• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Zbulohet misteri i fshati “Zvicra”, ndërtuar në malet e Leskovikut

April 26, 2015 by dgreca

Nga Vepror Hasani/
Deri më sot askush nuk dinte të thoshte ndonjë gjë për fshatin me emrin “Zvicra” të ngritur nga britanikët pranë fshatit Radanj në thellësi të maleve të Leskovikut, këtu e 88 vjet më parë. Askush nuk dinte të thoshte kush ishin banorët e këtij fshati dhe ku gjenden sot ata vallë. Shumë prej banorëve të kësaj zone e kanë lënë fshatin e tyre dhe kanë ngritur shtëpi diku tjetër nëpër Shqipëri, ose kanë emigruar në vende të largëta. Familja që nuk tundet prej andej është ajo e Baki Hysës. Por edhe ata, me të cilët mundëm të komunikonim, ngrinin supet dhe thoshin: Nuk kemi dëgjuar ndonjëherë për këtë fshat me emrin “Zvicra”. Ishin të gjithë të rinj. Pastaj na pyesin: Po pse e ngritën britanikët këtë fshat në një vend kaq të vështirë për të jetuar? A nuk mund t’i çonin dot në qytetin e Leskovikut apo në Korçë? Mos vallë kanë dashur që ata njerëz t’i fshihnin diku që askush të mos i gjente dot? Banorët e mbetur në fshatin e vogël Radanj, bëhen kureshtarë dhe ngrehin një mijë pyetje, por nuk mund të marrin dot asnjë përgjigje. Deri më sot ne kishim pak, shumë pak informacion, çfarëdo që mund të thoshim, nuk mjaftonte. Dikush nga banorët e Rdanjit, pasi rri një çast i menduar, ngre zërin dhe na thotë: Mos vallë kanë qenë gjyshërit tanë dhe britanikët i sollën për të jetuar këtu? Ndoshta, mund të ketë qenë edhe kështu, por dikush duhej të kishte dëgjuar së paku për këtë histori. Për më tepër që të gjithë i mundonte pyetja, pse këtë fshat e quajtën “Zvicra”. Nga informacioni që kemi, dimë diçka me saktësi: ata ishin emigrantë.

Vjeshtë e vitit 1927
Duhet të ketë qenë vjeshtë e vitit 1927 kur një grumbull njerëzish, burra, gra, fëmijë, nëna që mbanin foshnja në krah, të moshuar, disa krejt të rraskapitur, u panë të kalonin nëpër përrenjë, duke u përpjekur të ngjiteshin rrëpirave përmes rrugëve ku mund të kalonte vetëm dhia, për të mbërritur diku, ku u ishte premtuar një copë truall. Atje do të ngrinin shtëpinë e tyre, do të merrnin nga një pendë qe për të lëruar tokën e të mbillnin farën e misrit për të prodhuar bukën e tyre të përditshme. Gjithsej ishin 20 familje. Ende nuk e dinim ku kishin jetuar më parë këta njerëz, përse kishin mbetur pa shtëpi? Kush i kishte përzënë vallë nga trojet e tyre? Mos ndoshta vinin nga Greqia apo nga ndonjë vend tjetër edhe më i largët? Ishin shqiptarë apo të huaj? Gjithë pasuria e tyre, tashmë ishte katandisur në disa çanta që ata i mbanin mbi shpinën e kërrusur nga lodhja. Asgjë nuk u kishte mbetur nga gjithçka që kishin patur. Tashmë ata ishin shndërruar në njerëz për të cilët thuhet shprehja: “të mbetur mes katër udhëve”, por në të vërtetë ata kishin mbetur mes ca maleve që vetëm rrugë nuk kishin. Edhe shtigjet i kishin të frikshme. Shpresonin shumë ta nisnin jetën edhe një herë nga e para, duke u munduar të harronin gjithçka që u kishte ndodhur. E ndalnin herë pas herë udhëtimin e tyre, për t’u çlodhur sado pak, sa herë që gjenin një vijë uji apo burimi, ku të vegjlit njomnin buzën me ujë dhe i luteshin Zotit pa pushim që t’i ndihmonte. Ata ende nuk e dinin si do të ishte vendi që u ishte premtuar. Ende nuk e kishin menduar si do ta quanin fshatin që do të ngrinin. Që vendbanimi i tyre të do të quhej Zvicër nuk e kishin menduar kurrë. Për të gjitha këto do të fillonin të mendonin më pas.

Britanikët
Vargu i gjatë i 20 familjeve shoqërohej nga disa njerëz të huaj. Ishin britanikë, anëtarë të një shoqërie bamirëse. Ata kishin marrë përsipër që në këto ditë të vështira, t’u gjendeshin pranë. Thuhej se fatkeqësinë e 20 familjeve e kishin marrë vesh edhe shoqëri të tjera bamirëse që gjendeshin në vendet më të largëta të globit. Fjala “emigrant” ka fuqinë të shpërhapet vetiu gjithandej dhe të ngjallë keqardhje te njerëzit. Ndoshta kjo ndjesi vjen nga thellësia e shekujve. Njeriut i është dashur kohë pas kohe të jetë emigrant në kërkim të një toke që jep shpresë. Madje njeriu ka lindur emigrant, i duhet të mërgojë nga një botë të një tjetër. Dhe sado i madh të jetë planeti ynë, gjithnjë gjendet dikush që loton për hallin e tjetrit. Shoqëria britanike që po u ofronte ndihmë, drejtohej nga një njeri i quajtur Herbert William Sams. Emigrantët fatkeqë besonin te ky njeri. Ai i njihte mirë hallet e tyre. Bashkë kishin kapërcyer shtigje të panjohura dhe humnera të frikshme. Tashmë nuk u duhej edhe shumë kohë që të mbërrinin. Pas një udhëtimi të gjatë, kur të gjithëve u dukej sikur nuk do të mbaronte kurrë, ata u gjendën te vendi ku do të ngrinin banesat e tyre. Që të gjithë qëndruan një çast më këmbë, vështruan rreth e rrotull gjithë kërshëri, pastaj nisën të ulen njëri pas tjetrit me një ufff, që u dilte nga shpirti i lodhur, të shoqëruar nga fjalët: “Më në fund mbërritëm!” Aty ku njeriu ka mundesinë të çlodhet, edhe sikur gjithçka të jetë skëterrë, ka dëshirën të qendrojë për të lehtësuar shpirtin e rënduar nga halli që u ka pllakosur. Kështu po ndodhte edhe me këta njerëz të pafajshëm. Gjithsesi edhe për ta ishte parashikuar një surprizë

Mbërritja
Ata u ndjenë të lehtësuar, kur panë se dikush kishte nisur të ngrinte disa ndërtesa që, ata t’i gjenin gati kur të mbërrinin. Kjo e lehtësoi shumë shpirtin e tyre. Dikujt i rrëshqiti një pikë loti. Mikpritja ka vlerat e një thesari, veçanërisht kur u ofrohet njerëzve të pashpresë. Nuk e besonin dot, nëse ato banesa ishin për ta, ose jo. “Për ne janë ngritur këto shtëpi?”- ishte pyetja e tyre. Para se të mbërrinin aty, drejtuesi i shoqërisë bamirëse britanike, Herbert William Sams kishte patur bisedime edhe me qeveritarët e vendit. Qeveria shqiptare e kishte garantuar zotin Sams se do të bënte gjithçka për të ndihmuar 20 familjet, madje do t’u siguronte edhe bukën. “ Po ,- u përgjigj Herbert William Sams,- këto do të jenë shtëpitë tuaja”. Dhe kur gjithkush prej familjeve hyri në banesën e vet, z Sams nisi t’u shpërndante një sasi misri. Drejtori i shoqërisë bamirëse kishte patur takim edhe me prefektin e Korçës, z. Zef Kadarja. Edhe prefektura e Korçës do të ofronte ndihmën e vet. Ai u bëri të ditur se shumë shpejt në këtë vend të largët mes maleve të Leskovikut do të vinte vetë edhe prefekti i Korçës që t’i shihte nga afër familjet e emigrantëve dhe të njihej me ta. Ata nuk duhej të ndiheshin kurrsesi të vetmuar. Që të gjitha këto i gjejmë të publikuara te gazeta “Zëri i Korçës”, e shtunë, 12 nëntor 1927, ku thuhet: “Sikundër dihet në katundin Radanj të nënprefekturës Leskovik, janë instaluar prej shoqërisë mirëbërëse britanike 20 familje emigrantësh. Shoqërisë në fjalë, i qenë dorëzuar 5.180 killo misër, të cilën e përndau nëpër familjet e përmendura. Pas ftimit (ftesës) të Drejtorit të Shoqërisë Britanike, z. Herbert William Sams, vajti para pak kohësh në katundin Radanj titullari i kësaj prefekture, Zef Kadarja, i cili konstatoi se të gjithë emigrantët janë instaluar mjaft mirë nëpër shtëpitë e ngrehura për ta. Për ngritjen e këtyre shtëpive kishte kontribuar misioni britanik.

Emigrantët kërkojnë ndihmë
Që pas asaj dite, ato 20 familje nisën jetën e tyre atje në thellësi të maleve të Leskovikut. Ka mundësi që ata të kenë qenë banorë të ndonjë fshati, blegtorë ose bujq. Kur nuk kishin vetëm disa ditë që kishin mbërritur aty, ata i kërkuan prefektit të Korçës që të ndihmonte çdo familje me një pendë qe. Kërkesa e tyre nuk u refuzua, madje u bënë përpjekje që gjithçka të realizohej sa më parë që të ishte e mundur. Të paktën kështu shkruante gazeta e cituar më sipër: “Tani mësojmë se emigrantët kanë nevojë për qe të lerojnë tokat e tyre dhe për këtë prefektura kërkoi nga Ministria e Punëve të Brendshme çeljen e një kredie”. Kërkesa u realizua mjaft shpejt. Tashmë emigrantët kishin filluar të ndiheshin më të qetë. Kishin filluar të besonin se edhe atje në grykat e maleve mund të ndërtohej jeta. Megjithatë, pwr ne gjithçka vazhdonte të ishte e mbuluar nga misteri. Shtypi i kohës nuk jepte shumë informacion. Ndaj edhe ne, ende nuk dinim nga ç’vend vinin dhe cilat ishin arsyet që i detyruan të emigronin drejt Leskovikut. Ishin shqiptarë apo të huaj. Gjithsesi, duke kërkuar vazhdimisht në faqet e shtypit të kohës, arritëm të mësojmë diçka më shumë. Ato 20 familje i përkisnin besimit mysliman. Me të mbërritur në Radanj, ose më saktë pranë këtij fshati, ata kërkuan që t’u vihej në dispozicion një imam që t’u drejtonte lutjet në xhami. Ishin që të gjithë besimtarë. E njëjta gazetë shkruante: “Gjithashtu këta (emigrantë) kanë shfaqur dëshirën e emërimit të një imami, i cili të bëjë dhe detyrën e mësuesit, mbasi shoqëria mirëbërse u ka meremetuar dhe xhamin pranë së cilës ndodhen dy dhoma të përdorshme për shkollë”. Drejtori i shoqërisë bamirëse britanike, vazhdonte të qëndronte ashtu si edhe më parë pranë tyre. Nga gazeta “Zëri i Korçës” mësojmë se, “më 6 të këtij muaji (nëntor 1927), z. Herbert Sams me gjith personelin e tij shkoi për në Greqi. Në këtë rast, prefekti i paraqiti në emër të qeverisë falenderjet dhe mirënjohjen për veprimet e tyre mirëbërëse”. Sipas të gjitha gjasave, britanikët i ndihmuan këto familje për një kohë mjaft të gjatë

Pse fshati i tyre u quajt Zvicër
Gjithçka duket e çuditshme, madje krejt e pabesueshme ajo që ndodhi më pas. Historia e 20 familjeve të emigrantëve (të cilën mundëm ta zbulojmë pak ditë më parë), duket se ishte përhapur mjaft shpejt në shumë vende të botës, madje kishte mundur të mbërrinte deri në Zvicër. Disa zonja zviceriane kishin mbetur të mahnitura nga historia që kishin dëgjuar për këto familje që ishin ndihmuar nga shoqëria bamirëse britanike. Ishin drithëruar nga tregimet e tyre. Duket se ngjarja nuk ka qenë aspak e zakontë. Ndaj edhe ato kishin vendosur t’i ndihmonin emigrantët e ardhur në Radanj me gjithçka mundnin. Nuk dimë saktësisht se çfarë ndihmash dërguan, sa ishte vlera e tyre, por gjithçka është e kuptueshme. Ndihma e zonjave duhet të ketë qenë e veçantë. Banorët kishin mbetur të mahnitur nga ato që u ishin dërguar. Vlera duhet të ketë qenë tepër e madhe. Në jetën e banorëve duhet të ketë ndryshuar diçka. Ndoshta ata e kanë ndier veten si në Zvicër. Çfarë u ishte dhuruar vallë? Pak rëndësi ka. Ato zonja kishin ofruar shpirtin e tyre të madh, ndaj kujtohen edhe sot e kësj dite. Lajmi ishte përhapur cep më cep të Leskovikut për gjithçka kishin bërë zonjat zviceriane. 20 familjet e emigrantëve nuk dinin si t’ua shpërblenin. Vendosën që fshatin e tyre ta quanin Zvicër në shenjë nderimi për zonjat nga Zvicra. Kërkesa e tyre u mor parasysh edhe nga qeveria. Gazeta “Zëri i Korçës”, në një artikull tjetër të saj e shpjegon kështu kështu pagëzimin e fshatit të sapokrijuar me emrin “Zvicër”: “Sipas vendimit të Këshillës ministrial, katundi i ndërtuar prej misionit britanik në Radanj të Leskovikut dhe i përbërë prej 20 shtëpish, u pagzua me emrin “Zvicër”. Ky emër iu dha për nder e kujtim të zonjave të Zvicrës që kanë dhuruar ndihmat e tyre për ngrehjen e këtij katundi”. (Zëri i Korçës, e shtunë, 3 dhjetor 1927)

ZBULOHET MISTERI
Pas njohjes me këtë histori, pyetëm banorë të zonës, por shumëkush nuk kishte ndonjë ide të qartë. Megjithatë pati edhe nga ata, që përmes e-mail-eve na dërguan mendimin e tyre se si mund të kishte ndodhur. Një fakt mjaft të rëndësishëm na solli Majlinda Dapshi, banore e asaj zonë, e cila iu referohej kujtimeve të babait të saj. Për Majlindën, 20 familjet kishin ardhur nga Korsacka, (fshat në Greqi), dhe të ndihmuar nga britanikët kishin ndërtuar fshatin e tyre pranë Radanjt, aty ku më përpara kishin qenë lëmenjtë, magazinat dhe zdrukdhtaria, pranë së cilës ishte edhe shtëpia e Ekrem Bardhës. Madje dajua i Ekremit, Xhakua,- thotë Majlinda Dapshi,- ishte kryeplak, Çfarë ndodhi me disa nga ato familje, shpjegimin e jep përsëri Majlinda Dapshi: “Disa prej tyre u arratisën, shumë të tjerë u internuan në Lushnjë e gjetkë. Largimi i Ekrem Bardhës nga fshati tregon “fatin” e gjithë familjeve të tjera”. “E ëma e Ekremit, Buleja,- thekson Majlinda,- edhe sot e kësaj dite kujtohet në fshat si “rrobaqepese” dhe grua zonjë. Gjithashtu edhe gazetari Pali Lena nga Erseka ofroi ndihmesën e vet, i cili saktësoi se fshati “Zvicra” u ngrit pranë fshatrave Radanj dhe Oseckë.Megjithatë në vijuam të gjenim edhe ndonjë fakt më shumë.

Lumo Skendo hedh dritë
Në kërkim të gjurmëve të kësaj ngjarjeje, krejt rastësisht, ne u njohëm me një artikull të titulluar: “A tale of two villages (një histori e dy katundeve), prej Hubert D. Watson, të revistës “The World’s Children”, vol. VIII. nr. 3. dhjetor 1927, London , botuar te revista “Diturija” e Lumo Skëndos (Mitat Frashërit), e cila hidhte dritë mbi këtë ngjarje. Ja çfarë thuhej konkretisht: “Këndonjësit e “Diturisë” e dinë se në Shqipëri kemi çështjen e refugjatëve, një problem aq të rëndë sa edhe të zjarrtë, të të mjerëve të ardhur nga Kosova, nga Çamëria, pastaj edhe nga Turqia, prej atyre që kishin ikur më 1914, përpara shkretimeve dhe djegieve të grekëve. Një shumicë prej këtyre të ardhurve janë vendosur në tokat disponible rreth Krujës, Durrësit dhe në Myzeqe … Vëndosja e këtyre të gjorëve-vëllezërve tanë të eksponuarë në rrezik të vdekjes, – përpiqen në vështirësi ekonomike; për tokë, për shtëpi, si edhe për një kapital, gjer sa të vijnë të korrurit e parë, problem i rëndë, që komplikohet dhe më tepër akoma kur instalimi bëhet në një vënd malarik. Ethja i korr refugjatët e mësuarë në një klimë të shëndoshë me një rreptësi të tmershme. Duke parë nevojat e një popullsie që vuan, lëngon dhe lufton me vdekjen, shoqërija mirëbërëse engleze “Save the Children Fund”, që kujdesetë për të shpëtuar foshnjat, djemtë e mbetur jetimë, mori përsipër të goditnjë (ndërtojë) dy katunde, një në Libofshë (Xhebaj), dhe i dyti në Radan (Leskovik), që të dy nga 20 shtëpi”.

Strehohen 1060 fëmijë
Revista “Diturija vijon më tej rrëfimin e saj: “I dërguari i Shoqërisë, zoti Sams ndënji afro dy vjet në Shqipëri dhe, si u krye puna, erth edhe arkëtari i shoqërisë, Zoti Watson me zonjën për të vizituarë të dy katundet, historinë e të cilëvet z. Watson po e dëften me aq simpati dhe dhembshuri njerëzore në revistën që kemi përpara syve. S’është pa dobi të kujtojmë këtu se, prej refugjatëvet gjer më sot janë instaluarë në Shqipëri 1060 fëmijë, të përndarë në 30 katunde, me shtëpi të goditura vetë prej të ardhurve dhe të bëra enkas për ta. Rreth këtyre katundeve janë çelur ara (toka bujqësore) dhe kopshte, kështu që tokës i është dhënë një vleftë e re. Një prej këtyre katundeve mban emrin Herbert (në Kavajë) për kujtim të të ndjerit, mikut tënë Aubrey Herbert, dhe si shenjë mirënjohjeje për ndihmat që bëri Kontesha Carnarvon, mëma e të ndjerit. Me këtë rast do të shtojmë se, për këtë çështje me kaq importencë të madhe për neve, për instalimin e refugjatëve – vëllezërve tanë që vijnë të forcojnë Shqipërinë tënë me numrin dhe punimin e tyre, – është mirë që të interesohet dhe vetë populli, duke qenë i bindur se çdo ndihmë dhe lehtësi që u bëhet të ardhurve së jashtmi, është dhe për forcimin e vëndit tënë”.
Dhe e vërteta është se ata gjetën ngrohtësinë e bashkatdhetarve të tyre. Megjithatë, gjithçka që mesuam ishte tronditëse: Ishte koha kur shqiptarët po i përzinin nga trojet e tyre dhe ata po gjendeshin mes katër udhëve: burra, gra, fëmijë e foshnja, pleq e të sëmurë.

Filed Under: Reportazh Tagged With: malet e Leskovikut, ndërtuar në, Vepror Hasani, Zbulohet misteri i fshati “Zvicra”

MALL MËRGIMTARËSH ANDEJ E KËNDEJ ATLANTIKUT…

March 8, 2015 by dgreca

Është gjë e bukur të jesh mësues…/
Meditime që mi ndolli nga Detroiti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës nxënësi im Gjovalin Lumaj nga Vermoshi…/
“… Është gjë e bukur të jesh mësues, të shohësh si lëshojnë shtat fëmijët e thithin dituri, si rriten e ngjiten, si lulëzojnë e piqen…
E kam pasur këtë fat vetëm për pesë vjet, nga shtatori i vitit 1967 në shtatorin e vitit 1972. Kam qenë mësues i lëndëve teknike në Shkollën e Mesme Bujqësore “ Nazmi Rushiti “ të qytetit të Peshkopisë.
Më mungon të qenit mësues. Më ngushëllon fakti se edhe sot, kur udhëtoj drejt të shtatëdhjetave të jetës, e ndjej veten nxënës, njeri të lidhur fort me Mësuesen e Madhe – Jeta Njerëzore .
Është gjë e bukur të jesh mësues, por po kaq bukur është të jesh nxënës. Dy anë të medaljes së madhe të jetës që nuk mund të ndahen kurrë….”
Është ky një shënim në faqen e fundit, në kopertinë të librit tim “Rilindësit e kohës sonë” (2008). Nuk do ta kisha zgjuar, do t’i kisha lënë në skaj të kujtesës ato pesë vjet mësues sikur një ndodhi e javës së fundit mos fuste dorën në shpirtit tim e të ma vente mbi tryezën e mendimit si një tufë me lule.
Po, vërtet kam qenë mësues. Vërtet kam pas nxënës, madje kam pas “Gjovalinin e vogël që merrej me humor, me grupet artistike”.
Kështu më shkruan duke vazhduar:
“Dikur, mbas shumë përpjekjesh në kërkim të atyre që më mbeten në kujtesë u “kap” edhe njeri prej tyre sonte. Faleminderit fb, internet. Mbasi u mbushën 40 vjet edhe një person i shpallur në “kërkim” u gjet.
E gjeta prej SH.B.A, në mërgim Abdurahim Ashikun, profesorin tim. U ktheva mbrapa në kohë, me shumë nostalgji në shkollën e mesme bujqësore, Peshkopi, tek ata njerëz që më mësuan, më deshën si fëmijë, tek ata dibranë, fisnikë, zemër gjanë. Gjithmonë prej shpirtit tim rrjedh një burim, mirënjohje, respekt, nderim…!
Gjovalin Lumaj.
Ish nxansi juaj në shkollën bujqësore Peshkopi 1967-1971.
Nga Vermoshi i Shkodrës. Gjovalini i vogël që merrej me humor, me grupet artistike. 15 vjet me banim ne Detroit SH.B.A.
Ju përqafoj nga larg ju dhe familjen tuaj.
Me konsideratën më të lartë.
Dëshiroj të di diçka më shumë për ju, shëndetin, familjen, aq sa
më takon të di jo si nxënës por shumë… shumë më tepër…!
U emocionova, zgjova një burim loti që duke zbritur brazdave të moshës, ra mbi tastierë. U ndjeva shumë i privilegjuar. I shkrova:
Përshëndetje Gjovalin! Faleminderit për ato që më shkruan. Unë jam në Athinë prej 15 vjetësh me gruan dhe djalin e vogël. Për hollësira le të kontaktojmë në adresën elektronike a_ashiku@yahoo.gr. Do mundohem të kthehem me ty në ditët e bukura kur unë isha mësues për ju, dhe ju për mua.
Më shkruaj për veten tënde.
Me respekt, tashmë, shoku e miku juaj Abdurahim Ashiku
Athinë 24 janar 2010
Do të vijonte më pas një korrespondencë e vazhdueshme, në adresën elektronike dhe në facebook.
Po përcjell përsëri rrjeshta që zgjuan kohët, që përtrinë zemrat. Po përcjell Gjovalinin…
Përshëndetje profesori im i nderuar.
Në shenjë respekti për ju po u përcjell kopertinën e librit tim “Nastradinet”, 100 fabula-poezi, botuar në vitin 2009. Në postën tuaj elektronike do ju përcjell disa prej tyre. Të përqafoj nga larg.
THIRRNI MENDJEN, URTËSINË
Leni mllefet, djallëzinë,
Mbi kolltukët, leverdinë,
Thirrni mendjen, urtësinë,
Uluni në tavolinë,
Mbi pushtetin dhe lavdinë,
Gjeni forcat, burrërinë,
Të veproni për Shqipërinë,
Kthejani popullit qetësinë,
Shmangni sherrin, tollovinë,
Ju e keni përgjegjësinë,
O…Nastradinë…!
I shkrova se ndjehesha krenar që Gjovalini i vogël i kishte kaluar “grupet artistike” të moshës, ishte bërë poet. Më tej vijuan poezi të tjera e të tjera. Vermoshi i largët e kishte përcjellë bukurinë tej Atlantikut, e kishte shkrirë në zemrën e Gjovalinit.
Vijuan letërkëmbimet elektronike. Unë e lexoja atë, ai më lexonte mua. I përcolla në face book një fotografi i sigurt se ai do të ishte në klasë midis nxënësve në një orë mësimi. Nuk isha i sigurt ku ishte. Dyzet vjet larg është vështirë ti mbash mend fytyrat.
Më shkroi:
I nderuar profesor Abdurahimi. Nuk mund të gjej fjalë në fjalorin tim (relativisht të pasur) për të shprehur ato që ndjej në këto momente. Më ktheve shumë mbrapa në kohë, në kujtimet e bukura të jetës rinore.
I tretur diku larg në kurbet, shoh veten, shokët e klasës, Prof, Abdurahimin në kabinet. Edhe kjo foto është pjesë e kujdesit tuaj, është pjesë e fisnikërisë suaj shpirtërore, pjesë e dashurisë suaj prindërore, për ne në bankat shkollore. Vite të pa kthyeshme, mbresa të pashlyeshme..! Ju dhe gjithë kolegët tuaj mbeteni përjetësisht mësuesit e mi të mrekullueshëm dhe unë gjithmonë nxënësi juaj mirënjohës dhe vlerësues i punës suaj aq të vlershme, të përkushtuar e të ndershme. Ju përqafoj nga larg duke ju falënderuar shumë… shumë…!
Fotografia shpejt do të shndërrohej në një konkurs, në një kërkim kush ta gjejë “Gjovalinin e vogël”. Ai e shpalli “konkursin” kështu:
“MIQTE E MI. Sot mora një dhuratë nga profesori im i nderuar, gazetari i njohur Abdurahim Ashiku, i cili si shumë e shumë të tjerë ndodhet në emigracion në Greqi. Kjo foto i takon vitit të tretë në shkollën e mesme bujqësore “Nazmi Rushiti” Peshkopi-Dibër. Para 42 vjetësh, një orë mësimi në kabinetin e zooteknisë me prof. Abdurahimin. Prej miqve që më njohin nga afër, cili mund të gjejë bankën ku jam i ulur, cili prej këtyre nxënësve jam unë..?!
Fituesi ka një kafe në rastin më të parë..!”
Ishte një debat i gjallë, shumë interesant: Blerim Lumaj, i biri shkruan: Faleminderit për interesimin shokë e miq , unë e kam babë e nuk di me e gjet. Atëherë ka qenë me flokë kurse tani është tullac. I lutem Profesorit, në qoftë se ka mundësi me ma gjet babën ”
Përgjigje nga më të ndryshmet, humor i gjallë mes shokësh e miqsh. Dikush e gjeti, por Gjovalini ende nuk e ka shpallur “fituesin e kafesë”.
Ka shpallur nderimin dhe respektin për mësuesit, të gjithë mësuesit, nëpërmjet një poezie të dalë nga zemra.
MESUESVE…
Të kujtoj, të nderoj e respektoj,
Kam mall e nostalgji,
Për atë dorë që mu dha,
Plot dashuri,
Qysh në fëmijëri,
E para mbas prindërve të mi.
Mësues i nderuar!
Për mua mbetesh figurë e shenjtëruar
E shenjtë puna dhe përpjekjet tuaja,
Për t’na hapur sytë,
E shenjtë dashuria,
Dhembshuria e përkujdesja ,
Si prind i dytë..!
Jo vetëm për 7 Marsin
T’i dhuroj këto radhë,
Por sa të jem i gjallë,
Jam mirënjohës pa kufi,
inferior, i vogël, fëmi,
Para mësuesve të mi..!
Për ata që janë ndarë nga kjo jetë,
Një kurorë thurur me lulet e shpirtit,
Me ndjenjën e vërtetë,
Më shkrimin shqip që ma mësuan,
SHKROVA:
– Qoftë për ju dheu i lehtë,
Pushofshi të qetë..!
Për ata që jetojnë,
Në pleqëri,
Uroj ditë të mira,
Lumturi, kënaqësi,
Duke u ndier krenar,
Mësuesit e talentuar,
Aq të përkushtuar,
Mësuesit shqiptarë.
Nga të largëtat udhë,
Përkulem me respekt,
duke u puthur ballin tuaj fisnik,
Plot rrudha..!
Gjovalin Lumaj Detroit, 5 Mars…
Këto radhë i shkrova për vete, për gruan 34 vjet mësuese, për të gjithë mësuesit kudo që janë, për nxënësit që nuk na harrojnë, që na nderojnë.
Faleminderit Gjovalin Lumaj për ndjenjat që më zgjove.
I shkrova për vete, peshë të madhe kanë, peshën që sjell të qenit mësues. Nuk mund ta mbaj, po e përcjell për të gjithë mësuesit si urim, si përkushtim, për 7 Marsin 2015!

Abdurahim Ashiku
Athinë, 5 mars 2015

Filed Under: Reportazh Tagged With: Abdurrahman Ashiku, Mall Mergimtaresh

NE BJESHKET MAGJEPSE TE DRAGASHIT

February 26, 2015 by dgreca

Kompania “Kuk Commerc” me “Fabrikën e Metaleve” dhe”Qendrën Turistike” në bjeshkët magjepse të Dragashit!/
Shkruan Asllan Dibrani/
Ishte dite Janari kur vizituam Kompaninë “KUK-COMMERC” .Kjo Kompani që nga viti 1974, filloi veprimtarin si punëtori e vogël zejtare e cila aktivitetin e vet e ka zhvilluar në një lokal të vogël me mjete të pakta pune.Fillimisht kishin një ofiçinë pune të vogël nga e cila kanë prodhuar dhe riparuar mjete bujqësore si sëpata, kazma, lopata, plugje dhe vegla pune për nevojat e fshatarëve etj. Pak ma vonë kaluan edhe në përpunimin e llamarinës duke punuar ulluqe për shtëpi, koftorë, shporta etj. Në vitin 1989 u regjistrua si ndërmarrje prodhuese tregtare me emrin “KUK-COMMERC”, dhe në radhët e saj u punësuan një numër i konsideruar punëtorësh, ndërsa tani në gjirin e vet Kompania ka më së 80 punëtor të kualifikuar në lëmit përkatëse. Sot , kjo kompani radhitët si kompani udhëheqëse në përpunimin e metalit në Kosovë si dhe në Ballkan. Në strategjinë e vet projektuese Kompania “KUK-COMMERC” ka shumë prodhime të llojeve të ndryshme. Në prodhimet e veta përdor materialin kualitativ, konstrukton dizajnë të kualitetit më të lartë dhe operon modele të ndryshme nga e cila mbetet edhe mirënjohës qe është një pjese e artit të kangjellave,rrethojave te oborreve , ballkoneve dhe stolisjeve tjera që janë vendosur në gjithë Kosovën . Në ballkonet e shtëpive të bukura dhe në rrethojat është njëri ndër prodhuesit e këtij arti pamor qe ka lënë gjurmë në shumë anë. Ofron çmime të volitshme, ofron punë të shpejtë dhe efikase, po mbi të gjitha ofron cilësi dhe profesionalizëm.
Me këtë strategji të punëve, prodhimet e shoqërisë “KUK-COMMERC” kanë arritur një kualitet të lartë të punës praktike me cilësi evropiane. Puna e tyre kualitative është ranguar në një pozicion të kënaqshëm në tregun vendor dhe atë ndërkombëtar. Kompania është e pajisur shumë mirë me teknologji bashkëkohore dhe është e kyçur në të gjitha fazat dhe proceset e prodhimit, duke filluar nga vegëltorja deri te fazat finale të prodhimit. Prodhimet e kësaj kompanie janë të pranishme në shume amvisëri kosovare dhe hijeshojnë restorante ekskluzive, si dhe shumë objekte tregtare, shkolla, spitale dhe objekte tjera siç cekëm më lartë. Ndërmarrja gjithmonë është në trend me teknologjinë dhe standardet bashkëkohore. Reparti prodhues i kompanisë “KUK Commerc” në Prizren produktet e veta kryesisht i eksporton në vendet e Evropës Perëndimore. Pronaret e “KUK COMMERC”, janë zotuar se do të vazhdojnë edhe më tej me investimet e reja si në Fabrikën e Produkteve të Metaleve , po ashtu edhe në objekte të tjera të cilat funksionojnë në kuadër të Kompanisë“KUK COMMERC”.
Hoteli Arxhena është i vendosur në Brod, 12 km nga Dragashi, dhe ofron një shërbim turistik me një kapacitet të larte dhe specialitete tradicionale të kuzhinës kosovare. Një palestër, e cila ka sauna dhe banjo, është e lirë dhe e mire ,po shumë tërheqës. Kjo pikë turistike ka ashensor që ju ndihmon sportisteve dimëror në ski të ngjiten atyre bukurive të rralla në shpatet e maleve të Sharrit të vendosura pranë hotelit. Ai vend piktoresk i ndihmon turistet që të lidhen me rrjetin e internetit pa pagesë ne hotelin“Arxhena”.Të gjitha dhomat janë të pajisura me TV kabllor dhe një tavolinë pune. Banja private janë me një dush, tharëse flokësh dhe tualetin komplet. Në disa dhoma ka gjithashtu një minibar.
Hoteli “Arxhena” ka pajisjeve të skive, bar në hotel ka edhe shume lojëra. Për tu ngjitur atje lart në majet e këtyre bukurive që vetëm cicërima e zogjve dëgjohet dhe përplasja e reve në qiellin e pa konkurrent nga vargmalet që na shoqëruan deri aty. Ky vend ka bukurinë e vet mahnitëse në të gjitha stinët , që pos turisteve vendas josh turist e huaj. Një ambient malor me ajër të pastër dhe me një pamje atraktive larg zhurmave të qytetit që paraqet një bukuri natyrore dhe shumë të rrallë . Aty ju ofrohet trajtim i veçantë, i mbështetur në infrastrukturë të posaçme biznesi më shërbime private, salla takimesh,internet Wi-Fi, faks, shtyp, TV, telekonferencë etj. Gjithçka është aty për ju edhe privatësia juaj të mbetet e tillë qe kënaqësia tu takoj juve, ndërsa shërbimi , puna , mikpritja pronareve të Kompanisë ”KUK-COMMERC”. ‘Pronarët flasin pak, por ma te arsyeshëm janë me punë në praktikë. Do tu mbesim borxh, po qe nuk i prezantojmë pas këtij reportazhi. Ata janë projektuesit dhe investuesit Hekuran dhe Driton Arifi nga hotel “Arxhena”. Ata bene vet rrugën e shtruan pa ndihmën e as një metaliku nga Qeveria e Kosovës. Vizita jonë ishte miqësore me një pritje të zakoneve shqiptare .Aty shkëmbyem biseda , mësuam shumë gjëra mbi turizmin dhe vlerat e kësaj ane . Koha na erdhi shpejt për t’u ndarë . Me vështirësi ja kthyem shpinën kësaj mrekullie qe ajri i saj të shëron dhe pamja e saj të magjeps… U ndamë nga zoti Dritoni që ishte në Hotelin e tij në këto ditë të bukura dimri qe edhe prezenca e tuiristeve ishte mjaft e madhe nga të huajt. Atje ma bora ka kohë që e mban të mbështjellur këtë natyrë që vetëm vëllezërit Arifaj kanë ditë dhe kanë mundur ta zaptojnë dhe ta pushtojnë. Ata gërshetojnë punën e pa u lodhur duke e zbutur egërsinë e atyre maleve të bukura me turizëm , që nuk ja kanë lakminë as maleve piktoreske në Austri e Zvicër.

Filed Under: Reportazh Tagged With: asllan dibrani, NE BJESHKET MAGJEPSE, TE DRAGASHIT

Baza Ushtarake e Kepit të Palit, gatishmëri dhe operacionalitet në Adriatik

February 18, 2015 by dgreca

Nga Shefqet Kërcelli/
Baza Ushtarake e Durrësit i ka fillesat e saj që në krijimin e Flotës Shqiptare më 25 dhjetor 1925, pasi dy anijet e para që u blenë në Itali u bregëzuan në portin e Durrësit, nga ku nën drejtimin e Kapidan Ahmet Kapidanit filluan ruajtjen e kufirit detar shqiptar. Mbas clirimit u krijua një Komandë e vogël marine me komandant fillimisht zoti Celo Arëza dhe pastaj Kapiten Stavri Cika. Baza Ushtarako Detare Durrës{BUD}, u krijua mbi Bazën e Flotiljes së 66-të Luftarako-Detare si rezultat i riorganizimit të FLD, në tetor 1964. Në ditët e para të v.1965, mbrëmjen e 4 janarit, anijet dolën nga baza e Sazanit në një mot të trazuar dhe në agimin e datës 5 janar 1965 u bregëzuan në molin lindor të portit të Durrësit. Komandant i kësaj Flotilje u caktua Dashamir Ohri. Në maj të v.1971, mbas kryerjes së punimeve disa vjecare në Kepin e Palit, filloi zhvendosja e anijeve nga moli lindor i Portit në këtë bazë. Nga ky vit baza mori formë të plotë me infrastrukturë dhe anije, duke qenë një nga bazat më të rëndësishme të FLD. Në vite në këtë bazë kanë punuar, stërvitur e jetuar me qindra kuadro, detarë e specialist, të cilët e kanë mbajtur lart emrin e marinarit. Kuadro dhe mjete detare të asaj kohe kanë marë pjesë në stërvitjet më të rëndësishme të zhvilluara në rang Flote Luftarake, ndërsa marinarë të shërbimit të detyrueshëm mbas lirimit kanë plotësuar ekuipazhet e anijeve të Transportit Detar. Mbas viteve ’90 baza u bë protogoniste e aktiviteteve të para bashkëpunuese me Flotat Partnere të NATO-s, që nga zbatimi i embargos ndaj ishJugosllavisë deri tek stërvitjet e para paqeruajtëse, ku detarët tanë u vlerësuan për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar. Ngjarje me rëndësi për efektivin e Bazës ishte Vizita e ishSekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, të ndjerit Manfred Vërner, në mars 1993. Kjo ngjarje shtoi kurajon dhe vendosmërinë e detarëve për të arritur treguesit e standartet e Flotave Aleate. Në riorganizimin e këtij viti{1993} ishBUD-i u emërtua Distrikti i I-rë Detar i Forcës Detare, strukturë e cila u angazhua gjerësisht në zhvillimin e stërvitjeve të përbashkëta me strukturat e tjera të Forcave tona të Armatosura dhe me anije të vendeve anëtare të NATO-s për mbi dy dekada. Vitin e kaluar në këtë bazë u zhvillua finalja e stërvitjes “Albanian-Lion-2014”, me pjesmarrjen e trupave Shqiptare, Britanike dhe të FSK. Ndërkohë, në zbatim të misionit të tyre, efektivat e Distriktit Detar Durrës kanë zhvilluar dhjetra operacione kërkim-shpëtimi dhe të zbatimit të ligjshmërisë detare, kryesisht në zonën e tyre të përgjegjsisë, nga derdhja e Semanit deri në atë të lumit Buna. Zhvillimi, transformimi dhe modernizimi i Bazës ka ecur paralel me zhvillimin e Forcës sonë Detare. Gjatë këtyre viteve struktura e bazës ka ndryshuar dhe i është përshtatur koncepteve të reja për zhvillimin e Forcës Detare në projekte afatshkurtëra, afatmesme dhe afatgjata. Aktualisht ajo funksionon si bazë detare, ku një personel kuadro dhe detarë profesionistë, bashkë me mjete detare të nevojshme kryejnë detyrat e caktuara dhe janë të gatshëm për cdo emergjencë ose fatkeqësi detare në rajonin e caktuar detar.
Punë, përkushtim e fillim të mbarë për zbatimin e detyrave të vitit 2015
Në një ditë të zakonëshme, baza zgjohet nga përhumbja e natës. Kuadrot dhe detarët i drejtohen anijeve të tyre për të provuar gatishmërinë ose për ti bërë shërbimet e radhës. Dikush sapo është kthyer nga lundrimi i radhës dhe con në vend pajisjet dhe mekanizmat para se të largohet, të tjerë kryejnë punime e riparime të ndryshme në godinat apo infrastrukturën e shtrirë të kësaj baze. Komandant i ri i Bazës, Kapiten i Rangut të III-të Besnik Cami, është caktuar në këtë detyrë fundvitin e kaluar. Ai vjen në këtë punë mbas një eksperience disa vjecare në det e kualifikimi të admirueshëm si kuadër. Kam shërbyer dhe më parë në këtë bazë, thotë komandant Besniku, ndaj tani përgjegjsia ime është e dyfishtë, duhet të përmirësoj shumë gjëra në këtë bazë, që më duken sikur janë lënë në harresë. Si Komandant i Grupit të II-të të Anijeve, bashkë më kolegët e mi së pari, tregojmë kujdes për gatishmërinë dhe mirmbajtjen e anijeve, thotë kapiteni. Kjo për faktin se nga dhjetori i vitit të kaluar dhe këto dy muaj të vitit 2015, anijet tona kanë patrulluar thuajse cdo ditë nga Semani deri në derdhje të lumit Buna. Jo thjesht prej grafikëve patrullues, por dhe për shkak të fatkeqësive detare, Anija “Iliria”, P-131, “Lissus”, P-133, P-04, P-01,{Archangel}, Motovedeta 118, 110, kanë patrulluar rregullisht për zbatimin e ligjshmërisë detare, verifikim, ndalim e gjobitje të peshkimit të paligjshëm, monitorim të trafikut detar, kontrolli i hyrje daljeve të anijeve të ndryshme, por dhe operacionet e kërkim-shpëtimit në fatkeqësitë detare të fundit. Kështu vetëm në muajin dhjetor të v.2014, nga anijet e kësaj baze u përshkuan rreth 1244 milje lundrime. Pamvarësisht vështirësive, janë shtuar përpjekjet për eleminimin e difekteve të ndryshme në anije, për ti pasur ato të gatshmë për lundrim. Masat janë shtuar dhe për sigurinë e bazës dhe objekteve, krahas të tjerave, teknikët Lek Ndoi, Iljaz Kotobelli, etj, kanë siguruar ndricimin 100% të objekteve. Për realizimin e detyrave të shumta të këtij viti, ku përfshihen dhe disa stërvitje me partnerët e huaj janë përfshirë të gjithë kuadrot dhe detarët e bazës, por do vecoja kuadrot Edison Hoxha, Silvan Boni, Haki Stafa, Fredi Mara, Sabri Idrizi, etj. Gjithashtu pjesë e punës në bazë është përgatitja dhe kualifikimi i kuadrove dhe personelit, marrja e të drejtës lundrimore nga oficerët e rinj, psh. N/lejtnant Alban Ademaj dhe Jetnor Balla, por dhe shkëmbimi i përvojës së fituar nga kuadrot që kanë studjuar në akademitë e NATO-s, kryesisht në SHBA. Është fakt që me riorganizimin e ri, jeta në bazën e Kepit të Palit është gjallëruar. Për këtë ka ndikuar ndjeshëm Vendimi i marë nga Ministri i Mbrojtjes, Qeveria dhe Parlamenti shqiptar për thellimin e kanalit hyrës në basenin e bazës, i cili nuk është thelluar ka disa vite, duke vështirësuar hyrje–daljet e anijeve në Bazë. Vendimi i Qeverisë dhe caktimi i fondit për këtë projekt të vecantë ja ka shtuar besimin dhe përkushtimin në punë efektivit të bazës. Ata po punojnë intensivisht që baza në vitin 2015, të risë ndjeshëm kapacitetet operacionalë e prezencën e saj për cdo emergjencë detare.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Baza Ushtarake e Kepit të Palit, dhe operacionalitet, gatishmëri, në Adriatik, Shefqet Kercelli

LEZHA- NJË VIZITË NË NJËRIN PREJ QYTETEVE ME TE VJETRA TE SHQIPËRISË

February 15, 2015 by dgreca

Shkruan: Sokol Demaku/
Me ftesë të miqëve lezhjan dhe anëtarëve të Shoqërisë Kulturore Artistike “Kastriotet” nga Lezha ishin në një vizitë pune përfaqësues të Qendres Kulturore Shqiptare “Migjeni” nga Borås i Suedisë ku në agjendë kishin njohjen reciproke dhe angazhimin e të dy palëve në realizimine projekteve madhore të përbashkëta në ruajtjen, kultivimin dhe prezentimin e vlerave të mirëfillta kulturore dhe gjuhësore në vendlindje dhe mërgatë.
Lezha është qytet në Shqipërinë veriore, vendasit e të cilit quhen Lezhjanë. Lezha ndodhet në një pozicion gjeografik shumë të favorshëm për sa i përket klimës saj bregdetare. Bregdeti i detit Adriatik ndodhet jo më shumë se 8 km larg nga Lezha.
Pak fjalë mbi Lezhën
Qyteti i Lezhes-Qender Qarku e Prefekture me te njejten emer gjendet ne Shqiperine veriperendimore, afer detit Adriatik. Qyteti eshte themeluar ne vitin 385 para eres re nga Dionizi i Sirakuzes.Gjate tere periudhave, qyteti i Lezhes ka luajtur rol te vecante ne historine Iliro-Shqiptare. Vete pozicioni gjeografik ku shtrihet qyteti, se bashku me rrethinat e tij, ka bere, qe Lezha qysh ne lashtesi te jete nje nder qendrat tregetare e plotiko-ushtarake me te rendesishme. Lezha, nepermjet Portit te Shengjinit, ka realizuar ne shekuj shkembime te shumta ne fusha te ndryshme ekonomike e kulturore me boten e jashteme, duke ndikuar keshtundjeshem ne zhvillimin shoqeror. Eshte kjo nje nder arsyet qe, pikerisht ne kete qytet, ne momente te caktuara te historise sone jane organizuar aktivitete politiko-kulturore te livelit te larte kombetar, si : “Lidhja e Lezhes” ne vitin 1444, “Kuvendi i Arberit” ne 1703.
Lezha si qytet dhe biostrukturë përfaqëson diçka shumë të rëndësishme dhe të veçantë. Nga pikëpamja gjeometrike dhe ekologjike, Lezha, përbën një kaleidoskop të mrekullueshëm të natyrës, gati një lloj principate të pashembullt ekologjike, ku mali, fusha, pylli, monumentet arkeologjike dhe historike, laguna dhe deti përbëjnë një bashkësi të spikatur. Në këtë kuptim, Lezha, është e preferuara e shekujve, një sintezë e veprsës së natyrës e të njerëzve me një vesk të ndritshëm të historisë e artit. Në portat e Lezhës mund të hysh pa trokitur, dhe duke e njohur fytyrën dhe thelbin e saj, vetëm mund te magjepsesh pambarimisht.
Lezha është një grishje e përhershme dhe një estetikë e gjallë e sendeve dhe qytetërimit iliro-shqiptar, një stacion diturak i mijëvjeçarëve dhe i kënaqësive të veçanta të banorëve dhe të udhëtareve. Çdo tregim mitologjik për Lezhën i paraprin historisë së saj plot motive dhe kontraste nga më të ndryshmet. Jo më kot, kronikania dhe eruditja bizantine Ana Komnena, në shek. XII, e quan Lezhën një qytet të ngritur në ajër, që mund të shihet nga të gjitha anët. Nuk është thjesht metafore e skajshme, por vetvetiu çdo shikues mund t’a vështrojë Lezhën në lartësinë e historisë së saj, në ajrin e shekujve si të dale nga frymëmarrjet poetike të poetit Ndre Mjeda, që ka shkruar mrekullisht për Lezhën. Ku nga të kater anët, të rrethojnë metaforat e historisë; çdo njeri jeton midis tyre dhe këtu qëndron vetë sekreti i mbijetesës.
Katedralja e Shen Nikolles
Katedralja e Shën Nikollës ka një rëndësi të posaçme historike për shqiptarët, jo vetëm për Kuvendin e Lezhës, por edhe si vendvarrim i Gjergj Kastriot Skenderbeut. Kjo katedrale, ne shek. XVII, qe shndërruar ne xhami. Themelet e saj janë të shek. XIV, katedralja është e tipit bazilikë me gjatësi 17 m dhe gjërësi 8 m. Ruhet në muret e saj një afresk i Shën Nikollës. Sot rrënojat e Katedrales së Shen Nikolles janë shruar në memorialin e Gjergj Kastriot Skenderbeut, padyshim një nga monumentet më të mëdha të historisë kombëtare të shqiptarëve në të gjitha kohërat. Sipas studjuesit A. Mutjakoviç, mbështetur në disa dokumente shkrimore të arkivave të Raguzës, del se Andrea Aleks Durrsaku, skulptor dhe arkitekt gjenial i të ashtuquajturës Rilindje Dalmatine është me origjinë e të pareve të tij nga Lezha.
Në ftesë të Shoqësisë kulturore artistike “Kastriotet” nga Lezha këto ditë në këtë qytet tëvejter dhe historik qendruan anëtar të kryesise se Qendres Kulturore shqiptare Migjeni nga Borås i Suedisë.
Qëllim i i viztës ishte njohja me punën e kësaj shoqërie si dhe mundësit e bashkëpunimit të dy këtyre shoqërsive kultutore mes vete në lamin e kulturës, traditës, gjuhës.
Vizita filloi me një takim rasti në Drejtorin Rajonale të Arsimit të Lezhës ku me ketë rast na priti drejtori i kësaj drejtorie Bardhok Pulaj. Një bisedë vëllezerore me lezhjanët rreth arsimit në këtë qytet dhe punës që bëhet në këtë drejtim. Në bisedë me te Hamit Gurguri prezentoj punën që bëhet në mërgatë konkretisht në Suedi nga poet, mësues dhe inetelektual në ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në mërgatë, për cka tek miqtë tanë ishte një kërsheri e madhe se si arrihet në mërgatë që me aq dashuri të ruhet dhe kultivohet gjuha dhe kultura shqipe. Mësuam këtu se shkollat nëntevjeqare nga Tirana dhe ajo nga Lezha me emrin e patriotit të madh lezhjan Gjergj Fishta për nder të mysafirëve nga Borås në foajen e Bibliotekes së qytetit Lezhë e cila poa shut mba emrin e poetit dhe patriotit të madhe shqiptyar Gjergj Fishta kanë organizua ekspozitë me punime nxënësish që do prezentohet në këtë kuadër. Edhe ne ishim prezent në një manifestim të tillë i cili na la pershtypje të mëdha në prezentimin e artit pamor nga ana e nxenësve të ketyre shkollave që nga klasat e gjashta deri në ato të nënta. U tha si nga Drejtori i Drejtorisë Arsimore Bardhok Lulaj njashtu edhe nga drejtori i shkolles Gjergj Fishta nga Tirana Faik Maqellara se kjo traditë do vazhdoj dhe se në te do perfshihen edhe shkollat e Republikës së Kosovës që mbajn emrin epatriotit dhe poetit të madh të kombit Gjergj Fishta.
Ishin të pranishëm në ekspozitë nxënës, mësues, qytetarë, poet dhe mysafirë si nga qytete për rreth njashtu edhe ne nga Suedia e largët. Ishte kënaqesi të jesh pjesë e një venementi të tillë ku fëmijët me punën e tyre krijuese rrefejnë ndjenjat e tyre për shkollën , atdheun, kombin si dhe ata të cilët në kohët më të veshtira bënë shumë per vendin dhe popullin tonë. Shkrimtari dhe publicisiti Hamit Gurguri ishte mjaft aktiv dhe në bisedë me nxenës prezentoj ate që edhe fëmijet tanë edhe pzse larg vendlindjes, larg atdheut edhe ata angazhohen në këtë drejtim dhe kanë rezultate të lakmueshme.
Me të përfunduar të ketij evenementi mjaft të bukur të nxënësve tironas dhe atyre lezhjanë ne vizituam Katedraljen e Shën Nikollës e cila ka një rëndësi të posaçme historike për shqiptarët, jo vetëm për Kuvendin e Lezhës, por edhe si vendvarrim i Gjergj Kastriot Skenderbeut. Në te ruhet kujtimi për heroin kombëtar dhe bëmat e tij në kohën e mesjetes në Shqipëri. Ishte kënaqesi për ne që të mësojmë më shumë për rolin e Kuvendit të Lezhës, Lidhjes së princërve shqiptar mbajtur në Lezhë në kohën e heroit kombëtar Gjergj Kastriotit Skenderbeut. U tha se këtu gjatë vitit parakalojnë pothuaj se të gjithë maturantët e shkollave të mesme nga të gjitha trojet shqiptare, por është me shumë vlerë dhe rëndësi se interes për të vizituar këtë vend të shenjtë ka edhe nga shtete fiqnje por edhe nga vende dhe shtete të ndryshm e nga mbarë Europa.
Lezha një perlë në hartën e Shqipërisë, një vend i vogël në veriun e këtij vendi ka rolin dhe rëndësin e veqant në historinë tonë kombëtare duke filluar që nga koha e msjetes e deri ne ditët bashkëkohore. Duhet përmendur këtë edhe poetet e mëdhenje dhe patriotët si Gergj Fishta dhe Don Ndre mjedja të cilët me punën e tyre ngritën lartë gjuhën, kulturën dhe traditën shqiptare në kohën e duhur.
Njeriu do ketë rastin dhe mundësinë të njihet me të kaluarën tonë të lavdishme e cila edhe sot mban gjallë dhe ruan atë vlerë humane të kombit tonë. Janë këto deshmi se një kulturë e lashtë e një populli të lashtë është edhe sot këtu dhe është një udhërrefyes për një të ardhme të nditur të popullit tonë. Dhe se si u degjua edhe këtu me të vertetë kjo është gur themel i zhvillimeve pozitive të shoqerisë shqiptare.
Pas dita ishte rezervua për një takim pune në lokalet e Shoqërsisë Kulturo Artistike “Kastriotet” të Lezhes ku na prisnbin udhëheqja e kësaj shoqërie me traditë të pasur në zhvillimin dhe ruajtjne kulturës dhe traditës shqiptare.
Në bisedë me ta ku ishte Kryetari i ShKA “Kastirotet” Pash Ndoci, sekretari Gjon frroku si dhe shume anëtar të kesaj shoqëria u pa se egziston një qendrim i përbashkët dhe se mundësit janë për një bashkëpunim të shendosh në ruajtjen dhe prezentimin e kulturës, gjuhës dhe traditës shqiptyare si në vendlindje njashtu edhe në mërgatë. U pa se mundësit jane dhe se edhe kushtet për një bashkepunim të tillë egzistojnë nga të dyja palët si nga ana e Shoqërsië Kulturore Artisitke “Kastriotet” njashtu edhe nga ane e anëtareve dhe udhehqjes së Qendres Kulturore Shqiptare Migjeni në mërgim konkretisht në Borås të Suedisë. U tha se do punohet në realizimine projekteve të perbashketa në prezentimine kulturës dhe traditës shqipe në te ardhmen.dhe se ky bashkëpun im do jetë i sukseshëm si cdo tjeter deri me sot.

Filed Under: Reportazh Tagged With: LEZHA- NJË VIZITË, ME TE VJETRA, NË NJËRIN PREJ QYTETEVE, Sokol Demaku, te Shqiperise

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 143
  • 144
  • 145
  • 146
  • 147
  • …
  • 178
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ANGELA KOSTA DHE CHANEL BASHHYSA FITUESE TË ÇIMIMIT NDËRKOMBËTAR TË EKSELENCËS “DIVINAMENTE DONNA” NË SENATIN E REPUBLIKËS ITALIANE
  • “TASHMЁ JEMI TЁ VJETЁR PЁR T’U KTHYER NЁ SHTЁPI” – POEZI NGA ORIADA DAJKO
  • IRONIA DHE HIPOKRIZIA RRETH PRONËSIMIT TË KATEDRALËS NË SHKODËR
  • Dita e Verës – Festa e lashtë e ripërtëritjes shqiptare
  • Luan Rama sjell në Tiranë tablotë ikonike të piktorëve francezë për Shqipërinë dhe shqiptarët
  • Në Tiranë u zhvillua koncerti “Me Zanin e Bjeshkëve” i këngëtarit Gëzim Nika “Mjeshtër i Madh”
  • Shqipëria ka nevojë për Xhorxh Uashingtonët e saj
  • Kriza globale, nga Ukraina në Lindjen e Mesme
  • IRONIA DHE STILI NË DEBATET MES NOLIT DHE KONICËS 
  • MËRGIM XHEVAT KORҪA, IN MEMORIAM
  • Ardita Statovci, pedagoge pranë “Washington Conservatory of Music”: “Muzika është gjuhë universale që të mundëson ta prezantosh një copëz të identitetit e kulturës së vendit tënd në çdo anë të botës”
  • Përkujtojmë sot në përvjetorin e ndarjes nga jeta Fan Stilian Nolin, një figurë themelore të historisë dhe kulturës shqiptare
  • Festohet bukur 7-8 Marsi në Fialdelfia nga shoqata “Bijtë e shqipes”
  • Përtej mitit: identiteti si vetëdije shoqërore
  • Harmonia fetare në imazhin e një pulle postare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT