• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHTËPIA E PEMËVE TË JETËS…

October 4, 2023 by s p

– Vepër nga Adrian Paci në Milano –

Sapo na thanë që në Milano, në pjesën moderne të metropolit italian, në “City Life” është një vepër e artistit shkodran, Adrian Paci, që jeton dhe punon në këtë qytet, ku jep leksione universitare, – e dinim që është i njohur në mbarë botën e artit – dhe nxituam të shkonim ta shihnim. Ç’ishte, skulpturë, kompleks monumental, instalacion modern?

– Vërtet kam kërshëri, më duket e mrekullueshme… – po u thosha miqve tanë, Lulit dhe Albanin, që po na çonin për atje mua me Edën time dhe do të shihnim se vepra e Adrian Pacit ishte të gjitha ato që kisha menduar dhe më shumë…

Makina rendëte rrugëve të Milanos dhe çdo shesh më dukej si “Piazzale Lagosta”, ku banonte Maestro Ibrahim Kodra, legjendari, siç po e quante në takimet tona poeti dhe kritiku i artit italian Sebastiano G.

Milano ka ndryshuar dhe është modernizuar edhe në arkitekturë duke ruajtur vetveten, po thoshim, ndërsa unë shtova se, kur donim të shihnim një vepër të Kodrës tonë dikur, duhej të futeshim brenda, në shtëpinë e tij, në studio, në ndonjë galeri, ekspozitë, ndërsa sot, që duam të shohim një vepër të Adrian Pacit tonë, duhet të rendim jashtë, në sheshet e mëdha… aty ishte, permanente… po ndjeja emocion…

Po na prisnin dhe Adriani me Melisën e tij. Iu afruam Veprës së mermertë. Arketipi i një shtëpie pa çati, me pemët brenda më të larta se muret, ato ishin banorë të saj. Fasada për një çast – si asosacion ideje, – më kujtoi Katedralen e Shkodrës, edhe kullat e malësorëve, por Duomon në Firence më shumë, po ajo ngjyrë mermeri. Rozetat ornamentale ngjajnë dhe me punët me grep, çentrot e nënave tona.

Dolëm nga pas shtëpisë. Befasi krijuese, Paci nga ajo që duket e zakonshme, muri dhe pemët, psh, krijon si me realizëm magjik të pazakonshmen, por që është gjithsesi dhe e natyrshme, gjenialiteti i tij artistik arrin thellësitë e asaj që duket e zakonshme, por dhe paradoksale…

Shtëpia e Adrianiane është e banuar nga pemët, të tilla që i gjen dhe në Shkodrën e tij, por janë pemë biblike:

fiku – gjethet e të cilit ishin veshja e parë e njeriut, Adamit dhe Evës, por që simbolizojnë pjellshmërinë dhe dijen, hurma – simbol i 7 virtyteve, shega- kthimin e përjetshëm dhe dashurinë e mëshirshme, qiparisat- janë tipike të trojeve, ku gjen prehjen jeta tokësore. E gjitha është një ftese për të aktivizuar marrëdhëniet mes njeriut, natyres dhe artefaktit në një kontekst urban, është shkruar në targetin mbi bar ndan Veprës. Është kujtimi i shtëpisë tradicionale mes grataçieleve të se ardhmes, – shtoj unë. – Është metafora e jetës, që tenton qielloren dhe Qiellin.

Nuk të iket nga kjo shtëpi e artit…

Visar Zhiti

May be an image of 18 people, skyscraper and text

See Insights and Ads

Create Ad

Like

Comment

Share

Filed Under: Reportazh

Tri vepra të Shqipërisë e të Kosovës në Panairin Ndërkombëtar e Librit në Riad

October 3, 2023 by s p

Prof. Muhamed Mufaku/

Kohëve të fundit kemi një risi që vlen të prezantohet: promovimi i letërsisë shqipe në gjuhën arabe, gjuhë e 20 shteteve me 400 milionë banorë prej Kuvajtit deri në Marok, e cila është një prej pesë gjuhëve zyrtare të Kombeve të Bashkuara. Është për të shënuar këtu, në sajë të shënimeve të botuesve, se viteve të fundit u bë një ndryshim i madh në raport libër-lexues si pasojë e COVID-19 dhe zhvillimit të hovshëm urbanistik në kryeqendrat arabe. Kështu, duket si kontrast që në kohën që po mbyllen shumë librari në kryeqytetet arabe, shitja e librit po rritet me anë të panaireve dhe kompanive (si “Amazon” e tjera) që merren me sigurimin e librave dhe dërgimin e tyre deri te lexuesi.

Në lidhje me panaire të librave kemi nja 20 që mbahen me rend prej Kuvajtit deri në Marok, por tani dy janë më të rëndësishmit: Panairi i Kajros që ka më shumë reputacion dhe Panairi i Riadit që ka më shumë shitje-blerje të librave (vjet nja 2 milionë vizitorë e mbi 20 milionë euro qarkullim, kurse sivjet 1800 botues e 200 aktivitete).

Mu në këto vite filloi të promovohet mirë letërsia shqipe nëpër panaire të mëdha, kur përcillet atje me ndonjë tryezë e të tjera. Në mungesë të përkrahjes shtetërore, me përjashtim të një libri që e financoi pjesërisht Qendra e Librit në Tiranë më 2021, këto suksese të reja janë fryte të shoqërisë civile dhe disa ambasadorëve që kuptojnë mirë diplomacinë kulturore. Kështu, iniciativa filloi me themelimin e Institutit për Studime Orientale (ISO) në Prishtinë më 2019, që mori përsipër promovimin e kulturës shqiptare në Lindjen e Mesme. Në këtë kuadër e filloi bashkëpunimin me disa shtëpi botuese në vendet arabe dhe filloi të botohen libra për çdo vjet.

Sa për fillim u botuan dy romane: “Përtej binarëve” i Ibrahim Kadriut (Amman 2020) dhe “Një sagë e vogël për burgun” i Besnik Mustafajt (Amman 2021), të përkthyer në arabisht nga Ibrahim Fadlulla. Një vit më vonë, më 2022, doli botimi i dytë i romanit “Era dhe Lisi” i Sinan Hasanit me rastin e 100-vjetorit të lindjes.

Pritja e këtyre romaneve hapi rrugën për vepra të reja. Kështu, këtë vit është hera e parë që prezantohen dy romane të reja në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Riad që nisi më 28 shtator dhe zgjat deri më 7 tetor: “Daullja prej letre” i Besnik Mustafajt dhe “Vdekja e Anilës” i Ibrahim Kadriut në përkthim të Adnan Muhamedit që i nxori sivjet shtëpia botuese siriane “Dar al-Hiwar”, e themeluar më 1984 që i nxori deri më tani mbi 1000 tituj. Po ashtu, në Panairin e Librit në Riad sivjet po ekspozohet edhe antologjia e poezisë bashkëkohore e Kosovës me titull “Jetë në vazhdime” që përfshin 18 poetë të Kosovës në përkthim të Muhamed Mufakut.

Këto suksese të promovimit të letërsisë shqipe në Lindjen e Mesme u arritën edhe me qasjen pozitive të disa ambasadave të Kosovës, e sidomos në Riad e në Doha, ku ambasadorët kuptojnë mirë rëndësinë e diplomacisë kulturore, që do të thotë të vizitojnë pavijonin e botuesve dhe të marrin pjesë në promovimin e botimeve të reja në praninë e autorëve e të mbajnë disa kopje në ambasadë për ndonjë mysafirë që vjen. Sivjet, botuesi jordanez i antologjisë së poezisë bashkëkohore të Kosovës premtoi të organizojë për një panair tjetër një recitim të poezive në shqip e arabisht në prani të dy poetëve të Kosovës.

Megjithatë, tani rruga u hap më tutje. Deri në fund të vitit pritet të botohet romani i tretë i Besnik Mustafajt në arabisht, “Dëmtuar gjatë rrugës”, në përkthim të Adnan Muhamedit dhe në botim të shtëpisë siriane “Dar al-Hiwar”. Kjo do të ishte ngjarje, sepse autori do të jetë mysafir nderi i Panairit të Librit në Kajro që mbahet në fund të janarit të vitit 2024, me të cilin rast do të mbahet një tryezë për letërsinë shqipe. Me fjalë të tjera, do të ishte hera e parë që një shkrimtar shqiptar i këtij niveli të ftohet si mysafir nderi dhe prezantohet letërsia e vendit të vet.

Me këto botime, tani letërsia bashkëkohore shqipe ka dyer të hapura në Lindjen e Mesme, por na mungojnë vetëm përkthyesit dhe ministritë që merren me kulturë!

Filed Under: Reportazh

MALËSIA E GJAKOVËS, NË 77 VJETORIN E GENOCIDIT KOMUNIST

September 30, 2023 by s p

Agron PREBIBAJ/

Nisja e operacionit kriminal komunist me patjeter se do kishte turravrapin për të shkelur gjithçka e kudo, secilin individ të fortë e familje të pashembur, e përse jo Malêsia e Gjakovës të mos ishte njëra nga shënjestërat e para, pasi kjo malësi vitale, ndër shekuj i dha kombit burra kolosë e mendimtarë, derdhi gjak për liri e pavarsi, por edhe shumë rezistente ndaj djallit komunist. Malësia e Gjakovës( Tropoja) sot në 77 vjetorin e nisjes së genocidit komunist në Muzeun Bajram Curri, kujtoi martirët e të persekutuarit nga sistemi komunist.

Piknisja e genocidit ishte në Lokalitetin Lekbibaj ( Nikaj-Mertur) si vatra e fortë e qëndresës dhe rezistencës, ku me 29 shtator të 1946-ës, një ditë e madhe për besimtarët katolikë, u përzgjodh me qellim *Shen Mhilli i përgjakur” siç shkruan vite më parë historiani Dodë Progni, duke e konsideruar si ditë zie e pushtimi për Nikaj-Merturin e malësinë.

Porositësit për këtë genocid ishin të sofistikuar, ku një ditë më parë ushtria e policia njoftoi derë më derë në secilin fshat, se neser kemi një takim në qënderën Lekbibaj, ndërsa aty u rrethuan 2.000 burra të kësaj krahine nga ushtria e kuqe më besprera, e cila prodhoi një manifesitin më antinjerëzor të shqiptarit ndaj shqiptarit, duke pushkatuar në sytë e tyre burrin kolos Fete Sadiku por edhe djaloshin 23 vjeçar Ukë Quni, kjo edhe qellimi për të tembur e pushtuar Malësinë e Gjakovës e Dukagjinin në krahun tjeter, deri tek i ndjeri pak muaj më parë Adem Nuredin Gjoçaj i cili e filloi zbor-internimin në moshën 8-vjeçare në Tepelenë.

Ndërsa ky 77 vjetor vjen me kujtesë e pesimizêm për secilin para krizës sociale e shoqërore që po kalon shoqëria jonë kudo, por me besimtarë për ta kujtuar e lënë të kaluarën në historinë e dhimbëshme kombëtare.

Këtë kremtim-kujtese e hapi kryetari i Shoqatës Antikomuniste të Malësisë së Gjakoves z.Shpend Mulosmani, i cili solli statistikat e dhimbëshme të persekucionit komunist në malësinë tonë.

Në këtë përvjetor genocidi nderoi edhe kryetari i Shoqatës antikomuniste të Shqipërisë z.Etem Fezollari, i cili vlerësoi Tropojën si trevë e rezistencës antikomuniste. Ndërsa kumtesa i e Prof.Ilir Pecnikaj ishte mesazhi njerëzor e shkencor për kujtesën, historinë e promovimin ndaj përsonaliteteve tona.

Nderim e respekt për burrat e familjet që pasuan rezistencën anti-komuniste!

Filed Under: Reportazh

ALEANCA ME SHBA-të DHE BE-në PO E LULËZON SHQIPËRINË

September 28, 2023 by s p

Thanas L. Gjika/

(Shënime udhëtimi, 24 korrik – 7 shtator 2023, pjesa e I)

Në korrik të këtij viti ndjehesha i dobët e shumë i merzitur. Kisha hyrë në të 80-at, kisha hartuar e botuar qindra artikuj studimorë, dhjetë libra me studime dy prej të cilë monografi pesëqindfaqshe, njëra kushtuar jetës e veprës së Heroit të Popullit Mihal Grameno dhe tjetra jetës e veprës së përhapësit të shquar të Krishtërimit – Shën Palit. Për to kishin dhënë vlerësime pozitive studiues të kualifikuar shqiptarë e amerikanë, por jo institucionet përkate të atdheut.

Bashkeshortja ime, Julia, bashkë me vajzën Ani dhe djalin Ergon, më sugjeruan duke më ndihmuar e financiarisht, që të bëja një vizitë të gjatë në Shqipëri. Kështu munda të vizitoja shumë qytete e fshatra rreth e rrotull atdheut. Pashë me vëmendje rrugët, ndërtesat, lokalet moderne, njerzit që dukeshin të ushqyer e veshur mirë. Shumë hotele e restorante lluksozë, vila e shtepi komode, objekte tregetie dhe industriale, plantacione me fruta, toka te mbjella, kope me dhën, dhi e lopë, koshere bletësh me shumicë, pyje të rigjeneruar, turistë të shumtë në bregdet e nëpër qytete e fshatra të ndryshëm…

Me një fjalë pashë dhe shijova realitetin konkret të Shqipërisë së Re, që ka lulëzuar pas virit 1992, kohë kur atdheu ynë është në aleancë me boten Perendimore Euro-Atlantike.

Duket qartë se gjatë 45 vjetëve që kaloi Shqipëria në aleancë me Botën Lindore Socialiste, populli punoi rëndë, por ecja ishte e ngadalshme, me shumë mundime e sakrifica, nën frikën e terrorit të partisë-shtet, e cila ndiqte parimin që i dha krijuesi i saj Miladin Popovici: “Partia duhet të luftojë armiqtë dhe kur nuk ka të tillë, t’i krijojë ata”.

Në këto 30 vjet Shqipëria, duke qenë në aleancë me ShBA-të dhe BE-në ka bërë transformime, të cilët mund t’i bënte jo më shpejt se në 300 vjet, po të vijonte nën drejtimin e partisë-shtet. Këtë ndryshim kolosal e pranojnë edhe ish-komunistët, por këta ia njohin si meritë Partisë Socialiste dhe jo aleancës me ShB-të e BE-në dhe nuk pushojnë se ankuari, se sistemi demokratik ka krime, korrupsion dhe fukarallek. Nuk duan t’ua kujtosh krimet dhe fukarallëkun e mbarë popullit të kohës kur ata ishin në pushtet. Nuk duan të kuptojnë se në botën Perëndimore ku sundon demokracia dhe shteti ligjor ka korrupsion, por ky korrupsion ka kapur disa individë, por jo sistemin, kurse në Shqipëri ku sundojnë pasardhësit e klanit komunist, korrupsioni ka kapur gjithë klasën sunduese, e cila do të mënjanohet pasi të vendoset ligji.

NË RESPEKT TË MËSUESIT SADIK LEKA DHE POETIT HAVZI NELA

Kur jetoja në qytezën Lancaster MA isha njohur me dy të rinj kuksianë të zgjuar e punëtorë, Albert e Besim Leka. Të dy bashkë me nuset e tyre Eliamonda dhe Laureta na prisnin e na respektonin mua dhe Julian si prindërit e tyre. Kjo miqësi u forcua edhe më pasi erdhën edhe prindërit e tyre, Sadiku e Baftia dhe vëllezërit e tjerë Albani, Adriatiku e Klodi. Luanim shah, bilardo, shëtisnim bashkë, laheshim te pishina, bisedonim për të kaluarën në atdhe, etj. Te Sadiku dhe Barfia dhe djemtë e tyre njoha tipin model të malësorëve shqiptarë që dalloheshin për virtute, për edukatën tradicionale, që nuk ta jep shkolla por jeta. Të gjithë ishin të pashëm, të shëndetshëm, njëri më të mirë se tjetri. Mirëpo vitin e kaluar Sadikut iu përshpejtua pleqëria dhe brenda disa muajve u largua nga jeta. Bashkëshortja dhe djemtë e tij shkuan dhe e varrosën në fshatin e lindjes pranë nënës e vëllait të vet, si ua kishte lënë ai amanet.

Sivjet, zonja Baftie, Alberti e Besimi me nuset dhe Albani kishin vendosur të shkonin përsëri në Shqipëri për të përkujtuar njëvjetorin e ndarjes nga jeta të babait të tyre të dashur. Ky vendim më nxiti që ta shfrytëzoja rastin për të shprehur respektin tim për mikun e mirë, mësuesin e nderuar Sadik Leka. Të këtij mendimi kishin qenë edhe motra e Bafties, z-nja Mereme me bashkëshortin z. Bardhi Gjinollari dhe motra e Lauretës, z-nja Diona me bashkëshortin z. Lumtor Vrapi.

Më 25 korrik u bashkuam të gjithë në fshatin Qinamakë të Kuksit, mbi cepin jugor të Liqenit të Kuksit. Aty kishin shkuar dhe dy vajzat e të ndjerit, mjekja Violeta Hoxha dhe infermjerja Aferdita Sinaj.

Varrezat e bukura të fshatit ishin vendosur midis pemëve në një faqe kodre të pyllëzuar. Pas fjalëve ngushëlluese dhe fotove të rastit, pjesëtarët u drejtuan te klubi i fshatit, ish-shkolla e dikurshme, ku i ndjeri kishte sherbyer si mesues e drejtor. Për respekt të babës, Albani dha kafe, raki e duhan për ne dhe të gjithë bashkëfshatarët që u ndodhën aty. Kurse dreka ceremoniale me mbi 150 pjesëmarrës u dha në një lokal të ri madhështor në qytetin e Kuksit. Një hotel-restorant i tillë nuk gjendet në Clinton MA, ku janë vendosur familjet Leka, ndoshta as në Worcester MA, ku jetoj unë, sepse amerikanët I japin më shumë rëndësi funksionit sesa paraqitjes.

Pasi Hoxha bëri lutjen e rastit, pjesëtarët nëpër tavolina filluan të tregonin episode nga jeta e puna e mesuesit Sadik Leka në fshatin e tij, e sidomos në Suroj, ku ishte drejtor i gjimnazit. Në atë kohë në Surroj kishte pasur tri shkolla të mesme: një gjimnaz të përgjithshëm, një gjimnaz nate dhe një gjimnaz profersional bujqësor. Sot ai fshat ështe braktisur, aty jetojne vetem dy a tri familje, kurse në Qinamakë jetojnë rreth 50 familje, të shpërndara në disa mëhallë, që shtrihen në një sipërfaqe te madhe. Ky fshat me pyje e toka të shumta që shtrihet nga maja e malit e deri poshtë te Liqeni, ka mundësi të zhvillojë blegtorinë dhe të industrializojë ujrat e pishme malore, që burojnë në disa vende.

Vellezërit Leka kanë toka afer bregut të liqenit dhe mendoj se pasi të përfundojë rruga Kukës- Bicaj-Skavicë dhe të jetë vënë në funksion aeroporti i ri që po ndërtohet në anën lindore të liqenit, kanë për të ndërtuar aty një vilë verimi. E ardhmja e ketij fshati dhe e krejt anëve të Liqenit të Kuksit është e lidhur me ndërtimin e hidrocentralit te Skavicës në rrethin e Dibrës, sepse liqeni i ri që do të krijohet aty do të sistemojë e disiplinojë nivelin e ujit të liqenit…

Mbas drekës Z. Abdulla Domi, kryetar i Qarkut të Kuksit, fis i z-njës Baftie Domi, u dha kafet e lamtumirës familjarëve të të ndjerit, mikut të tij Sadik dhe neve që kishim shkuar nga larg. Në orën 4:30 PM u nisëm për Tiranë plot emocione pozitive. Gjatë rrugës mendoja për faktin se sa mirë i respektoi familja e madhe Leka traditat shqiptare lidhur me respektimin që I bëhet të vdekurit. Mundimi dhe shpenzimet nuk merren parasysh, mjafton që respekti të kryhet si e meriton Ai.

I paharuar qoftë kujtimi i babait, mësuesit e mikut të urtë Sadik LEKA!

TE FALEM HAVZI NELA, TY O POET MARTIR

Gjatë shëtitjes në qytetin e Kuksit ndalova tek busti i poetit martir, guximtarit të rallë Havzi Nela (1934-1988), vendosur para shkollës që mabnte emrin e Tij. Në basoreljev ishin gdhendur katër rreshta nga një poezi e tij:

Thoni dritë ai kërkoi

E vetë dritë nuk pa me sy.

Thoni për njerëzinë këndoi

E për vete nuk jetoi!

Gjatë bisedave miku im Sadik Leka më kishte treguar se më datën 9 gusht të vitit 1988 ishin lajmëruar punonjësit e mësusit e rrethit të Kuksit të ndodheshin të nesërmen më 10 gusht në ora 10 AM para sheshit të qytetit për të parë ekzekutimin e tradhëtarit Havzi Nela. Por kur populli shkoi në ora 10 AM e gjeti të varrur kufomën e mësuesit dhe poetit rebel. Pushteti kishte frikë ta ekzekutonte para popullit këtë viktimë të tij, prandaj kishte porositur që akti të kryhej që në ora 2:00 e natës dhe kur të vinte populli të këputej litari e kufoma të tërrhiqej zvarrë lidhur pas një kamioni e pasi të vëtitej rreth qytetit për të ngjallur tmerr e frikë, të hidhej tek fusha e druve ku të mbulohej me plehra…

Me vrasje e varrje kishte filluar ai regjim, dhe ja një vit para rënies së murit të Berlinit, po kryente dënimin e tij të fundit, varrjen e një poeti disident…

Havzi Nela, busti yt në Kukës rezaton dritë si monumenti i Bajram Currit në Tropojë.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Thanas L Gjika

DUKAGJINI, NGJITI 7 MARTIRËT MESHTAR NË ALTARIN E VET!

September 27, 2023 by s p

Agron PREBIBAJ/

Dukagjini, historikisht orëmadh, shqiptari më i kalitur ndër shekuj me mendimtarë e prinjës në rezistenco – qëndresën e përjetësisë, e cila po deshmon edhe sot me përcjelljen nga brezat, me potencialet intelektuale e deri te dorëzimi i protofolit për vëndlilnjen.

Një komision organizator i drejtuar nga Ing.Mark Rupa, me mbështetjen finanaciare të bashkëatdhetarëve dukagjinas z.Gjin Markaj & Dedë Prenaj, mundësoi edhe një ngjitje tjeter të historisë në *Altarin Dukagjin*, në Breg-Lumi Shalë!

Në këtë tubim festivo – historik morën pjesë përsonalitete nga gjitha trojet shqiptare, ndërsa memoriali i martirëve të kishës katolike është bekuar nga Imzot Angelo Massafra, i cili ka falenderuar burrat e dukagjinit për sjelljen e historisë në prehrërin e tyre.

Pse jo, mos të krenohet edhe kryebashkiaku i Shkodrës z. Benet Beci, i cili vlerson historinë e veprat nga pasuesit, duke e konsideruar Dukagjinin si thesari i madh i Bashkisë Shkoder.

Aty ishin me zemer të gjithë dukagjinasit, por ishin plotë e folën të gjithë, ata kanë sjellur mesazhet e tyre njërëzore, por pse jo edhe mesazhet e krenarisë në qëndresën shekullore.

Këta janë 7 martirët e ngjitur në Altarin e Dukagjinit.

Të lumnuemit:

At.ÇIPRIAN NIKA O.F.M.

At.BENARDIN PALAJ O.F.M.

At.GJON SHLLAKU O.F.M.

At. GASPER SUMA O.F.M.

Dom.DEDE PLANI

Dom.LAZER SHANTOJA

GJELOSH LULASHI – martir laik.

Dukagjini po vepron si një trupë e vetme, Shoqata Atdhetare Dukagjini me kryetar z.Ndue Sanaj, mbeshtet e bashkëpunon me përsonalitetet që vetëm prodhojnë e japin për Dukagjinin e pasur me histori e kulturë! (fotot nga Mark Gjeka)

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 87
  • 88
  • 89
  • 90
  • 91
  • …
  • 192
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” New York fillon vitin shkollor 2026-2027 më 19 shtator
  • Vatikani i Tiranës
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE NË FINLANDË, GJUHË DHE IDENTITET KOMBËTAR TE SHQIPTARËT NË VENDET NORDIKE
  • PROCESI I KAFKËS – KUR DREJTËSIA HUMB FYTYRËN
  • Kosova, kufijtë shqiptarë dhe beteja që vazhdon mbi vijat e hartës
  • Analizë e hartës «Shqipnija e Vërtetë» e Ahmet Gashit
  • Kur Amerika i tha Greqisë më 1949: Mos hyni në Shqipëri
  • Arsimi shqip në Mal të Zi, fillimi i vitit të ri shkollor në Komunën e Tuzit –Malësisë
  • KONTRIBUTI SHKENCOR I PROF. DR. HASAN KALESHIT NË HISTORINË KOMBËTARE SHQIPTARE
  • Masakra e Koplikut
  • “The true history of mankind will be written only when Albanians participate in its writing.” – Maximilian Lambertz, Austrian Albanologist
  • SHQIPTARËT DHE IDEOLOGJITË
  • VATRA JU FTON MË 13 SHTATOR NË PROMOVIMIN E VEPRËS KUSHTUAR SKULPTORIT VASIL RAKAJ
  • VATRA THIRRJE DEPUTETËVE TË KUVENDIT TË KOSOVËS VOTONI PRESIDENTIN E REPUBLIKËS
  • SAVE THE DATE!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT