• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Misioni i amerikanes, Rose Wilder Lane në “Majat e Shalës” dhe historia një komiti

March 28, 2026 by s p

Libri “Majat e Shalës” është dëshmia e shkruar e një udhëtareje amerikane për Shqipërinë e fillimviteve ’20 të shekullit të kaluar. Një shpirt i bukur dhe një penë majëmprehtë, një sy gjithçkapamës dhe një vëmendje që tejkaloi kureshtinë, duke u njëtrajtësuar me të jashtëzakonshmen dhe realen ndër shqiptarët e atyre viseve.

Ky është një libër që zëshëm flet, fisshëm kumton, dritshëm sheh e mirakandshëm sjell aventurën e një grupi misionaresh të huaja, të cilët ndërmorën një udhëtim në viset veriore të vendit, nga Shkodra në Shalë, Theth e Shosh. Në sfondin e një bukurie mahnitëse të natyrës malore, përpara syve të tyre shpaloset një botë e çuditshme, magjepsëse dhe ekzotike, karakteresh njerëzore, dokesh dhe kulture.

Në këtë amfiteatër mistik, nën një qiell sa të thellë aq të sertë, me shiun dhe baltën që u tregon udhëtarëve rrugën, shkrepave që dalin nga legjenda e hyjnë në frikë dhe adhurim, ata vijnë për të lënë gjurmët e tyre në gjoksin e gjëmimt të një kohe për zgjim. Gjithçka që panë e dëgjuan ata, e skaliti me penë shpirti Rose Wilder Lane, me vërtetësi drite.

Lakmitë e të huajve dhe qëndresa shqiptare, intrigat europiane dhe lindja e shtetit të pavarur, Kanuni dhe dëshira për arsim e progres, gjakmarrja dhe besa, këngët, legjendat dhe besimet e lashta, përkrah konflikteve dhe rreziqeve të reja, vijnë copë pas cope, duke plotësuar pazllin e një panorame mahnitëse. I shkruar si një roman tërheqës aventure, libri i Rose Lane-s e rrëmben lexuesin si ujëvarat alpine të maleve që ajo përshkruan.

Amerikanja, Rose Wilder Lane, bujtëm në shpellën e një komiti

“Malësor, me të cilin u njohëm në shpellën sipër Lumit të Shalës dhe që na këndoi kënga për Durgut Pashën” shkruan në “Majat e Shalës”, shkrimtarja amerikane Rose Wilder Lane, e cila vizitoi Shqipërinë e Veriut në vitin 1922. Një letër e sapo ardhur nga Shqipëria më sjell lajmin se ai ka prerë mjekrën, ka varur pushkën në mur (kur u çarmatosën malësorët qeveria shqiptare bëri një përjashtim në rastin e tij) dhe tani po drejton me sukses të konsiderueshëm, një sharra në Mat, shkruan Rose Wilder Lane.

Rose Wilder Lane duke udhëtuar në Veri nga Shkodra, të shtërnguar nga koha e keqe dhe rruga e gjatë, të nxitur nga rrëfimet e atyre që kishin takuar, për njeriun e shpellës, bashkë me ato, të cilët e shoqëronin bujtën në shpellën e komitit.

Ajo shkruan mes të tjerash në librin e saj “Majat e Shalës”: “Unë nuk isha një njeri i pasur,” filloi ai, “por siç është thënia jonë: “Flokët më të vegjël kanë hijen e tyre”. Në shtëpinë time kishte dele dhe ishte një shtëpi me dy dhoma dhe arat na paguanin mundin. Kutia e duhanit në brezin tim nuk ishte kurrë bosh dhe kishte bukë në tavën e pjekjes. Ishte një djalë në djep dhe një tjetër pranë zjarrit dhe jeta ishte e qetë si Lumi Shala në verë, deri në ardhjen e Durgat Pashës.

“Pas kësaj erdhi tradhtia e Esad Pashës dhe, duke mos pasur as shtëpi, as dele, as djem, as duhan, por vetëm pushkën time…

Duhet ta ndërpresim, për ta kthyer te Durgat Pasha, dhe ai u habit që duhej më shumë se ai emër për të kuptuar. A nuk i kishim dëgjuar kurrë këngët e Durgat Pashës? Durgat Pasha, i cili në vitin 1912 erdhi nga Sulltani i Turqisë për të nënshtruar Bijtë e Shqiponjës, dogji e vrau. “Kur u ktheva në shtëpi nga luftimet, njerëzit e Durgat Pashës ma kishin djegur shtëpinë, gruaja ime dhe djemtë kishin vdekur. Pikërisht atëherë i dhashë besën vetes që të mos e varja kurrë pushkën në mur dhe të mos më prisja mjekrën derisa të çlirohej e gjithë Shqipëria.

Pasi na tregoi se si siguronte mbijetesën, duke plaçkitur dhe vrarë, duke bërë gjëra që nuk e nderonin malsorin, Perolli, një nga shoqëruesit e mi i tha: “Por është koha për të prerë mjekrën dhe për të varur pushkën në mur”, sugjeroi . Tashmë ka një qeveri të lirë shqiptare. “Por jo një Shqipëri e lirë”, tha komiti. “Qeveria e harron këtë dhe ulet në këshill me Fuqitë që na shitën në Itali dhe na dhanë te Serbia. A e keni harruar Kosovën dhe një milion vëllezër tuaj që janë skllevër të serbëve?”

….

Përgatiti: Albert Vataj

Filed Under: Reportazh

Shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. promovon romanin “Brenga” të Dr. Pashko Camaj 

March 17, 2026 by s p

Luljeta Xhediku/

Në një ndër libraritë më të reja të Brooklyn-it “Ryder library”, të shtunën e 14 marsit, kryesia e shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc., organizoi promovimin e romanit “Brenga” të autorit Dr.Pashko Camaj. Në këtë takim së bashku me autorin Dr. Pashko Camaj, morën pjesë anëtarë të shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej”, simpatizantë të saj dhe dashamirës të librit. Ishte i pranishëm edhe drejtori dhe themeluesi i shtëpisë botuese “Onufri” z. Bujar Hudhri. Z.Hudhri ka qenë një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të shkrimtarit tonë të madh, të ndjerit Ismail Kadare, dhe botues ekskluziv i veprave të tij. Z. Hudhri ka dhënë një kontribut të

pazëvendësueshëm jo vetëm në botimin e letërsisë shqipe, por edhe në forcimin e marrëdhënieve me letërsinë ndërkombëtare, përmes përkthimit dhe botimit në shqip të veprave të rëndësishme të autorëve të huaj. Një ndër kontributet më të rëndësishme i z.Bujar Hudhri është edhe krijimi i librarisë shqiptare online të emëruar “Alblibris”, në bashkëpunim me komunitetin shqiptar dhe veçanërisht me Dr. Pashko Camaj. Kjo librari është krijuar posaçërisht për shqiptarët që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe lexuesi shqiptar mund të gjejë aty libra të ndryshëm, në gjuhën shqipe dhe të huaj. Libraria u vu në përdorim më 28 janar 2026, në përvjetorin e nëntëdhjetë të lindjes së gjeniut të letrave shqipe, Ismail Kadare.

 Romani “Brenga” vjen pas librit të parë autobiografik “Porosia e Kullës”. Autori Pashko Camaj sjell për lexuesin një roman të dedikuar të gjithë atyre që mbetën viktima të një regjimi të egër totalitar të komunizmit në Shqipëri. Romani “Brenga”, i botuar nga shtëpia botuese “Onufri”, përshkruan historinë e dy të rinjve Markut dhe Toninit, ku Tonini arrin të arratiset nga Shqipëria gjatë sistemit të diktaturës dhe Marku për shkak se një natë më parë ishte takuar me shokun e tij, vuan pasojat, përndiqet, internohet dhe burgoset nga regjimi komunist i asaj kohe. Tonini arrin të vijë në tokën e ëndrrave, me një brengë që e shoqëron gjatë gjithë kohës. Autori edhe pse vetë me prejardhje nga Mali i Zi, nuk e ka jetuar plotësisht diktaturën komuniste ka arritur ta përshkruajë më së miri realitetin e asaj kohe. Grupi i punës e kishte ndarë romanin në 17 kapituj, dhe secili referues kishte zgjedhur kapitullin që e kishte tërhequr më shumë, dhe për të cilin do të fliste për përmbajtjen, idetë dhe qëllimin e autorit. Takimin e hapi znj. Alketa Veshi, e cila pasi i falënderoi pjesëmarrësit, i dha fjalën e rastit, kryetarit të shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. z.Imer Laçaj. Ai falënderoi të pranishmit dhe veçanërisht Dr. Pashko Camaj për pasqyrimin që i ka bërë realitetit të kohës komuniste dhe gjithashtu e përgëzoi për mesazhet që autori përcjell në këtë libër. Pas fjalës së rastit, fjalën e mori nënkryetari i shoqatës z. Lekë Preçi, i cili foli për kapitullin “Qetësi para stuhisë”, Arta Xhaferri diskutoi për kapitullin “Arrestimi i babait dhe internimi”. Z. Imer Laçaj u ndal për të folur rreth kapitullit  “Shërbimi në ushtri”. Z.Robert Dajlani foli për kapitullin “Fillimi i makthit”. Znj. Alketa Veshi komentoi rreth kapitullit “Dezertimi nga kampi”. Z. Elton Xhaferri foli për kapitullin “Kalimi drejt lirisë”. Znj. Adelina Laçaj kishte përgatitur një prezantim në Power Point rreth kapitullit “Në botën e lirisë”. Më e reja e këtij takimi ishte nxënësja Erla Lamçe, e cila u shpreh se ky libër e bëri të kuptonte më mirë historinë për sa i përket regjimit diktatorial në Shqipëri. Luljeta Xhediku diskutoi rreth kapitullit të fundit në “Pemën e Gështenjës”. Anëtarët e shoqatës “Skënderbej” Inc jo vetëm folën e diskutuan për vlerat dhe mesazhet që romani “Brenga” përcjell, të cilat po i lëmë që vetë lexuesi t’i zbulojë, por ata ndanë edhe dëshmi nga jeta e tyre për sa i përket periudhës së komunizmit në Shqipëri që do të thotë secili prej tyre gjeti një pjesë të së shkuarës në këtë roman të Dr. Camaj. Dr. Camaj u emocionua teksa dëgjoi me kujdes të gjitha komentet që u bënë dhe falënderoi me thjeshtësinë që e karakterizon pjesëmarrësit. Gjithashtu, drejtori i shtëpisë botuese “Onufri” përgëzoi jo vetëm autorin, por edhe të gjithë anëtarët që me gjithë vrullin që ka jeta amerikane gjejnë kohë të vijnë dhe të diskutojnë rreth librit dhe krijimtarisë së Dr. Pashko Camaj. Drejtori i shtëpisë botuese, Bujar Hurdhri, dhe Dr. Pashko Camaj prezantuan gjithashtu librarinë online “Alblibris”, ku të gjithë shqiptarët që jetojnë në SHBA mund të porosisin libra online dhe libri u vjen në shtëpi. Pasditja që anëtarët kaluan së bashku duke diskutuar rreth librit ishte një pasdite e këndshme dhe ndryshe nga të tjerat.  Shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. i uron suksese më tej Dr. Pashko Camajt. 

Filed Under: Reportazh

Shqiptarët në Philadelphia festuan Ditën e Verës

March 16, 2026 by s p

Nga dr. Sadik Elshani/

Dita e Verës është një festë e lashtë pagane që në vazhdimësi është festuar nga shqiptarët. Është një festë e gëzueshme që shënon mbarimin e dimrit dhe ardhjen e ditëve të ngrohta në Shqipëri. Nuk është vetëm një ditë që shënon ndërrimin e stinëve, por është edhe në ditë që sjell shpresë, energi të reja, ngrohtësi, përtrirje, bashkon njerëzit në një atmosferë të gëzueshme e festive. E tillë ishtë dita e shtune, 14 mars, në Philadelphia ku u organizua festimi i Ditëss ë Verës. Këtë vit ndoshta festimii i kësaj ditë ishte edhe më i hareshëm, sepse po vinte pas një dimri të gjatë me ditë shumë të ftohta e plot borë. Shumë bashkatdhetarë të gëzuar ishin tubuar në mjediset e brendshme dhe të jashtme të “Kafe Dajti”. Tryezat ishin të mbushura plot me ushqime tradicionale shqiptare: byrekë, petulla, bakllava, ëmbëlsira të ndryshme.

Kuptohet, Dita e Verës nuk mund të festohet pa ballokumet e famshme të Elbasanit. Ishin të ekspozuara edhe produkte ushqimore:  ullinj e vaj ulliri, reçele pemësh të ndryshme, si dhe produkte artizanale, instrumente popullore. Organizatorët kishin siguruar edhe këndin e lojërave për fëmijë. Zoti Haki Çollaku, dibrani krenar, në një kënd kishte sjellur “Odën dibrane”, ku ishin ekspozuar pamje nga krahina e Dibrës, instrumente popullore të zonës dhe produkte artizanale të asaj ane. Në raste të tilla nuk mungon as kënga e vallja shqiptare. Bashkatdhetarët e gëzuar kaluan së bashku ca çaste të hareshme, të lumtur që tani po na vijnë ditë më të ngrohta me gjithë atë forcën shpërthyese të stinës së pranverës. Festa të tilla e bashkojnë dhe e forcojnë më tepër komunitetin tonë, sjellin energji pozitive – kur festohet së bashku kënaqësia është më e madhe, çastet janë më të lumtura. Në kuadër të këtij manifestimi u organizua edhe një mbrëmje festive me muzikë e ushqime shqiptare.

Kjo veprimtari e bukur e plot hijeshi u organizua fal angazhimit të gazetares e veprimtares së palodhur të komunitetit tonë, zonjës Eva Dori në bashkëpunim me pronarët e “Kafe Dajt”, amviset duararta shqiptare, sipërmarrësit shqiptarë, numri i të cilëve cdo ditë është duke ushtuar. “Kafe Dajti” është një kafe – restorant ku shërbehen kryesisht ushqime tradicionale shqiptare dhe që nga hapja në nëntorin e vitit të 2024 është bërë një pikë mjaft e frekuentuar nga bashkatdhetarët. Është bërë edhe një qendër ku herëpashere organizohen edhe mbrëmje muzikore festa të ndryshme: festimi i Ditës së Shën Valentinit, Festës së Pavarësisë së Kosovës Ditës së Verës, etj. Shumë bashkatdhetarë e shfrytëzojnë këtë lokal për festat e tyre familjhare. Duhen përgëzuar pronarët e këtij lokali për gatishmërinë e tyre për t’i shërbyer komunitetit në forma të ndryshme.

Filed Under: Reportazh

ÚJ IFJÚSÁG (1968) / “PËR TË ARDHMEN DËSHIROJ VETËM NJË GJË : PAQE DHE QETËSI.” — INTERVISTA ME MBRETËRESHËN GERALDINË NË MADRID

March 15, 2026 by s p


Burimi : Új Ifjúság, 23 prill 1968, faqe n°9.
Burimi : Új Ifjúság, 23 prill 1968, faqe n°9.

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 15 Mars 2026

Gazeta hungareze “Új Ifjúság” ka botuar, me 23 prill 1968, në faqen n°9, intervistën ekskluzive të Mbretëreshës Geraldinë në Madrid me reporterin e gazetës gjermane “Neue Post”, të cilën Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

Dëshmia e gruas së Zogut

Në kohën e martesës së saj, në vitin 1938, Geraldina ishte një bukuri e spikatur. — Burimi : Új Ifjúság, 23 prill 1968, faqe n°9.
Në kohën e martesës së saj, në vitin 1938, Geraldina ishte një bukuri e spikatur. — Burimi : Új Ifjúság, 23 prill 1968, faqe n°9.

Epoka e mbretërve tashmë ka perënduar; ata po zhduken ngadalë në humnerën e historisë. Nganjëherë gazetarët i nxjerrin nga mërgimi i tyre, kur duan të shkruajnë diçka “që ende e intereson lexuesin”. Në një gazetë perëndimore hasëm intervistën e mëposhtme me një mbretëreshë të internuar me origjinë hungareze, Geraldinën, ish-mbretëreshën e Shqipërisë, e lindur kontesha Apponyi, e cila sot jeton në Spanjë.

Kush është kjo grua dhe si jeton ajo sot ? Le të kujtojmë pak ngjarjet historike. Shqipëria për më shumë se një mijë vjet ka qenë nën sundime të ndryshme. Pas luftërash të pafundme dhe të rënda, në vitin 1922 Ahmet Zogu, një udhëheqës me prejardhje nga një familje e vjetër shqiptare, arriti të marrë pushtetin në duart e tij. Fillimisht u vetëshpall (në fakt është zgjedhur) president i republikës, pastaj në shtator të vitit 1928 u kurorëzua si Mbret i Shqipërisë me emrin Zogu I. Ai sundoi për dhjetë vjet e gjysmë, derisa në pranverën e vitit 1939 italianët pushtuan Shqipërinë dhe Mbreti Zog, së bashku me bashkëshorten e tij, u detyrua të shkojë në mërgim.

Çfarë shkruajnë sot gazetat për këtë mbretëreshë në ekzil ?

  • Ajo ka një pasuri tmerrësisht të madhe.
  • Është e varfër si miu i kishës dhe mbahet nga fisnikët që jetojnë në mërgim.
  • Në Los Gavillanes, pranë vilës së Fabiolës, mbretëreshës së Belgjikës, ndodhet vila e saj luksoze.

Në të vërtetë, Geraldina jeton në Madrid. Dhe reporteri e përshkruan kështu takimin e tij me të :

Adresa e saj nuk gjendet në librin e telefonit, por në postë, kundrejt disa qindra pesetash, megjithatë ma treguan. Kopshti përpara shtëpisë, e lyer me ngjyrë rozë, është mjaft i pa mirëmbajtur. Qepenat janë të ulura; duket se mbretëresha nuk e pëlqen diellin.

Geraldinën e rrethojnë copëra të çmuara mobiljesh antike që dëshmojnë për një shije të rafinuar në shtëpinë e saj në Madrid. Mbretëresha i pëlqen gjërat e holla dhe të thjeshta. — Burimi : Új Ifjúság, 23 prill 1968, faqe n°9.
Geraldinën e rrethojnë copëra të çmuara mobiljesh antike që dëshmojnë për një shije të rafinuar në shtëpinë e saj në Madrid. Mbretëresha i pëlqen gjërat e holla dhe të thjeshta. — Burimi : Új Ifjúság, 23 prill 1968, faqe n°9.

— Çfarë të bëj, a të bie thjesht ziles ? Ndoshta është më mirë të telefonoj, mendova me vete.

U dëgjua një zë i thellë dhe i ngjirur i një gruaje.

U prezantova dhe pastaj pyeta nëse mund të flisja me Madhërinë e Saj, mbretëreshën.

Meqë nuk e kuptova në çfarë gjuhe foli zëri i mëparshëm, fola në anglisht dhe mora përgjigje po në anglisht :

— Këtu flet Mbretëresha e Shqipërisë.

— Uau ! Një mbretëreshë në linjë! Papritur nuk dija si të reagoja. Belbëzova diçka nga hutimi dhe pastaj i shpjegova se doja të flisja me të.

— Nuk më pëlqen të jap intervista — u përgjigj këtë herë në gjermanisht, por me një shqiptim të pastër hungarez. Nuk jam interesante. Dhe mbi të gjitha nuk më pëlqen të merrem me politikë.

— Ju siguroj se nuk do të flasim për politikë. Por do të doja të njihesha me një mbretëreshë.

— Dhe çfarë prisni nga kjo ? Mirë pra, nuk ka gjë, ju pres në orën pesë pasdite.

Vrapova shpejt në dyqanin më të afërt të luleve dhe zgjodha një tufë me lule pranverore. Vajza shitëse e luleve u habit shumë kur shkrova se lulet duhej të dërgoheshin në adresën e një mbretëreshe. Ndoshta mendoi se edhe unë isha mbret.

Mbretëresha Geraldinë është përshkruar në mënyra të ndryshme. Thuhej se ishte një grua me pamje të ashpër dhe me syze. Një zonjë e dëshpëruar, e keqe dhe grindavece. Por që kur fola me Geraldinën në telefon, nuk besoja se ajo ishte e tillë.

Kur i rashë ziles, derën e hapi një grua e re spanjolle dhe më çoi në një dhomë të thjeshtë, por të rregulluar me shumë shije. Nuk prita gjatë. U dëgjuan hapa gruaje që po afroheshin dhe Geraldina hyri brenda. Me shikimin e parë kuptova se ajo nuk i ngjante Liz Taylorit, por më tepër Lil Dagoverit. Por ajo kishte padyshim temperamentin e Marika Rökk. Manikyrin e thonjve e kishte saktësisht në të njëjtën nuancë me buzëkuqin e saj.

— Ju lutem, uluni zotëri. Çfarë do të pini, një vermut apo më mirë një sheri ?

Ajo nxori vetë gotat nga bufeja antike.

— Si duhet t’ju drejtohem ? Jam në siklet : “Lartmadhëria Juaj” apo “Lartmadhëria Juaj Mbretërore” ?

— A nuk mendoni se “Madame” është plotësisht e mjaftueshme ?

Pastaj ajo vuri re me kënaqësi se unë nuk pi duhan.

— Nëse më lejoni, Madame, do ta filloj me një pyetje paksa të guximshme. Si jetoni, nga çfarë jetoni dhe si e shihni të ardhmen ?

— Po bëni shumë pyetje. Do të përgjigjem shkurt. Për të ardhmen dëshiroj vetëm një gjë : paqe dhe qetësi. Gjithmonë kam frikë se po më ndjekin, se edhe nga këtu do të duhet të largohem përsëri.

Madame flet ngadalë ; më pëlqen që bën kaq shumë gabime në të folur.

— Do të doja të jetoj aq sa ta shoh Lekën, djalin tim, të martohet dhe të ketë shumë fëmijë të bukur. Shpresoj… — dhe Geraldina buzëqesh e lumtur.

— Pra dëshironi të bëheni gjyshe. Dhe mendoni se djali juaj mund të bëhet mbret dhe ju përsëri mbretëreshë një ditë ?

— Djali im është dy metra i gjatë. Sot është njëzet e tetë vjeç dhe pas vdekjes së të atit, në vitin 1961, në hollin e një hoteli në Paris, në prani të tridhjetë patriotëve shqiptarë të mërguar, ai mori simbolikisht fronin shqiptar. Ai e përforcoi këtë me një betim, duke premtuar se do të mbrojë integritetin territorial të Shqipërisë. Natyrisht, e di se e gjithë kjo ishte vetëm një skenë si në operetë. Shqipëria nuk do të jetë më kurrë një mbretëri dhe gjithmonë do të mbetet nën sundimin komunist. Por ne thamë se nuk do të bënim politikë ! — buzëqeshi me një buzëqeshje paksa dinake.

— Sa për mua, nuk mendoj kurrë të jem një mbretëreshë që sundon. Sepse, e dini — shtoi ajo me besim — është diçka tjetër të sundosh pranë një bashkëshorti mbretëror. Kur munda të ulesha pranë burrit tim, e pranova me mirënjohje që populli shqiptar më kishte dashur aq shumë mua, një konteshë hungareze. Por të sundosh ? Gjithmonë sundojnë burrat, sepse nëse gratë do të bashkoheshin, do të arrinin shumë në politikë. Ato madje mund ta shpëtonin edhe çështjen e paqes në botë.

Sipas revistës “Neue Post”

Filed Under: Reportazh

DIELLEZIM VLERASH PATRIOTIKE NE KUJTIM TE FAMILJES JASHARI NE FIRENCE ITALI

March 11, 2026 by s p

Ishte  një ditë marsi jo si të tjerat,  këtu në zemrën e kulturës e artit italian, në Firence, Toskana, Itali. Ishte dita e fundit e javës, e Diel. Mirësisht u shoqërua me rreze  dielli që po zgjonin limfën në dejet e gjallesave. Ishte një ditë që gjallëroi hareshëm, gëzueshëm, shqiptarët mergimtar nga krahina e Toskanës, nga vëllezerit e motrat tona, të ardhur nga Kosova martire, nga shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, nga Çamëria e krahinat e ndryshme të maleve tani kësul bardha të rrethinave të Ulqinit, Podgoricës, Tuzit, arbëresh nga e gjithe Italia e të ftuar të shumtë.  Ishte data 8 Mars 2026.

      U mblodhëm, u bashkuam pikërisht këtë ditë,  në këto mjedise të gjelbërta e arkitekturë peisazhesh mrekulluese për të marrun pjesë në manifestimin ‘’Kushtrimi i Lirisë,, përkujtmore e artistike  për të nderuar, respektuar me përulësi, sakreficat ma të shejta, ma therroret të të gjithë atyre që flijuan jetën në themelet e lirisë, të familjes Jashari nga Prekazi i Kosovës në datat 5, 6 dhe 7 Mars 1998. 

               Aty ndodheshin  vetëm 60 burra, gra, nuse dhe fëmijë,  nga këto 57 ishin pjestar të familjes së madhe Jashari. Ato u rrethuan në befasi nga 600 policë e ushtar Serb të armatosur gjer në dhambë.  Sa kaq filloi e ashpër lufta erë baroti, krisma pushkësh, mitralozësh, bombash,  dhamb për dhambë, bajonetë për bajonetë, tytë për tytë, trup me trup, për jetë a vdekje. Beteja e përgjakshme, dritare në  dritare, çati në çati, nga oborri në oborr, zgjati 36 orë, britmash, thirrjesh besa  besë. Së fundi gjithëçka u la me gjak heronjsh e heroinash,  u kthyen në gërmadha shtëpitë, avllia e gjithëçka. Nga kjo betejë me e përgjkshme se kurrë,  ma heroikja se asnjë herë tjetër, fatmirësisht u gjet e gjallë nën këto gërmadha të njomura me gjak familjarësh vetëm  Besarta Hamzë Jashari. Deshmitarja e vetme e një tmerri me një fund tragjik, të një beteje ma se heroike e legjendare ku u flijuan dëshmorët e parë të një lufte heroike që sapo kishte filluar me pjesmarrjen mbarë kombëtare.

             Ishte amaneti i tyre, ishte besa e tyre e lidhur në  ato tre shtëpi  rrethuar me një avlli, ishtë ai heroizëm që zgjoi idene këtij  manifestimi  madhështor teje emocionues, zgjim shkulmesh dhe ndjenash atdhedashurie. Ky arriti të organizohej ma së miri nga Petrit Aliaj, President Nderi i Federatës,  Dr.  Ninfa Pema, Sekretare e saj  dhe kryetari i komisionit për Mediat, Prof. Ndue Shabaku, të Federatës Kombëtare të Shoqatave Shqiptare në Itali –  FNAI. Gjithashtu punuan pa pushim, me të gjitha energjitë fizike e mendore, për rreth dy muaj, vëllezërit Sami e Valon Kabashi, Artan Bakiasi  dhe Erzen Mazreku të shoqatës ‘’Adriatiku,, në Firence.

         Salla shumë e madhe, me karriket blu, u mbush plotë e përplotë, ku siç thuhet, nuk kishe ku hidhshe mollën. Dallgë emocionesh, shkulme krenarie shqiponjash, solli zani i ambël, i kthjellët i gazetarit të R.T. K. Faton Salihu, oratori, drejtuesi i programit të manifestimit.  

               Pastaj të gjithë në kambë kënduan  hymnin kombëtar. Në tribunë, me plisin e bardhë në kokë u ngjit Kryetari i  FNAI-it  Granit Muçaj. Ai me një ligjeratë emocionuese, ku heroizmi, krenaria kombëtare, kujtesa për sakreficat kulmore të familjes Jashari, banë që dëgjuesit e shikuesit t’a ndiqnin me shumë kujdes dhe vemendshmëri.  Pastaj përshëndeti të pranishmit Ambasadorja e Kosovës në kryeqytetin Italian, Roma, Z. Anila Shala.

    Kur oratori ftoi në foltore, Lulëzim Adem Jasharin, pjesmarrësit u ngritën në kam me duartrokitje  të fuqishme. Gjatë ligjerimit të djalit të heroit legjendar Adem Jashari, bulëzuan mendimet e shtruara gjithë  urtësi, mençuri e flakërima heroizmi e patriotizmi mbarë kombëtar. Pas tij fjalën e mori Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Ardian Gola ku theksoi ndër të tjera se lufta për çlirmin e Kosovës përfshiu mbarë kombin shqiptar, si dhe luftëtar nga Roma, Stambolli dhe Bukureshti.  Pastaj foli Luljeta Çobani, përfaqsuse e Ambasadës të Shqipërisë në Milano ku përgëzoi pjesnmarrësit, përfaqësuesit nga Kosova Maqedonia e Veriut, arbëreshët dhe organizatorët e këtij manifestimi mbarë kombëtar.  Alfred Bider vëllai i dëshmorit italian i cili ra heroikisht për çlirimin e Kosovës, Françesko Bider. Ai përshëndeti të pranishmit dhe theksoi vlerat e shumta të luftës për çlirimin e Dardanisë. Me shumë  vëmendje, rrespekt dhe  mirënjohje u degjua fjala e gazetarit të televizionit  Shqiptar shqiptar Marin Mema. Pastaj ju afrua mikrofonit në foltore Z. Valon Kabashi përfaqësues i shoqatës ‘’Adriatiku.,, i cili përshkroi mjaft qartë betejën në Prekal me dashuri, krenari, dhimbje, por edhe me drithma emocionesh.  

                      Ishin të pranishëm në këtë manifestim ngjyra flamujsh, kostumesh kombëtare nga mbarë shqipëria natyrale dhe atdhetar zemër zjarr nga  të gjitha moshat. Duhet të shkruajm me shumë respekt, dashuri vellazërore për të qenurit midis këtij manifestimi madhështor, mbreselanes e vrullshmëri ndjenjash atdhetare Z. Adnan Azizi, Deputet i Kuvendit të Maqedonsë të Veriut sëbashku me Zëvendësministrin e Kulturës dhe Turizmit të Republikës të Maqedonisë së Veriut. Sadet Sulejmani. Gjithashtu na nderoi me pjesmarrjen e tij edhe Zëvendës Persidenti i lagjes 5,   Rifredi  në Firences, Franko Muzi. Dr. Alket Veliu ishte i pranishëm në manifestimin ‘’Kushtrimi i Lirisë,, si presidenti i  Fondacionit ‘’Çamëria,,  Në mes pjesmarrësve të shumtë ishte edhe Ornela Radovicka, drejtuese e Qendrës Albanologjike  në Frasnite, Kalabri,  Itali.

    Emocione të pa përshkrueshme me rrëmbime duartrokitjesh të vazhdureshme ngjallën, krijuan, grupi artistik i fëmijëve të shkollës shqipe ‘’Zëri i Atdheut,, të Rexhe Milias, me president Z.  Shaban Muça. Vallet e nxanësve veshur me kostume kombëtare u luajtën me plotë artë dhe elegancë, me shpirt atdhedashuri, e me mjaft mjeshtri.  Grupi i valleve të shkollës shqipe  me emrin  e dy vëllezërve ‘’Adem e Hamëz Jashari,, nga qyteti i Peruxhias me president  Abdulla Bufi, shoqëruar nga prindër dhe mësuse, një ndër ato edhe dibrania, libërshkruesja Emrie Skuka Mera. Njëra nga vajzat e kësaj shkolle recitoi një poezi ku shprehu me plotë art dhe dhimshuri akte heronjesh. Pastaj një grup  nxanësish  luajti dy valle kosovare me veshje kostumesh kombëtare teje emocionuese.  Muzika dhe arti i të vallzuarit lëvizjet e shkathta, prekën ndjeshëm telat ma të holla të harpes të  nndjenjave të shikuesve të shumtë.

‘’Ansambli i kangëve e valleve shqiptare,, me drejtor Jetmir Rexhepi të Republikës të Maqedonisë të Veriut u paraqit me kostume të larmishme popullore. Kangëtar të rinj me zanin e tyre melodioz, rrëmbyen vullnetshëm emocionet e pjesmarrësve në manifestim. Ato treguan, shprehën, vlerat qe mbart arti i të  kënduarit e vallzuarit  në forcimin e ndërgjegjes kombëtare si shtylla edukimi dhe zhvillimi. Vallet e luajtura me mjeshtri, dinamikë, njekohesisht me plotë levizje elegante rrëmbyen shikimet dhe vëmendjen e gjithë të pranishmëve në sallë. Kostumet popullore të përdorura nga breza të shumtë shqiptaresh zbukuronin vallatrët, duke ju dhanun një shkëlqim fytyrash e trupi gadi si nje madhështi hynjore. Shoqërimi i tyre me flamuj kombëtar sillnin një rrezatim të fuqishëm, drithërim  emocionesh, njëkohesisht  shprehnin lulëzimin e kësaj pasurie të madhe mbarë kombëtare.  

  Të pranishëm ishin kameraman dhe gazetar të Radio Telivizionit të Kosovës me drejtor Rilind Gërvalla. Ato filmuan  gjithë manifestimin, ku mbizotroi ngjyra e kuqe e kostumeve dhe shqiponja dykrenare në flamuj. Ato  i jepnin tribunës së çfaqjeve një bukuri joshëse, sigurisht edhe ekraneve të televizioneve të shikuesve të shumtë .  

         Me plotë shkathtësi, korrektësi e profesionalitet, filmuan gjithë veprimtarinë kulturore e artistike edhe  radio televizioni ‘’Koha,, me pronar Amir Abdiu dhe drejtor teknik Adnan Selmani nga Republika e Maqedonise të Veriut. Misioni i tyre ishte   transmetimi direkt i gjithë veprimtarinìsë të zjarrtë, ‘’Kushtrimi i Lirisë.,, ujvara emocionesh e shatravane ndjenjash krenarie kombëtare. Ato e realizuan të gjithën me shumë sukses duke çuar  peshë  zemrat e mijëre  e mijëra shikuesve brenda dhe jashtë kufijve të shtetit të tyre. 

    Shtegëtuamm disa orë në kohët e lavdishme të së  djeshmes e të së sotmes, amanete legjendash  të Mujos e Halilit. Jetuam dashuri të drithshme për jetën duke andërruar e realizuar lirinë tonë, të fëmijëve dhe brezave që do të vijne plotë dritë, dashuri mamëdhetare. Gjithë këto që gëzojm sot janë arritur me mundime dhe sfilitje prometeriane, me flijime jetësh të shumta e sakrifica të tejskajshme. Të ruajm lirinë, amanetin e famijes Jashari me komandantin legjendar Ademin, duke zhvilluar ekonominë, kulturën, ruajtur traditat dhe punuar e jetuar sëbashku siç i ka hije shqiptarit.

     Firence më, 09.03.2026                 Mergimtari  Dr. Selman  Meziu

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 195
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • STOP DHUNËS NDAJ STUDENTËVE!
  • JO NJË KATOVICË TË DYTË! – SHQIPËRIA KA NEVOJË PËR NJË FILLIM TË RI, JO PËR RICIKLIMIN E PUSHTETIT!
  • “Humanoidët”, një çast në atelierin e Artur Muharremit
  • Life in “Time Shelter”
  • Akademia e Shkencave kujton sot, në përvjetorin e ndarjes nga jeta poetin e madh të kombit që i dha zë Rilindjes Kombëtare, Naim Frashërin
  • Studentët kanë gjithmonë të drejtë!
  • Më dhemb ajo që po shoh nga larg
  • Kur miqtë e Shqipërisë kthehen kundër qeverisë, fundi i iluzionit politik Rama?
  • KARRIGET E PUSHTETIT DHE LIRIA E POPULLIT
  • KËRKESAT E STUDENTËVE JANË EDHE KËRKESAT E NJË POPULLI TË TËRË!
  • EDI RAMA, SHQIPËRIA NUK MUND TË MBAHET PENG PËR PUSHTETIN TËND!
  • “Ndalimi i torturës dhe i trajtimit çnjerëzor ose poshtërues është absolut”
  • A PRIME MINISTER WHO IS BOTHERED BY THE VERY CONCEPT OF THE RULE OF LAW
  • Studentët dhe rinia që po protestojnë kundër qeverisë, nuk janë armiq të Shqipërisë
  • Shqipëria nuk do të jetë më e njëjtë!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT