Nga Keze Kozeta Zylo/
Kishim kohë që mendonim si TV “Alba Life” të shkonim për të provuar një gotë verë në Verarinë“Aquila’s Nest” Vineyards, Connecticut.
Gjithë udha ishte me një natyrë magjike, pemët me gjethet e gjelbërta që tundeshin lehtaz nga një fllad amerike, fëshfërinin një muzikë të embel dhe të çonin për në vreshtat e mbjella.
U ndalëm përpara një vreshte ngarkuar plot me rrush të kuq që ishin gati për të vjelë. Sa filloi vjeshta dhe prodhimi do vjelë. Çfarë pamje, çfarë nostalgjie ishte përpara syve tanë, kujtoja vreshtat plot, dikur në Mezhgoranin tim dhe Arrëz të Madhe, Tepelenë. Befasuese ishin që të gjithë vilet e rrushit të mbeshtjella si me napë, ku mësuam prej pronarëve se i kishin vendosur për të mos i çukitur zogjtë…
Hyrja për në Verari të mrekullonte, ngjyrat ndezëse të çadrave mbi karriget, pemët në sfond që dukeshin si një mal i lartë, disa shiltѐ të shtruara në tokë doemos të jepnin strofat e shtruara dikur të Devollit apo të Korçës, origjinën e pronarëve të kësaj Verarie.
Pronarët e kësaj kantine prej 41 hektarësh janë znj. Neviana Zhgaba me një fytyrë të freskët vajzëore dhe z. Ardian Llomi një djalë i gjatë plot kulturë, të cilët blenë ish fermën 200-vjeçare në vitin 2016.
Gjate intervistës ata thanë se ishin frymëzuar nga Devolli dhe Korça duke ndërthur, historinë, mitologjinë, artin e Shqipërisë me të Mesdheut, astronominë e yjeve. Ata janë të mirë edukuar nga shteti amë dhe të integruar plot kulturë në Amerikë.
Në hyrje të mirëpret një statujë e bukur gruaje e cila me kupat e verës në dorë derdh papushim verën e bardhë dhe të fton të pish një kupë verë. Znj. Neviana dhe z. Ardian thanë se kjo punishte ofron një përzgjedhje të verërave më të mira të Connecticut.
Në vitin 2019 shijuam korrjen tonë të parë, duke ofruar tani nëntë verëra sezonale.
Peizazhi deri diku me një skenë tipike bukolike tërheq vizitorët, por në këtë ditë të shtunë vura re se shumica ishin të rinj, vajza elegante dhe djem të rinj sportiv që kishin ardhur grupe grupe për t’u qetësuar mes këtij oazi natyror magjik.
Brenda Verarisë shijuam një stil autentik veçanërisht të një faqeje muri që ishte tipike shqiptare. Në ballë të tyre ishte Heroi Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbej, Nënë Tereza, punime të nënës se saj dhe gjyshes, kostumi kombëtar i djalit i cili e kishte veshur kur ishte gjashtë vjeç etj. Dritëzat e diellit që hynin nga godina si një hambar i mbushur plot me drithëra e ndriçonin dhe e bënin më me shkelqim këtë faqe ballore të murit.
Një piano e bukur ka zënë vend në mes të dhomës duke krijuar pak romancë dhe intimitet nën gotën e verërave të shijshme të sjella nga duarartët e çifitit simpatik.
Z. Ardian na ftoi të vizitonim dhomën ku ishin fuçitë linox të blera nga Italia dhe ishin mbushur me verëra të ndryshme të etiketuara sipas llojit. Ai rrefeu për mirëmbajtjen, procesin, temperaturën dhe kujdesin e madh që tregonin. Ai tha se unë jam frymëzuar nga puna e babait në fshat, por këtu m’u dha mundësia e madhe për të blerë tokat dhe për të hapur këtë Verari të madhe që ju po e vizitoni.
Ajo që më beri pershtypje ishte se Neviana nuk e kishte lënë punën e saj, profesionin me të cilin ishte integruar në Amerikë. Neviana është drejtore ne Digital Finance dhe Analytics Agile me 12 vjet përvojë në General Electric dhe Bank of New York Mellon.
Neviana është anëtare e Bordit të Drejtorëve të Grupit të Përdoruesve të Zhvilluesve dhe Teknologjisë Oracle, Anëtare e Bordit të Këshilltarëve të Shkollës së Inxhinierisë të Universitetit Fairfield dhe Bashkëthemelues i Aquila’s Nest Vineyards.
Aquila’s Nest është votuar për dy vjet si Veraria më e mirë në CT, 2022-2023.
Duke pirë nga një kupë verë të pagëzuar me emrat si: “Mbretëreshën e Ilirise” dhe “Zana e Maleve” të dhuruara nga pronarët më shfaqeshin si vegim diku në horizont me një diell si portokalle e artë, poetët e famshëm që nga antikiteti që i kanë kënduar verëave të ndryshme.
Natyrshëm ndërmend më vinte thënia e poetit botëror Lord Byron rreth pijes së verës, i cili vizitoi Tepelenën dhe u magjeps nga muzgu i perendishëm i saj, ka thenë se:
“Vera gëzon të trishtuarin, gjallëron të moshuarin, frymëzon të rinjtë dhe bën te lodhurin të harrojë mundin e tij”.
Pija nje kupë vere nga Zana e maleve, dhe kujtoja Gjergj Fishtën e Madhe tek Lahuta e Malcis që e ka pasur Zanën burim frymëzimi. Zana është një figurë mitologjike shqiptare që zakonisht lidhet me malet, burimet dhe përrenjtë, pyjet, bimësinë dhe kafshët, e ndonjëherë me fatin. Zana mendohet të ketë qenë fillimisht një hyjni pararomake dhe një perëndeshë ilire ekuivalente e Artemidës së Lashtë Greke dhe Dianës romake.
Ishte një ditë e bukur pushimi dhe një fillim i mbarë sezoni të shijonim bukuritë e një Verarie nga dy pronarë shqiptarë, një Verari që qëndron si një yll i shndritshëm midis bizneseve amerikane.