• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHTATORJA E ADEM JASHARIT, NGA TORONTO U VENDOS NË PREKAZ-KOSOVË

August 26, 2014 by dgreca

Para pak kohësh, një nga gazetat e përditëshme të Tiranës njoftonte se “Shtatorja e Adem Jasharit, udhëton nga Toronto në Prekaz. Kosovë”. Një lajm i bukur dhe mjaft domethënës, kur mësojmë se kjo vepër arti, punuar nga skulptori shqiptar Hytbi Tarelli, banues në Kanada, i dhurohet muzeut të familjes Jashari, në nderim të heroizmit të Adem Jasharit dhe familjes së tij, të cilët dhanë jetën, duke u bërë frymëzim dhe gurr themeli në lirinë e Kosovës.
Shumë kush habitet, kur disa ngjarje bëhen gërshet mes tyre në mënyrë të çuditëshme. Rrethanat e dëtyrojnë autorin e veprës, që pas aeroportit “Nënë Tereza” të Rinasit, si fillim të qëndrojë në Shkodër, ditën tjetër të udhëtojë drejt Prizrenit, pas një nate drejt Prishtinës e më pas në Prekaz. Ndoshta, para se të shkonte e të vendosej në atë vend të shenjtë, mos vallë u desh marrë bekimi i kalasë së Rozafës, si legjendë e qëndresës, më pas bekimi i “Lidhjes shqiptare të Prizrenit”, me ata burra të fisëm, trima e të kuvendit, më tej bekimi i Ibrahim Rrugovës, burrit të mençur që bëri aq shumë për Kosovën? Nuk di pse mëndoj kështu, mbase është frymëzimi, ndoshta më shumë besimi, dëshira dhe fati, që i lidh dhe i bashkon kështu ngjarjet krejt të rastësishme, por që përkojnë bukur.
Duket si një aventurë çmendurie ky veprim, kur gjykoj shpenzimet që u përballuan tërësisht nga vetë autori, pa përmendur peripecitë e një udhëtimi kaq të gjatë, aq më tepër kur bëhet fjalë për një skulpturë me përmasa jo të vogla, rreth një metër e lartë, duke filluar që nga ambalazhimi e kujdesi për të mos u dëmtuar. Kemi parasysh si hidhen e priten valixhet dhe pakot nëpër aeroporte, por që frika vazhdon më tej, sepse udhëtohet nëpër makina të rastit, shtojmë edhe merakun, se duhesh ngjitur edhe nëpër shkallët e hoteleve. Fatmirësisht asgjë e keqe nuk ndodhi. Shtatorja e heroit legjendar Adem Jashari u sos për bukuri aty ku e deshte vendi, në “Mekën e shqiptarëve”, në Prekaz të Skënderajt, në Kosovë.
Lëvizja nëpër Kosovë ishte programuar për bukuri nga dy vëllezërit prizërenas, Z. Naser Berisha me banim në Kanada, kryetar i shoqatës “Iliria”, njëkohësisht kryetar i “Aleanca e Bizneseve Shqiptaro – Kanadeze”, që ishte dhe ideatori e organizatori kryesor i kësaj veprimtari, së bashku me mjekun Dok. Nexhip Berisha, drejtor i qendrës shëndetësore të Prizrenit, të cilët u treguan bujarë në mikpritje, të gatshëm në ndihmë, njëkohësisht të kujdesshëm e të papërtuar gjatë gjithë kohës.
Çdo gjë e llogaritur deri në imtësi. Data 26 Korrik 2014, ora 12.00 në Prekaz. Një kurorë me lule në varrin e Adem Jasharit, në nderim të gjithë të rënëve. Më pas në muzeun e familjes Jashari, ku u pritëm aq ngrohtë e miqësisht nga z. Rifat Jashari, vëllai i heroit, një plak i pashëm, i mençur e fisnik, që i peshonte fjala, me portret tipik të racës burrnore shqiptare. Ai pati mirësinë dhe nderin të marë në dorë shtatoren e heroit. Çaste të paharruara, të mbushura me shumë emocione të përjetuara aq njerëzisht nga të gjithë të pranishmit. Fjalët sado të zgjedhura e të bukura qofshin, nuk e mbajnë dot peshën e ndjesive që provon çdo njeri i ndodhur përballë ndodhive të tilla, që rrallë ndeshen në jetë.
Baca Rifat, i cili mban të gjallë kujtimin e legjendarit Adem dhe të gjithë familjes që u sakrifikua në emër të lirisë së Kosovës, shprehu falënderim e mirënjohje zemre për autorin e veprës, që e solli në Prekaz, në shtëpinë e tij Adem Jasharin. Përqafim dhe shtrëngim duarsh, kur mësoi se Hytbi Tarelli është shqiptar i lindur në Devoll, në qarkun e Korçës, por që prej disa vitesh banon e punon në Kanada. Në atmosferën e emocioneve të mëdha, të gjithë të pranishmit përshëndetën dhe uruan autorin e kësaj vepre që përjetëson heroin, njëkohësisht edhe për idealizmin dhe gjestin atdhetar të tij, duke e sjellë që nga aq larg, për ta vendosur pikërisht në vendin ku ai luftoi dhe ra, në dheun e Kosovës së lirë, ku u bë martir e mbeti legjendë në ndërgjegjen dhe historinë e kombit. Më pëlqen ta përsëris shpesh një aforizëm të Halim Hasanit: “Rrënjët e lirisë i ujit gjaku i dëshmorëve”! Fjalë që u përkasin të gjithë popujve, e më së shumti ne shqiptarëve, kur lufta për çlirim e bashkim kombëtar, ka shekuj që ka nisur e akoma nuk ka bitisur.
Duke biseduar me z. Hydbi, lidhur me idenë dhe mundimin për të ardhur deri në Kosovë, ai shprehet:
Kam një jetë që merrem me pikturë e skulpturë, duke filluar që nga vizatimet me thëngjij zjarri e figurina balte të pjekura në fabrikat e punishtet e tullave, e deri tek vepra arti nëpër ekspozita e konkurse kombtare e ndërkombtare. Më tërheq më shumë skulptura. Në krijimtarinë time të gjithë këtyre viteve, janë me dhjetra punë të ndryshme, disa janë akoma në studio, shumë të tjera të shpërndara nëpër institucione dhe galeri arti, një pjesë edhe nëpër mjedise familjare, si në Shkodër, Lezhë, Tuz (Mali i Zi), Tiranë, Durrës, Lushnjë, Korçë e Bilisht, pjesa më e madhe në Kanada e më përtej akoma, larg deri në Dubai, në Arabi. Para dy vjetësh, isha në Tiranë dhe mora pjesë në konkursin ndërkombëtar për Monumentin e Pavarësisë. Ishte një bashkëpunim artistik me artitektin hungarez Laszio Kerekes, i cili jeton e punon po në Kanada.
Tani që jam larg Shqipërisë i kuptoj dhe i besoj fjalët e të madhit Faik Konica, i cili shkruante: “Duhet të jesh jashtë Shqipërisë e të jesh larg për të kuptuar se ç`bukuri të ëmbël ka për veshët, fjala mëmëdhe”. S`besoj se jam unë i vetmi që, duke qënë në dhe të huaj, më rrëmben frymëzimi për t`i`u kushtuar figurave kombëtare. Është një ndjenjë e çuditëshme që mban ndezur zjarrin e atdhedashurisë. Ndaj më ngacmon tematika kombëtare, sidomos e personaliteteve dhe heronjëve që kanë bërë histori, me të cilët mburremi dhe na njeh bota. Në studion time gjen Skënderbeun, Nënë Terezën, Ismail Qemalin, Ded Gjon Lulin, Isa Boltinin dhe të tjerë, mes tyre edhe Adem Jasharin, të cilin sapo e çova dhe e vendosa këto dit në Kosovë.
E di që do më pyesni, si lindi kjo ide? Po ju kursej kohën, duke u përgjigjur:
– Para ca kohësh në studion time, mes shumë e shumë vizitorëve erdhi Naser Berisha, mërgimtar edhe ai si unë. I hodhi një sy punëve me radhë. Më përgëzoi për bustin e Skënderbeut të larë në flori, për portretin e Nënë terezës, por sytë i mbetën tek shtatorja e Adem Jasharit. E vështroi gjatë, e m`u kthye:
– Ky monument s`është për këtu në studio. Vendi dhe nderi i tij është në Kosovë, aty ku lindi, ku luftoi dhe ra së bashku me shumë anëtarë të familjes së tij të madhe. – Kaq u tha dhe të tjerat rrodhën vetiu. Si fillim ngurrova nga kjo kërkesë e papritur, por edhe më erdhi mirë, pasi goditi në shenjë, në dëshirën time të pashprehur. Kur e nisa punën një zë i brendshëm më thoshte: Shtatorja e Adem Jasharit e këtij simboli të trimërisë dhe heroizmit shqiptar, i përket Prekazit, Skënderajt, Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve. Vërtet pati shumë mundim dhe shpenzim, por tani që u mbarua puna them se kam bërë një vepër që e vlen. Nuk e kam fjalën për vlerat artistike, pasi ato i gjykon publiku dhe kritiku, por për një premtim timin. Jam i lumtur që e përmbusha amanetin që i kisha bërë vetes. S`jam as i pari e as i fundit që përjetësoj këtë figurë me përmasa të jashtëzakonshme. Sa më tepër kohë të kalojë, aq më e madhe do të jetë shtysa për vepra kushtuar këtij heroi që krijoi legjendë e do mbetet në legjendë. Kjo që bëra, mendoj se është shumë pak ndaj asaj, që ai dhe famija e tij dhanë e bënë për Kosovën, për këtë copë shqipërie, që të jetë e lirë. Heronjtë e tillë, kurdoherë do të frymëzojnë penën e poetit dhe shkrimtarit, penelin e piktorit, daltën e skulptorit, notat në pentagramin e kompozitorit, fjalën e aktorit në skenë dhe lahutën e rapsodit. Ata madhështohen e përjetësohen në lavdi, sepse meritojnë dhe kanë mirënjohjen e nderimin e kombit.
Shpirtërisht, dëshiroj edhe një herë të falenderoj nga zemra: baca Rifat Jasharin, për pritjen e ngrohtë dhe shumë emocionuese, z. Naser Berisha, ideatorin e udhëtimit dhe organizatorin energjik të ceremonisë. Falenderoj historianin Prof. Dok. Nusret Pllana, mjekun dok. Nexhip Berisha, z. Milaim Dulla, sekretar i shoqatës “Atdheu” në Zvicër, z. Valmir Hylenaj nga Skënderaj, z. Endrit Thaçi nga Llapushniki, njëkohësisht miqtë e mi z. Tahir Veliu, stërnip i Hasan Prishtrinës, biznesmen, veprimtar i çështjes kombëtare, që jeton në qytetin Alberta në Kanada, z. Arsim Sejdini mësues në Prishtinë, si dhe të gjithë pjesmarrësit e tjerë, pa të cilët do ta kisha të pamundur ta çoja deri në fund premtimin tim.
U jam mirënjohës! Kjo ishte dhe do të mbetet një nga ditët më të veçanta e më të bukura të jetës sime.

Përgatiti: Kadri Tarelli- Durrës më 24. 08. 2014

Filed Under: Reportazh Tagged With: Hytbi Tarelli, Kadri Tarelli, shtatorja e Adem jasharirit

Takimi i shoqatës së ish të burgosurve politik me artistin, poetin dhe veprimtarin Sylë Muja!

August 22, 2014 by dgreca

Reportazh nga Rugova e Pejës,gusht 2014/
Ne Foto: Takim i tre ish të burgosurve në burgun e Nishit Muhamet Rugova,Sylë Muja dhe Asllan Dibrani në Atelienë e Sylë Mujes në Pejë./
Nga Asllan Dibrani/
Lëvizjet e kësaj vere dhe pushimet e gushtit nuk i la të zvetënuar edhe “Shoqatën e ish të burgosurve politik të Kosovës. Ata zgjodhën pikërisht Pejën t’ja mësyjnë të shoku ynë dhe krijuesi Sylë Muja. Fillimisht pikëtakimi ishte në Atelienë e Sylë në qytetin e bukur të Pejës.
Bukurinë e tij e zbukurojnë vargmalet e bjeshkëve të Grykës së Rugovës. Gurgullima e ujit të kthjellet dhe të ftohtë , është një inspirim për piktorët , krijuesit dhe artistët që të përfitojnë një pasion në krijimtarinë e tyre! Ky takim ishte me ish të burgosurin politik, pjesëmarrësit i demonstratave studentore ne vitin 1981 dhe çmallja , rikujtimet e asaj kohe dhe sfidave që kishim për ardhmërinë e Kosovës për tu çliruar nga çizmja e sllavo-Serbisë!. Me rastin e takimit me Syle Mujaj, ish të burgosurin politik, veprimtarin e kauzës kombëtare, njeriun me vlera të larta atdhetarie,kulturore dhe artistike. Një takim i tillë ishte një plotësim i një boshllëku të viteve pa u parë në mes veti, njerëzit që i paraprimë rrënimit të ish Jugosllavisë cariste.
Ateleu i Syle Mujes në Peje në lagjen që u bë rezidenca e rinisë studenteve dhe profesorëve të këtij qyteti kundër barbarisë serbe . Atelieu, arti ishte që mahniti pjesëmarrësit në ketë takim ane kënd e mbushur me punim artistike . U kënaqen që në atë atelie janë publikuar veprat e Syle Mujes nga të gjitha motivet të realizuara në dru . Të skalitura dhe të përpunuara me fshehtësitë e artit në stilin e realizmit. Po në muret e kësaj atelieje shihe edhe veprat e realizuara në vaj.
Në këtë promovim pikërisht në muajin e pushimeve nën organizimin e Shoqatës së të burgosurve politik janë të ftuar të gjithë miqtë e artistit Sylë Mujaj, ku edhe ju nda një mirënjohje në shenjë respekti për punën dhe aktivitetin e tij si krijues dhe veprimtar nga Shoqata e ish të burgosurve politik.
Pikëtakimi nuk la pa i kushtuar edhe një debat mbi të kaluarën e sfidimit nga pushtuesit serbo-sllav. Këta burra dhe patriotë qe i dolën zot atdheut me veprimtari revolucionare antijugosllave, ishin të paret në Evropë që thyen akullin dhe pushtimin barbar të hekurt të ish Jugosllavisë mbi shqiptaret e Kosovës. Takimi i dha një prioritet ti përkushtohet edhe një debati edhe periudhës së lavdishme në kohën e luftës së Kosovës që prapë ish të burgosurit politik ishin protagonistet kryesor që sakrifikuan të kalavaren e vet për të tashmen dhe për të ardhmen e kombit shqiptar, që të jetë i barabartë në familjet e Evropës.
Në këtë takim nuk mbeten pa u prek edhe ngjarjet e fundit qe e kanë kapluar Kosovën tonë të shumë vuajtur, nga terrorizmi si pjellë e huaj në mesin e të rinjve shqiptar, duke i arrestuar si terrorist te ekstremit islamik me ç’rast u gjykuan si akte antikombëtare dhe të dëmshme për Kosovën.
Ata bënë një zëri thirrje që të bashkohemi të gjithë ish të burgosurit politik duke e shprehur revoltën e vet që të ruhet integriteti dhe sovraniteti i Kosovës, nga kush do që të jetë në krye të vendit . Për ta nxjerr Kosovën nga Këneta, duhet që këto forca të prira me ekstremizëmi ,si vegla të huaja si vehabiste të paraqitur si intelektual fallco, të eliminohen nga veprimet e mëtutjeshme të dirigjuar nga Beogradi Moska dhe Athina u tha nder të tjera.

Në këtë ngjarje të rastit ishin të gjithë miqtë e fatit të njëjtë të artistit, të cilët gjetën mundësinë dhe kohën për ta nderuar mikun dhe shokun e idealit të përbashkët. U pasqyruan edhe të metat e shoqërisë kosovare qoftë institucionale apo qeveritare qe i anashkaluan vlerat tona për çka mbajtëm burgjet dhe u sakrifikuam. Luftuam për një liri të mirëfilltë të popullit e jo për anarki , korrupsion , hajnin dhe kriminalitet qe mbizotëron në vendin tonë, me një fjalë një politikë jo produktive në trendin kombëtar. Pas përfundimit në Peje rruga gjarpërore na shpie për Gryken e Rugovës, bukurive natyrore të Rugovës me një aromë nga peizazhet e bukura të natyrës se thepisur me shkëmbinjtë qe flasin vet. Vargmalet posa kishin filluar të marrin shumë ngjireshin e vjeshtës me nuancat e tyre shkëlqyese. -Udhëtimi me pamje piktoreske të Rugovës na shpinte në thellësinë dhe brendësinë e kësaj krahine , aq shumë na shoqëronte freskia , ajri i pastër , aroma e mire e luleve sa qe vështirë është të përshkruhen me anën e penës. Kudo qe shkelem cicërima e zogjve na shoqëronte,dëfilimi i shtazëve të egra e tërhiqte syrin dhe kureshtjen që ti kemi sa ma afër veti etj. Zemrat tona i pushtonte mrekullia e kësaj ane që shumë kush e ka lakmi ta shijoj atë bukuri , atë vlerë që perëndia diti tu falë shqiptarëve ,por as një periudhë qeveritare nuk diti ta shfrytëzoj këtë kapital për turizëm kosovar si të tillë ne interesin edhe të vet Kosovës.
Festë artistike u përjetuar në fshatin Dukaivë të Rugovës!
Pjesëmarrës ishte pos ansamblit Rugova edhe një ansambël nga Shqipëria nga të cilat jehoj kënga dhe vallja .U recituan vargje, nga poetet e mëdhenj po edh nga vet krijuesit dhe bijtë e kësaj ane Sylë Mujaj dhe Ali Lajqi. Kënduan atë qe buronte nga zemra e shpirti i tyre artistik sikur burrat e kënaçeve dhe të besës shqiptare.
U përshëndetëm si miq të vjetër, shkundëm kujtimet e të se kaluarës me ngjasonte tubimi në kuvendimet qe i kishim edhe në burgun e Nishit. Një mollë është ndarë edhe ne 3 e 4 veta ,apo një pako cigare është ndarë edhe ne 22 shokë, për ata që e kanë pirë duhanin. Ka kohë që se kishim parë njeri tjetrin pas sa vitesh.
U mblodhën të gjithë ata që kishin sakrifikuar jetën e rininë për shijimin e lirisë se këtyre trojeve shqiptare nga pushtuesve dhe zaptuesve, pikërisht për vlerat qe i kanë kto troje të shtrenjta për ne shqiptarët! Zëri i këtyre krijuesve si Syle Mujaj , Hydaje Hyseni, Muhemet Rogova , Ali Lajqi , Selatin Novosella , Meriman Braha dhe Agim Sahiti dhe Asllan Dibranit në takimin paraprak etj .-Këta sikur i kurorëzuan zërat me zanën e malit siç u shpreh edhe Syle Muja “Gëzimi ishte i madh, kur në Dukaivë ishte Zana e Malit, e cila më dha kurajën që ta mundi pushtuesin serbo-sllav, ta mundi burgun, ta mundi edhe (sëmurjen e keqe), e te ndihem mire, tha i mallëngjyer Sylë Muja.

Biografia e artistit dhe veprimtarit Sylë Mujaj :

-Sylë Mujaj, u lind në vitin 1958, në fshatin Dukaivë te Rugovës. Shkollën fillore e të mesmen i kreu në vendlindjen e tij. Studimet e larta i ndoqi në Prishtinë si inxhinier i agronomisë.
Para se të mbaronte studimet, arrestohet nga policia, serbe si pjesëmarrës i demonstratave studentore në vitin 1981 me ç’rast dënohet me 10 vjet burg. Në fillim qëndroj në burgun e Prishtinës dhe në nëntorin e 1981, transferohet në burgun famëkeq “Hekur e beton” të Nishit – në Serbi. Në këtë kamp qëndron deri në vitin 1990. Shtatë vite e dy muaj i kalon në të ashtuquajturin “grupa pojaqanih nadzora”, (izolim të rënd).
Me ndihmën e Amnesty internacional dhe Komitetit te Helsinkit lirohet nga burgu.

Pas daljes nga burgu ,Sylë Mujes si rrugë e veprimtarisë i mbeti emigrimi drejt Zvicrës,ku jeton edhe aktualisht së bashku me familjen e tij, gruan dhe tre fëmijët. Aty pos pikturës ai ju rek edhe poezisë me vargjet e mallit për atdheun. Krijoj vargje tronditin paraqiti si në poezi ashtu edhe në pikturë, nxirrte peshën e prangave, vuajtjeve dhe padrejtësive për shqiptarët nën regjimin jugosllav!. Po edhe portretet e ndryshme për shokët e burgut, familje , peizazheve flasin vet me një gërshetim artistik.
I mbyllur në mes betonit dhe hekurit, bashkoj dhimbjen dhe shpresën, herë me poezi e herë më pikturë, nëpërmjet artit të tij realist, të nxjerrura nga burgu i Nishit .
-Sylë Mujaj ka ekspozuar punimet e tij në katër ekspozita personale të hapura dy në Zvicër, një në Itali dhe Kosovë. Është pjesëmarrës i themelimit të shume shoqatave , i dekoruar disa here .Po ashtu i ka dal me përmbledhje veprash të veta duke u vlerësuar shumë deri me ndarjen e çmimeve etj.
Familja Mujaj në Dugaivë Rugovë
– U ndamë së bashku duke uruar që të takohemi sërish në ndonjë takim . Marrim udhën për në Prishtinë me mbresat më të mira për takimin .Lëmes këtyre mbetet që të vlerësohet mërgata shqiptare dhe krijuesit e saj të shpërndarë nëpër botë. Le të mbetet ky takim si mesazh i ruajtjes së vlerave ndaj ish të burgosurve politik edhe si krijues që kanë luajtur një rol të jashtëzakonshëm në jetën dhe ngjarjet moderne shqiptare në art po edhe në Politikë si brenda në Kosovë edhe jashtë saj , që përmes artit dhe kulturës ti arrijmë objektivat tonë . Faleminderit poeti Syle Muaja , faleminderit të pranishëm dhe bashkëveprimtarët e mi qe ditët dhe guxuat t’i dilni zot atdheut atëherë kur ishim burgosur ,tash dhe në të ardhmen e atdheut tonë të shtrenjtë. Nuk është keq të bëhen takime tradicionale në të ardhmen në poezi, pikturë dhe krijimtari tjetër në të ardhmen .
Reportazh nga Rugova e Pejës,gusht 2014

Filed Under: Reportazh

PARKU 105 VJECAR” RYE TOWN” NË NEW YORK, NJË MREKULLI MAGJEPSE

August 21, 2014 by dgreca

Nju Jorku ka shumë vende të bukura ma pamje magjepse, ku mund të kënaqesh me shoqërinë ose me familjen. Një ndër ta është edhe Rye Town Park, që ndodhet në 95 Dearborn Avenue në qytetin e bukur RYE të Nju Jork-ut. Aty i gjenë të gjitha: Ujin e kthjellët, rërën e imët, hapsirat e gjelbërta të parkut aq të kërkuara nga të gjitha moshat, kënde për lojrat e fëmijëve, restorante dhe klube, hapësira me karrige dhe tavolina( qe mund t’i perdoresh, kur ushqimin e merr me vete), parkingje etj. Plazhi dhe Parku, janë të mrekullueshëm. Rye Town Park është themeluar që në vitin 1907 dhe ka plotë 105 vite histori pushuesish, jo vetëm nga Nju Jorku. Parku ka një strukturë të mrekullshme për argëtim publik dhe relaksim. Ngjyra e gjelbërt e Parkut dhe bluja e Oqeanit, harmonizohen bukur si në një tablo të mjeshtrave të penelit.
Plazhi zë një sipërfaqë gjatësore të konsiderushme. Në hyrje të bie në sy një kompleks ndërtesash, ku përfshihen ndërtesat e administratës, pavione, restorante. Një ndërtesë madhështore ndodhet në qendër, e cila shquhet për arkitekturën e stilin spanjoll të ndërtimit. ndersa qyteti nga arkitektura e vecante e banesave.
Kisha qenë disa herë së bashku me familjen në Plazhin e qytetit REY, por asnjë herë në mbrëmje. As nuk më kishte shkuar në mendje se plazhi vazhdon aty deri në 10 të mbrëmjes,nën dritat që shpërndajnë errësirën-deri kur pas orës 10 të mbrëmjes, nga qendrat e zërit, shpërndahet urdhëri: Plazhi do të mbyllet! Ju lutemi pushuesve të largohen!”.
Këtë e mësova mbrëmjen e së Mërkurës me 20 Gusht, kur miku im dr. Skënder Murtezani më ftoi për të kaluar një darkë në Seaside Johnnies Restaurant , që ka privilegjin ta ketë tavernën si ballkon të plazhit. Zgjat dorën dhe prek rërën! Dr. Skënderi shoqërohej nga miku i tij, Inxhinier Bujar Golemi nga shkodra.
Kur arritëm në restorant kishte rënë muzgu, por në plazh kishte ende shumë pushues, madje disa edhe notonin, të tjerë luanin në rërë, më të rriturit bisedonin, ciftet përqafoheshin. Restoranti ishte plot. Numri i madh i atyre që darkonin këtë mbrëmje, e kishte një sekret. Një nga kamerieret, tek ndezi pishtarët në parmakët e tavernës, na e spjegoi se: Të mërkurave shpërthejnë fishekzjarret, kështu që mbrëmjet bëhen shumë të bukura dhe restorantet buzë plazhit mbushen më shumë se cdo natë tjetër.
Ushqimi i freskët, i shumëllojtë dhe i shijshëm, një gotë pije, si dhe bisedat e ngrohta, na e bënë shumë të bukur këtë mbrëmje. Koha e shpërthimit të fishekzjarreve krijoi pamje të mrekullushme. Një udhëtim 30 minutësh që ia vlejti!- Fotot shihi ne Facebook-dalip Greca

Filed Under: Reportazh Tagged With: dalip greca, Dr. Skender Murtezani, Ing. Bujar Golemi, MAGJEPSE, NË NEË YORK, NJË MREKULLI, PARKU 105 VJECAR" RYE TOËN"

QYTETI I MAJAVE

August 16, 2014 by dgreca

Rrënoja që flasin për një kulurë të lashtë dhe interesante/
Reportazh nga: Avdulla Kënaçi/
As më kishte shkuar ndërmend se një ditë do të ndodhesha ne qytetin e Majave. Populli Maja është pjesë e një kulture të mahnitëshme që lulëzoi në rajonet më të ulëta të Meksikës dhe shtetet pranë saj. Ata ndërtuan piramida dhe tempuj, zhvilluan një formë të shkruari përmes hieroglifeve dhe ishin shumë të aftë në matematikë dhe astrologji. Kisha lexuar për kulturën e tyre të lashtë, për saktësinë me të cilën matnin kohën, kalendarin pesëmijëvjeçar dhe parashkimet e tyre për fundin e botës. Kisha parë foto të zbulimeve arkeologjike dhe gjithashtu kisha ndjekur disa dokumentarë shkencorë. Por është tjetër gjë të gjëndesh, të shohësh me sytë e tu e të prekesh me dorë rrënojat e qytetit të Majave. Dhe ja ku jam, i vetmi shqiptar nga gjithë ajo turmë turistësh që sulej drejt një porte të ngushtë, tetë metra të gjatë ku mund të ecte vetëm një njeri më këmbë, jo më e lartë se 1.70 metra. Porta nuk ishte ndërtuar me qemer, as me prag guri drejtëkëndësh sikundër tek ne, por me rrasa guri të ngjeshura njera mbi tjetrën në formën e shkronjës së madhe A. Nga çasti në çast ata gurë të hollë e të gjatë dukej sikur do të nguleshin në skalpin e kokës. Midis disa guidave, nga që u ndodha për pushime në Meksikë, zgjodha qytetin Tulum, sepse ai është i vetmi vendbanim maja i ndërtuar buzë detit.
Na thanë se mund të hipnim në “tren”, për të arritur më shpejt, por preferova të eci më këmbë përgjatë xhadesë që çante përmes xhunglës. Vapës përvëluese të Tropikut nuk i shpëton dot edhe nën kurorën e pemëve me të cilat mbulohet rruga gjer në rrënoja. Tabani është gëqeror, balta tek-tuk është hedhur midis gurëve me shumë kursim. Nga të dy anët e rrugës harlisen rrënjë të përqafuara e të mpeksura me njera-tjetrën për jetë a vdekje, bimë të panjohura për mua, të cilat bëjnë një garë të çmendur për të nxjerrë kokën mbi njera-tjetrën duke kërkuar rrezet e diellit përvëlues të Tropikut. Gati çdo ditë aty bie shi i rrëmbyer, shi në të kthjellët, siç thonë, i cili vjen befasisht e me rrebesh. Por ajo tokë e paktë me origjinë humusore, nuk u jep pemëve mundësinë të rriten më të larta se katër pesë metra. Xhungla është një habitat i shkëlqyer për llo-lloj zogjësh me ngjyra-ngjyra dhe kafshë të egëra që nuk i njeh Europa. Më i rrezikshmi është tigri, formën e të cilit e ndesh edhe në përkrenaret e luftëtarëve Maja.
Nga të tria anët, qyteti Tulum ka qenë i rrethuar me mur guri të thatë, rreth 7 metra të gjerë dhe 5 metra të lartë. Ja ku duken pesë kullat e rojës dhe rrënojat e murit, ndërsa nga jug-lindja ka qenë i rrethuar nga deti me breg shkëmbor pas të cilit gjendet një liman i fshehtë. Gjatësia e gjithë vendbanimit është 400 metra dhe brinjët anësore janë nga 170 metra secila. Godinat më të rëndësishme gjenden nga ana e detit, por me front nga ana veri-lindore. Vetëm njera, ajo e patriarkut ose e mbretit ka qenë e mbuluar me material të ngurtë, ndërsa të tjerat me çati të mbuluara me gjethe kokoje të prera rripa-rripa. Sipas hamendësimeve, këtu nuk kanë banuar më shumë se 1500 vetë. Duhet të kenë qenë banorë të rëndësishëm, apo të përzgjedhur. E gjitha është një ultësirë në formë govate, jo më e lartë se 12 metra nga niveli i detit. Si e siguronin ujët? Në anën veriore gjëndet një shpellë në fundin e së cilës vezullon një pellg uji. Eshtë një cenote, apo sterrë. Vendi i gjithë është i mbushur me të tilla të cilat lidhen me njera-tjetrën me sistem kanalizimesh e diku-diku ngjajnë me pishina natyrale që mbajnë ujë të ëmbël, të kthjellët e të pastër, safir blu. Janë si oazet në shkretëtirë, më saktë, oaze në xhungël. Në një prej tyre që lidhet nën tokë me detin nga ana e gadishullit Jukatan, besohej se aty përfundonte shpirti i Majave pas vdekjes i cili sa largohej nga trupi, hynte në botën e krimit.
Po varret ku janë? Ja ku përpara shtëpisë më të madhe gjendet një pllakë në formën e një kudhëre ku brenda saj vendoseshin vazo me hirin e trupave të të vdekurve. Disa shtëpi e kanë të pozicionuar varrin direkt në qendër të dyshemesë. Me sa duket ata besonin dhe i nderonin të vdekurit si shpirtëra të gjallë dhe i mbanin gjithënjë afër, pa i zbuar kurrë nga shtëpitë.
Përpara na zbulohet një pamje mahnitëse që nuk ka të bëjë fare me kështjellat tona. Objektivët e gjithë aparatëve fotografikë të turistëve janë përqëndruar mbi Piramidën të cilën e admirojnë për madhështinë dhe arkitekturën origjinale. Ka mijëra vjet aty dhe qëndron e pamposhtur ndaj rrebesheve dhe stuhive që vijnë nga deti i Karaibeve. Koha i ka dhënë një ngjyrë gri të errët duke e bërë njësh me shkëmbijtë që mbajnë pa lëvizur peshën e saj. Që larg nga hapësirat blu, ajo duket si një kështjellë dhe kolonizatorët e parë spanjollë e thirrën El Kastello, ndërsa emrin Tulum ia vunë duke u nisur nga muret rrethues. Këtë vend majat e thërrisnin ndryshe, Zama e që do të thotë Agim. Për herë të parë spanjollët shkelën këtu më 1518. Vendasit më shumë trembeshin nga kujat që nuk kishin parë kurrë se sa nga kalorësit kuiskadorë.
Në frontin e Piramidës dallohet qartë Tempulli i Afreskeve, i ndarë në tre seksione. Niveli i parë përfaqëson botën e të vdekurve të majave. Seksioni i mesëm përfaqëson Botën e të Gjallëve, pra vetë majatë. Seksioni i tretë, që është edhe niveli më i lartë, është vendi i Krijuesit dhe Perëndisë së Erërave. Në qendër është një shtyllë me motive të gjarpërit të gdhendur. Po ajo që të bën më shumë përshtypje, në anën lindore është observatori për ndjekjen e lëvizjeve të diellit. Dallohet një kamare e cila ulërin si një sirenë kur nga deti afrohen stuhitë. Është mënyrë alarmi për t’u mbrojtur nga uragani që vjen i papritur.
Bazorelievi i Krijuesit apo Venusit, është kokëposhtë prandaj edhe e quajnë Zoti i Zhytjes sepse ai zbret nga qielli, por mund të zhytet edhe në det. Këtë figurë e gjen kudo në vendbanimet Maja. Është figura më e adhuruar, e ruajtur dhe e mbrojtur më së miri. Deri para 30 vjetësh, popullsia rrotull këtë vendbanim e ruante si vend të shenjtë dhe nuk ua zbulonin të huajve. Ishin arkeologët amerikanë ata që këmbëngulën për ta kthyer në një muze gjigand ku mund ta vizitonte e gjithë bota. Por përsëri, brenda Piramidës nuk lejohet të hyjë asnjë vizitor. (Me sa kuptohet arkeologët shpresojnë të zbulojnë të tjera sekrete të Majave). Më tej është altari ku janë bërë rituale dhe sakrifica për të fituar favore nga zotat. Në sakrificat e gjakut jo gjithmonë humbisnin jetë njerëzish, me përjashtim të atyre që me dëshirë kërkonin të falin gjakun. Kjo quhej një sakrificë personale. Shumica afronin lule, ushqime dhe objekte të ndryshme arti.
Një nga ciceronët, duke na spjeguar afresket, simetrinë dhe gdhëndjet në një shtëpi arhondi, nga ana ballore, na tregon aty pranë një pemë tropikale me lule ngjyrë gjaku. Duke përzier këto lule me pluhur qymyri në një havan përgatiteshin bojërat për afreske dhe tatuazhe, thotë ai.
Interesant ishte Sheshi i kuvendit të burrave; si nja dy metra i ngritur nga toka, në formë rrethore, ku uleshin në ledhe pjesëmarrësit, ndërsa në qendër mbi një pirg dheu qëndronte prijësi i cili drejtonte kuvendin. Gjithëçka këtu të ndez imagjinatën dhe të detyron të bësh qindra pyetje. Tulumi nuk është kot një nga destinacionet më të kërkuara në Amerikë. Korrik, bënte shumë vapë, dielli po ngrihej në zenith dhe gjithë vizitorët u tunduan nga era e freskët që vinte nga deti, poshtë këmbëve të Piramidës. Si nga një hinkë shkëmbore, një nga një zbritëm në plazh ku dallgët kishin hedhur me bujari rërë të bardhë si niseshte. I vetmi vizitor që mbante këpucë, isha unë. Tek kundroja një pemë arre koko që kishte mbirë në një të çarë shkëmbi, tek këmbët m’u përplas një dallgë. Ujët e kripur hyri brenda këpucëve. U detyrova të zhvishem dhe të zhytem në ujë, si gjithë të tjerët. Tutje shtrihej pa kufi deti i Karaibeve, dimër verë i ngohët si ujë dushi. I ktheva përsëri sytë nga gjiri i mbrojtur nga erërat dhe dallgët. Me siguri, mendova, pas atyre shkëmbinjve si qilivurë ankoronin majatë kanoet e tyre të famëshme. Dhe mallin me siguri e ngjitnin dhe e zbrisnin nga sipër me litarë. Kristo Kolombi, zbuluesi me famë botërore, 700 kilometra larg që këtej, në Honduras, hasi një kanoe që kishte ardhur prej këtej. Ky ishte një port i rëndësishëm ku këmbehej bakër, ushqime, pupla e pendë zogjsh, artefakte stërralli, objekte ari, kripë, prodhime tekstili, etj.
Tulumi ka lulëzuar nga 300 para Krishtit e deri në 900 pas erës së re. Ka pasur një rënie të lehtë në periudhën post klasike, ndërsa me pushtimin spanjoll u braktis plotësisht. Disa duan të thonë se thatësira e zgjatur i detyroi të largohen. Ka mundësi që edhe kuiskadorët i shkatërruan duke i grabitur e duke u kërkuar me dhunë arin e fshehur. Banorët vendas flasin me dhimbje e veneracion për një pllakë të shenjtë të gdhendur me një yll në mes dhe datën 564. Kur të kthehet ajo pllakë në Kankun, do kthehet edhe begatia, shpresojnë Majat e sotëm që jetojnë në gjithë Kankunin e gjer në El Salvador. Pllaka gjendet sot në Muzeun Britanik, por arkeologët thonë se ajo ka qenë e sjellë në Tulum prej diku gjetkë… Tulumi është një rrënojë arkeologjike që flet shumë.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Avdulla Kenaci, QYTETI I MAJAVE, Toronto

Coney Island plazhi më i frekuentuari për pushuesit në Nju Jork

August 15, 2014 by dgreca

Pjesa rezidenciale dhe frekuentuese e këtij plazhi është edhe e komunitit shqiptarë, të cilët jetojnë më së shumti në pjesën e saj pak më në thellësi të qytetit, por që zgjedhin që pushimet në plazh t’i bëjnë në plazhin e Coney Island, zonat Brighton Beach dhe Manhattan Beach në lindje të saj, dhe Gravesend në veri.
Nga BEQIR SINA Brooklyn NYC/
BROOKLYN NYC : Coney Island është një lagje banimi, me plazhin me tërheqjen më të madhe të pushuesve në Nju Jork. Simbas statistikave ky plazh është destinacioni gadishullor në Oqeanin Atlantik, në jugperëndim të Brooklyn, New York City me numërin më të madh të pushuesve, i cili në ditë e nxehta të verës i kalon të 1 milion pushuesit gati çdo ditë.
Plazhi, është një nga më të frekuentuarit, sidomos për emigrantët, të cilët zgjedhin këtë plazh mbasi ai ka shumë ngjashmëri me plazhet e vendeve prej nga ata kan ardhur. Pjesa rezidenciale dhe frekuentuese e këtij plazhi është edhe komuniti shqiptarë, të cilët jetojnë më së shumti në pjesën e saj më në thellësi të qytetit, por që zgjedhin që pushimet në plazh t’i bëjnë në Coney Island, Brighton Beach dhe Manhattan Beach në lindje të saj, dhe Gravesend në veri.
Ata zgjedhin Coney Island – mbasi ky plazh ka shumë ngjashmëri me plazhin e bregdetiti të Adriatikut, Durrësit, Vlorës apo Shëngjinit, Velipojës në Shqipëri. Ky është i njohur edhe si vendi i parqeve për dëfrim dhe një pikë mjaft e frekuentuar turistike – në këtë bregdet.
Gjatë sesionit të verës të shtunën dhe të dielën më shumë se 1 milion njerëz zgjedhin këtë plazh në Nju Jork të kalojnë fund javën . Tërheqjet e sa më shumë njerëzve kan arritur kulmin historik gjatë gjysmës së parë të shekullit të 20-të, pas Luftës së Dytë Botërore dhe viteve të neglizhencës.
Në vitet e fundit, zona ka parë ndryshime infrasturkturore të mahnitëshme – hapjen e stadiumit MCU Park dhe është bërë në shtëpi me ekipin e bejsbollit Brooklyn Ciklonet, në ligën cosmopolitane si dhe hapjen e një parku të ri dëfrim me përmasa gjigande.
Fotograf e gazetar, banorë të qytetit dhe turistët, do të përcjellin çdo ditë sidomos në mbrëmje në Brooklyn – palzhin e famëshëm Coney Islnad Kullën metalike e ndriçuar nga një sistem tepër modern me një vlerë 1.500.000 dollarë.
Me përmirësim të sistemit të saj të ndriçimit dhe vënjen në punë të 12 vendhedhjeve me Parashutë në Coney Island ky është çdo natë në horizont, me një ndriçim ë rrallë në Brooklyn New York dhe që tërheq vëmendjen nga çdo cep i gadishullit.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Beqir Sina, Coney Island plazhi më i frekuentuari për, ne Nju Jork, pushuesit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 153
  • 154
  • 155
  • 156
  • 157
  • …
  • 181
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Gjeneral-Ambasador i ShBA në TR, besim dhe përgjegjësi e shtuar për RSh”
  • Norwegians and foreigners from other countries who greatly helped make peace in Kosova
  • Fan Noli dhe Faik Konica, arkitektët e diplomacisë shqiptaro-amerikane që shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • 21 prill 1921, ditë e madhe e shtetit shqiptar. U hap në Tiranë mbledhja e parë, e parlamentit të parë, i dalë nga zgjedhjet e para. Historitë e deputetëve Ali Këlcyra dhe Ali Koprëncka
  • KOMITETI “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS” NË  FONDET ARKIVORE TË ARKIVIT TË SHTETIT SHQIPTAR
  • The Architecture of Alignment
  • Kujtojmë me nderim arkeologun dhe studiuesin e shquar Skënder Anamali
  • Një moment në historinë kombëtare…
  • ELIOT ENGEL – NJË MIK I PAHARRUAR I SHQIPTARËVE DHE ZË I LIRISË DHE DREJTËSISË PËR KOSOVËN
  • REALIZIMI I TË DREJTAVE GJUHËSORE SHQIPTARE (1924–2026): ARTIKULIMI QYTETAR DHE DIPLOMACIA
  • BOOKFEST NË CHICAGO
  • “Brenga”, trinomi filozofik nga rrëfimi historik tek drama morale
  • Vatra Boston mbështet ekspozitën e kostumeve tradicionale shqiptare
  • Në kujtim të 160 civilëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë fashsite!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT