mësues / trajner të fëmijëve. Kështu punova tre vjet si trajner i fëmijëve për t’i stërvitur në tri stade, secili stad zgjaste një vit. Pastaj më emëruan trajner vetëm për grupin e rritur. Punoja me rrogë të mirë trajneri.

Në vitin 2007 babai filloi ndërtimin e lokalit të ri, restorant, të cilin e mbaroi mbas dy vjetësh, me sallë të madhe dasmash dhe me pishinë. I vumë emrin HILTON duke bashkuar pjesë nga emrat tanë Hilmi dhe Elton. Gjatë vitit 2010 fillova të vija çdo të dielë e të hënë, se i kisha pushim të dy këto ditë të javës. Gjatë këtyre vizitave u njoha me Danielën. U fejuam e u martuam. Dasmën e bëmë në lokalin tonë. Në vitin 2012 erdha për fare në shtëpi dhe fillova punën në restorant. Më 2013 na lindi Dionisi, e më 2019 djali i dytë, Agimi. Në vitin 2018 i blemë këto toka. Shitëm restorantin që kishim dhe krijuam këtë biznes të ri me hotel (12 dhoma gjumi me 30 shtretër), pishinë, restorant me sallë të madhe për dasma, pista për vrapim të kuajve të garve, si dhe stallat përkatëse. Gjashtë kuajt e parë i blemë mëza në Greqi të pastërvitur, se kushtonin lirë. I srërvita unë. Pastaj blemë mëza edhe në Gjermani. Tani kemi gjithsej 30 kuaj. Disa janë pella për mbarështim, disa mëza dhe të tjerët janë kuaj garash, me të cilët marr pjesë në gara kombëtare e ndërkombëtare. Kam fituar shumë medalje, ja ku i kam vendosur mbi banakun e bartenderit. Punojnë dy stallierë, disa kamarjere e një kuzhinier.

Jam i gëzuar se djali ynë i madh, Dionisi, e dashuron hipizmin. Ai, që tani, as 12-vjeç, ka marrë pjesë në 17 gara, ku ka fituar dy vende të dyta e një të tretë me kalin arab Nazirin, 6-vjeçar.

Duke dëgjuar historitë e Ervinit dhe të Hilmiut u mbusha me optimizëm. Edhe dy vjet më parë, kur vizitova gati krejt Shqipërinë, pashë se shumë shqiptarë, bij të lindur e rritur në fshatra, pasi kishin mbledhur në mërgim disa vjet kursimet e tyre ishin kthyer në atdhe dhe kishin investuar. Punonin me këmbëngulje për rritjen e bizneseve të tyre. Me shtëpitë, godinat e bizneseve dhe me hotelet e restorantet e reja që kanë ndërtuar këta ia kanë ndërruar pamjen Shqipërisë.

Fshatari shqiptar ka qenë dhe vijon të jetë bazamenti i kombit shqiptar. Ja konkretisht Ervin Agolli dhe Hilmi Myrtollari, bij fshati, me punët e tyre arritën të ndërtojnë biznese të suksesshme. Të tillë trima meritojnë mirënjohje të mbarë shoqërisë sonë, sepse me vullnetin, zgjuarësinë dhe punën këmbëngulëse nderojnë veten, familjen, fshatin e origjinës, krahinën dhe mbarë kombin shqiptar.

Filed Under: Reportazh

Dinastia Domi e Cerenit të Kalasë së Dodës

August 8, 2025 by s p

Historia e familjes së atdhetarit që solli abetaren e parë nga Bukureshti dhe përhapi dritën e diturisë si mësuesi i parë i shkollave shqipe në krahinën e Lumës.

Halil RAMA – Mjeshtër i Madh

  • Ky trung familjar është i veçantë, pasi në të shohim të pleksen të gjitha gjeneratat, të arsimuar deri në nivelet më të larta. Nga 115 të shkolluar me arsim të lartë të kësaj familje ka një shpërndarje të tillë interesante, që duket se kanë “pushtuar” botën. Konkretisht në Shqipëri 36 persona, në Kosovë 30, në SHBA 17, në Angli 14, në Blegjikë 7, në Spanjë 4, Gjermani 3, Itali 2, Katar 1 dhe Kroaci 1. Midis tyre ka me tituj e grada shkencore, akademike e diplomatike…
  • Mirënjohja për vlerësimin e autorit të kësaj monografie i takon kryebashkiakut të Dibrës Rahim Spahiu, i cili përveçse drejtimit me përkushtim e vizion bashkohor të kësaj bashkie, duke ndikuar dukshëm në përmirësimin e infrastrukturës deri në skajet më të largëta të rrethit, është fokusuar edhe në evidentimin e personalitevete të tilla si Tajar Domi, duke i dhënë atitj titullin “Qytetar Nderi”

Libri “Dinastia Domi e Cerenit të Kalasë së Dodës” që u promovua para disa ditësh në sallën “Balsha” të Tirana Interntional, nga personalitete akademike dhe të letrave u vlerësua si një enciklopedi shumëvlerëshe, që për nga stilistika dhe forma kompozicionale është krejt i veçantë. Sepse autori Tajar Domi ka trashëguar asetin fondamental të familjes së tij në tre breza dhe e ka treguar atë më së miri, gjer në detaje për të 115 personalitetet e kësaj dinastie. 

Në të vërtetë, kur më besoi redaktimin e këtij libri nuk ngurova, si në ndonjë rast tjetër. Kjo për faktin se para dy vitesh, kur Tajari më dha të shkruar historinë e gjyshit të tij, Harunit, ndër të tjera mësova që, i integruar në shoqëritë patriotike të Bukureshtit, kur u kthye para një shekulli në vendlindje, ai nuk solli që andej ndonjë shumë të konsiderueshme parash, por solli abetaret për t’u mësuar fëmijëve të bashkëfsharëve të tij shkrim e këndim shqip.

I frymëzuar nga kjo histori e shkruar nga Tajari, që pas dy vitesh do të ishte lënda e letrarizuar bukur e këndshëm e këtij libri, unë atëherë ndër të tjera, shkrova dhe botova në të përditshmen më të madhe shqiptare “Panorama” se: “Atdhetarë të shquar si Harun Domi, mbetën pishtarë të dritës në altarin e lirisë së kombit. Kjo për faktin se ai solli në një krahinë si Luma emërndritur abetaret eVeqilharxhit, të cilat u përhapën dorë më dorë dhe u bënë pishtarë drite për shqiptarët dhe halë në sy për pushtuesit.” 

Nisur nga përvoja ime gati 50 vjeçare leximore shkrimore dhe readktoriale besoj se ky ka qenë dhe lajtmotivi i Tajarit në këtë sipëmarrje, sa të vështirë aq edhe të domosdoshme për të përçuar ndër breza amanetin e gjysh Harunit, dhe jo vetëm, por edhe të dy djemve të tij, Xhemalit e Shefqetit që shtruan më tej shinat e shkollimit, për të mbrritur sot në kuotën më të lartë të ndonjë familje të deristome shqiptare – në 115 të diplomuar me arësim të lartë, me tituj e grada shkencore e akademike, si diplomatë,  mësues, mjekë, financier, inxhinerë, etj, me kontribute evidente, jo vetëm në institucionet shtetërore e shoqërore të Shqipërisë, por pothuajse kudo në hapësirën mbarëshqiptare në botë.

Tajar Domi, ka meritën që si pasues i denjë i Harun, Shefqet e Xhemal Domit, me këtë libër të shkruar me kompetencë e profesionalizëm të spikaur prej shkrimtari, e ka ngritur në piedestalin që meriton emrin e familjes së tij.

Në portretet letrare të pothuajse 115 personave me arsim të lartë dhe me tituj shkencorë, akademik e dplomatik, në historitë e rrëfyera me një gjuhë të pasur e mjete shprehëse interesante, qoftë të veprimtarisë patiotike të gjysh Harunit…,të hallës Lulije (Alie Harun Domi-Krasniqi), që fati i rezervoi një fëmijëri të lumtur në familjen e hallës Meleqe në Prizren, por që pas mbylljes së kufijve mdidis Shqipërisë dhe Kosovës përjetoi dhimbjen e mallit të pashuar për babain, nënën, vëllezërit, motrat e të afermit tjerë në Ceren.. si edhe në essetë e refleksionet që mbyllin kapitullin e fundit të librit, një lexues i vëmendhëm nuk do ta kishte të vëshirë të dallonte forcën metaforike dhe formimin kulturor të autorit, duke krijuar kështu muzeun e fjalës për këtë familje të madhe, emërndritur në historinë tonë kombëtare.

Nga ky libër që unë pata fatin ta lexoj ndër të parët e të isha redaktor i tij, mësojmë se si proverbi popullor “Bëmë baba, të të ngjaj” jetëzohet më mirë se kudo tjetër në trungun familjar të Harun Jakup Domit. Ndaj nuk është rastësi që nga kjo familje e madhe numërohen sot 115 djem e vajza me arsim të lartë, një armatë e tërë me: arsimtarë e pedagogë, inxhinierë mekanikë, elektrikë kompjuterikë, mjekë, stomatologë, diplomatë, në shkenca politike, juristë, ekonomistë, financier, në fushat biznes menaxhim, me gjuhë të huaja, të diplomuar në psikologji,  arkitekturë etj, të shpërndarë në gjithë vendin dhe në diasporë, të orientuar në atë çfarë i pari i këtij trungu, Harun Jakup Domi bëri kryesisht me gjuhën e shkollën shqipe. Ai ishte themeli nga ku mori rrugë shkollimi i familjes deri në ditët e sotme.

Prandaj unë jam besimplotë dhe shpreh bindjen, se autori Tajar Domi, një emër i njohur jo vetëm në Kala të Dodës, në gjithë Dibrën e në Tiranë ku punoi për disa vite në funksione të rëndësishme, por edhe në diasporën shqiptare të SHBA si kryetar për dy mandate i Shoqatës “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia, me këtë libër ka plotësuar dukshëm njohjen më të mirë për lexuesin, jo vetëm të historisë në përgjithësi, por edhe të figurave e personaliteteve të veçanta, jo vetëm të familjes së tij në tre breza, por edhe të zonës së Kalasë së Dodës, me rolin e luajtur në kohë të ndryshme.

Po ashtu, në tërësinë e librit, në 6 pjesët e tij është evident koncepti kombëtarist i këtij autori, i dëshmuar më si miri ky edhe në veprimtarinë e tij në diasporën shqiptare të SHBA. 

Siç doli edhe në dokumentarin që ndoqëm në fillim të këtij eventi, të përgatitur me nivel të lartë artistik nga ikona e gazetarisë sportive, Mjeshtri i Madh Defrim Methasani, autori i këtij Tajar Domi, edhe me këtë libër, si në gjithë veprimtarinë e tij si kuadër e veprimtar shoqëror shembullor, udhëheq dinjitetshëm brezin e tretë të intelektualëve të këtij trungu. 

Folësit në këtë veprimtari promovuese, si politkkani i njohur Petro Koçi, ish kryebashkiaku i Dibrës dhe ish Ministri i Punës e Çeshtjeve Sociale Kadri Rrapi, akademik Fatos Daci, ish – kryetari i Këshillti të Qarkut Kukës Abdulla Domi, njëherësh nënkryetar i Federatës së Paqes Universale Shqipëri e Dr. Fejzulla Gjabri, drejtuesit e shoqatës “Korabi” të Radomirës, Dr. Hasan Domi e Dr. Petrit Gjorgji, ndërsa e vlerësuan si një prurje të veçantë, shprehën bindjen se ky libër zë vendin e merituar në fondin e artë të letërsisë sonë dokumentare.

KALAJA E DODËS, VEND I BEKUAR NGA ZOTI DHE NJERËZIT E SAJ

Në dokumentarin e përgatitur me mjeshtri të rrallë artistike nga Defrim Methasani shfaqet Kalaja e Dodës, një vend i bekuar nga Zoti dhe njerëzit e saj që kanë gjurmët e tyre përmes historisë, traditave, punës së ndesrhme dhe vlerave njerëzore. Aty nën këmbët e malit më të lartë në vend, Korabit; mes lumit të Veleshicës, bjeshkëve të Gramës dhe Sorokolit, në krah me Kalisin, Vilën dhe Bushtricën por edhe me Kallën e Vleshën e Sllovës, shtrihen fshatrat e Kalsë së Dodës, ku në qendër ndodhet Cereni, fshati i besimit të fesë myslimane, por edhe i njerëzve të punës e dijes. 

Emërtimi i Kalasë së Dodës si qendër krahinarie, na jepet i dokumentuar edhe në vitin 1864 nga konsulli austriak – albanologu J.G. Hahhn, në librin e tij “Udhëtim nëpër viset e Drinit e Vardarit“. Në faqen 221 të këtij libri, shkruhet se: “Patëm rastin të kalojmë vetë pranë vendeve ku gjenden gjurmët e qyteteve të hershme, ku dikur kanë ekzistuar kisha të krishtera dhe banesat pranë të cilave ne patëm rastin të kalojmë, dëshmojnë, pothuajse të gjitha, që banorët e tyre gëzojnë një mirëqënie, e cila e kalonte parashikimin që mund të bëhej, duke pasur parasysh tokat e tyre bujqesore”. (- M. Skeja “Kalaja e Dodës, një zambak i Korabit”, 2022, fq. 165 ). 

Prof. Dr. Hajri Shehu bën këtë cilësim të shkurtër: “Dheu i Kalasë së Dodës ka kufinj natyror e historik Veleshicën e Ujin e Lapave. Është një dhé me kroje e kopështe. Me ara e me livadhe. Me kullota e me bjeshkë. Me ujë e ujëvara. Me nëntokë të pasur. Me shtëpi të pastra e sofra bujare. Me një të folme melodioze e me një folklor magjepsës …”. Ndërsa autori i këtij libri Tajar Domi vlerëson se “Banorët e Kalasë së Dodës, kanë personalitet dhe karakter të fortë, që i vemë re sidomos në rezistencën ndaj trysnive të pushtetit, kur ata bashkohen me fuqinë e këtij karakteri dhe që i nxjerr gjithmonë fitues”. Më tej ai shkruan se “Cereni kishte besë dhe bashkim. Në vitet e diktaturës komuniste, ashpërsia e ligjeve të kohës ndjehej më butësisht në Ceren. Aty, punonjës shteti, anëtar partie e të persekutuar nga ai sistem, i shihje bashkë në biseda, në punë e në konaqe. Asnjë kufizim nuk kishte, bie fjala, për Sabriun e Sheh Mahmutit, djali i të cilit (Xhelali) ishte arratisur nga vendi e për pasojë Sabriu u internua familjarisht dhe iu hoq karta e frontit. Atë e shikoje kudo të shkonte për vizita, për kafe edhe tek një nëpunës apo anëtar partie i Cerenit. Dhe, duke respektuar moshën e zgjuarsinë e tij, shpesh kryesonte vargun e gjatë të njerëzve ku kishte edhe komunistë. Kjo ndodhte veçmas në Ceren, jo në fshatrat e tjerë të zonës…”.

Në zemër të tij familja Domi, shembulli i duhur që vlen, jo vetëm për trevën por edhe për gjithë vendin.

Dokumentari flet për faktin se për më shumë se një shekull, protagonistët e dijes kanë  emrat e burrave e grave, djemve e vajzave ët Familjes së Madhe  Domi.

Ka prindër apo gjyshër që luftojnë në jetë t’ju lënë brezave pasuri, para, shtëpi, toka, dyqane apo objekte tjera. Por libri i Tajar Domit dhe dokumentari televiziv i shfaqur ditën e promovimit të tij evidentojnë faktin që, si pak kush, Familja Domi, pasuri të saj la dijen dhe arsimin. Mjafton të përmendësh një shifër dhe dhe duket se i ke thënë të gjitha. Nga kjo familje janë 115 veta të shkolluar me arsim të lartë (midis tyre dhjetra personalitete shkencore, akademike e diplomatike) dhe ky shembull vlen si një rast për librin gines.

Harun Domi që para një shekulli solli abetaren e parë nga Bukureshti punoi si mësues dhe ndikoi së tepërmi në arsimimin e parë të banorëve të kësaj zone në prehër të maleve. I martuar me Adilen, të bijën e Hasan Dehar Manallarit, një derë e mirë të Radomirë, ai lindi dhe rriti 9 fëmijë, gjashtë djem dhe tre vajza; konkretisht: Halili, Shefqeti, Hidajetja, Musa, Xhemali, Ahmeti, Alija, Besimi dhe Milihatja. Mes tyre spikatën dy, Shefqeti dhe Xhemali, njëri mjek e tjetri drejtori i parë i arsimit në Kala të Dodës..

“Dr. SHEFQET DOMI JETOI NJË JETË SI NJERI 

POR PUNOI DY JETË SI MJEK”

Dr. Shefqeti la shumë gjurmë në spitalin e Peshkopisë dhe në Tiranë, ku do që ai punoi me përkushtim e profesionalizëm si mjek, si një shembull i qartë i betimit të Hipoktarit  në shërbim të njerëzve. Jo rastësisht, laboratori i Spitalit të Dibrës mban emrin e tij, në respekt të punës shkencore, botimeve po të tilla dhe shërbimit profesional e njerëzor në Tropojë, Dibër e Tiranë. 

Në këtë libër evidentoher vlerësimi i njërit prej kolegëve e bashkohësve të tij, Prof. Dr. Nazmi Koçi, sipas të cilit: “Dr. Shefqeti jetoi një jetë si njeri por punoi dy jetë si mjek”. Para largimit nga kjo jetë ai la një arkiv të madh të punimeve të tij shkencore, por edhe dy botime të rëndësishme për vendlindjen, të cilën e dashuronte shumë “Cereni – Histori e Tradita” (2012) dhe “Kalaja e Dodës apo Qafa e Bilbilit” (2024).

HISTORIA E ARSIMIT NË KALANE E DODËS 

MBAN EMRIN E XHEMAL DOMIT

Një tjetër personalitet i kësaj famije është Xhemali, një mësues që arriti të ngjiste majat e tij edhe si drejtues, edhe si botues. Nga libri i Tajarit si dhe nga dokumentari televiziv mësojmë se Historia e arsimit në Kala të Dodës dhe zomat përreth  mban firmën e tij. Kjo falë punës shumëvjeçare si ish mësues por edhe drejtor në shkollën e Radomirës, ndërsa ka privilegjin e hapjes të të parës shkolle të mesme në Ceren të Kalasë së Dodës. Në 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë të Shqipërisë ai botoi në tre vëllime veprën “Dibra në hulli të historisë”, botime këto shkencore dhe profesionale, të arsimit dhe mendimit pedagogjik në trevat e Dibrës, duke shpalosur një punë kolosale profesionale dhe arkivore në vite me radhë.

DY TË BURGOSURIT POLITIK 

NGA FAMILJA E MADHE DOMI

“Në vitin 1967 kur nga shteti i kohës punohej dhe u realizua ngritja e kooperativave bujqësore në të gjithë vendin, një grup shtetëror drejtuesish që ishin ngarkuar për Kalanë e Dodës në “ndërgjegjësimin” e banorëve, një ditë ishin takuar me Musën (djalin e katërt të Harunit) për ta bindur që familja e tij e madhe të futej në kooperativë. Por ata kishin hasur në kundërshtimin e tij, i cili u kishte argumentuar vështirësitë e mëdha që do të kishte familja në zbatim të këtij ligji edhe në Ceren. Pas kësaj kundërshtie, grupi i punës takohet me Harunin, babain e Musës, dhe në bisedë me të i thonë: “Musain e kishe të sertë, jo si djemtë e tjerë”. Ndërsa Haruni u përgjigjet: “Një shtëpie të madhe, i duhet një djalë si Musa”, -shkruan autori i këtij libri. Dhe pikërisht kjo rezistencë për të mos pranuar kolektivizimin do të ishte shkaku i burgosjes së Musës dhe vëllait tjetër Ahmetit, të  cilët u dënuan pas një gjyqi popullor politik. 

“Në vjeshtën e vitit 1968, me datën 3 nëntor, Besimi do të martohej me Zemrite Abedin Litën nga fshati Matranxh i Bushtricës. Megjithëse ngjarjet dhe kushtet në familjen e Harunit atë vit ishin shumë të mbrapshta, pasi dy djemtë e tij (Musa e Ahmeti) ishin dënuar me burgim për kundërshtim të pushtetit popullor, ndërsa Haruni kishte vdekur me 28 shtator të atij viti, vetëm një muaj para dasmës, prapë se prapë “dasma” u bë dhe nusja u muar”. Tajari e rrëfen në librin e tij atë ditë, kur për arësye të burgosjes së Musës e Ahmetit, kjo dasëm nuk pati asgjë të afërt me të tjerat. E megjithatë gjithçka vazhdoi bukur në vitet në vazhdim në këtë familje. “Në vitin 1968, një vit pasi u krijuan kooperativat bujqësore, Ahmeti ishte bashkëvuajtës me Musën për gjashtë muaj në burg, me vendimin e padrejtë të gjyqit shembullor të Sllovës kundër familjes tonë, për të cilin u kërkua falje më vonë!!!”, shkruan autori i këtij libri.

RUAJTJA DHE PROMOVIMI I IDENTITETIT, 

GJUHËS DHE KULTURËS SHQIPE NË DIASPORË

Po kaq emër me vlerë si dy djemtë e rilindasit Harun Domi që solli abetarën e parë nga Bukureshti në këtë zonë, Dr. Shefqeti e mësues Xhemali që i përkasin brezit të dytë, shpalosin edhe brezi tjetër i intelektualëve të kësaj familje të madhe. Njëri prej tyre që kaloi edhe kufijtë e Shqipërisë është Tajari i cili jeton në Filadelfia. Pikërisht në ditën e promovimit të librit të tij “Dinastia Domi e Cerenit të Kalasë së Dodës” ai vlerësohet nga Këshilli Bashkiak me titullin më të lartë “Qytetar Nderi” i Dibrës, me motivacionin: “Për kontributin e tij të çmuar në ruajtjen dhe promovimin e identitetit, gjuhës dhe kulturës shqipe në diasporë. Ai ka përfaqësuar me dinjitet komunitetin dibran në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e Shoqatës ‘Bijtë e Shqipes’në Filadelfia, duke qenë një urë lidhëse mes brezave dhe një model frymëzimi për komunitetin shqiptar”. Titulli ju dorëzua në mënyrë ceremoniale nga nënkryetari i Bashkisë Dibër Lorenc Cibaku, ndërsa ishte i pranishëm edhe ambasaori i Republikës së Kosovë në  vendin tonës Z. Skënder Durmishi. 

Një mirënjohje për autorin e këtij libri vjen edhe nga Akademia Shqiptaro-Amerikane e Shkencave dhe Arteve Nju jork, me president prof.dr. Skënder Kodra. Kjo, “Për kontributin intelektual e atdhetar të tij, gjatë kohës që është bërë pjesë e Diasporës Shqiptare në Amerikë, veçanërisht në Filadelfia. Si pjesëmarrës në veprimtaritë shkencore e historike, në emisonet e ndryshme televizive dhe në shtypin e shkruar, këtu në Amerikë por edhe në vendlindje, z. Tajar Domi ka përcjellë gjithmonë mesazhe mirënjohje, dashurie e bashkimi…”. 

Krahas tij, në librin dhe dokumentarin përkatës evidentohen dhe flitet edhe për profesionistë e personalitete tjera.  E ndër ta Nuri Shefqet Domi – fizikant&diplomat në Katar që mban titullin doktor i shkencave. Ai mbahet mend kur gjatë kohës studentore u përzgjodh që në televizionin publik shqiptar të drejtonte emisionin shkencor për fëmijë “Dritare diturie”, ku pati një audiencë shumë të gjerë. Në harkun kohur të 10 viteve ka botuar artikuj e studime të shumta dhe të vlerësuar edhe në vendet e zhvulluara. Midis tyre, përmendet libri voluminoz enciklopedik “Mendjendriturit e njerëzimit”(2014); “Arti i diplomacisë” (përkthim i vitit 2023) dhe libri “Historia nëpërmjet aktorëve të saj”që pritet të dalë nga botimi së shpejti. Të tjerë emra  personalitetesh të kësaj familje që përmenden në librin “Dinastia Domi e Cerenit të Kalasë së Dodës” janë:  Mimoza Halil Domi – mësuese në Belgjikë; Jakup Halil Domi-ekonomist në Filadelfia; Naim Shefqet Domi – inxhinier topograf me emer në Shqipëri; Përparim Shefqet Domi – ekonomist, biznesmen në Shqipëri; Resul Musa Domi – mjek në Tiranë; Mahmudie Musa Domi – financiere në Filadelfia; Bashkim Xhemal Domi – inxhiner elektrik në Londër; Defrim Xhemal Domi – mësues në Tiranë; Maslime Xhemal Domi – financiere në Shqipëri; Lavdrim Xhemal Domi – Ing. Pyjesh në Shefild Angli; Dina Xhemal Domi – juriste në Tiranë; Lindita Ahmet Domi – mësuese në Tiranë.

Ky trung familjar është i veçantë, pasi në të shohim të pleksen të gjitha gjeneratat, pjestar të arsimuar deri në nivelet më të larta. Nga 115 të shkolluar me arsim të lartë të kësaj familje ka një shpërndarje të tillë interesante, që duket se kanë “pushtuar” botën; konkretisht në Shqipëri 36 persona, në Kosovë 30, në SHBA 17, në Angli14, në Blegjikë 7, në Spanjë 4, Gjermani 3, Itali 2, Katar 1 dhe Kroaci 1. Midis tyre ka me tituj e grada shkencore, akademike e diplomatike.

Në librin e Tajar Domit, si dhe dokumentarin përkatës, mbresëlënës qenë interpretimi mjeshtëror nga diva e skenës dhe ekranit Margarita Xhepa – Nderi i Kombit, i poezisë së shkruar po nga ky autor “Për Cerenin”, nga e cila veçojmë vargjet e strofës së fundit: “Ky është fshati ynë i lindjes/ ku vlla-llëku kurrë s’u prish/ Ku “kulaku”e “Partia”/ Ishin bashkë në çdo mexhlis”. Mbi 200 pjesmarrësit në këtë event duartrokitën ngohtësisht gjithashtu përshëndetjen e ish – ministrit e deputetit Petro Koçi që ka shërbyer disa vite si mësues në Kala të Dodës, fjalën e ish – kryebashkiakut të Peshkopisë dhe ish – Ministër i Punës e Çeshtjeve Sociale Kadri Rrapi, përshëndetjen e ish – kreut të Këshillit të Qarkut Kukës Avdulla Domi; reçensat mjaftë profesionale të akademik Fatos Dacit, Dr. Fejzulla Gjabrit e Dr. Petrit Gjorgjit, si dhe rrëfimet në dokumentar të Ajaz Vishës – bashkohës i atdhetarit Harun Domi dhe djalit të tij Besim Domi.

Emocione të forta ngjalli regjisori, aktori dhe shkrimtari mjaft produktiv e cilësor në hapësirën mbarëshqiptare në botë Xhevat Limani me interpretimin e poezisë “Gjuha jonë”. Po ashtu edhe përshëndetja me skype nga Filadelfia e personalitetit kukësian Enver Parllaku, e gjirokastritit Arqlile Hila – bashkëstudent i të autorit të këtij libri, e  në veçanti përshëndetja e shkrimtarit Hys Hasa në emër të Shoqatës “Bijtë e Shqipes” Filadelfia. Impresionues për pjesëmarrësit në këtë event qe njoftimi i moderatotit Methasani se të ardhurat nga shitja e librit “Dinastia Domi e Cerenit të Kalasë so Dodës” do të shkonin si donacion për shkollën “Ibrahim Gjorgji” të Radomirës.

“Jam me fat që shoku im Tajari, përmbush për mua shprehjen e popullit ‘ zgjidhe shokum më të mirë se vetja”, shprrhet bashkëstudenti gjirokatrit Arliqe Hila, ish-kryetar i komunës së Zagorisë.

Më të larmishëm e bëri këtë event edhe shfaqja e videoklipit të këngës “Abetarja e Harunit”, me interpretimin mjeshtëror nga Liri Rasha – pasaporta artistike e Dibrës. Në‰ vitet, dekadat e shekujt që do të vijnë, Refreni i kësaj kë‰nge: “Abetarja e Naumit/ Fsheh në gjirin e Harunit/ Ndezi dritën e Europës /Deri në Kala të Dodës” do të frymëzojë brezat tjerë të kësaj familjeje. Ashtu si edhe ky libër i Tajar Domit, për të cilin siç u shpreh Kadri Rrapi gjatë promovimit: “…me një pasion të pashoq, përshkruan historinë dhe kulturën e kësaj treve me një qasje të thelluar dhe gjithëpërfshirëse. Duke ndërthurur burime historike, dëshmi të autorëve vendas, udhëtarëve e albanologëve të huaj si dhe rrëfime personale, ai krijon një panoramë të pasur dhe të gjallë. Shkrimi i tij spikat për tonalitetin emocional dhe respektin e thellë ndaj traditave të zonës.  Përshkrimet e tij mbi Cerenin dhe mbarë zonën e Kalasë së Dodës krijojnë një mozaik të pasur historik, kulturor dhe personal. Dhe këtë e bën me një stil tërheqës dhe të detajuar, duke trajtuar me mjeshtëri tema thelbësore”.

Filed Under: Reportazh

RILINDASI KOSTANDIN (KOTO) SOTIRI

August 6, 2025 by s p

Njeriu fisnik, atdhetar i flaktë dhe mësues i shquar.

image.png

Përgatititi: Koço MOSKO 

Boston, MA-SHBA

Rilindasi martir Kostandin (Koto) Sotiri, lindi në vitin 1840 në fshatin Selckë të krahinës së Lunxherisë, ish Vilajeti i Janinës.

Kotua ishte vëllai i madh i një rilindasi tjetër martir, Pandeli Sotirit, “Mësues i Popullit”. Dy vëllezër, dy rilindas martirë të shquar, që gjithë jetën e tyre ja kushtuan shkronjave dhe shkollave shqipe. Kur ishin fëmijë, u vranë babain.  Sipas të dhënave, të dy vëllezrit duhet të kenë mbaruar shkollën plotore në vendlindje. Pastaj i mori për t’u kujdesur, xhaxhai, Thimjo Sotir ii cili banonte në Stamboll. Ai ishte njeri patriot dhe me ndjenja të theksuara humane.

Vëllezrit Sotiri nuk dolën në Stamboll rastësisht në krye të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare e cila shpërtheu gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ata u rritën të brumosur me ndjenja të pastra atdhetare, me përpjekjet dhe sakrificat e mëdha të bashkëfshatarëve të tyre për të mësuar në shkollë edhe gjuhën shqipe, sepse shkollat në atë kohë për ortodoksët shqiptare mbahej në gjuhën greke.

Përpjekje bëheshin edhe për të meshuar shqip në kisha. Për këtë, fshehurazi krahas mësimit të gjuhës shqipe, në shkolla mësohej pëmendësh në shqip edhe pjesë nga Ungjilli, libra të cilat ishin shkruar shqip me shkronja greqisht. Një libër të tillë e kam parë edhe unë në Kishën e Shën Kollit.  Flitet, ose ka të dhëna për një Siko Dhimadhi dhe për Hoxhë Myftar Kallaratin, që sillnin libra shqip fshehurazi nga Stambolli. Hoxha, gjatë rrugës, u sëmur dhe e varrosën me nderime në Selckë. Shkolla e fshatit kishte një bibliotekë, por një zjarr i papritur që ra rreth viteve 1880, e dogji. Fshatarët mërgimtarë të shoqatës “Përparimi” në Stamboll, e rindërtuan shumë shpejt përsëri. 

Vëllezrit Soriri, të brumosur me atdhetarizëm, u shpërngulën në Stamboll, tek xhaxhai  i tyre, së bashku me nënën e tyre, (e cila në disa shkrime del se ishte me origjinë dardane, nga Prizreni). Xhaxhai, Thimjoja, të dy vëllezrit i regjistroi në kolegjin francez të Gallatës.  Më pas i dërgoi për studime në Universitetin e Vienës, Austri. Kotua studjoi për jurist ndërsa Pandeliu për mjekësi. 

Pandeliu, pas përfundimit te studimeve u rreshtua në ushtrinë Austro-Hungareze me gradën “Major” për rreth 10 vjet. Nuk kemi të dhëna të plota për Koton se ku shkoi pas mbarimit të studimeve në Vienë.  Duhet të jetë kthyer në Stamboll dhe të dy vëllezërit u bashkuan në vitet 1870, ku u përfshinë pa rezerva në lëvizjet e mëdha patriotike të inicuara nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Ata ishin anëtarë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ishin ndër të parët që nënshkruan platformën e “Komitetit Qëndror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare” i cili u themelua më 12 tetor 1879. Ky Komitet synonte që shqiptarët të fitonin autonominë brenda Perandorisë Osmane. Më mbrapa ky Komitet mori emërtimin “Shoqëria e të Shtypurit të Shkronjave Shqip”. 

 Kotua në krah te vëllait u përfshi në lëvizjet kulturore e patriotike të atyre viteve në Stamboll. Hapën gazetë shqip me gërma greqisht si “Prometeu” dhe “Drita-Dituria” me gërma shqip, e cila u bë themelusja e mediave shqiptare, sipas historianit Robert Elsie. Në vitin 1885, ata arritën të marrin nga Sulltan Abdul Hamid II dy lejë (fermane) për hapjen e shkollave shqipe. 

 Në “Kronikën Gjirokastrite” thuhet se ata u munduan që shkollat shqipe t’i hapin në qytetin e Gjirokastrës, por nuk morën dot lejë nga autoritetet vendase, kështu ata gjetën mbështetjen e patriotëve e atdhetarëve korçarë.

 Kotua së bashku me Pandelinë, në fund të vitit 1885 udhëtuan nga Stambolli për në Korçë me 150 libra për shkollën shqipe si abetare, shkronjëtore dhe numëratorë. Nëpër dogana i kalonin fshehurazi, sepse në Portën e Lartë kishte faktorë të tjerë politikë që mundoheshin t’i ndalonin shkollat shqipe. Shkollën e hapën në mars të vitit 1886. Në ato vite Ismail Kadareja citon historianin  fracez Serge Metais: “Tabloja e shkollimit është e pabesueshme. Më 1887, në Shqipëri kishte tre mijë shkolla, prej të cilave një mijë e dyqind shkolla publike turke, po aq shkolla private greke, treqind shkolla bullgare, serbe dhe vllahe, shkollë shqipe vetëm një, me drejtor Pandeli Sotirin.”

Kotua vitin e parë shërbeu si mësues, por dhe si bodigard së bashku me Risto Vodicën për t’i krijuar siguri vëllait të vet. Klerikët fetarë ishin betuar që mos të lejonin hapjen e mësonjtores. Ditën e parë të shkollës, mësuesit dhe prindërit që shoqëronin nxënësit, ishin të armatosur. Fatmirësisht nuk ndodhi asgjë.  Sa e vështirë ishte në atë periudhë  të ulej në një bangë një i krishter dhe një musliman, një i varfër e një i pasur, një vajzë dhe një djalë. Pothuajse ishte e pamundur!

Për vëllezërit Sotiri, Faik Konica në gazetën ‘Albania”, vitin 1897, nr. 8 suplimenti në fërngjisht shkruante: “Megjithatë, dy burra guximtarë e të devotshëm, dy shqiptarë të vërtetë, atdhetarë zemërzjarr, dymbëdhjetë vjet më parë, tentuan të çajnë këtë acar e akull dhe ia dolën deri në një farë pike.  Kur dy vëllezër, Pandeli dhe Koço Sotiri, vendas nga Gjinokastra, hapën shkollën e parë shqipe në Korçë, midis paraardhësve ortodoksë u bë një shtangim i indinjuar: Shqipja, ajo gjuhë e ulët dhe sakrilegjike, guxoi të mësohej! Dhe menjëherë filluan intrigat. Patriarkana lëvizi me shpejtësi, bëri hapa urgjent që të urdhërohej mbyllja e shkollës shqipe menjëherë; por Madhëria e Tij, Sulltani, u përgjigj se kleri grek nuk kishte punë të ndërhynte në një çështje që nuk ishte as fetare e as antifetare por kishte të bënte vetëm me Ministrinë dhe Udhëzimet Publike.”

 Kështu, viti i parë i shkollës kaloi mirë. Për vitin e dytë 1887, u regjistruan 200 nxënës. Kotua, mbasi u sigurua se shkolla në Korçë po shkonte mbarë, i hodhi sytë nga Pogradeci. Kotua, një njeri fisnik e shpirtmadh, babaxhan, kishte disa emra. Emri pagëzimit ishte Kostandin, por fshati e “ripagëzoi” Koto, që kur ishte fëmijë, sepse ky emër ishte në modë për ata që kishin emrin Kostandin. Shpesh thirrej edhe Koço. Në Pogradec e “pagëzuan” me emrin “Koço Shqiptari” për dashurinë e përkushtimin e tij ndaj gjuhës shqipe. Patriotët e tij lunxhiotë, gjirokastritët e përmetarë e thërrisnin edhe “Koço Selcka”. Ndërsa armiqtë e shqipes, renegatët e thërisnin “Koço Masoni”, sepse mendonin se kishte braktisur fenë ortodokse, me që Kotua shpërndante Ugjillin e Kristofiridhit në gjuhën shqipe, po kjo nuk është e vërtetë. 

Poeti Lasgush Poradeci e shpjegon kështu: “Veç që shklekëza e masonërisë nuk e kish mburimin drejt-për-drejt prej Ungjijve të Dërgimtarit Elbasanas, po shumë më fellë. Ajo qe ngrehur nga urrejtja armike ndaj zgjimit kombëtar të pogradecarëve, që ishte zgjimi prej zgjimit të gjithë një kombi”. 

Pothuajse një viti pas hapjes së Mësonjëtores së Korçës, më 14 Mars 1887, Kotua, me mbështetjen e atdhetarëve pogradecarë: Ndini e Sotir Gusho, etj., hapi shkollën shqipe në Pogradec. Koçua, ashtu si vëllai tij Pandeli Sotiri, gjatë misionit të tyre u luftuan egër nga renegatët antishqiptarë, por ata, siç thotë poeti Lazgush Poradeci, e përballuan me burrëri këtë rrethim të zjarrtë.

image.png

Me largimin e Kotos nga Mësonjëtoria e Korçës, punët filluan të shkonin keq e më keq. Jo vetëm se tani Pandeliut i mungonte Koçua, krahu i djathtë besnik, por situate në Korçë kishte ndryshuar. 

Siç dihet patriarkut grek Fillothea e renegatë të tjerë antishqiptarë, ishin armiq të betuar të Pandeliut dhe shkollës shqipe. Ata që në fillim të hapjes së shkollës e vazhdimisht, kërcënonin, shpifnin me denigrime shkollën dhe Pandeliun. Në vitin e dytë të shkollës, armiqtë u shtuan dhe u bënë të papërballueshëm e shumë të rrezikshëm. 

Mytesarifi, (guvernatori) i Korçës, Mahmud Pashë Elbasani, që shquhej si përkrahës  i çështjes shqiptare, e hoqën dhe në vend të tij emëruan si guvernator të Korçës, Muhamet Ali Pashë Delvinën, i cili ishte armik i betuar i shqiptarëve dhe i gjuhës shqipe. I kishin vënë dhe nofkën “Ujk i shqipes”

Në fillim guvernatori, “ujku i shqiptarëve”, i largoi nxënësit muslimanë nga shkolla. Merret me mend se çfarë presioni të jashtëzakonshëm i është bërë Pandeliut për ta mbyllur shkollën, sulmohej nga të gjitha drejtimet, tani dhe nga shteti.  Në fund të vitit 1887 forcat antishqiptare organizuan edhe zhdukjen fizike të Pandeliut.

Në këto kushte shumë të rënduara, Pandeliu u detyrua të largohet fshehurazi nga Korça. Thuhet se ka shkuar në fshatin e tij Selckë. Andej i shoqëruar nga dy djem fshati që i dinin mirë shtigjet, me kuaj që u kishin lidhur patkojte me lecka, për të mos u dëgjuar, udhetuan natën  për në Janinë, dhe që andej drejt e në Stamboll.

Lejën e Mësonjëtores ja la Thanas Sinës, njëkohësisht thirri dhe Koton për ta ndihmuar. Kotua në vitin 1888 kthehet përsëri në Korçë. 

Vëllezërit Sotiri, të përkrahur e të mbështetur fort nga rilindasit dhe patriotët e zjarrtë korçarë, sfiduan rrethimin e egër antishqiptar të kohës dhe u bënë promotorë, shëmbull për gjithë atdhetarët me idetë, mendimet dhe veprimet e tyre iluministe. Zjarri që ndezën, fara që mbollën në Korçë, Pogradec, për pak kohë përfshiu gjithë trojet shqiptare.

Në një letër që i dërgon Jovan Kosturi Visar Dodanit, në Kostancë të Rumanisë, ku shtypeshin librat shqip, në vitin 1888 shkruhet: Shkolla të mirfillta shqip dy janë hapur deri tani, Pogradec dhe Korçë, por me librat që janë dërguar, mësohet shqip në shkollat e fshatrave: Treskë, Polenë, Luaras dhe në të hapur e sipër janë shkollat në Ersekë, Kolonjë, Leskovik dhe Elbasan. Më 23 tetor të vitit 1891, në Korçë u çel Shkolla e Vashave dhe në vitin 1889 u hap shkolla shqipe e Prizrenit me mësues Mati Logoreci, etj. Për shkollat në fshatrat rreth Korçës, Ersekës, Kolonjës, Koto Sotiri dhe miku i tij Petro Nini Luarasi,kishin përveshur mëngët. Ata ishin gjithmonë në krye të kësaj nisme.

Që nga viti 1886 e deri në vitin 1896, Koço Sotiri qëndroi pranë Mësonjëtores së Korçës. Në vitin 1890 deri në vitin 1892, me Nikollaq Zografin ishin bashkëpuntorë të Petro Nini Luarasit, kur ai drejtonte Mësonjëtoren. Koto Sotiri duhet ta ketë lënë Mësonjëtoren e Korçës në vitin 1896, ishte mësuesi më jetëgjatë në ato vite të zjarrta. Gjatë kësaj kohe, Kotos, me që puna si mësonjës nuk i sillte të ardhura të mjaftueshme, paralelisht ai ushtroi edhe zanatin e rrobaqepsit. 

Pas vitit 1896 Kotua e la Korçën dhe e vazhdoi punën e tij me intesitet të madh në Pogradec e Maqedoni. Ai shperndante libra shkollore, fetare, etj. ndihmonte dhe për shkollat shqip atje ku mundej, por autoritetet turke e kishin të ndaluar rreptesisht shpërndarjen e librave shqip.  Në vitin 2016, David Hosaflook ka shkruar në  studimin e tij  “Roli i lëvizjes protestante në Rilindjen Kombëtare”, kështu: “Librat shqip pengoheshin me çdo mënyrë të shpërndaheshin , mbaheshin nëpër dogana, mbylleshin botimet, burgoseshin bashkë me shitësit. Librashitësit u janë nënshtruar përndjekjeve nga më të pabesueshmet. Këtë fat pësoi edhe Koto Sotiri”.  

Autoritete turke, për veprimtari të ndaluar, “përhapje të librave shqip”, rreth viteve 1900, Koto Sotirin e dënuan me “101 vjet” duke e izoluar në burgun e Manastirit. Vuajti pesë vjet dhe u lirua, jo vetëm i plakur, por edhe i varfër.  U shoqërua për në Azil të Pleqëve ku i ngrysi ditët e fundit të jetës së tij. Vdiq në vitin 1909 në spitalin e të varfërve në Manastir të Maqedonisë. Edhe sot e gjithë ditën, atje ndodhet varri i tij. 

Shtypi i Rilindjes “Drita” e Sofies dhe “Drita” e Manastirit, sipas studjuesit Musa Kraja, kanë shkruan shumë për mësuesin dhe atdhetarin Koto Sotiri duke e vënë theksin tek sakrificat dhe vuajtjet e tij. Ata e përshkruajnë si mëmëdhetar, të ndershëm e të palodhur.  Gazeta “Korça” shkruante për sakrificat dhe persekutimet e tij, duke vënë theksin se vëllezërit Sotiri ishin nismëtarë të shkollës shqipe kombëtare, prandaj historia do t’i shkruajë emrat e tyre me shkronja të arta. Kam sjellë këtu një poezi kushtuar Koto Sotirit nga miku i tij, Stefan S. Thodhoraqi, siç kuptohet kur vuante vitet e burgimit në Manastir. 

“Ndë botë në rrojnë vetëm cmira, vrasjet e presja,

Dhe këmishën e së vërtetës na e ka veshur gënjeshtra,

Mirësia dhe e vërteta të mos duken asgjëkund,

Gjithësinë në e gjykon djalli dhe botën në tunt,

Oh! Këtë miqësinë tënë gjithësia të na e ftonjë,

kurrë nuk do të guxonjë!” ….

Botuar në “Ditëfyesi Kombëtar” Sofie 1900.

Bashkia e Korçës, me inisiativën e historianit Niko Kothere, në vitin 2017 e ka shpallur Pandeli Sotirin Qytetar Nderi, ndërsa Koto Sotirin nuk e përmend askush, megjithëse edhe ai sakrifikoi gjithë jetën e tij për shkrimin e shkollat shqipe. Mori dënime të tmerrshme për këto veprimtari, provoi burgjet e persekutimet e pushtuesve osmanë. 

Poeti Lasgush Poradeci për shkollën e parë shqipe të Pogradecit ka shkruar: “E theksoj këtu këtë fakt, me rastin e rrëfimit të istorisë shkollore kombëtare shqiptare, sepse lënia mënj’anë e Shkollës Shqipe të Pogradecit, është një padrejtësi e dhimbëshme që i-u ka qënë bërë Pogradecit dhe pogradecarëve, të cilët gjithmonë, dhe që në fillimin më të parë, kanë mbushur më të plotë detyrën e vet ndaj atdheut.”

Pavarësisht se fjalët tona bien në vesh të shurdhër, askush s’na dëgjon. Me këtë protestë të poetit të madh, bashkohem fuqishëm edhe unë si intelektual dhe bashkëfshatar i vëllezërve Sotiri. Jo vetëm shkolla e Pogradecit është lënë mënjanë, por mënjanë është lënë dhe patrioti e mëmëdhetari i flaktë Rilindas, Koto Sotiri që e sakrifikoi gjithë jetën e tij për kombin, për Shqipërinë. Nuk ka të paktën asnjë foto në muzeume. Nuk ka asnjë bust, që i takon ta ketë në Korçë, Pogradec e Gjirokastër, apo të shpallet qytetar nderi i Pogradecit dhe i Qarkut Gjirokastër, etj. Rilindasi Koto Sotiri, nuk ka një varr me emrin e tij, as në qytetin e Manastirit, aty ku dha shpirt. Lavdi të përjetëshme Rilindasve martirë Pandeli dhe Koto Sotiri! Dy korifej, burim frymëzimi i përhershëm për brezat tanë e ata që vijnë më pas.

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 172
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT