
Marjana Bulku/
“Rob një biografi në dy kohë” me autor Beqir Sinën u promovua dinjitetshëm nē Nju York, në një sallë të tejmbushur nga personalitete të komunitetit shqiptaro-amerikan e ku nuk mungonin miq të afërt , familja e autorit ajo që e ka suportuar reporterin Beqir Sina gjatë ushtrimit të gazetarisë në kontinentin e madh. E përjetova shumëfish këtë ngjarje libri : pikë së pari si dibrane që për një dibran si Beqiri që nuk u ngop kurrë me Dibrën edhe pse me rrënjë aty e që megjithatë ai e do shumë. Ndërsa si një bijëz e rritur me histori mohimesh, denigrimesh urrejtjesh pa shkak në autobigrafinë e Beqirit pashë copëza të historive të pathëna familjare me mamanë time e cila as në liri nuk arriti ta takojë kurrë babain e saj të arratisur gjatë viteve të errëta të komunizmit.Ndërsa si gazetare mund të pohoj se e kam parandjerë lindjen e këtij libri në intervistën me të në Albanian Culture Tv ku arrita të shoh dimensionin e lirisë brenda të cilës ndrydheshin fakte që duheshin çliruar …Beqir Sina, një dibran i rritur në Savër të Lushnjes.Natyrshëm lind një përse?Po kush ka dëgjuar Savrën ka nënkuptuar internimin, këtë mekanizëm famëkeq që krijoi komunizmi për ti klasifikuar , ndarë e përçarë njerêzit , sidomos fisnikët shqiptarë duke i shkëputur ata nga vendlindja dhe duke u mohuar shumë të drejta e liri.Kur flet me Beqirin nuk e ndjen dozën e vuajtjes( krenari dibrani) tek ai jetonte vitale një shpresë se nesër diçka më e mirë e pret…Mbase kjo kishte të bëjë me babain?!Atë që e kishte lënë të porsa lindur dhe që do ta takonte kur të bëhej burrë pasi Shqipëria do çelte portat e errësirës dhe izolimit sepse ai ishte arratisur ne vitet e pasçlirimit duke i lënë bashkêshorten dhe fëmijët , si shumë të arratisur të tjerë të asaj kohe.Takimi me babain në rrëfimin e tij rrjedh si një libër i pashkruar…Ndërsa kur rrëfen për gazetarinë dallohet një pasion i pamasë , ku natyrshëm është skalitur profesionalizmi prej pune e vullneti.Kur e pyes nëse ngjarja e bën lajmin apo lajmi ngjarjen ? Ai me shumë kujdes shpjegon se lajmi e kërkon gazetarin në krye të tij , si ndjekës ,verifikues, pasqyrues rigoroz i të vërtetave pa të cilat lajmi nuk është i tillë.Beqiri e ka trashëguar gazetarinë nga babai i cili bënte dhe mbante gjallë lajme edhe atëherë kur Shqipëria e shikonte Amerikën si rrezik dhe si armik.Nga vëzhgimet e mia të deritanishme kam konstatuar se ku është Beqiri është lajmi dhe kur mungon ai ngjarjes i mungon përmasa e madhe që Beqiri trupvogēl ia jep me kamera , me foto, me emra, portrete dhe çdo detaj duke u shndërruar kështu në një mik besnik i të vërtetës dhe natyrisht i të gjithëve ne .Libri i tij “Rob, një biografi në dy kohë “i qasi bashkë të dyja kohët : pa lirinë dhe lirinë duke shpalosur natyrshëm tek të dyja fisnikërinë e cila është gjenetike ;ajo as kultivohet, as transformohet, ajo vetëm trashëgohet . Ky libër është një thirrje e fortë për të vuajturit e regjimeve , gazetarët, analistët, kineastët, historianët por mbi të gjitha politikanët që përpara vendimmarrjeve që transformojnë jetë ,të ndalin duart , votat e të therrasin për arsyetim mendimin.e drejtësi .Teksa e shfletoj librin bindem përfundimisht se liria është kaq sublime aq sa edhe robin e shndërron në qenie me vlera që nderohet dhe vlerësohet.