• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DITË GUSHTI NË NJË FERMË SHQIPTARE NË ALBANY- NEW YORK

August 13, 2014 by dgreca

NGA ILLO FOTO/NEW YORK/
Te udhetosh ne autostaden e seicilit shtet sheh te ekspozuar administrimin e territorit, gjendjen sociale te banoreve, diferencat e jeteses fshat – qytet, rregullat e qarkullimit etj. Keto dukuri mu shfaqen me daten 9 Gusht 2014 , ne autostraden # 87 qe lidh NY City,me kryeqytetin e NY, Allbany. Autostradat jane pasqyre e jetes se rajoneve, qe pershkojne.
Me familjen Haderi (Adriano dhe Alvaro, femijte adoleshente si dhe prinderit Vullnet dhe Evgjeni) udhetuam vajtje ardhje ne linjen NY City –Allbani, kryeqyteti i Shtetit te Nju Jorkut. E kisha udhetimin e pare ne kete linje dhe gjithcka e veshtroja me kureshtje. Dita ishte e bukur, me diell dhe te pesteve na bashkonte ndjesia idilike. E vecanta se kete ndjenje te fuqishme e ushqejne dhe djemte adoleshente te ciftit Haderi. Keta femije me mendime te pjekura,nuk presin tua servirin te gatshme lumturine.
Te dy bashkeshortet Haderi jane me origjine nga fshati Tatzat i Sarandes; jane rreth te pesedhjetave dhe afersisht keto dy dekada i kane kaluar ne emigracion, kryesisht ne Greqi. Aktualisht banojne ne lagjen Astoria-Queens, perballe Manhattanit. Femijte vijojne shkollen e mesme dhe sic e pohojne te katert, perzihen me shtresen e nxenesve mbi mesataren. U kenaqa me pergjigjet e tyre realiste, kur degjoj shumicen e shqiptareve dhe te gazetave, qe nxenesit e emigranteve i cilesojne te pikuar me shkelqim.
Ne Atdhe , cifti Haderi eshte marre me bujqesi. Vullneti pat mbaruar fakultetin e Zooteknise. Ka sherbyer specialist dhe pak kohe,drejtues i ekonomise bujqesore te fshatit te lindjes. Ka pasion profesionin e bujqesise. Nuk e kam njohur ne marredhenie pune, por e vleresoj nga mendimet qe shfaq, per punet dhe per njerezit. Punet e zakonshme te emigrantit ia kane rritur pasionin per bujqesine dhe per fshatin, qe kultivojne tek njeriu deshiren per punen prodhuse dhe mbeshtetin jeten e shendeteshme dhe te gjate sepse njeriu behet pjese e pandare e natyres dinamike. Ne keto rrethana cifti Haderi hodhi hapin e rendesishem ne jete : Blene nje ferme bujqesore , ne rrethinat e Albanyt, ne shtetin e NY. Ferma Haderi ndodhet 310 milje larg Astorias, ku banon familja pronare e fermes se re.
Ne udhetojme, neper autostraden e madhe # 87 , per te mbrritur tek ferma shqiptare, qe eshte pjese e vargut te pafund te fermave te bukura te Allbany-së.
Do te pershkruaj shume perciptas situaten bujqesore te Shtetit te NY , buze autostrades # 87 . Autostrada , ne te dy anet e rruges, pyjet alterrnohen me ferma te bukura dhe pas kufirit me NJ , deri ne Kanada, buze autostrades, ne thellesi mbulohen me fermat e famshme te Albany-së .
Nga ana pamore mjedisi buze autostrades te jep pershtypjen e nje qilimi te gjelber, qindisur me lule shumengjyrshe. Te gjesh nje terren te tille, ne gusht , eshte e pabesushme, vecanerisht per ne qe vime nga nje klime tjeter, ku ne gusht thahet shumica e bimesise se tokes. Ngastrat fushore nuk ishin krejt te sheshta dhe as me konfiguracion te rregullt. Ishin kodra te embla, qe nderpriten me lugina te vogla dhe ato te cregullta gjeometrikisht, por te dy relievet bashkohen embel, sa ta kenaqin syrin.
Lulet e bejne kete peisazh shume me romantik, se sa mund ta përfytyroi cdo idilik përmes fantazisë. Flasim, per nje parajse tokesore, qe e ka emrin Albany në Amerikë, dhe qe rrok nje siperfaqe fermere, ndoshta 500 mije ha, a më shumë. Siperfaqe, qe nuk mund ta parafytyrosh, po nuk e pe me sy : qilim i gjelber me lule! Parcela pa mbarim me miser, ne fazen e e qumushtit. Nuk dukej as nje parcele pa , ose me pak bime. Ngjyra te ndezura te gjelber te kercellit dhe fleteve dhe po kaq e ndezur luleria. Misri krijonte nje mur te gjelber, qe nuk e cante as derri.
Ngastrat e mbjella me soje nuk kam aftesi t’i pershkruaj, më mahnitën. E mbulonin siperfaqen e ngastrës cep me cep. Pamja-imazh, të jepte pershtypjen e nje liqeni te gjelber. Bimet dukeshin sikur te ftonin te beheshe njësh me to, i gjelbert . Soja ishte fantastike. Duhej peneli i Pikasos ta pikturonte. Kam pare shume parcela të mbjella me soje , madje te rendimenteve shume te larta, por ketu behej fjale, per dhjetëra mijëra hektarë. Mbreslenese ishin parcelat e mbjella me perime, nuk mbeteshin shume pas parcelave bujqesore dhe blloqeve te pemtarisë.
Ajo qe me befasoi mua, besoj edhe ju lexues po të ishit përballë kësaj tabloje magjepëse, ishte fakti qe shumica derrmuse e fushave te mbjella ishin pa ujitje, ose me ujitje te kufizuar. Si mund te ndodhi nje shperthim te klorofiles dhe te lulelerise pa ujitje? Kjo eshte vecori e klimes dhe e tokes. Toke poroze, qe thith te tere lageshtiren e nates dhe e emeton ne nxehtesine e dites. Fenomen fizik i kondesimit te ujit. Kete fenomen bujqesor, po nuk e pe me sy, nuk mund ta besosh me logjike. Bimet mbillen shume te dendura. Pak pas mbirjes krijojne hije. Toka “shterzon” dhe prodhon djerse, me te cilen ujit bimet. Ato ruajne vlagen e nates, deri ne shiun pasardhes, qe nuk vonon. Kjo eshte toka e bekuar e Allbanyt ! Begatia e jetes , fillon nga thellesia e tokes, pushton zemrat dhe mendjet e njerzve , duke e kthyer Ameriken ne vendin e begatise , te lirise dhe te shpresave njerezore.
Natyrisht pjesa pamore ne bujqesi nuk eshte gjithcka. Doja te dija si jane organizuar dhe si funksionojne keto organizma ekonomike te fshat –qytetit amerikan. Vullneti dhe Evgjenia i njinin, po thuaj te tera fermat e asaj zone. Dinin sa te medha ishin , sa blegtori kishin , cili ishte parku i maqinerive mekanike , madje dhe origjinen e pronarve. Me flisnin , per hollesi , me shume siguri. Zbritem dhe vizituam disa objekte.
Ne oborrin e fermes ndodhej parku mekanik ne anen tjeter ndodhej stalla e lopeve , qe vijonte me livadhen , ku zhvillohej manjezhi kullosor. Me thelle, parcellat e misrit dhe te sojes . Korria e livadhit kryet me nje mekanizem , qe e sillazhon direkt dhe e mbeshtjell , masen e grire , me nje qese plastike hermetike. Ky eshte nje zbulim i koheve te fundit, qe ka zevendesuar sillizhamin me vargun e kombajnes te artikuluar . Nga ana tjeter ndodhen kullat e sillazhit dhe te drithit , qe jane dhe magzinat e fermes .Pronari ishte me orgjine polake .
Diku afer shtrihet parcella e kopshtit te familjes, qe rrit perimet dhe pemet frutore si dhe nje punishte, qe perpunon frutat , perimet e teperta si dhe bulmetin ,ne menyren tradicionale.Keto produkte te perpunuara, shperndahet per konsum te familjes , per vicat dhe per tregun spontan te udhtarve te autostrades .
(Te plote lexoje ne Diellin e printuar)

Filed Under: Reportazh Tagged With: DITË GUSHTI NË NJË FERMË SHQIPTARE NË ALBANY- NEW YORK, Illo Foto

Roberti & Valedetja Përlleshi martohen nën tingujt e valësve të dashurisë dhe shampanjës New York-eze

July 31, 2014 by dgreca

Nga Klajd Kapinova/
Chappaqua, Westchester, New York. Sipas traditës shqiptare, dasmat fillojnë të shtunën dhe bëhen veç e veç në familjet e dhëndërrit dhe nuses.
Ishin orët më të gëzuar në familjen Përlleshi, në mbrëmjen e së shtunës, e cila në oborrin e madh plot gjelbërim, pranë shtëpisë së re dhe të bukur Chappaqua, Westchester, New York, ku, ishin mbledhur mbi 200 miq dhe të afërm të familjes së madhe Përlleshi, ku, këngët dhe vallet popullore shqiptare vazhduan pa ndërprerje deri në orët e vona të mesnatës.
Gëzimi dhe hareja kishte mbërritur kulmin e saj, ku të rinjtë dhe të rejat engjikë dhe të palodhur, donin që kjo natë të vazhdonte pa ndërprerje nën tingujt e ëmbël të muzikës dhe pijeve dhe ushqimeve të bollshme shqiptare dhe amerikane.
Humori, kënga dhe bisedat e ngrohta, ishte menyja e preferuar mes njërëzve të afërm, që kishin bërë me dhjetra kilometra nga Detroiti, për të marrë pjesë në New York, në një dasëm të bukur shqiptaro-amerikane.
Këto dy familje të njohura në historinë e Kosovës, shumë dekada më parë, kanë qenë pjesëmarrëse aktive në levizjet nacionaliste liridashëse antisllave serbo-komuniste në trojet e Kosovës.
Daja i dhëndrrit, studiuesi dhe publicisti Tomë Mrijaj, me fisnikëri afrohet pranë grupit muzikor dhe me mikrofon, duke buzëqeshur dhe gëzuar sëbashku me të rinjtë, u thotë miqve, që të shkojmë të pushojmë pak, sepse nesër kemi një ditë të gjatë festive, që fillon me kurorëzimin e çiftit të ri pranë Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” Hartsdale New York në orën 2:00 pm dhe më pas do të udhëtojmë buzë brigjeve të Oqeanit Atlantik, në restorantin e famshëm: “VIP COUNTRY CLUB. 600 Davenport Avenue New Rochelle, New York”, ku, do të qëndrojmë deri në orët e vona të mesnatës, mes këngëve dhe valleve.
Paradite në orën 12:00, limozinat luksoze të mbushura me përcjellësit e dhëndërrit dhe nusës, u ndalën para dyerve të Royal Regency Hotel Yonkers, New York, ku, qëndronte familja epedagogut të Universitetit të Prishtinës Prof. Dr. Marjan Demës, sëbashku me shokët dhe miqtë e tij, që kishin ardhur nga Detroiti (MI), për të marrë pjesë në gëizmin e martesës së vajzës së tij Valdetës.
Rreshti i gjatë i limozinave, mori rrugën drejt Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” Hartsdale New York.
Në orën 2:00, babai i vajzës Prof. Marjan Dema, nën tingujt e muzikës së ëmbël kishtare (në raste të tilla gëzimi), e shoqëroj vajzën e tij ngadalë deri tek mesi i Kishës, ku e priste buzëgaz dhëndrri i ri Rober Përlleshi.
Ishin momente prekëse gëzimi, kur babai i nusës i ngre vellon asaj ngadalë dhe e puth në dy faqe, duke i uruar jetë të lumtur, sëbashku me Robertin.
Fort i Përndershmi Dom Pjetër Popaj, si gjithnjë buzëgaz në gëzime të tilla të antarëve të famullisë dhe komunitetit shqiptaro-amerikanë, bëri kurorëzimin e shenjtë të martesës së çiftit të ri Robert & Valdete Përlleshit.
Ishte një gëzim, që do të ruhet gjatë në kujtesën e të pranishmëve. Të rinjtë intelektualë Robert & Valdete, mes një atmosfere gëzimi, shkëmbyen unazat e martesës.
Në dalje të dyerve të Kishës, një grup fëmijësh dhe dasmorësh hedhin lule, sheqer, oriz në kokën e çiftit të ri si shenj e dashurisë së tyre.
Sërisht limozinat me çiftin e ri, vijuan rrugën e tyre pranë parqeve të bukura të New York-ut dhe brigjeve panoramike, për të bërë fotografi artistike si kujtime të dasmës së paharruar për të gjithë ne.

Restoranti VIP
Në orën 6:00 pm, pranë “VIP COUNTRY CLUB. 600 Davenport Avenue New Rochelle, New York”, babai i dhëndrrit Hilë Përlleshi me bashkëshortën e tij Marinë dhe pjesëtarë të tjerë të familjes Përlleshi, sëbashku me babain e nusës Prof. Marjan Demën dhe dajën e dhëndrrit publicistin Tomë Mrijaj, dhe dajën e vëllezërve Përlleshi Tomë Jakaj, sipas traditës shqiptare prisin në hyrje të restorantit miqtë e shumë, që kishin ardhur për të ndarë gëzimin e përbashkët në këtë mbrëmje shumë festive.
Në orën 8:00 pm, nën tingujt e muzikës popullore në sfond, të thirrur sipas radhës nga këngëtari dhe grupi i tij, që kishte ardhur enkas nga Detroiti, ftohen një nga një të hyjnë në sallë përcjellësit e nusës, duke filluar me dajën e dhëndërrit Tomë Mrijaj dhe më pas hyjnë flamurtarët dy nipa të familjes Përlleshi: Lekë Nikolla & Armen Gega me flamurin shqiptarë dhe amerikanë. E kështu me radhë, vijojnë të hyjnë, duke qeshur grupi i dasmorëve dhe më pas babai dhe nëna e dhëndrrit Hilë & Marie Përlleshi, babai & nëna e nusës Marjan & Mire Dema etj…
Në sallë për shumë minuta, vijon të hyjnë rreshti i gjatë i shoqëruesve të nusës dhe dhëndrrit dhe më pas vjen kumbara dhe ndrikulla Nikollë & Valbona Mrijaj, fëmijët e luleve.
Sërisht me muzikë popullore dhe në një atmosferë të gëzueshme, këngëtari i mbrëmjes lajmëron të pranshmit, që të ngrihen në këmbë, mbasi nusja dhe dhëndrri po hyjnë në sallë…
Atmosfera ndezet edhe më shumë, me duatrokitje, muzikë dhe buzeqeshje plot gëzim, ku, këngëtari menjëherë fillon të këndoj: “Dhëndrri e nusja dorë për dore, fillojnë jetën bashkëshortore” dhe “Sa e bukur na ka dalë nusja”…
Rreth orën 9:00 pm, në sallë hyn meshtari i palodhur I Përndeshmi Dom Pjetër Popaj, i shoqëruar nga axha i dhëndrrit Lekë Përlleshi, i cili, në emër të familjes Përlleshi & Dema falënderoj përzemërsisht meshtarin, i cili, si gjithnjë është gjendur i gatshëm pranë gëzimeve të komunitetit tonë.
Mbasi pjesëmarrësit në sallë u ngitën në këmbë, I Përndershmi Dom Pjetër Popaj, bekoj darkën dhe uroj çiftin e ri Rober & Valedete Përlleshi. Me fjalë të zgjedhura plot respekt, foli edhe për familjet e mirënjohura Përlleshi & Dema, duke cekur edhe historikun e lavdishëm të derës së tyre.
Prof. Marjan Dema, uroj çiftin e ri dhe më pas shtoi se: “Ju, po shndrisni ne këtë mbrëmje të bukur plot gëzim dhe hare, si një princ dhe priceshë. “

Përlleshi & Dema familje me emër në Kosovë
Më pas në emër të familjes Përlleshi, dasmën dhe miqsinë e hershme e përshendeti me fjale të përzgjedhura Ndue Përlleshi i Ri, i cili, foli gjatë me fakte dhe argumente historike mbi historinë e parardhësve: luanin e Kosovës komadantin Ndue Përlleshi dhe bashkëluftëarin e çetës së tij nacionaliste, deshmorin e Shqipërisë Etnike Shaban Demën
Historia e Kosovës, është e mbushur me ngjarje, data dhe figura të rëndësishme, që bënë emër ndër shekuj, duke shënuar kësisoj faqet e lavdishme të historisë martire të popullit dardan.
Dita e hëne ishte e veçantë për çiftin e ri Robert & Valedetën, të cilët kishin prerë biletat, për të udhëtuar drejt ishujve të bukur piktoresk Tahiti, jo shumë larg Australisë, për të kaluar sëbashku muajin e bukur të mjaltit…

Filed Under: Reportazh Tagged With: cifti Robert & Valdete Perlleshi, dasem ne tingujt e valseve, Klajd Kapinova, shampanjes

ST.MARTIN ISHULL MAGJEPS NE KARAIBE

July 31, 2014 by dgreca

Nga Adnan Mehmeti/
St. Martin, Karaibe/
St. Martin ishull që laget nga Oqeani Atlantik dhe Deti Karaibe, ka një bukuri përrallore me 37 plazhe të bukura dhe me klimë tropikale.
Në këtë ishull kultura karaibe bashkëjeton me shekuj, në harmoni me kulturën evropiane dhe kreole.Ky ishull tërheq çdo vit miliona vizititorë nga mbarë bota.
Duke festuar një përvjetor gjysmëshekullor të ditëlindjes sime, bashkë me gruan dhe fëmijët, organizuam një udhëtim të paharruar dhe mbresëlënës, në St.Martin, në njërin ndër më tëbukurit, në mesin e 700 ishujve të Karaibeve.
Pas disa orëudhëtimi nga New Yorku mbi re dhe mbi valët e Oqeanit Atlantik,na paraqitet Saint Martin/Sint Maarten.Aeroplani ulet në aeroportin ndërkombëtar, i cili është i ndërtuarnëbregun e plazhit të njohur Maho, aty ku mund të shkosh në plazh para se të shkosh në hotelintënd. Çdo ditë në aeroprtin ndërkombëtar Princes Juliana ulen avionët të mbushur me turistë anembanëbotës.Kryesisht, dominojnë turistë nga Amerika dhe Evropa.Kjo ndodh për 12 muajt e vitit, në këtë ishull kuçdo stinëështë verë.
Sapo dolëm nga aeroporti u drejtuam drejt agjencive Rent A Car.Aty morëm një makinë me qera me targë francese, dhe me një hartë në duar filluam eksplorimin e këtij ishulli.
Pak histori për Karaibe
Karaibe (anglisht: Caribbean) është i përbërë nga qindra ishuj, kryesisht të vegjël. Në Karaibe jetojnë rreth 36 milion njerëz me prejardhje të ndryshme.Banorët e sotëm janë kryesisht afrikanë, evropianë, kreole, indianë dhe kinezë.
Gjuhët kryesore janë spanjisht dhe anglisht, pjesa tjetër flasin kreole, frengjisht dhe holandisht. Rajoni ndodhet në juglindje të Amerikës Veriore, në lindje të Amerikës Qendrore, dhe në veri të Amerikës Jugore.
Dy shtete një ishull
Ishulli Saint Martin (në frengjisht) dhe Sint Maarten (në holandisht) është i ndarë nga viti 1648 nga dy shtete evropiane: veriu i takon Francës ndërsa jugu Holandës. Në këtë ishull jetonin shumë familje holandeze dhe franceze, por ishin të rrezikuar nga spanjollët. Këta kërkuan nga qeveritë e tyre për ta ndarë ishullin nëmes. Në vitin 1648 u nënshkrua Traktakti i ndarjes për bashkëjetesë.
Rrëfimi merr karakter legjende, kurdy qeveritë bien dakord për të ndarë ishullin në dy pjesë të barabartë. Dhe secili vend kishte të drejtën për të zgjedhur udhëtarin. Të pozicionuar shpinë me shpinë, të dytë u betuan se do të ecnin, por jo të vraponin, nga një cep drejt cepit tjetër. Takimi u bë në anën tjetër të vendit. Aty u hodh kufiri.Ana franceze mori 54km/2 ndrësa ana holandeze 32 km/2. Por më vonë udhëtari frances u kritikua se kishte bërë hile, sepse disa herë kishte vrapuar për të zënë më shumë sipërfaqe të tokës.
Për turistëtështë një kuriozitet për të parë kufirin, i cili simbolikisht, ka një monument dhe flamujt e vendeve përkatëse.Secila anë ka ligjet e veta.Thirrjet telefonike nga një anë në anën tjetër konsiderohen thirrje ndërkombëtare.Tarifat janësi t’i bësh thirrje anës tjetër të Oqeanit.Por, përndryshe,jetojnë në paqe dhe lëvizjet janë të lira.
Për një ishull të vogël St.Martin ka një koloritet të kulturave dhe popujve. Në këtë ishull të bukur, si në asnjë vend tjetër, takon njerëz anembanë rruzullit tokësor, me tradita, me kulturë dhe gjuhë të ndryshme, ku jetojnë më shumë se 100 popuj të ndryshëm, në harmoni me njëri tjetrin. Ky është ilustrimi më i mirë pse ky vend quhet ndryshe edhe “Friendley Island”.
Gjuhë zyrtare janë holandishtja dhe frengjishtja. Anglishtja është gjuhë amtare e banorëve tëdy anëve. Gjithashtu flitet kreole, papiamento dhe spanishtja.

Sint Martin ana holandeze

Ana holandeze ka një popullsi 40.0000 banorë.Kryeqytetështë Philipsburg.Gjuhë zyrtare janë anglishtja dhe holandishtja. Në këtë anë gjendet aeroporti ndërkombëtar ndërsa në anën francese aeroporti shërben vetëm për fluturime brenda për brenda ishujve karaibe. Banorët e kësaj anekanështetësi holandeze, ndërsa banorët e anës tjetër kanështetësi francese.

Philipsburg është porti më kryesor në ishujt Karaibe.Këtu ndalojnë anijet e mëdha nga vende të ndryshme, në Great Bay, një ndër plazhet më të bukura të vendit.

Shekuj më parë, Salt Pond, ishte kriporja e njohur e cila solli familje holandeze për të filluar biznesin e kripës, dhe për të furnizuar vendin e tyre. Pushuesit në plazhin e bukur Great Bay, me rërë të bardhë dhe me ujin blu, përpara syve sodisin fortifikimin bregdetar Fort Amsterdam, ku gjatë shekullit 17 u zhvilluan luftime mes spanjollëve, anglezëve dhe holandezëve.

Në ditët e sotme, Philipsburg është një qyteti bukur bregdetar, ku shiten diamantët më të shtrenjtë dhe me plot dyqane me emra të njohur. Në këtë plazh vijnë anijet me turistë nga mbarë bota.Nganjëherëbrenda ditës ankorohen nga tri anije tëmëdha. Turistët brenda ditës e shumëfishojnë numrin e banorëve nëqytet. Sigurisht, sjell fitim për banorët.Atëhere mbushen dyqanet dhe restorantet e shtrenjta të të gjitha kuzhinave.Edhe banorët që merren me artizanat i shesin punimet e tyre.Mua më pëlqente moment kur vinin anijet dhe turistët kureshtarë, për të ngrënë, për tëblerë gjëra, për të shetitur dhe për të mësuar nga historia e këtij vendi.

Saint Martin ana francese
Ana francese ka një popullsi 36.000 banorë.Kryeqytetështë Marigot. Gjuhë zyrtare është frengjishtja, por banorët flasin edhe anglisht.
Rrugës nga Philipsburg drejt kryeqytetit Marigot ështënjëtabelë që tregon se futesh në zonën francese.Aty është një monument i ngritur, për të treguar se është pikë kufitare. Si kureshtar, u ndala dhe bëra fotografi, sepse ne shqiptarët kemi njëhistori të hidhur sa i përket kufijve, sidomos unë që vij nga Lugina e Preshevës. Këta kufijtëe mallkuar na kushtuan shtrenjtë. Në monumentin kufitar ishte skalitur viti 1648, dhe gjithë kohës mendoja se për shekujky vend kishte gjeturmodelin e duhur për një zhvillim ekonomik.

Në kryeqytetin Marigot

Marigot ziente nga turistë.Një qytet bregdetar, ku gjen frymëzim dhe dëshirë për të jetuar për shumë kohë. Nga ky qytet nisen tragetet për në ishullin Anguila,koloni angleze, një ishull shumë i shtrenjtë.Banorët e qytetit me shekuj ishin të rrezikuar nga sulmet angleze.Por sot fortifikimi Saint Louisështë një atraksion për çdo vizitor.

Në qendrën e Marigot

Për të shkuar nëishullin Anguila, duhet pasaporta, siç kërkohet për të gjithë ishujt Karaibe.Porto Rico ka një distancë prej 300 km, por atje shkohet me avion. Në anën francese përdoret euro, por për të bërë për vete turistët, një euro këmbehet me një dollar.Zona francese është më tepër rurale dhe ështëe njohur për sheqer dhe produkte bujqësore.

Shetitje ne anen francese

Plazhi Maho dhe spektakli i avionëve

Plazhi Maho është një ndër plazhet më unike në Karaibe.Për pushuesit është një kuriozitet që rrallë përsëritet në jetë. Aty duke pushuar, ulen avionët aq ulët, sa krijojnë një spektakël. Pushuesit e zgjedhin këtë plazh të bukur, ku me aparate në duar, bëjnë fotografi të avionëve boing, për t’i jetësuar në memorje.

Avionet mbi plazhin Maho
Vetëm rruga e ndanë plazhin nga aeroporti.Dhe pushuesit, para çdo nisje të avionëve, kapen për gjemba të telave të aeroportit, për të rezistuar fuqisë së erës që lëshojnë avionët para nisjes.

Aeroporti i ndertuar ne bregun e plazhit
Me që jemi tek plazhi Maho, është me interes për të përmendur se aeroporti i këtij ishulli ështënë listën e 10 aeroporteve më tëçuditshëm në botë, duke e mbajtur vendin e parë.Vërtet, është një aeroport që ka diçka unike dhe krejtësisht ndryshe nga aeroportet tjerë.

Ishulli Pinel një parajsë e vërtet

Ishulli Pinel është 5 kilometra larg St.Martin.Eshtë nëanën francese dhe për të shkuar atje duhet të marrështragetin.Ishulli Pinel hapet për publik nga mëngjesi deri në mbrëmje.Aty nuk lejohet për ta kaluar natën. Ka vetëm dy restorante dhe një dyqan për suvenire. Ky ishull ka plazh të mrekullueshëm me rërë të bardhë dhe me ujë kristal.

Ishulli Pinel

Kur arrijnë në ishull, pushuesit nën hijen e palmave tropikale e kalojnë një ditë të paharruar. Dhe pa diskutim, prej 37 plazheve, kyështë më i veçanti dhe më i bukuri. Në plazh janë dizajnuar tavolinat e restorantit aty nëujë, ku serviren pijet dhe ushqimi.Aty ku ke mundësi për të zgjedhur të gjallë llojet e peshqëve, për t’i servuar në pjatën tënde. Eshtë një restorant unik, ku kamarierja zhytet në ujë për të sjell ushqimin e detit të porositur.

Dhe për disa çaste, mendoje veten, kur ikin tëgjithëpushuesit, të mbetesh vetëm në këtë ishull të vogël, kur mbi kokë ke vetëm ndriçimin e hënës ndërsa rreth e për qark ujin e kristalt dhe botën detare.

Një ishull me 37 plazhe

St.Martin është një ishull qëështë i njohur për numrin e plazheve.Gjithsej janë 37.Dhe secili prej tyre ka karektiristikat e veta.Secili prej tyre të tërheq për bukuritë e veta.
Gjatë qëndrimit dy javor shumë herë i ramë rreth e për qark ishullit. Dhe ishte e mira, se kur muarëm makinën me qera, fjala e parë që na thanë ishte se, ngado që të shkoni do të vini nëtënjëjtin vend. Dhe vërtet, filluam të mësonim histori interesante.Banorët e këtij ishulli janë mikpritës, të buzëqeshur dhe të lumtur.Orari i dyqaneve fillonte ora 8.30 dhe i mbyllnin në ora 6.00.Shumica prej tyre i mbyllnin gjatë kohës së drekës.Të dielave gati të gjithë bizneset janë të mbyllura.Një kontrast shumë i madh nga jeta amerikane.
Në këtë ishull festova një gjysmëshekull të jetës sime. Këtë ishull do ta mbaj si vazhdimësi në ekuilibrin e gjysmëshekullit tjetër që e fillova.

6 -19 korrik 2014
St.Marin

Filed Under: Reportazh Tagged With: Adnan Mehmeti

UDHËTIMI I HEROIT KOMBËTAR ADEM JASHARI NGA TORONTO NË PREKAZ

July 27, 2014 by dgreca

Nga Bashkim KADIU/
Busti i heroit legjendar Adem Jashari po udhëton që nga Toronto në
Kanadanë e largët, për t`u vendosur në Prekaz, në Kosovë. Është një skulpturë rreth një metër e lartë, punuar nga Hytbi Tarelli, piktor e skulptor, që banon familjarisht prej disa vitesh në Kanada. Një dhuratë kushtuar pasardhësve të familjes Jashari, në nderim të veprës madhore të Adem Jasharit, këtij heroi me përmasa të jashtëzakonëshme për Kosovën e kombin shqiptar. Është për t`u përgëzuar nisma e Hytbiut, këtij mërgimtari atdhetar, që ndërmerr një udhëtim të tillë, duke pasur parasysh vështirësitë e rrugës së gjatë; me avion deri në Rinas, më pas me mjete të rastit drejt Kosovës. Pyetja e parë që i bëj vetes, tani që po njihem me një ndodhi të tillë, është: Ç`e shtyn këtë bir të Devollit, rritur në Lushnjë dhe më pas transferuar familjarisht në Shkodër, tani banor i Kanadasë, që si fillim krijoi këtë vepër arti, e më pas të niset që nga larg e të sjellë në Kosovë Adem Jasharin, bustin e të cilit e ka punuar me aq frymëzim e dashuri? A nuk duket si një aventurë çmendurie, që nuk pyet as për mundim e as për shpenzim, kur dihet sa të rënda e të mëdha janë, vetëm e vetëm të përmbushë një thirrje të shpirtit e tij atdhetar, duke i shërbyer sado pak kombit!? Sado pyetje të bëjmë dhe çfardo përgjigje të marrim apo t`i japim vetes, një gjë duhet pranuar: bota shqiptare bëhet e bukur e madhërishme, kur ka njerëz të tillë idealist, që s`kursehen kur është fjala për të lartësuar simbole të heroizmit , të cilëve u përulemi me shumë nderim.
Duke biseduar me z. Hydbi, lidhur me krijimtarinë artistike, mësojmë:
Kam një jetë që merrem me pikturë e skulpturë, duke filluar që nga vizatimet me thëngjij zjarri e figurina balte, deri tek vepra arti nëpër ekspozita e konkurse kombtare e ndërkombtare. Më tërheq më shumë skulptura. Ka një ndjesi magjike të vendosësh një pjesë të shpirtit tënd në portretin apo shtatoren e dikujt, akoma më shumë të heronjëve e personaliteteve që kanë bërë histori, ku mund të përmend Skënderbeun, Nënë Terezën, Ismail Qemalin, Ded Gjon Lulin, Isa boltinin dhe Adem Jasharin, për të cilin do të jem këto dit në Kosovë. Në fakt janë tema të mëdha, ku secili shperh atë që ndjen. Në krijimtarinë time të gjithë këtyre viteve, janë me dhjetra punë të ndryshme të shpërndara nëpër institucione dhe galeri arti, një pjesë edhe nëpër mjedise familjare, si në Shkodër, Lezhë, Tuz (Mali i Zi), Tiranë, Durrës, Lushnjë, Korçë e Bilisht, pjesa më e madhe në Kanada. Para dy vjetësh, erdha në Tiranë me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë dhe mora pjesë në konkursin ndërkombëtar për Monumentin e Pavarësisë. Ishte një bashkëpunim artistik me artitektin Hungarez Laszio Kerekes, i cili jeton e punon po në Kanada. Të gjitha punimet i kam paraqitur në Websaid-in tim.
E di që do më pyesni, ndaj po ju kursej duke u përgjigjur: S`besoj se jam unë i vetmi që, duke qënë në dhe të huaj, më rëmben frymëzimi për t`i`u kushtuar figurave kombëtare. Është një ndjenjë e çuditëshme që mban ndezur zjarrin e atdhedashurisë. Mbase është shtysa për të treguar identitetin tonë kombëtar: kush jemi e nga vijmë. Si puna ime, besoj se mendojnë edhe të tjerët. Udha dhe forma më e mirë që është gjetur, është të mbështetemi tek simbolet dhe heronjtë tanë që i kemi me bollëk. Në fund të fundit, edhe kombet e tjerë po me heronjtë mburren. Disa edhe i krijojnë kur nuk i kanë, madje u ngrenë edhe përmendore. S`jam as i pari e as i fundit që përjetsoj figurën dhe veprën e Adem Jasharit. Sa më tepër kohë të kalojë, aq më e madhe do të jetë shtysa për vepra kushtuar këtij heroi që krijoi legjendë e do mbetet në legjendë.
Unë e krijova këtë shtatore në Kanada, por një zë i brendshëm më thërret; vendi i tij është pranë familjes në Prekaz në Kosovë, ndaj po e çoj si dhuratë familjarëve që mbijetuan. Kjo që po bëj, mendoj se është shumë pak ndaj asaj, që ai dhe famija e tij dhanë e bënë për Kosovën shqiptare, që të jetë e lirë. Shprehja, “Liria i ka rrënjët në gjakun e dëshmorëve”, besoj se u përket të gjithë popujve që luftojnë për liri. Ca më shumë për ne shqiptarët që s`kemi reshtur së luftuari s`dihet qysh kur dhe që s`po ka të sosur edhe në kohët tona. Në çdo rast, secili bën aq sa ndjen dhe aq sa ka mundësi e fuqi. Mendoj se kur bëhet fjalë për tema të tilla lidhur me mallin dhe detyrën ndaj vendit dhe kombit, më pëlqen të përsëris një thënie të bukur: “Sa më larg vendlindjes shkojmë, aq më të fortë bëhen litarët që na lidhin me të”.
Duke i uruar Hytbiut rrugë të mbarë drejt Kosovës, e përgëzoj për veprën dhe veprimin atdhetar. Dashuria për kombin nuk ka kufi e nuk mbaron kurrë. Trashëgohet e përcillet ndër breza.

Përgatiti :Bashkim Kadiu
Durrës më 25. 07. 2014

Filed Under: Reportazh Tagged With: ADEM JASHARI NGA, Bashkim Kadiu, HEROIT KOMBËTAR, TORONTO NË PREKAZ, UDHËTIMI I

MYSAFIR TEK FENIKSIT E RILINDUR

July 27, 2014 by dgreca

Nga Dalip Greca/
Udhëtimi im këtë herë në Atdhe, ishte fare”blic”. Vetëm pak ditë. Një ndër ditët ma kishte kërkuar miku im Esat Çoku, i cili ka kohë që e ka lënë Amerikën dhe jeton në vendlindje, në fshatin Muçias të komunës Remas, pranë bukurive të Karavastasë.
Ish deputeti demokrat erdhi vetë në qytet dhe pas një kafeje pranë Qendrës Kulturore”Vaçe Zela”, morëm rrugën drejt Remasit. Rrugët janë të asfaltura, çka i jep mundësi Esatit që krahas timonit,e mbanë të ndezur bisedën, duke më dhënë spjegime për ndryshimet, për rrugët, për ndërtimet përgjatë fushës;flet për hallet e pazgjidhura të fshatarëve, flet për pushimet, për shëndetin, për udhëtimet në jug të Shqipërisë.
Kisha pesë vjet pa shkelur këtyre anëve. Ndryshimet janë të dukshme; ndërtime të reja, rrugë të gjëra dhe të asfaltura, restorante, klube-cafe, dikur nëj fabrikë për përpunimin e qumështit. Kur arrijmë në Gradishtë, Esati e ndali makinën:
– A e di se sa histori mbart ky sektor internimi? Ja, këtu e thirrën bashkëshorten e Lek Mirakës dhe i bënë shantazh për ta bërë bashkëpunëtore të Sigurimit.Ajo ulëriu e lebetitur:-Të vdekur me gjithë fëmijë, tek shinat e trenit, më gjeni! Dhe thirri fort, që ta dëgjonte e kunata që e shoqëronte: Këta duan t’më bëjnë spiune! Dhe i sfidojë operativët…!
…Komuna e Remasit është shpallë park Kombëtar. Rreth orës 10 të mëngjesit jemi në hyrje të fshatit Muçias. Ndërtimet edhe këtu janë të shumta dhe të bukura. Një fshat i tjetërsuar.
Kur i afrohemi varrezave të fshatit, Esati, e ndal makinën.
-Sa herë kaloj këtu i bie bories në shenjë nderime për njerëzit e mi të dashur që prehen përjetësisht këtu. Ai ndal makinën në anë të rrugës dhe çapitet me hap të ngadaltë drejt varreve. Qëndron pranë nënë Esmasë dhe i përkëdhel butë fotografinë mbi mermer, e lëmon lehtazi më pëllëmbë sikur i friket zgjimit të saj.
Ashtu pa vëmendjen e tij, pa u diktuar, unë e shkrep kamerën.
– Nuk e di se si i qëndroi vuajtjeve tona nëna jonë e mirë, flet Esati me sy përdhe, ia nis bisedës me nënën: Fillimisht, kur u burgos babai ynë, Azemi i shpallur “kulak”, ajo na mblodhi si klloçka zogjtë, dhe na e kumtoi dhimbshëm, se që nga ai çast jeta jonë do të ishte e vështirë, do të ishim nën vëzhgim, në përndjekje.Duhej të mateshim para se të flisnim. Duhej të ishim të kujdesshëm, duhej të mësonim shumë në shkollë, duhej të punonim fort…Jetë e vështirë…Esati psherëtinë dhimbshëm.
Në një shkrim kushtuar kësaj familjeje qëndrestare përballë diktaturës, kam sjelle nje fragment nga libri i dy vellezerve-letrar te lidhur ne nje prange, Bedriu dhe Caushi.Ende e kam ne kujtese jehonen tragjike: Nënë Esmaja nuk e la të shoqin të vdiste i vetmuar në qeli, së paku nuk e la të uritur, me torbën në shpinë i çonte ushqime.Fatkeqja, guximshëm përpiqej që të rriste djemtë, që t’i bëheshin të mbarë, pa shtyllën e shtëpisë. Ajo nuk ishte thyer; as atëhëhere kur familjen e deklasuar Çoku e internuan nga qyteti i Fierit në Tokën e Vdekur të Myzeqesë, as kur i arrestuan djalin e vogël, Caushin, as kur i prangosën të dytin, Bedriun,(të dy ushtarë pa pushkë, në xhenjo) as kur e lanë të vetmuar, kur i morën Esatin, sikur ia shkulën zemrën nga gjoksi.Do të mbetej vetëm me Zyhranë, bashkshorten e Esatit, e cila iu kthye si vajzë, si shoqe dhe motër në ditët e vështira të vetmisë së përvujtur. Bashkë e merrnin rrugën për t’u takuar me të tre djemtë që njëkohësisht vuanin burgjeve të Spaçit, Burrelit, Qafë-Barit….Udhëtonin dy-tre ditë për të shkuar tek djemtë-armiq të pushtetit… Rrugë pa rrugë, qëllonte që të flinin edhe jashtë, kur nuk ua hapnin dyert nga frika se ishte nëna e djemëve të dënuar politikë, ndërsa e reja, nusja e armikut. …Ja kështu me atë torbën në krah e mira nënë baritej maleve të Shqipërisë, duke fjetur dhe jashtë netëve të ftohta, për të mbajtur gjallë shpirtrat e djemëve që vuanin absurdin.Ajo vërtetë nuk ishte e burogosur, por shpirti i saj qe njëqind herë më i prangosur se sa duart e të shoqit dhe bijëve të saj të ënjtura nga prangat.Ata u planifikuan nga ai sistem si kundërshtarë të vijës së parë dhe qenë ndër të fundit që lanë qelitë e ferrit në vitin 1990…
Nënë Esmaja ndërroi jetë në gusht të vitit 2001, pasi i pa të lirë djemtë e saj…
Esati psherëtinë tek lëmon lehtazi dhe tek fshinë me pëllëmbë fotografinë e vëllait, Rrapit, që u nda nga jeta në maj 2013. Bisedon zëshëm me vëllanë e vdekur:
– Edhe ti nuk e pate të lehtë vëlla. Kishe tre vëllezër në burg. Ti ishe i burgosur jashtë burgut… Tek kalojmë përmes varreve ndalet tek njëri prej vdekurëve:- Ishte një nga dëshmitarët kundër nesh…Po, Zoti e faltë…!
Hipim në makinë dhe ecim përmes fshatit. Rruga kryesore mbanë emrin e Azem Çokut, ndërsa Këshilli i komunës Remas i ka dhënë familjes së Azem Çokut titullin “Nderi i Komunës” për kontributin e çmuar që ka dhënë në luftën kundër diktaturës komuniste, për vlera të larta morale e shoqërore në komunitet.”
Kur u zhvillua ceremonia e nderimit të familjes, u bë festë në fshat. Familja Çoku i kishte ftuar të gjithë, të majtë dhe të djathtë. Madje kishte edhe nga ata që patën dalë deshmitarë…
Familja Çoku është ndër më të goditurat nga diktatura komuniste në të gjithë Myzeqenë dhe e meriton, jo vetëm nder i komunës. Kush vuajti më shumë se kjo familje?
Azem Çoku-babai- 11 vjet burg
– Caush Çoku-djali i vogël- 22 Vjet burg
– Bedri Çoku – djali i dytë, 23 vjet burg
– Esat Çoku, djali i madh, 8 vjet burg dhe internim…
– Esma Çoku-E internuar me dekada… bashkëshortja e Azemit, nëna e djemve të burgosur; më shumë se gjashtë dekada e gjysëm- dyerve të burgjeve, duke ndjekur fatin e të shoqit dhe bijëve…
Vëllai tjetër, nipër e mbesa- të internuar…
Po të bashkosh vitet e e burgut dhe ato të internimit për familjen Çoku, të del më shumë se një shekull dënime.. Poeti,publicisti dhe shkrimtari Visar Zhiti,për të cilin poezia qe prostituta që e futi në burg dhe njëkohësisht Shën Mëria, që ia ruajti shpirtin në vuajtjet e ferrit komunist;tek ka paraqitur dy vëllezërit Çoku në parathënien e librit të tyre”Caush Çoku& Bedri Çoku; dy vëllezër në një prangë” shkruan kështu në përcjelljen parathënse:”Si personazhet e një drame duken dhe ashtu janë,të një drame tepër të rëndë, të gjallë, që s’u luajt dot në skena, po në jetë; aktet e së cilës u zhvilluan në Purgatorin e mërzitshëm të socializmit dhe brenda në ferrin e diktaturës së tij.”
…Duket se në pak rreshta janë thënë shumë gjëra….
Vëllezërit Çoku kanë ndërtuar shtëpitë e tyre në Muçias. Janë shtëpi të bukura-vila, të rrethuara nga gjelbërimi.Në shtëpinë e Esatit na pret Francesku, i biri, që ka ardhë për pushime nga Nju Jorku.
– Është mrekulli këtu. Desha të shtyjë biletën e kthimit për në Nju Jork, por babi më thotë se duhet të kthehem. Bashkë me babin brodhëm në të gjithë jugun e Shqipërisë, në Gjirokastër e Sarandë. Pushuam në Ksamil. Po më pëlqen shumë Shqipëria.
Nga shtëpia e Esatit duke e gjithë fusha, sa të ha syri. Këneta përballë të afron një pamje të magjishme. Pas shtëpisë gjelbëron një vreshtë i begatë i krijuar nga Esati, që e ka pasion vrashtarinë. Tutje, buzë kënetës shfaqet”Feniksi”, pronë e nipërve të Esatit.
Pas provojmë rakinë-pikë e parë, e prodhuar nga vreshti i Esatit, shkojmë tek Feniksi. Kisha parë në TV Kultura shqiptare në Nju Jork pamjet e mrekullueshme të këtij restoranti modern, por tani kanë ndodhë shumë ndryshime. Restoranti është mobiluar në të dy katet, sallat e dasmave të ngjajnë me ato të restoranteve enkas për dasma këtu në SHBA apo në vendet Europiane. Miri, pronari i restorantit, vjen dhe na uron mirëseardhjen. Nuk ka nevojë të na informojë-gjithçka flet vetë. Nipi tjetër i Esatit, Arbeni, që dikur provoi emigrimin edhe në Amerikë, tash i punësuar tek Feniksi, thotë se i gëzohet punës dhe kompleksit, që kanë ndërtuar me aq mund. Beni është prototipi i të rinjëve shqiptarë që morën rrugët e Europës për një jetë më të mirë. Ai e kujton si sot atë ditë marsi të vitit 1991, kur me anijen panameze së bashku me xhaxhanë u endën nëpër det deri sa dolën matanë. Provoi punë të ndryshme për t’i ardhjë në ndihmë familjes.Atje mësoi zanatin e kuzhinierit dhe të pizzamenit. Në vitin ’97 kaloi oqeanin dhe u vendos në Nju jork, ku e përsosi më tej mjeshtrinë e gatimit, por emigrimi po ia gërrynte shpirtin. U kthye në Shqipëri dhe së bashku me vëllanë punuan fort derisa ia hynë ndërtimit të këtij kompleksi të madhe,Restorant, Pizza e Bar-Cafe, e ndërtuar me formën e anijes. Pse në formën e një anijeje? Ndoshta për të kujtuar ikjet masive me anije? Beni tregon se forma dëshmon edhe traditat e të parëve që e siguronin jetën me varkat e tyre si punëtorë të kënetës…Ania-ndërtesë është vendosur horizontalisht, me bash drejt kodrave, ndërsa kici drejt Bedatit, vend-internimit më të ri të kohës së shkuar.
Mjedisi jashtë restorantit është në rregullim e sipër. Është zgjeruar shumë sheshi i parkimit, diku është edhe një kafaz me tre arushë të vegjël që tërheq vëmendjen e vizitorëve, një pasarelë lidh restorantin me kënetën e Karavastasë, ndërkohë që aty pranë zihet edhe peshku e ngjala e freskët që përdoren për restorantin.
Miri na fton që ta vizitojmë katin e sipërm të restorantit. Habia, është fjala më e zbutur për të treguar mrekullinë e investimit perëndimor.
Zbresim në katin e poshtëm ku serviret dreka. Mysafirët që e kanë frekuentuar Feniksin atë ditë, ishin nga qyteti, zona për rreth, por edhe nga Tirana. Një sup peshku, si fillim, të hap oreksin, ndërsa levreku dhe ngjala, të gatuara me shije nga kuzhinjieri, që e ka përsosur mjeshtrinë e gatimit në Gjermani, janë fare të veçanta.
Në dalje, sytë më mbeten emërtesa “Restorant “Feniks”! Përse ky emër?
A ka të bëjë ky emërtim me Feniksin e mitologjisë, me zogun e cuditshëm jetëgjatë, të rilindur përmes riciklimit? Të atij zogu të çuditshëm lindur me diellin dhe që digjet e merr jetë të re nga hiri i paardhësit të tij? A nuk ngjajnë dhe këta, të mbijetuarit e ferrit të vuajtjeve dhe që e ndërtuan këtë Feniks si të rilindur nga paraardhësit e tyre, të stërmunduar e të sakrifikuar?…Po vetë Esati me vëllezërit, Bedri dhe Caush Coku, a nuk janë feniksë, të rilindur nga vetsakrifikimi?! Në mendje më shkoi një esse e Reshat Kripës botuar në Dielli një vit më parë, ku pat bërë një përqasje të tillë dhe thashë: Ai ka të drejtë! Këta janë feniksit e rilindur!

Filed Under: Reportazh Tagged With: dalip greca, E RILINDUR, MYSAFIR, TEK FENIKSIT

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 154
  • 155
  • 156
  • 157
  • 158
  • …
  • 181
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Gjeneral-Ambasador i ShBA në TR, besim dhe përgjegjësi e shtuar për RSh”
  • Norwegians and foreigners from other countries who greatly helped make peace in Kosova
  • Fan Noli dhe Faik Konica, arkitektët e diplomacisë shqiptaro-amerikane që shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • 21 prill 1921, ditë e madhe e shtetit shqiptar. U hap në Tiranë mbledhja e parë, e parlamentit të parë, i dalë nga zgjedhjet e para. Historitë e deputetëve Ali Këlcyra dhe Ali Koprëncka
  • KOMITETI “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS” NË  FONDET ARKIVORE TË ARKIVIT TË SHTETIT SHQIPTAR
  • The Architecture of Alignment
  • Kujtojmë me nderim arkeologun dhe studiuesin e shquar Skënder Anamali
  • Një moment në historinë kombëtare…
  • ELIOT ENGEL – NJË MIK I PAHARRUAR I SHQIPTARËVE DHE ZË I LIRISË DHE DREJTËSISË PËR KOSOVËN
  • REALIZIMI I TË DREJTAVE GJUHËSORE SHQIPTARE (1924–2026): ARTIKULIMI QYTETAR DHE DIPLOMACIA
  • BOOKFEST NË CHICAGO
  • “Brenga”, trinomi filozofik nga rrëfimi historik tek drama morale
  • Vatra Boston mbështet ekspozitën e kostumeve tradicionale shqiptare
  • Në kujtim të 160 civilëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë fashsite!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT