
Zbulohen dokumentet sekrete amerikane zbulojnë një kapitull pak të njohur: Washingtoni ishte kundër regjimit të Enver Hoxhës, por paralajmëroi aleatin grek të mos kalonte kufirin shqiptar.
Nga Rafael Floqi
Në verën e vitit 1949, ndërsa Lufta Civile Greke po hynte në aktin e saj të fundit, në malet e Vitsit dhe Gramozit zhvillohej një betejë që mund të kishte kaluar shumë lehtë kufirin dhe të përfshinte Shqipërinë. Ushtria qeveritare greke po shtynte forcat komuniste drejt veriut. Përtej maleve ishte territori shqiptar, të cilin Athina e akuzonte prej kohësh se shërbente si strehë dhe rrugë furnizimi për guerrilasit.
Gusht 1949. Ushtria greke gjatë ofensivës përfundimtare ndaj EAM-it në Gramoz dhe Vitsi, pranë kufirit shqiptar. Pikërisht në këto ditë Uashingtoni paralajmëroi Athinën. Në hartat ushtarake kufiri ishte vetëm një vijë. Në Washington, Londër dhe Paris, megjithatë, ajo vijë po bëhej jashtëzakonisht e rëndësishme. Pyetja që shqetësonte diplomatët perëndimorë ishte e thjeshtë dhe shpërthyese: Çfarë do të ndodhte nëse ushtria greke, duke ndjekur guerrilasit, nuk ndalonte në kufi, por hynte në Shqipëri?
Një dokument sekret i Departamentit të Shtetit, i datës 5 gusht 1949, tregon se kjo nuk ishte thjesht një frikë e propagandës së regjimit të Enver Hoxhës. Mundësia diskutohej seriozisht ndërmjet amerikanëve, britanikëve dhe francezëve.
Dokumenti, një Memorandum of Conversations i hartuar nga diplomati amerikan Leonard J. Cromie, e formulonte problemin pa ekuivok: “Britanikët dhe francezët kanë njëfarë frike se grekët mund të jenë duke planifikuar një pushtim të afërt të Shqipërisë.”
Londra dhe Parisi kërkonin të dinin qëndrimin e Shteteve të Bashkuara ndaj operacioneve ushtarake greke brenda Shqipërisë dhe, akoma më rëndësishëm, çfarë do të bënte Amerika nëse Athina do të shpërfillte këshillat amerikane dhe do të kalonte kufirin.
Kështu, për disa javë të nxehta të vitit 1949, Shqipëria u gjend përsëri në një prej atyre momenteve të historisë së saj kur fati i kufijve diskutohej në kancelaritë e Fuqive të Mëdha.
“Nëse ushtria greke hyn në Shqipëri…”Sinjalet që vinin nga Athina nuk ishin qetësuese.Konstantinos Caldaris kishte diskutuar me diplomatin britanik marrëdhëniet greko-shqiptare. Ai këmbëngulte se Greqia nuk kishte objektiva politike në Shqipëri dhe shprehte shqetësim që Italia të mos rifitonte ndikimin e saj të mëparshëm mbi vendin. Por më pas Caldaris bëri një deklaratë që ndryshoi tonin e bisedës. Ndihma shqiptare për guerrilasit, tha ai, ishte bërë një barrë e patolerueshme për Greqinë. Dhe shtoi: “Nëse ushtria greke do të hynte në Shqipëri, kjo do të bëhej thjesht për arsye ushtarake dhe jo për të arritur ndonjë objektiv politik.”
Për britanikët kjo fjali ishte alarmante. Diplomati britanik reagoi menjëherë dhe e paralajmëroi Tsaldarisin kundër çdo aventure ushtarake në Shqipëri. Por ai raportoi se paralajmërimi dukej se nuk kishte bërë përshtypje. Për këtë arsye shkoi te Panaiotis Pipinelis dhe te ministri grek i Luftës dhe përsëriti të njëjtin mesazh. Edhe më shqetësues ishte dislokimi i ushtrisë. Sipas raportit britanik, pozicionimi i trupave greke mund të shpjegohej me përgatitjen e ofensivës kundër guerrilasve në Vitsi. Por të njëjtat pozicione mund të shërbenin edhe si bazë nisjeje për një operacion brenda territorit shqiptar. Përfundimi ishte i ftohtë: “Nuk mund ta përjashtojmë këtë mundësi.”
Presioni i gjeneralëve
Rreziku nuk vinte vetëm nga situata në front. Brenda Greqisë ekzistonte një klimë politike dhe ushtarake që favorizonte ndjekjen e guerrilasve përtej kufirit. Pipinelis ia paraqiti problemin ambasadorit francez pothuajse si një dilemë kombëtare. Çfarë do të ndodhte kur ushtria greke të arrinte kufirin shqiptar pas fitores në Vitsi?
Nëse trupat ndalonin, argumentonte ai, publiku grek mund të pyeste përse ushtria nuk vazhdonte ndjekjen e guerrilasve në territorin shqiptar. Një ndalim i tillë, sipas tij, mund të krijonte probleme të brendshme, të dëmtonte moralin dhe madje të kërcënonte qeverinë.
Pastaj erdhi pohimi më i rëndësishëm: qarqet ushtarake greke ishin fort në favor të ndërhyrjes në Shqipëri. Por Pipinelis e kuptonte gjithashtu rrezikun. Një ndërhyrje e tillë, pranonte ai, do të krijonte një “situatë të vështirë ndërkombëtare.” Dhe pikërisht këtu hynte Amerika. Greqia kërkon të dijë: A do të na ndalojë Amerika?
Henry F. Grady, ambasadori amerikan në Greqi. Në verën e vitit 1949 ai ia bëri të qartë Athinës kundërshtimin amerikan ndaj operacioneve ushtarake në territorin shqiptar
Në Athinë qarkullonte një interpretim i rrezikshëm. Shtetet e Bashkuara ishin kundërshtari kryesor perëndimor i komunizmit. Regjimi i Enver Hoxhës ishte lidhur me kampin sovjetik. Shqipëria akuzohej për ndihmë ndaj guerrilasve grekë. Atëherë, përse Washingtoni do të kundërshtonte një goditje ushtarake kundër Shqipërisë komuniste? Pipinelis madje pretendonte se Amerika “nuk dukej se kundërshtonte ndërhyrjen ushtarake greke në Shqipëri” dhe se SHBA “do ta mirëpriste një ndryshim regjimi në Shqipëri”.
Ishte një interpretim pjesërisht i saktë dhe pjesërisht krejtësisht i gabuar.
Amerikanët vërtet dëshironin ndryshimin e regjimit të Hoxhës. Por kjo nuk do të thoshte se ishin të gatshëm të lejonin ushtrinë greke të hynte në Shqipëri.
Leonard Cromie ia sqaroi francezit M. Winckler pozicionin amerikan: grekët ishin paralajmëruar vazhdimisht që të mos ndërmerrnin operacione ushtarake në Shqipëri.
Madje ambasadori amerikan në Athinë, Henry F. Grady, kishte dhënë një paralajmërim shumë konkret.
Nëse Greqia hynte me forca të mëdha në Shqipëri dhe ndeshej me rezistencën e ushtrisë shqiptare, duke u futur në vështirësi, Shtetet e Bashkuara nuk mund t’i garantonin Athinës as mbështetje diplomatike, as mbështetje ushtarake.
Për një Greqi që sapo po mbijetonte në luftën civile falë mbështetjes amerikane, ky nuk ishte paralajmërim formal.
Ishte një vijë e kuqe.
Paradoksi amerikan: Kundër Hoxhës, por pro Shqipërisë. Këtu qëndron paradoksi që e bën këtë episod kaq interesant. Në vitin 1949 Uashingtoni nuk kishte marrëdhënie miqësore me regjimin shqiptar. Përkundrazi, Shtetet e Bashkuara dëshironin ndryshimin e orientimit politik të Shqipërisë dhe shikonin me shqetësim lidhjet e Tiranës me Moskën.
Por në diplomacinë amerikane ekzistonte një dallim themelor: regjimi i Hoxhës nuk ishte Shqipëria.
Mund të kundërshtohej qeveria komuniste pa vënë në pikëpyetje ekzistencën e shtetit shqiptar.
Kjo ishte veçanërisht e rëndësishme sepse marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave sapo ishin tronditur nga përplasja Tito–Stalin. Shqipëria ishte shkëputur nga varësia e mëparshme ndaj Beogradit, por ishte bërë edhe më e izoluar. Në jug ishte Greqia. Në veri Jugosllavia. Në lindje kampi sovjetik.
Shqipëria ndodhej përsëri në një korridor të rrezikshëm gjeopolitik.
Tirana kishte frikë nga të dyja palët
Raportet franceze nga Tirana, të përmbledhura në dokumentin amerikan, japin një pamje dramatike të situatës. Sipas inteligjencës franceze, Tito po ndiqte nga afër zhvillimet shqiptare dhe kishte liruar një numër shqiptarësh anti-Hoxha. Qarkullonin madje informacione se Beogradi mund të përpiqej të krijonte një qeveri alternative shqiptare.
Ndërkohë autoritetet në Tiranë ishin, sipas raportit, “seriozisht të shqetësuara nga kërcënimet si prej Titos, ashtu edhe prej grekëve.”
Aq serioze ishte frika, sa po shqyrtohej mundësia e një demarshi ndaj Shteteve të Bashkuara për të kërkuar njohjen amerikane dhe një garanci amerikane për kufijtë ekzistues të Shqipërisë.
Ironia historike është e jashtëzakonshme.
Regjimi që po e ndërtonte legjitimitetin e tij mbi antiamerikanizmin po mendonte, sipas raporteve diplomatike franceze, t’i kërkonte Amerikës garanci për kufijtë.
Uashingtoni jep urdhrin: Bëjeni të pagabueshme
Më 6 gusht, vetëm një ditë pas memorandumit sekret, Departamenti i Shtetit i dërgoi Ambasadës amerikane në Athinë një udhëzim të rëndësishëm.
Uashingtoni kërkonte që autoriteteve greke t’u bëhej “unmistakably clear” — krejtësisht e qartë, pa asnjë mundësi keqinterpretimi — se Shtetet e Bashkuara kundërshtonin veprime të pamatura ushtarake në Shqipëri.
Kjo përfshinte dy skenarë konkretë: hyrjen në territorin shqiptar për të rrethuar guerrilasit grekë dhe ndjekjen masive të tyre përtej kufirit.
Washingtoni po i mbyllte kështu derën interpretimit sipas të cilit lufta kundër komunizmit i jepte Greqisë një çek të bardhë për të kaluar kufirin.
Edhe Tito pyet amerikanët
Kriza shqiptare kishte edhe një dimension tjetër. Një ndërhyrje greke mund të provokonte Jugosllavinë e Titos. Pas ndarjes me Stalinin, Beogradi kishte hyrë në një situatë të re strategjike dhe nuk mund ta shihte indiferent ndryshimin e ekuilibrit në Shqipëri.
Në shtator 1949, Tito ngriti çështjen e Shqipërisë me ambasadorin amerikan Cavendish Cannon. Përgjigjja amerikane ishte domethënëse: politika e Shteteve të Bashkuara mbështeste pavarësinë shqiptare dhe nuk favorizonte ndryshimin e kufijve.
Kjo ishte shumë më tepër sesa një çështje shqiptare.
Një luftë greko-shqiptare mund të përfshinte Jugosllavinë. Përfshirja e Jugosllavisë mund të sillte reagimin sovjetik. Dhe një incident kufitar në Gramoz mund të shndërrohej në krizë ndërkombëtare në një Evropë që kishte dalë vetëm katër vjet më parë nga Lufta e Dytë Botërore.
A po planifikonte vërtet Greqia pushtimin?
Këtu dokumentet kërkojnë kujdes. Nuk kemi prova që qeveria greke kishte marrë një vendim përfundimtar për pushtimin dhe aneksimin e Shqipërisë.
Madje Cromie shënonte se ambasadori Grady dyshonte që zyrtarët përgjegjës grekë po planifikonin realisht një pushtim. Amerikanët mendonin se Tsaldaris dhe Pipinelis mund të ishin duke përdorur kërcënimin edhe për të frikësuar regjimin shqiptar dhe për t’u mbrojtur politikisht përballë ushtrisë dhe opinionit publik grek.
Por pikërisht kjo e bën dokumentin më bindës. Washingtoni nuk po reagonte ndaj propagandës së Tiranës. Informacionet vinin nga diplomatët britanikë dhe francezë në Athinë, nga bisedat me drejtuesit grekë dhe nga vlerësimet amerikane.
Rreziku konsiderohej mjaftueshëm serioz që tri Fuqitë Perëndimore të diskutonin një qëndrim të përbashkët.
Kufiri që Amerika nuk lejoi të kalohej
Në fund të gushtit 1949, ofensivat në Gramoz dhe Vitsi thyen rezistencën kryesore të Ushtrisë Demokratike të Greqisë. Lufta civile po përfundonte.
Ushtria greke arriti pranë kufirit. Por nuk marshoi drejt Korçës apo Gjirokastrës. Shqipëria nuk u bë fronti i ri i Luftës Civile Greke.
Do të ishte historiografikisht e tepruar të thuhej se vetëm Amerika “shpëtoi Shqipërinë” në vitin 1949. Britania dhe Franca kundërshtuan gjithashtu ndërhyrjen. Athina kishte arsye të fuqishme për të shmangur një konflikt ndërkombëtar. Jugosllavia përbënte një faktor të paparashikueshëm dhe një luftë e re ballkanike nuk i interesonte askujt në Perëndim.
Por dokumentet e Departamentit të Shtetit dëshmojnë diçka që për shumë vite ka mbetur pothuajse jashtë kujtesës publike shqiptare: Shtetet e Bashkuara përdorën drejtpërdrejt ndikimin e tyre mbi Greqinë për ta paralajmëruar të mos hynte ushtarakisht në Shqipëri.
Dhe e bënë këtë në kulmin e Luftës së Ftohtë, kur Shqipëria drejtohej nga një prej regjimeve më staliniste të Evropës.
Uashingtoni dëshironte ndryshimin e regjimit të Enver Hoxhës. Por nuk dëshironte zhdukjen, pushtimin apo copëtimin e Shqipërisë.
Në verën e vitit 1949, këto dy qëndrime u bashkuan në një mesazh të vetëm drejtuar Athinës: Luftoni guerrilasit tuaj. Por mos e kaloni kufirin shqiptar.
Në një Ballkan ku kufijtë ishin vizatuar me gjak dhe ku pretendimet territoriale nuk ishin shuar, ky paralajmërim amerikan mund të ketë qenë shumë më vendimtar për Shqipërinë sesa është pranuar deri sot.
Burimet kryesore
U.S. Department of State. Foreign Relations of the United States, 1949, The Near East, South Asia, and Africa. Vol. VI. “Memorandum of Conversations, by Mr. Leonard J. Cromie of the Division of Greek, Turkish, and Iranian Affairs,” August 5, 1949.
U.S. Department of State. Foreign Relations of the United States, 1949. Dokumentacioni mbi marrëdhëniet greko-shqiptare, Luftën Civile Greke dhe politikën amerikane ndaj Shqipërisë, gusht–tetor 1949.
U.S. Department of State. Foreign Relations of the United States, 1949, Eastern Europe; The Soviet Union. Vol. V. Dokumentacioni mbi objektivat politike amerikane ndaj Shqipërisë dhe zhvillimet pas konfliktit Tito–Stalin.