• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

WINTERTHURI ­ FOTOZHENIA ZVICERANE – TUR MEDIATIK ME GAZETARËT E APES

December 22, 2013 by dgreca

Reportazh nga ELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ/

PROLOG /

Udhëtojmë me tren në klasin e parë. Destinacioni ynë Winthertur. Treni do të ketë ndalesë në Aeroportin e Klotenit, Zyrih dhe pas Winthurit do të vazhdojë rrugën për në Konstancë. Është bukur të udhëtosh me tren. Me trenat e Zvicrës. Jo më kot zviceranët bashkë me japonezët janë më të dashuruarit pas udhëtimit me tren. Edhe ne po ashtu. Kur punonim tek Bota Sot, e merrnim trenin çdo ditë. Në tren lexonim shtypin e ditës ose skiconim kolumnat tona. Në Zvicër edhe pa veturë je shumë ok, sepse është një nga vendet me infrastukturën më të zhvilluar në rrang planeti. Shumica preferon mjetet e qarkullimit publik. Kanë shpëtuar nga paranoja e veturës, e cila tek ne shqiptarët ka arritur kulmin, për shkak të izolimit, të kohës kur në rrugët e Tiranës lëviznin vetëm veturat e nomenklaturës komuniste. Ne udhëtojmë zakonisht në klasin e dytë. Por kësaj here My Switzerland, që është mikpritësja dhe e ka ftuar grupin tonë të gazetarëve, na ka dhuruar për dy javë rresht nga një biletë gratis të klasit të parë. Që do të thotë t’i hypësh trenit e të mos ndalesh. Përse jo ! Ja vlen, sepse në çdo udhëtim të ri, ne zbulojmë diçka të re nga Zvicra, paçka se në këtë vend, kemi gati dy dekada që jetojmë dhe mund të ndihemi edhe zviceranë të vërtetë. Mjafton që të respektosh mënyrën e jetës këtu, ku mbretëron shteti ligjor. Ne gazetarëve që jemi me rrënjë nga Ballkani na digjet shpirti për shtetin e së drejtës, sepse në vendet nga vijmë demokracia është e brishtë, ndërsa shteti ligjor është vetëm një ëndërr e shqiptarëve.

WINTHERTUR MBUSH 750 VJET

Sikur në mesnatën ndërmjet 31. 12. 2013 dhe 1.1.14 të ndodheshit në Kirchplatz, në Sheshin e Kishës, në Winterthur (Vintertur), do të ishit të mrekulluarit e botës. Kjo që duket si një ftesë të cilën ne jua bëjmë ne sot, në fakt është një dëshirë e brendshme e vinterturasve. Ata zbresin atë çast me të gjitha familjet e tyre, me të mëdhenj e të vegjël, në sheshin që mban vetëm pesë minuta larg stacionit qendror të trenit (Bahnhofit). Dhe do të donin që nisjen e Vitit të Ri 2014 ta ndanin me gjithë botën. Sepse atë mesnatë të një date të re dhe të një moti të ri, me një instalim të posaçëm zanor, nis një jubile i rrallë ­ 750 vjetori i qytetit të tyre.

Edhe pse jemi në zemër të dimrit, urojmë të mbajë mot sa më i mirë në atë ndërrim të veçantë motesh. Nëse jo, të jeni të sigurt se Wintethuri nuk e zbeh magjinë e bukurisë së tij qoftë në ditën apo natën, në dimër apo verë, në diell apo shi, në borë apo në akull. Nga çdo kënd ta shikosh, nga çdo çast që ta shikosh, kudo të hedhës syrin, kudo të shkrepësh aparatin fotografik, Winterthuri shpalos vetëm bukuri.

APES NË WINTHERTUR

Nëse Zvicra është vendi më fotozhenik i botës, natyrisht Winterthuri është qyteti më fotozhenik i Zvicrës, është vetë fotozhenia zvicerane. Shumë më tepër se një metaforë elegante, kjo që themi ne është një realitet që shpaloset, një dukuri që preket.
Ashtu si u shpalos dhe u dëshmua për ne, familjen e madhe të gazetarëve të APES, tri ditë rresht, fundjavën përmbyllëse të tetorit, të mikpritur nga Swissturism dhe nga dega e tij në këtë qytet, Winterthurturism. U ritakuam me Bobin, Maria Teresa, Marie Noel, Sarën, Gorgui, Tamer, Gabrielën, Jean, Katian, Jurin, Freddyn etj. me të cilët jemi kolegë dhe miq.
Kur flasim për familjen, kësaj here jemi përtej metaforës, në një kuptim konkret, sepse pjesa më e madhe e kolegëve dhe e kolegeve janë të shoqëruar nga bashkëshortet apo bashkëshortët e tyre. Gazetari i Itarr-Tass ishte me nënën dhe djalin e tij të vogël, i cili nuk u lodh asnjëherë. Pjesëmarrja nga mediat më të rëndësishme ­ të shkruara, elektronike apo online ­ nga Evropa e nga pothuaj të të gjitha kontinentet e tjera është e madhe, kjo e bën të domosdoshme që, gjatë vizitave tona, të ndahemi në dy grupe, në atë anglishtfolës dhe në atë frëngjishtfolës, secili grup me udhërrëfyesen e vet.
Grupi i plotë do të takohej kështu vetëm gjatë vakteve të ngrënies, pra mëngjeseve, drekave dhe darkave.

PÉTIT DÉJEUNER ALLA PREVER APO…MÜESLI

Zvicra tregon shumë vemendje ndaj gazetarëve, të cilët ndihen të privilegjuar. Por jo, nuk është privilegj, ky është stili i të jetuarit në Zvicër, që për ne gazetarët e APES këto tri ditë në Winthertur fillon me një mëngjes fantastik në sallën e ngrënies të hotelit, ku gërshetohen të gjitha llojet e mëngjeseve që konsumohen në çdo cep të globit. Dëshiron ta nisësh ditën me një petit déjeuner, si në poezinë Zhak Preverit, me një kafe me qumësht dhe croissant, apo dëshiron të hash një english full breakfast, dëshiron të thyesh sa për fillim dy-tri arra, ku çdo gjë është organike, dhe pastaj të vazhdoshë me proshtutë viçi apo gjeli, e me djathra francezë, apo nëse je vegan të mjaftojnë drithrat dhe lëngjet e frutave që i shtrydh aty për aty. Por mos ikë pa provuar një tas me Müesli, mëngjezin popullor zviceran, që ka për bazë drithra të pazjera, përzierë me fruta të freskëta e të thata, mbi të cilat pastaj hedh qumësht, kos apo lëngje frutash, një traditë e mrekullushme e krijuar në fillim të viteve 1900 nga mjeku zviceran Maximilian Bircher-Benner për pacientët e tij në spital, që tani ka bërë histori sepse është shumë i shëndetshëm. Të gjitha i ke përpara, vetëm zgjidh sipas shijes dhe kulturës. Dhe kështu nis dita e turit tonë mediatik në Winthertur.

MR TOURISMUS ME APES NË WINTHERTUR

Për rëndësinë e veçantë të kësaj veprimtarie treditore flet edhe prania e përhershme e vetë numrit një të turizmit zviceran, Mr.Tourismus, zotëri Federico Sammaruga, një think-tank, talent i padikutueshëm në fushën e tij, një komunikues tejet i përkryer, poligliot dhe një temperament tejet miqësor. Siç do të pohonte vetë, në natyrën e tij solare do të ndikonte gjyshja italiane, ajo që ia ka dhënë edhe emrin.
Data 25 tetor ishte në dipozicionin tonë për të prekur, pra, për të bërë rikonicion, në terrenin ku dy ditët e ardhshme do të zhvillonim hollësisht tematikat e kësaj veprimtarie dhe ku gjatë gjithë kohës grupi i gazetarëve të APES do të ishte me zotërinë Sommaruga.

MINUS LIQENI PLUS SHTATË KODRAT ­ E TË TJERA

Qytet idilik. Ky është një nga karakterizimet e shumta ndaj Winterthurit. Dhe bëhet fjalë për qytetin e gjashtë më të madh të Zvicrës, me 100 mijë banorë, 15 minuta me tren nga Aeroporti i Zyrihut, njërit ndër më të mëdhenjtë dhe më modernët në botë, 20 minuta nga qyteti i Zyrihut, kryemetropolit ekonomik zviceran dhe njërit ndër metropolet më të rëndësishme botërore, njëkohësisht qendër e kantonit ku bën pjesë Winterthuri.

IDILI I WINTHERTUR ME NATYRËN

Idili më i pazakonshëm për një qytet është ai me natyrën. Winterthuri duket se ka pasur një rritje graduale. Pra, nuk ka pasur periudha të rritjeve veçanërisht të vrullshme, ndonëse ka pasur periudha të lulëzimeve të veçanta të vrullshme. Dhe kjo ka ndikuar në ruajtjen dhe pasurimin, pas gati tetë shekujsh, e atyre raporteve që kishte me natyrën para tetë shekujsh, kur ishte fshat dhe romakët e quajtën Vita Durum, ndërkohë që, me kalimin e kohës merrte formën Winterthur, por që nuk ka të bëjë me dimrin. Ndërsa vendësit e thërrasin ëmbëlsisht në formën e shkurtuar Vinti. Dhe veten e thërrasin gjithashtu vinti. Ky është edhe një ndër sqarimet e para që vendësit ua bëjnë miqve.
I themeluar nga romakët si qendër banimi diku një shekull para Krishtit, ndërtimet e para  të mëdha do t’i përkisnin fisit të madh të Habsburgëve, të cilët i kanë rrënjët këtu, por për çka vinterturasit janë indiferentë.
Dhe ankimi i parë e i fundit i vendasve është, pra, ndaj një padrejtësie absurde të natyrës ­ se Winterthuri është një qytet pa liqen. Kjo, madje, duket e pamendueshme dhe e pafalshme për një vend si Zvicra, me dhjetëra liqene të mëdhenj dhe me qindra liqene të vegjël, mes tyre liqene që ndahen me vendet fqinje, si Franca, Italia, Gjermania apo Austria, liqene që ndahen mes disa kantoneve dhe qyteteve, liqene që ndahen mes disa fshatrave, deri tek liqene që, edhe pse vetmitare nëpër alpe dhe pyje, tërheqin turistë pa fund dimër e verë. Por, megjithatë – Wintherturi i ka afër liqenet – siç është Zürisse, Liqeni i Zyrihut apo pak më në veri Liqeni i Kontancës, ujrat e të cilit ndahen midis Zvicrës, Austrisë dhe Gjermanisë.
E, pra, mungesën e një sipërfaqeje të kaltër ujore, Winterthuri e ka përplotësuar me dalldinë e gjelbërimit. Qyteti më i gjelbër i Zvicrës, ai ndodhet në mes të shtatë kodrave të lartuara rreth e rrotull tërësisht të veshura me pyje të gjelbëruara.

ROMA E NDËRTUAR MBI SHTATË KODRA WINTHERTUR E RRETHUAR NGA SHTATË KODRA

Wintheruasve ju pëlqen shpesh të bëjnë krahasimin se Roma ngrihet mbi shtatë kodra dhe Winthertur, qyteti i tyre është i rrethuar prej shtatë të tillash. Edhe arkitektura e qytetit të krijon shijen e stilit antik. Kur përballesh me Statshaus sidomos, bashkinë e qytetit, e cila ka arkitekt të famshmin Gottfried Semper, që ka dizajnuar Operan e Dresdenit, ETH, Universitetin e Zyrihut dhe të paharruarën Ringtrasse të Vienës, të cilën e kishte aq për zemër Sigmund Freud në shëtitjet e tij të përditshme shplodhëse.

Winthertur është qytet i biçikletave ­ me një itinerar 175 kilometrash për çiklizëm, qyteti mbetet më atraktivi për të rinjtë që e kanë pasion sportin e çiklizmit.  Vetë brendësia e qytetit, ndërkohë, ndodhet e zhytur në gjelbërim në të gjitha lagjet, rrugët e rrugicat. Hapësira e gjelbër në përdorim publik shtrihet në 420 000 metra katrorë. Ai që zbret nga stacioni i trenit, më i frekuentuar në gjithë Zvicrën, e ka të pamundur të përfytyrojë se ka para vetes qendrën e një qyteti të madh, të cilin e fsheh gjelbërimi. Prandaj qytetin e parapëlqejnë mesatarisht 28 000 vizitorë në ditë. Kjo është magjia e një qyteti që iu shfaqet sa banorëve të vet dhe mikpritësve të vet nëpërmjet mirazheve të blerta.
Gjithsesi, një magji e mirë, që ofron vetëm ngrohtësi. Dhe mirazhe të kthjellëta e këndellëse. Sa që gjithkush mund të orientohet qysh nga çasti i parë a thua se këtu ka banuar gjithmonë. Për këtë mbetet i parapëlqyer për çiftet e reja, në arratitë e tyre të para dashurore, në muajt e mjaltit, deri tek ata që iu rikthehen nostalgjive të dikurshme. Këtu qëndron edhe një nga arsyet pse shumë nga kompanitë e mëdha botërore me veprim në Zvicër apo në Evropë kanë zgjedhur të kenë selitë e tyre qendrore. (Kujtojmë se këtu veprojnë 4500 kompani dhe punësohen 58000 veta). Pse shumë nga të pasurit e mëdhenj të botës kanë zgjedhur të kenë këtu shtëpitë e tyre private dhe të bëjnë jetën e tyre private. Dhe pse disa nga kryeguzhinierët më të mirë vendës e të huaj, fitues të çmimeve të larta ndërkombëtare, parapëlqejnë të instalohen pikërisht këtu dhe të dëshmojnë ­ edhe ata ­ gjeninë e tyre.

WINTHERTUR QYTETI I 17 MUZEUMEVE TË ARTIT

Po të shkosh në zyrën e Turizmit pranë stacionit të trenit, sa të hapësh fletpalosjen e pare, konstaton se Wintherturi është qyteti i 17 Muzeumeve. Ne startuam dhe na u deshën orë të tëra për të vizituar Muzeumin e Artit (Kunstmuseum), një nga më të pasurit dhe më modernët e Zvicrës. Janë katër arkitektë, të dy brezave të ndryshëm mjaft të largët ata që i kanë vënë vulën e sotme këtij muzeumi. Më 1915 do të ishin Rittmeyer & Furrer, ndërsa më 1995, në pjesën shtesë, do të ishin arkitektët Gigon & Guyer. Kjo e bën të mundur që ndërtesa të shërbejë si muzeum i koleksionit të përheshëm dhe si mikpritës i sallave të përkohshme të ekspozitave, me krijime të autorëve bashkëkohorë dhe i veprimtarive aktuale artistike kushtuar tematikave të ndryshme.
E përbashkëta kryesore në vizionin e arkitektëve të fillim shekullit dhe fundshekullit të kaluar është zgjidhja që ata japin në favor të hapësirës tejet të bollshme të mjediseve dhe ajo e dritës tejet të bollshme natyrale që vjen nga xhamllëqet e shumta anash dhe anashlart. Sa më pak dritë jonatyrale, aq më mirë për ruajtjen sa më gjatë të gjendjes fizike të punimeve të përfshira në muzeum. Prandaj edhe shkrepjet me blic këtu janë rreptësisht të ndaluara. Ne fotografuam pa blice peisazhe të Van Gogut.
Ishte e parashikueshme kjo kohëzgjatje, qoftë për mrekullinë e kryeveprave botërore që përmblidhen këtu, qoftë për diskutimet që lindin përballë këtyre kryeveprave. Do të lindnin diskutime ndaj punimeve të modernitetit klasik, por sidomos të atyre të artit postmodernist, veçanërisht të postmodernizmit të vonë. Sa më i vërtetë të jetë arti, thotë një sentencë e pranuar nga të gjithë, aq më shumë interpretime lindin prej tij.
Diskutimet shpesh dalin përtej objektit të artit. I tillë ishte diskutimi që lindi përballë punimit të Claude Monet me temën e zambakëve të ujit, një nga shumë prej të cilëve ndodhet këtu. Ndryshe nga variantet e tjera, me pamje të gjera nga liqenet me zambakë, me fragmente më të ngushta apo më të gjera nga qielli, këtu Monet ka parapëlqyer të kufizohet në një hapësirë shumë të ngushtë, duke i lënë më shumë veprim fantazisë së shikuesit. Dhe këtu lind mes nesh debati për raportet mes artit dhe realitetit, mes artit dhe natyrës, rolin e artistit në ndërmjetësimin e tij mes natyrës dhe artit, realitetit dhe artit. Shpesh artisti me gjenialitetin e tij si Monet për shembull, e tejkalon natyrën, për nga forca e krijuesit.

INTERMEXO MBROJTËSI I QYTETIT TË WINTHERTUR SHËN ALBANI

Ndërsa po shëtisnim në zonën këmbësore të qytetit, aty ku qyteti i vjetër është bërë pjesë e qendrës të sotme, u ndodhëm në sheshin pranë Bar, Club & Hotel Albanit, një nga klubet më popullore të muzikës në qytet. Ne u bëmë kuriozë për emrin.
“Nuk ka të bëjë me shqiptarët, ka të bëjë me shenjtorin Shën Albani,” na shpjegoi zonja Ursula. Ne natyrisht, e kishim gati kundërshpjegimin tonë. “Shën Albani, gjithsesi, ishte shqiptar.” Dhe udhërrëfyesja gjen rastin këtu të na thotë se 43% e të huajve në qytetin e Winterthurit janë shqiptarë. Duhet të jenë edhe më shumë, se një pjesë e tyre është natyralizuar. Ndërsa Ursula vazhdoi tregimin e saj se Shën Albani është një nga katër shenjtët e qytetit. Festivali më i madh vjetor i Winterturit quhet pikërisht “Albanifest” dhe mbahet në tri ditët e fundit të qershorit. Ndonëse një traditë e vonë, ky festival kremton ditën kur Rudolf von Habsburgh ia dha Winterthurit statusin e qytetit. Kjo ndodhte më 22 qershor të vitit 1264, ditën e Shën Albanit. Më 22 qershor 2014, siç e thamë, qyteti i mbush 750 vjet, ndërsa viti 2014 është shpallur viti i 750 vjetorit të qytetit.

MUZEUMI VILA FLORA

Caku tjetër i rëndësishëm i vizitave tona është muzeumi Vila Flora. Edhe këtu kanë lënë gjurmët e tyre arkitekët e famshëm Ritmeyer & Furrer, të cilët vilën e një çifti koleksionuesish të veprave të artit e kanë shndërruar në një muzeum arti. Deri në vitin 1995, ky koleksion ishte në shërbim për kënaqësi private të miqve të familjes, në nivelin e shoqërisë së lartë të qytetit dhe më gjerë. Pasardhësit e çiftit koleksionist Hedy dhe Arthur Hahnloser­Bühler vendosën që koleksioni të jetë në shërbim publik.
Origjinaliteti i këtij muzeumi qëndron në ndërthurjen e pafund mes pjesës së palëvizshme, pra konstante të tij, e cila përbëhet kryesisht nga piktura frënge të shekujve XIX dhe XX, si dhe pjesës së lëvizshme, e cila ndryshon nga koha në kohë, gjithnjë duke pasur parasysh përbashkësi të koleksioneve të reja me koleksionin klasik. Aktualisht, krahas punimeve të Bonnard, Roussel, Vallotton, Vuillard, Manguin, Matisse, Marquet, Rouault, Cezanne, van Gogh apo Redon, me strehë të përhershme këtu, janë vendosur punime të artit tradicional japonez. Dhe vizitorët kanë mundësi të përqasin, të krahasojnë, të gjejnë përbashkësi mes përdorimit të dritës mes dy koleksioneve.
Vila Flora ka edhe një mjedis natyror tejet të veçantë, ku askush, sidomos ne gazetarët, nuk mund të ndalet pa u fiksuar në foto. As ne nuk mund ta humbnim këtë mundësi.

NGA REVOLUCIONI INDUSTRIAL TEK REVOLUCIONI TURISTIK

“Me syrin e zogut (shikuar nga lart, shënimi ynë) Winterthuri shpalos pamjet që duken si dy vezë të takuara ngjitas. Qyteti i vjetër është veza e pulës, qyteti industrial është veza e rosës, dhe stacioni i trenit është pika ku ato të dyja bashkohen”. Ky është imazhi i qytetit të Wintherturit. Thënë nga Urs Stahel, duke përdorur kështu një krahasim të zgjeruar, në formë shoqërime përfytyrimesh.
Thënia e sapo përmendur, e cila në terma estetikë mund të quhet zbulim artistik, në fakt vetëm sa shpreh në miniaturë shpirtin novator që i ka karakterizuar njerëzit e këtij qyteti brez pas brezi, çka ka ndikuar vendosmërisht në metamorfozat e mëdha që ka përjetuar qyteti. Ky shpirt novator e ka përcaktuar edhe individualitetin që ka krijuar ky qytet përballë sfidave.
Urs Stahel, rreth 20 vjet më parë, ishte themelues i “Fotomuseum Winterthur”, drejtor i të cilit ai është dhe ku ekspozohen vepra të mjeshtrave të së shkuarës dhe yjeve të bashkëkohësisë. Ky muze u vendos në ndërtesën e dikurshme të fabrikës tekstile. Përballë tij, më 2003, u përurua “Fotostiftung Schweiz” ­ Fondacioni Zviceran i Fotografisë, në një tjetër ish fabrikë. Ndërsa ish magazina e qymyrit në Qytetin e Vjetër është shndërruar në një hapësirë për dokumentarët dhe për fotografinë bashkëkohore.
Këto tri institucione e kanë bërë Winterthurin kryeqytetin e fotografisë. Gjithnjë sipas Stahl, janë dy arsye për se ka ndodhur ky zhvillim ­ “një e kaluar industriale që ka lënë pas vetes një hapësirë të madhe të lirë, dhe tradita e pasur për bamirësi.”
Pionierët e zhvillimit industrial të qytetit, si Johan Jakob Sulzer, Johann Jacob Rieter, Charles Brown (themelues të industrisë zvicerane të makinave dhe të lokomativave) dhe Walter Seiner (themelues i industrisë tekstile), janë ata që ngjizën shpirtin novator dhe artist të breznive të industrialistëve. Prandaj, paralel me shndërrimin e ndërtesave industriale në shtëpi banimi, në muzeume, në qendra kulturore, të tjera ndërtime industriale bëhen strehë e projekteve të reja të fuqishme industriale, të cilat nesër mund ta shndërrojnë botën. Për këtë flet edhe vetë fakti që Qendra e vetme e Shkencës në shkallë vendi ndodhet pikërisht në këtë qytet.

INTERMEXO:NË WINTHERTUR LUMI TÖS QË LUAN ME NE KUKAFSHEHTAS

Vetëm falë shpirtit krijues dhe filantropik të bijve të tij, Winterthuri, nga qytet i komplekseve gjigante industriale që lulëzonin në të dyja anët e lumit Tös, do të dinte si të shndërrohej edhe në njërin prej metropoleve kryesore zvicerane të artit, do të dinte të shndërrohej në një nga mrekullitë turistike të Zvicrës.
Udhërrëfyesja jonë tejet e pasionuar Ursula, na tregoi se ne ishim duke shëtitur pikërisht mbi lumin Tös. E ardhmja turistike e qytetit nuk mund të pranonte ta kishte nëpër këmbë më lumin, brigjet e të cilit gjatë Shekullit XIX dhe në fillimet e Shekullit XX populloheshin me ngrehina madhështore industriale. Lumi do të mbulohej dhe kjo do të mundësonte të krijohej një zonë e madhe urbane vetëm për këmbësore, çka do të krijonte kështu edhe një traditë unike.

FAMILJA REINHART INDUSTRIALISTË TË MËDHENJ E MECENATË TË ARTIT

Pikërisht autorët e industrializimit të madh të qytetit shquheshin edhe për dashurinë ndaj artit. Ata ishin ndër koleksionuesit më të mëdhenj të kryeveprave të piktorëve. Një nga familjet që ia ka vënë vulën zhvillimit të qytetit është edhe një ndër përcaktueset kryesore të evoluimit të qytetit drejt fizionomisë së re turistike, pa u shkëputur nga tradita e tij industriale. Vëllezërit Volkart, tregtarë pambuku dhe kafeje, ishin edhe ndër pronarët më të mëdhenj të veprave të artit. Njëri prej tyre, Oskar Reinhart, lindur më 1885, emrin e të cilit mbajnë dy nga muzeumet më të mëdhenj të Wintethurit, ia kushtoi gjithë jetën e tij blerjes së veprave të artit. Kjo familje, në brezin e saj të pestë, nëpërmjet George Reinhart, lindur më 1924, do të ishte një ndër mbështeteset kryesore për krijimin e Muzeut Fotografik.
Ne i vizituam të dy muzeumet e Oskar Reinhartit ­ atë në Stadhaustrasse 6, pesë minuta në këmbë nga stacioni i trenit, si dhe atë në Haldenstrasse 95, ‘Am Römerholtz’ . Si simbole të dashurisë për artin dhe qytetin. E kur do të vijë ajo ditë që kapitalizmi shqiptar të blejë vepra arti me qëllim që të edukojë shijen e të bukurës tek qytetarët e të tërheqë turizmin? Na jepni një datë !
Oskar Reinhart është bir i Theodorit, i një babai që artin e kishte interesin e tij të dytë pas biznesit. Kjo ia mundësoi atij të rritej mes artistëve gjermanë dhe zviceranë, të cilët kishin mecenat pikërisht të jatin e tij. Përkushtimi ndaj artit u shndërrua në ëndërr kryesore të jetës për Reinhartin e ri. Në vitin 1924, kur ai ishte 39 vjeç, ëndrra iu realizua. Ai hoqi dorë nga biznesi i familjes dhe iu kushtua koleksionimit dhe ruajtjes së veprave të artit. Dhe arriti të grumbullojë vepra të disa shekujve, që nga iluminizmi deri tek periudha moderniste dhe postmoderniste.
Shijet artistike të Oscar Reinhart, ashtu si e një pjese të madhe të elitës zvicerane të kohës, u formuan nën ndikimin e mënyrës se si impresionizmi francez u përqafua në Gjermani. Reinhart u magjeps nga përdorimi impresionist i ngjyrës dhe dritës. Prej këndej mori krahë ëndrra e tij për të krijuar një muzeum të veçantë evropian të artit. Natyrisht, ai do t’i kushtonte vëmendje të posaçme impresionizmit francez, por edhe artit të mëhershëm e të mëvonshëm, mjafton që veprat të kenë ngjashmëri të ndryshme në aspektin artistik dhe estetik me impresionizmin. Punimet e grumbulluara janë vepra të rëndësishme që nga neoklasicizmi, tek romantizmi, realizimi, tek vetë impresionzmi dhe post­impresionizmi, duke arritur deri tek kryeveprat e para të Shekullit XX.

INTERMEXO – FËMIJËT SHQIPTARË NË MUZEUMIN E OSKAR REINHARTIT

Në Muzeumin e Oskar Reinhartit ­  në Stadhaustrasse 6 u befasuam nga një sallëz e vogël ku kishin ekspozuar vizatimet e tyre, fëmijë të moshës parashkollore. Në mes të emrave, spikatin edhe plot emra vogëlushësh shqiptarë ­ Ilir, Dardan, Luan, Blerta, Bardha, Liridon. Ne ndalemi të emocionuar përpara vijave, ngjyrave, dritave që kanë dalë drejtpërdrejt nga shpirti i dlirë i artistëve të vegjël, të cilët karrierën e tyre e fillojnë në një nga muzeumet më të famshëm evropianë të artit, falë shansit që ua jep vendi mikpritës, Zvicra.
Drejtori i Muzeut Reinhartit  Dr.Marc Fehlmann, si gazetarë na dhuroi një album, ndërsa ne i premtuam se do t’ja dergonim reportazhin tonë për Wintherturin. Dhe natyrisht që do ta mbajmë fjalën.

PO TË VISH NË WINTHERTUR MOS IKË PA VIZITUAR VILËN AM RÖMERHOLTZ

Ashtu si vepruam edhe ne. Nuk ikëm nga Wintherturi pa vizituar Muzeumin e Artit të Oskar Reihhartit në vilën ‘Am Römerholtz’, ku frymëzimi impresionist përcaktoi vizionin e Reinhartit jo vetëm për artin dhe muzeumet e artit.
Ky frymëzim u bë pjesë themelore e mënyrës së tij të jetesës dhe i vuri në mënyrë vendimtare vulën edhe vetë vizionit modern të qytetit të Winterthurit, marrëdhënieve të tij me artin, me institucionet e artit dhe të kulturës, në bashkëjetesën mes përditshmërisë dhe artit.
Dhe mishërim konkret i rolit që pati ky frymëzim tek Reinhart është vetë vila ‘Am Römerholtz’ ­ ku ai e kaloi një pjesë të madhe të jetës, janë raportet e jashtme të kësaj vile me natyrën, me mjedisin e afërt rrethues të vilës, janë raportet e brendshme të saj, të ndërthurura me ato të jashtme. Vila, e ndërtuar nga arkitekti gjenevas Maurice Turrentini,për një industrialist të madh, pasqyronte prirjen e klasave të larta të kohës për të jetuar në rrethinat e gjelbëra të qyteteve, në lartësitë e kodrave. Me një lluks të pa frenuar, por madhështor.
Më 1925, arkitekti, me kërkesë të pronarit të ri, do t’ia shtonte ndërtesës galerinë për koleksionin artistik dhe Reinhartit do të jetonte deri në ditën e fundit të jetës më 1965 nën shoqërinë e Francisco de Goya, Eugéne Delacroix, Camille Corrot, Honoré Daumier, Gustav Courbet, Edouard Manet, Pierre­Auguste Renoir, Paul Cézanne, Vincent van Gogh, Aristide Maillol e plot e plot të tjerë. I vetëdijshëm se ia kishte lënë qytetit të vet një trashëgimi dhe një vulë të pavdekshme.
Pas vdekjes së të zotit të shtëpisë vila do të përshtatej plotësisht në një muzeum arti.
E rrethuar nga një park i mrekullueshëm me pemë të moshave shekullore dhe skulptura të mrekullueshme të vendosura nëpër lirishtet përqark saj, vila ‘Am Römerholtz’ rrezaton një shkëlqim që nuk njeh zbehje në asnjë stinë e asnjë rrethanë. Drita që vjen nga natyra, përmes sipërfaqeve të mëdha të xhamllëkut, duket e pashkëputur me dritën që i karakterizon punimet e përfshira në këtë muzeum. Kafeja, me një tarracë që ka një vështrim tejet çlodhës drejt pamjeve të papërsëritshme të natyrës, të fton për të krijuar intervale dhe për t’iu rikthyer sallave të muzeut apo kryeveprave të artit, prej të cilave e ke të vështirë të ndahesh edhe pasi i ke kundruar me orë të tëra.
Këtu ia vlen të ndalesh për një gotë verë apo për të drekuar pranë restaurantit që është inkorporuar brënda Muzeumit. Si vepruam edhe ne. Ne ishim dehur edhe pa pirë verë nga mrekullia e kryeveprave të impresionizmit dhe pushteti i artit të madh.
Secili prej dy muzeumeve të tij e ka profilin e vet të veçantë, sikurse i ka lidhjet e veçanta me njeriun që iu dha atyre frymë ­ Oskar Reinhartin. Muzeumi që ndodhet në Stadgarten,i themeluar nga Reinhart më 1951, ndodhet në ndërtesën e gjimnazit të vjetër. Këtu Reinhart grumbulloi vepra të artistëve nga Gjermania, Zvicra dhe nga Austria, të të gjitha rrymave dhe drejtimeve artistike të tre shekujve të fundit. Në këtë muzeum është një nga koleksionet më të pasura të artistëve (piktorë e skulptorë) nga zona gjermanishtfolëse, një koleksion mjaft të pasur nga zona italianofone, si dhe koleksionin më të pasur nga zona frankofone. Viti 2014 do t’iu kushtohet pikërisht këtyre tri koleksioneve. Dhe muzeumi në Stadgarten do të jetë kështu qendër e veprimtarive tejet të rëndësishme. Përshtatja e re që arkitekti Johann Frei ia bëri katit të tretë të ndërtesës më 1995 krijoi hapësirë të re për ekspozita të reja tematike.
Nga 17 muzeume që ka Winterthuri, në tri ditë ne arritëm të vizitojmë vetëm katër prej tyre. U njohëm po ashtu me qendrën e qytetit dhe historinë e tij, me Kishën e Shën Mërisë.
Secili muzeum ka individualitetin e tij krejt të veçantë. Një ndër muzeumet që na ngeli peng më shumë pse nuk e vizituam dot për arsye kohe, është i vetmi lloj muzeumi në botë ku në vend të shprehjes “ju lutem, mos prekni asgjë”, gjendet kudo shprehja “ju lutem, më prek mua, ju lutem, luaj me mua”. Ky është muzeumi i prodhimeve të teknologjive të larta më të fundit. Por ne do të kthehemi prapë në Winthertur, ndërkohë që ju rekomandojmë që të bëheni vizitorë të tij !

DUKE SHIJUAR SHIFRA NGA MISTER TOURISMUS …

Një nga pikat më interesante të programit për gazetarët e APES ishte të shtunën në mbrëmje, më 26 tetor ­ takimi ynë më zotërinë Federico Sommaruga. Mr.Tourismus. Dhe zotërinë Remo Rey, drejtor i Turizmit për qytetin e Wintherturit, të cilit i dedikohet mikpritja e shkëlqyer e Wintherturit ne gazetarëve të APES.
Numri një i turizmit zviceran na bën një pasqyrë të këtij sektori, si dhe shpalos rezultatet më pikante, perspektivat dhe përparësitë e politikës turistike për vitin e ardhshëm e perspektivën më të largët.
Turistët i tërheq në Zvicër klima alpine, pejzazhet mahnitëse, sidomos skjimi dhe alpinizmi. Fillimet e turizmit datojnë nga viti 1811, pikërisht kur alpinistët britanikë shfaqën interes për Alpet Berneze. Gjatë Shekullit XIX dhe pjesës së parë të Shekullit XX Zvicra u parapëlqye për klimën e favorshme për shërimin e sëmundjeve të mushkërive. Ndërkohë ujvarat zvicerane morën famë nga skena e vdekjes së Sherlock Holmes, hetuesit legjendar të trilluar nga Sir Arthur Conan Doyla, më 1893.
Sektori turistik do të jetë pjesë e planifikuar e ekonomisë zvicerane që në vitin 1852, ndërsa nga viti 1934 do të jetë përfundimisht një ndër sektorët më të rëndësishëm të saj. Të ardhurat nga ky sektor përbëjnë rreth 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Zvicrës. Më 2010, për shembull, këto të ardhura ishin rreth 15 miliardë franga, ndërkohë që PPB e Zvicrës ishte 555 miliardë franga. Në këtë sektor punësohen rreth 150 mijë veta.
Z. Sommaruga sjell shifra për vendet me përqindjet më të larta të prejardhjes së turistëve, të cilat janë 16.5% Gjermani, 6.3% Britani, 4.8% SHBA, 3.6% Francë, 3.0% Itali. Ndërkohë që tregu priret të zgjerohet me Azinë Juglindore, përveç Japonisë, tashmë edhe Kina, India e tjerë, si dhe në Amerikën Latine, si Meksika dhe Brazili. Gjithsesi, turizmit zviceran i intereson numri i turistëve, por i interesojnë veçanërisht shpenzimet që bëjnë turistët, ku zënë, shpjegon ai, vendet e para turistët nga Arabia.
Pikat kryesore nga vijnë turistët janë aeroporti i Zyrihut, hekurudhat nga drejtimet e Gjenevës, Zyrihut dhe Bazelit, si dhe autostrada e hekurdha përmes Alpeve, nëpërmjet tuneleve të Gotardit.
Ndërsa pikat më tërheqëse për turistët janë, së pari Ujvarat e Rinit, së dyti, Gropa e Arinjve, së treti Zooparku i Bazelit. Ky i fundit është më i frekuentuari me ­ rreth 1,8 milionë bileta priten në vit.
Turizmi është i jashtëm dhe i brëndshëm, ku turistat zviceranë në Zvicër konkurojnë me ata të huaj. Për vitin 2012 në hotelet e Zvicrës kaluan natën 35 milionë vizitorë, nga këta rreth 16 milionë ishin zviceranë dhe 19 milionë të huaj.
Për vitin 2013 nga janari deri në gusht 2013 është shënuar një rritje në total 5%. Dhe deri në këtë periudhë totali i turistëve ka qenë 25 milionë, nga të cilët 11 milionë zviceranë dhe 14 milionë të huaj.
Duke dëgjuar këto shifra, nuk ke si të mos mendosh për turizmin në Shqipëri, që ka burime të pafundme, në çdo stinë të vitit, por që ndërkohë që ka mbetur ende larg zhvillimit. Sepse një nga kushtet që intrigojnë turizmin është shteti ligjor.
Z. Sommaruga na flet edhe për politikën e investimit në turizëm, sidomos në publicitetin ndaj turizmit, ku natyrisht mediat botërore zënë një vend tejet të rëndësishëm. Zvicra, thotë z. Sommaruga, fton rreth 2500 gazetarë në vit nga mbarë bota, duke përballuar të gjitha shpenzimet e udhëtimit dhe të qëndrimit të tyre, pra një investim prej disa milionë frangash në vit.

…DHE VERËN E RE TË NADINE SAXER

Prej këndej me atuobusin shatëll ne do të shkonim të darkonim në restorantin Goldenberg, i cili ndodhet në një ahishtë të dendur, në një nga të shtatë kodrat që e rrethojnë qytetin e Winterthurit. Darka do të niste me një gotë verë e famshme që  mban emrin e një talenti të ri të enologjisë, nga një familjet më të famshme zvicerane të prodhimit të verërave. Që mban firmën e Nadine Saxer.
Krahas emrit të themeluesit të kantinës së verërave nga Nefenbachu i Zyrihut, Jürg Saxer, ju do të gjeni tashmë edhe nistoret NS, të cilat i përkasin pikërisht Nadinës, doktore në enologji. Suksesi i verërave të tyre në treg është një ndërthurje e karakteristikave të veçanta të prodhimit në vreshtën e tyre, për shkak të tokës dhe të mikroklimës, me arritjet më të reja teknologjike të kohës. Vera që po shijojmë ne është një verë Kabernet ­ Pinot Noir, tejet e shijshme, aromatike dhe tejet e lehtë.  Nadine, me të shoqin Stefan, e përkryen traditën e prindërve të saj,Jürg dhe Yvone Saxer. Ata janë prindër të tri vajzave të vogla, Leanas, Noes dhe Alias. Dhe natyrisht do ta përcjellin traditën edhe tek ata.
Nëse vini në Winthertur mos ikni pa pirë një gotë verë të Nadine Saxer.Gjë e papame!
Kjo verë do të jetë përmasë kryesore e atmosferës tejet të ngrohtë dhe tejet gazmore që do të vazhdonte për orë të tëra, deri në prag të mesnatës. Edhe këtu kemi zënë vende në mënyrë spontane. Do të kemi pranë dy zonjushat tejet të çiltëra dhe të shoqërueshme ­ kanadezen Karine Bah Tahe të revistës Brazil Business Reports dhe amerikanen e bukur me flokë biond Holly Berrigan. Ajo është nga Teksasi. Kur ne i treguam se shqiptarët e adhurojnë presidentin Bush, ajo na pyeti, cilin, ne iu përgjigjëm, që të dy, edhe seniorin edhe juniorin, sepse të dy kanë bërë diçka të hatashme për Kosovën e lirë sot. Zonjusha Holly flet për synimet e saj në fushën e diplomacisë. Ne i themi pse të mos jesh ambasadore e ardhshme në Shqipëri. E pranon me shumë dëshirë. Dhe fillon të shpalosë vizionet e saj për diplomacinë moderne. I themi se me këtë paraqitje do të merrje miratimin e menjëhershëm të komisionit të Senatit të SHBA.
Me zonjën Gabriela Sotomayor nga Notimex, agjencia meksikane e lajmeve, dhe të shoqin Luis Viveros (diplomat) flasim për sfidat e shumta të Meksikës e Amerikës Qendrore sa dhe të Shqipërisë dhe të Ballkanit. Flasim për poetin nobelist meksikan Octavio Paz dhe për poezi të veçanta që ne i kemi përkthyer nga italishtja dhe anglishtja. Radha i vjen të flasim edhe për kalendarin Maya, me prejardhje nga rajoni i Jukatanit të Meksikës, si dhe për panikun global që përhapi e ashtuquajtura parathënie e apokalipsit, që do të pritej të ndodhte më 22 dhjetor 2012. Autorja amerikane Anya Schiffrin shkonte një ditë para skadimit të afatit të apokalpistit në provincën e Jukatanit, Meksikë, dikur pjesë e perandorisë Mayane. Prej andej i shkruante “Washington Postit”: “Ndonëse rusët dhe kinezët po dridhen nga fundi i botës i nesërm, këtu në Jukatan nuk ia vërshëllen njeri  interpretimit fatalist të kalendarit Maya.” “Aktivistja kontraverse guatemalase, shkrimtare dhe laureate e çmimit Nobel, Rigoberta Menchu, shkruan Schiffrin, zbarkoi këtu këto ditë dhe i bëri thirrje botës të kuptojë potencialet e kulturës Maya për të ndihmuar ndërtimin e harmonisë globale.” Dhe kolegët meksikanë na tregojnë se me sa humor e përcillnin jukatanasit e tyre atomsferën tragjike që kishte kapluar globin. Dhe është koha për të kujtuar finalen optimiste të një poezie të nobelistit polakoamerikan Ceslav Milosh: “Nuk do të ketë tjetër fund të botës,/ Nuk do të ketë fund tjetër të botës.”
Sërish e sërish vëmendja përqëndrohet tek i zoti i shtëpisë, z. Federico Sommaruga. Me gazmoret e tij, me dollitë që na propozon herë pas here, ai e gjallëron më tej atmosferën tejet familjare që mbretëron këtu.
E diela e 27 tetorit, nuk është një përsëritje e dy ditëve të mëparshme me diell. Bie shi dhe shpesh mjegullat varen mbi qytet, si paralajmërim nostalgjie për qytetin ende pa u larguar prej tij, ende pa e lënë qytetin në vitin e tij të 749­të, për ta gjetur dhe rigjetur sërish e sërish në vitin e tij të 750­të e më vonë. Të paktën sekush nga ne i ka premtuar kështu në heshtje qytetit mikpritës. Ndërsa me zë të lartë, kur ndahemi me kolegët dhe zotëri Sammarugën, për të marrë trenin seicili prej nesh nëpër drejtimet ku banojmë, nuk harrojmë të përshëndetemi në formën tonë tashmë klishe: Mirupafshim herën tjetër! Tschüss bis bald! A bientôt! Till the next time!

Filed Under: Reportazh Tagged With: Elida & Skender Bucpapaj, fotozhenia zvicerane, reportazh nga zvicra, Winterthuri

SËRISH NË KANADA

December 17, 2013 by dgreca

Përshtypje udhëtimi, Otava-Dhjetor 2013/

Nga Luan Çipi/

 Ishte e përsëritur dhe këmbëngulëse thirrja e fëmijëve të mi, të përndarë nëpër botë, për t’i vizituar e takuar në një guidë turistike në Holandë, Kanada e Amerikë. Edhe ata e kuptojnë se, pa i pyetur, vitet ikin vrullshëm dhe prindërit e tyre, që kanë hyrë prej kohe në ”moshën e trete”, nuk kanë më kohë për t’u gëzuar e argëtuar, mandej janë drobitur e lodhur, duke numëruar vitet pafundësisht…Pas shumë përsëritjesh me thirrje e porosi në korin e madh me djalë e vajza, nipër e mbesa, më së fundi, më bindën për t’u shkulur e larguar nga Vlora, pasi më premtuan se do mblidhen diku, në një nga shtetet e mëdha, të gjithë së bashku. E cili prind, veçanërisht i moshës tonë, nuk do që t’i mbledhë pasardhësit, si dikur rreth vetes? Po ne, të përkohshëm në këtë jetë, nuk lemë rast festash pa u mbledhur me shokë, miq e farefis, në gëzim të çastit. Unë, kur jam në Vlorë, apo në Tiranë, ku ri i alternuar në stinët e beharit dhe të dimrit përkatësisht nga 6 muaj, çdo ditë mblidhemi e pimë kafe me shokët. Kështu, pse mos “sakrifikoj” dy muaj për t’u takuar me “Barkun e Shën Mërisë”?

Përfundimisht, mora vendim të lëviz jashtë atdheut bashkë me gruan, që nga ana e saj kishte vendosur për këtë, qysh me thirrjen e parë “begenisëse” të sinqertë.

Gjitonët tanë të Tiranës në katin e gjashtë, unik e tjetërsoj të shkueshëm, Fori, Mani dhe Koli familjarisht, të dashur e të veçantë si përherë, si dhe nipi i gruas time Valter Haxhiraj, që banon mbi katin tonë, kur morën vesh se largimi dhe vizita jonë do ishte e shkurtër, peshuan “qarin me zararin”, e pranuan largimin dy mujor dhe me këtë rast më ofruan peshqeshe të çmueshme e ndihmë për transportin deri në Rinas me mjetet e tyre.

Shokët e mi vlonjatë me banim të hershëm në Tiranë, me nismën e akademik Bardhyl Golemit, Niko Gjyzarit, Axhem Gjonajt, Sadedin Gjokes dhe të tjerëve, njëzëri e pa përjashtim, për të  njëjtën arsye, organizuan një darkë përcjellëse me raki, verë  e peshk “Narte”, porositur enkas te “Bar Restorant VLORA”, në Shallvare të Tiranës. Poeti Perparim Hysi, aty për aty me këtë rast thuri dhe poezinë dashamirëse, që e deklamoj po aty, në formë dollie:

 

Mirë që shkruan, por prapë udhëton
Si udhëtar gjithë botën bredh
Si djalosh në moshë të vonë
E, Luan Çipi! Sheh dhe hedh…

Hedh me shkrime ç’të sheh syri
Je “turist” që ke licencë
Këtu “doli”, atje “hyri”
Jetë e tij: k o n v a l e s h e n c ë…

 

Duhet të nisesha datë 1 dhjetor 2013, po katër ditë para u shfaq një befasi e llojit specifik Shqiptar: Kompania ajrore “Beller”, ku në mënyrë elektronike fëmijët kishin prere e paguar biletat Tirane-Holandë e kthim, kishte “shpallur falimentin” dhe nuk merrte përsipër as kthimin e shpejt te pagës.“Shkuan për lumë” rreth 600 euro dhe ne, ripaguam bilete me tjetër kompani. Kaluam për Amsterdam, pasi ndërruam avionin në Mynih, duhet thënë në një fluturim të këndshëm dhe pa i prekur bagazhet, detyrë që e kreu Kompania Ajrore serioze “Lufthansa”.

Pasi ndenjëm 7 ditë të gëzuara te vajza e vogël në Holandë në qytetin Krimpton, fare afër Roterdamit, nisemi direkt në udhëtimin me avion nga Amsterdami i Holandës për Toronto të Kanadasë dhe prej andej me automjet ndalojmë afër kryeqytetit Otava, në qytezën Chesterville.

Udhëtimin me avion Amsterdam-Toronto, unë e kam përshkuar edhe tjetër herë, E veçanta e udhëtimit të fundit me Kompaninë Ajrore Mbretërore Holandeze “KLM” ishte, kohëzgjatja 8 orë  dhe udhëtimi komod pa asnjë turbulencë apo tjetër lloj shqetësimi, ku dukej kujdesi dhe shërbimi model i personelit dhe ushqimi disa herë, mjaftë cilësor dhe i bollshëm. Patëm kontroll të imtë në Amsterdam dhe asnjë lloj pengese e ndalese tjetër, një ulje e pa ndjerë e avionit gjigant dhe ne, drejt e te bagazhet. Në dalje na prisnin njerëzit tanë të dashur dhe surpriza e parë ishte: Për nderin tonë me punonjësit e biznesit të vet privat, vajza ime kishte organizuar një takim, ku me rastin e Krishtlindjes jepej një darkë falas si dhe kryhej shpërblim i posaçëm monetar ose dhurata. Ceremonia kaloi me dolli, përshëndetje e falënderime, aq sa ne nuk e ndienim lodhjen dhe nuk e kuptuam si kaluan 3-4 orë në  atë atmosferë gazmore me njerëz të dashur, që na u duk sikur të ishim njohur prej vitesh.

Pasi fjetëm një natë në qytetin Brampton, pranë Aeroportit të Torontos, të nesërmen nisëm të përshkonim autostradën 401, padyshim “halluej” më i gjatë në Kanada. Na duhet të përshkonim  me automjetin tonë komod me shpejtësi 100 km/ore mbi 500 km. Rrugës na u desh të ndalemi  në disa vendpushime tepër të organizuara, të quajtura “Tim Hortons”, me emrin e themeluesit, hokeistit të famshëm për kohën e vet. Tje kishte komoditet dhe ushqim të bollshëm dhe ndërsa jashtë ishte temperatura nën zero, në çdo mjedis kishte ngrohje, ndriçim dhe ajrosje të këndshme.

Në distancën e pafundme të autostradës 401, qëndruam dhe pushuam dy here dhe serish e ngado rrugë të asfaltuara, shtruar me cilësi e me disa korsi.

Nga të dy anët e rrugës bien në sy fusha të pafundme të lëna djerë, pyje gjysmë të zhveshura e të lëna pa kujdes. Rrallë, shfaqen qyteza të reja të ngritura me shtëpi të drunjta të stilit karakteristik kanadez dhe të vret sytë ndonjë fermë e vjetër thuajse e braktisu, me sillosët e lartë dalëboje të drithit dhe stallat e çapëluara të bagëtive apo rrethimet e drunjta të dëmtuara të kuajve. Të krijohet përshtypja e lënies pas dore dhe e largimit të banorëve nga fermat për të gjetur burime më të lehta jetese ndër qytetet e shumtë të shtrirë më shumë në të djathtë të autostradës gjigande, në gjatësinë e pafundme të Liqenit të Madh jetëdhënës. Pak qendra të banuara shtrihen majtas autostradës, po kalimet dhe nënkalimet të lejojnë pa ulur shpejtësinë të futesh në bajpaset përkatëse dhe të kalosh lirshëm nga të dy anët, pa e kufizuar shpejtësinë.

E lamë autostradën e gjatë dhe u kthyem djathtas, duke kaluar në një rrugë të asfaltuar (nuk bëhet fjalë për shtrime rrugësh të llojeve të tjera të rëndomta me gurë e çakëll, po çdo metër traseje është i asfaltuar mirë dhe i mirëmbajtur, pa asnjë gropëzim, apo gungë). Rruga ku u futëm është me dy kalime të vijëzuara, ku nga të dy anët duken qendra të banuara dhe fshatra të mëdhenj e të vegjël, shtëpi  me një, dy e tre kate, hangarë, garazhe, stalla padoqe e depo. Ndërtimet edhe këtu janë me konstruksion të thjeshtë, veshur në lartësi me dërrasë dhe mbuluar me tjegulla kanadeze (letër katrama) dhe më rrallë me llamarinë, çka tregon se kanadezet kudo janë unik dhe kanë zgjedhur konstruksionet që ndërtohen shpejt, lehtë dhe me kosto të ulët. Kudo përdoret energjia elektrike për ndriçim dhe gazi për ngrohje.

Kthehemi në të majtë të rrugës dhe qëndrojmë. Me sa duket më së fundi mbërritëm në destinacion, rreth 40 km. para Ottawës, në qendrën e banuar Chesterville, me rreth 10 mijë banorë, ku të bie në sy një spital i madh rajonal shumëprofilësh..

Dalim nga makina të lodhur, po pamja e mrekullueshme e mjedisit na çlodh si me magji. Para nesh shtëpia dhe qendra e biznesit e dhëndrit tone kanadez, një kompleks i bukur përrallor:

Kur e pash vilën e bukur nga jashtë dhe qendrën e biznesit me tej me depo, zyra e garazhe,

rrethuar me shatërvan me gurë të gdhendur masiv, pemë dekorative e lule të çmueshme, si dhe shtëpizën e posaçme të lojnave të fëmijëve, ndjeva kënaqësi të madhe, për atë që me mund e përpjekje, brenda 13 vjetësh, kishte arritur ime bijë. Kur u futa brenda dhe sodita në të tre katet, disa dhoma gjumi të kompletuara, si dhe dhomën e gatimit me frigoriferë dhe të gjitha pajisjet e kohës, dhomën e bukës me tavolinën e gjate 8 metro, sallonet e pritjes dhe të ndenjes me kolltukë të rehatshëm, të ngritshëm e të lëvizshëm, televizorët e mëdhenj digjital, studion me pajisjet kompjuterike, banjat, dhomën e nikoqires me pajisjet larëse-tharëse, depot e deri sallën e lojnave, bilardon e palestrën, si dhe dhjetëra piktura e portrete në mure, unë vërtet u mrekullova. Në atë çast për të parën herë në jetë përkraha mendimin e emigracionit duke e konsideruar atë si mjet nxitës e përshpejtues për një nivel më të lartë jetese e botëkuptimi dhe si model e faktor zhvillimi të shpejtë dhe për vendin tonë. Aty për aty mendimi më ktheu vite më parë, te Atdheu im nën komunizmin dhe thash, se ish beu, agai dhe pasaniku i asaj kohe, nuk kishte as minimumin e këtij niveli dhe po të dispononte këtë pasuri atje, ime bijë do ishte shpallur “kulake”, do shpronësohej e do persekutohej.

Ime bijë dhe fëmijët e saj, tashmë të rritur e të shkolluar si ajo, në nivel universitar, kishin programuar gjithçka për pritjen tonë dhe që kohën e qëndrimit këtu në Kanada, ta organizonin sa më bukur. Shumë nga pikat e programit për ne,  nuk u deklaruan se ngelen surprizë, por një gjë u bë e qartë: Krishtlindja dhe Viti i Ri këtë radhë do jetë i veçantë dhe do mbahen mënd sa të rrojmë.

 

Otava-Kanada, 15 dhjetor 2013

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: Luan Cipi, serish ne kanada

FRESKIA E NJE TRADITE-DITET E LETERSISE SHQIPE, DETROIT 2013

December 11, 2013 by dgreca

Nga Rafaela Kondi/

Kur nje ngjarje kulturore kthehet ne tradite disavjecare, aty mund te gjesh perseritje te nje platforme te njohur te konceptit teresor edhe segmenteve perberese.  Mirepo ne pervjetorin e 12-te te kesaj sofre letrare u shfaqen natyrshem risi terheqese, per te cilat ia vlen te krenohen komisioni organizues dhe krejt nikoqiret e  Kuvend-it.

Sipas tradites, revista Kuvendi fton autore e letrare nga brenda dhe jashte Miciganit per te qene pjesemarres te nje shkembimi kulturor e shpirteror midis bashkatdhetareve ne Amerike, te njohur tashme si Ditet e Letersise.

Nese e pyesni veten, Pse ne Detroit? Pergjigjen e gjeni ne disa emra te pervecem qe mbajne peshen kryesore te aktivitetit. Por e verteta eshte se emrat si Alfons Grishaj, Kujtim Qafa, Nevruz Nazarko, Pjeter Jaku, Edmond Rakaj perbejne nje bashkim ideal te energjive shpirterore, materiale dhe intelektuale qe rralle perseritet ne komunitetet e tjera shqiptare ne Amerike. Dhe aq me pak te vazhdohet per 12 vjet rrjesht!

Me kete rast Kuvendi mblodhi prane sofres letrare pervec penave te njohura te letrave shqipe, disa debutant dhe letrar te mirepritur. Ne darken ‘jozyrtare’ me 7 dhjetor tek kafe Kuvendi ishin ulur natyrshem ne bisede shkrimtaret Naum Prifti, Fatos Kongoli, Pandeli Simsia nga Nju Jorku, dhe vajza amerikane me ‘zemer shqiptare’, Ashley Wood, se shpjeti autore e nje libri per Shqiperine. Ndersa komunikimi ne tryeze dublohej aty-ketu shqip-anglisht, ishte e qarte se nuk mund kishte pengesa gjuhesore midis artisteve te dy brezave dhe dy kulturave. Dhe vertet drejtuesi spontan i kesaj darke, e cila i paraprinte mbremjes zyrtare  me 8 dhjetor, Alfons Grishaj, e ‘zuri ngusht’ secilin te pranishem qe te thoshte dy fjale pershendetje. Dhe kjo i dha shkas nje parade origjinale te ndjenjave e emocioneve te shprehura nga Elinda Marku, mprehtesise se Gjovalin Lumajt, urtesise se Don Fran Kolajt, humorit te Nevruz Nazarkos, dhe pergezimeve te pjesemarres per sukseset e Kuvendit. Mbi te gjitha verehej vetedija se ate nate secili ndihej pjese e nje dickaje me te madhe. Ky ishte manifestimi i bashkimit kulturor te shqiptareve qe gjeti shprehjen e vet ne forme te nje ‘programi te improvizuar artistik’ me krijime te disa krijuesve te pranishem dhe pastaj ne kenget qe nuk njihnin kufi etnik.

Pjese e tradites eshte ngritja e jurise qe pranon dhe vlereson te gjitha krijimet e paraqitura ne datat e caktuara. Juria e Diteve te Letersise 2013, e perbere nga Gjovalin Lumaj, Ruzhdi Gjokaj dhe Arben Dervishi, u prezantua me shume dinjitet gjate mbremjes. Ne kete feste te leterise, komisioni organizues kishte ftuar ne sallen Gjergji Kastrioti te kishes se Shen Palit ne Detroit, plot veprimtare e krijues, drejtues e anetar te shoqatave patriotike, letrare e kishtare,

Mbremja kishte nje platforme serioze dhe nje program te kombinuar me fjalen e hyrjes se kryetarit te komisionit organizues, Nevruz Nazarko, me pershendetjet nga mysafiret, me recitime nga poetet dhe krijuesit dhe me pika muzikore e interpretime. Mikrofoni kalonte nga duart e drejtuesve tek folesi i radhes, tek autoret e respektuar dhe tek te ftuarit e nderit si Don Ndue Gjergji e z. Reshat Sahitaj dhe pastaj alternohej me poetet dhe kengetaret Hana dhe Kole Prekvulaj. Salla u mbush me ngrohtesi nga interpretimet e Simon Sinishtes e Luigj Gjokajt, nga recitimi mjeshteror i Arben Dervishit dhe nga improvizimet aq te goditura te drejtuesit Ndue Gjekaj.

Ne kete perjetor, ne mesin e letrareve pjesemarres ne konkurs u shfaq nje filiz, vogelushja 8-vjecare Mara Jaku. Me kete debutim, tradita e ketij aktiviteti hodhi hapin drejt ardhmerise. Me siguri nuk ka garanci me te mire per suksesin e metejshem te revistes Kuvendi, qe pas 12 vjeteve do te kaloje nga reviste e shtypur ne format periodik kompjuterik.

Sponsoret e bashkepunetoret e Kuvendit i kultivuan Ditet e Letersise ne gjurmet e parardhesve te tyre me te hershem. Ata jane ‘autoret’ e nje tradite dymbedhjetecare per te cilen hyjne me nderim ne historikun e ri te komunitetit shqiptar ne Amerike. Nga viti ne vit, ata e risjellin tek artdashesit dhe krijuesit nje te perbashket te patjetersueshme te identitetit tone : letersine.

E vecanta shpresedhenese e Diteve te Letersise ne Detroit 2013 ishte freskia e sjelle nga zerat rinor te pasardhesve. Dhe per cdo sfide e gabim qe e kapercejme ne udhen tone, perserisim shprehjen e vjeter me te cilen Don Fran Kolaj pranoi cmimin e akorduar nga Juria per Merita te vecanta ne perkrahjen e vazhdueshme te veprimtarise se revistes : Te gabosh eshte njerezore, te falesh eshte hyjnore !

Ndarja e cmimeve nga juria vijon me poshte :

ÇMIMET E AKORDUARA NGA JURIA,

    NE DITEN E LETERSISE SHQIPE

ORGANIZUAR NGA REVISTA “KUVENDI”

              DETROIT.

 

I- POEZI

 

– ÇMIMI I PARE – Mensur Spahiu, me poezine: – Leksione te huaja.

– ÇMIMI “GJRGJ FISHTA” – Ana Toma Agraja me poezine: – Nenes.

– ÇMIMI “MIGJENI”  –      Gjeto Turmalaj me poezine: – Vitet e mia.

 

II- PROZE

 

– ÇMIMI I PARE – Agim Dishnica- Poeti i kenges se pa kenduar.

– ÇMIMI “PETRO MARKO” – Vlash Fili- Syte e nenes.

 

III- HUMOR

 

– ÇMIMI I PARE- Naum Prifti- Pse qeshim dhe si qeshim. 

 

IV- PUBLICISTIKE.

 

– ÇMIMI I PARE- Hatixhe Latifi Popovci- Polarizimi, fenomen shqetesues.

 

       ÇMIME TE VEÇANTA.

 

– PER KRIJIMTARINE QE SJELL REALITETIN

        – Gani Vila – Poema- s’eshte vone.

 

–         ÇMIMI I DHUNTISE 

 

       – Vogelushja 8 vjeçare- Mara Jaku.

 

– PER KRIJIMTARI ME FRYMEN E TRADITES-

                Lulash Palushaj – Malesise.

 

 

                JURIA – Gjovalin Lumaj

                           – Arben Dervishi

                           – Ruzhdi Gjokaj

                           

   

               ÇMIME TE AKORDUARA NGA REVISTA

                     “KUVENDI”

            MIRNJOHJE DHE RESPEKTI PER MERITA

            TE VEÇANTA NE PERKRAHJEN E VZHDUESHME

            TE VEPRIMTARIVE TE REVISTES.

 

   – FATOS KONGOLI- Shkrimtar- ” Per pjesmarrje ne ditet e letersise Shqipe

                                                      te organizuara nga revista “Kuvendi” vlersimin

                                                      dhe perkrahjen e vazhdushme.

 

    – DOM. FRAN KOLA- Famulliar i kishes se “Shen’ Palit” Detroit.

                                    Perkrahes dhe dashamires i vazhdueshem

                                    i veprimtarive letraro-artistike.

 

   – EKREM BARDHA- Konsull nderi, biznesmen.

                                  Perkrahes i vazhdueshem dhe kontribues

                                  ne realizimin e veprimtarive te revstes “Kuvendi”

 

  – KUJTIM QAFA-      

 Per ndihmen, aktivizimin dhe kontributin e

                                  pa kursyer ne aktivitetin e revistes “Kuvendi”

-RAFAELA KONDI-

Per interpretimin me te realizuar paraqitur ne Konkursin e Revistes “Kuvendi”

Filed Under: Reportazh Tagged With: detroit 2013, Ditet e Letersise shqipe, Freskia e nje tradie

MARILYNI DHE SOKAKËT E KORÇËS

December 10, 2013 by dgreca

Nga Rozi Theohari, Boston/

“Kjo çupka e vogël këtu në fotografi jam unë,” – thotë Marilyni me një shqipe të ngadaltë. “Kemi dalë në Uster bashkë me nënën e babanë aty nga fillimi i viteve dyzet të shekullit të kaluar”.

Marilyni është një zonjë rreth të gjashtëdhjetave, por fytyra e saj rrumbullake gjithnjë e qeshur dhe flokët gështenjë të çelur e tregojnë më të re. Buzëqeshja e saj e ëmbël të çon mijëra kilometra larg, aty, në qytetin piktoresk të Korçës, në Korçën e serenatave, në qytetin e vajzave të bukura faqekuqe. “Nëna ime, Eftimi Terova dhe babai Mina Cale, – tregon Marilyni, – erdhën nga Korça në Amerikë më 1921 tok me

motrat e mia. Si fëmijë e fundit, vajza e pestë, u linda dhe rrita në Uster, në ambientin dhe kulturën amerikane, megjithatë, bashkë me qumështin e nënës thitha edhe bekimin e dashurinë për mëmëdheun e lënë pas. Vit pas viti që përkëmbesha shkoja në gjumë me ninullat e bukura shqiptare dhe zgjohesha po

nga fjalët përkëdhelëse të gjuhës së nënës. Kur u rrita, fillova të kuptoja se bota ime e vogël ishte ndarë më dysh, në atë brenda shtëpisë dhe jashtë saj. Jashtë ishte shkolla, anglishtja, emri im amerikan, shoqet e shokët, aktivitetet e ndryshme, etj. Kurse brenda, në gjirin e familjes, unë flisja shqip si prindërit, ushqehesha me gjellët e shijshme korçare, edukohesha me zakonet e traditat e të parëve tanë.”

“Çfarë kujtimesh të kanë lënë mbresa më shumë nga jeta me prindërit?” – e pyes.

“Korça, – përgjigjet ajo. – Nëna e babai nuk e lëshonin nga goja qytetin dhe sokaket e tij.

Unë pyesja, ç’është ky “sokak”?

E ajo, nëna e dashur, m’i përshkruante aq mirë ato rrugët me kalldrëm, të veshura me gurë fiçore të vendosur njëri pranë tjetrit, ngjyrat, trajtat dhe qoshet ku bashkoheshin e ndaheshin sokaket e mëhallës. Më tregonte se si i pastronin gurët e i bënin dritë, pastaj uleshin para portave të shtëpisë, qëndisnin, bisedonin e bënin shaka me fqinjët. Në kokën time të vogël punonte imagjinata, regjistronte çdo bisedë, çdo fjalë, çdo përshkrim, të cilat pastaj, natën i shihja në ëndërr si të gjalla.

Tani po të pyes unë ty, – thotë Marilyni. – “Çfarë kujton nga pamja e nënës sate kur ishte e re?”

“Fytyrën e saj të njomë e të hijshme,” – i përgjigjem unë.

“Ah, po, unë kujtoj edhe diçka tjetër, veshjen e saj!”

Kur kishte ardhur nga Korça në Amerikë, siç tregon Marylini, Eftimia kishte sjellë gjithë garderobën me veshjet e qepura sipas modës franceze. Palltot dhe kostumet e Eftimisë me peliçe origjinale te jaka dhe kapelet e modës, i lanë pa mend gratë amerikane të cilat pyesnin me zili: “Kjo Korça juaj, mos

ndodhet afër Parisit?”

Pas vdekjes së të atit, në Uster, disa vjet më vonë Marilyni u martua e shkoi në Miami, ku mori edhe nënën me vete. Aty lindi një vajzë, Kristinën, e cila u rrit me dashurinë e dy nënave shqiptare. Por vdekja e nënës, Eftimisë, me 1990 shkaktoi dhembje e dëshpërim në zemrën e Marilynit. Me nënën ajo

kishte një lidhje të dyfishtë: atë të prindit dhe të mëmëdheut.

“Tani më dukej se nuk isha më shqiptare”, – psherëtin Marilyni dhe hap çantën e saj. Që andej nxjerr një pasaportë të vjetër shqiptare me datën: Korçë, 29/8/1921 dhe një fotografi të zbardhur nga koha, të nënë Eftimisë dhe të Sofisë së vogël.

“Këtë pasaportë e mbaj me vete kudo që udhëtoj nëpër Amerikë e jashtë saj. Me këtë copë kartë unë vërtetoj kombësinë time shqiptare, buzëqesh ajo. Ndërsa në kuzhinë Marilyni vazhdon të gatuajë gjellë me mish e perime, byrekë e lakrorë si të nënës.

Prej vitit 1988 deri 1998 Kristina vazhdoi karrierën e saj në kompanitë e linjave ajrore. Kjo dhe u bë shkak që Marylini të realizonte atë ç’ka i vlonte prej vitesh në gji: amaneti i palënë I nënë Eftimisë për të vizituar Shqipërinë dhe Korçën e saj të dashur. Me një grup turistësh që vizitonin Greqinë, u nis edhe

Marilyni. Ishte shtatori i 2000-s. Pas qëndrimit në Athinë grupi u nis për në Patra e qëndroi në Korfuz.

“Kur e ndjeva veten kaq pranë brigjeve të Shqipërisë, – thotë Marilyni, – zemra më rrihte, mendja më vinte rrotull dhe faqet me digjnin si prushi. “Do të nisem menjëherë,” – u thashë shoqeve të mia.

“Jo,” – kundërshtuan ato, – “si do të udhëtosh e vetme, në një vend të panjohur!” “Ai është atdheu im” –

këmbëngula unë. “Nuk të inkurajojmë për një udhëtim të tillë,” – më thanë disa punonjës lokalë. Por unë vendosa dhe, gjënë e parë që bëra mora kontakt me një zyrtar të udhëtimeve për në Sarandë.

Udhëtimi i shkurtër me traget la në shpirtin tim mbresa të paharrueshme. Bashkë me mua në bord ndodheshin edhe disa familje shqiptare me fëmijët e tyre. Ata bisedonin me zë të lartë, por unë nuk kuptova asgjë nga ai dialekt. Një farë dyshimi më lindi: si do të merrem vesh me vendasit? Por hutimi im ia la vendin emocionit të parë e të fuqishëm kur në gjysmë të rrugës mbi det, u ndryshuan flamurët dhe flamuri shqiptar filloi të valëvitej në qiellin blu. Deti kishte një ngjyrë të mrekullueshme smeraldi të shkëlqyer dhe valët e vogla që përplaseshin njëra me tjetrën, dukej sikur duartrokisnin e përshëndesnin ardhjen time. Ndjehesha krenare, sigurisht isha e lumtur që më në fund po më plotësohej një ëndërr e thurur gjatë gjithë jetës sime. Kokën e mbaja lart, s’ngopesha dot së pari flamurin. Në këtë udhëtim edhe unë isha veshur me ngjyrat e tij: bluzë të kuqe dhe pantallona të zeza…

– Cilat ishin përshtypjet e para, – e pyes, – kur zbrite në tokën shqiptare?

– “Ishin hapat e parë në Sarandë që më shkaktuan emocione të tjera. Ishin njerëzit… Fillova të takoja racën time, të shkëmbeja fjalët e mirëseardhjes dhe të admiroja natyrën e bukur të qytetit. Sipas programit të udhëtimit, u paraqit para meje I.Myrtaj, i zoti i hotelit ku do të qëndroja. Ai më siguroi për qëndrimin tim në Sarandë, por edhe për udhëtimin me taksi për në Korçë. E çlodhur, e qetësuar dhe e mrekulluar nga

vendi dhe njerëzit e gjakut tim, hëngra një darkë me peshk të freskët dhe sallatë. Pastaj, me një kënaqësi të papërsëritëshme shëtita përgjatë rrugës së bregut të detit, ku u befasova nga një grup i madh banorësh, burra, gra e fëmijë, që shëtisnin si unë buzë ujit. U vura veshin bisedave të të rinjve dhe, kur fillova t’i

dëgjoja e t’i kuptoja aq mirë, m’u bë zemra mal.

– Mezi po pres të më tregosh për Korçën tonë” – i them. “Në udhëtimin tim për në Korçë më shoqëroi çifti Nola e Tani Memushi. Arritëm në qytet përpara mesditës. Korçarët ishin të sjellshëm e të kudondodhur, kështu që nuk harxhova shumë kohë për të gjetur familjen me mbiemër “Terova”. Kur qëndrova para derës ku lexova shkronjat Terova, m’u duk sikur dëgjova zërin e nënës sime që fliste me vëllanë e saj Dhimitraq Terova. Por… imazhi u pre përgjysëm. Pas trokitjes sonë doli një djalë i cili tha se nuk dinte të kishte një teto Eftimi në Amerikë. Megjithatë, ai na priti me mirësjellje. Diçka u thye brenda meje. M’u kujtua se nëna kishte një kohë të gjatë që nuk kishte patur këmbime letrash me vëllanë dhe farefisin në

Korçë. Pra, çdo gjë e kishte mbuluar mjegulla e ftohtë e harrimit.

Kur më panë në atë gjendje të dëshpëruar, korçarët më thane se ka edhe familje të tjera me të njëjtin mbiemër dhe ata shfaqën dëshirën të më ndihmonin…

Por unë i falenderova për gatishmërinë e tyre dhe iu luta të më linin disa çaste vetëm. Duke biseduar shqip me vetveten, fillova të çapitem nëpër sokaket e Korçës. Çdo çap më jepte zemër, çdo prekje guri me këmbë, nganjëherë një shkarje e vogël deri në humbje ekuilibri, filloi të më bindte pak nga pak se

…së fundi unë plotësova një qëllim…, një ëndërr. Unë bëra gjithë atë udhëtim të gjatë për të parë, ku ka shkelur këmba e nënës dhe e babait dhe i shkela ata gurë. Për më tepër, qyteti I Korçës me fushën e tij, kodrat, malet, me stilin e ndërtesave dhe të rrugicave, me traditat dhe kulturën, me krejt mënyrën e

jetesës në përgjithësi, ishte pothuaj ai që unë kisha ndërtuar në imagjinatën time.

– Përveç Korçës, vizitove ndonjë qytet tjetër? – e pyes.

– “Po, gjatë rrugës për në Sarandë pata fatin të vizitoja Gjirokastrën dhe kështjellën e saj, si dhe qytetin antik dhe qendrën e lashtë kulturore të Butrintit që më lanë përshtypje të veçanta. U takova e bisedova me motra e vëllezër të gjakut tim. Gjithë ditën ndjehesha e lumtur, pak e hutuar, por aspak e lodhur. Sepse në mendjen time trokiste laitmotivi “ky udhëtim më ndihmoi të njoh identitetin tim nëpërmjet origjinës së vërtetë prindërore.

– Vizita në vendin e të parëve të mi, me siguri, i qetësoi nënën e babanë aty ku prehen. Sapo mbërrita në Miami, vizitova varrin e nënës dhe ndjeva thellë në shpirt uratat e saj.

Gjeta aty një farë balancimi të ndjenjave të mia, që s’e kasha provuar më parë. Kohë më vonë udhëtova për në Uster, mbasi e ndjeja si detyrë të vizitoja edhe varrin e babait. Dhe atë ditë, lavdi Zotit, u njoha rastësisht me një bashkatadhetar, banor të Usterit, Jani Melka. Kur mori vesh se po shkoja në varreza, ai

më dhuroi një buqetë speciale me lule. Nuk ishin lule të zakonshme: farën e tyre e kishte sjellë nga Shqipëria dhe për herë të parë po lulëzonin në Amerikë.

– I vendosa ato lule te guri i varrit, si për t’u çmallur me mëmëdheun e largët, si një simbol të dashurisë së pashuar që rrjedh nga një brez tek tjetri…

Filed Under: Reportazh Tagged With: e Korces, Marlyni dhe sokaket

NË HOTIN E VENDIT MBI PLAVË ENDE KA DITË ME DIELL…

December 10, 2013 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/

1.

            Në trevën historike të Hotit të Vendit në juglindje të liqenit të Plavës, në shek. XVIII jetnonin disa vllazni hotjane qëndrestare vitale: Mahmudët e Kurtët e Hotit – derë e hershme, e madhe, e fortë. Gjonët e Hotit – rriten në këtë truall në vargbrezni me dy barqe, të Haxhaj e Sinanaj, dhe nga Haxhajt krijohen degëzime të reja: Mehaj, Hysenaj e Mujaj. Gjokët e Hotit – tevona çvendosen brenda krahinës, në Dosugja të Gucisë, tek pllaja e Dodës, të njoftun edhe si Beqirhotaj apo Gjelaj.

Disa vllazni hotjane shtegtuan pakthim trojenik kryesisht rrjedhave lumore të Limit, Tarës, Valbonës e Moraçës. Markët e Hotit u ngulën me truall e kulla në Rahovecin e sotëm, në Krushë të Madhe e, prej kësaj vllaznie, është politikani martir, filozofi e shkrimtari i shquar, Ukshin Hoti. Gjeloshët e Hotit nga lugina e Jasenicës u  shpërngulën në Sanxhak-Tregu i Ri, ku tashti, në bashkari me hotjanë të tjerë, numërohen mbi 200 shtëpi. Nga vllaznia Sinanaj ka të larguar për në Rrozhajë, të cilët kryebigohen ndërveti me lidhje gjaku tek Gjoni i Hotit. Nga të gjitha vllaznitë e Hotit të Vendit ka të ikun në vise shqiptare nën Malin e Zi, drejt Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, Bosnje-Hercegovinës, etj.. Në Nju Jork të Amerikës këto pesë dekadat e fundit është formue një komunitet i madh e aktiv etno-kulturor i hotjanëve, një “Hot i Dytë i Plavës”.

Vllaznitë e sotme hotjane në vendlindje, në Hotin e Vendit e në krejt krahinën e Plavë-Gucisë, si edhe në çdo vendbanim tjetër shqiptar e mërgimtar e mbajnë emrin e një paraardhësi të tyre të shquar për mbiemër të vet. Nganjëherë, familje apo individ e mbajnë për mbiemër edhe emrin e fisit të tyre të lashtë, etnik, historik. Mehajt e kanë emblemë të mbiemrit të vet: Mehin, i cili veprimtaroi emërmirë për shtëpinë, fisin e kombin e vet deri në kufijtë e legjendave, deri në ditën e fundme të jetës.

2.

Lindja e Mehi Ujka Haxha i Hotit të Vendit ka mbajamendje, pasi përkon me një ngjarje historike tragjike, me vrasjen e Kara Mahmud Pashës, Vezirit të Shkodrës, në fundshtator 1796, pas një çarje rrethimi në Pipër, teksa u fut në kishën e Palabardhit, gjatë një përballje luftarake për rikthimin gjeo-politik të tri krahinave shqiptare: Kuçi, Pipëri, Palabardhi në juridiksion plotor të Pashallekut të madh të Shkodrës.

Ujka (Ujkani), baba i Mehit, sëbashku me qindra malësorë nga Hoti i Vendit e Plavë-Gucia, mori pjesë në këtë luftë në mbështetje të Vezirit të Shkodrës. Pas tërhjekjes sprapsuese prej kurthit luftarak të betejës, duke luftue në rrethim, bash në Pipër, u vra atdhetari i flaktë Gjyla Begu i Rexhepagajve, sundimtari i pashoq i Plavë-Gucisë. Ky ishte mik i fismë i derës së Kara Mahmud Pashës, i cili ka verue shpesh herë në brigje të liqenit të Plavës, ndaj ende majemali në këtë trevë thirren “Maja e Vezirit”. Këta dy burra të mëdhenj, probatima ndërveti, në këto kohë tepër të vështira, e kanë mbrojt Plavë-Gucinë për mos me u pushtue e aneksue si krahinat e tjera etnike shqiptare në brigje të Moraçës nga Mali i Zi i shovinistit vladika Pjetër I Petroviç-Njegosh.

Ujka Haxha i Hotit të Vendit, baba i Mehit, i mori disa plagë në trup gjatë këtyre luftimeve dhe falë kalit të tij mjaft të stërvitur mundi të tërhiqej nga fronti i përgjakshëm me pjesën e ushtrisë së mbetur, të mundur e në largim. Diku përtej sheshbetejës e kanë marrë me veti hotjanët e Rrafshit, të cilët e kanë njoft me nji të pame me sy. Kah mesi i dimnit ka mujt me ecë në kambët e veta. Në të çelun pranvera me gjethe lisi e lule fushe e kanë ngjit në Hotin e Vendit. Rrnoi disa vite. Mesa dijmë i la mbrapa vedit tre djemë trashëgimtarë: Haxha, Muja, Mehi, të cilët, këta dy të fundit, tevona dolën bark më vete, ndanë toka e ngritën kulla.

Mehi, i pari i Mehjave të derisotëm, ishte ma i madhi ndër tre vëllezërit e tij dhe kishte shumë motra. Kjo, atij, i dha krahë mirësie me i forcue lidhjet e miqësisë me krahina të tjera përrreth Limit, Moraçës e Drinit.  Tek Mehajt traditor nuk ka ndodh me pasë marrje e as dhanie me martesa në Hotin e Vendit.

3.

Kajmekani faqezi i Gucisë, Zija Beg Rexhepagaj, kunat me Hudaverdi Pashën e Mahmudbegollëve të Pejës, pas luftës së gjatë austro-otomane (1683-1699), i shpërnguli përdhunshëm dhjetra familje etnike shqiptare (jo)kryengritëse nga Brezovica, Metehi e deri në afri të Hotit, në luginën e lumit Gjyriq (i thirrun dikur “Lumi i Mirë”). Vendoj në këto territore rreth 241-360 familje nga Moraça, Palabardhi e Ciklina e Çetinës duke iu dhanë toka vrrini si edhe lartësi bjeshktare në Çakorr, Babinë, Bogiqe. U çue në kambë Hoti i Vendit për mos  me i lanë me u shpërngul forcërisht asnjë familje hotjane dhe mos me e lëshue asnjë hap tokë të vet për këta kolonë të rinj, pasi boll ishin rrudhë hotjanët e Plavës me territore etno-historike përgjatë shekujve. I ngjeshën armët. Hipën në kuajt e luftës. Kajmekan Riza, ma i keqi i kazasë së Plavë-Gucisë në dymbëdhjetë breza sundimtarësh nga dera e Rexhepagajve, u nis me të vetët me iu dalë para hotjanëve tek Guri i Gjokës. Ai nuk donte me e mësy trimat e Hotit të Vendit deri tek “Sokaku i Hotit”, tek territori i hershëm i tyre në afri të liqenit të Plavës. Fjala e Hotit shkoi deri në vesh të Zotit. Askush nuk ia shkeli asnjë fije bari kësaj treve etnike historike.

Kit’ histori thuhet se e kishte mjaft për zemër Mehi Ujka Haxha i Hotit të Vendit, ashtu sikurse edhe pasaardhës të tij bio-genetik të Mehajve e të vllaznive hotjane Haxhaj, Sinanaj, Mujaj e Hysenaj. Kjo, qyshse në hershmëri, kallxohej në oda hotjane e në kuvende tek Kodra e Rexhës, tek kisha skej lumit në Jasenicë. Kudo. Edhe kjo histori i ka frymëzue në breza hotjanët e tri luginave të hershme e hotjanët e sotëm në dy faqet e luginës lumore të Hotit, nga Shkambi i Zi deri në bjeshkën e Horolacit tue fillanis vrrinit me 1.050 m e mbrri deri në 2.199 m. lartësi mbidetare në bjeshkë.

Herët, bjeshkët alpine janë kanë me ndore të shtetit otoman. Ato jepeshin me traminë (porestin). Hoti i Vendit bante përjashtim prej kësaj rregullsie shtetërore të kohës. Mirëpo, tregimohet se një ditë Mujë Ujka Haxha, i pari i vllaznisë Mujaj, e pati pa një andërr sikur ua morën bjeshkët “me ba haraç”. I thirri Mehi Ujka Haxhës, të parit të Mehajve, e dolën bashkarisht në Koshuticë të Hotit. Aty panë zyrtarë të qeverisë osmane. Fjalafolën me ta. Po s’u tërhoqën nga marrja e bjeshkës. Ua nisën pushkën. Bjeshka i mbeti prapë Hotit të Vendit. Tashti ata i kanë varret në Koshuticë, në krye të Çardaqeve.

Pas akteve të tilla me shembuj qëndrestarie dekteri në fillime të shek. XX nuk i hyni kush në pjesë toke Hotit të Vendit, veçse kur hotjanët i dhanë ato në raste apo rrethana të caktuara me klering apo valutë të kohës, si fjala vjen ofertuesve Rexhepagaj.

Në kohën e Kraljevinës, në vitin 1924, me të ashtuquajtunen “Reformë Agrare”, iu morën Hotit të Vendit kullota e male nga Jugosllavia e Parë, që iu kanë rikthye veçse një pjesë e vogël 181 hektarëshe tek Koshutica e Hotit. Prapë në kohën e Titos, Jugosllavia e Dytë, me tjetër platformë e praktikë të ashtuquajtun “Nacionalizimi”(1955-1961) ua mori gjithato prona hotjanëve e, prej asaj dite e deri më sot, kanë mbet’ prona shtetërore. Vitet e fundit, ky shteti i Gjukanoviçit, në këtë kohë të riaktivizimit në rrugë diplomatike e politike të ashtuquajtunes “Jugosllavia e Katërt”(!), prapë po synon e sulmon marrjen e tjetërsimin pronësor të tokave të Hotit të Vendit me anë të Parkut Ballkanik të Paqes “Prokletje”(!)

4.

            Gati një çerek mijëvjeçari po kalon nga kohëlindja e Mehi Ujka – i pari i Mehajve dhe, ende hotjanë, plavë-gucias e të tjerë, fjalaflasin me admirim për emrin e bëmat e Mehit aqsa një bashkëvendas i moshuar më pohon krenarisht: “veçse krahët nuk i ka pasë”.

Luftëtari i maleve shqiptare, Mehi Ujka, sëbashku me disa hotjanë të Plavës, patën konflikte të përgjakshme me armë me ekstremistë nga  Vasojeviçi i Epërm (Nahija e Vasojeviçit), krahinë e sapo futun forcërisht nën Sanxhakun e Cerrnagores, në kohën kundërshqiptare të peshkopit-princ Peter I Petroviç-Njegos. Kjo i detyroi përkohor me e lanë Hotin e Vendit dhe me ra në qytetin e Shkodrës, kryeqendrën e Sanxhakut të Shkodrës, kaza e të cilit ishte edhe Gucia me rrethina të hapëta nga ana administrative.

Mehi Ujka i Hotit tue ecë me kusherinjtë e vet nëpër Shkodër ndal tek një dugajë. Hyjnë brenda. I sheh do patkoj të varun aty. Fjalathotë: “Po sa i kie ata patkoj, o dugajxhi, se po më duken pak si të hollë?! Dugajxhia i përgjigjet tue e ndjek terezinë e vet, duke e reklamë mallin e vet. Atëherë, Mehi ia pret: Unë me i kap qitash i thej me dorë, i baj dy copësh! Dugajxhia ia kthen: N’mujsh me i thye, i kie një teste (50 copë) me patkonj dhe për çdo patkue edhe nga nji thumb falas…

Si u tha edhe u ba. Mehi e tereziti mirë patkoin në dorë, i dha vetes kivet e ta këputi në mes. I dha krahut me forcë e ta ngjujti neltas një pjesë të patkoit, i cili u ngul në një tra të tavanit të dugajës. I mori patkonjtë e thumbat e premtuem prej dugajxhisë. Iu dha prej tyre edhe kushërinjve të vet, sepse dihet: hotjanët janë tepër të dhanun pas kuajve, një traditë e kahershme, e mbartun dhe e përcjellë qyshse nga paraardhësit e vet, nga Autariatët ilirianë.

Një ditë tjetër, bash në qendër të (krye)qytetit të Shkodrës, u borokatke një shkodran truplidhun e shtatlartë tue piskatë me ritme daulleje: O në këtë sanxhak, në 12 fise të Malësisë, nuk ka burrë si më del me u ndesh përballë!

Shumkush në Shkodër ia kishte ndie zanin ose pa faktikisht forcën Mehi Ujkës së Hotit të Vendit, prandaj e thirrën një ditë vere me u kap trupas me shkodranin bejlegxhi. Kusherinjtë e vet iu lutën me e hjek “gujen”, veshjen malsorçe, hotjane, po ai iu gjegj atyne me bindje të ngultë: “Gujen nuk e hjeki. Ajo delme që nuk e ban bashkën e vet nuk i duhet gja kujt…”.

Mehi po don me hjek merak për mos me çue në Hotin e Vendit ngatrresa të idhta e as gjakderdhje hakmarrëse, prandaj ia bani me dije paraprakisht shkodranit, i vnon kusht para se me u ndesh ndërveti: O burrë i dheut, në kit Shkodrën tonë, në kit’ ditë, ba me ia thye dorë a kambë njani-tjetrit, me e mbyt shoqi-shoqin, nuk kena fjalë e as pushkë mbrapa? Shkodrani ia dha besën se kurrgja kësosh nuk do të ndodhin në këtë ditë tregu, në këtë ndeshje force mes tyre, në mes farefisnisë së tyre.

Njerëz si bleta ishin mbledhë me plot kureshtje e komente përrreth tyre, në pritje të duelit e të fitimtarit. Një spektakël i tillë force kishte ngjarë shpesh në kryeqëndren e sanxhakut, në ditën e pazarit të madh.

Kur e kapi rrokas po dvet shkodrani: A je kap Mehi? E ky hotjani me urtësi force  ia kthen turrtë: Po, po. Mos kie gajle! Prapë shkodrani në kit ndeshje force po don me e  dit’ me atë kryelartësinë e vet: “A po m’i jep ti para trupit apo unë me t’dhanë ty?” Ia pret Mehi: “Jo, ti epëm mue…!”  Shkodrani boll i dha vetes fuqi po nuk mujti me e luejt Mehin prej vendit. Rrinte si lis bjeshke.

Rradha po i vjen Mehit. I vikati për me ndie edhe të tjerët: “Tashti unë po due me të dhanë ty para! Pritëm mue!”. Ia ngjiti fort, çobanisht. E cingloi prej toke. I lvritshin kambët sikur miut. E gjuejti plastim për tokë. I gufi gjaku prej goje e hundësh. Ia mbyti byrykamen. Shkodrani nuk doli ma në mejdane të tilla.

Atëherë njerëzia, të mbledhun aty, e morën Mehin dhe e ngritën mbi supe, tue ecë një copë kohë e rrugë nëpër pazarin e Shkodrës. Jehonin thirrjet e fuqishme: Mehi! Hoti!… Këtë histori dueli e mori vesh edhe sanxhakbeu i Shkodrës…

Mehi Ujka i Hotit ishte jetëgjatë e fort i mbajtun. Thuhet se e kapërceu qindin tue ecë mbi kali shale për në bjeshkë të Koshuticës. Me pamje nga afër nuk i dallohej mosha e madhe. Ndoshta të gjitha këto e shpjegojnë faktin se Mehi mori pjesë edhe në të madhen e të përgjakshmen “Betejë të Ostrogit” (1853) në krahinën e Bjellopavliçit kundër forcave pushtuese e aneksuese të Malit të Zi të princit shoven Danilo I Petroviç-Njegosh.

Plaku i moçëm Mehi Ujka i Hotit thuhet se e ka varrin e tij në atë të përpjetën ku Jasenica kap prej bjeshke, atje tek Vorret e Vjetra.

5.

Tahir Meha i Hotit të Vendit nuk ishte njeri i pazakontë, trupmadh e muskulfortë si i ati, po nuk i pati lanë gja mangut për nga trimëria e zgjuarësia.

Ai kishte edhe një vlla tjetër disa vjet ma të madh se vetin, Isufin, i cili ishte çoban i zoti dhe pati një vdekje natyrore të parakohshme tue lanë një djalë të vetëm, Sinanin, e katër çika njana pas tjetres.

Luftëtari atdhetar Tahir Meha i Hotit të Vendit shquhet në një nga betejat ma të mëdha e ma të vështira shqiptaro-malazeze, në atë të Grahovës (28 prill–1 maj 1858), si dhe ka marrë pjesë në disa luftëra lokale në mbrojtje të Plavë-Gucisë me rrethina.

6.

Shaban Tahir Meha i Hotit të Vendit duket se i përngau gjyshit të tij, Mehit, pasi ishte një burrë i fuqishëm. Në fletore të shenimeve për Hotin e Vendit disa bashkëbisedues në Plavë-Guci e në Nju Jork-Amerikë ma përshkruajnë si “një trup mjaft leshtor” aqsa edhe dimrave tepër të ftohtë “e mbante vetëm një goxhup”. Ai ishte aq punëtor i rrallë sa edhe toka ia njihte dorën dhe ia ndiente frymën.

Asokohe, Shaba, siç e thirrnin shkurt e me afri, e ngriti një kullë trekatëshe në truallin e vet, sikurse edhe Alush Smajli Haxhaj, Ukshin Arif Sinanaj, Malë Rrustem Hysenaj, Ibër Mustafa Haxhaj (dykatëshe) e, ndonjë tjetër. Këto kulla e banin Hotin e Vendit edhe ma të bukur e ma të lumtur, iu jepnin forcë qëndrese e frymë zhvillimi ekonomik e kulturor hotjanëve. Kur Mali i Zi e pushtoi e aneksoi me gjak e flakë Plavë-Gucinë (1912-nëntor 1913) i dogji edhe kullat e besës e qëndresës të Hotit të Vendit.

Edhe sot e kësaj dite, afër kullës të dikurshme të Shabës trim e gjallnik, gjenden gjurmët e dy furrave gëlqereje që i ka pasë ndërtue në kohën e vet. Këtij vendi, ku e pjeki e nxorri gëlqeren për veti e për treg, i ka mbet’ toponimi i përhershëm: “Qerrshahe e Shab Tahirit të Mehajve”.

Shab Tahiri me djemtë e Mehajve të kohës së vet gjerdanonin në unison me bashkëfistarët e vet hotjanë në Hot, Jasenicë, Zabel, tek “Balli i Gjahut” (kodër thepore, në hymje të Hotit, kah lindja, në të majtë të liqenit të Plavës), tek ngjiteshin e dirgjeshin nga bjeshka, kur merrnin udhë për në tregun e Plavës e atë të Gucisë, kur rrugëtonin për në Pejë apo Shkodër. Këta të tre i jepnin bukuri e krenari vendit e kuvendit, udhëtimit e argëtimit. Burrat e Hotit, edhe brenda krahinës (kaza, kapiteni, komunë) në qytetet Plavë e Guci, binin në bashkari deri në mbi 20-30 vetë, me kuaj shale e armë, të veshur si për ditëmadhe pazari, etj.

7.

4 Dhjetori 1879 i kohës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit është sipari i një prej luftërave kombëtare ma të mëdha në historinë shqiptare: “Lufta e Ultinës së Epërme të Limit “ (Nokshiq, Arzhanicë, Pepaj, Brezovicë…), e cila u përmbyll me gjak e flakë më 11 janar 1880. Kjo luftë njihet ndryshe edhe si “Dy betejat e Nokshiqit” (dhjetor 1879, janar 1880). Mbi të gjitha historiografia shqiptare e vlerëson si një nga faqet e ndritura të “prologut” të Pavarësisë së kryer më 1912 në Vlorën e Ismail Qemalit.

Pak kush e din se heroi i kësaj dite historike, dëshmori i parë i kësaj lufte historike, është një luftëtar i madh, njeriu i thjeshtë, (Murat) Osman Murati i Mahmudëve të Hotit të Vendit, një personazh historik i padalun në dritën e vërtetë të historisë kombëtare, në breza të shuar nëpër luftëra me sllavë të Jugut e otomanë të Lindjes.  Ai i përket një vllaznie të vjetër sa vet Hoti, trime si vet Hoti, ndaj thirrej edhe me emra simbolik: “Mahmud-hoti”,“Murati”. Gjithandej cilësohej si njeri “i lindun me orë”, më fjalathonë Ahmet Murati i Sinanajve, Rexhë Mehmeti i Sinanajve, Sinan Isufi i Mehajve, Halil Ukshini i Sinanajve, Ilmi Murat Mujaj, etj. Boshnjakët e Plavë-Gucisë, ma së forti shqiptarë të asimiluar, thoshin shpesh se nuk ka luftë pa Muratin, e përdornin shprehjen e njohur: “Nema rata bes Murata”. Ky, në syçelje të dritës, në syfyr, lëshoi kushtrimin tek Kodra e Rexhës e dukej se eci ma shpejt se jehona e zanit të tij nëpër luginën e Hotit e të Gjyriqit, trupon urën e Limit, i bie përfund Brezovicës e pa hi në Pepaj i paradalin nja 100 shkije në fushim. Mbante me veti buzdavanin, shpatën e thikat e mprehta. I ka zhdrip kalit të shalës tek grupi ma i parë ulandejas i shkijeve e iu tha: Kam ardh me iu pru i xhevap… E nxori shpatën nga brezi e thuhet se i ka pre 15 krena pushtuesish malazezë. Ai shkoi si hero, e dha jetën si hero, tue e ndez luftën e pashembullt.

Alush Smajl Haxhaj, Dera e Parë e Hotit të Vendit, përcjell jehonën e kushtrimit luftarak e, hypi në kalë të bardhë dhe, sëbashku me vëllezërit e vet: Asllanin, Currin, Medin, Tahirin, Rexhin i cokatin e i ngjeshin armët për luftë kundër ushtrisë malazeze.

Luftëtari trim, Shab Tahiri Mehaj, rreth 30 vjeçar, siç shkruhet tek monografia “Epopeja e Luftës së Nokshiqit” (Zenel R. Haxhaj, USA, 1998) kushtrimon malsorçe “nga shkëmbi i Horllacit, nga Mehajt, rranxë bjeshkëve të hotjanëve” dhe mori pjesë ballas në të dy betejat e Luftës së Nokshiqit, duke marrë edhe një plagë më 11 janar 1880.

Nga Hoti i Vendit, 33 apo 37 ose 43 luftëtarë nga vllaznitë Haxhaj, Sinanaj, Mehaj, Hysenaj, Mujaj e një i Dedushaj, Bajram Musa, ranë tek kulla e Jakup Ferrit në Plavë e, siç më kuvendon në Nju Jork veterani diamantor, Rexhep Gali Balidemaj, “dolën në ballë të luftës në Nokshiq”. Strategjia e luftës së Ultinës së Epërme të Limit (Lufta e Nokshiqit) kishte planet e veta të (pa)shpalosura, po të parët strategë të saj atdhetarë idealistë e luftëtarë të pakompromis ishin hotjanët, që u ndoqën njëherash e përflaktas nga nokshiqasit…e rugovasit… Historia ka fillue me folë…

8.

Isuf Shab Mehaj, i dyti ndër djemtë, ishte e mbetet në kujtesën e vllaznisë së tij e të hotjanëve të Plavës si “sokol djalë”.  Sipas traditës hotjane të lashtë, ishte i dhanun mbas garave me kuaj, biles me kalin e tij të bardhë dilte shpesh i pari ndër të tjerët. Si ai ma, me talent të rrallë e ushtronte currulajen me soha. Ishte shtëpiak, dinte me vnue e me mbajt pasuni. Në “kohën e Krajlit”ka dalë kaçak se e ndiqte shteti jugosllav. Në vitet ’30 i erdhi papritur vdekja natyrale e parakohshme, duke lanë tre djemë: Ramadanin, Bajramin e Sinanin, e, ndër vite, plot nipa e mbesa me vila në vendlindje e në Amerikë.

Djali i tretë i Shab Tahiri Mehaj, Hamza, i shkathët e i zgjuar, e ka humb jetën aksidentalisht në lumin Buna në moshën 18 vjeçare.

Brezi i dytë i Isuf Mehajt, Ramadani, ishte i aktivizuar me forcat nacionaliste antikomuniste, pjestar me djemtë e Haxhajve të Hotit, po aksidentalisht e preu kambën e nuk mujti me shkue me ta në terren. Kryeplaku i fshatit të Hotit të Vendit, Musë Sadiku, i çon fjalë se forca partizane e kanë në shenjestër të hakmarrjes, prandaj për dy metra borë ra në Deçan e, prej andejna, në pranverë, ndejti tek dajtë e vet, tek Mulosmanajt e Krasniqes në Malësinë e Gjakovës.

 

9.

Sadri Shab Mehaj, i lindur kah fundshekulli XIX, i rritur në një familje me tradita e kontribute atdhetare, që me mend e sakrifica kishte arritë të jetë një nga ma të pasurit në Hotin e Vendit, biles në vitet ’20 deri më ’40 veçohej si një nga pasanikët ma të mëdhenj në krahinën e Plavë-Gucisë. Përveç angazhimit të përditshëm të familjes së vet kishte të punësuar edhe 5-6 punëtorë aktiv, të përhershëm.

Kur ka hy komunizmi në Hotin e Vendit, në kohën e Jugosllavisë së Dytë, Sadri Shab Mehaj, kishte 112 dhenë, rreth 30 lopë, 12 penë kije (qe), të cilat i çoi për dimnim në Kosovë e, me të dalë pranvera, shumicën i përcolli në Shqipëri. Në Gjarpën të Mulosmanajve ia dha Halil Alisë të Llugajve (Tropojë) 112 dhenë përgjysmë për tre vjet e çka të shtohen me i nda përgjysmë ndërveti. Nja 8 lopë i çoi në Selimaj të Valbonës (Tropojë) dhe nja 8 lopë në Lugun e Beranit në Pejë. Kur u interesue për pasurinë e vet të shpërndarë iu dha një përgjigje e njëjtë: Na i kanë marrë komunistat… e Enverit e të Titos! Mazen e bylmetnat ua morën partizanët. Asokohe, edhe një lopë me e pasë duhej me i pague taksimin, përndryshe, “reksvecicia”, një farë politike që e shkretoi Hotin e Vendit.

Sadri Shab Mehaj ishte njeri i ditun, pleqnar, i ndihej dhe i ecte fjala, folke me rend e me vend ne kuvende, i lypej mendimi në odat malësore. Atij i peshonte fjala dhe i ndihej hapi. Ai pati një djalë: Xhemën, që me fëmijët e tij i mbajtën mirë traditat e vllaznisë së vet.

Luftëtari Sadri Shab Mehaj ishte pjesmarrës në Luftën e Dytë Botërore. Kujtime për Sadrinë nga kjo kohë lufte më përcjell edhe 86 vjeçari Halil Ukshin Sinanaj në shtëpinë e tij në Amerikë më 3 shtator 2012. Pas qëndrimit në Shqipëri në vitet 1945-1946, Sadria, me t’u kthye në Hotin e Vendit e prangosen në burg për shtatë muaj proçes hetimor. Kur doli nga burgu jetoi disa vite gjersa ndrroi jetë në vendlindjen e vet.

Hotjanët kanë një betim të moçëm: Pasha Tokë e Qiell! Duket se hotjanët flasin lirisht me Tokën e me Qiellin, pasi në vendlindjen e tyre ende ka ditë me diell…

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: e vendit mbi Plave, ende ka Diell, Ne Hotin, Ramiz Lushaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 153
  • 154
  • 155
  • 156
  • 157
  • …
  • 172
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT