• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHPELLA E ZEZË E PËLLUMBASIT, DESTINACION TURISTIK QË NUK DUHET HUMBUR!…

December 4, 2016 by dgreca

1-2NGA PËLLUMB GORICA/
 2-2Shpella e Zezë e Pëllumbasit është një ndër gjashtë shpellat më unikale në Europë. Flitet se është e 10 mijë vjetëve më parë, por s’dihet prej sa kohe është zbuluar, veç faktit se studiuesit e fushës speleologjike e kanë zbuluar tepër vonë këtë mrekulli natyrore shqiptare. Ajo ndodhet rreth 25 kilometra nga Tirana, në lartësitë shkëmbore të malit të Pashkasheshit, dhe në të majtë të luginës së lumit Erzen. Misteri që e rrethon po zgjon një kuriozitet të veçantë dhe përherë e më tepër po shton vizitorët.4    Për këtë shpellë dhe vendndodhjen e saj deri para disa vitesh askush nuk dinte për të, veç vendasve, por edhe prej tyre rrallë e kishin vizituar. Edhe pse është zbuluar vonë ka patur informacione interesante në kuadrin e gjurmëve të lashtësisë, sidomos ai i gjuhëtarit elbasanas, Kostandin Kristoforidhi.Duke iu referuar pozicionit gjeografik, Shpella e Zezë e Pëllumbasit ndodhet rreth 350 metra mbi nivelin e detit. Vetëm 20 vite më parë janë kryer studime rreth saj, duke përcaktuar disa periudha të zhvillimit njerëzor që nga neoliti, e bronzit dhe e hekurit. Nga gjetjet arkeologjike me interes janë zbulimet me vlerë të disa enëve, kocka të kafshëve e sidomos të arinjve të shpellave.5

Për të shkuar tek ajo rruga kalon përmes një zone të populluar gjatë gjithë gjatësisë së saj, e ku ndihet më shumë dora e njeriut me ndërtime çlodhëse, që i kundron me tërë hollësitë. Gurgullima e lumit Erzen të shoqëron kilometra më tej dhe e ndjen thellë atë. Erzeni është një prej rrjedhave ujore më piktoreske të Shqipërisë së Mesme, që i tërheq vizitorët me shumëllojshmërinë deri në lartësitë e shpateve malore. Ndaj kënaqësitë që pret të shijosh janë të shumta, por edhe njëkohësisht ndrydhje në shpirt për Tiranën e mbuluar nga smogu.6

 Aty ku rruga gëlon nga trafiku i shumtë i makinave me hyrje-daljet për në Tiranë merr kthesën majtas, duke u ngjitur kodrave drejt vendbanimit të Pëllumbasit.  Ai shtrihet në një hapësirë të madhe, tërësisht të hapur nën këmbët e malit të Pashkasheshit, ku ashpërsia shkëmbore e tij i qëndron si mburojë. Mali i Pashkasheshit i veshur me drurë dhe bimësi të shumtë, të bën përshtypje me pasurinë e pafundme dhe të shumëllojshme të tyre. Kush ka ardhur këtu e nuk është mrekulluar nga madhështia e tij, dhe e majave të tjera të larta: Priska dhe mali i Dajti përbri, që ngrihen si një gardh madhështor në lindje të Tiranës dhe pellgut të saj!…Nga kjo lartësi pamjet e hapësirave të largëta që sheh syri, të shfaqen si në pëllëmbë të dorës deri tutje, e të duket vetja sikur do të fluturosh i shoqëruar nën simfoninë e zërave të ndryshëm, dhe erës që hedh valle me flatra pëllumbash, nën rrezet e diellit bujarisht e ngrohtësisht, që të mbushin me gjallëri. Këtu duket se merr kuptim edhe fjala: të mbushesh me frymë, sidomos për ata që jetojmë në Tiranë. Të mungojnë fjalët për të përshkruar më shumë këtë peizazh, por të udhëtosh, jo vetëm fizikisht, edhe me pasionin për mrekullitë natyrore, është më të vërtet një kënaqësi e madhe. Udha këmbësore është tepër e ngushtë, dhe ngjitja nëpër të përpjetën e një varg kodrinash, të cilat ulen para rrjedhës gjithë dredha të Erzenit e vështirë. E mbrojtur nga parmakë druri, dhe nëpër disa valëzime shkallaresh, të ndërtuara vitet e fundit, ajo hijeshohet nga një pyll i dendur. Aty këtu ca stola prej druri të krijojnë mundësinë të qëndrosh për të bërë pushim, apo më mirë të themi të shpihesh pakëz nga lodhja e ngjitjes së mundimshme.7

  Në pjerrësinë shkëmbore të malit të Pashkasheshit dhe pikërisht atë më të thiktën, të murrme dhe të shpërlarë nga agjentët atmosferikë, nis hyrja e shpellës. Por, pak përtej pamjes së saj, një farë mërzitie të shkaktohet nga blana ngjyra – ngjyra emrash dhe datash të shkruara prej vizitorësh të papërgjegjshëm. Zhgarravinat mbi monumentet natyrore dhe historike janë një mungesë e theksuar kulture! Si kudo në Shqipëri kjo është kthyer në një fenomen shqetësues, dhe një realitet i zymtë, i cili fatkeqësisht po vazhdon të dëmtojë jo pak vlera të papërsëritshme të natyrës dhe lashtësisë tonë.

 

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

   Shpella e Zezë e Pëllumbasit shtrihet në një thellësi prej 300 m (e eksploruar) dhe të tërheq vëmendjen me ndërtimin e brendshëm, të ngjashëm me thellësinë e një galerie të stërmadhe miniere. Që në hyrje përfshihesh nga gjithë ato emocione dhe para syve me zemër i mbledh ato. Siç do të shohësh më tutje ajo të fut në një botë misteresh, të një ndjesie ndryshe, ku mendimet kthjellohen e humbasin në hapësirën e pafundme të përfytyrimeve. Elektrikët e dorës çajnë errësirën, dhe i zhytur për ta eksploruar atë ecën lehtë nën impresionet e pamjeve dhe të freskisë së ajrit të lagësht. Në thellësi duhma e lagështirës të zë frymën, dhe heshtja thyhet nga hapat e kujdesshëm, shushurimat e turbullta të lakuriqëve të natës, dhe pikave të ujit më kumbuese që bien nga tavani shkëmbor.    Udhërrëfyesi ynë, që i njeh kalimet kaq mirë, na tregon udhën nëpër kënde të panumërta ku vështron stalagmite dhe stalaktite gjithfarë formash, dikur të shumta, por sipas banorëve të Pëllumbasit janë dëmtuar nga njerëzit. Interesante janë gropat në dysheme, por edhe tavani i shpellës me togëzimet gëlqerore të gurëzuara, dhe me trajta të çuditshme gjeometrike. Më tej shfaqen si skulptura të gdhendura prej shekujsh, kolonat, ku më shumë e ku më pak janë ruajtur nga dëmtimet.
   Shpella e e Zezë e Pëllumbasit është një nga mrekullitë e natyrës këtu, pasi kjo zonë ka dhe shumë të tjera, që përbëjnë pjesën më interesante, jo vetëm për një adhurues të natyrës, por edhe për një vizitor të thjeshtë. Na mbetet vetëm t’i admirojmë e sigurisht t’i fotografojmë ato, për t ua bërë të njohur të tjerëve. Shpella e Zezë e Pëllumbasit, sa afër dhe sa e panjohur për kryeqytetasit!

Filed Under: Reportazh Tagged With: e Pellumbasit, Pellumb Gorica, Shpella e zeze

KALAJA E TEPELENËS DHE HISTORIA RRETH SAJ

December 4, 2016 by dgreca

Reportazh nga Gëzim Llojdia/
1-kalaja-tepelena
 1.E vetmja dëshmi e hershme, që rrokin sytë e njeriut. Kështjella   që sundon qytetin jugor në kodër. Edhe udha ecën rrëzë kësaj ngrehine të moçme për të marë lartësi.
Qyteti i erërave të dikurshme ,që njihet  nga kohët e Ali Pashës,ndërsa monumenti i tij është simbolizuar në udhëkryqin  e vogël në bronz. Me të gjitha takëmet, por shtrirë dhe me vështrimin nga vendlindja,hedhur në horizont,vështrimi i tij.
Kalaja e Tepelenës ,thotë studiuesi  Gj.Karaiskaj,kur flet  për kalatë shqiptare ,  është një nga ndërtimet e fundit mbrojtëse të Ali Pashës, sepse shumë shpejt filloi lufta midis ushtrive turke dhe Aliut, kështu që shumë pjesë që u përkisnin ndërtimeve të brendshme të kalasë, mbeten të papërfunduara.
2-tepelene
 Kalaja ka dëshmuar disa nga ngjarjet më dramatike në historinë  e këtij qyteti. Shekuj më parë, qyteti kishte  ndërtuar kështjellën e tij në këtë maje të kodrës. Muret e kalasë masive dhe të rëndësishme me mbrojtje substanciale dhe aq te  rëndësishme janë ruajtur dhe mbajtur mirë nga koha,por jo nga njeriu. 
2.Tepelena është qyteti jugor, klima është e thatë, e nxehtë në verë dhe e ftohtë në dimër, me shumicën e reshjeve që ndodhin. Terreni është malor me disa lugina dhe një lumë kryesore, që  ecën nën muret e kalasë. Aktivitetet kryesore ekonomike si ne te gjithë vendin këtu diçka me tepër  dhe blegtoria. 
Tepelena, vendlindja e Ali Pashës, ishte një nga selitë më të preferuara të tij,thotë Gj.Karaiskaj, prandaj, pak kohë pasi ai e shkëputi Tepelenën nga dora e Ibrahim Pashës, sundimtarit të pashallëkut të Vlorës, filloi ndërtimin e një saraji të mad,h që kishte përfunduar në vitet e para të shek. XIX, ndërsa ndërtimin e kalasë, Aliu e filloi, kur po hynte në konflikt të hapur me Portën e Lartë. Një mbishkrim në gjuhën greke, që është murosur mbi hyrjen lindore, e daton këtë ndërtim me 1819.
1-ali-pashaMuret i gjen gjithkund  ato qarkojnë kodrën  e qytetit, ku erërat jugore  kanë  shpirtin e tyre,  si simbol të fuqisë .Studiuesi Gj,Karaiskaj vijon:Muret e kalasë ndjekin formën natyrore të terrenit .Ashtu si dhe kalaja e Gjirokastrës ajo nuk ka ndonjë formë të rregullt gjeometrike. Përveç tri kullave poligonale, që janë vendosur në kthesat kryesore të mureve, për të kontrolluar më mirë këto të fundit, janë përdorur shpeshherë edhe dalje me kënd të drejtë të kurtinave, që shohin në drejtimet kryesore të lëvizjes së mundshme të sulmuesve,të cilat zëvendësojnë në këto raste kullat ndërmjetëse. Terreni mbi të cilin është ndërtuar kalaja, paraqet pengesa të fuqishme natyrore,nga ana lindore dhe pjesërisht nga veriu; nga perëndimi, ku ndodhet edhe një nga hyrjet e kalasë, terreni është i ulët dhe për më tepër, në këtë anë, kalaja zotërohet nga një kodër më e lartë. Kështu, për sa i përket aftësive mbrojtëse, kalaja e Tepelenës qëndron shumë më poshtë nga ajo e Gjirokastrës. Muret vijnë duke u zgjeruar në bazë, duke rënë me pjerrësi në anën e jashtme dhe kanë një trashësi që lëviz nga 2,5-5 m në pjesën e poshtme dhe 2-4 m në të sipërmen. Në brendësi, ato përforcohen me breza druri dhe deri në gjysmën e lartësisë shërbenin dhe si mure mbajtëse, për shkak të mo nivelimit të terrenit të brendshëm me atë të jashtëm. Kullat, si dhe në ndërtimet e tjera të Ali Pashës, bien me faqe shumë të pjerrëta. Ato janë veshur nga jashtë me gurë të skuadruar me kujdes dhe zbukurohen nga korniza horizontale guri. Në pjesën e sipërme, muret përfundojnë me shtegun e rojeve dhe një parapet ku janë hapur frëngji të shumta për armë zjarri, midis të cilave ka frëngji dyshe përpushkë, ndërsa në vendet më delikate janë ndërtuar mashikula përhedhje lëngjesh të nxehta. Ndërtimet e brendshme, për ekonomizimin evendit, i mbështeten mureve rrethuese. Ato mbulohen me qemere cilin-drike, një thembër e të cilave është pjesë përbërëse e murit rrethues,Kalaja ka tri porta, njëra prej të cilave (lindorja) mban mbishkrimin«Porta e Vezirit» (fig. 177). Interes për zgjidhjen e tyre arkitektonike,paraqesin edhe dy hyrjet e tjera, prej të cilave më e ruajtur është hyrja jugore (fig. 178). Ajo është ndërtuar pranë njërës nga kullat poligonale. Porta e jashtme nuk i ekspozohet drejtpërdrejt shikimit, pasi ajo është ndërtuar në faqen anësore të një të thelluare drejtkëndëshe të murit të kalasë. Përballë portës qëndron kulla poligonale, e cila,duke qenë me përmasa të mëdha, kontrollon jo vetëm sheshin e vogël drejtkëndësh, që krijohet para portës, por dhe krejt murin jugor. Porta e parë ose e jashtme, është e tipit portë-urë. E vendosur mbi një bosht rrotullimi horizontal në nivelin e pragut, ajo komandohej nga brenda në-përmjet një çikriku me zinxhirë, që dilnin nga dy dritare të vogla dhe fiksoheshin në pjesën e sipërme të portës. Flegra e portës-urë shërbente njëkohësisht edhe si plan i pjerrët për bazamentin e nivelit të jashtëm dhe të brendshëm, mos nivelim që në gjendjen aktuale, arrin në2 m. Mekanizmi i ngritjes dhe uljes së portës-urë ka qenë vendosur në pjesën e brendshme mbi një platformë dërrase, që vendosej mbi harkun e portës. Pasi kalon portën-urë, ndodhesh brenda një kthine katërkëndëshe, muri ballor i së cilës është pajisur me frëngji pushke. Frëngjitë komandoheshin nga një kthinë tjetër, që ishte për truprojën. Por,për të shkuar në oborrin e kalasë, duhet të ktheheshe nga e djathta, ku ishte një portë e dytë dykanatëshe, e cila sigurohej nga brenda me katarah. Kthina katërkëndëshe e hyrjes ka qenë mbuluar me një qemer cilindrik. Platforma që krijohej mbi këtë qemer si dhe ajo e kthinave
fqinje qarkohej nga një parapet me frëngji pushke
 
4.
Në konceptin evropian çfarë është një kështjellë?
Një kështjellë (nga latinishtja: castellum) është një lloj i strukturës së fortifikuar të ndërtuar në Evropë dhe Lindjen e Mesme gjatë Mesjetës nga fisnikëria. Studiuesit debatojnë fushëveprimin e kështjellës , por zakonisht e konsiderojnë atë të jetë qëndrimi private fortifikuar i zotit apo fisnike. Gjatë afro 900 vjet që janë ndërtuar kështjella, ata morën në një format shumë të mëdha me shumë karakteristika të ndryshme, edhe pse disa, të tilla si mure perde dhe arroëslits, ishin të zakonshme. Një risi evropiane, kështjella me origjinën në shekullin e 9 dhe 10, pas rënies së Perandorisë Karolingiane rezultuar në territorin e saj duke u ndarë midis zotërve individuale dhe princat.
Në Shqipëri:
Ndërtime të mëdha mbrojtëse, të përbëra nga mure rrethuese të forta me kulla të larta dhe nga ndërtesa e mjedise të brendshme të nevojshme për jetesë e për t’u mbrojtur në rast lufte. Kështjellat e para në trojet shqiptare janë ngritur qysh në neolitin e vonë, rreth viteve 2800-2700 para lindjes së Krishtit. Në periudhën e bronxit, por sidomos në periudhën e hershme të hekurit ato patën përhapje më të gjerë. Njihen disa kështjella ilire si Rozafa  në Shkodër, Kështjella e Beratit, Lis, Bylis, Amanti, Butrint, Antigonë etj. Më pas, në shek. IV-VI të erës së re u ngritën kështjella edhe në zonat e ulëta dhe në vende strategjike si Kështjella e Durrësit, Kështjella e Gjirokastrës, Kështjella e Elbasanit e më vonë edhe Kështjella e Krujës. Edhe në mesjetë e deri në shek. XIX u ngritën dhe u rindërtuan shumë kështjella saqë ato i gjen tashmë në shumë zona të trojeve shqiptare. Këto kështjella janë një pasuri e madhe për kombin shqiptar. Ato tregojne për lashtësinë e tij në Ballkan, për artin e të ndërtuarit dhe për qendresën e tij në shekuj kundër armiqve që i janë kanosur. Kështjellat kanë vlera të mëdha kulturore dhe turistike.
Në Kosovë:Sipas Koha net: Duke qenë se emërtimin “Kosovë” e hasim edhe në disa vende, si në Dalmaci, Bosnjë e Maqedoni – në të vërtetë mu në pjesët ku ishte zhvilluar etnosi ilir – mendoj se ka prejardhje të njëjtë.Kështu, “Kosova Dalmatine” përmendet herët si “Campus Merularum” te kronika e Popit Duklanin e shekullit XII, pra e ka kuptimin e emrit “Fusha e Kosovës”, shkruan Enver Rexha në pjesën e katërt dhe të fundit të serisë mbi historiografinë për emrin Kosovë-Kosova të botuar në Shtojcën për Kulturë në Koha Ditore. Emri “Kosova” edhe në këtë dorëshkrim të shekullit XIII thuhet të ishte një term mbi bazën e gjuhës ilire. (“Kosova…”, M. Carabregu fq.18).60 kështjellat e shekullit VI.Autori Q. Namani na ofron të dhëna që fjala “Kas” nënkupton fjalën “Kështjellë”, me arsye se vendi kishte shumë kështjella gjatë historisë – vetëm në shekullin VI kishte 69 kështjella që i paraqet autori Prokopi i Cezares, dhe fjalën “ova” që nënkupton “fushë”. Këto dy fjalë përbëjnë sot në gjuhën shqipe emrin “Fusha e Kështjellave” – “Kasova”, që me një metatezë, ndërkohë, emri do të kalonte në formën e sotme “Kosovë/a”.Para përfundimit duhet të theksojmë që kërkimet e deritanishme në fushën e toponimisë brenda kufijve të sotëm të Kosovës dhe në kontest të kufijve historikë, të cilat i janë përshkruar Dardanisë antike, dëshmojnë për një numër të madh shtresash gjuhësore të saj, studimi i të cilave krijon pasqyrën e saktë të kulturës gjuhësore, etnografike e historike të vendit. Në fondin e përgjithshëm të toponimeve të Kosovës, dhe më gjerë të Dardanisë, që e përbën fondi i vjetër iliro-shqiptar, do të ndeshim dhe fondin e shtresimeve romake, bizantine, saksone e sllave gjatë mesjetës, osmane gjatë pesë shekujve, si dhe serbe në shekullin XX.
5.
Udhëtari dhe poeti Lord Bajrnoni  në vitin 1809 ishte mysafirë në kala. Në kullën jugperëndimore qysh nga koha e regjimit të shkuar u vendos një basoreliev me fjalët e poetit:O Shqipëri ku lindi Inskenderi/këngë e rinisë fanar i të urtëve. Shqipëri lejomë të kthej sytë e mi/Mbi ty o nënë e rreptë burrash…. Kulla jugperëndimore e Kalasë së Tepelenës .Aty gjendet basoreliv i Lord Bajronit i vendosur në murin e Kullës jugperëndimore të kalasë në sheshin Lord Bajron. Basorelievi është realizuar në bronz dhe vendosur gjatë periudhës së socializmit, në përkujtim të poetit dhe udhëtarit Lord Bajroni i cili e ka vizituar Tepelenën në vitin 1809. George Gordon Byron (1788 – 1824) Bajroni,ishte poet anglez. Bajroni, shkruajnë studiuesit e letrave, ishte përfaqësues i romanticizmit. Ai ka shkruar mjaft vepra letrare midis te cilave poemën Childe Harold’s Piligrimage (1812 – 1817). Kjo poeme është shkruar ne baze te përshtypjeve nga udhëtimet ne Spanje, Greqi, Shqiperi, Zvicer, Itali, etj.Për herë të parë në shqip ,poema ka ardhur nga, Skënder Luarasi.
”Shtegtimi i Çajld Haroldit” Lamtumirë, Atdheu im
O lamtumirë!
 Atdheu im Po zhduket dalëngadalë:
 Gjëmon stuhia me tërbim, Çaçri gërhet mbi valë;
 Pas diellit që po flakëron, Po nisemi të lirë; Dhe ty, si atij që perëndon,
 Atdhe, Natën e Mirë!
Kur nesër rishtaz ai diell Do lindë me shkëlqim,
Do përshëndesim det e qiell Po jo atdhenë tim,
Në vatrën time nuk ka zjarr,
 Nëpër avllit’ e forta Të kullës sime rritet bar, Imi qen po leh te porta.
“Ti pazh i vogël, pa m’u qas!
 Pse qan e po vajton? Mos të tremb deti me tallaz,
A shqota të tmerron? Pa fshiji lotët; anija jonë
 E shpejtë është dhe e fortë: Nuk ka skifter që fluturon
Më shpejt e më gazplotë”.
“Le të kanosen erë e det,
Nuk trembem nga asnjë shqotë;
 Po, zoti Çajld, mos u çudit
Që po më rrjedhin lotë; Prej babës e prej nënës ik,
 U ndava prej shtëpisë; Tani s’më mbetet asnjë mik, Veç teje e Prëndisë.
T’im at’ e pashë që duron, Kur më bekoi me mall;
Po nënën kush m’a ngushullon ,Gjer sa të kthehem gjallë!”-
 “Pusho, pusho ti djal’ i mirë! Të kanë hije lott; Po të isha vetë zemërdlirë, Nuk do t’i mbaja dot.
“M’u qas, m’u qas, ti trim besnik;
 Përse më qenke zverdhur? Mos trembesh nga një frëng armik,
 Apo nga det’ i ndezur?” – “Sër Çajld, nuk jam aq frikacak.
 As zverdhur jam prej frikë;
 Po kur kujtova gruan larg M’u zbeh faqja besnike.
Rron ime shoqe me tim bijë
Në kullë te këneta: Nd’e pyeçin ç’u bë babai,
Ç’t’u thotë nënë-shkreta?”
– “Pusho, trimi im, të mora vesh,
Ta njoha brengën tënde; Por unë zemër lehti qesh
Që shkoj nga këta vënde”.
Kush u beson psherëtimave
 Të femrës që mbush sytë? Ia than lotët qepallave
 Ndonjë dashnor i dytë.
S’qaj për gëzimet që humbas,
Rrezikun që më vjen;
 Po vetëm qaj se nuk lë pas Asnjë që lotn’ e vlen.
Në botë mbeta fill i mjerë,
Në detin pa kufi; Përse të qaj pra për të tjerë
– Për mua s’qau njeri. Do t’angullijë ndoshta sot
 Imi qen gjer sa të gjejë
Ushqim nga ndonjë tjetër zot; N’ u kthefsha do më shqejë.
Pra, mermë, o lundër, dhe vrapo
Në detin plot buçimë;
 Dhe shpjermë në çdo vend që do
, Veç jo në vendin tim! Të falem det i kaltr’ i zi!
 Dhe kur të shkel i lirë
 Në dhé, të falem, shkretëti! Atdhe, Natën e Mirë!

Filed Under: Reportazh Tagged With: Gezim Llojdia, Kalaja e Tepelenes

Shqipëria 104 vjet Pavarësi-Kosova feston 28 Nëntorin

November 28, 2016 by dgreca

28-nentor-kosove-han-i-elezit-Kryeqyteti Prishtina dhe qytetet tjera tradicionalisht në 17 vitet e lirisë e 8 vitet e pavarësisë së Kosovës mbushen plot valime flamujsh kuqezi dhe njerëz në festën e madhe në sheshe edhe me koncerte, me buçitje daullash si në dasma/

festa-28-nentor_blej-shqip-prishtine-27nentor2016

-Në Prishtinë sot u hap panairi “Blej Shqip”, ku gjatë tre ditëve ekspozojnë mallra mbi 100 biznese nga të gjitha trevat shqiptare/0

-Forca e Sigurisë së Kosovës festoi “Ditën e Forcës” – 27 Nëntorin/

OLYMPUS DIGITAL CAMERA
-Pjesë e festimeve të 28 Nëntorit është edhe përkujtimi i demonstratave shqiptare 1968, ku parulla qendrore ishin: “Republikë-Kushtetutë”, “Vetëvendosje”, “Kosovë-Shqipni, jemi nji”… Një nga kërkesat  e demonstratës studentore e gjithëpopullore të zhvilluar në kryeqytetin e Kosovës  ishte ajo për  Universitetin e Prishtinës, i cili më pas është themeluar me ligjin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës në 18 nëntor 1969/

demontrata-prishtine-27-nentor-1968

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

festa-28-nentor_blej-shqip-prishtine-27nentor2016-1

PRISHTINË, 27 Nëntor 2016/ Kosova po feston 28 Nëntorin – Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë dhe të Flamurit Kombëtar Shqiptar, e cila është ditë pushimi me vendim të veçantë të Qeverisë.Kryeqyteti Prishtina dhe qytetet tjera tradicionalisht në 17 vitet e lirisë e 8 vitet e pavarësisë së Kosovës mbushen plot valime flamujsh kuqezi dhe njerëz në festën e madhe në sheshe edhe me koncerte, me buçitje daullash si në dasma.Në Prishtinë sot u hap panairi “Blej Shqip”, ku gjatë tre ditëve ekspozojnë mallra mbi 100 biznese nga të gjitha trevat shqiptare.

festa-28-nentor_blej-shqip-prishtine-27nentor2016-2

Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes e Republikës së Shqipërisë është bashkëorganizatore me komunën e Prishtinës dhe  hapjen zyrtare e bënë ministrja shqiptare Milva Ekonomi dhe drejtori i Planifikimit Strategjik dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm në Komunën e kryeqytetit të Kosovës, Genc Bashota.Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës, Hykmete Bajrami, priti sot në takim Ministren e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes së Shqipërisë, Milva Ekonomi. Pjesëmarrës në takim ishte edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi. Ministrja Bajrami i uroj ministres Ekonomi dhe ambasadorit Minxhozi 104 vjetorin e Pavarsisë së Shqipërisë duke theksuar se kjo është festë e jona e përbashkët.Ndërsa, ministrja e Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, Mimi Kodheli, në Prishtinë vizitoi Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, e cila festoi edhe “Ditën e Forcës” – 27 Nëntorin.Shqipëria do të angazhohet konkretisht të ndihmojë Forcën e Sigurisë së Kosovës në procesin e transformimit në Forcë të Armatosur të Kosovës, theksoi ministrja Kodheli.E pritur nga ministri për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, ajo  tha se Shqipëria do të ndihmojë FSK-në dhe Kosovën  për  integrime euroatlantike si dhe  në axhendat dhe procedurat aplikuese që edhe Kosova të jetë pjesë e Kartës së Adriatikut A-5.Po ashtu, ministrja Kodheli shprehi  mundësinë e  trajnimeve të  pjesëtarëve të FSK-së në Qendrën e Trajnuese të Ekselencës së NATO-s që do të ngritet në Shqipëri.

28-nentor-qemal-minxhozi

Në qytetin më të madh lindor, Kuvendi Komunal i Gjilanit ka mbajtur të premten pasdite një seancë solemne për nder të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, ku ka marrë pjesë edhe Mimi Kodheli, ministre e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë, e shoqëruar nga ambasadori shqiptar në Kosovë, Minxhozi.Ministrja Kodheli, e pritur nga kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, pas seancës solemne ka vizituar ekspozitën tematike për nder të Ditës së Flamurit, në Galerinë e Arteve Pamore si dhe ka ndjekur shfaqjen e Trupës së Baletit Kombëtar “Xhulieta pa Romeon”, në Teatrin  e Qytetit të Gjilanit, pjesë e axhendës së festimeve treditëshe.

Qyteti i Pejës, më i madhi perëndimor,  është i pari në Kosovë që hapi festimet e 104 vjetorit të pavaresisë së Shqipërisë.  Komuna e Pejës në bashkëpunim me Ambasaden e Shqipërisë në Kosovë dhe Universitetin “Haxhi Zeka” kanë organizuar aktivitetet “Java e Nëntorit” për nder të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit.Në sheshin e Heronjve në qendër të Pejës në prani të shumë qytetarëve pejanë, ambasadori shqiptar Minxhozi dhe kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, kanë bënë ngritjen simbolike të Flamurit Kombëtar.

Në qytetin më të madh verior të Kosovës, Mitrovicë, Ambasada e Shqipërisë në bashkëpunim me Komunën e Mitrovicës organizuan veprimtari në kuadrin e 104 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Në aktivitetet festive mori pjesë edhe ambasadori shqiptar Minxhozi, i cili vizitoi edhe Kullën e heroit kombëtar, Isa Boletini. Me këtë rast u theksua se, Mitrovica gjithmonë ka qenë e njohur për figura të shquara që kanë bërë shumë për kombin. Në komunën e Hanit të Elezit, në rajonin më jugor, po ashtu  në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Kosovë u festua 28 Nёntori me pjesëmarrje edhe të ambasadorit shqiptar Minxhozi dhe kryetarit të komunёs, Rufki Suma.

Edhe në qytetet e lokalitetet e tjera të Kosovës me ngritje të mijëra flamujëve kombëtarë shqiptarë dhe shumë veprimtari festohet 28 Nëntori.

Në Kosovë 28 Nëntori i Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditë e Flamurit Kombëtar është festuar tradicionalisht edhe kur ishte e ndaluar, e tash festohet edhe për Pavarësinë e Kosovës të shpallur në 17 Shkurtin historik 2008 – plotësim i Pavarësisë Shqiptare të shpallur në Vlorë në 12 Nëntor 1912.

Në Kosovë, pjesë e festimeve të 28 Nëntorit sot është edhe përkujtimi i demonstratave shqiptare të para 48 viteve. Në 27 Nëntor 1968, në prag të Festës së Ditës së Flamurit e të Pavarësisë së Shqipërisë, në Prishtinë marshi i  fillimtarëve të demonstratës (ndër të cilët ishte edhe korrespondenti juaj  – i Gazetës DIELLI, atëherë nxënës i vitit të tretë të Shkollës Normale, e cila zgjaste pesë vite) nisi në orët e pasditës nga Fakulteti Filozofik (tash Fakulteti Filologjik), dhe më pas deri natën vonë u mbushën përplot demonstrues rrugët dhe sheshet e kryeqytetit të Kosovës. Aty ku nisi marshimi tash është një nga sheshet e Prishtinës -Sheshi i Demonstratave.

Kronistët kanë shënuar në faqe historie se, në vitin 1968, pas demonstratave të organizuara në 6 Tetor në Prizren, në 8 Tetor në Suharekë dhe në 19 Tetor në Pejë, në  27 Nëntor rinia, studentët dhe nxënësit, shqiptarët, demonstruan në Prishtinë, Gjilan, Podujevë e Ferizaj dhe në 22 e 23 Dhjetor në Tetovë. Parulla qendrore të këtyre demonstratave ishin: “Republikë-Kushtetutë”, “Vetëvendosje”, “Kosovë-Shqipni, jemi nji”…

Në demonstratën në Prishtinë  pati një të ri demonstrues të vrarë, ra nxënësi  Murat Mehmeti, u plagosën shumë demonstrues, u dënuan mbi 100 veta.

Një nga kërkesat  e demonstratës studentore e gjithëpopullore të zhvilluar në kryeqytetin e Kosovës  ishte ajo për  Universitetin e Prishtinës, i cili më pas është themeluar me ligjin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës në 18 nëntor 1969. Kuvendi themelues i Universitetit është mbajtur në 13 shkurt 1970, ndërsa mbledhja solemne e tij dy ditë më vonë,  në 15 shkurt, dhe kjo datë është shpallur Dita e Universitetit të Prishtinës, i cili tash është një nga universitetet  publike të shtetit të Kosovës.

“Demonstratat e 1968-s u ideuan në ‘Universitet’ dhe e bënë Universitetin”, përkujton në këtë përvjetor në shtypin kosovar Prof. Dr. Murat Blaku, i cili ishte profesor në Degën e Gjuhës Shqipe në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës.

“Demonstratat shqiptare të 27 nëntorit të vitit 1968 në Kosovë, s’kishin asnjë lidhje me demonstratat e Evropës e të Beogradit, as ideore e as konceptuale. Ato ishin krejt autoktone, origjinale dhe me karakter të theksuar kombëtar”, vlerëson ai.Përkujton edhe se, prijësit e demonstratave morën shumë vjet burg, ndërsa disa nga mësimdhënësit universitarë hynë, për të mos dalë asnjëherë, në listat e zeza të Partisë-shtet e të policisë sekrete. Qeveria e Kosovës në mbledhjen e kësaj jave ka marrë vendim që dita e festës së 28 Nëntorit të jetë ditë pushimi, pasi ende nuk është me ligj.Ligji për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, i miratuar në Kuvend në 21 maj 2008, ditën e 28 Nëntorit e përcakton si “Dita e shqiptarëve”- një nga “ditët memoriale”  e jo si një nga festat zyrtare, kur pushohet. Dekretimi i  këtij ligji si dhe i 40 ligjeve tjera të  dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet e ditës së 15 qershorit 2008 të hyrjes në fuqi të Kushtetutës, e cila është miratuar nga Kuvendi  para 8 vitesh në 9 prill, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: Behlul Jashari, Feston Kosova, Pavaresia e Shqiperise

Kosovë-28 Nëntori festohet në Boletin

November 28, 2016 by dgreca

0-Kosova feston 28 Nëntorin, manifestim edhe në Kullen e heroit të Pavarësisë së Shqipërisë Isa Boletini/

1-kulla

-Edhe sot, si përgjithmonë, përkujtohet se në Vlorë, bashkëluftëtarët e Isa Boletinit përbënin forcën e parë ushtarake të Qeverisë së parë shqiptare të kryesuar nga kryetari i saj Ismail Qemali, themeluesi i shtetit shqiptar, firmëtari i parë i Deklaratës së Pavarësisë Shqiptare/

PRISHTINË, 28 Nëntor 2016-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Në Kosovë, një nga manifestimet e festës më të madhe të gjithë kombit – 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe  Flamurit Shqiptar,  po mbahet në Boletin, vendin e lindjes

0-2e Kullën në rajonin e Mitrovicës në veri të Kosovës, prej nga para 104 viteve heroi Isa Boletini me 400 bashkëluftëtarët e tij shkoi në Vlorë në krah të Ismail Qemalit për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.Edhe sot, si përgjithmonë, përkujtohet se në Vlorë, bashkëluftëtarët e Isa Boletinit përbënin forcën e parë ushtarake të Qeverisë së parë shqiptare të kryesuar nga kryetari i saj Ismail Qemali, themeluesi i shtetit shqiptar, firmëtari i parë i Deklaratës së Pavarësisë Shqiptare.Manifestimi në Boletin mbahet nën patronatin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli. Kryeparlamentari Veseli ka thënë se sot është një ditë e madhe për kombin tonë, Dita e Flamurit Kombëtar.Sot, sipas Veselit, zemrat e të gjithë shqiptarëve, kudo që janë, rrahin njësoj.”Për një shekull rresht e kemi festuar këtë ditë të madhe, me sy dhe zemër nga Vlora. Sot kësaj feste i shtohet dimensioni i munguar për 100 vjet. I shtohet Boletini, vendlindja e heroit kombëtar Isa Boletinit”, ka thënë kryeparlamentari Veseli.Kreu i Kuvendit ka thënë se në fillim të shekullit 20, kodrës së Boletinit i ngjiteshin sa e sa burra.“Vinin nga të katër anët e Kosovës”, ka thënë Veseli.“Vinin për të kuvenduar me tribunin popullor për fatet e atdheut, në një kohë të zymtë dhe plot rreziqe për kombin”, ka shtuar ai.Kryeparlamentari Veseli ka thënë se ne e dimë, që ata bënë më të mirën për vendin e tyre, edhe pse rrethanat e kohës ishin shumë të vështira.“Sot, ne ngjitemi përsëri kësaj kodre, për të nderuar kujtimin e tyre”, ka thënë kryeparlamentari Veseli.Ai ka thënë se vijmë, njëkohësisht, në këtë vend të shenjtë për kombin tonë, që të shprehim vullnetin dhe përkushtimin e qytetarëve tanë, përkushtimin e shtetit tonë, Republikës së Kosovës, për paqe dhe fqinjësi të mirë me të gjithë fqinjët tanë, për bashkëpunim dhe respekt reciprok, si dhe për demokraci dhe ecje të përbashkët në rrugën e integrimit evropian.Kreu i Kuvendit ka thënë se sot sfidat tona nuk janë më sfida të luftës, por të paqes.“Janë sfida për ta forcuar shtetin e së drejtës dhe për ta zhvilluar ekonominë prodhuese. Janë sfida për ta zhdukur varfërinë dhe papunësinë nga familjet tona dhe për t’u krijuar perspektivë të sigurt shkollimi dhe punësimi, në vendin e tyre, të rinjve tanë. Janë sfida për ta bërë të begatshme Kosovën dhe jetën e qytetarëve në jug dhe veri, në lindje dhe perëndim të saj”, ka thënë kreu i Kuvendit, Kadri Veseli.Në këtë ditë festive, nga ky vend i nderit dhe sakrificës, Veseli ka thënë se Republika e Kosovës është shtet i barabartë për të gjithë qytetarët e saj, pavarësisht dallimeve që ata kanë në etni, religjion apo shoqëri.“Sot, ndokush pretendon të vendosë kundërshti në mes identitetit shtetëror të Kosovës dhe identitetit kombëtar. Dikush flet edhe për përçarje flamujsh apo datash historike. Por, e kanë gabim. Të tillët vetëm tregojnë se sa pak e njohin historinë dhe sa të paqartë e kanë të ardhmen”, ka thënë kryeparlamentari Veseli.Kreu i Kuvendit ka thënë se forcimi i identitetit shtetëror të Kosovës është begatim i identitetit kombëtar.“Është njëkohësisht fuqizim i paqes, sigurisë, stabilitetit dhe demokracisë në rajonin tonë. Është përmbushje e idealit për të cilin luftoi gjithë jetën tribuni popullor Isa Boletini, por edhe brezat që erdhën pas tij, deri tek Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe komandanti legjendar i saj, Adem Jashari”, ka thënë kryeparlamentari Veseli.Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se kujtimi për bacën Isë dhe veprën e tij në shërbim të atdheut do të jetë i paharruar.

Filed Under: Reportazh Tagged With: 28 nentori ne Kosove, Behlul Jashari, Festohet, Kadri Veseli, ne Boletin

Kosovë-28 Nëntori ende “ditë memoriale”….

November 23, 2016 by dgreca

-…pushim me vendim të qeverisë/

-Qeveria e Kosovës njëzëri ka aprovuar propozimin e kryeministrit Isa Mustafa që me rastin e 28 Nëntori të jetë ditë pushimi në Kosovë, në mënyrë që t’iu mundësohet qytetarëve që të shënojnë këtë ditë/

-Qeveria 2 javë para 2 vjetorit  zhvillon mbledhjen e 117-të, ku vendosi ndryshimin dhe plotësimin e Programit Legjislativ të vitit 2016/2-prizren-11janar2014-foto-behlul-jashari-1

3-prishtine-3-qershor-2016-foto-behlul-jashari-1

– Kabineti qeveritar miratoi edhe vendimin për bartjen e Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës nga Zyra e Kryeministrit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit/

1-qeveria-kosove-16-nentor-2016

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

PRISHTINË, 23 Nëntor 2016/ Qeveria e Kosovës sot ka marrë vendim që dita e festës së 28 Nëntorit të jetë ditë pushimi, pasi ende nuk është me ligj.“Qeveria e Kosovës njëzëri ka aprovuar propozimin e kryeministrit Isa Mustafa që me rastin e 28 Nëntori të jetë ditë pushimi në Kosovë, në mënyrë që t’iu mundësohet qytetarëve që të shënojnë këtë ditë”, theksohet në njoftimin e dërguar.Ligji për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, i miratuar në Kuvend në 21 maj 2008, ditën e 28 Nëntorit e përcakton si “Dita e shqiptarëve”- një nga “ditët memoriale”  e jo si një nga festat zyrtare, kur pushohet.Dekretimi i  këtij ligji si dhe i 40 ligjeve tjera të  dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet e ditës së 15 qershorit 2008 të hyrjes në fuqi të Kushtetutës, e cila është miratuar nga Kuvendi  para 8 vitesh në 9 prill, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.Në Kosovë 28 Nëntori i Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditë e Flamurit Kombëtar është festuar tradicionalisht edhe kur ishte e ndaluar, e tash festohet edhe për Pavarësinë e Kosovës të shpallur në 17 Shkurtin historik 2008 – plotësim i Pavarësisë Shqiptare të shpallur në Vlorë në 12 Nëntor 1912.Në 7 maj të vitit 2015, në Kuvendin e Kosovës, në pasditën e ditës së dytë të punimeve të seancës plenare treditëshe, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, pas debatit e shtyrjes së votimit, u hodh në votim, por nuk kaloi.

U votua derisa në sallë ishin 72 deputetë, nga të cilët 50 ishin pro, 20 kundër e 2 abstenuan, ndërsa për t’u miratuar duheshin së paku 61 vota të Kuvendit 120 anëtarësh, nga të cilat së paku 11 nga 20 deputetët e komuniteteve pakicë.Më herët, në punimet e paraditës së seancës së Kuvendit, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës nuk u hodh në votim sikur edhe pasditen e një dite më parë pas shqyrtimit të parë, pasi nuk kishte kuorum.“Pse nuk po votohet, të thuhet publikisht e vërteta, le të dihet”, pyeste dhe kërkonte përgjigje Lëvizja Vetëvendosje – subjekti më i madh opozitar.

Pas kësaj pyetje, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli,  përgjigjej se,  “duke u bazuar në nënin 81, amendamenti 2, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, për miratimin, ndryshimin ose shfuqizimin e ligjeve me interes vital, kërkohet vota e shumicës së deputetëve të Kuvendit dhe  shumicës së deputetëve të Kuvendit të cilët mbajnë vendet e garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve që nuk janë në shumicë”.“Kjo ishte edhe aryeja, pasi nuk kishim asnjë përfaqësues të Listës Serbe, pse nuk e proceduam sot votimin”, shtonte kryeparlamentari kosovar gjatë punimeve të paraditës të seancës së Kuvendit të Kosovës në 7 maj të vitit të kaluar.Gjatë debatit në punimet e  seancës plenare të Kuvendit, shumë nga deputetët kërkonin që 28 Nëntori të jetë festë zyrtare në Republikën e Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa,  zhvilloi sot mbledhjen e 117-të të rregullt, të 49-ën në 2016-tën. Që nga 9 tetori i këtij viti Lista Serbe ka njoftuar “ngrirjen” e pjesëmarrjes në qeverinë e Kosovës, ku përfaqësohet me një zëvendëskryeministër e dy ministra, dhe vazhdon me mungesat në mbledhje si kundërshtim miratimit të Ligjit për Trepçën.

Pika e parë që mori mbështetjen e qeverisë në mbledhjen e sotme ishte vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Programit Legjislativ të vitit 2016 të qeverisë së Republikës së Kosovës, përmes të cilës parashihet ndryshimi i afatit kohor për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim dhe për Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit. Ndërsa u propozua që të tërhiqen këtë vit nga plani legjislativ këto ligje: Ligji për Konfliktet Administrative; Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Shërbyesit Civilë; Projektligji për Administratën Shtetërore; Projektligji për Pagat që realizohen nga Buxheti i Republikës së Kosovës; Projektligji për Fondet Investive, Inspektoratin e Doganës dhe Administratës Tatimore si dhe Projektligjin për Ndryshimin e Kodit Doganor.

Në mbledhje u tha se, pas bisedimeve që janë zhvilluar, Projektligji për Pagat mund të procedohet këtë vit, u bë ftesë që të përgatit sa më shpejtë që është e mundur dhe u paralajmërua se do të quhet projektligj për pagat në sektorin publik.

Kabineti qeveritar miratoi edhe vendimin për bartjen e Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës nga Zyra e Kryeministrit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Qeveria e Kosovës, e koalicionit të dy partive më të madha, PDK e LDK, ku përfshihen edhe parti të vogëla dhe minoritetet, pas pak më shumë se dy javësh mbushë dy vjet të punës që nga zgjedhja në 9 dhjetor 2014 në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit.

Dy muaj para përfundimit të këtij viti, në 31 tetor, qeveria ka proceduar Projektligjin për buxhetin e shtetit të Kosovës për vitin 2017, ku është paraparë një buxhet zhvillimor prej mëse 2 miliardë euro, por ky projektligj ende nuk është në axhendë seance plenare të Kuvendit, i cili do mblidhet në seancë të re në 30 nëntor, sipas vendimit të mbledhjes së  Kryesisë me shefat e grupeve parlamentare, të mbajtur në mbrëmjen e 17 nëntorit pas tre takimeve me mungesa kuorumi. Kryesia u mblodh në fund të ditës kur në Kuvendin e Kosovës punimet e  vazhdimit të seancës plenare të 28 tetorit, të ndëprprerë në mungesë kuorumi, janë përmbyllur përsëri me mungesë kuorumi.

Të hënën e 21 nëntorit edhe mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa u ndërpre në mungesë kuorumi. Propozimi i kryetarit të Komisionit për Buxhet dhe Financa, Naser Osmani, që Projektligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2017 të hiqet nga rendi i ditës dhe të shqyrtohet në një nga mbledhjet e radhës, bëri që përfaqësuesit e opozitës në Komision të braktisin mbledhjen. Në këtë mbledhje nuk ishin të pranishëm përfaqësuesit e koalicionit qeverisës nga PDK.

 

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: 28 nentori, Behlul Jashari, dite memoriale, pushim nga qeveria

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 126
  • 127
  • 128
  • 129
  • 130
  • …
  • 192
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VINÇENC PRENNUSHI – NJË JETË MES FJALËS, BESIMIT DHE LIRISË
  • Kur Kristo Dako dhe Mihal Grameno i kërkuan Wilsonit të mbronte Shqipërinë
  • Demografia dhe gjeopolitika e Vilajetit të Kosovës në prag të Konferencës së Paqes në Paris (1919)
  • Triumfi kujtesës mbi diktaturën
  • Një mundësi e shkëlqyer për fëmijët shqiptarë
  • NËNË TEREZA, SIMBOLI I BASHKIMIT TË SHQIPTARËVE
  • “Memorandumi i SANU-së dhe projekti serbomadh: Doktrina ideologjike, luftërat shkatërruese dhe çështja e Kosovës”
  • “Shqipëria ka qenë toka e njeriut të lirë… e njeriut të ashpër dhe zemërmirë…”
  • FROM GONXHE OF SKOPJE TO THE UNIVERSAL MOTHER TERESA
  • “NJË ÇARJE NË PERDEN E SHQIPËRISË”
  • 𝐑𝐞𝐳𝐨𝐥𝐮𝐭𝐚 𝟓𝟐𝟐 – 𝐊𝐮𝐫 𝐊𝐨𝐧𝐠𝐫𝐞𝐬𝐢 𝐀𝐦𝐞𝐫𝐢𝐤𝐚𝐧 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐨𝐢 𝐒𝐤𝐞̈𝐧𝐝𝐞𝐫𝐛𝐞𝐮𝐧: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐤𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞̈𝐫𝐢𝐧𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩𝐞̈𝐧
  • KUR POLITIKA E DITËS E BLLOKON SHTETIN
  • Join us as we celebrate the 7th Anniversary of Albanians Fighting Cancer USA!
  • Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi
  • 10 VITE NGA SHENJTËRIMI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT