
Isuf B.Bajrami*/
Në pamje të parë, vendimi i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për të promovuar përdorimin e projekcionit hartografik Equal Earth duket si një çështje teknike që lidhet me mënyrën se si paraqiten sipërfaqet e kontinenteve në hartat e botës. Më 4 shtator 2026, rezoluta e sponsorizuar nga Togo u miratua me 164 vota pro, një kundër dhe gjashtë abstenime. Shtetet e Bashkuara ishin i vetmi shtet që votoi kundër, ndërsa Serbia ishte ndër gjashtë shtetet që abstenuan. Por në rastin e Serbisë, çështja nuk ishte vetëm kartografia. Në shpjegimin zyrtar pas votimit, përfaqësuesi serb tha se Beogradi i mbështeste objektivat e rezolutës dhe vetë projekcionin Equal Earth për paraqitjen më të saktë të madhësisë së kontinenteve, por kundërshtonte faktin se burimet dhe paraqitjet politike të lidhura me Equal Earth përmbanin harta që, sipas Serbisë, nuk ishin në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, rezolutat përkatëse të OKB-së dhe standardet e saj.
Sipas shpjegimit të Ministrisë së Jashtme serbe, problemi lidhej pikërisht me paraqitjen e Kosovës si shtet i veçantë.
Kështu, një votim për një projekcion hartografik u shndërrua përsëri në një episod të çështjes së Kosovës. Dhe kjo nuk është rastësi. Sepse në Ballkan harta nuk ka qenë kurrë vetëm një vizatim. Harta ka qenë instrument i pushtetit, rezultat i luftërave, produkt i traktateve, pasqyrë e dëbimeve dhe, në shumë raste, mjet për legalizimin e një realiteti të krijuar më parë në terren.
Për shqiptarët, historia e kësaj harte është veçanërisht e dhimbshme. Ajo nuk fillon në vitin 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë, dhe as në vitin 1999, kur ndërhyrja ndërkombëtare i dha fund administrimit dhe represionit serb mbi Kosovën. Ajo shkon shumë më thellë: te ndryshimet territoriale të fundit të shekullit XIX, te dëbimi i shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit dhe Toplica, te luftërat ballkanike, te vendimet e Fuqive të Mëdha, te krijimi i Jugosllavisë, te ndarja administrative e shqiptarëve në disa njësi federale dhe, më vonë, te shndërrimi i disa prej atyre vijave administrative në kufij shtetërorë.
Kjo është historia që fshihet pas vijave.
Sanxhaku i Nishit: kur ndryshimi i hartës u shoqërua me ndryshimin e popullsisë
Një nga kapitujt vendimtarë të historisë së territoreve shqiptare fillon me luftën serbo-osmane të viteve 1877–1878. Para luftës, Sanxhaku i Nishit ishte pjesë e Vilajetit të Kosovës. Burimet statistikore osmane të vitit 1873 tregojnë praninë e madhe të popullsisë myslimane në disa prej rretheve të Sanxhakut, ndërsa studimet historike mbi strukturën e popullsisë theksojnë se popullsia myslimane rurale ishte në shumicë shqiptare.
Ofensiva e ushtrisë serbe ndryshoi jo vetëm kontrollin politik mbi territorin, por edhe strukturën demografike të tij. Studimi i historianit serb Miloš Jagodić mbi emigrimin e myslimanëve nga territoret e reja të Serbisë dokumenton një eksod masiv gjatë dhe pas luftës së viteve 1877–1878. Sipas tij, myslimanët përbënin rreth një të tretën e popullsisë së këtyre territoreve në vitin 1877 dhe popullsia myslimane rurale ishte kryesisht shqiptare. Eksodi më i madh ndodhi gjatë operacioneve ushtarake dhe lëvizjet e popullsisë ndoqën përparimin e trupave serbe.
Studimi i mëvonshëm i botuar në Past & Present jep një vlerësim prej rreth 71 mijë myslimanësh, kryesisht shqiptarë, të larguar nga territoret e reja serbe gjatë dhe pas luftës së viteve 1877–1878.
Kjo ishte një goditje demografike me pasoja të drejtpërdrejta territoriale.
Fshatrat shqiptare u boshatisën, pronat mbetën pa zotëruesit e tyre dhe administrata e re serbe filloi procesin e vendosjes së popullsive të tjera në territoret e fituara. Studimet mbi vendosjen e popullsisë në Toplicë për periudhën 1878–1879 dokumentojnë se pas largimit të shqiptarëve zona mbeti në pjesë të saj shumë rrallë e banuar, ndërsa autoritetet serbe ndërmorën masa për sistemimin e popullsisë së re.
Pra, ndryshimi i kufirit politik u shoqërua me ndryshimin e strukturës së popullsisë.
Ky është një nga mekanizmat më të rëndësishëm për të kuptuar historinë e kufijve shqiptarë: së pari ndryshohet kontrolli territorial; pastaj zhvendoset popullsia; më pas krijohet realiteti i ri demografik; dhe në fund ai realitet paraqitet si gjendje e konsoliduar politike.
Për shqiptarët e Kosovës, të dëbuarit nga Sanxhaku i Nishit nuk ishin një popullsi e zhdukur nga historia. Një pjesë e tyre u vendos në Kosovë dhe në territore të tjera osmane. Ata u njohën në kujtesën shqiptare si muhaxhirë. Kështu, një pjesë e historisë demografike të Kosovës lidhet drejtpërdrejt me humbjen e territoreve shqiptare në veri të saj.
1878: Berlini dhe fillimi i një rendi të ri territorial
Kongresi i Berlinit i vitit 1878 e konsolidoi ndryshimin e madh territorial të shkaktuar nga lufta ruso-osmane dhe konfliktet ballkanike. Serbia mori njohje ndërkombëtare për zgjerimet e saj territoriale, ndërsa shqiptarët mbetën pa një shtet të tyre që do të përfaqësonte të gjitha hapësirat ku ata jetonin. Këtu fillon edhe një përgjegjësi e drejtpërdrejtë e politikës evropiane.
Fuqitë e Mëdha nuk e trajtuan çështjen shqiptare mbi bazën e një parimi të vetëm të vetëvendosjes. Vendimet e tyre u diktuan nga ekuilibri i fuqive, interesat strategjike dhe rivalitetet ndërmjet Perandorisë Ruse, Austro-Hungarisë, Britanisë, Francës dhe fuqive ballkanike. Kjo politikë krijoi një kontradiktë që do ta ndjekë Ballkanin për dekada: shqiptarëve u kërkohej të jetonin brenda kufijve të rinj që nuk përputheshin me hapësirat e tyre të banimit, ndërsa shtetet fqinje fitonin territore mbi bazën e vendimeve të fuqive të mëdha. Problemi nuk ishte vetëm se Shqipëria nuk u krijua në kufijtë e të gjitha territoreve shqiptare. Problemi ishte se kufijtë e rinj e ndanë hapësirën shqiptare në disa administrata politike…
*Botuar me shkurtime.