
Prof.dr. Pal NIKOLLI/
U kujtojmë përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar se nuk bëhet fjalë vetëm për kërkesat e studentëve, por edhe për pakënaqësinë e një populli që, prej 36 vjetësh, ndihet i dhunuar, i nëpërkëmbur dhe i zhgënjyer nga klasa politike shqiptare.
Qytetarët kërkojnë largimin e Edi Ramës, por edhe fundin e modelit të qeverisjes Rama, i cili është shtrirë në të gjitha institucionet shqiptare, përfshirë edhe universitetet publike.
Universitetet, që duhet të jenë tempuj të dijes, të meritokracisë dhe të mendimit të lirë, nuk mund të shndërrohen në instrumente të pushtetit politik. Shqetësim të veçantë ngre edhe drejtimi i institucioneve akademike nga persona me të kaluar në organet e drejtësisë së regjimit komunist, përfshirë ish-prokurorë të asaj periudhe, kur mungesa e transparencës dhe e llogaridhënies cenon besimin publik.
Shqipëria ka nevojë për më shumë se ndryshimin e një kryeministri: ka nevojë për ndryshimin e një modeli qeverisjeje dhe të kulturës së ushtrimit të pushtetit.
Mesazhi për komunitetin ndërkombëtar është i qartë: kërkesat e studentëve duhen dëgjuar në kontekstin më të gjerë të kërkesave të qytetarëve për drejtësi, demokraci funksionale, institucione të pavarura, meritokraci dhe respektim të dinjitetit njerëzor.
Zëri i studentëve nuk është i izoluar. Ai është pjesë e një kërkese më të gjerë shoqërore për ndryshim, përgjegjshmëri dhe një të ardhme më të drejtë për Shqipërinë.