• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ELBASANASI MEHMET GJEVORI – MËSUESI I MËSUESVE SHQIPTARË NË KOSOVË

March 8, 2023 by s p

“Unë Mehmet Gjevori nga Elbasani, por tani që gjendem në Kosovë, prej vitit 1941, kur erdhëm rreth 350 mësues nga Shqipëria dhe hapëm shkollat e para në gjuhën amtare në të gjitha viset e Kosovës, në vitet 1945-47 kam pas ardhur në disa shkolla të Drenicës dhe i kam pas udhëzuar mësuesit e parë të rinj, një ndër ta ka qenë edhe babi i heroit Adem Jashari, Shaban Jashari”, shkruante mësuesi i mësuesve shqiptarë në librin e madh të përshtypjeve, të pafund e të përjetshëm, në Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz/Gazeta DIELLI, sot në Ditën e Mësuesit – 7 Mars 2023, riboton shkrimin e korrespondentit në Kosovë Behlul Jashari të 7 Marsit 2010:

KUJTESË – MEHMET GJEVORI, I LINDUR NË ELBASAN PARA 100 VJETËVE, MËSUESI I MËSUESVE TË KOSOVËSPRISHTINË, 7 Mars 2010/

Elbasanasi Mehmet Gjevori, mësuesi i mësueve të Kosovës, këtë vit do mbushte 100 vjet. “Ndonëse jam i lindur në Elbasan, vendlindje të dytë kam Kosovën”, thoshte ai.Autori i abetarës së parë në gjuhën shqipe në Kosovë, botuar në vitin 1946, dhe i shumë teksteve shkollore e të tjera, veterani e njeriu i kontributit shumë të madh në arsimin kosovar, Mehmet Gjevori, i lindur më 1910 në Elbasan, ka ndërruar jetë më 1 maj 2007 në moshën 97-vjeçare në Prishtinë.Në shtator të vitrit 1941 iu përgjegj vullnetarisht apelit të ministrit të atëhershëm të Arsimit të Shqipërisë Ernest Koliqi për të ardhur në shërbim në Kosovë. Në atë kohë, misionarët e arsimit në trojet shqiptare të Kosovës dhe Maqedonisë u bënë 400 normalistë, shumica e tyre djem dhe vajza të Elbasanit.Emrin e Mehmet Gjevorit, sot në Ditën e Mësuesit dhe në këtë 12-vjetor të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e gjejmë edhe në librin e madh të përshtypjeve, të pafund e të përjetshëm, në Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz.Në atë libër, në Prekaz të Drenicës, në vendin e shenjtë të pavdekësisë së Komandantit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare, Kryemësuesi i Kosovës ka shkruar:“Më 11. 8. 2002Unë Mehmet Gjevori nga Elbasani, por tani që gjendem në Kosovë, prej vitit 1941, kur erdhëm rreth 350 mësues nga Shqipëria dhe hapëm shkollat e para në gjuhën amtare në të gjitha viset e Kosovës, në vitet 1945-47 kam pas ardhur në disa shkolla të Drenicës dhe i kam pas udhëzuar mësuesit e parë të rinj, një ndër ta ka qenë edhe babi i heroit Adem Jashari, Shaban Jashari. Pikërisht gjatë atyre ditëve kam pas buajtur në disa familje, emrat e të cilëve mjerisht nuk më kujtohen, e më kanë pas pritur përzemërsisht.Një ndër mësuesit e parë, që ka pas ardhur e ka shërbyer vullnetarisht në dy shkolla fshatrash të Drenicës, ka qenë edhe Ahmet Meha Kelmendi, …Geci e të tjerë. Më kujtohet se të gjithë nxënësit e katër shkollave fillore të Drenicës i kanë pas ndjekur mësimet me zell të madh dhe pasi shumë nxënës ishin edhe pak të rritur, ne i kalonim edhe nga dy klasë disa, pra prej klasës II në klasën IV. Të paharrueshme kanë qenë ato ditë të atyre dy viteve që i kam pas kaluar në rrethin e Drenicës.Lavdi u qoftë Adem Jasharit si dhe të gjithë anëtarëve të familjes Jasharaj!Mehmet Gjevori”.Pas ardhjes nga Elbasani, fillimisht, Gjevori emërohet në Prizren si drejtor i shkollës fillore “Abdyl Frashëri”, ndërsa nga 1944 deri më 1950 shërbeu si kryeinspektor i shkollave shqipe të Kosovës, e pastaj redektor në shtpinë botuese “Mustafa Bakija” në Prishtinë. Nga viti 1958 e deri në pensionim më 1975 ka punar redaktor e kryeredaktor në Redaksinë e Botimeve Rilindja.Gjevori tregonte: “Krahas detyrës kryesore si redaktor i botimeve kam bërë edhe detyrën e lektorit në gazetën Rilindja. Para dite punoja në Redaksinë e Botimeve kurse pasdite në redaksinë e gazetës Rilindja… Kontrolloja gjuhësisht shkrimet e gazetës që do të jipeshin për botim.”Mehmet Gjevori ka marrë shumë dekorata, mirënjohje dhe falënderime, por ai, gjithnjë veçonte dy nga ato: “Nga të gjitha dekoratat që kam marrë deri më tani, unë veçoj këtë të Presidentit të Kosovës, Dr.Ibrahim Rugovës, dhënë më 10 qershor 2003, si dhe medaljen e artë ‘Naim Frashëri të klasit I” të Kryetarit të Republikës së Shqipërisë, Dr.Sali Berishës, dhënë në Tiranë, më 11 prill 1994, për shërbimin në shkollat shqipe në Shqipërinë Veriore e Lindore, jashtë kufijve politikë të vitit 1913 të shtetit shqiptar”, ka shkruar Gjervori.”Me sinqeritetin më të madh njerëzor veçoj e theksoj se këto dy dekorata të arta i konsideroj jo vetëm si sukses timin personal, por edhe të të gjithë punonjësve të arsimit, që kanë shërbyer e kontribuar në Kosovë e në viset e tjera shqiptare”, shkruante Gjevori në një letër falënderimi drejtuar Presidentit historik Ibrahim Rugova për dekorimin me Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit, për kontributin e dhënë në fushën e arsimit të Kosovës, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj në mbarëvajtjen e shkollës në Kosovë, në fushën e hartimit të teksteve shkollore, si dhe të përkrahjes së Lëvizjes Demokratike të Kosovës për liri e pavarësi.“Mironjohje të veçantë, jam i informuar këto ditë, do të më bëjë edhe Bashkia e Elbasanit për kontributin tim gjatë gjatë këtyre gjashtë dekadave e gjysmë në arsimin në Kosovë”, ka thënë Gjevori në një intervistë për numrin jubilar të 60-vjetorit të gazetës Rilindja më 12 shkurt 2005. Atë vit në dhjetor Bashkia e Elbasanit ka nderuar me “Certifikatë Mirënjohjeje” 149 normalistë të qytetit të Elbasanit, ndër të cilët Mehmet Gjevorin, për shembullin që kanë dhënë për përhapjen e arsimit shqip.Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, me rastin e shuarjes së Mehet Gjevorit ngushëllonte:“Mehmet Gjevori është nga emrat e rrallë të arsimit shqip në Kosovë, i cili gati një shekull të plotë jetën ia kushtoi edukimit dhe arsimimit të brezave në Kosovë. Erdhi në Kosovë atëherë kur na u desh më së shumti dhe qëndroi në Kosovë për gjithë kohët e vështira që kaluam si popull për të qenë këmbëngulës në misionin e tij të shenjtë. Si autor i abetares së parë shqipe në Kosovë, Mehmet Gjevori me përkushtim të rrallë shpërndau shkronjën shqipe gjithandej nëpër Kosovë.E gjithë krijimtaria edukativo-arsimore dhe botuese e Mehmet Gjevorit ka një mision të përbashkët në përhapjen e dijes dhe të kulturës shqiptare.Për rolin e veçantë të tij prej mësuesi dhe atdhetari, Presidenti Rugova e ka dekoruar me Medaljen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që u jepet personaliteteve të rralla për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në veprimtari atdhetare.I falemi përgjithmonë përkushtimit të tij jetësor!”

Filed Under: Reportazh

Vatra promovoi “Rob një biografi në dy kohë” me autor Beqir Sinën

March 6, 2023 by s p

Marjana Bulku/

“Rob një biografi në dy kohë” me autor Beqir Sinën u promovua dinjitetshëm nē Nju York, në një sallë të tejmbushur nga personalitete të komunitetit shqiptaro-amerikan e ku nuk mungonin miq të afërt , familja e autorit ajo që e ka suportuar reporterin Beqir Sina gjatë ushtrimit të gazetarisë në kontinentin e madh. E përjetova shumëfish këtë ngjarje libri : pikë së pari si dibrane që për një dibran si Beqiri që nuk u ngop kurrë me Dibrën edhe pse me rrënjë aty e që megjithatë ai e do shumë. Ndërsa si një bijëz e rritur me histori mohimesh, denigrimesh urrejtjesh pa shkak në autobigrafinë e Beqirit pashë copëza të historive të pathëna familjare me mamanë time e cila as në liri nuk arriti ta takojë kurrë babain e saj të arratisur gjatë viteve të errëta të komunizmit.Ndërsa si gazetare mund të pohoj se e kam parandjerë lindjen e këtij libri në intervistën me të në Albanian Culture Tv ku arrita të shoh dimensionin e lirisë brenda të cilës ndrydheshin fakte që duheshin çliruar …Beqir Sina, një dibran i rritur në Savër të Lushnjes.Natyrshëm lind një përse?Po kush ka dëgjuar Savrën ka nënkuptuar internimin, këtë mekanizëm famëkeq që krijoi komunizmi për ti klasifikuar , ndarë e përçarë njerêzit , sidomos fisnikët shqiptarë duke i shkëputur ata nga vendlindja dhe duke u mohuar shumë të drejta e liri.Kur flet me Beqirin nuk e ndjen dozën e vuajtjes( krenari dibrani) tek ai jetonte vitale një shpresë se nesër diçka më e mirë e pret…Mbase kjo kishte të bëjë me babain?!Atë që e kishte lënë të porsa lindur dhe që do ta takonte kur të bëhej burrë pasi Shqipëria do çelte portat e errësirës dhe izolimit sepse ai ishte arratisur ne vitet e pasçlirimit duke i lënë bashkêshorten dhe fëmijët , si shumë të arratisur të tjerë të asaj kohe.Takimi me babain në rrëfimin e tij rrjedh si një libër i pashkruar…Ndërsa kur rrëfen për gazetarinë dallohet një pasion i pamasë , ku natyrshëm është skalitur profesionalizmi prej pune e vullneti.Kur e pyes nëse ngjarja e bën lajmin apo lajmi ngjarjen ? Ai me shumë kujdes shpjegon se lajmi e kërkon gazetarin në krye të tij , si ndjekës ,verifikues, pasqyrues rigoroz i të vërtetave pa të cilat lajmi nuk është i tillë.Beqiri e ka trashëguar gazetarinë nga babai i cili bënte dhe mbante gjallë lajme edhe atëherë kur Shqipëria e shikonte Amerikën si rrezik dhe si armik.Nga vëzhgimet e mia të deritanishme kam konstatuar se ku është Beqiri është lajmi dhe kur mungon ai ngjarjes i mungon përmasa e madhe që Beqiri trupvogēl ia jep me kamera , me foto, me emra, portrete dhe çdo detaj duke u shndërruar kështu në një mik besnik i të vërtetës dhe natyrisht i të gjithëve ne .Libri i tij “Rob, një biografi në dy kohë “i qasi bashkë të dyja kohët : pa lirinë dhe lirinë duke shpalosur natyrshëm tek të dyja fisnikërinë e cila është gjenetike ;ajo as kultivohet, as transformohet, ajo vetëm trashëgohet . Ky libër është një thirrje e fortë për të vuajturit e regjimeve , gazetarët, analistët, kineastët, historianët por mbi të gjitha politikanët që përpara vendimmarrjeve që transformojnë jetë ,të ndalin duart , votat e të therrasin për arsyetim mendimin.e drejtësi .Teksa e shfletoj librin bindem përfundimisht se liria është kaq sublime aq sa edhe robin e shndërron në qenie me vlera që nderohet dhe vlerësohet.

Filed Under: Reportazh

Disa nga arritjet kulminante të rinisë shqiptare në Suedi

March 1, 2023 by s p

Nga XHAVIT ÇITAKU/

Pos krijimtarisë letrare dhe artistike, Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi, në fokus të saj të interesimit janë edhe grumbullimi i materialit të shumtë, i cili ka të bëj me punën, aktivitetin dhe kontributin që kanë dhënë bashkatdhetarët tanë për komb e atdhe. I gjithë ky material është botuar në 12 librat voluminoz “ Thesari Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi”. Po ashtu, interesimi i anëtarëve të këtij asosacioni krijues është edhe mbledhja e informacioneve për të arriturat e mërgimtarëve tanë në fusha të ndryshme, të cilat janë të mëdha e të rëndësishme edhe në aspektin e lartësimit të imazhit të shqiptarëve jo vetëm në këtë vend skandinav. Ky konstatim mund të dëshmhet edhe me rastin e mbajtjes së një Akademie Shkencore këto ditë nga SHSHASH “ Papa Klementi i XI Albani” dhe Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Suedi (RRBDSHS), në të cilën u shënua 500-vjetori jubilar i pavarësisë së Mbretërisë së Suedisë dhe 15-vjetori, gjithashtu jubilar, i pavarësisë së Republikës së Kosovës. Në këtë event u paraqitën 24 kumtesa nga fusha të ndryshme, të cilat zgjuan interesim nga të pranishmit. Njëra ndër kumtesat që u dallua ishte ajo e Prof. Fetah Bahtirit e titulluar  “ Integrimi i rinisë shqiptare në shoqërinë suedeze”. 

Aleksander Mojsiu është shqiptari i parë që ka shkelur në tokën suedeze

    Në fillim të kumtesës së tij Prof. Fetah Bahtiri fokusohet në atë se cili shqiptar ishte i pari që ka ardhur në këtë shtet skandinav, duke shtuar:  Sipas dokumenteve të zbuluara gjer më sot, dihet se shqiptari i parë që ka shkelur në tokën e Suedisë është artisti i madh shqiptar me famë botërore – Aleksandër Moisiu (Alexander Moissi 2 prill 1879 – 23 mars 1935). Duke hulumtuar arkivat e shtypit suedez, gazetari Shuquri Sejdijaj ka gjetur një artikull gazetaresk në të cilin shihet se aktori shqiptar Aleksandër Mosiu ka qenë në Stockholm më 1911 dhe 1932, herën e parë me dramën e Sofokliut “Mbreti Edip”, dhe herën e dytë me ”Faustin” e Gëtes. Për vizitën e parë më 1911, më datë 19 prill 1911, ditë e mërkurë, gazetari D. D-n ka shkruar në gazetën Dagens Nyheter të Stockholmit dhe për Aleksandër Moisiun e regjisorin Max Reinhardt ka dhënë vlerësime shumë të larta: 

     “Jo, ishte Aleksandër Moisiu ai që e bëri mbrëmjen të paharrueshme

Artikulli i gazetës “ Dagens Nyheter” që vlerësoi lartë interpretimin e Aleksander Moisiut në tetarin e Kryeqytetit Stokholm të Suedisë

“ Ai ishte madhështor dhe ai ishte i vetmi që ishte madhështor. Kur doli te shkallët për në pallat – sfondi monumental ishte me një efekt të shkëlqyer – ai tërhoqi sytë dhe interesin e të gjithë publikut. Edipi i tij ishte sundimtari, njeriu i popullit, njeriu i perëndive. Shfaqja u përshkua nga një madhështi, nga një forcë lëkundëse, një dhunë që ndoshta aty-këtu thyente linjat antike, por që në shprehjet e lira të njerëzve i përkasin skenës më të stilizuar që kam parë. Dhe pastaj zëri! Në fillim: asnjë rrokje e humbur. Arti i diksionit ishte i çuditshëm. Dhe ky zë me melodiozitetin e tij të mrekullueshëm ngrihej e binte me tone të gjata madhështore, merrte tingullin metalik të tubit, forcën e britmës së ankthit, vajtimin e vdekjes së të dërrmuarve. Krejtësisht në fund fytyra më karakterizuese u trajtua me të njëjtën mjeshtri. 

     Ajo që pamë dhe dëgjuam ishte diçka që nuk harrohet – dhe kur duartrokitjet më në fund u shkëputën nga grumbullimi impozant i njerëzve, gjithçka doli mjaft madhështore. 

     Sidoqoftë regjisori Reihardt ndan fitoren me Moisiun”.  

     Ndërkaq, për vizitën e Aleksanër Moisiut në vitin 1932 e njëjta gazetë ka shkruar më 2 shtator 1932, ditë e premte, artikullin ”D:r Faust i stan”, shqip: ”Dr. Fausti në qytet”. Kësaj radhe Aleksandër Moisiu luajti së bashku me aktoren gjermane Karin Evans. Gazeta sjell edhe një foto të përbashkët të këtyre dy aktorëve, të shkrepur në Grand Hotel nga fotoreporteri i gazetës Dagens Nyheter. 

     Gazetari tjetër që jeton dhe vepron në Suedi, Qerim Kryeziu, në librin e tij ”Shqiptarët në retrokujtesën Nordike (Veprimtaria kulturore e mërgatës shqiptare në Suedi)”, Prishtinë, 2022, cek disa emra të personaliteteve shqiptare që nga viti 1916 e këndej kanë qenë në Suedi. Përmenden emrat si Faik Konica, studenti i kimisë Besnik Sytja, i cili ”në ditën e mbrojtjes së disertacionit, kishte vdekur”, mbreti Ahmet Zogu, shkrimtarët Vedat Kokona, Petro Marko, Sterjo Spasse, Musine Kokalari etj.  

     Pas Luftës së Dytë Botërore, në vitet e gjashtëdhjeta Suedia u shndërrua në destinacion ku kërkohej jetë më e mirë. Shumica e ardhacakëve shqiptarë ishin nga Maqedonia e Veriut. Ndërkaq, që nga viti 1981 fillon emigrimi edhe i shqiptarëve të Kosovës për t´u shndërruar pastaj në pjesën e parë të viteve të 90-ta në njërin prej grupeve më të mëdha të azilkërkuesve, një pjesë e mirë e të cilëve morën lejeqëndrimi. Këta shqiptarë organizuan jetën vet kulturore e politike, filloi edhe mësimi i gjuhës amtare shqipe në shkollat suedeze, u themua Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë Naim Frashëri”, Dega në Suedi, u hapën shumë shoqata kulturore shqiptare nëpër qendrat ku ishin të vendosur shqiptarët. Filloi edhe botimi i revistave dhe gazetave në gjuhën shqipe, u hapën radio dhe stacione televizive etj. etj. 

     Ky lulëzim i shpejtë e i hovshëm i veprimtarisë së shqiptarëve në Suedi u bë në radhë të parë për arsye se shqiptarët këtu fituan hapësira veprimi e organizimi. U themelua edhe Unioni i Shoqatave Shqiptare në Suedi dhe forma e asociacione të tjera të shumta të veprimtarisë. U themelua edhe Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi, më vonë edhe Rrjeti i Bisneseve të Diasporës Shqiptare në Suedi (RRBDSHS), etj. Në vazhdimësi shqiptarët u kyçën në të gjitha format e veprimtarisë konform normave dhe rregullave ligjore vendore.  

Shumë të rinjë me kualifikime universitare e doktorate në fusha të ndryshme

     Ndërkaq, duke folur për arritjet e rinisë shqiptar në shumë fusha Prof. Fetah Bahtiri shkruan: Rinia shqiptare në mënyrë të veçantë filloi një integrim të shpejtë e të vrullshëm në shoqërinë suedeze. Rinia jonë iu përvesh punës, sidomos në shkollim dhe shpejt dolën kuadra me kualifikime superiore universitare në degë të shumta dhe shumë prej tyre fituan gradën e magjistrit dhe të doktorit të shkencave. Sot në Suedi ka shumë shqiptarë mjekë specialistë, inxhinierë të dalluar, ekonomistë nëpër banka e institucione shtetërore, drejtorë e udhëheqës institucionesh etj. Pra, rinia shqiptare këtu në Suedi nëpërmjet shkollimit, punës, sportit, shoqërimit e besa edhe dashurisë arriti që të integrohet deri në atë shkallë, sa që Suedia filloi të përjetohet si shteti i dytë amë – pas atdheut të prejardhjes. Kur them ”nëpërmjet dashurisë”, më duhet të cek se në Suedi janë lidhur bukur shumë martesa të përziera shqiptaro-suedeze dhe kështu janë krijuar familje në të cilat mbretëron harmonia dhe lumturia.

Dy deputet shqiptarë në Parlamentin suedez

    Në këtë kumtesë jepen të dhëna edhe për arritjet e rinisë shqiptare në fushën e politikës dhe në Parlamentin e Suedisë, që quhet Riksdagen, aktualisht 

shqiptarët janë të përfaqësuar me dy deputetë, të rinj përkah mosha, por me një bagazh serioz të marrjes me politikë. Këta janë: Adnan Dibrani, i lindur në vitin 1985 që momentalisht ushtron mandatin e katërt si deputet dhe Aida Birinxhiku, e lindur në vitin 1999 – që të dy deputetë nga radhët e Partisë Socialdemokrate. Supleant deputeti është Arbër Gashi, i lindur në vitin 1994. 

     Ndërkaq, anëtare e Parlamentit Evropian si përfaqësuese e Suedisë aktualisht është shqiptarja e re Arba Kokalari, e lindur në Tiranë në vitin 1986. 

     Në nivele prefekturash dhe komunash kemi shumë kuadro të reja shqiptare që udhëheqin me përgjegjësi të lartë.  

Integrim jashtëzakonisht i shpejt në degën e sportit

     Rinia shqiptare në Suedi është integruar jashtëzakonisht shpejt dhe mirë sidomos nëpërmjet sportit. Në degë të ndryshme sportive rinia jonë ka arritur rezultate kulminante.  

     Futbolli suedez i femrave ka dhënë një yll që ka bërë histori – Kosovare Asllanin (1989). Kjo lojtare ka arritur të fitojë shumë tituj në futboll, si: Kupën e Suedisë, kampione e Suedisë, medaljen e argjentë në Lojërat Olimpike (2016), medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror (2019), medaljen e argjendtë të Lojërave Olimpike (2020) etj. Për skuadrat kombëtare të Suedisë ka luajtur si vijon: për U17 – 6 herë, U19 – 15 herë, U23 – 4 herë dhe për kombëtaren A (senioret) – 161 herë. Është fituese individuale e çmimit më të lartë në konkurencën e femraven ë Suedi – e Topit të Diamantit (2017), e çmimit ndërkombëtar Këmba e Artë, disa herë është shpallur mesfushorja më e mirë i vitit dhe e shumë e shumë çmimeve të tjera. 

     Kosovarja është ende aktive dhe luan për AC Milan (Itali) e njëkohësisht edhe për kombëtaren e Suedisë. 

     Një tjetër yll shqiptar i futbollit të femrave në Suedi është Loreta Kullashi (1999), e cila ka përfaqësuar Suedinë U17 – 11 herë, U19 – 19 herë, U23 – 15 herë dhe kombëtaren A – 8 herë. 

     Strumbullarin e përfaqësueses së Suedisë në futsal qe një decenie dhe aktualisht e përbëjnë shqiptarët. Granit Berisha (1991), Mërgim Berisha (1993), Albert Hiseni (1992), Donat Gashi (1998), Petrit Zhubi (1988), Liridon Makolli (1990) dhe disa të tjerë shumë herë na kanë bërë krenarë me lojërat e tyre për kombëtaren e Suedisë. 

     Në elitën e futbollit suedez që quhet Allsvenska janë dalluar shumë të rinj shqiptarë, të cilët kanë arritur të luajnë edhe për kombëtaren e Suedisë të moshave të reja dhe të seniorëve. Të tillë ishin: Labinot Harbuzi (1986) që 6 herë luajti për kombëtaren e Suedisë U21, Emir Bajrami (1988) veshi petkun e Suedisë U19 – 12 herë, U21 – 25 herë dhe të kombëtares A – 18 herë. Erton Fejzullahu (1988) luajti për përfaqësuesen e Suedisë U 21 – 7 herë, për kombëtaren A të Suedisë – 5 herë dhe një herë për Republikën e Kosovës. Arbër Zeneli (1995) ka përfaqësuar Suedinë U17 – 7 herë, U19 – 17 herë, U20 – 11 herë dhe Kosovën A – 26 herë. Ibrahim Dresheviq gjithashtu ka luajtur për Suedinë U17 – 2 herë, U19 – 11 herë dhe për Kosovën A – 19 herë.   Valon Berisha i lindur në Suedi në vitin 1993 ka luajtur për përfaqësuesen e Norvegjisë U19 – 8 herë, U21 – 18 herë, kombëtaren A   – 20 herë dhe për Kosovën A – 36 herë. Astrit Ajdareviq (1990) ka luajtur për Suedinë U17 – 20 herë, U19 – 18 herë, U21 – 14 herë dhe U23 – 3 herë dhe një herë për Shqipërinë (ekipi A).  Loret Sadiku (1991) ka luajtur për Suedinë U21 – 3 herë dhe për Kosovën A – 4 herë, Liridon Kalludra (1991) ka përfaqësuar Suedinë U 17 dhe U 19 nga 7 herë dhe shumë të tjerë. 

     Aktualisht në klubet suedeze të Allsvenskas janë të integruar dhe luajnë me dhjetra futbollistë profesionistë shqiptarë. 

     Një shqiptare është duke shkëlqyer edhe në hendbollin suedez të femrave. Ky yll quhet Amanda Iséni (2003). Amanda ka përfaqësuar Suedinë në të gjitha kategoritë e moshave, aktualisht edhe senioret. 

     Do t´i hynim në hak yllit të hipizmit dhe të vrapimeve trokthi me karroca në Suedi – Lutfi Kolgjinit (1959) nëse nuk do të theksonim se ai gjatë karierës së tij 20-vjeçare ka shënuar më shumë se 2 000 fitore në gara të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare, duke fituar gara e çmime të ndryshme dhe gjithnjë në helmetën e tij ka mbajtur shqiponjën dykrenore. Rrugës së tij janë duke ecur djemtë e tij – Adrian Kolgjini (1993) dhe Dante Kolgjini (1999). 

     Ilir Latifi (1982) është një mundës i stilit MMA (Mixed Martial 

Arts), UFC (Ultimate Fighting Championship) dhe i stilit greko-romak. Iliri ka fituar shumë gara e tituj të rangut kombëtar dhe ndërkombëtar. 

     Naim Tërbunja (1984) është një boksier shqiptar i cili ka fituar shumë tituj kombëtar në Suedi. Ka përfaqësuar Suedinë edhe në Lojërat Olimpike të vitit 2008 si dhe ka pasur një karierë të suksesshme në boksin profesional ku ka zhvilluar 13 lufta, prej të cilave ka një barazim, dy humbje dhe 10 fitore. 

     Filmi suedez e ka një aktore yll me emrin Fortesa Hoti (1988) e cila ka lënë gjurmë të pashlyera, kurse Teatrin Kombëtar të Suedisë në Stockholm e udhëheq regjisori shqiptar Dritëro Kasapi (1975). 

     Anëtarë të të Lidhjes së Shkrimtarëve të Suedisë dhe përkthyes të dalluar janë disa shqiptarë (edhe anëtarë të Shoqatës sonë) të cilët veprojnë me sukses të dalluar. 

     Anëtari i Shoqatës sonë Shyqri Gjurkaj është një piktor akademik i cili me punën dhe sukseset e tij ka zënë vend të merituar në elitën e piktorëve aktualë të Suedisë. 

Janë krijuar vepra të rëndësishme letrare e artistike

     Kështu, pra, shumë të rinj shqiptarë kanë lënë gjurmë shqiptare në Suedi e edhe në forma të tjera të punës dhe të veprimtarisë, siç është p. sh. letërsia, piktura, skulptura, përkthimet letrare etj. Janë botuar me qindra libra të gjinive të ndryshme në të cilat gjithmonë ka mbizotëruar ndjenja kombëtare e atdhedashuria për vendin dhe rrënjët e prejardhjes, por, njëkohësisht është shprehur edhe dashuria e respekti për atdheun e dytë – Suedinë, e cila ka mundësuar dhe ndihmuar këtë krijimtari.  

     Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi në gjirin e vet ka grumbulluar shumë krijues dhe artistë të cilët  kanë krijuar vepra të rëndësishme letrare e artistike. Kjo Shoqatë praktikisht ka prodhuar shkrimtarë të rinj të moshave të ndryshme dhe këtë punë është duke e bërë me dashuri. Vetë emri i anuarit të Shoqatës – Thesar kombëtar i mërgatës shqiptare në Suedi – shpreh vlerat dhe peshën e këtij libri të cilin shumë personalitete me kompetencë e kanë vlerësuar lart dhe e kanë quajtur enciklopedi. 

     Këtë kumtesë Prof. Fetah Bahtiri e përfundon me këto fjalë: Ne shqiptarët në Suedi e kemi një rini të shkëlqyeshme. Unë konsideroj se kjo rini është krijuar e këtillë si derivat i kombinimit të edukatës e vlerave tradicionale shqiptare me kulturën dhe edukatën që kultivohet në shoqërinë suedeze që nga fëmijëria e hershme. 

Filed Under: Reportazh

U festua 15-vjetori i Pavarësisë së Kosovës në New York dhe New Jersey

February 21, 2023 by s p

Prof.Asc.Dr.Gëzim MUSTAFAJ

Presidënt i Shoqatës “Skëndërbej”

Shoqata e Ushtarakëve “Skenderbej” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, (New York dhe New Jersey), e ka kthyer në traditë festimin e ngjarjeve historike të kombit tonë.

Në 15-vjetorin e Pavarsisë së Kosovës, kësaj ngjarje historike për popullin shqipëtar të Kosovës dhe mbarë kombin tonë, më datë 19 shkurt. shoqata organizoi një aktivitet në Garfild New Jersey me pjesmarrjen e anëtarëve të shoqatës dhe të ftuar.

Në këtë aktivitet na nderuan me pjesmarrjen e tyre anëtarë dhe drejtues të UÇK-së të kryesuar nga Z.Astrit Huskaj, Kryetarë i veteranëve të UÇK-së për Amerikën, i cili foli për këtë ngjarje historike dhe për rrugën luftarake të UÇK-së. Ai solli përshendetjet e veteranëve të Luftës së Kosoves, por mbresëlënëse ishte përshendetja e drejtuesve të lartë të UÇK-së dhe udhëheqësve të Kosoves, që po mbahen padrejtësisht në Hagë. Të gjithë të pranishmit uruan me zemer që kjo padrejtësi të marr fund sa më parë.

Aktivitetin e moderoi Znj.Nadire Xhakolli.

Presidenti i Shoqates Z.Gëzim Mustafaj ju uroj të pranishemve mirseardhjen dhe foli mbi rrugën luftareke të UÇK nga krijimi dhe deri në përfundimin e luftës.

Z.Mihal Jano foli mbi konrtibutin e Shqipërise ne Luftën e Kosoves dhe kryesishtë ushtarakëve shqiptarë në përgatitjen e luftëtarëve të UÇK-së.

Z.Veri Talushllari foli mbi rolin e NATO-s dhe SHBA në Luftën e Kosovës.

Z.Agim Pira solli përshendetjet e Shoqatës Bijët e Shqipes ne Philadelfia.

Përshendeten Koloneli në Rezerve Z.Shefqet Saliu, Z.Bujar Hasani President nderi i shoqates. Z. Engjell Zerdelia, Z.Sulejman Avdia, etj.

Z. Gëzim Mustafaj i dhuroi Z.Astrit Huskaj Librin e tija Lufta e Kosoves dhe NATO, një veshtrim Politiko-Ushtarak dhe Z.Engjell Zerdelia librin Kongresi i Manastirit.

Atmosferen e këtij aktiviteti e zbukuroi anetari i Shoqates Z. Agim Shiqerukaj si DJ me poezite e bukura qe solli dhe kenget nga te gjitha trevat shqipëfolese.

Një falenderim i veçantë për pronarin e lokalit dhe anëtarin e shoqatës Z.Arben Xhanbazi për organizimin e persosur të këtij aktiviteti.

Mirë u takofshim në aktivitete te tjera.

Filed Under: Reportazh

17 Shkurti shpallet Dita e Pavarësisë së Kosovës në Philadelphia

February 20, 2023 by s p

Shqiptarët në Philadelphia për herë të parë e ngritën flamurin e Kosovës në bashki (City Hall).

Nga dr. Sadik Elshani

Që nga kremtimet e 100 Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, shoqata “Bijtë e shqipes” në bashkëpunim me bashkinë e Philadelphias kanë krijuar një përvojë të mirë për ngritjen ceremoniale të flamurit kuqezi. Është ky një rast i mirë për t’i paraqitur vlerat tona kulturore e kombëtare para qytetit ku jetojnë afër 30 mijë shqiptarë. Kishim menduar edhe për ngritjen e flamurit të Kosovës, por nuk e dinim nëse i lejohet shoqatës sonë që të organizojë ngritjen ceremoniale për dy shtetet shqiptare. Dhe vendosëm që të njejtën ceremoni duhet organizojmë edhe për flamurin e Kosovës, sepse shpallja e pavarësisë së Kosovës është ngjarja e dytë më e rëndësishme në historinë e kombit tonë, pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Vitin e kaluar kur organizuam ngritjen e flamurit kombëtar e shfaqëm dëshirën tonë para autoriteteve të qytetit për ngritjen e flamurit të Kosovës në ditën e shpalljes së pavarësisë së saj. E bëmë kërkesën dhe kërkesa jonë u pranua pa kurrëfarë problemi. Duhej ta bënim këtë vit edhe për ta shënuar përvjetorin e pesëmbëdhjetë të pavarësisë së Kosovës.

Përgatitjet për të bërë një organizim sa më të mirë kishin filluar me kohë, ishte bërë edhe lajmërimi për të siguruar pjesëmarrje sa më të madhe të bashkatdhetareve. Të gjithë po e prisnim me padurim këtë ditë. Dhe ja erdhi 17 shkurti. Koha atë ditë në Philadelphia ishte me shi, por ceremonia u zhvendos në mjediset e brendshme të Bashkisë, Conversation Hall, sallë në të cilën bashkia i organizon pritjet ceremoniale. Në sallën e zbukuruar me flamujt e Kosovës, ata kombëtarë dhe amerikanë ishin tubuar shumë bashkatdhetarë, jo vetëm nga qyteti i Philadelphias, por edhe nga vendbanimet përreth, madje edhe nga Nju Jorku. Ishte i pranishëm ambasadori i Kosovës në Uashington dhe i tërë personeli i kësaj ambasade. Qytetin e Philadelphias e përfaqësonte zonja Sheila Hess, Përfaqësuese e Qytetit (City Representative). Ndërsa nga Zyra për Çështje të Emigrantëve ishte i pranishëm z. Alain Joinville. Ishte i pranishëm edhe kryetari i Organizatës së Konsujve të Nderit në Philadelphia, z Christopher Chaplin.

Dy ish nxënës të shkollës shqipe, “Gjuha jonë”, Jona Hajrullahu e Drini Hamza, të veshur me veshje të bukura kombëtare, e moderuan për bukuri këtë veprimtari. Pas disa fjalëvë hyrëse ata ia dhanë fjalën kryetarit të shoqatës “Bijtë e shqipes”, z. Bujar Gjoka, i cili i përshëndet të pranishmit, duke u uruar atyre Ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Ai theksoi se kjo është hera e parë që shoqata organizon një veprimtari të tillë në bashkinë e Philadelphias.

Në emër të Këshillit Drejtues të shoqatës përshendeti, z. Sadik Elshani, i cili në fillim të fjalës së tij i përshëndeti të praanishmit duke ua uruar 17 Shkurtin, Ditën e Pavarësisë së Kosovës. U kujtoi të pranishmëve se me rastin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës atëherë në Prishtinë ishte ngritur një monument, “Newborn” (I porsalinduri), për ta shënuar lindjen e shtetit më të ri të Evropës e botës. Tani ai i porsalinduri i ka mbushur 15 vjet dhe është duke u rritur i fortë e i shëndetshëm. Pastaj z. Elshani në pika të shkurtëra e përshkroi rrugëtimin e Kosovës drejt shpalljes së saj si shtet i lirë e i pavarur: “Ishte ky një rrugëtim i gjatë vuajtjesh, sakrificash, përpjekjesh e luftërash për liri e pavarësi. Është ky kurorëzimi i të gjitha këtyre përpjekjeve që bën breza të tërë shqiptarësh. Lista me emrat e atyre që luftuan me pushkë e penë është e gjatë, ngjarjet që çuan deri në fitoren përfundimtare janë të shumta. Por, sot ketu do të veçoja presidentin historik të Kosovës dr. Ibrahim Rugovën, i cili me guxim, mençuri e vizion të qartë i priu popullit të Kosovës në një periudhë mjaft të vështirë historike. Do të veçoja komandantin legjendar Adem Jashari dhe sakrificën finale të tij dhe të familjes së tij, si dhe ata mijëra djem e vajza, burra e gra që luftuan me armë në dorë për t’i dalur zot vendit të vet, për të mbrojtur nderin e dinjitetin e familjeve të tyre”.

Në vazhdim z. Elshani foli për sfidat e shumta me të cilat po ballafaqohet Kosova dhe përpjekjet e saj për të ecur përpara, për të ndërtuar institucionet funksionale demokratike. Duke folur për Kosovën ai u shpreh: “Kosova është një vend i bukur, me shumë monumente historike, i pasur me minerale, fusha pjellore e bjeshkë madhështore, e banuar me një popull zemërgjërë e bujar – një shoqëri dinamike, e etshme për të ecur përpara drejt integrimeve evropiane e NATO-s” Z. Sadik nuk e la pa e përmendur edhe ndihmën vendimtare të ShBA-ve dhe aleatëve të tyre për çlirimin e Kosovës si dhe ndihmën e pandërprerë për ndërtimin e institucioneve shtetërore, ringjalljen e ekonomisë, etj. Ai po ashtu, foli edhe për kontributin që japin shqiptarët nga Kosova në zhvillimin e ekonomisë së Philadelphias dhe aspekteve te tjera të jetës së qytetit ku ata jetojnë dhe i rrisin familjet e tyre.

Për rëndësinë e ngritjes së flamurit të Kosovës në bashkinë e Philadelphias, z. Elshani u shpreh: “Ngritja e flamurit të Kosovës sot në Bashkinë e Philadelphias, vendlindjen e ShBA-ve dhe të Kushtetutës Amerikane është një nder i jashtëzakonshëm për Kosovën dhe popullin e saj, komunitetin tonë, është afirmim i vlerave të përbashkëta për liri, paqe e përparim. Prandaj, nuk është rastësi që ambasadori the i tërë personeli i ambasadës se Kosovës në Uashington, D. C. janë të pranishëm në këtë ceremoni madhështore, ata janë këtu për të shprehur falenderimet e tyre për vendin që ndihmoi për çlirimin e popullit të Kosovës nga regjimi shtypës i Sllobodan Millosheviqit. Ceremonia e sotit e çon një porosi të qartë: E mira ngadhnjen mbi të keqen, liria mbi tiraninë, diktaturën. Si një shqiptaro – amerikan i lindur e rritur në Kosovë, e ndiej veten shumë krenar te deklaroj se sipas të gjitha anketave, Kosova është vendi më proamerikan në botë”.

Në emër të kryebashkiakut (Mayor) të Philadelphias, të nderuarit Jim Keney, përshëndeti zonja Sheila Hess, Përfaqësuese e Qytetit (City Representative), mike e madhe e komunitetit tonë. Zonja Hess në fillim të fjalës së saj të pranishmëve u uroi Ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, duke i përgëzuar organizatorët për këtë veprimtari të mrekullueshme. Që në fillim të fjalës së saj ajo e entuziazmuar e shfaqi kënaqësinë e saj që kjo ceremoni po zhvillohet për herë të parë në Philadelphia, sepse ky qytet është “qyteti i shumë të parave”, qytet ku shumë gjëra në ShBA kanë ndodhur për herë të parë pikërisht në këtë qytet. Ajo pastaj i njoftoi të pranishmit se qyteti i Philadelphias është qytet që i mirëpret emigrantët. Emigrantët nga vende të ndryshme të botës kanë zgjedhur Philadelphian për të jetuar e për t’i rritur fëmijët, familjet e tyre.Ata sjellin traditat, kulturën, ushqimet e tyre, duke ia shtuar begatinë jetës së qytetit. Pastaj ajo foli edhe për rolin që shqiptarët luajnë në jetën kulturore e ekonomike të qytetit, vlerat e tyre familjare e njerëzore. Pastaj zonja Hess lexoi pjesë nga Proklamata përmes së cilës kryebashkiaku Keney e shpallte 17 shkurtin e vitit 2023, Ditën e Pavarësisë së Kosovës në Philadelphia. Një nder i madh ky për Kosovën, të gjithë shqiptarët dhe miqtë e tyre.

Zoti Alain Joinville përshëndeti në emër të Zyrës për Çështjet e Emigrantëve (Office for Emigrant Affairs). Zoti Joinville i njoftoi të pranishmit për punën që bën kjo zyrë për t’i ndihmuar emigrantët e rinj për t’u adaptuar në jetën e qytetit të Philadelphias. Sikurse zonja Hess më parë edhe ai e theksoi se Philadelphia është qytet që i mirëpret zemërhapur emigrantët dhe ku emigrantët ndihen mirë e të mirëpritur.

Në fund, jo për nga rëndësia, por sipas protokolit të qytetit, fjala e fundit në ceremoni të tilla, në shenj nderimi i jepet të ftuarit, personit më të rëndësishëm. E në këtë ceremoni ky person ishte ambasadori i Kosovës në Uashington, Shkelqësia e tij, Ilir Dugolli. Zoti Dugolli i përshëndeti të pranishmit, duke u uruar atyre Ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Ai e falendëroi qytetin e Philadelphias dhe shoqatën “Bijtë e shqipes” për këtë ceremoni madhështore, që i bën nder Kosovës dhe gjithe shqiptarëve. Në vazhdim ai shkurtas foli për sukseset dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova, aspiratat e saj për t’iu bërë pjesë e Bashkimit Evropian dhe anëtare e NATO-s. Kuptohet, zoti Ambasador nuk e la pa e përmendur edhe rolin e SHBA-ve dhe aleatëve të tyre për çlirimin e Kosovës dhe ndihmesën e tyre të vazhdueshme për ndërtimin e shtetit të Kosovës, demokratik e të përparuar, si dhe garancinë e tyre për ruajtjen e paqes në Kosovë e rajon.

Kjo ceremoni ishte edhe një rast i përshtatshëm për të nderuar një veprimtar të dalluar të komunitetit tonë për angazhimin e tij shumëvjecar për çështjen e Kosovës dhe atë kombëtare. Është ky atdhetari e sipërmarrësi i suksesshëm, z. Ahmet Zeka, të cilin shoqata “Bijtë e shqipes” e nderoi me vlerësimin, “Nderi i komunitetit”, për organizimin e shumë demonstratave për mbrojtjen e Kosovës, ndihmën materiale e monetare për Kosovën e Shqipërinë, si dhe ndihmesën e tij të gjithanshme për të ndihmuar emigrantët e rinj shqiptarë, nga të gjitha trojet tona etnike.

Ky ishte programi që u organizua në mjediset e brendshme të Bashkisë. Tani shiu kishte pushuar së rëni dhe ky ishte një çast i përshtatshëm, çast për të cilin ishim mbledhur: ngritjen e flamurit të Kosovës.Të gjithë të pranishmit u tubuan në sheshin e Bashkisë rreth shtyllës ku ishte vendosur flamuri i Kosovës. Në fillim u luajtën himnet e dy shteteve, Amerikës e Kosovës. Gjatë luajtjes së Himnit të Kosovës në shtyllë ngritej flamuri i Kosovës. E ky nder këtë vit i takoi mysafirit tonë të çmuar, Ambasadorit Dugolli, i cili shoqërohej nga dy paraqitësit e programit të kësaj veprimtarie, Jona Hajrullahu e Drini Hamza. Pastaj sheshi jehoi nga kënga e vallja shqiptare, shqiptarët vallëzonin të gëzuar dhe uronin njëri – tjetrin për këtë Ditë të Madhe për Kosovën dhe kombin tonë.

Por, nuk u mbyll me kaq kjo veprimtari e ngritjes së flamurit të Kosovës: Zoti Enver Parllaku i ftoi të gjithë të pranishmit që të shkonin për të pirë një kafe në restorantin që ai drejton. Është traditë të thuhet për një kafe, por z. Parllaku shtroi një drekë të pasur me të gjitha të mirat, pije e ushqime të mjaftueshme (bollshme) e të shijshme. Në këtë drekë ishte i pranishëm edhe ambasadori i Kosoves dhe shoqëruesit e tij. Edhe këtu bashkatdhetarët kaluan ça çaste të këndshme, biseda të përzemërta nën tingujt e muzikës shqiptare. U ngritën dolli për Kosovën, duke shprehur urimet dhe dëshirat më të mira për përparimine saj. Enveri është një bashkatdhetar bujar që i respekton traditat shqiptare të mikpritjes. Ai në restorantin e tij disa herë ka organizuar veprimtari fondembledhëse për të grumbulluar fonde monetare për godinën e re të shoqatës sonë dhe për t’i ndihmuar bashkëkombësit tanë në Shqipëri pas goditjes së tërmetit të vitit 2019. Ka ca vite që të njejtën gjë e bën edhe kur e ngremë flamurin tonë kombëtar për nder të 28 Nëntorit. E falenderojmë Enverin për bujarinë, mikpritjen dhe atdhedashurinë e tij.

Kështu, në rrethana të modifikuara për bukuri, me plot sukses u zhvillua ceremonia e ngritjes së flamurit të Kosovës për herë të parë në Bashkinë e Philadelphias. Zemra të mbushet me kënaqësi kur e sheh duke valuar flamurin e Kosovës në qytetin ku u shpallë pavarësia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë në botë u urojmë me gjithë zemër: Gëzuar 17 Shkurtin! Ndërsa Kosovës sonë të dashur i urojmë mbarësi e përjetësi. Vërtet 17 shkurti në Philadelphia ishte një ditë e vrërët e me shi, por për Kosovën dhe gjithë shqiptarët, 17 Shkurti gjithmonë do të jetë një ditë me diell që shkëlqen nga rrezet e lirisë. Gëzuar!

Philadelphia, më 18 shkurt 2023.

Sadik Elshani është anëtar i Këshillit Drejtues dhe ish-kryetar i shoqatës “Bijtë e shqipes”.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Sadik Elshani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 85
  • 86
  • 87
  • 88
  • 89
  • …
  • 174
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR
  • 15 janari është Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë!
  • Editori Diellit Dr. Athanas Gegaj përkujtohet në New York më 25 Janar 2026
  • Arsyet e vërteta pse ngriu procesi i vizave emigruese për në Amerikë për shqiptarët!
  • ERNEST KOLIQI ( 20 MAJ 1903 – 15 JANAR 1975)
  • SHQIPTARËT NË SANREMO!
  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT