
Prof. Dr. Hasan Kaleshi, si njohës i thellë i disa gjuhëve orientale dhe evropiane, kishte krijuar mundësi të jashtëzakonshme për t’iu përkushtuar kërkimeve në disa fusha shkencore. Në mesin e këtyre disiplinave, një vend të veçantë zë historia, e veçanërisht historia e popullit shqiptar dhe e trevave shqiptare gjatë periudhës osmane.
Kontributi i tij në këtë fushë nuk qëndron vetëm në numrin e madh të punimeve të botuara, por mbi të gjitha në mënyrën se si ai i trajtoi problemet historike. Punimet e Kaleshit nuk janë thjesht përshkrime apo stolisje akademike. Ato mbështeten në kërkimin e dokumenteve, në krahasimin e burimeve dhe në analizën kritike të tyre.
Në shumë raste, ai iu qas çështjeve që deri atëherë kishin mbetur të patrajtuara ose të interpretuara në mënyrë të njëanshme. Ai solli të dhëna të reja, hapi debate të reja shkencore dhe vuri në pikëpyetje teza të cilat, për një kohë të gjatë, ishin konsideruar si të mirëqena.
Kjo veçori e veprës së tij shfaqet në mënyrë të veçantë në fushat e orientalistikës, turkologjisë, albanologjisë, etnologjisë dhe historisë së periudhës osmane.
Vakefnamja më e vjetër në Jugosllavi
Një nga kontributet e rëndësishme të Prof. Dr. Hasan Kaleshit lidhet me studimin e tij mbi vakefnamjen më të vjetër në territorin e atëhershëm të Jugosllavisë.
Përmes këtij studimi, Kaleshi, duke u mbështetur në dokumente dhe argumente historike, trajtoi çështjen e vakefnamjes më të vjetër të shkruar në gjuhën arabe në këtë hapësirë.
Sipas dokumentit të analizuar prej tij, vakefnamja e Sungur Çaush-beut nga Manastiri daton nga gjysma e dytë e shekullit XIV. Ky dokument paraqet një burim me rëndësi të veçantë për historinë e institucioneve fetare, urbane dhe kulturore në këtë pjesë të Ballkanit.
Studimi i Kaleshit sfidoi edhe disa përfundime të mëparshme historiografike, ndër të cilat tezën se Allaxha Xhamia e Shkupit, e datuar në vitin 1444, ishte xhamia më e vjetër në territorin e atëhershëm të Jugosllavisë.
Koxha Sinan Pasha dhe Sofi Sinan Pasha
Një tjetër kontribut me rëndësi të veçantë lidhet me identifikimin e ndërtuesve të dy xhamive të njohura me emrin Sinan Pasha në Kosovë: Xhamisë së Sinan Pashës në Prizren dhe Xhamisë së Sinan Pashës në Kaçanik.
Për këtë çështje kishte ekzistuar një konfuzion i konsiderueshëm në literaturën historike. Në raste të ndryshme ishte shkruar se të dyja xhamitë i kishte ndërtuar Koxha Sinan Pasha, ndërsa në interpretime të tjera bëhej dallimi ndërmjet dy personaliteteve.
Kaleshi, duke u mbështetur në dokumente autentike, arriti të sqarojë këtë çështje.
Sipas të dhënave të paraqitura prej tij, Xhaminë e Sinan Pashës në Prizren e kishte ndërtuar Sofi Sinan Pasha, bejlerbe i Budimit, me prejardhje shqiptare, ndërsa Xhaminë e Sinan Pashës në Kaçanik e kishte ndërtuar Koxha Sinan Pasha, vezir i lartë i Perandorisë Osmane, gjithashtu me prejardhje shqiptare.
Kjo çështje tregon qartë një nga karakteristikat themelore të metodës së Kaleshit: zëvendësimin e hamendësimeve me dokumentin historik.
Kurshumli Hani në Shkup
Një çështje tjetër historike, rreth së cilës ekzistonin mendime të ndryshme, ishte ajo e ndërtuesit të Kurshumli Hanit në Shkup.
Për këtë monument ishin paraqitur teza të ndryshme. Në interpretime të ndryshme ishte pretenduar se ndërtimi i tij lidhej me periudha shumë më të hershme, madje me Perandorin Konstantin, Perandorin Justinian ose Car Dushanin.
Kaleshi e trajtoi këtë problem mbi bazën e një dokumenti origjinal në gjuhën arabe dhe arriti në përfundimin se Kurshumli Hani në Shkup ishte ndërtuar nga Muslihuddin el-Madini në vitin 1550.
Sipas të dhënave të paraqitura në studimin e tij, Muslihuddini, përveç hanit në Shkup, kishte ndërtuar edhe një xhami në Trepçë dhe një tjetër në Novi Pazar.
Ky studim është një shembull i mirë i mënyrës se si Kaleshi përdorte burimet orientale për të sqaruar çështje konkrete të historisë së qyteteve dhe monumenteve të Ballkanit.
Kronikat osmane dhe luftërat shqiptaro-osmane në shekullin XV
Një vend të rëndësishëm në veprën historike të Kaleshit zë edhe studimi mbi të dhënat që ofrojnë kronikat osmane për luftërat shqiptaro-osmane në shekullin XV.
Në këtë punim, Kaleshi thekson rëndësinë e jashtëzakonshme të kronikave osmane për njohjen e së kaluarës së trevave shqiptare.
Ai analizon tri kronika të rëndësishme osmane: atë të Shukurzllahut, të Aşıkpaşazades dhe të Hoxha Saduddinit.
Vlera e këtyre burimeve qëndron në faktin se ato ofrojnë të dhëna të rëndësishme për shqiptarët dhe territoret shqiptare në periudhën e depërtimit dhe konsolidimit të pushtetit osman në Ballkan.
Kaleshi argumenton se pa shfrytëzimin sistematik të burimeve osmane, historia e kësaj periudhe nuk mund të kuptohet në tërësinë e saj.
Kryengritjet shqiptare të viteve 1909–1912
Një tjetër studim me rëndësi të veçantë është ai kushtuar një burimi turk mbi kryengritjet shqiptare të viteve 1909–1912.
Në këtë punim, Kaleshi sjell të dhëna për situatën politike në territoret shqiptare gjatë viteve të kryengritjeve kundër regjimit osman.
Rëndësia e këtij studimi qëndron veçanërisht në kërkesën metodologjike të autorit që këto ngjarje të mos studiohen vetëm nga një këndvështrim, por të shfrytëzohen edhe burimet osmane dhe literatura e autorëve që i kishin përjetuar drejtpërdrejt ngjarjet.
Kaleshi dëshmon kështu nevojën për një histori të mbështetur në burime të shumëllojshme, duke shmangur interpretimet e njëanshme.
Ky studim ka rëndësi jo vetëm për historinë e popullit shqiptar, por edhe për historinë politike të Ballkanit në prag të shpërbërjes së Perandorisë Osmane.
Teza mbi depërtimin osman dhe ruajtjen e ekzistencës shqiptare
Një nga çështjet më interesante dhe më të debatueshme të trajtuara nga Prof. Dr. Hasan Kaleshi është teza e paraqitur prej tij në vitin 1975 në gjuhën gjermane mbi depërtimin turk në Ballkan dhe islamizimin si faktorë të mundshëm në ruajtjen e ekzistencës etnike dhe kombëtare të popullit shqiptar.
Në këtë studim, Kaleshi paraqet një interpretim që ndryshonte ndjeshëm nga një pjesë e historiografisë shqiptare të kohës.
Ai argumentonte se depërtimi osman në Ballkan dhe procesi i islamizimit të shqiptarëve nuk mund të trajtoheshin vetëm përmes një skeme të thjeshtë negative, por duhej të shqyrtoheshin edhe në kontekstin kompleks politik, shoqëror dhe fetar të mesjetës shqiptare.
Sipas interpretimit të tij, shqiptarët e periudhës së shekujve XIV–XV gjendeshin në një pozitë jashtëzakonisht të vështirë politike dhe institucionale, të rrethuar nga fuqi të ndryshme rajonale dhe pa një shtet të qëndrueshëm politik.
Në këtë kontekst, Kaleshi e trajton procesin historik të depërtimit osman edhe në raport me mbijetesën etnike dhe kulturore të shqiptarëve, duke argumentuar se dobësimi i disa strukturave politike rivale krijoi rrethana të reja historike për popullsinë shqiptare.
Pavarësisht debatit që kjo tezë ka shkaktuar dhe mund të shkaktojë edhe sot, rëndësia e saj qëndron në faktin se Kaleshi sfidoi një interpretim të konsoliduar dhe hapi një debat të ri historiografik.
Kaleshi dhe personalitetet e lëvizjes kombëtare shqiptare
Kontributi i Prof. Dr. Hasan Kaleshit në historinë kombëtare shqiptare nuk kufizohet vetëm në studimin e dokumenteve osmane dhe të institucioneve të periudhës osmane.
Një fushë tjetër e rëndësishme e veprimtarisë së tij ishte ndriçimi i jetës dhe veprës së personaliteteve të lëvizjes kombëtare shqiptare.
Për disa prej tyre, Kaleshi solli të dhëna dhe analiza që ndihmuan në pasurimin e njohurive historike, ndërsa për disa të tjerë shkroi në një kohë kur trajtimi i veprimtarisë së tyre ishte jashtëzakonisht i vështirë.
Një shembull domethënës është Mid’hat bej Frashëri. Nga dorëshkrimet e tij të papërfunduara, të ruajtura pas vdekjes, dëshmohet se Kaleshi kishte punuar për një artikull kushtuar këtij personaliteti.
Të shkruarit për Mid’hat Frashërin në atë periudhë kërkonte jo vetëm njohuri shkencore, por edhe një shkallë të veçantë të guximit intelektual.
Në të njëjtën frymë, Kaleshi trajtoi edhe figura të tjera të rëndësishme të historisë shqiptare, si Faik Konica, Eqrem bej Vlora, Syrja bej Vlora, Ibrahim Temo dhe personalitete të tjera.
Kjo veprimtari dëshmon se Kaleshi nuk ishte vetëm studiues i dokumentit, por edhe një historian i interesuar për kujtesën kombëtare dhe për rivendosjen e figurave historike në vendin që u takonte në histori.
Faik Konica në studimet e Hasan Kaleshit
Një shembull i veçantë është punimi i tij kushtuar Faik Konicës dhe marrëdhënieve të tij me Austro-Hungarinë, i paraqitur në kuadër të veprimtarive për 100-vjetorin e lindjes së Faik Konicës, organizuar nga Federata Panshqiptare “Vatra” në Nju-Jork në vitin 1976.
Në këtë studim, Kaleshi trajton veprimtarinë politike, kombëtare dhe letrare të Konicës, duke vënë në pah rolin e tij në përhapjen e ndjenjës kombëtare shqiptare dhe në afirmimin e çështjes shqiptare në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai ndalet edhe në veprimtarinë diplomatike dhe intelektuale të Konicës, në përpjekjet e tij kundër copëtimit të territoreve shqiptare dhe në pjesëmarrjen e tij në zhvillimet ndërkombëtare që lidheshin me çështjen shqiptare.
Ky studim përbën një kontribut të rëndësishëm në njohjen e figurës së Faik Konicës dhe të rolit të tij në jetën politike e kulturore shqiptare.
Kaleshi dhe afirmimi evropian i figurave shqiptare
Një dëshmi tjetër e rëndësishme për dimensionin ndërkombëtar të veprimtarisë së Kaleshit është angazhimi i tij në leksikone dhe botime akademike evropiane, veçanërisht në “Biographische Lexikon zur Geschichte Südosteuropas” (Leksikon për historinë e Evropës Juglindore), me qendër në Mynih.
Në këtë vepër, Kaleshi kontribuoi me një numër të konsiderueshëm artikujsh kushtuar personaliteteve shqiptare dhe figurave të lëvizjes kombëtare.
Dr. Hasan Kaleshi ka botuar 28 attikuj të personaliteteve të lëvizjes kombëtare shqiptare gjazë periudhës osmane.
Në mesin e figurave të trajtuara prej tij ishin Abdyl Frashëri, Pashko Vasa, Eqrem bej Vlora, Syrja bej Vlora, Ali Pashë Gucia, Sami Frashëri, Haxhi Zeka, Hasan Prishtina, Abedin Pashë Preveza, Dervish Hima, Shahin Kolonja, Faik Konica, Kristo Luarasi, Turhan Pashë Përmeti, Ibrahim Temo, Fan Noli, Ismail Qemali dhe personalitete të tjera.
Këto botime në gjuhën gjermane kishin rëndësi të veçantë, sepse përmes tyre historia politike dhe kulturore shqiptare bëhej e njohur për një publik më të gjerë akademik evropian.
Kjo është një nga pikat ku kontributi i Kaleshit merr një dimension përtej historiografisë shqiptare: ai nuk u mjaftua vetëm me studimin e historisë shqiptare, por u përpoq që figurat dhe proceset e saj historike t’i paraqiste edhe para botës shkencore evropiane dhe botërore.
PËRFUNDIM
Nga ajo që u tha më sipër, mund të përfundojmë se kontributi i Prof. Dr. Hasan Kaleshit në historinë kombëtare shqiptare është i rëndësishëm jo vetëm për temat që ai trajtoi, por edhe për metodën shkencore me të cilën i trajtoi ato.
Punimet e tij nuk janë të ndërtuara mbi romantizmin historik apo mbi dëshirën për ta zbukuruar të kaluarën. Përkundrazi, ato mbështeten në dokumente, në burime autentike dhe në përpjekjen për të verifikuar faktet.
Kaleshi hapi shtigje të reja kërkimi. Ai vuri në pikëpyetje teza të konsoliduara, sqaroi dilema historike, identifikoi dokumente të rëndësishme dhe ndriçoi figura të historisë shqiptare që për arsye të ndryshme kishin mbetur jashtë vëmendjes së historiografisë.
Ai na mëson se historia nuk duhet të shkruhet vetëm nga ajo që dëshirojmë të jetë e vërtetë, por nga ajo që burimet dëshmojnë se ka ndodhur.
Dhe pikërisht këtu qëndron madhështia e një studiuesi të mirëfilltë.
Hasan Kaleshi ishte një prej atyre studiuesve që e shihte dokumentin si pikënisje të kërkimit dhe jo si pengesë për një përfundim të paracaktuar.
Kontributi i tij është i rëndësishëm edhe për faktin se ai punoi në një periudhë kur shumë çështje të historisë shqiptare trajtoheshin nën kufizime të forta ideologjike. Në këto rrethana, kërkimi i burimeve orientale, përdorimi i dokumenteve osmane dhe trajtimi i figurave të caktuara shqiptare kërkonin, krahas dijes, edhe guxim intelektual.
Prandaj, Hasan Kaleshi nuk duhet të kujtohet vetëm si orientalisti, turkologu apo albanologu i shquar, por edhe si një historian që i dha historiografisë shqiptare dokumentin, argumentin dhe një këndvështrim të ri.
Vepra e tij mbetet pjesë e rëndësishme e trashëgimisë sonë shkencore. Ajo kërkon të lexohet, të rivlerësohet dhe, mbi të gjitha, të vazhdohet.
Sepse trashëgimia e një dijetari të madh nuk matet vetëm me numrin e veprave që ka lënë pas, por me shtigjet e reja që ka hapur për ata që vijnë pas tij.
Në këtë kuptim, Prof. Dr. Hasan Kaleshi zë një vend të merituar në historinë e mendimit shkencor shqiptar dhe në historinë e albanologjisë.
Shkruan: Dr. Kujtim Kasami