Nga : Ndue BACAJ
HYRJE
Lufta e Koplikut “zyrtarisht” ka si datë fillimi, ditën e 27 korrikut të vitit 1920 dhe si datë perfundimi 14 shkurtin e vitit 1921. 1. Kjo luftë do të kishte “bekimin” dhe ndihmën e Qeverisë Shqiptare të dalur nga Kongresi historik i Lushnjës , gjë që e bënë këtë luftë mbrojtëse të parën të drejtuar nga një Qeveri Kombetare, pas 441 viteve (nga viti 1479)… Lufta e Koplikut është vijim i luftrave mbrojtëse të trojeve shqiptare nga lakmitë e fqinjëve shoven serbo-malazezë, si dhe vijim i disa provokacioneve dhe intervenimeve ushtarake të ushtrive shovene serbo-malazeze , në trojet shqiptare (të Malësisë së Madhe, Shkodrës etjerë…). Vlenë të cilësohet se përpara fillimit të luftës, ushtria serbo-malazez duke “shfrytëzuar” edhe ditën e festës të Krishtlindjes me “armën” e tyre “diplomatike”, pabesinë, mashtrimin e tradhtinë arriti që me daten 25 dhjetor 1919 të hynte në Hot, dhe nga familjet hotjane që i konsideronin si pengesat kryesore në arritjen e qellimeve të tyre shovene, të marrin peng qindra hotjanë. Dhjetra nga këta do ti ekzekutonin me 26 dhjetor 1919 në Qytezen e Hotit (në Drume të Borës), ndërsa qindra të tjerët, të lidhur duarsh do t’i dergonte në hapsanën e Podgoricës, ku shkjau u kishte “menduar” një vdekje më të ngadaltë, por më të mundimshme. Gjithashtu serbo-malazezët për të realizuar qellimet e tyre shovene ndaj trojeve shqiptare të Malësisë, Shkodres e më gjërë do të shfrytezonin edhe pazardhëqet dhe mjegullen që kishte shpërndarë Konferenca e Paqës në Paris…
HISTORI NGA LUFTA…
Me 27 korrik, rreth tre batalione të ushtrisë jugosllave të ndjekur edhe nga mercenarët shqiptarë iu drejtuan Kastratit. Pas luftimesh të ashpra në kufi, ata mundën ta pushtojnë Kastratin, të ndihmuar edhe nga formacionet serbe dhe të artilerisë të vendosur prej kohësh në Tarabosh. Këto luftime mbrenda tre katër orësh, kanë lënë ndërkaq sinjalet e kushtrimit në Shkodër e rrethina. Qytetin e ka pushtuar gjallëria e zakonshme dhe qindra vullnetarë u janë drejtuar postave të xhandarmërisë, duke u armatosur.”Vullnetarët shqiptarë nga Shkodra e rrethinat nga rendin drejt fushës së Shtojit të gatshëm për t’u nisur sa më shpejt në front”. 1. Për hirë të vertetes duhet thënë se konflikti i armatosur në mes shovenëve fqinjë dhe mbrojtësve shqiptar kishte filluar (jo në front të gjërë), që një ditë më parë (me 26 korrik), konflikt që u karakterizua nga sulme e terheqja të një pasnjëshme nga të dyja palët, 2. për të rifilluar lufta frontale me 27 korrik (1920). Ushtria serbo-malazeze ishte e pajisur me armë modern të kohës , kryesisht franceze , si topa e mitroloza. Sulmi tjetër i ushtrisë Jugosllave shënon datën 29 korrik , kur goditen me artileri në Qafë të Malthit, sulm që u përsërit më me forcë me 30 korrik në Qafë të Malthit e në Bratosh (Katund të Kastratit). 3. Megjithë numrin më të vogël të xhandarmerisë dhe vullnetarëve që ndodheshin në Kastrat , ata bënë një qendresë heroike për disa orë. Por duke dashur që të zgjidhin konfliktin në rrugë paqësore , sipas porosisë qeveritare , forcat mbrojtëse shqiptare pushuan luftimet dhe nisen një komision të perbërë nga tre shkodranë: Xhemal Bushati , Maliq Sokoli dhe Shuk Gurakuqi të cilët shkuan me urgjencë te komandanti i forcave jugosllave , duke e njoftuar për ndalimin e luftimeve nga ana shqiptare dhe zotimin për të dënuar ata që do të guxonin ta prishnin.4. Megjithë angazhimin e shqiptarëve per armëpushim , forcat serbo-malazeze vijuan luftën kunder forcave shqiptare, duke shtuar intensitetin e sulmit, nga ku arritën të pushtonin (përrsëri N.B.) Kastratin 5. , duke u riorganizuar për të mësyrë në drejtim të Shkodres. 6. Me këtë “rast” menduam të cilësojmë disa nga emrat e atyre kastratasve që u shquan në këtë fillim lufte, dhe më vonë gjatë betejave do të jepnin jetën: Nderkë Kaçeli, Gjeto Dedë Marku, Lekë Pjetri, Mark Hys Kalaj, Prelë Mark Vuksanaj, Vocë Keqi, Zef Nikë Lumaj, Nikollë Dedë Lulashi e tjerë. Për këto sulme shoviniste të ushtrisë jugosllave, Princi regjent i mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene (ku bënte pjesë Mali i Zi pa emër) , do t’i konfirmonte atasheut ushtarak anglez në Beograd , se forcat e tyre ushtarake kishin pushtuar vijën e lartësive në veri të liqeniit të Shkodrës rreth 15 km , në lindje të kufirit të 1913-ës. 7. Ky konfirmim tregonte qartë qellimet pushtuese e aneksioniste të Jugosllavisë. Ky pushtim i trojeve shqiptare do të mobilizonte vullnetarisht , malësorë e shkodranë. Zyra e krahinarit të Shkrelit në kufi me Kastratin, do të kërkonte sa më shpejt fishekë e ushtarë. 8. Vlenë të shenohet se me 29 korrik në Shkodër ishte organizuar një takim i madh… takim i drejtuar nga Ahmet Zogu, me qellim shmangien e rrezikut që i vinte krahinës e qytetit të Shkodres nga avancimi i pushtimit të trojeve shqiptare të Malësisë nga ushtria shovene jugosllave… Mbledhja u bë nën “moton” e kushtrimit “Serbët ia bëhën në Koplik”. Revista “Agimi” do ta pershkruente kushtrimin si vijon: “ Serbët ia behën në Koplik” , ishte fjala e mbrame , qi si nji rrfe kumbuese në vesh të Shkodranit ditën e parë të gushtit. Lajmi shungulloi e mori dhenë e kushtrimi u dha and e kand ndër fusha e male. Burra të pjekun, djelm të ri , musliman e të krishtenë , si të bijët e thjeshtë të një race , vllazën të nji gjaku , të nji fisi, të nji votre e të nji zjermi , shqyptarët kurdoherë , ma tepër se shyptarë përpara të shejtit Atdhe , me vrap me guxim mbyllen dugajë e zyra , lane ç’do punë e sherbim e menjëherë rrokën armët , tue pasë zjermin në gji e uzdajën në zemër. Burra e djelmë , sot o kurr… Shka asht mashkull nuk shifet ma në shtëpi, po grumbullohej jashtë në potologun e trimnisë , në fushë të nderit…” 9. I pranishëm në këtë organizim ka qenë perfaqesues i Qeverisë Shqiptare Ahmet Zogu (Ministër I Brendshëm) , i cili kishte ardhur në Shkodër për të organizuar e drejtuar mbrojtjen , në emrin e Qeverisë me kryeministër Sulejman Delvinën. Me 30 korrik në qytet u dha kushtrimi. Vetë Sylço Begu doli lagje më lagje me rekrutua vullnetarë “Nji pushkë për shtëpi”. U mbyllë pazari. Si në qytet dhe në fshat filloi organizimi i formacioneve vullnetare , gatishmeria e popullit qe e plotë dhe e menjëhershme. Agjentura serbe , bani ç’bani për me përhapë panik e mosbesim në masen qytetare, por zanet e elementëve të gënjyem u mbytën nga vendosmeria e përgjithshme. Vet Sylço Begu iu kërcënua me masa ekstreme një kushrini të tij , që shfaqi shenja hezitimesh e perpjekje justifikimi. Kështu me 01 gusht (1920) , paradreke u nis formacioni i parë me 500 vullnetarë nga qyteti. Me ta u bashkuen edhe malësorët e Mbishkodrës si dhe emigrantët podgoriçanë. Ushtria zuri vend perkatësisht në Vrakë. Edhe shtabi zuri vend në Vrakë. Perveç Sylço Begut e Rexhep Shalës në shtab ishin të pranishëm edhe Maliq Bushati , Muharrem Kazazi , Shuk Gurakuqi , Oso b. Kopliku , Can Mema. Kur shtabi u vendos , më vonë , në një han në Çesme të Koplikut qe i pranishëm edhe majori i xhandarmërisë Malo b. Bushati (Melgusha). Shtabi do të ndihmohej vazhdimisht në punën e tij nga prania e Ahmet Zogut , Bajram Currit , Mustafa Krujës dhe korrierve. 10. Interesant më duket edhe pershkrimi i një autor tjetër Shkodran, i cili perveçse jep shifra më të mëdhaja të vullnetarëve, shkruan edhe për një perpjekje me armë në Vrakë në mes forcave vullnetare shqiptare dhe pararojës së ushtrisë serbo-malazeze. Nga ky autor citoj: “Sipas planit , fuqitë vullnetare të qytetit numronin rreth 800 veta , që marshuan nga fusha e Shtojit në drejtim të Vrakës. Kësaj forcë vullnetare do ti bashkoheshin edhe 700-800 malësorë , numri i të cilëve rritej gjithnjë… Komandant i pergjithshëm i ushtrisë vullnetare u zgjodh Sylçe Bushati… Në Vrakë u ndeshën me pararojen e ushtrisë armike, të cilët kishin arritur deri këtu “tue djegë e tue grabitë”. Kjo ndodhi me 01 gusht. Mbas përpjekjeve në Vrakë , armiku u terhoq në Koplik. Vraka ka qenë pika më e perparuar në drejtim të Shkodrës , ku mund të arrinin forcat invaduese”. 11. Ndersa një autor malësor (Gjon Zeka) që e ka perjetuar këtë luftë , ndonse fëmij siç thotë ai, e pershkruan marshimin dhe ndeshjen e vullnetarëve shqiptarë me forcat serbo-malazeze në Vrakë (në një ”libërth” të tij në vitin 1932) , kështu : “Rrugës çetat shqiptare ndeshën së parit në tre malazez pak përtej Vrakës , të cilët u vunë me qindrue , por pushka e shqiptarit i shtrini për tokë , tue lanë trupin e tyne pa vorrue për tri ditë si shembull për tjerë , që ushqejshin ndjesi sllave , e këto ndjesi u mundojshin me i zblue nepërmjet sa “kryengritjesh” e gjaqesh që banë. Vraka (e ka fjalën për malazezët-sllavë me banim në Vrakë N.B.), që ishin me shpirt kah ana e anmikut , me të shpejtë çojnë njerzë me u diftue serbëve , planet e luftës dhe sasinë e ushtrive shqiptarëve. Për këtë punë u kujtuan shpejt shqiptarët dhe mblodhen Vrakën tue i marrë ka pesë rob për lagje , si nji peng deri mbas luftës , e se vrakaçorët nuk kishin për t’i u ndihmua anmiqëve të vendit tonë”.12. Forcat vullnetare shqiptare luftëtare, sipas disa kronikave të kohës (në fillim) përbëheshin nga rreth 2200 veta, të ndarë në tre kolona. Kolona e parë përbëhej nga forcat e ardhura nga Gruda, Hoti, Postriba e tjerë, me në krye Deli Metën e Adem Haxhinë, Luc Nishin e Vat Marashin e cila kishte për detyrë të marshonte nga fshatrat Gruemirë-Grizhë e në vazhdim rrëzë maleve. Kolona e dytë, krahu i majtë ishte ajo që veprimet luftarake do t’i kryente nën rrugën kryesore Shkodër-Hani i Hotit, afër bregut të Liqenit të Shkodrës, e këto forca përbëheshin nga vullnetarë kosovarë e malësorë prej Kastratit (ata që kishin mundur të largoheshin para se të pushtohej Kastrati) shkoi buzë liqenit. Keto forca komandoheshin prej Hamit Gjylbegut e Hasan Ferrit. Fuqia kryesore me vullnetarë prej qytetit e një grupi xhandarësh , vazhdoi si kolona e qëndrës duke ndjekur rrugën automobilistike Shkodër -Hani i Hotit.13. Ndersa një autor që e sipërcitova (Gj.Zeka) “shton” në librin e tij kur shkruan: Djelt e Shkodrës , Kosovës e Kastratit nisen për buzë Ujit nën kryesimin e Zef Serreqit , Hamit Gjylbegut të Qerim beg Pejës e të Mirash Gjeloshit… Ishmi, Shijaku e sa shkodranë nën kryesi të Ramadan Jellës e të Muharrem Kazazit…14. Forcat e qendrës i drejtonte oficeri Taip Shkodra. Në krye të qendrës ishte batalioni shtitës nën komandën e Hasan Bushatit dhe një kompani xhandarësh nën komandën e Ibrahim Mandiqit. Një detshment rezervë mbahej pranë shtabit. Në krahun e djathtë luajtën rol të ndjeshëm vullnetarët nga Rrjolli e Gruemira me Bajram Hysenin dhe ata të Postribës me Adem Haxhinë….Forcat e kolonës së qendres ngadalsuan manovren dhe në Koplik Sipërm arritën me vonesë , sepse në Demiraj-Grizhe u ndaluan afër urës së Rrjollit tue dyshua në ndonjë pusi tjetër të anmikut. Pararoja e kolonës (së qendrës) posa e pat pësue nga një llogaritje e gabueme e raportit të forcave, rrjellim i informatave jo të sakta dhe të vetbesimit të tepruem; ajo ndërmori një aksion sulmi të shpejtë tue shpresue tek elementi i befasimit, por rezultati qe krejt negativ. Në ketë rast sulmuesit tonë mbeten të rrethuem dhe krahas humbjeve në njerzë e matriale , lanë robë në duart e anmikut një togë gjashtë vetash me oficerin , Ibrahim Mandiqin në krye (të vetmit robë gjatë krejt luftimeve). 15. Në ora 21.00 të mbëmjes kolona e qëndres arriti në afërsi të fshatit Çesme-Koplik (15 km larg nga Shkodra), ku ndeshen në ushtrinë Jugosllave … Ndërkaq kolonat e krahëve shkuan përpara, krahu i djathtë nga Ktoshi-Grizhe, po u afrohej kodrave të Koplikut, gjithnjë nga e djathta. Kaluan shenat e Banushit e kapërcyen mbi sukat e Koplikut, të cilat u çliruan nga hotjanët me në krye Deli Meten e Lucë Nishin (kjo ngjau në mesnatë). Këtu forcat vullnetare patën dëme nga mitrolozat e armikut, që qendronin në pozitat mbizotruese të kodrave të Koplikut. Krahët po rrethonin ushtrinë invaduese , mirpo “hezitimi” e ndali perkohësisht marshimin e mëtejshëm të tyre. Në këto kushte dy krahët u lidhën njëri me tjetrin. Kështu u sigurua lidhja duke plotësuar boshllëkun, që krijoi ngurimi i qendrës. 16. Vlenë të shenohet se në këtë betejë, hotjanët të primun nga flamurtari Deli Meta, treguan trimërinë e tyre të palëkundur , perballë ushtrisë serbo-malazeze, Disa nga këta trima të shquar ishin: Lukë Nikë Pllumi , Kolë Marash Luku , Milan Mustafa, Pjetër Kolë Ujka , Lucë Lekë Gjeloshi , Nikë Pretashi e tjerë që ndër betejat e luftës Koplikut , nuk do të kursenin as jetën. Manovrimi i shpejtë e i guximshëm (i hotjanëve e tjerë) i dha mundësi kolonës mesme që të nesermen me 2 gusht , të arrinte në fshatin Koplik i Sipërm , me që forcat jugosllave ishin tërhequr. Gabimi e ngurimi i qendrës dëmtoi suksesin e plotë të planit. Kjo i dha mundësi komandës armike të largohej, se përndryshe do të zihej ashtu si u zu kampi i saj. Vullnetarët shkodranë qendruan në fshatin Koplik i Sipërm rreth një jave. Qeveria shqiptare ngulmonte për ta zgjidhur problemin në fushën diplomatike e ndërkohë , për tu pergatitur për sulmin vendimtar , me të cilin do të dëboheshin përfundimisht jugosllavët përtej kufirit. 17. Ahmet Zogu me 3 gusht 1920 kryeson mbledhjen e ushtrive (kupto shtabit N.B.), mbas vedit kishte marrë Musa Juken-kryetar i Bashkisë Shkodër , Sylço Begun e Shuk Serreqin, dhe të tjerë pari Shkodre. Nisin m’u mbledhë ushtritë, mbas zanit të burijavet ushton toka për në kambë të tyne , nji zhurmë e madhe mbretnon n’atë fushë deri sa fëtyra e Ahmet Zogut , “armatosun” ma së mirit qetson luftëtarët e merr e u flet: “Sot , vllazen të dashtun , asht koha me i lanë m’njanë të gjitha kujdeset e çka do të keni ma të pëzemert. Mendjet e fuqitë tuaja tash do të perpiqen për lirinë e Kombit tonë : qe se koha po avitet në logun e luftës , edhe pak çaste kemi për të dalë e vetë ma i pari kam m’u turr n’anmik”. 18. Ky citim i më sipërm më solli në kujtesë një thenie të babës tim, të fillimit të viteve shtatëdhjetë te shekullit njëzetë , që sa herë sillej biseda rreth kësaj lufte , ai thoshte se në frontin e luftës në Koplik (Çesme) kishte ardhur me një veturë Ahmet Zogu (së bashku me Bajram beg Currin ) , dhe me vrull kishte dalë nga vetura , duke hequr xhaketën e thënë: “Se kush është shqiptar i vertet mbas mejet për shkuar në front të luftës”. Ndersa ata burra që kishin ndodhur aty e kishin ndaluar duke i thënë , se jo ju nuk duhet të shkoni si ushtarë në frontin e luftës , se ju na duheni si drejtues e udhëheqës , por atje po shkojmë ne… Me siguri ky moment ka qenë simbolik e nxitës per të prekur në sedër ata shqiptarë që hezitonin disi të luftonin… (Babai im Llesh Nikollë Baci-Curraj në kohen e luftës Koplikut, ka qenë femijë, por siç thonë, fëmija mban mend shumë). M 3 gusht , në mbrëmje jugosllavët bënë perpjekje për të sulmuar , po sulmi i tyre u thye, vullnetarët shqiptarë kalun me kundërsulm Prroin e Thatë… në anën e djathtë të tij duke i marrë dy mitroloza. 19. Çetat vullnetare tashma i ishin afruar Shkrelit. Në tri ditë e para të luftimeve (1, 2 dhe 3 gusht), kishin rënë duke luftuar kundër ushtrisë serbo-malazeze 10 vullnetarë, ndërsa raportohej se kishin mbetur të plagosur 21 të tjerë. Të rënët shqiptarë në luftë shenohet se kishin qenë nga qyteti i Shkodres dhe malësorë: Mustafa Alivoda-mullis nga Shkodra , Ali Rexhep Spahija -dyqanxhi nga qyteti , Can Osmani e Zeqir Beqja nga Ura e Shtrenjtë (Postribë), Oso Meta nga Rrjolli , Lukë Nika , Zef Prela , Kolë Nika , Prekë Dashi e Kolë Dushi nga Hoti. 20. Vullnetarë shqiptarë humbjet më të mëdha i kishin pasur kur muarën kodrat e Koplikut.. Jugosllavët në dhjetëditëshin e parë të luftës , shënohet se kanë pasur 300 të vrarë e të plagosur. 21.
Nga një dokument i kohes mesohet lista e ushtrisë vullnetare të organizuar , Malësi e Madhe -Shkodër, si vijon: Rapsha e Hotit 120, Traboini 103, Gruda 32, Kastrati 307, Shkreli 148, Rrjolli 113, Buza e Ujit 34, Reçi e Lohja 132, Drishti 76, Boksi 76, Suma 32, Kosova 160, Grizha 76, Kopliku 30, Sheldia 24, Shllak e Temal 90, Jubani 15, Xhandarë të HB (Hasan Bushatit)130, Parruca 36, Perashi i Vogël 22, Dudasi 10, Rus i Vogël HM 29, Rus i Madh 18 , Rush i Vogël (S) 58, Rus i Vogël (N) 63, Qafa 10, Tophana 35, Ndocej 23, Rus i Madh (përsëri) 52, Bahçallek 10, Katolikët e Shkodrës 72, Hylli i kuq 6, Xhibali 1568 vullnetarë. Veç këtyre marrin bukë edhe të tjerë , që janë në sherbim të Intendancës. 22. Ndersa Kelmendi me në krye Prekë Calin ishte pozicionua në mbrojtje të trojeve të veta nga sulmet (më shumë tinzare) të çetave kryesisht malazeze që prej kohës kërkonin të pakten të bënin të tyre Vermoshin… Në këtë kohë të rinjët Shkodran (muslimanë e katolikë)…. krijuan grupin e Çiklisteve –Korierëve. Ku u dalluan Simon Rranxi ,Muhamet Haxhia , Loro Nika , Qazim Mesi , Kolë Çuni e tjer. Ndihmë të madhe dha mbrapavija . Musa Juka si kryetar bashkie u dallua për organizimin e mirë e serioz të furnizimit të frontit me ushqime e ujë (me karroca)… Doktor Sadetini themeloi shoqaten “Hylli i Kuq” , për të ndihmuar të plagosurit. Ahmet Zogu, së bashku me patriotin e njohur Bajram Currin, që ditet e para të muajit gusht do të vinte pranë shtabit të mbrojtjes të vendosur në Çesme të Koplikut , në shtëpi (diku shenohet han) te Zef Lucë Mullisit… Me Ahmet Zogun, kur kishte ardhur pranë shtabit , në Çesme të Koplikut u bënë edhe fotografi. 23. Që me 01 gusht me porosi të Ahmet Zogut, pranë bashkisë Shkodër ishte krijua komisioni Përkujdestar i Ushtrive Vullnetare , i cili do të lunate rol të rëndësishëm në furnizimin e frontit të luftës. Komisioni përbëhej prej 7 vetash : Musa Juka – kryetar i bashkisë , Ndrekë Vogli- nënkryetar i bashkisë , Jonus Repishti , Elez Sokoli , Kolë Çoba , Lec Boriçi e Loro Pistulli. 24. Me shtimin e numrit të vullnetarëve komisioni do të zmadhohej e të kthehej në një intendencë me përbërje: Musa Juka , Pjetër Kola , Elez Sokoli , Jonus Repsishti , Patuk Saraçi , Het Gjyrezi , Zenel Mandiqi , Kolë Gjinaj e Halit Rroji. 25. Komisioni Përkujdestar i ushtrive vullnetare pati pranë tij një grup me qytetarë shkodranë e nga fshatrat e Bregut të Bunës , të cilët , fshehurazi permes ushtarëve jugosllav kalonin kufirin në bregdetin jugosllav e blinin fishekë austriakë. Në punën e tyre ndihmoheshin nga popullata shqiptare e Ulqinit , Tivarit, Krajës. Me trastet e ngarkuara me fishekë, përmes zonave të armikut ktheheshin në Shkodër. 26. (Në dokumentin e mësipërm të vullnetarëve nuk janë të shënuara forcat vullnetare nga Kopliku i Siperm , Bogiq , Palvar e Dobre , të cilat sipas trashigimisë gojore përbëheshin nga 98 vullnetarë , dhe mendoj se bëjnë pjesë te “shënimi” i dokumentëve të tjerë, ndërsa nga Kopliku Qëndër shënohen 30 vullnetar). Siç shihet nga lista e më sipërme , shumica e forcave vullnetare në vijen e parë të frontit kundër ushtrisë pushtuese Jugosllave (në fakt serbo-malazeze) ishin nga Malësia , madje edhe nga ato troje që nga viti 1913 i kishte aneksuar Mali i Zi. Duke pasur parasyshë se shumica e forcave vullnetare të Malësisë, ishin rrjeshtuar në formacionet e ushtrisë mbrojtëse shqiptare me rrobat e tyre civile , do të kerkohej që keto forca të veshen me rrobat e ushtrisë shqiptare. Këtë e tregon një dokument i asaj kohe nga i cili kërkonte: “Për nevoja t’ushtarëve (kupto vullnetarëve N.B.) , të Hotit , të Grudës , të Kastratit , të cilë gjenden në front e janë pa veshë, lypen 280 palë pantollona , 280 palë këmisha e të paana, 60 tabare e disa copa batanije.” 27. Forcave mbrojtese të Malesisë u prinin : Deli Meta , Luc Nishi, Zef Prel Martini, Palok Traboini, Tom Nikollë Hasanaj , Kolë Maçi–Hot , Gjokë Dodë Preçi , Gjelosh Gjoka , Gjeto Daka , Dedush Marashi –Kastrat , Prekë Cali-Kelmend, Zef Martin Ivezaj dhe Prekë Dedë Gjolaj-Grud , Pretash Zeku Ulaj-Kojë, Vatë Marashi (Vrith) e Kanto Marashi (Zagore)–Shkrel , Nuz Sokol Bajraktari , Tomë Kolnikaj , Keq Sadik Balaj – Reç , Zekë Ujka (Dodç), Bajram Hyseni (Linaj) , Bisho Abdyl Sulaj – Gruemire, Islam Hajdari (Leporosh), Oso Met Beqiraj (Egç-Rrjoll) , Sylo Kurt Selmani (Burgaj-Rrjoll) Selman Bajram Ramcaj (Gruemirë-Çesme) , Smajl Delia e Tomë Dedë Sina –Lohe Siperme, Tafil Bejtja e Qerim Zymeri Kopliki Siperm , Mustaf Bishi -Lohe e Poshtme, ndërsa Kelmendit i printe “piramida” e gjallë me ne krye Prek Calin me shokët e tij të atdhetarisë Gjon Ucë Bajraktarin , Ucë Turkun, Lucë Mark Gjeloshin, Mark Tomë Pllumajn, Fran Bracaj , Tomë Bikaj, Mirash Gjoken , e tjerë , që qendronin në mbrojtje të trojeve te veta nga sulmet e herë-pas-hershme të serbo-malazezeve. Ndersa Shkodres me rrethina u prinin : Sylço beg Bushati, Zef Serreqi , Hamit Gjylbegu , Adem Haxhia e Can Osmani (Postribe) ,Vat Sokoli (Shalë) , Shuk Gurakuqi , Shan Deda, Muharrem Kazazi, Zef Serreqi , Qamil Kadri Boksi , Dyl Grizha , Maliq Bushati , Maliq Sokoli , Nokë Gjeloshi , Rasim Gjyrezi , Taip Shkodra , Rexhep Shala , Man Hoti , Dom Loro Caka , Xhemal Bushati , Pater Ciril Cani , Oso B. Kopliku , 28. e tjer… Ndersa gatishmerinë e malësorve , shkodranëve e më gjërë në mbrojtje të trojeve tona e shprehin mrekullisht vargjet lapidare të poezisë “Nëna Shqyptare” te shkruar me 01 gusht (1920) ,ku nder te tjera citoj :
“E po ngas ,po si vetima / Ku rreh topi e rreh martina .
Ku luftojne vllaznit e mi / Per liri t’bukres Shqypni ….
Edhe thirri me fuqi:/ Lamtumirë , shpi e bagëti ,
Lamtumirë , o male t’mia , Se me vdekë sot m’thërret Shqipnia”. 29.
Betejat mbrojtëse të shqiptarëve, në luftën mbrojtëse kundër ushtrisë shovene serbo-malazeze vazhduan deri me 14 shkurt 1921, kur ushtria shovene serbo-malazeze u detyrua të tërhiqet në kufirin e vittit 1913.. Nga këto beteja, në këtë kujtesë mendova të “veçoj” betejen luftarake të dates 20 shtator 1920, ku trimi hotjan Zef Prelë Martini, i plagosur gjatë luftimeve detyrohet të “ngujohet” në Llazan në shtepinë e Lush Pepë Smakajt (me origjinë nga fisi Ivezaj të Grudës), i cili pa hezitim , siç e kanë pasur traditë malësorët ja lënë Zefit shtepinë e tij për ta kthyer në një kullë baroti që do ti ngjante asaj të Oso Kukës në Vraninë të shek.XIX. Nga kjo shtepi-kullë, Zef Prelë Martini i rrethuar, do të luftonte trimërisht e heroikisht për orë të tëra kundër ushtrisë serbo-malazeze , duke vrarë katër ushtarë e një oficer armiqë e plagosur të tjerë. Për të kapur të gjallë Zef Prelë Martinin e plagosur, serbo-malazezët përdorin dredhinë e një majori shqiptar , shrbëtor në ushtrinë serbo-malazeze, ku pas dorzimit në besë të pabesëve, ata e vrasin në Badër të Mehajve-Kopli, aty ku edhe sot ka një memorial në formen e një lapidarit të vogël. Prej kohësh data 20 shtator është miratuar nga pushteti Lokal e më gjërë, për të përkujtuar e nderuar luftën e Koplikut….
Në keto shënime- kujtese për Luftën e Koplikut 1920, unë nuk po mund të lë pa cilësuar se barren kryesore të kësaj lufte e mbajti Malësia e Madhe , jo vetëm se fronti kryesor i luftës kundër shovenëve serbo-malazez ishte në trojet e Malësisë, por edhe si vijim i traditës shekullore në mbrojtje të trojeve shqiptare. Në frontin më të vështirë të kësaj lufte qëndronte Hoti , Kastrati dhe e gjithë Malësia e më gjërë. Në këtë luftë dhanë jetën 77 dëshmorë (të evidentuar nga unë, mundet të jenë edhe më shumë) nga të cilët 62 nga Malësia e Madhe me Rranxat e saja , 14 nga Shkodra e Postriba dhe 1 nga Dukagjini, si dhe u plagosen dhjetra malësorë , shkodranë e tjerë… 40 të rënëve të kësaj lufte u është dhënë titulli dëshmorë i Atdheut gjatë viteve 1989-1990 , ndersa 37 të rënëve të tjerë pritet tu jepet …
V00: Me rastin e 100 vjetorit të kësaj lufte mbrojtëse, unë kam botuar Librin me titill “Lufta e Koplikt 1920 dhe ngjarjet që i paraprijnë”, një libër me rreth 200 faqe të bazuar në 344 referenca… Në liber janë “memorizua”, dhjetra beteja luftarake dhe diplomatike, si dhe emrat e shumë trimave luftëtar e veçanarisht të atyre që dhanë jeten në këtë luftë.
REFERENCAT:
1.http://www.lajmishqip.com/?p=15859, Eugen Shehu, po aty, Arkivi Qendror i Shtetit-Tiranë.Fondi Komiteti i Kosovës, dosja 14 , dokumenti 707.
2.Mentor Quku , Lufta e Koplikut 1920, kumtesa e referate, fq.40 , Botime Camaj-Pipa , Shkodër 2010.
3.AQSH, F.nr. 252, viti 1920, dosja 115, njoftim i zyrës së krahinarit të Shkrelit në Katund të Kastratit, dt.30.7.1920.
4.AQSH,F.nr.646 , dosja 22 , viti 1920 , letër për kryeministrin nga Shkodra.
5.AQSH,F.nr.260,, dosja nr.18 , viti 1920….
6.Revista “Agimi” , nr.5,fq.76, shtator 1920.
7.Xhevat Repishti , Lufta për mbrojtjen e Shkodrës në vitet 1919-1920 , fq.197 , sh.b “Camaj Pipa” , 1998. dokument i cituar.
8.AQSH, F.nr. 252, viti 1920, dosja 115, letër e zyrës së krahinarisë së Shkrelit…dt.30.7.1920.
9.Rev. “Agimi” , nr.5, fq.75-76 , viti 1920.
10.Hamdi Bushati , Shkodra dhe Motet ,vll.I. fq.472, Shkodër 1998.
11.Xhevat Repishti , po aty, fq.205-206.
12.Gjon Zeka , Nëpër Lufta në Liri ; Kopliku në vitin 1920-1921, fq.28 , Shtypshkronja “Nikaj”, Tiranë 1932.
13.Xhevat Repishti , po aty fq.206-208 , dokument i cituar, Gjon Zeka , po aty , fq.29.
14.Gjon Zeka , po aty, fq.29.
15.Hamdi Bushati , po aty , fq.473-474.
16.Xhevat Repishti , po aty ,fq.209 , shenime mbi luftën e Koplikut , të mbledhura nga autori Xh.R. prej pjesmarrësve në luftë , fleta 2-3 të dhëna nga Hamit Gjylbegu , mars 1970.
17.Xhevat Repishti , po aty ,fq.209-210.
18.Gjon Zeka , po aty, fq.29.
19.AQSH f.n. 252 , viti 1920, dosja nr.115, , dok.nr.38, fq.34, tel. nga Shkodra , date 04 gusht 1920.
20.AQSH,F.n.260, viti 1920, dosja nr.18 , dok. Nr.800100, date 05.08.1920, Revista “Agimi”, nr.5, fq.80 , viti 1920.
21.Gazeta “Populli”, nr.73 , date 14 gusht 1920.
22.AQSH f.n.260,viti 1920,dosje nr.26 dt.13.8.1920, leter e intendancës Koplik , komandës të trupave vullnetare ,Çesme-Koplik.
23.Hamdi Bushati , Shkodra dhe Motet vll.I , traditë , ngjarje njerëz, fq.472-473, Shkodër 1998.
24.AQSH,F.n.646, viti 1920 ,dosja nr.120, shkresë e Përlimitares (bashkisë) Shkodrës , nr.7607 /1 , dt.01.08.1920.
25.AQSH,F.n.646, viti 1920…., shkresë nr.7607/2 , derguar Musa Juka Ahmet Zogut me dt.06.08.1920.
26.Xhevat Repishti , po aty, fq.224 , shenime mbi luftën e Koplikut , të dhëna të mbledhura nga ne,fleta 20, kujtime të Ibrahim Krajës, pjesmarrës në luftë.
27.AQSH, F,nr.646 , dosja nr.32, viti 1920, shkresë e komisionit përkujdestar, derguar intendancës.
28.Revista “Nëna Shqyptare”, nr.2 ,viti 1920.
29.Revista “Nëna Shqyptare”, nr.2 ,viti 1920.