
Dr. Dritan Demiraj/
Asnjë karrige kryeministrore nuk vlen sa jeta e një qytetari. Asnjë interes politik nuk justifikon dhunën ndaj gjimnazistëve, studentëve dhe qytetarëve që ushtrojnë të drejtën për të protestuar.
Denoncimet për përdorimin e plumbave të gomës, goditjet me shkopinj në kokë, plagosjet e rënda, keqtrajtimet në komisariate dhe ndjekjen e protestuesve me automjete janë alarm për të gjithë shoqërinë. Çdo rast duhet të hetohet menjëherë dhe çdo përgjegjës të përballet me drejtësinë, pavarësisht gradës apo mbështetjes politike.
Policia e Shtetit nuk është pronë e kryeministrit! Uniforma është përgjegjësi ndaj ligjit dhe qytetarit. Çdo punonjës policie duhet të refuzojë urdhrat e paligjshëm. Çdo pretendim për persona të paautorizuar që ushtrojnë dhunë apo kryejnë ndalime duhet të zbardhet urgjentisht.
Edi Rama, mbajtja e pushtetit përmes frikës dhe represionit e shtyn Shqipërinë drejt një përplasjeje me pasoja tragjike. Ke përgjegjësinë politike të ndalosh përshkallëzimin përpara se vendi të përjetojë një tragjedi të pakthyeshme.
Zgjidhja që kërkojmë është e qartë: dorëheqja jote, krijimi i një qeverie teknike me mandat njëvjeçar dhe garantimi i kushteve për zgjedhje të lira e të ndershme.
Qytetarëve u bëjmë thirrje të qëndrojnë të bashkuar, të vendosur dhe paqësorë. Dokumentoni abuzimet, kërkoni drejtësi dhe mos bini pre e provokimeve të bandes antishqiptare të Rilindjes dhe policisë të narkokrimit.
Shqipëria nuk është çifligu yt. Boll deri tani ja ke dorëzuar krimit të organizuar dhe interesave të huaja antishqiptare.
Policia nuk është garda jote personale. Qytetarët nuk janë armiqtë e shtetit. Jep dorëheqjen dhe hap rrugën për një zgjidhje demokratike!