• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË DITËT E SHËN NËNË TEREZËS 2025 KOMBI SHQIPTAR KUJTON BIJËN E VET ME FAMË BOTËRORE – Por nuk ishte gjithmonë kështu!

September 5, 2025 by s p

Nga Frank Shkreli/

Në bashkëpunim mes SH. B. “ DRITA” në prishtinë dhe Qendrës për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore (QTSHK), Shkup nga 25 gusht deri më 5 shtator, u  organizuan “Ditët e Shën Nënë Terezës” 2025, për të promovuar me veprimtari kulturore, kombëtare dhe shpirtërore, jetën dhe veprën e Shën Nënë Terezës në vende të ndryshme të Kosovës, Maqedonisë, Shqipërisë dhe anaë e mbanë diasporës shqiptare.  Frank Shkreli: 115 vjetori i ditëlindjes së Shën Nënës Terezë dhe 20 vjetori i Bekimit të gurthemelit të Katedrales në Prishtinë | Misioni Katolik Shqiptar Shën Nëna Terezë në Rijekë – Albanska Katolička Misija Sv. Majka Terezija u Rijeci

Gjatë këtyre 10-ditëve të kaluara u përkujtua Nënë Tereza anë e mbanë trojeve shqiotare dhe më gjërë me dinjitet siç i ka hije një kombi që është krenar – pa dallim feje a krahine – për veprimtarinë dhe jetën e bijës së tij me fame botërore, e që i ka sjellur shqiptarëve vetëm një emër të mirë e të respektuar anë e mbanë këtij planeti.  Nënë Tereza u kujtua këto ditë me veprimtari të ndryshme kulturoro-shpirtërore: me shërbime fetare, me botime librash shkencore kushtuar Shënjëtores shqiptare dhe me deklarata të liderve politikë të dy shteteve shqiptare – Shqipërisë dhe Kosovës — në këtë përvjetor të lindjes dhe shenjtërimit të Nenë Terezës. Në përmbyllje të veprimtarive 2005, kushtuar Nenë Terezës, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani u shpreh: “Nga fshati i vogël i Letnicës, ku dëgjoi thirrjen hyjnore, në Sheshin “Shën Pjetri” në Vatikan dhe pastaj në çdo anë të botës, Nënë Tereza i dha zë të varfërve, të sëmurëve dhe të harruarve, duke lënë pas një trashëgimi të pakrahasueshme bamirësie dhe humanizmi.  Rrugëtimi i saj frymëzoi miliona njerëz. Veprat e Shën Terezës na kujtojnë fuqinë e bamirësisë dhe humanizmit, prandaj trashëgimia e saj është një thirrje për secilin prej nesh: të jemi pranë të tjerëve, të dhurojmë dashuri dhe shpresë, si dhe ta ndërtojmë një botë më të drejtë dhe më paqësore”, ka shënuar në faqen e saj të internetit, e para e shtetit të Republikës së Kosovës, bashkangjit këtë fotografi të saj para shtatores së Nenë Terezes.

Ndërsa Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj shkruan me këtë rast se, sot, e gjithë bota i lutet Shenjtës Nënë Terezë, duke vazhduar se ne, “Si shqiptarë jemi krenarë që i dhamë botës një figurë të shenjtë e fisnike, simbol të mëshirës, dashurisë dhe kujdesit ndaj të pamundurve. Shenjta Nënë Tereza është pjesë e shpirtit tonë kombëtar dhuruar njerëzimit për të shëruar plagë e për të sjellë shpresë aty ku mungon. Ajo na mësoi se edhe gjestet e vogla të mirësisë kanë fuqinë të ndryshojnë botën. Le të bëjmë çdo ditë një vepër të mirë!”, ka shkruar në deklaratën e tij në fejsbuk, Presidenti Begaj, në përmbyllje të veprimtarive prej 10-ditësh të këtij viti, kushtuar Nenë Terezës anë e mbanë botës dhe në mbarë trojet shqiptare.

Por për fat të keq, respekti dhe nderimi që bota – përfshir Presidentë amerikanë, Frank Shkreli: Amerika për Nënë Terezën – Rastësi apo Dora e Zotit në veprim? “Prej sot je bijë e Amerikës ” | Gazeta Telegraf dhe Papët e Romës — i akordonte Nenë Terezës për dekada me rrallë – nuk mund të thuhet se ajo gëzonte të njëjtin respekt, të pakën zyrtarisht, nga shqiptarët në përgjithsi, siç vihet në dukje në një shënim sot të muzeut të Shkodrës, Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës – Site of Witness and Memory —Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës – Site of Witness and Memory | Shkodra | Facebook

“Aty kah fillimi i viteve ’70, kohë kur Nënë Tereza mësoi për sëmundjen e nënës së saj, ajo i dendësoi përpjekjet për t’iu dhënë mundësia që të vizitonte vendin e saj. Shkoi të takonte atasheun e Ambasadës shqiptare në Romë me shpresë që të paktën do të lejohej të vizitonte Shqipërinë. “Kur Nënë Tereza po dilte prej ambasade, – shkruan Dom Lush Gjergji në librin “Nënë Tereza Jonë”, – për herë të parë në jetë e pashë t’i shkonin lot nëpër faqe. U ndal, drejtoi sytë kah qielli dhe tha:   “O Zot, unë e kuptoj dhe e pranoj këtë vuajtje për vedi, por shumë e vështirë ta pranoj dhe kuptoj për nënën, loken time, e cila në pleqëri të shtyeme nuk dëshiron asgjë tjetër përpos të na shohë edhe një herë”.  Pas dështimit për vizë në ambasadë, Nënë Tereza nuk rreshti përpjekjet për të nxjerrë të ëmën dhe të motrën nga Shqipëria.  Ajo iu drejtua për ndihmë disa prej personaliteteve më të mëdha të Globit, por pa sukses. Kur pa se ëndrra e saj për t’i takuar po shuhej, Nënë Tereza i shkruante të ëmës dhe të motrës: “Nuk mund të bëj gjë tjetër, vetëm se të lutem për ju”.  Nëna e saj, Drande Bojaxhiu vdiq me dhimbje në zemër me 12 korrik 1972 në Tiranë. Ajo nuk arriti të shihte edhe një herë të bijën misionare në Indi. Pas vitit 1990 janë botuar studime, ku shënohet një fakt prekës: Drandja bijës së vet, që nuk e shihte prej 45 vjetësh, fotografinë e fundit ia dërgoi me këtë nënshkrim: “Gonxhe, të puth nanëlokja”, përfundon shënimi i botuar në muzeun Shkodrës, Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës – Site of Witness and Memory me foton më poshtë.

Pritja e ftohët e Nenë Terezës në Tiranë, gusht, 1989, kur më në fund u prit nga përfaqësuesit e një regjimi kriminal, frikacak, që për vite nuk i jepte vizë një murgeshe katolike të thjesht për të vizituar Nenën dhe motrën e saj, sa ishin gjallë. Turp kombëtar për ata atëherë dhe për apologjetët e sotëm që sot e kësaj dite mbrojnë dhe justifikojnë krimet e atij regjimi sllavo-aziatik që për një gjysëm shekulli ndau – për jetë dhe në vdekje — familjet shqiptare – si familjen e Nenë Terezës! Si shumë e shumë familje shqiptare, fati i Nenë Terezës megjithse me famë  botërore, mund të thuhet se ishte ai që siç është shprehur dikur edhe Imzot Pjetër Bogdani: “Fati i im është fati i popullit tim”.

Kështuqë, ndërsa shqiptarët kudo në botë janë krenarë se si sot, Kombi në përgjithsi kujton, nderon dhe respekton bijën e vet — Ikonën shqiptare të dashurisë për njëri tjetrin dhe për Zotin – nuk duhet harruar se edhe trajtimi çnjerëzor i Nënë Terezës nga regjimi komunist i Enver Hoxhës – është pjesë e historisë së trajtimit të Nënë Terezes nga bashkvëllëzrit dhe motrat e saj. Në një kohë kur Ajo pritej e dekorohej me Çmimin prestigjoz Nobel për paqë, pritej në kancelaritë e fuqive më të mëdha botërore, përfshir Shtëpinë e Bardhë dhe Kombet e Bashkuara. Ishte 40-vjetori i Kombeve të Bashkuara kur organizata botërore ftoi Nenë Terezën të mbante një fjalim me atë rast, Blessed Mother Teresa’s Address to the United Nations, Diplomatët e Shqipërisë komuniste – në një prej shfaqjeve më të shemtuara, ndoshta në historinë e diplomacisë shqiptare të të gjitha kohërave i treguan botës ftyrën e vërtetë të regjimit të tyre primitiv që ata përfaqësonin.  Pasi Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së në atë kohë, Perez De Quellar duke paraqitur bijën e famshme shqitare para delegatëve të botës, pat deklaruar se Nenë Tereza mishëronte Kombet e Bashkuara – delegacioni që përfaqësonte regjimin enverist, në protestë ndaj fjalimit të Nenë Terezes – para syve të mbarë botës, braktisën sallën e Kombeve të Bashkuara ndërsa Nenë Tereza i fliste botës.

Për ne shqiptaro-amerikanët që në atë kohë prisnim të shihnim ndonjë shenjë sado simbolike për ndonjë ndryshim në mundëshëm në Shqipëri siç po ndodhte në vendet e tjera ish-komuniste të Evropës, ky rast i shëmtuar na zhduku edhe ndonjë shpresë që mund të kishim për ndonjë ndryshim të shpejtë. Trajtimi i Nenë Terezës nga regjimi i Tiranës zrytare në atë kohë u bë si një farë busulle e ndonjë ndryshimi të vogël por të pa shpresë. Sepse siç është shprehur me një rast i ndjeri Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkvi i Tiranës, i dashur dhe i respektuar për shumë prej nesh që e kemi njohur, ka thenë se, “Nenë Tereza ka pasur gjithmonë një mesazh të qartë e të mirëkuptimt: se e ardhmja e njerëzimit, prandaj edhe e ardhmja e vendit tonë, realizohet plotësisht vetëm me vendosmerinë për të ndërtuar qytetërimin e dashurisë, në të cilin nuk ka të përjashtuar e të mënjanuar, të diskriminuar e të harruar”, ka thënë,  Imzot Rrok Mirdita.

Por sot në 115-vjetorin e lindjes, Kombi shqiptar, me të drejtë është krenar për Nenë Terezën. Këtë e tregojnë angazhimet dhe organizimet e dnryshme kulturoro-shpirtërore, pa dallim feje a krahine, siç ishin ato të 10-ditëve të fundit, për të festuar dhe për të kujtuar jetën dhe veprimtarinë e Nenë Terezës në trekëndshin Prishtinë, Shkup e Tiranë. Por edhe anë e mbanë diasporës dhe gjakut të shprishur arbëroro-shqiptar të shpërndarë gjithë andej. Deklaratat e liderve shqiptarë gjatë viteve por edhe sot duken të sinqerta se më në fund, bota shqiptare e ka kuptuar mesazhin e saj të qartë – diçka që bota tjetër kryesisht e kishte kuptuar me kohë — atë të dashurisë për njëri tjetrin dhe për Zotin si dhe për mirëkuptimin se e “ardhmja e njerëzimit, prandaj edhe e ardhmja e vendit tonë, realizohet plotësisht vetëm me vendosmërinë për të ndërtuar qytetërimin e dashurisë. Ishte ky mesazh i Nënë Terezës, përmbledh nga Imzot Rrok Mirdita, mesazhi i “qytetërimit të dashurisë”, pra që nuk përjashton, nuk diskriminon as nuk harron askënd, përfshir më të varfërit e të varfërve.

Ma merr mendja se ishte, pikërisht, ky mesazh i Nenë Terezës i cili bëri që diplomatët e regjimit komunist të Shqipërisë pranë OKB-s, 40-vjet më parë në Nju Jork, të braktisnin sallën e Asamblesë së Përgjithshme kur filloi t’i fliste botës për “qytetërimin e dashurisë”, murgesha e thjesht katolike me origjinë shqiptare e lindur 115-vjet më parë në Shkup, kryeqytetin e dikurshëm arbëroro-shqiptar. Prandaj duhet të jemi krenarë për nderimet dhe respektin që i bëhet sot Nenë Terezës, ashtu siç në të vërtetë ndodhë në mbarë botën — por të mos harrojmë se nuk ishte gjithmonë kështu. Sado absurde të na duken sot sjelljet e regjimit komunist shqiptar me Nënë Terezen dhe familjen e saj, nuk duhet të harrohen se kollaj mund të përsëriten. Është thenë se ata që harrojnë historinë janë të destinuar t’a përsëritin.

Filed Under: Reportazh

Një takim i paharrueshëm në Milano me Darling Vlora, stërnipin e Ismail Bey Qemalit

September 3, 2025 by s p

Nga Dashnim Hebibi, Milano/

Vlorë, Dardani, Iliridë e Kosovë Lindore u bashkuan shpirtërisht në një ditë të veçantë, më 2 shtator në Milano të Italisë, në një takim historik e plot emocione me stërnipin e Ismail Beut Qemalit, Shkëlqesinë e Tij z. Darling Vlora.

Ky takim ishte planifikuar prej kohësh dhe pritej me padurim nga veprimtarët shqiptarë në diasporë. Nga Zvicra, me shumë entuziazëm dhe ndjenjë të thellë përgjegjësie, u nisën: z. Florim Useini, kryetar nderi i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicrën Qendrore; z. Met Krasniqi, ish-kryetar i Rrjetit të Miqësisë në Zvicër dhe njëherit kandidat për kryetar të Gjakovës; si dhe Dr. Dashnim Hebibi (PhD), president i Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore me qendër në Cyrih dhe kryeredaktor i SAM24.info, qendrës mediale shqiptare në Zvicër. Ata u shoqëruan gjithashtu nga veprimtari Arsim Mulliqaj, duke e bërë edhe më të plotë këtë delegacion të diasporës shqiptare.

Takimi ishte i përzemërt, i sinqertë dhe i ngarkuar me emocione të papërshkrueshme. Shkëlqesia e Tij, z. Darling Vlora, ishte i shoqëruar nga publicisti dhe veprimtari i njohur në Itali dhe më gjerë, z.Arsim Mulliqaj i cili dashurinë për Kosovën e pavarur e ka dëshmuar me vepra që nga ditët më të vështira të historisë sonë.

Në këtë takim u dëgjuan rrëfime të paçmuara, fakte dhe histori të panjohura më parë rreth jetës dhe veprës së Babait të Kombit, Ismail Beut Qemajlit. Çdo fjalë e z. Vlora mbante peshë të veçantë, sepse vinte jo vetëm nga trashëgimia e gjakut të një figure kolosale, por edhe nga përvoja e një personaliteti me vlera të larta shkencore e atdhetare.

Delegacioni e përshkroi këtë përjetim me fjalët:

“Morëm bekimin nga stërnipi i Ismail Beut Qemajlit, Shkëlqesinë e Tij z. Darling Vlora, për të ecur me besim e siguri në rrugën e historisë sonë. Me amanetin e tij të shenjtë, që udhëton brez pas brezi, edhe ne në diasporë e ndjejmë peshën dhe nderin e kësaj besëlidhjeje. Flamuri kuqezi është drita që na bashkon, është zëri i atdheut që na thërret, është forca që na udhëheq e na bashkërrugëton drejt së ardhmes.”

Në takim u ndanë emocione të sinqerta, deri në lot gëzimi. Z. Vlora, i prekur thellë nga prania e vëllezërve shqiptarë të ardhur nga të gjitha trevat, u shpreh se kjo ditë do të mbetet e paharrueshme për të, duke shtuar: “Sot ndjeva se kam pranë gjithë kombin tim. Këtë ditë nuk do ta harroj kurrë.”

Familja emblematike Vlora, trashëgimtare e një prej kapitujve më të ndritur të historisë kombëtare, do të mbetet përjetësisht simbol i nderit dhe krenarisë shqiptare, për sa kohë të jetojë gjuha jonë shqipe dhe të pulsojë zemra shqiptare.

Në këtë takim, z. Met Krasniqi mori bekimin dhe besën se do të punojë edhe më fort për të mirën e kombit dhe qytetit të tij, Gjakovës, të cilën e sheh të zhvilluar e të ndritur në frymën e qyteteve moderne europiane. “Edhe ne mundemi të bëjmë më shumë për atdheun, që rinia të ketë shpresë dhe motiv për një të ardhme të sigurt,” – u shpreh ai.

Z. Florim Useini e njoftoi Shkëlqesinë e Tij z. Vlora me disa projekte të suksesshme të shqiptarëve në Zvicër dhe përcolli përshëndetjet e miqve afaristë e bamirës që jetojnë e veprojnë jo vetëm në Zvicër, por edhe më gjerë.

Ndërkaq, z. Dashnim Hebibi u ndal te situata aktuale në Luginën e Preshevës dhe e ftoi z. Vlora që një ditë të shkruajë për këtë pjesë të kombit dhe të vizitojë Preshevën, Bujanocin e Medvegjën, duke ndjerë nga afër sfidat e shqiptarëve atje.

Në fund, z. Arsim Mulliqaj theksoi me forcë nevojën për më shumë unitet mes shqiptarëve, për të përcjellë të paprekur amanetin e të parëve tanë tek brezat që vijnë.

Ky takim i veçantë, i cili zgjati më shumë se një orë, nuk ishte vetëm një bashkëbisedim i ngrohtë, por një pikënisje për bashkëpunim më të madh në të ardhmen me Shkëlqesinë e Tij z. Darling Vlora. Ishte një ditë e historisë së gjallë, ku amaneti i të parëve u ndje si obligim, si frymëzim dhe si thirrje për të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë.

Filed Under: Reportazh

Krahina e Tafil Buzit dhe e Kombit

September 2, 2025 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Jemi rritur buzë Vjosës, Mezhgoranit, Tepelenës me këngët për Tafil Buzin, me trimëritë e pashoqe të tij, me kryengritjet kundër osmanëve.  Tafil Buzi qëndroi si lis i papërkulur i Kombit. 

Tashmë duke vazhduar jetën buzë oqeanit Atllantik më duket sikur dallgët e lumit Vjosa janë bashkuar dhe derdhen si argjend i bardhë, si shpirti i buziotëve këtu pranë Urës së Brooklinit një nga 7 mrekullitë moderne në botë. 

Me krenari kohët e fundit mësova nga Shoqata e mirënjohur “Tafil Buzi” me kryetar z. Bashkim Brahimaj dhe sekretar z. Roshi Hajdini se në Tepelenë do të vendoset shtatorja e krye kapedanit Tafil Buzi.  Mirënjohje për këtë arritje të madhe, pavarësisht se duhet të ishte realizuar me kohë dhe për pak figura të tjera elitare, por siç thotë populli më mirë vonë se kurrë.  

Merita iu takon liderëve të kësaj shoqate, kryesisë dhe gjithë anëtarëve që bënë aq shumë përpjekje deri në realizimin e saj. 

Kur lexova se ishte miratuar m’u duk se dëgjova zërin e Tafil Buz mustaqeziut në një muzg 

nju jorkez.  Dhe fillova të kujtoj këngën e famshme popullore si: “Ndë Stamboll karta dërgojnë/ Se raeja po lëftojnë/ Që në Berat’ e në Vlorë/ U mbush deti me pamporë/ Një pasha me tre taborë/ Misërishtatë i korrë/ Se e dinë me kë lëftojnë/ Me Gjon Lekë Kuçin thojnë/ Gjon Lek’ e Hodo Aliu/ Mbë dorë palla ç’ju ngriu/ Tafil Buz-mustaqeziu/ Nga Gryk’ e Kuçit arriu/…

Në këto projekte madhore kombëtare shoh fytyrën e bukur dhe të vërtetë të buzjotëve që kanë lënë gjurmë të arta në histori dhe ne kemi për detyrë që këto gjurmë t’i ruajmë me fanatizëm dhe atdhetari.

Tafil Buzi shkruan historia sipas Wikipedisë se ishte një nga figurat më të njohura të kryengritjeve shqiptare kundër sundimit osman në fillim të shekullit të 19-të. I njohur si “Trimi i Vegjëlisë”, ai udhëhoqi disa kryengritje të rëndësishme në Shqipëri dhe veçanërisht në zonën e Jugut, rreth Tepelenës, ku ai ka lënë gjurmë të thella në historinë lokale dhe kombëtare.

Tafil Buzi lindi në vitin 1792 në fshatin Buz, afër Tepelenës, një zonë që asokohe ishte pjesë e Vilajetit të Janinës. Në një periudhë të trazuar të historisë shqiptare, kur shqiptarët përpiqeshin të çliroheshin nga zgjedha osmane dhe të mbroheshin nga agresionet e ndryshme të Perandorisë, Tafil Buzi u bë një udhëheqës popullor dhe një figurë qendrore në përpjekjet për rezistencë.

Ai printe si një Luan i vërtetë ndër beteja dhe ishte një udhëheqës i pashoq i rezistencave kundër Perandorisë osmane.  Të luftosh një jetë 30 vjet kundër Perandorisë më të fuqishme osmane duhet të ishje një atdhetar zemërzjarr, me vizion dhe trim mbi trimat si Tafil Buzi. Ndonëse pati një harresë shtetërore Tafil Buzi ngeli në këngët epike, folklorin popullor, si një kryetrim i Vegjëlisë. Dhe tani pas 200 vjetesh do të vi përsëri në Tepelenë, tashmë jo me pallë e jatagan, por i ngritur në shtatoren e përjetësisë dhe kjo fal Shoqatës “Tafil Buzi” që po punon me atdhetari, përkushtim që në themelimin e saj.  Më duhet të shtoj se kjo shoqatë ka bërë disa herë bamirësira dhe përpjekje për t’u ardhur në ndihmë shtresave në nevojë!  Kjo shoqatë arriti të mbledh anëtarë që në fillimet e saj, më vonë u rrit më shumë u zgjerua dhe duke vazhduar së bashku doemos është progres.” Shoqata “Tafil Buzi” është histori suksesi. 

Si gjithmonë kam patur një vemendje krejtësisht të posaçme për të dëgjuar, kur mundesha ose gjeja një shteg hyjnor për këngët dhe vallet folklorike rreth krygjeneralit Tafil Buzi. 

Është e pamundur të përmend emra si kontribues për Tafil Buzin pasi ndroj se harroj dikë dhe natyrshëm nuk do ndihem mirë, por ajo që dua të përmend se Tafil Buzi jeton dhe rron në zemren e popullit, artistëve, poetëve, folklorit dhe skulptorëve.  Më lejoni të përmend Librin “Tafil Buzi dhe Trebeshina”, një enciklopedi e vërtetë e shkruar nga shkrimtari i mirënjohur dhe ish kryredaktor i Gazetës “Trebeshina” Feti Zeneli ku ish atdhetari dhe kryetari inxh. Medin Duro të gjithë kontribuesit për disa vjeçarë për të sensibilizuar opinionin për figurën e ndritur të Tafil Buzit i quan “40 shenjëtorët”.  Vërtetë frymëzuese!  

Ai ishte udhëheqësi kryesor i kryengritjeve antiosmane në Shqipërinë e Jugut në vitet 1828-1847. A e kuptoni të dashur lexues se çdo të thotë që një djalë buzjot nuk i pagoi taksat nuk u bë skllav, mbrojti trojet e veta dhhe i dërgoi osmanet me bisht ndër shalë në Anadoll? 

Detyra të mëdha na dalin përpara për edukimin e brezave me këto figura brilante të Kombit dhe do ja dalim…

Më 1834 drejtoi kryengritjen ushtarake në Berat ku mblodhi 10,000 luftëtarë ndaj populli i këndoi: “Çelua, arapi zi/ Tafili një grusht njeri/ Bashkë me Veis Vasjar/ Ikën e zunë Besanë. Duan të marrin kalanë”. 

Tafil Buzi me trimëritë e pashoqe si një udhëheqës popullor të kujton poeten e famshme amerikane Maya Angelou e cila thotë se: “I think a hero is any person really intent on making this a better place for all people që përkthehet: “Mendoj se një hero është çdo person që vërtete është i vendosur për ta bërë një vend më të mirë për të gjithë njerëzit.” —

Perandoria osmane e donte me çdo kusht të vdekur sidomos kur Gjenerali organizoi kuvendin e Picarit më 1847 i cili kërkonte shtetin autonom.  Ai arriti të kishte vëmendjen e Konsullit francez në Janinë, per shkak te autonomisë së Shqipërisë që donte të realizonte. Dhe kënga vazhdon: “Vanë more shokë,vane/ Gjithë ata burrat e parë/ Celua me Veiz Vasjar/ Me Tafil Buzin me pallë/ Bashkë me Gjolekë lap’në/ Tashti duhen, po ku janë?  Arbërinë shkretë e lanë!…

Historia shqiptare është e magjishme e dhimbshme, e shndritshme, është si Dielli dhe Hëna, ngase larmia shumëngjyrëshe e tregimeve, historive, kostumeve, traditat shekullore ndezin edhe netët duke ndriçuar fort saqë disa fjolla dritëzash refelektojne dhe në sipërfaqen e mëndafshtë të Oqeanit Atllantik ku jetoj.

Shoqata “Tafil Buzi” po e mban lart emrin e Kryegjeneralit të Kombit, ai është kthyer në një legjendë dhe doemos pa legjenda nuk ka heronj.  Kjo shoqatë po lufton dhe punon dhe me penë duke botuar gazetën “Trebeshina” e cila është bërë një tribunë e mendimit të lirë tepelenas dhe mbarëkombëtare.  Ndoshta mund të mos takohesh kurrë me këta krijues të nderuar gjatë jetës tënde, por shkrimet, gazetat, librat që kanë lënë bëhen miq pakuptuar me të gjithë lexuesit e tyre.

Kjo gazetë shkruan dhe tregon herë pas here si uji i kthjellët i bjeshkëve historinë e Tafil Buzit i cili që nga Tanzimati e tutje/ I mbeti palla mbi supe!

Ja për këto histori kombëtare u krijua Shoqata “Tafil Buzi” e cila është bërë frymëzim, krenari duke e mbajtur lart emrin e kryeheroit të Tafil Buzi i cili vuloste Kuvende burrash të Kombit dhe këtë Hero ndër 100 Heronjtë e Kombit do ta shohim të përjetësuar në Tepelenën tonë historike.

Autorja e shkrimit mban titullin e lartë: Kalorës i Urdhrit të Flamurit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Medaljen e Meritës Presidenciale dhënë nga Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.  Është publiciste, shkrimtare, autore e tetë librave, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe “Alba Life” në New York, Ambasador i Kombit, Gruaja e Vitit 2022, NY dhënë nga Motrat “Qiriazi”.

Filed Under: Reportazh

Një udhëtim në trojet e bjeshkëve shqiptare

August 28, 2025 by s p

Dr. Afrim Shabani/

Mbërritja ime në Shkup, më 20 qershor, kishte një ndjesi të dyfishtë: kthimi në atdhe dhe nisja e një rruge të re drejt majave të maleve. Në aeroport më priste miku im i dashur, profesori i arkitekturës Kujtim Elezi, biri i patriotit të njohur Sulejman Elezi. Aty nisi një udhëtim që do të përshkonte shtigjet e historisë dhe të natyrës shqiptare, nga Kërçova e deri në mbretëreshën e maleve, Maja e Gjeravicës.

Arsyetimi i një udhëtimi të tillë

Kam mbi tre dekada që jetoj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por prej pesë vitesh kam bërë një zotim bashkë me familjen: të njohim çdo cep të trojeve shqiptare – malet, fushat, lumenjtë, liqenet, detet, banjat, burimet, qytetet e lashta, kështjella, fortesa dhe fshatrat e harruar. Ky nuk është thjesht turizëm. Është një rikthim tek vetja, një proces i rivendosjes së kujtesës dhe identitetit. Në një botë ku udhëtimet ofrojnë miliona destinacione, unë zgjodha rrugën e maleve shqiptare sepse ato nuk janë vetëm gjeografi, por vetë historia jonë e pashkruar. Po t’i shkelësh, ndien se nuk je thjesht udhëtar, por një vazhdim i një brezi të lashtë që prej Ilirisë e deri sot.

Në prag të nisjes: Ulpiana, Mirusha dhe Rugova

Grupi ynë prej shtatë vetash nga Shoqata e Bjeshkatarëve “Ujëmiri” – Selim Ballazhi, Kujtim Elezi, Bedri Jahoja, Xhelal Saliu, Osman Adili, Riza Imeri dhe unë – nisi rrugën nga Kërçova me ndalesa që vetë kishin peshën e shekujve.

Në Ulpianë, pranë Prishtinës, pamë nga afër një qytet të lashtë dardan, qendër e rëndësishme ekonomike dhe kulturore, që arkeologët vazhdojnë ta zbulojnë shtresë pas shtrese. Zbulimi më i ri i mozaikëve dhe rrënojave të një bazilike të shekullit VI dëshmon për vazhdimësinë e jetës urbane shqiptare edhe në kohët e pushtimeve. Ishte një prekje e gjallë me qytetërimin iliro-dardan.

Nga aty shkuam në Ujëvarat e Mirushës, një varg prej mbi 16 kaskadash që formojnë liqene të vegjël blu si kristali. Këto ujëvara nuk janë vetëm një mrekulli natyrore, por një dëshmi e asaj se sa bujar është ky vend me bukuri të papërsëritshme.

Në Grykën e Rugovës, aty ku Bjeshkët hapen si një portë gjigande, ndaluam për të ndjerë thellësinë e kanionit mbi 25 kilometra, të skalitur nga lumi Lumbardh. Për çdo shqiptar që sheh këtë grykë, mendja shkon tek qëndresa e Rugovës, tek burrëria dhe tradita e kësaj treve.

Lepusha: porta e Trojanit

Në mbrëmje arritëm në Lepushë, ku bujtina malësore na priti me sofrën e mikpritjes dhe zërat e këngës folklorike. Familja që na priti, pasardhës të brezave buzmalit të Trojanit, mbante gjallë zakonet e vjetra, këngët dhe lahutën.

Në orën pesë të mëngjesit nisëm ngjitjen drejt Malit të Trojanit. Shtegu i ngushtë kalonte mes livadheve alpine e pyjeve të dendura. Ajri i pastër, era e barit të freskët dhe tingujt e zogjve e bënin çdo hap të dukej si një kthim në kohë. Kur arritëm majën, qielli u errësua dhe një stuhi shiu e breshëri na pushtoi. Por forca jonë ishte bashkimi – ndaj u përballëm si një trup i vetëm, dhe mbijetuam siç kanë mbijetuar gjithmonë shqiptarët në stuhitë e historisë.

Pas stuhisë, u kthjellua gjithçka. Peizazhi u hap me pamje nga Vermoshi, Kelmendi e deri tek bjeshkët e largëta të Plavës. Një horizont që dëshmon se kufijtë politikë nuk mund të ndajnë një komb që është i lidhur me male, gjak dhe gjuhë.

Vuthaj dhe Majat e Rosit

Të nesërmen shkuam në Vuthaj, në Malësinë e Gucisë. Prej aty nisëm ngjitjen drejt dy majave të Rosit, mbi 2500 metra, që sfidojnë alpinistët me shkëmbinjtë e thepisur. Vuthaj vetë është një fshat i famshëm për krojet e bukura, për Lahutën e Malësisë dhe për figurat patriotike që kanë dalë nga kjo trevë.

Tropoja, Rrasa e Zogut dhe kujtesa e Kosovës

Më tej, udhëtimi na çoi në fshatin Gjeravicë, ku kaluam dy net në një bujtinë që përzinte modernitetin me traditën. Nga aty u ngjitëm në Rrasën e Zogut, një majë që lidh Tropojën me Kosharën. Emri i saj ngjall kujtime për betejat e lavdishme të Kosovës, për gjakun e derdhur në luftën e fundit dhe për lirinë që sot ne e shijojmë. Prej asaj maje, fushat e Kosovës shtrihen poshtë si një libër i hapur ku lexohen plagët dhe fitoret e kombit.

Maja e Gjeravicës – Mbretëresha e Dardanisë

Pastaj erdhi dita e madhe: ngjitja në Majën e Gjeravicës, 2656 metra, maja më e lartë e Kosovës dhe e gjithë Dardanisë historike. Quhet “Mbretëresha e Dardanisë” sepse qëndron mbi të gjitha, duke ruajtur si një rojtar qiellor gjithë hapësirën shqiptare.

Ngjitja ishte e lodhshme, por çdo hap sillte një horizont të ri: liqenet akullnajore, barin e njomë, majat e thepisura që rrethojnë si një kurorë natyrën shqiptare. Në majë, ndjemë një ndjenjë të shenjtë – sikur gjendeshim në altarin më të lartë të kombit. Flamuri ynë i kuq me shqiponjën dykrenare, i valëvitur nga shoqata “Ujëmiri”, dukej si shenja më e pastër e një kombi që jeton e ngrihet lart, pavarësisht gjithçkaje.

Në zbritje, me nismën e Kujtimit, Selimit dhe Bedriut, mblodhëm tetë thasë mbeturina nga shtegu, për ta lënë malin më të pastër sesa e gjetëm. Ishte një gjest i vogël, por me domethënie të madhe: dashuria për atdheun nuk është vetëm fjalë, por vepër.

Prizreni – qyteti i kujtesës kombëtare

Në kthim ndaluam në Prizren, qyteti muze i shqiptarëve. U ulëm buzë lumit, pranë urës së gurit, shijuam ushqimin tradicional, pimë ujë nga krojet e lashta dhe soditëm kalanë që shekujve ka parë ngritjet dhe rrëzimet tona. Prizreni gjithmonë të kujton se shqiptarët nuk janë një popull i vogël, por një popull me një kulturë që përmban qytetërim.

Mbyllja e udhëtimit

Natën vonë arritëm në Kërçovë, të lodhur por të pasuruar shpirtërisht. Ky udhëtim nuk ishte vetëm një ngjitje malesh, por një pelegrinazh kombëtar, një shkollë historie e natyre, një mësim se bashkimi, mikpritja dhe kujtesa na bëjnë të mbijetojmë si komb.

Shoqata “Ujëmiri” dëshmoi se shqiptarët e Kërçovës, të Amerikës, të Kosovës, të Malësisë – të gjithë – jemi një. Dhe si shqiptar e amerikan, ndjej se kjo lidhje mes dy botëve nuk më largon nga atdheu, por më afron më shumë, sepse idealet e Amerikës për liri, drejtësi dhe dinjitet njerëzor janë të njëjtat që kombi ynë ka kërkuar gjithmonë.

Filed Under: Reportazh

Seminari i mësuesve të diasporës, tradita që vazhdon…

August 25, 2025 by s p

Nereida Xhakolli/

Sapo morëm vesh që edhe sivjet do bëhej e mundur zhvillimi i Seminarit të XVIII të mësuesve të Diasporës filluam menjëherë kontaktimet mes kolegësh e një nga pyetjet që më bëhej ishte: sivjet do vishesh me veshje sepse ty pa to nuk të imagjinojmë? Edhe personalisht unë pa kostumet nuk ndihem e plotë sidomos në seminare të tilla e kështu u lidha menjëherë edhe me dy bashkëpunëtoret e mia në Shqipëri të kostumeve tradicionale; Tefta Qose e Buqe Muka të cilat në kohë rekord mundësuan realizimin e dy kostumeve me të cilat do paraqitesha në ditët e këtij seminari. Për mua ishin emocione shumë të forta edhe për vetë faktin që po kthehesha në qytetin e Shkodrës plot mbas 32 viteve mbasi në atë qytet, në universitetin “Luigj Gurakuqi” unë isha diplomuar si mësuese dhe mes personaliteteve që do na prisnin do të ishte prezent edhe rektori i këtij Universiteti.

Sa emocione kur u takuam edhe me kolegë të tjerë që dje ishim studentë në bankat e tij e sot pedagogë ….Sa krenari, pozitivitet, forcë dhe energji e re. Nuk munguan as edhe pikat e lotit kur u kalua pragu i universitetit apo i ish – konviktit dhe sidomos ai i mencës ku ishte edhe diskoteka jonë e parë…Faleminderit për mikpritjen të gjithëve, për emocionet dhe ato ndjenjat e bukura që jetuam për ato ditë e mbrëmje të paharruara mes jush…Sivjet përveç shkëmbimit të eksperiencave, ritakimi me kolegët e diasporës, ky seminar ishte shumë bashkëkohor, ishte një gërshetim shumë i bukur i mësimdhënies tradicionale me atë teknologjike. Shumë interesante edhe për vetë faktin se shumë prej nesh, mësuesve të diasporës, jo të gjithëve patëm “fatin” të përdornim gjatë mbas viteve të studimeve teknologjinë.

Gjatë prezantimeve që u mbajtën në ditët e këtij seminari ndoqa me shumë kujdes, vëmendje duke u munduar të mos më shpëtonte asnjë fjalë nga kolegët. Në kumtesën e mësueses Lindita Budini u gërshetuan dy metodologjitë, ajo tradicionale ( libri) me atë bashkëkohore – digjitale. Çelësat kryesorë të mbajtjes së vëmendjes konstante së nxënësit gjatë orës së mësimit dhe nxitja e nxënësit dhe “transformimi” i tij në bashkëpunues me mësuesin pra; vënia e nxënësit në qëndër të orës së mësimit. Një pikë tjetër e rëndësishme ishte: libri/ kjo dritare diturie drejt njohjes së gjuhës amtare apo e trashëguar kurse teknologjia si mjet në përvetësimin më të mirë të saj. Si mund të shndërrojmë një orë mësimi në një orë argëtimi duke inxitur nxënësit të bëhen më aktiv dhe të zhdërvjellshëm ishte një pikë tjetër me shumë interes. Në kumtesën e Albana Haskut mbi udhëtimin imagjinar binte në sy fakti sesi mësueset e kësaj shkolle në bashkëpunim me nxënësit na demonstruan se si mund të realizohet një projekt shumë i kompletuar ku përfshin të gjitha lëndët dhe se si ai mund të pasurohet me aspektet kulturore.

Në momentin e nisjes së këtij udhëtimi nis udhëtimi mbi urën e re të krijuar prej tyre. Çanta e shpinës është “Valixhja” e mbushur jo më me mallin apo kuriozitetin e tyre për vëndin e origjinës por aty ndodheshin diamantët dhe thesaret që kishin zbuluar vetë me ndihmën e mësuesve. Kureshtja që do shkelnin vetë në tokën e prindërve, dashuria për kulturën e historinë, krenaria për profesionet dhe se si kanë luajtur një rol të rëndësishëm gjyshërit, familjarët e tyre në ndërtimin e Shqipërisë. Nga puna e mësuesve fëmjëve u lind një ndjejë e bukur dhe e mrekullueshme që quhet ATDHEDASHURI, prindërve u rizgjohet kjo ndjejnë dhe është një element ndihmës për rikthimin e brezit të ri. Dy sesione të zhvilluara me një profesionalizëm të lartë, nga ku sejcili prej nesh gjen diku vetveten në bazë të mundësive organizative që ka dhe në mjediset ku ndodhet. Ne mësuesit krenohemi me punën e secilit prej kolegëve.

Faleminderit organizatorëve që edhe sivjet bënë të mundur takimin, por a do vazhdojmë kështu akoma?

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • …
  • 178
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 50-VJET SHQIPËRIA PRITI!
  • Gjon Buzuku, nga cikli “Humanistë të hershëm shqiptarë shek XV-XVIII”
  • DIELLEZIM VLERASH PATRIOTIKE NE KUJTIM TE FAMILJES JASHARI NE FIRENCE ITALI
  • Zef Kolombi, mjeshtri i penelit dhe ngjyrave, një dritë e pashuar e artit shqiptar
  • ARSIMI NË GJUHËN LATINE NË TROJET SHQIPTARE
  • Through “Thinking of You”…
  • “Brenga” e autorit Dr. Pashko R. Camaj promovohet 15 mars 2026 te Kisha “Zoja e Shkodrës”
  • Nga fryma e 1981-shit te vizioni i së ardhmes
  • Zgjidhja më e keqe, fshehja e historisë
  • Rrjolli, një provë për pronën, turizmin dhe shtetin shqiptar
  • Fejton: Lavdia e Hajdutit Tonë
  • TOLERANCA FETARE VLERË AUTENTIKE E SHQIPTARËVE
  • 115-VJETORI I KRYENGRITJES SË MALËSISË
  • U festua me madhështi Dita e Mësuesit dhe e Gruas nga “Alba Life” – Ambasador i Kombit
  • Klubi “Flas Shqip” dhe Vatra Miami festuan 7 Marsin dhe 8 Marsin

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT