• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Bill Clinton, një President në zemrën e gjithë shqiptarëve

July 4, 2023 by s p

Clinton: “Dua t’ju falënderoj për një moment që do ta ruaj si thesar për gjithë jetën time. Faleminderit Shqipëri”.

Kosova/ Clinton: T’i jepet fund kësaj marrëzie, zgjedhjet s’duhet të ishin zhvilluar.

Clinton:” Kontaktet e mia me Shqipërinë që në moshën 18 vjecare. Shqipëria ishte mister, kurrë se kisha menduar që do vija këtu si President”.

Nga i dërguari i Diellit në Tiranë Albano Kolonjari

Bill Clinton, Presidenti i 42-i SHBA- është padyshim Presidenti Amerikan që Shqiptarët e duan më shumë. Njeriu që i dha vendimin historik për çlirimin e Kosovës, krijimin e Shtetit Kosovar dhe përcaktoi të ardhmen e Ballkanit ndodhet në Shqiperi në një vizite 2 ditore. Në shenjë respekti dhe për të përjetësuar emërin e tij por edhe te bashkshortes së tij, pas luftës shumë kosovarë u vendosën emrat Bill, Clinton dhe Hillary fëmijëve të tyre. Predidenti Clinton mbeti pa fjalë nga një suprizë që iu bë para Kryeministrisë, me disa fëmijë qe vinin nga Kosova dhe të cilët mbanin mbiemrin e tij si emër por edhe te bashkshortes, në shenjë vlerësim për atë cfarë ai bëri duke mbrojtur jetë të pafajshme gjatë terrorit dhe gjenocidit Serb në Kosovë. “Sot më dhatë një dhuratë të madhe. Më të madhe edhe sesa nderi. Më latë të shoh çfarë bëhet për të ardhmen, në një kohë që e shkuara mund ta kishte vrarë. Vazhdoni kështu. Zoti ju bekofte. Faleminderit jam pa fjalë. Po të kisha një gjykim të shëndoshë nuk do të thoja asgjë. Jam vërtetë pa fjalë. Dua t’ju falënderoj për një moment që do ta ruaj si thesar për gjithë jetën time. Ka më shumë se dhjetë vite që kur bashkëshortja ime erdhi këtu si sekretare e shtetit dhe gjithmonë e pyesja se si po ndihej si po shkon dhe ndjej se edhe pse jam një qytetar privat pa asnjë pushtet publik mund të flas për këtë çështje në emër të popullit amerikan. Unë dhe Hilary jetojmë 30 milje nga New York që është vendi me përqendrimin më të madh të shqiptarëve në Amerikë. Eshtë për të qeshur se një javë më parë kalova afër tre restoranteve shqiptare atje dhe njerëzit filluan të më tregonin për agjendën time këtu e dinin më mirë ata se unë” Gjithashtu Presidenti Clinton zbuloi edhe nje histori te bukur:” Kur isha në një restorant në Nju Jork një kamerier erdhi të merrte porosinë. Uli tabakanë që kishte ujin dhe u ul në gjunjë dhe më tha falë teje familja ime është gjallë. Dhe njerëzit e tjerë me të cilat isha nuk e kishin idenë se çfarë kishte ndodhur dhe u shpjegova se ishte shqiptar nga Kosova. Ai u çua foli pak për jetën familjare dhe tha vazhdoni kështu. Mos i hidhni njerëzit poshtë . Ju keni ndërtuar këtu diçka të lavdishme dhe bëni që njerzit që të vijnë këtu që vendi i tyre te jetë më shumë si i juaji”. “Jam shumë mirënjohës që dhëndri im është këtu dhe para se të vinim fola me tre nipërit e mi në celular. Kur e pashë të ndodhte në Kosovë e në Bosnjë ajo gjë gjithë ato vite më parë e pashë të ndodhë një djalë i ri në vendlindjen time. Sa herë e kam parë këtë gjë në jetën time, kurrë nuk ka pasur lidhje me të vërtetën në zemër të vet por është vërë për të fituar pushtet pa asnjë llogaridhënie nga ata njerëz që shtyjnë kufijtë e mendojnë se janë krijuar të epërm nga zoti. Për ata që shërbejnë në qeveri e atyre që i shërbehet dhe praninë e grave në këtë qeveri. Për të rinjtë mbresëlënës që folën, disa prej të cilëve mbajnë emrin tim e të tjerët të familjarëve të mi ju kërkoj të mos shkurajoheni sepse këto probleme i kanë rrënjët tek një impuls që është më i vjetër se shtetet kombe dhe besimet tona fetare. Ka pasur gjithmonë një frikë se në momentin që do të shkojmë përtej llojit tonë diçka e keqe mund të ndodhë. Shihini këta fëmijë, gëzimi më i madh në jetë ndodh kur ne hapemi ndaj mundësisë që çdo person mudn të marrë. Edhe njëherë, e kam të vështirë të them diçka për atë që është bërë e thënë sot, mësimet e jetës time në politikë nuk janë ato që mësova në universitet apo në zgjedhje e sallën të diskutimeve në qeveri. I kam mësuar kur isha një djalë i vogël që rritesha duke parë njerëzit ët jetonin jetën e tyre dhe jam ndjerë përherë se fjala dhe nderi kishin një vlerë konstante për çdokënd dhe e mendoj se është e rëndësishme të pranojmë që dallimet ton kanë rëndësi dhe duhet të jemi të lirë e në gjendje të dëgjojmë njëri tjetri por nuk duhet të harrojmë se e vetmja mënyrë me të cilën do të lejohen të gjithë te kenë zërin e tyre është se të qënurit njerëz dhe humanzimi i përbashkët vlen më shumë”.

Presidenti i 42-të i SHBA Bill Clinton, tregoi se e njihte Shqipërinë në moshën 18-vjeçare kur ishte student në shkollë dhe studionin Luftën e Ftohtë” Kur isha i ri dhe studioja luftën e ftoftë, botën komuniste, e shihja Shqipërinë në hartë dhe paraqitej si një mister i pamatë, e mbyllur ndaj botës. Më kujtohet kur isha 18-vjeç dhe i thoja vetes a do shkojë ndonjëherë aty, pyes veten si do jetë dhe kurrë nuk ma merrte mendja se do vija si president. Isha një njeri që vija nga një rrugë e gjatë, doja të shihja historinë e këtij vendi. Mendoj që më keni dhënë një dhuratë mjaft të madhe thjesht duke iu thënë përshëndetje, duke më lënë t’iu shoh”. Bill Clinton, presidenti i 42 i SHBA-së u ndal edhe tek situate ne Kosovë. “Ka një mosmarrëveshje që po ndodh tani në Kosovë që do të doja të mos kishte ndodhur kurrë. Nuk është më vendimi im. Kosovarët i krijuan ato katër qyteza në të mirë të serbëve për tu dhënë katër kryebashkiakë më tepër. Kështu që mendoj se kanë bërë një gabim që të votohej. Mendoj se është e lehtë për shqiptarët, tani në shumicë që të përpiqen që të përfitojnë nga momenti, për të paraqitur argumentin tyre, por gjëja e vërtetë që duhet të bëjmë është ta ndalim këtë marrëzi. Çfarë çështje e madhe politike mund të krijohet duke pasur këtë tension, qytetarët ka nevojë që tu thuhet u duhet të votojnë. Nëse mendoni për këto 4 qyteza, shumë larg nga çdo laborator modern shkencor, ku modelohet sjellje që po e nxit botën sot, pasi drejtohet nga njerëz që preferojnë dominancën në vend të bashkëpunimit. Shpresoj që Shqipëria të jetë në gjendje ti tregojë botës sesi duket një e ardhme gjithë përfshirëse”. Dikur ishit një derë e zymtë e mbyllur, ndërsa sot jeni një derë e hapur. Ju falënderoj që morët gratë e OJQ-ve në Afganistan dhe i larguat nga rreziku. Më lini t’iu them se në moshën time pyet veten se pse njerëzit harxhojnë energji për shkatërrim. Gjithçka mbaron dhe ato vlejnë nëse e ardhmja është më e ndritur dhe ka bashkim në vend të ndarjes. Vazhdoni kështu. Zoti ju bekoftë!”, deklaroi ish-Presidenti amerikan Bill Clinton. Kryeministri Edi Rama dekoroi me “Yllin e Mirënjohjes” Presidentin e 42-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton. Çmimin e nderit ia dha kryeministri Edi Rama, sebashku me femijet e ardhur nga Kosova. Ramatha se Bill Clinton është njeriu që i dha shpresën e shqiptarëve. “Njeriu nga shpresa, keni qenë me ne gjatë kohës, sot jeni mes nesh për të na kujtuar mësimet nga një histori jo fort e largët për të konfirmuar riangazhimin e Amerikës ndaj paqes sonë dhe njëherë të na thërrasë në shpresë. S’ka fjalë që mund të shprehin atë që ndjej tashmë duke iu kërkuar me përulje të pranoni yllin e mirënjohjes për arritjen publike, që është çmimi më i lartë që jepet nga zyra e kryeministrit dikujt që e meriton këtë mirënjohje.

Filed Under: Reportazh Tagged With: albano kolonjari

“After the Alien Encounter”

June 30, 2023 by s p

Nga Ledio Xhoxhi, punonjës shkencor në Muzeun Historik Kombëtar, Tiranë/

Libri “Pas takimit me alienin” i prof.dr. Arian Kadiut, është një është një roman për fëmijët nga mosha 8 – 13 vjeç. Përpara lexuesit shfaqen personazhe origjinalë dhe interesantë, përshkruhen episode dhe ngjarje që ngacmojnë fantazinë, të vënë në mendime dhe të bëjnë të ndjesh dhe të përjetosh thellë bukurinë e një vepre të vërtetë letrare. Libri të zhyt në venturat e Albit, ku ripërcaktohen kufijtë e imagjinatës. Krijesat magjike, luginat e magjepsura dhe e pamundura janë vetëm disa nga ato që zbulohen në këtë libër. Romani i cili na vjen nga autori dhe shkrimtari i dashur shqiptar Arian Kadiu, tani mund të lexohet edhe në gjuhën angleze, botuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kur lexon romanin për fëmijë “Pas takimit me alienin” qëndron i menduar një copë herë. Libri të vë në mendime, ai të nxit imagjinatën, duke ngacmuar ato mendime, deri atëherë të fjetura; duke i vënë ato në lëvizje, dhe, kësisoj, lexuesi i vogël kërkon të ketë jetën dhe aventurat e Albit, të shoqëruar me episode dhe ngjarje interesante. Ashtu si dhe personazhi kryesor i librit Albi, edhe lexuesi ëndërron dhe përfytyron, nxitet dhe dëshiron, teksa librin e mban shtrënguar në duart e tij. Është kjo mjeshtëria e shkrimtarit Arian Kadiu, i cili ndodhet në çdo shkronjë dhe faqe të librit, me fantazinë dhe krijimtarinë e tij, ndërkohë që e nxit vazhdimisht lexuesin, duke u ndaluar dhe duke menduar herë për njërin tregim dhe herë për tjetrin. Fantazia dhe imagjinata fëmijërore bëjnë hapat e tyre të mëdhenj drejt realizimit të ëndrrave dhe dëshirave për jetën, për shkollën, për lodrat, për aventurat, për dashurinë për familjen, për njerëzit dhe atdheun.

Autori Arian Kadiu është diplomur në Universitetin Tiranës, në fakultetin Histori-Filologji, dega gjuhë-letërsi shqipe. Ka fituar grada dhe tituj shkencorë si “Profesor Doktor” (2007), “Mjeshtër i Madh” (2017), “Nder i qytetit të Peshkopisë” (2012). Ka punuar gazetar dhe redaktor në gazetën “Mësuesi”, specialist në kabinetin pedagogjik të Peshkopisë, specialist kombëtar në Institutin e Studimeve Pedagogjike, kryeredaktor i revistës shkencore “Univers”, pedagog i jashtëm në Universitet, autor i mjaft tekstesh para dhe pasuniversitar etj., me disa specializime ndërkombëtare për psikologjinë e moshave të reja.

Përvojën e tij në fushën e pedagogjisë, sociologjisë dhe psikologjisë, por edhe personalitetin e tij si pedagog dhe shkrimtar, prof. Kadiu e ka shprehur në kolanën e madhe të librave dhe botimeve të tij, që janë mirëpritur dhe mbeten gjithnjë në dispozicion të lexuesve, studiuesve dhe veçanërisht të mësuesve. Gjithashtu ai është autor i mbi 450 artikujve problemore të botuara në shtypin e përditshëm, periodikë e në gazeta dhe revista të ndryshme.

Dëshiroj të sjell në kujtesën e lexuesit një sërë titujsh librash të së njëjtës zhanër nga Arian Kadiu, si: “Aventurat e pabesueshme të Batos” (novelë-përrallë, 2002), fitues i çmimit të parë në konkursin shpallur nga shoqata e shkrimtarëve për fëmijë, “Pendimi i arushit pa bisht” (pjesë për kukulla,1975), fitues i çmimit të dytë në konkursin e 30-vjetorit të çlirimit të atdheut, “Një ndodhi në det” (tregime, 1997), “Pse dridhet harku i violinës” (tregime, 1974), “Trishtimi i blertë” (novela për adoleshentë, 2003), “Qyteti prej rëre dhe pallati i vërtetë” (tregime, 1978) etj.

Tek libri “Pas takimit me alienin”, tashmë për të gjithë fëmijët edhe në gjuhën angleze, shkrimtari e vendos personazhin e tij në situata të magjishme, interesante dhe të pëlqyeshme për fëmijët, por edhe që nxisin kureshtjen e tyre për të mësuar vazhdimin. Albi shfaqet përpara lexuesit si një djalë me zemër të gjerë, me botë të madhe shpirtërore, me merak që të mos shohë vetëm veten e tij, por të ndihmojë edhe njerëz të tjerët që kanë halle dhe, në këtë veprim-ndihmë, ai gjen kënaqësi.

Romani “Pas takimit me alienin” rrëfen historitë që na kanë formuar dhe frymëzuar, histori që na ndriçojnë mendjen në realitetin e përditshëm. Ashtu si një objekt të përditshmërisë tonë, këtë roman duhet ta ndajmë me njëri-tjetrin, ashtu siç bëjmë kur dëgjojmë një muzikë të bukur.

Pa lexuesin, libri nuk ka asnjë vlerë, leximi është në fakt qëllimi final i kulturës së librit. Libri “After the Alien Encounter” (“Pas takimit me alienin”) duhet marrë, prekur, blerë, huazuar, dhuruar, për të pasuruar bibliotekën e çdo fëmije, për ta kujtuar, për t’ia kthyer cepin e fletës që t’i rikthehemi sërish, për t’i nënvizuar rreshtat, për t’i shkëputur fletën e pjesës së parapëlqyer, për ta fotografuar mbase, për të kujtuar dikë, për të nxitur fantazinë, për të kopjuar një fjali, për t’u izoluar në një jetë paralele mes fletëve, në jetën që nuk e ka por që na e jep ky roman…

Recensë mbi librin me titull

“After the Alien Encounter” (“Pas takimit me alienin”)

Nga Ledio Xhoxhi, punonjës shkencor në Muzeun Historik Kombëtar, Tiranë

Filed Under: Reportazh

Trashëgimtar

June 26, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Kur vdiq, Aleksandri i Madh kishte vetëm një djalë, por nuk e la trashëgimtar. Pse? Në kohët e lashta, mosha e zakonshme për një burrë për t’u martuar ishte 30 vjeç. Sigurisht që një mbret mund të martohej edhe më herët nëse i duhej të nënshkruante një aleancë politikisht të rëndësishme. Aleksandri u martua me Roksanën në vitin 327 pes, kur ishte 29 vjeç, paksa nën moshën e zakonshme të martesës. Kjo sepse në atë moment ai ishte i përshtatshëm të martohej me një vajzë të një sundimtari lokal që do t’i siguronte kontrollin e tij mbi një vend të padisiplinuar. Aleksandri ishte gjithmonë në lëvizje, duke bërë fushatë, kështu që nuk kishte shumë kohë për të jetuar një jetë familjare. Megjithatë u martua me 2 zonja të tjera, kur ishte 32 vjeç. Ai i la 2 gratë e tij shtatzënë dhe pati 2 fëmijë. Njëri prej tyre, i Roksanës ishte djalë, kështu që Aleksandri do të kishte trashëgimtarin e tij. Tjetri, dyshohet se u vra nga Roksana, kështu që Aleksandri përfundoi me vetëm 1 fëmijë, kur vdiq në moshën 33 vjeçare.

Mendohet se në atë kohë, mosha mesatare e jetesës ishte 40 vjeç – mund të duket e ulët, por kjo ndodhte për shkak se shumë foshnja vdisnin në lindje, burra vriteshin në luftë etj. Deri në moshën 30 vjeçare njerëzit, të paktën shtresat e larta, ende arsimoheshin dhe përgatiteshin për jetën dhe biznesin e tyre publik. Platoni, rreth të 20-ve, ishte student i Sokratit në moshën 71-vjeçare.

Aleksandri nuk i tha askujt në mënyrë specifike që t’i jepte fronin djalit të tij. Ai ishte duke u përgatitur të nisej në ekspeditë kundër Arabisë, një ditë para vdekjes së tij. Babai i Aleksandrit, Filipi II, ishte bërë me gra në mesin e të 40-ve dhe kishte fëmijë. Filipi nuk e konsideronte veten të moshuar. Aleksandri do të bënte të njëjtën gjë, po të kishte jetuar më gjatë. Në moshën 32 vjeç, ai kishte 3 gra dhe 2 prej tyre ishin shtatzënë. Filipi nuk kishte përparësi për të nxjerrë një trashëgimtar. Ai e përdorte Aleksandrin sepse ishte djalë shumë i talentuar, ndërsa e shtyu mënjanë djalin tjetër, Arrideus, sepse nuk ishte i përshtatshëm për fron.. Siç shkruan Plutarku në kapitullin “Jeta e Aleksandrit”:

Grindja më e hapur u shkaktua nga Attalus në martesën e Kleopatrës, një vajzë të cilën Filipi po e merrte për grua, pasi kishte rënë në dashuri. Attalus, tani, ishte xhaxhai i vajzës, dhe mes të pirave u bëri thirrje maqedonasve të kërkonin nga perënditë që nga Filipi dhe Kleopatra të mund të lindte një pasardhës legjitim i mbretërisë. Në këtë rast Aleksandri u zemërua dhe tha: “Por unë ç’jam?”

Vetë Filipi II mori fronin nga nipi i tij, Amyntas IV. Pra, marrja e fronit të Maqedonisë nuk ndiqte saktësisht një rregull të rreptë që një djalë të trashëgonte fronin e të atit. Ai duhej ta meritonte. Ishte një lojë fronesh. Fëmijët do të vriteshin gjithsesi. Prandaj, vetë Aleksandri me fjalët e tij të fundit i dha unazën e tij mbretërore “më të fortit”, duke parashikuar se do të kishte një luftë midis lojtarëve që do të luftonin për fronin. Djali i tij i vetëm, Aleksandri IV, u vra para se të arrinte moshën madhore – edhe nëse Aleksandri do t’ia kishte lënë fronin, princi do të ishte shumë i ri për të mbijetuar mes gjeneralëve ambicioz dhe të fuqishëm, siç e tregoi koha.

Filed Under: Reportazh

ATHINË- FESTUAM ME MOTON: GJUHA SHQIPE KRENARIA JONË KOMBËTARE

June 24, 2023 by s p

Lefteri Metkaj/

Të dashur bashkatdhetare ! Nuk ka festë më të bukur se festa e fëmijëve, se festa e Gjuhës Shqipe!!!

Festuam dhe ndjejme gezimin e gjuhës sonë amtare, kënaqësinë e punës së dobishme, se asgjë nuk harrohet kur zemrat e fëmijëve këndojnë e recitojnë bukur në gjuhën shqipe. Në bashkëpunim me Bashkinë e Aspropirgos, në Qendren Kulturore të Bashkisë Aspropirgo, nxënësit që zhvillojnë mësimin e Gjuhës Shqipe në tri pika shkollore, Rendi, Athine, Aspropirgo festuan, Festën e Abetares dhe perfundimin e vitit shkollor 2022 – 2023 me moton:

GJUHA SHQIPE – KRENARIA JONE KOMBETARE

Te dashur nxenes!

Erdhet ne mesimin e gjuhes shqipe me 18 shtator 2022 dhe me 11 qershor 2023 perfunduat vitin shkollor. Programin mesimor e perfunduan 61 nxenes nga mosha 7-16 vjeç, ne dy nivele, niveli l-rë dhe i ll-të

Nxenes te dashur, shpresoj te mbani mend gjithëçfare mesuam bashkë.

Me nderim dhe mirenjohje falenderoj perzemersisht gjithe pjesemarresit: Te ftuarit,prinderit, bashkepunetoret grekë dhe shqiptarë, miqtë dhe gjithe ju motra dhe vellezer shqiptare banore ne Aspropirgo.

Per te uruar dhe pergezuar nxenesit ne kete sukses shkollor, ku me vullnet mesojne gjuhen shqipe, si gjithmone prane nxenesve ishin dhe dy personalitete te nderuarit:

Z. Fitim Gllareva, Perfaqesues i Zyres se Kosoves ne Athine.

Z.Samir Ganija, Konsull i Maqedonise se Veriut.

Mirenjohje pa fund per Kryetarin e Bashkise se Aspropirgos, z.Nikolaos Meletiu, Z/ Kryetaren znj.Sofia Mavridhu, znj.Katerina Kaplafti, ku bene te mundur qe femijet te festonin ne Qendren Kulturore te Bashkise Aspropirgo sa me te lumtur festen e gjuhes se tyre kombetare ne Atdheun e tyre te dyte, ne Greqi .

Kete feste te Abetares dhe te perfundimit te vitit shkollor e pergatitja me shume merak dhe dashuri per ju femije, per te mbajtur premtimin qe u dhashe ne oren e pare te mesimit ,se do te festojme te gjithe se bashku me keto shkronja dorë per dore, kur t’i mesojme një nga nje gjate udhetimit tone ne universin e tekstit tone mesimor, “Gjuha Shqipe dhe kultura shqiptare”.

Nuk i harroj veshtrimet tuaja ku ju me shihnit me habi dhe me drojtje herë mua ,herë Alfabetin Shqip me shkronja ngjyra – ngjyra vendosur ne tabelen e klases, Arditi i habitur tha:

Oooo…! Sa shume shkronja jane!

Me pas, e qeshur ,e qete ju tregova paketen me tekste mesimore dhe duke i mbajtur ne kraharor ju thashe:

Nxenes te dashur!

Keta jane librat e pare te Gjuhes Shqipe qe ju do te mesoni te shkruani e te lexoni Gjuhen Shqipe, gjuhen qe ti flet me mamin e me babin ne shtepi e me shoket ne shkolle a ne sheshe kur ti luan .

Dhe shihni femije ! Keta libra kaq te bukur jane dhurate per ju nga dy shtetet tona, nga : Shteti Shqiptar dhe Shteti i Kosoves.

Dhe kaq mjaftoi, sa degjuan Shqiperi -Kosove, Donika dhe Matiani moter e vella bene shqiponjen me duar mbi gjoks dhe me pas te gjithe nxenesit, njeri pas tjetrit gjithe klasa formuan Shqiponjen dhe filluan te kendonin me sa fuqi kishin,…

Xhamadani vija-vija eshte Kosova, eshte Shqiperia.

E keshtu vazhduam per cdo jave , mesonim shkronjat shqipe, njohuri gramatikore ,lidhnim fjale por dhe lidhjet tona shtoheshin dhe forcoheshin.

Pati dhe nga ata femije qe e nisen mesimin shqip dhe nuk e perfunduan.

Dhe mesuesja trishtohet, dhe zemra i dhemb per te gjithe ata nxenes,te cilet nuk paten durim te vazhdonin me shoket e tjere te perfundimin programin mesimor te gjuhes shqipe.

Gjithçka mesuam ne kete vit shkollor u bë pjese e programit tone festiv. Mesuam shume gjera qe nuk i dinim per Atdheun tone. Udhetuam ne legjenda dhe histori te bukura nga vendi i stergjysheve tane.

Dhe Himnin e Flamurit e mesuam dhe kuq e zi si Flamuri yne u veshem.

Shamite e kuqe me duar e vogla i tundem kur kercyem vallen e Tropojes dhe vallen e “Shotes”.

E shume te tjera mesuam per Kosoven, ku eshte vend i dashur per ne, me bjeshket e saj te gjelberuara, me malet plisbardha e bashke me shqiptaret qe jetojne atje .

Por mos harroni mesazhin qe transmetoi shoqja e klases, Klaudia “

“Ne jemi te gjithe shqiptare !

Atdheu yne ngrihet mbi gjakun tim, mbi gjakun tend, mbi gjakun e baballareve tane.”

Festuam dhe te gjithe u gezuam shume! Vitin shkollor e perfunduam. Disa nga ju do te largohen, te tjere bij te shqipes do te vijne te mesojne shqip….

Por nje AMANET po ju jap! “Mos e harroni gjuhen shqipe si element kryesor te jetes suaj, dhe Atdheu yne te jep nderin e madh, emrin SHQIPTAR!”

Uroj te jeni kudo te suksesshem ne jete. Pushime te gezuara!

Me dashuri, Mesuesja juaj Lefteri Metkaj!

Filed Under: Reportazh

PARTIA  JASHTËPARLAMENTARE  MA E VOTUARA

June 24, 2023 by s p

Nail Draga/

Zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi 2023

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Mal të Zi, ku kanë marrë pjesë 15 lista zgjedhore Levizja Evropa Tani paraqet rast të veçantë në skenën politike, sepse kemi të bëjmë me një parti politike jashtëparlamentare, e cila ndonëse është formuar para një viti  ka arritur rezultate spektakulare, si në zgjedhjet lokale në tetorin e vitit të kaluar duke fituar kryeqytetin-Podgoricën e pastaj edhe presidentin e vendit duke e vulosur me fitore  si partia ma e votuar ku do të ketë edhe kryeministrin e vendit

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të cilat u mbajtën me 11 qershor, kanë marrë pjesë 15 lista zgjedhore, ndërsa të drejtën e votes prej 542.658 qytetarë e kanë shfrytëzuar 305.125 votues, ku vota të vlefshme kanë qenë 302.217. Sipas të dhënave nga KSHZ subjektët politike të cilat kanë kaluar pragun elektoral(3%) kanë arritur këto rezultate: Lëvizja Evropa tani(LET) 77.206 vota(25.55%) dhe kanë fituar 24 mandate të deputetëve, koalicioni“Së bashku“ që është udhëhequr nga DPS, 70.292 vota(23.26%), 21 deputet, koalicioni „Për të ardhmën e Malit të Zi“(ZBCG) 44.603 vota(14.76%) dhe 13 mandate, Koalicioni i Demokratëve dhe LQ“URA“ 37.777 vota(12.50%) 11 mandate, Partia Boshnjake(BS) 21.415(7.09%) 6 mandate, koalicioni SNP-DEMOS 9.465 vota(3.13%) 2 mandate, Forumi Shqiptar  5.671 vota(1.88%) 2 mandate, Aleanca Shqiptare 4520 vota(1.50%) 1 mandat dhe HGI me 2.231 vota(0.74%) 1 mandat.

Ndërsa pa status të partisë parlamentare kanë mbetur 6 parti politike të cilat kanë fituar nga 0.48% e deri në 2.9%. 

Dalje e ulët e qytetarëve

E veçanta e tyre zgjedhjeve ka të bëjë me ate se dalja e qytetarëve ka qenë e ultë me 56.4%, që është për për 20% me pak se para tre viteve. Një dalje e tillë e ulët mund të arsyetohet me faktin se qytetarët janë lodhur nga zgedhjet, sepse për dhjetë muaj kanë dalur katër herë në zgjedhje. Fjala është zgjedhjet lokale në tetor të vitit të kaluar, dy herë për zgjedhjet presidenciale(19 mars e 2 prill 2023) dhe tani në ato parlamentare.Nga ana tjetër nuk mund të menjanohet edhe motivimi për të votuar sepse nga gushti i vitit 2020 në pushtet nuk ka qenë me DPS, përkatësisht ish presidenti M.Gjukanoviqi, i cili ka qenë konkurent motivues për të marrë pjesë në zgjedhje.

Ajo qe ia vlen të cekët  në këtë fushatë zgjedhore është  se  ajo është zhvillluar kryesisht në rrjetet sociale pa tensione politike, pa mitingje të mëdha. Ishte kjo një risi qe ndodhi për të parën herë,  dëshmi se qytetarët janë lodhur me mitingje dhe retorikë duke akuzuar konkurentët politik si vite me parë.

Zgjedhjet e 11 qershorit kanë të gjashtat pas shpalljës së pavarësisë së Malit të Zi.

Fituesit dhe humbësit e zgjedhjeve

Në sajë të rezultatëve të publikuara nga KSHZ, del qartë se fitues absolut i zgjedhjeve  është Levizja Evropa Tani sepse ata si subjekt jashtëparlamentar, arriten rezulatat  spektakular  duke qenë subjekti ma i votuar me 25.6% duke fituar 24 mandate të deputetëve. Formimi  i këtij subjekti politik në gusht të vitit të kaluar, në skenën zgjedhore u paraqit në zgjedhjet lokale me 23 tetor 2022, duke arritur rezultate befasuese, duke fituar kryeqytetin-Podgoricën. Por, mbeshtetja e qytetarëve u dëshmu edhe në zgjedhjet presidenciale(19 mars e 2 prill 2023) ku kandidati i tyre J.Millatoviqi fitoi bindshëm ish presidentin M.Gjukanoviq, duke e dërguar në pension politik. Një eufori e tillë e qytetarëve vazhdoi edhe në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, duke dekompozuar skenën politike në Mal të Zi. Një nder shkaqet qe ky subjekt  politik është mbeshtetur nga qytetarët ka të bëjë deklarimet për luftimin e korrupcionit e në veçanti ne aspektin social duke premtuar se pensioni më i ultë do të jetë 450 euro, ndërsa paga minimale 700 euro dhe ajo mesatare 1000 euro! 

Nga ana tjetër fitues moral i zgjedhjeve  është Partia Boshnjake(BS) e cila nga  3 deputet e dyfishoi numrin e tyre në 6, duke dëshmuar se elektorati i tyre ma herët ka votuar partitë tjera malazeze qe llogaritën si qytetare, ndërsa tash iu kthyen subjektit të tyre  nacional.

Në këtë kategori bëjnë pjesë edhe shqiptarët, sepse arriten të kenë një deputet ma tepër se ne mandatin e kaluar, nga del se kemi pasur një homogjenizimin dhe vetëdijësim të elektoratit votues shqiptar.

Humbja tre herë radhazi e DPS-it ndikoj qe ajo të mos ketë peshën e vet të më parme, ku edhe dorëheqja e kryetarit të saj M.Gjukanoviqit nga udhëheqja e partisë, ndikoj qe edhe koalicioni DF të shpërbehët, që paraqet një moment të veçantë në skenën politike.Pikërisht janë këto subjekte politike humbësit më të mëdhënj, duke humbur numër të votuesve dhe të deputetëve.

Në  regjistrin e partive politike në këto zgjedhje ka pasur edhe  koalicione  jo parimore, qe si qellim  të vetëm kishin  për të realizuar objektivin e tyre-statusin parlamentar. Në këtë kategori kanë bërë pjesë parti të vogla të cilët pas shumë viteve duke qenë pjesë e koalicioneve me parti më të mëdha, kësaj here nuk arriten të kalojnë pragun elektoral(3%)ku duhet cekur  në veçanti PSD e cila ka qenë e pranishme tash 33 vjte në skenën politike.

Shqiptarët me dy lista zgjedhore

Ndonëse është pritur qe shqiptarët në kuadër të subjektëve politike nacionale do të dalin në 

zgjedhje me një listë zgjedhore, por një ide e tillë mbeti vetëm dëshirë, sepse nuk kishte disponim për bashkim në një listë të përbashkët.

Madje duke marrë parasysh animozitetin  dhe interesin personal e partiak  as qe është tentuar për një takim konsultativ për mundësinë e formimit të listës së përbashkët.

Diçka e tillë ka ndodhur edhe ne zgjedhjet e kaluara parlamentare(30 gusht 2020) kur në zgjedhje morën pjesë dy lista zgjedhore, Koalicioni „Lista shqiptare“(Forca dhe Alternativa Shqiptare) fitoi 6488 vota dhe Koalicioni Shqiptar “Me një za” (PD,UDSH,LDMZ) me 4678, që fituan nga një deputet. 

Tre deputet shqiptar

Edhe kësaj herë   në garë ishin dy lista zgjedhore: Forumi Shqiptar(ASH,LDSH,UNSH)  që fituan  5671 vota(1.88%)  dhe 2 mandate  dhe Aleanca Shqiptare(Forca,PD,LDMZ, Lista për Tuzin), ku fituan  4520 vota  dhe 1 deputet. 

Sipas komunave të banuara me  shqiptarë këto dy lista kanë fituar këto vota: Forumi Shqiptar 4346 vota(Tuz 2966,Ulqin 641,Tivar 132,Guci 322,Plavë 165, Rozhajë 120) ndërsa Aleanca Shqiptare(Ulqin 3663, Tivar 252, Tuz 278, Guci 116, Plavë 10, Rozhajë 16).

Në komunat tjera Forumi Shqiptar ka fituar ma shumë vota si në Podgoricë,Nikshiq,H,Novi       etj., ndërsa Aleanca Shqiptare më pak që dëshmohet nga numri i përgjithshëm i votave.

Cekim me këtë rast se Forumi Shqiptar arriti të marrë sasinë e duhur të votave të nevojshme nga Aleanca Shqiptare për mandatin e dytë  qe mundësohet nga ligji zgjedhor, që së bashku janë tre deputet, duke qenë një arritje e shqiptarëve në këto   zgjedhjeve.

Cekim me ketë rast se në parlamentin e Malit të Zi, do të jenë edhe 2 deputet shqiptarë  nga lista e DPS-it.

Duhet qeveri stabile

Duke marrë parasysh se nga viti 2020, kemi pasur pushtet jo stabil, madje edhe me qeveri me humbje të votbesimit, mbetet të shohim se a do të kemi qeveri stabile, sepse që të jetë e tillë, për miratimin e vendimeve dhe ligjeve duhet të sigurojë  dy të tretat e deputetëve. Se a do t´ia arrijë qellimit mbetet të shohim sepse për formimin e qeverisë ka kombinime të ndryshme.

A do të jenë shqiptarët pjesë e qeverisë

Pjesëmarrja në Qeveri varët  nga gadishmëria e mandatarit për kryeministër  qe edhe pakicat të jenë pjesë e pushtetit ekzekutiv.Nga viti 1998 -2020 shqiptarët kanë qenë pjesë e qeverisë, ndërsa nga zgjedhjet e gushtit 2020, ata mbetën jashtë, ndërsa pas ndryshimit të kësaj qeverie,  nga viti 2022, ku kryeministër u  zgjodh D.Abazoviqi, ata u bënë pjesë e saj. Ne  këtë periudhë kohore  shqiptarët u përfaqësuan me tepër se asnjëherë deri më tash, në qeveri si  ne minsitri e dikastër të ndryshëm. Por, si do të jetë situata tash pas zgjedjeve të 11 qershorit mbetët të shohim edhe pse të gjithë deklarohen se pjesë e qeverisë se re do të jenë e dhe pjesëtarët e popujve pakicë ku llogaritën edhe shqptarët.

(Qershor 2023) 

Filed Under: Reportazh Tagged With: Nail Draga

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 75
  • 76
  • 77
  • 78
  • 79
  • …
  • 173
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT