Sot do t’ju tregoj për qytetin e trëndafilave. Ju keni kuptuar që po flas për Përmetin.
Po ta vizitoni në këtë kohë,do të vërtetoni se vërtetë është qyteti i trëndafilave.
Aroma e tyre e parezistueshme, ndjehet sapo kaloni urën e Vjosës dhe hyn në qytet, mbretëron në çdo rrugë e rrugicë, derdhet nga dritaret e shtëpive dhe nga ballkonet e mbushura plot prej amvisave përmetare, nëpër lulishtet që shpërthejnë nga ngjyrat.
Duket se nuk kishte ku të lindte tjetër një poet si Naim Frashëri, veçse në një zonë si Përmeti, dhe për këtë ka parasysh natyrën e rrallë të vendit, ku kurora e gjelbër zbukuron kryet e qytetit të vogël, ndërsa “Guri i Qytetit” është kthyer në simbol identifikues. Ndoshta jo vetëm prej bukurisë së natyrës por edhe për bukurinë e këtyre njerëzve, numri i turistëve të huaj që vizitojnë Përmetin, sidomos nga pranvera deri në vjeshtë, është shumë i lartë.Të jesh bujtës në Përmet dhe të largohesh pa provuar glikot e famëshme, rakinë apo verën përmetare, pa vizituar kishat dhe manastiret që e qarkojnë, pa u hedhur deri në Hotovë, mes erës së pishave e bredhave të parkut, pa bërë një banjë kuruese në Bënjë, apo pa bërë një vizitë në Frashër, ku ndonëse shtëpia e vëllezërve rilindas është në gjendje jo të mirë, fshati është prapë i bukur dhe ka vlerë të vizitohet.
Të jepet mundësia jo thjesht të shikosh rrugicat e kalldrëmta të zonës së vjetër të qytetit por edhe fshatrat e vjetër, kishat sidomos ajo e Leusës dhe e Kosinës, në stilin e mrekullueshëm bizantin, përgatitjet e amvisave për zairenë e dimrit, me vazot e qelqta me gliko, turshitë e shumta dhe gatimet e famshme përmetare, të denja për një tavolinë feste me mbretëreshë rakinë dhe verën e zonës. Përmeti mund të quhet pa ngurim edhe qytet “Qefli”. Që në lashtësi e më vonë, udhëtarët e huaj si Evlia Çelebiu, F. Pukëvili, Edit Durham, etj., kanë folur me konsiderata për mikëpritjen, bujarinë, pastërtinë e popullsisë përmetare.
Qyteti ka marë formën e tij moderne pas rregullimeve urbanistike të cilat janë kryer në vitin 1964. Ai ka një arkitekturë tipike me një shesh qëndror dhe me rrugë që zbresin nga kodrat e Bolëngës në qendër të qytetit, gjer buzë Vjosës ku ka rrugë paralele me lumin me shumë sipërfaqe të gjelbëruara e lulishte. Përmetarët i ruajnë me fanatizëm fjalët e miqve, që përligjin mikpritjen, si të kenë frikë se mos, këtë herë miqtë nuk u kënaqën sa duhet e ata patjetër duhet të dinë se si janë pritur miqtë në vite.
Qyteti i Përmetit është sinonim i një qyteti me një mikpritje të rrallë, qytet i luleve, i këngëve popullore, lirike me saze, qytet i verës e rakisë dhe glikove tipike e unikale si ajo e arrës, kumbullës, kajsisë, etj.
Në qytet e rreth tij, ka shumë objekte monumente kulture si kisha postbizantine e Shënepremtes e Leusës, Kosinës, Bualit, Bënjës etj.
Sektori i turizmit është një nga sektorët kryesorë të zhvillimit ekonomik të rrethit.
Në fushën turistike, rrethi i Përmetit ka shumë mundësi sidomos në zhvillimin e turizmit të gjelbër dhe atij kulturor. Në zhvillimin e turizmit ndikojnë: Situata gjeografike dhe klimaterike e favorshme. Zona malore e rrethit ka hapësira të mëdha e të virgjëra që mund të shërbejnë si zona për shëtitje dhe alpinizëm. Klima mesdhetare, dielli dhe temperaturat e larta mesdhetare janë shumë të favorshme për zhvillimin e këtyre aktiviteteve. Mjedisi natyror i mbrojtur, pasuria historike dhe ndërtimore, kanë ruajtur një arkitekturë tradicionale (shtëpi të ultëa prej guri me çati prej pllakash guri) shumë të vlerësuara prej turistëve të huaj. Popullsia mikpritëse është e gatshme për të pritur miq dhe për t’i ofruar atyre një pjesë të madhe të produkteve që ata i prodhojnë vetë.
Pikat turistike më karakteristike të Përmetit janë Bredhit i Hotovës,që gjendet në zonën e Frashërit në verilindje të Përmetit. Ky park konsiderohet si kurora e gjelbër, që tërheq menjëherë syrin e vizitorëve. Kushtet klimatike janë të favorshme në zhvillimin e florës dhe faunës.
Turizmi malor, eskursionet dhe kampingjet nuk i mungojnë kurrë këtij parku, jo vetëm nga banorët e Përmetit por nga i gjithë Ballkani e Europa. Në vitin 1996 ky bredh u themelua si park kombëtar.
Bredhi i Petranit gjendet ne luginën e sipërme të Vjosës, Petran-Carçovë dhe ka një sipërfaqe prej një hektarë. E veçanta është se bredhat janë rritur dhe zhvilluar në një zonë jashtë aorealit të përhapjes së bredhave.
Ujrat Termale të Bënjës, njihen me emrin banjat termal të Bënjës dhe ndodhen 14 km larg qytetit të Përmetit. Në komunën Petran, gjenden 6 burime në rrëzë të shkëmbinjte masivë, në të dy anët e lumit Lengaricë. Rruga për të shkuar në këto monumente natyrore është nëpërmjet itinerarit automobilisitik Përmet-Petran-Bënjë. Ujrat me bazë sulfurore kanë efekte shumë të larta kuruese nga të cilat 4 burime përdoren për sëmundje kronike të reumatizmës, një tjetër për sëmundjet e stomakut , dhe i fundit për sëmundjen e lëkurës.Gjithë rrjedha e vjosës dhe luginat që ajo krijon,jan një admirim turistik.
Ai është një lum i rrjedhshëm dhe herë-herë i rrëmbyeshëm nga ku veç plazheve të vogla që vendasit i shfrytëzojnë me efikasitet dhe i ruajnë e i mirëmbajnë, lumi shërben edhe si terren sportive për shumë sporte ujore.
Përmeti vërtet nuk ka det, por ka lumin më të bukur dhe më natyror të vendit. Disa ditë turistike në Përmet, do të ishin ditë njohjeje me natyrën,me traditën,me kulturën dhe me historinë.
Infrastruktura rrugore ka bërë që Përmeti të afrohet me Tiranën dhe qytete të tjerë te Shqipërisë(Kortezi:Nikolla Lena)
Parku natyror i Qafë-Shtamës, sa afër dhe larg Tiranës
Nga Nikolla Lena/
Kur flasim për natyrën Shqipëtare, të gjithë flasim me pasion,por shumë pak bëjmë për ta ruajtur e mirëmbajtur atë.
Edhe shumë pranë Kryeqytetit, në lindje të tij është një masiv i tërë pyjor që pjesërisht është i dëmtuar në vite por që kohët e fundit ka fillur të mirëmbahet.
Po kështu ka ndodhur edhe në mësivin pyjor të Krujës ku shtrihet masivi pyjor mbase më interesanti dhe më pak i eksploruari dhe i publikuari për turizmin Shqiptarë.Sot dua të flas për Parkun Kombëtar të Qafë-Shtamës, një vend piktoresk, ku teksa ndjen erën e pishave, ahut e dëllinjave, të thuash se është një mrekulli, duket pak.
Me një sipërfaqe prej 2000 hektarësh dhe vendndodhje rreth 25 kilometra në verilindje të qytetit të Krujës, ai mbetet një perlë malore, kaq pranë kryeqytetit. Duke konsideruar se turizmi malor është prioritet i qeverisë dhe një burim i mire fitimi ekonomik,mund të them se kjo bukuri natyrore pak shfrytezohet edhe për shkak të infrastrukturës rrugore.
Ndonëse prej një viti kanë nisur punimet në rikonstruktimin në rrugën që të dërgon në pikën turistike të Qafë-Shtamës,ajo nuk ka përfunduar dhe mbetet problematike për turistët. Ndër vite, një zonë e harruar, tashmë banorët e saj jetojnë me shpresën e realizimit të rikonstruksionit të kësaj rruge dhe hapjes së perspektivës për tu lidhur me pjesën tjetër të vendit siç është Kruja dhe Burreli.Kjo është një zonë që meret kryesishtë me blegtori dhe me bujqësi,por që prodhimet e tyre mbeten pa treg per shkak se nuk kanë mundësi komunikimi me zonat e gjera të konsumit. Ky është i vetmi burim ekonomik i kësaj zone,por një tjetër burim i rëndësishëm është edhe turizmi natyror. Pyjet,ajri i paster,ushqimi i freskët dhe tradicional dhe mbi të gjitha uji i pijshëm i kësaj treve,është i veçantë.
Parku ka filluar të ruhet e të mirëmbahet nga Drejtoria e Shërbimit Pyjor, i cili nuk është prekur nga keqbërësit e pemët nuk janë dëmtuar dhe këtu, një ndihmë të madhe mësohet se kanë dhënë edhe banorët e zonës, të cilët e ruajnë me fanatizëm parkun.
Qafë-Shtama gjendet rreth 25 kilometra në verilindje të qytetit të Krujës, duke kaluar nëpërmjet komunës së Cudhit. Qafa shërben si urë lidhëse midis zonës së Krujës dhe luginës së Matit në veri. Zona kufizohet me pellgun e Bovillës nga jugu i saj, dhe është ekologjikisht e lidhur ngushtë me të. Gjithë zona dallohet për vlerat natyrore dhe pyjet e virgjër. Gjithashtu, burimet e saj janë të njohura për vlerat kuruese, ku dallohet Kroi i ‘Nënës Mbretëreshë’, pranë Qafë-Shtamës, rreth 1.100 metra mbi nivelin e detit, midis pyllit të pishës së Parkut Kombëtar. Emrin e ka marrë në vitet 1930-të, sepse këtu merrte ujin e pijshëm familja mbretërore, teksa një kamion bënte çdo ditë rrugën Tiranë-Qafë-Shtamë. Uji i burimeve të Qafë-Shtamës vlerësohet si i lehtë, i varfër në kripëra, por edhe i pasur me magnez. Ndërsa Kroi bën pjesë në listën e monumenteve të natyrës shqiptare. Aty sot është ngritur një qendër kuruese për sëmundjet e mushkërive dhe një impiant për ambalazhimin e ujit të pijshëm. Edhe pse rruga për të shkuar është e vështirë dhe kërkon mjet të fortë, kjo zonë tërheq shumë vizitorë. Qeveria shqiptare synon që të zgjerojë këtë zonë të mbrojtur në të ardhmen e afërt, duke përfshirë në të edhe malin e Skënderbeut. Kjo për banorët do të thotë të mos hedhin më sytë nga qyteti për të ndërtuar jetesën, por t’u përkushtohen pronave të tyre dhe t’i zhvillojnë ato.Hoteleria turistike është e tipit Alpin dhe për bujtësit përdoren kryesishtë bujtinat e banorëve vendas.
Parku Kombëtar i Qafë Shtamës, ndodhet jo larg Tiranës dhe Aeroportit “Nënë Tereza” nga ku vizitorët e huaj që mbërrijnë në vendin tonë dhe janë kurioz të sodisin natyrën e bukur të vendit tonë, Qafë Shtama është destinacioni më i afër.Aty do të gjejnë të ndërthurur natyrën me historinë.
Mrekullite e natyres shqiptare- Liqenet e Belshit, bukuria që flet
Nga Miranda Sadiku/
ELBASAN/ Krahina e Dumresë numëron 84 liqene, të mëdhenj e të vegjël, njëri më i bukur se tjetri. Një pasuri që rrallë kush në botë e ka, por një pasuri që fle në heshtjen e saj shekullore. Kur Sami Frashëri endërronte Belshin kryeqytet të Shqipërisë, kishte parasysh përveç faktorit gjeografik edhe liqenet e pafund të Dumresë. Por, Belshi nuk u bë dot kryeqytet, ndërkohë që Tirana, megjithëse nuk kishte asnjë liqen e ndërtoi një të tillë artificial dhe një park rreth tij, ku relaksohen banorët e metropolit.
Liqenet e Belshit, me një bukuri të rrallë si, ai i Seferanit, Merhojes, Cestijes, Degës, me një florë të pasur si, zambaku i bardhë, zambaku i verdhë etj, kanë tërhequr vëmendjen e vizitorëve vendas dhe të huaj.
Fauna e liqeneve është e pasur me peshq të llojeve të ndryshme, siç janë krapi, karasi, ballgjëri, amuri, etj. Në disa liqene ka dhe ngjala, të cilat janë specie endogjene.
Liqenet e Dumresë janë formuar si rezultat i fenomeneve karstike, që kanë ndodhur dhe që vazhdojnë dhe sot në përmasa më të vogla. Sipërfaqja e tyre e përgjithshme është rreth 640 ha, ndërsa aftësia ujëmbajtëse 26 milion m3 ujë. Ata kanë madhësi dhe thellësi të ndryshme.
Janë liqene kryesisht me regjim shiu, që mbushen nga reshjet që bien. Disa nga liqenet më piktoreskë janë ai i Belshit, Merhojes, Seferanit, Cestijes, Deges, Liqeni i Kuq, i Paraskës, i Marinzës, etj.
Kryetari i organizatës së menaxhimit të peshkimit, Mehmet Hoxha, thotë se 26 nga liqenet e zonës së Dumresë shfrytëzohen për peshkim. Rreth 80 peshkatarë të zonës kanë marrë në administrim dhe shfrytëzim këto liqene, duke arritur të sigurojnë një prodhim 600-700 kv peshk në vit, i cili konsumohet tërësisht nga banorët e zonës.
Vetë Muhameti administron liqenin e Merhojes prej më shumë se 30 vjetësh. Peshkimi është një profesion i lodhshëm, që kërkon dhe pasion. Ai tregon se në liqenin e Merhojes vjet u kap një krap rreth 22 kg. Por, peshkimi kërkon edhe investime që nga blerja e rasateve, ushqimi i tyre, mbrojtja e liqeneve nga papastërtitë dhe nga gjuetia pa kriter.
Ndër liqenet më të bukur është edhe ai i Degës, ndërmjet fshatit Hardhi dhe Fierzë. Është një liqen i gjatë dhe i bukur, me një sipërfaqe prej 37,4 ha dhe një thellësi 17,9 m.
Zona e Dumresë ka patur më shumë liqene, por me ngritjen e ish- kooperativave bujqësore disa prej tyre u përdorën për vaditje dhe erdhën duke u tharë, ndërkohë që edhe kurora e tyre u shpyllëzua për toka buke.
– Sikur Belshi të ishte kryeqytet i Shqipërisë –
Në Belsh, të mëdhenj e të vegjël, e njohin dëshirën e Sami Frashërit që qyteza e tyre të ishte kryeqytet i Shqipërisë dhe kjo i bën të ndihen krenarë, sepse edhe pse kjo dëshirë nuk u bë realitet, ata dëshirojnë ta endërrojnë kështu vendlindjen e tyre.
Por, Belshi me liqenet e tij të panumërta, me kodrat e valëzuara, me resurset e mëdha natyrore dhe me njerëzit e tij punëtorë, mund dhe duhet të bëhet nesër një oaz i madh turistik në qendër të Shqipërisë.
Kryetari i organizatës së menaxhimit të peshkimit, Muhamet Hoxha, thotë se zhvillimin e turizmit do ta favorizonte shumë shpallja Park Kombëtar e të paktën 7 prej liqeneve më të mëdha të Dumresë, mbjellja me pemë si shelgje lotuese e pisha e brigjeve dhe kurorave të këtyre liqeneve, ndërtimi i infrastrukturës së nevojshme, që do të lehtësonte edhe ardhjen e turistëve dhe për pasojë zhvillimin e zonës.
Por, shpresa e banorëve të zonës është ndërtimi i infrastrukturës së nevojshme, realizimi i projekteve të mëdha të qeverisë për ndëtimin e Boshtit të Qëndrës, Berat-Kuçovë Elbasan, Tiranë, rikonstruksioni i rrugës Belsh-Lushnjë, që realisht do të bënin që të gjitha rrugët e Shqipërisë të kryqëzoheshin në Belsh për shkak të pozicionit të tij gjeografik. Banorët e zonës thonë se të gjitha rrugët të çojnë në Belsh, ashtu si dhe italianët përsëritin se të gjitha rrugët të çojnë në Romë.
Liqenet e pafund të Dumresë, njëri më i madh se tjetri e më i bukur se tjetri, mund të jenë një shpresë reale për zhvillimin e zonës. Shtoji kësaj dhe kodrat e buta e të valëzuara, që favorizojnë zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë.
Shumë nga kodrat e Belshit kanë filluar të mbillen me plantacione me ullinj dhe me vreshta. Janë kryesisht emigrantët nga Belshi, të cilët pas një pune disavjeçare në shtetet fqinjë, janë kthyer dhe po investojnë paratë e fituara.
Krahas turizmit, e ardhmja e zonës është bujqësia dhe blegtoria, pasi Dumrea ka kushte të përshtatshme klimatiko-tokësore për kultivimin e shumë kulturave bujqësore, veçanërisht të drithrave të bukës, duhanit, perimeve, rushit dhe pemëve frutore.
Një nga banorët e vjetër të Belshit, Sadik Uruçi, thotë se keto vitet e fundit janë rigjeneruar mjaft pyje dushku, si dhe po gjelbërohet e gjithë zona për ta kthyer atë siç ka qenë, ndërkohë që shumë fermerë kanë mbjellë masive me vreshta, ullishta e pemë të ndryshme frutore dhe dita ditës Dumreja po gjelbërohet.
Dumreja ka dhe pasuri të tjera që presin të shfrytëzohen, siç janë rezervat e mermerit të kuq në fshatin Kosovë, që dikur janë shfrytëzuar për veshjen e Pallatit të Kongreseve në Tiranë, por tani presin investitorët.
Dumrea po rizgjohet. Liqenet e saj të kristaltë nesër nuk do të flenë në qetësinë e tyre shekullore. Ato janë një dhuratë e mrekullueshme e natyrës, që presin tashmë dorën e njeriut për t’u kthyer në një park gjigand turistik të preferuar e të lakmuar, jo vetëm nga vendasit, por dhe të huajt. Por ka nevojë dhe për promovim. Sepse Belshi pak vend ka zënë deri tani në guidat turistike. Nesër Belshi do të jetë ndryshe, ndoshta dhe kryeqyteti i turizmit shqiptar.Kortezi; ATSH)
Bukurite e natyres shqiptare- Leskoviku, një perlë turistike e paeksploruar
Nga Nikolla Lena/- Po të nisesh nga Përmeti e të ngjitesh lart në jug të tij, më falni po kur themi “të ngjitesh”, kemi parasysh veriun sepse drejt tij është ngjitja, por në këtë rast bën përjashtim, sepse rruga drejtë ‘Tri Urave”, ngjitet.
Është një rrugë e ngushtë, e asfaltuar dhe e pranueshme për një udhëtim normal. Në hyrje të Çarshovës bëhet ndarja, drejt shkon për në doganën e vjetër të ‘Tri Urave’, dikur më e rrahura që lidhte Greqinë me Shqipërinë, por në kohë të herëshmë edhe me Turqinë. Do ta lë Carshovën dhe ‘Tri Urat” dhe do mar kthesën majtas për në Leskovik. Besoj se keni dëgjuar për Leskovikun, për natyrën e bukur të tij, për këngët, mikëpritjen, vajzat e bukura por mbase nuk dini që ky qytet ka një histori të lashtë dhe interesante.
Leskoviku njihet si qendër e madhe banimi në fillimet e viteve 1800. U krijua si qendër pushimi e verimi nga pushtetarët otomanë të asaj kohe,sepse vera në Leskovik është vërtet e freskët. Gradualisht kaloi në qendër Kazaje dhe deri qendër Sanxhaku (“Enciklopedia” Sami Frashëri). Si njësi administrative ka patur në varësi krahinën e Leskovikut, Përmetit e Pogonit. Popullsia maksimale e tij ka arritur në vitet 1910 me rreth 10 000 banorë.
Njihet si pika më e fuqishme doganore me Greqinë deri në këtë periudhë. Në të kalonte një nga segmentet rrugore më të përdorura, me Greqinë e më tej Turqinë. Pika e Tre Urave ishte nyja lidhëse. Gjatë viteve 1800-1940 ka zhvilluar një aktivitet të fuqishëm tregetar. Deri në vitin 1956, Leskoviku ka qenë njësi administrative.
Qyteti i Leskovikut ka qenë një qendër e lashtë. Këtë e vërtetojnë gjetjet arkeologjike, kultet, dhe një dokumentacion i pasur nga periudha më të hershme, sidomos në Mesjetë Edhe defteret osmane e përmendin Leskovikun me fshatrat përreth shumë të populluar.
Më vonë, një pjesë e madhe e tyre janë boshatisur, mbeti një popullatë e pakët e krahasuar me mesjetën e hershme. Leskoviku veçohet për relievin malor e kodrinor, me pyje, flore dhe faunë të pasur, me burime ujrash minerale-kurative e vreshtari të begata; për marrëdhënie shkëmbimesh tregëtare ndërkrahinore dhe me jashtë, sidomos atëhere me Janinën dhe Prevezën; leskoviqarët kanë qenë muratorë dhe punues të drurit, zejtarë dhe blegtorë. Një kthesë e fortë djathtas të çon në qëndër të qytetit. Aty “Mirëseardhjen”, t’a jep një Rrap i moçëm sa vetë koha dhe të drejton për nga lokalet e shumtë që e rrethojnë.
Ka një gojdhënë interesante për këtë rrap, për bëmat që ka parë e dëgjuar…Ka qenë si një “Mriz” për burrat e shquar dhe për ushtritë e shumta që hynin e dilnin në këtë vend.
Unë sot nuk do të merrem me histoirnë e rrapit, pasi dëshiroj të tregoj diçka tjetër. Edhe Linda, kolegia ime nxiton për një angazhim tjetër. Mbasi pimë kafen në lokalin përballë, e shoqëruam atë me ujin e ftohtë të burimeve vendase dhe u nisëm përsëri lart.
Një peisazh pishash e gjithfarëdrurësh na shoqëroi deri në Sotirë, aty ku lugina e një përroi malor që zbret nga malet e Barmashit, futet në një ngushticë dhe drejtohet drejt Leskovikut për të përfunduar në Vjosë. Një Resort turistik i befasishëm na u shfaq mes maleve të ngritura e të mbuluara me një gjelbërim Edenian. Nuk na lejoi të vazhdojmë më tej. Dora e njeriu ishte futur edhe në këtë natyrë të pa prekur. Një lokal modest i ngritur midis disa vaskave me ujë të rrjedhshëm që rrisnin troftë, ishte një pikë e domosdoshme pushimi për udhëtarin e lodhur nga rruga e vështirë. Zumë një tavolinë dhe shikonim troftat e ushqyera mirë që hidheshin përpjetë në kërkim të ushqimit. Kamarieri na tha se mund të zgjidhnim kë të donim.Unë zgjodha një me ngjyrë korali të kuqërremtë, ndërsa Linda një të kaltërt.
Duke qënë kurioz për këtë kryevepër natyrore dhe harmoninë që kishte krijuar dora e njeriut me të, pyeta një vendali që u shërbente troftave. Sa të piqeshin peshqit, ai u ul bri nesh,dhe filloj të më tregonte një roman:- Një djal i këtyre anëve, në vitet 90-të, emigroi si shumë djemë të tjerë. Përfundoi në një vend të largët që quhet Rusi…në Moskë. Tregonte dhe herë pas here shikonte majat e maleve të mbuluara nga pishat. Punoj shumë kohë atje dhe një ditë të bukur, mbasi kishte bërë ca para, na u kthye në Leskovik. Me vete kishte sjellur dhe një vajzë kaq të bukur sa nuk ishte parë në këto anë. Kjo zonë shquhet për vajza të bukura, por Moskovitja ishte më e bukur. Kishte një fytyrë të bardhë si bora e këtyre maleve, sytë të kaltër si burimet e Vjosës tonë, ishte topolake dhe jo shtat-hedhur dhe e gjatë si vajzat tona, por ishte shumë e bukur. Djali ishte punëtor dhe me fantazi. Ngriti këtë lokalin këtu ku rrit trofta dhe pret e përcjell udhëtarët që vijnë nga Saranda e Gjirokastra drejt Korçës dhe anasjelltas, ata që nisen nga Korça drejt Gjirokastrës. Vendi është i bukur, ushqimi i mirë dhe udhëtarët çlodhen. Vijnë edhe turistë të huaj. Shumë vijnë,por…rruga nuk është e mirë.Djali jonë punon shumë dhe e mban mirë lokalin dhe ambjentin rreth tij.
-Po Moskovitja, e pyeta. Kurioziteti nuk po me linte pa e parë këtë qënie të zbritur nga stepat e largëta drejt djellit përvëlues të Leskovikut. Rrëfimtarit tim i ndroj çerja. U ngrit nga vendi ku ishte i ulur, vajti tek një si thes në cep të një si magazinë, mbushi duart me një si tallash i grirë dhe ua hodhi troftave. Ato u lëshuan si egërsira të uritura. I shkundi duart mirë e mirë, i zhyti në rrjedhën e ujit dhe pasi i fshiu te pantallonat e veta, erdhi e u ul përsëri pranë nesh.-Mos e pyet më tha Linda.Nuk e di çi kishte thënë instikti i saj femëror.-Ku është Moskovitja, vazhdova pyetjen unë?
-Nuk është më, mu përgjigj. Iku.Si duket nuk i doroi dot diellin e këtyre anëve.Pyjet e bukura, gurgullimën e Vjosës, kaltërsinë e saj, njerëzit e dashur e mikpritës…iku bashkë me djalin e tyre 4 vjeç.
-Kishin fëmijë?, pyeti Linda dhe uu mbushën sytë. -Eh, kishin një djalë të vogël e të bukur..një shartim mesdhetaronordik, vazhdoi Kosta dhe qeshi si për të mbuluar sikletin. -E mori malli për njerëzit e saj.Ata kënaqeshin kur vinin këtu.Pak rrinin.-Djali jonë vazhdon të punoj, ka këtë këtu një vendpushimi për udhëtarët, ka ngrit dhe një fermë me gjë të gjallë. Po i shkon shumë mirë dhe ajo. Dreka ishte e shijshme dhe vera e mirë. Natyra e freskët dhe plot oksigjen.-Vend për të sëmurët-tha Linda. Të kishin ngritur një sanotorium ose një objekt kurimi për depresivët-vazhdoi ajo.
U përshëndetëm me pritësit dhe vazhduam rrugën drejt Korçës.
Pa u futur në Barmash, na u shfaq përballë një dushkajë me shtat mesatar, që rrethonte disa kodra të buta. Na shoqëroi deri në Borovë.
Një kishë e vogël e ngritur buzë rrugës na ftoi të hynim e të bënim një përshpirtje për bëmat dhe tragjedinë e këtij fshati.
Borova, një histori më vete. Më tej rruga drejt Ersekës e Korçës ishte më e thjeshtë.-Vërtet kemi vende të bukura që pak dimë t’i shfrytëzojmë, më tha bashkëudhëtarja ime. Duhet bërë më shumë për infrastrukturën rrugore dhe reklamimin e këtyre perlave të natyrës tonë.
“Edhe të historisë”,-e mbylla unë udhëtimin
Bukurite Shqiptare- Velipoja, një destinacion turistik i preferuar
Nga Nikolla Lena–Një destinacion turistik veror shumë atraktiv për periudhën e nxehtë, mbetet dhe Velipoja. E ndodhur shumë afër qytetit të Shkodrës dhe zonave për rreth saj, afër me Malin e Zi dhe fshatrat e tij në brezin kufitar, duke shfrytëzuar çmimet e leverdisëshme në fjetje e në ushqim, po terheq përditë e më shumë pushues nga këto treva.
Velipoja është një qytezë e vogël bregdetare në veriperëndim të Shqipërisë. Ndodhet në grykëderdhjen e lumit Buna (të vetmit lumë të lundrueshëm në Shqipëri), aty ku ai derdhet në Detin Adriatik në afërsi të kufirit me Malin e Zi.
Velipoja ka një vijë bregdetare të konsiderueshme që përfshin edhe Ishullin “Franc Josef”, i cili vazhdimisht ndryshon formë dhe bëhet tërheqës për vizitorët.
Banorët dhe vet Komuna e Velipojës,e kanë kuptuar rëndësinë e vlerës ekonomike të turizmit. Ata përveç produkteve bujqësore BIO që i kultivojnë në kopshtet e tyre, ofrojnë për pushuesit edhe shumë punime të zejeve tradicionale. Nuk mund të largohesh dotë prej andej pa mar diçka me vete si pjes e një mbrese positive që ke kaluar në këtë vend. Drejtuesit e pushtetit lokal,kanë mar masa për një higjenë normale,shërbim korekt dhe furnizim me ujë të pijshëm. Me një popullsi prej rreth 10.000 banorësh, e shpërndarë në disa vendbanime të vogla, me qendrën më të madhe Velipojën, mirëpresin çdo sezon veror mijëra pushues anembanë trevave shqipëtare edhe për të bërë biznesin e tyre. Sigurisht rëra e jodizuar e ka bërë të famshëm plazhin e Velipojës për cilësitë e saj kuruese, por Velipoja ka më tepër arsye për ta zgjedhur si destinacion për pushimet verore.
Adhuruesit e natyrës do të mrekullohen me gërshëtimin harmonik që do të gjejnë në këtë vend. Deti, lumi, plazhi, laguna, pylli e mali janë gjithçka që perëndia mund ti ofronte kësaj pjese të bekuar toke, padyshim mund të cilësohet një perlë e vërtetë e natyrës.
Në ujrat e rrjedhshëm të Bunës të apasionuarit pas peshkimit mund të ushtrojnë sportin e tyre në lloje të ndryshme peshkimi të ujrave të ëmbla si : troftë, krap, etj.
Çmimet e hoteleve, kabinave apo dhomave të akomodimit, janë të ndryshme dhe variojnë sipas kushteve që afrojnë.
Vitet e fundit Velipoja ka rritur potencialin e saj turistik, duke tërhequr jo vetëm pushues nga veriu i Shqipërisë që e zgjedhin këtë plazh për shkak të distancës së afërt por edhe pushues nga Kosova dhe Maqedonia.Velipoja dhe infrastruktura e saj mikëpritëse,mbetet një tërheqëje e veçantë për turizmin Shqipëtar.
- « Previous Page
- 1
- …
- 126
- 127
- 128
- 129
- 130
- …
- 151
- Next Page »