• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

STUDENTËT SHQIPTARË NGA ZVICRA VIZITË ARBËRESHËVE  NË KALABRI             

April 13, 2023 by s p

Hazir Mehmeti,
Kalabri/

                 

Frasnitë, 1O-11 prill 2023.  Shoqata “Studenti” e  Universitetit të Cyrihut me kryetarin e saj  Eleonit Smajli organizuan vizitë pesë ditore në Kalabri, shoqëruar nga Prof. Rexhep Rifati, gazetar hulumtues i njohur me studimet e tij mbi arbëreshë i shoqëruar nga grupi i tij.  

    Arbëreshët e Kalabrisë janë shembulli i veçantë i ruajtjes së kulturës, traditave dhe gjuhës arbëreshe gjashtë shekuj. Ata që i vizitojnë arbëreshët do përjetojnë pritje vëllazërore, do mësojnë mbi rrënjët e një pjese të kombit me gjithë sfidat dhe sakrificat shekujve. 
        Në grupin shoqërues të Prof. Rexhep Rifatit gazetar ishin edhe  Ramadan Morina, aktor nga Gjermania dhe Hazir Mehmeti, publicist nga Vjena. Shoqata STUDENTI nga Zvicra vizituan disa fshatra arbëreshe ku mësuan mbi  historinë e kulturën e lashtë arbëreshe e cila në shumë elemente ruhet akoma.  Nuk ishte hera e parë që shoqatat studentore nga Zvicra kishin ardhur në Kalabri dhe Sicili. Kësaj radhe ishin 40 student, shumica për herë të parë.  

        Vizita në Shën Sofia (Santa Sofia de Epirio), ishe fillimi i shijimit të mikpritjes arbëreshe. Busti i Gjegj Kastriotit – Skënderbeut i ngritur në qendër të katundit shndriti i rrethuar nga shkëlqim rinor, shpresë e progresit shqiptar.  Nën riga shiu grupi vazhdoi rrugën drejt Shën Mitër Koronës i njohur me kolegjin e Shën Adrianit ku studiuan Jeronim De Rada,  Zef Serembe,  Luigj Gurakuqi, Avni Rrustemi.  Por, nuk u vizitua Makia, fshati i lindjes së Jeronim De Rades ku ruhet shtëpia e tij para së cilës qëndron busti i shkrimtarit ku përkulën me respekt vizitorët. Rilindësi i madh, De Rada, qysh në vitin  1848 nxori të parën gazetë shqiptare “L’Albanese d’Italia”(Shqiptarët e Italisë). 
    E veçanta e kësaj vizite  ishte vizita në Frasnitë (Frascineto), katundin arbëresh me histori të veçantë i cili luajti rol me rëndësi në kultivimin dhe ruajtjen e gjuhës dhe kulturës arbëreshe. Ky fshat dha gjatë historisë dolën figura të njohura me rëndësi për gjithë kombin. Në kohën tonë, pa dyshim, figurë e njohur është At Antonio Belushi, gazetar–shkrimtar-pedagog, etnolog dhe mbi të gjitha, një misionar e atdhetar i madh i cili në ditët më të vështira në Stejt Departamentin amerikan u vu në mbrojtje të Kosovës. Frasnitë. Rruga e ngushtë me kalldrëmin e vjetër dhe shtëpitë e gurta shekullore me ballkonet e nxjerra sipër, të krijonin ndjenjë të veçantë me gjithë fantazinë rrugëve në largësinë e jetës sonë. Ballkoni në shtëpinë bibliotekë, dallohej i stolisur me flamuj  që fliste në vete për vizitorët e rinj. Në portën e gurtë me këngë arbëreshe priste Rina Belushi, veprimtare e dalluar krahas vëllezërve të saj At Antonio dhe Tomaso Belushi (Tommasso Besllusci). Edhe pse në moshë të shtyrë Zonja e Shtëpisë, me zërin e  saj melodik ngrohu zemrat “Kur jemi bashkë Skënderbeu zbret nga qielli”, një refren i njohur moteve arbëreshe.

      Në fjalën emocionuese të At Antonio Belushit para studentëve përcjellë nga melodia këngës së njohur arbëreshe “Moj e bukura More” ai tha: “Nga varri i të parëve akoma vjen një jetë, një filozofi,  një etikë, një dritë, një udhëtim. Nga varri i të parëve me trupat e tretura del drita, del kujtimi, dashuria që vetëm ne e kemi. Profesori i njohur Arshi Pipa tha: “Arbëreshët janë një fenomen ndërkulturor”. Ta dini këtë thënie për arbëreshët këtu ku ju jeni për vizitë.”  Studentët e mrekullueshëm nga Zvicra, dëgjuan fjalën nga At Antonio Belushi e cila do shënohet në kujtesën e secilit si porosi dhe detyrim kombëtar, si rreze shprese gjeneratave.   Bujaria arbëreshe është e lindur dhe nuk shuhet dot. Vet At Antonio u shërbeu vizitorëve me sheqerkat dhe pijet. Secili nga studentët u mrekullua me pritjen dhe përjetimet e këndshme të pa përsëritshme. 

        “Fati ju prinë trimave”,- thoshte fjala popullore. Edhe kësaj radhe. Agjenta e studentëve u takua me agjenten e vizitës së presidentes së Republikës së Kosovës Vjosa Osmani në Frasnitë. Ajo e shoqëruar nga personalitete politike e të kulturës vendore bëri zbulimin solemn të pllakës “Sheshi i Kosovës”, emërtim në shenj kujtimi e respekti për shtetin e Kosovës. Studentet u takuan me presidenten e cila bisedoi ta. Ata gjallëruan sallën ku mbahej takimi ceremonial i pritjes së presidentes e shoqëruar nga Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Itali Lindita Haxhitasimi.  Në katundit Civita (Çifti) grupi i studentëve përcolli festivalin tradicional të valleve arbëreshe ku morën pjesë  grupe vallesh nga Kalabria, Shqipëri, Zvicra etj. Në Kalanë “Kruja” u dha program me këngë e valle të bukura shqiptare dhe arbëreshe, kurse ditën tjetër në sheshin “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu u mbajt hapja solemne prezantuese e programit i cili pasoi me paraqitjen e grupeve valltare. Kryetarja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani mbajti fjalë përshëndetëse krahas drejtuesve arbëresh.   Të vizitosh vëllezërit arbëresh është më shumë se aq; është mësim, është detyrim gjaku, është porosi për sot e nesër. Faleminderit vëllezër arbëresh! 

Filed Under: Reportazh

Irlandezët e Parë në Shqipëri që në Vitin 1322

April 10, 2023 by s p

– Rrugetimi nga Irlanda drejt Tokës Shenjte

Nga NDREK GJINI

Në vitin 1322, dy pelegrinë anglofonë irlandezë, Simon Fitzsimons dhe Hugh the Illuminator, mbeten të impresionuar nga qëndrimi i tyre i shkurtër në Shqipëri.

 Simon Fitzsimons shkroi me shumë dashuri e pasion rreth atyre gjërave që pa. 

Në përgjithësi rrëfimet e pelegrinëve që udhëtuan për në Tokën e Shenjtë ofrojnë burime të rëndësishme informacioni për pjesën më të madhe të Mesdheut Lindor në gjysmën e parë të mijëvjeçarit të dytë. 

Shumica e pelegrinëve treguan pak interes për vendet që vizituan gjatë udhëtimeve të tyre, por dy pelegrinët irlandezë u mahnitën me atë që panë  gjatë atij udhetimi të rrallë në bregdetin shqiptar në gjysmën e parë të shekullit XIV.

“Itinerarium Symonis Semeonis ab Hybernia ad Terram Sanctam” (Udhëtimi i Simon Fitzsimmons nga Irlanda në Tokën e Shenjtë) përmban informacione për gjithçka, nga kontrollet dhe procedurat doganore te veshjet, monedhat, materialet dhe produktet në vendet që ai vizitoi. Përmban informacione dhe sigurisht, përshkrime për kishat dhe vendet e shenjta.

Duket se nga rrëfimi I tij del qartë se në vitin 1322, porti i Durrësit nuk ishte rikuperuar plotësisht nga tërmeti i rëndë që e kishte goditur gjysmë shekulli më parë. Popullsia fillestare e qytetit, thotë ai, ishte zëvendësuar në një masë nga një valë nomadësh shqiptarë nga fshati. Mund të konkludohet se në atë kohë shqipja duhet të flitej nga një shumicë e njerëzve në rrafshnaltën bregdetare dhe në zonat malore. Kjo bazuar në vëzhgimet e Simonit, kur shkruante se krahina kishte gjuhën e saj, d.m.th. shqipen. Megjithatë, brenda qytetit të Durrësit, ‘shqiptarët’ përmenden vetëm si kategoria e katërt, pas latinëve urbanë, grekëve dhe hebrenjve, një tregues se ata nuk ishin ende shumicë.

Është interesant fakti që Simoni iu referohet edhe “barbarëve shqiptarë” në Dubrovnik, duke vënë në dukje: “In eadem Dominentur Veneti, et ad eam confluunt Sclavi, Barbari, Paterini et alii scismatici negotiatores qui sunt in gestu, habusu et lingua dibus Latinis in omni”. Dubrovniku, thotë ai, dominohej nga venecianët dhe shpesh ka sllavë, barbarë, paterinë dhe tregtarë të tjerë që janë krejtësisht të ndryshëm nga latinët në zakone, veshje dhe gjuhë).

Pasi kaluam disa ditë në Ulqin, thotë ai, kaluam qytetin e Rashkës, i cili është në pronësi të mbretit të Rashkës, dhe u nisëm për në Durrës, qytet dikur i famshëm dhe i fuqishëm në për tokën dhe detin. Kjo në kohën kur qyteti ishte nën sundimin e perandorit të grekëve, thotë ai. Duhet theksuar, thotë ai, se Shqipëria është një krahinë midis Sllovenisë dhe Rumelisë, dhe ka gjuhën e saj. Mbreti i Rashkës e ka nën kontroll Durrësin tani, nënvizon ai në shënimet e tij.

Shqiptarët janë të ngjashëm me grekët në veshje dhe sjellje, pasi rrallëherë mbajnë kapuç, thotë ai. Ata janë shumë krenarë dhe tërheqës për sytë e udhëtarëve. Kapelet e tyre janë të ngjashme me ato të grekëve. Sllovenët, nga ana tjetër,thotë ai mbajnë një kapele të bardhë ovale dhe një gëzof të gjatë, për të rënë në sy të fshatarëve. Kjo për t’i bërë ata më të identifikueshëm nga pjesa tjetër. Qyteti I Durrësit është i madh jashtë mureve të tij, por i vogël dhe i dobët Brenda mureve të tij. Kjo pasi ai pasi u shkatërrua nga një tërmet i disa dekadave më parë. 24,000 njerëz raportohet të kenë vdekur si pasojë e këtij tërmeti, shkruan ai.

Qyteti i Durrësit tani është më pak i populluar dhe i ndarë në fe, zakone dhe gjuhë të ndryshme. Monedhat e përdorura në treg, thotë ai, janë të vogla dhe secila vlen një dukat venecian. Këto monedha janë në përdorim në të gjithë qytetin. Ky qytet është dyqind milje nga Dubrovniku. Më pas, duke përdorur erërat e favorshme, ne vazhduam për në Vlorë, thotë ai, një kala e perandorit të grekëve, dhe më pas ne shkuam në ishullin e Korfuzit, i cili është i banuar nga latinë, grekë, hebrenj dhe shqiptarë.

Filed Under: Reportazh Tagged With: ndrek gjini

Diplomacia ndërkombëtare dhe Çështja e Kosovës 1997 – 1999

April 4, 2023 by s p

Dr. Naim Musliu/

Monografia “Diplomacia ndërkombëtare dhe Çështja e Kosovës 1997 – 1999”, e autorit Dr. Lulzim Nika, është një studim, i cili përfshinë një periudhë historike mjaft interesante dhe të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar. 

Periudha e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si një nga periudhat më të ndritshme të historisë së popullit shqiptar, më së paku është trajtuar nga historiografia shqiptare. Edhe pse ka botime të caktuara të kësaj periudhe, rreth luftës së Kosovës, të rralla janë botimet e aspektit diplomatik të Luftës së Kosovës. Në këtë kontekst, studiuesi Dr. Lulzim Nika ka konsideruar se duhet kushtuar vëmendje zhvillimeve diplomatike të Fuqive të Mëdha karshi zgjidhjes së Çështjes së Kosovës, duke realizuar kërkime në arkiva dhe biblioteka, për të paraqitur të dhëna me interes, të cilat ndriçojnë segmente të caktuara të zhvillimeve politike dhe diplomatike për çështjen e Kosovës. 

Autori e ka parë të arsyeshme që strukturën e kësaj monografie ta trajtojë, dhe ndërtojë në këtë formë, ku ka paraqitur parathënien, hyrjen, katër kapituj, përfundimin, bibliografinë, shtojcën me dokumente dhe recensionet, duke ndjekur vazhdimisht renditjen kronologjike dhe pikëpamjen tematike. 

Në kapitullin e parë “Kosova në analet e diplomacisë ndërkombëtare (1997 – 1999)”, autori trajton shumë ngjarje të cilat ndodhën në Kosovë nga viti 1989 deri më 1999. Nga suprimimi i autonomisë së Kosovës, më 1989 nga Serbia, grevat e shumta, zhvillimet pluraliste politike dhe themelim i Lidhjes Demokratike të Kosovës, si parti që mbronte të drejtat e shqiptarëve në Jugosllavi, të udhëhequr nga kryetari Ibrahim Rugova, zgjedhjet e para të organizuara në Kosovë dhe krijimin e institucioneve shqiptare në krye të të cilave qëndronte Presidenti Ibrahim Rugova. Në të shtjellohet interesimi i diplomacisë ndërkombëtare, sidomos të ShBA-së për gjendjen e rëndë në Kosovë dhe trajtimi jo i drejtë i çështjes së Kosovës në Konferencën e Hagës, Londrës, Dejtonit etj., protestat e studentëve në vitin 1997 dhe filllimin e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Masakrën e Reçakut dhe zhvillimet diplomatike e politike në Rambuje dhe nënshkrimi nga pala shqiptare i marrëveshjes së Rambujesë, e cila solli ndërhyjrjen ushtarake e NATO-s deri në çlirimin e Kosovës. 

Në kapitullin e dytë “Diplomacia amerikane dhe Kosova”, shpaloset veprimtaria diplomatike e ShBA për çështjen e Kosovës, sheshimi i politikës amerikane ndaj çështjes së Kosovës, vizita e delegacioneve amerikane në Prishtinë dhe themelimi i zyrës amerikane në Prishtinë, të cilat ndikuan në krijimin dhe afrimin e politikës amerikane karishi zgjidhjes së çështjes së Kosovës në të mirë të popullit shqiptar. Në këtë kapitull autori ka trajtuar edhe koordinimin e politikës amerikane me atë britanike për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. 

Në kapitullin e tretë “Diplomacia evropiane dhe Kosova”, trajtohet qëndrimi i shteteve perëndimore të Evropës për çështjen e Kosovës, si i Gjermanisë, Francës, Italisë dhe shteteve tjera. Shtetet evropiane ishin për ruajtjen e status kvos dhe qëndrimet e tyre gjithnjë ishin hezituese dhe të paqëndrueshme për çështjen e Kosovës. 

Në kapitullin e katërt “Diplomacia ruse dhe Kosova” trajtohet qëndrimi pengues rus ndaj Kosovës, i cili mbronte të drejtën pushtuese të Serbisë mbi Kosovën dhe ishte në sinkroni të plotë me politikën serbe. Diplomatët rus ishin pengues në gjetjen e zgjidhjes së çështjes Kosovës në çdo instutucion dhe konferencë ndërkombëtare që flitej për të. 

Duke marrë për bazë strukturën dhe përmbajtjen brenda tekstit, autori i ofron historiografisë shqiptare argumente të bollshme për zhvillimet e vrullshme diplomatike ndërmjet ShBA-së, Bashkimit Evropian dhe Rusisë. Përveç Luftës çlirimtare të UÇK-së, zhvillimet diplomatike hapën rrugë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Në këtë kuadër, autori ka arritur përmes dokumenteve të shumta të provojë rolin aktiv të Fuive të Mëdha, sidomos ShBA-së, në arritjen e zgjidhjes së çështjes së Kosovës përmes veprimeve diplomatike e ushtarake, ku si produkt i saj është edhe Pavarësia e Kosovës. 

Për hartimin e kësaj monografie autori ka përdorur dokumente arkivore të pabotuara, të botuara, literaturë relevante historiografike, memoaret etj. Në këtë kontekst, duhet përgëzuar guximin e autorit për t’i hyrë më thellësisht studimit monografik për një periudhë kohore që është ende e freskët. Prandaj, autori ka arritur të dallojë subjektin e monografisë dhe ta veçojë rolin e tij në rrethanat e kohës. 

Marrë në tërësi, monografia “Diplomacia ndërkombëtare dhe çështja e Kosovës 1997 – 1999” e autorit Dr. Lulzim Nika, do të jetë një kontribut i rëndësishëm për historiografinë shqiptare në ndriçimin e mëtejshëm të zhvillimeve diplomatike për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

R E C E N S I O N – për monografinë “Diplomacia ndërkombëtare dhe çështja e Kosovës 1997 – 1999” të autorit Dr. sc. Lulzim Nika 

Filed Under: Reportazh Tagged With: Naim Musliu

Nobelisti

April 3, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Cilësohet si një nga artistët më të mëdhenj të muzikës në botë dhe çmimet që ai ka fituar, si Medalja Presidenciale e Lirisë dhe Çmimi Nobel për Letërsinë, dëshmojnë thellësinë e trashëgimisë së tij. Bob Dylan mund të festojë ditëlindjen e tij, më 24 maj, por tekstet e tij janë po aq emocionuese sa ishin në fillimet e tij në vitet 1960.I lindur në vitin 1941, Dylan filloi karrierën e tij muzikore në moshën 21-vjeçare. Këngët e tij shkrinë muzikën popullore dhe rock ‘n’ roll për të krijuar një tingull të ri dhe unik. Tekstet poetike të kantautorit nxjerrin në pah të vërteta të thella dhe të mprehta për jetën dhe ai i përdori këngët e tij për të komentuar çështjet urgjente të kohës, nga lufta në Vietnam e deri te të drejtat civile. Në total, Dylan shkroi më shumë se 500 këngë gjatë karrierës së tij dhe shiti dhjetëra miliona albume, duke përfshirë albumin e tij më të shitur, Bob Dylan’s Greatest Hits, i cili përmbante këngë të njohura si “Like a Rolling Stone”.Kur nuk keni asgjë,nuk keni asgjë për të humbur. Dylan mund të jetë duke hyrë në një dekadë të re, por kjo nuk do të thotë se mbretërimi i tij si një yll rock ka mbaruar. Ai vazhdon ta shtyjë veten drejt lartësive më të mëdha, duke nxjerrë albume të reja deri në vitin 2020, edhe pse hitet e tij më të hershme vazhdojnë t’u bëjnë përshtypje fansat pothuajse 60 vjet më vonë. Për të festuar ikonën muzikore, këtu janë disa nga tekstet me mendim më të thellë të Bob Dylan.‘Nëse koha ia vlen të kurseni,atëherë më mirë filloni të notoni, përndryshe do të fundoseni si gur’”The Times They Are A-Changin”, 1974‘Përgjigja, miku im, po fryn në erë’.- “Blowin’ In the Wind”, 1963‘Nëse nuk më nënvlerësoni,Unë nuk do t’ju nënvlerësoj.- “Dear landlord”, 1967‘Mos kini prire për të parë ndonjë gabim’.- “Every grain of sand”, 1981Mos qaj për mua, për të gjitha gjërat që kam qenë’.- “My own version for you”, 2020‘E çuditshme se si njerëzit që vuajnë së bashkukanë lidhje më të forta sesa njerëzitqë janë më të kënaqur’.- “New Danville Girl”, 1986‘Kur shihni fqinjin duke mbajtur diçka,Ndihmojeni atë me ngarkesën e tij,Dhe mos e gaboni Parajsën,Për atë shtëpi përballë rrugës’.- “Balade of Frankie Lee dhe Judas Priest”, 1967‘Qofshin duart tuaja gjithmonë të zëna,gjithmonë këmbët tuaja të shpejta,të kesh një themel të fortë,kur erërat e ndryshimeve lëvizin’.- “Forever yong”, 1974‘Nuk mund ta marrësh me vete dhe e di se është shumë e pavlerë për t’u shitur,Ata ju thonë, “Koha është para”, sikur jeta juaj ia vlente peshën e saj në ar’.- “When you’ll wakeup”, 1979‘Pse të presësh më për atë që doKur ai qëndron para jush’.- “Lay, Lady, Lay”, 1969‘Ajo e di se nuk ka sukses si dështimi dhe se dështimi nuk është aspak sukses’.- “Love Minus Zero” (1965)‘Kur nuk keni asgjë, nuk keni asgjë për të humbur’.- “Like a Rolling Stone”, 1965‘Mund të ktheheni gjithmonë, por nuk mund të ktheheni deri në fund’.- “Misisippi”, 1978

Filed Under: Reportazh Tagged With: Astrit Lulushi

Plumba ndaj Top-it, apo kur realiteti bëhet “Big Brother”

April 1, 2023 by s p

Koment nga Rafael Floqi

Në emër të medias të lirë!

Për ditë në Shqipëri shohim skena me vrasje. Shohim biznesmenë të vrarë, hakmarrje ndaj bandave në rrugë, shohim policë që i shmangen mediave, shohim madje një notere qe merr peng një gazetare, dhe shohim një kryeministër si z. Rama që pasi rrëzon biznese të kompanive mediatike me tritol, e pasi i gjobit dhe i mbyll mediat kundër tij, i akuzon si ‘kazanë” madje, dhe pasi i bën taksa paguesit të paguajnë gjobat e marrëzive të tij, si rasti Beketti ,“fshihet pas hijes, dhe thotë se unë nuk bëj presion ndaj mediave, madje edhe kur DASH e përmend shembjen e Prestige Resort si një presion klasik, të kësaj distopie shtetërore që e quajmë Shqipëria mediatike e kohës së Big Brother. Sulmi i fundit tregon se media, qoftë dhe me emrin a nofkën ‘Top” nuk është imune ndaj realitetit të inkriminuar, se sot u qëllua me plumba e nesër “larg qoftë” mund të qëllohet me top.
Një shoqëri që i intereson më shumë idiotësitë apo veprimet e pa vlerë të Luizit në Big brother, një shoqëri që s’prodhon gjë, por lan sytë dhe qan më shumë për daljen nga Big Brother të Kiaras, sesa të qajnë për vrasjen e rojës së shkretë, Pal Kola , të duket se s’meriton më shumë.

Pista hetimi dhe shpërblimi

Edhe pse bëhet e ditur se hetuesit që kërkojnë të vërtetën mbi të shtënat me armë drejt Top Channel, Nga veprimet e deritanishme duket se ende nuk ka siguri për pistën kryesore të hetimeve, mbi vrasjen e rojës së televizionit, Pal Kola.
Edhe shpërblimi prej 100 mijë eurosh që iu premtua qytetarëve tregon mungesën e të dhënave për hetuesit, që kanë kryer disa lëvizje njëherësh për gjetjen e autorëve. Policia ndaloi në Vlorë dy persona të dyshuar për ngjarjen, Roberto Papçi dhe Agustin Tonaj. Ndalimi i tyre ndodhi rreth orës 03:00 të mëngjesit të së hënës nga një postobllok policor pak orë pas vrasjes. Roberto Papçi ka qenë bashkëshorti i vajzës së Pal Kolës, por prej dy vitesh ata ishin ndarë. Ndaj dy personave janë kryer teste të gjurmës së barutit, apo marrjes së gjurmëve të gishtërinjve. Pasi u morën në pyetje në Tiranë ata u lanë të lirë. Kjo piste ne saj të sinjaleve te antenave telefonike doli e pavërtetë ndaj u liruan.
Siç tregoi policia në njoftimin e fundit, mjeti tip Range Rover me të cilin lëviznin autorët e krimit u gjet rreth orës 00.55 të së hënës në autostradën Durrës-Rrogozhinë. Policia ka bërë përpjekje për të gjetur autorët e krimit përmes mjetit që u dogj pranë Rrogozhinës. Ka rezultuar se Range Rover i përket një shtetasi nga Kosova, të cilit i ishte vjedhur disa vite më parë në një hotel në Tale të Lezhës. Ramadan Makolli, pronari i makinës “Range Rover” tregoi se mjeti iu vodh në verën e vitit 2020 në Lezhë. Pavarësisht përpjekjeve të tij, policia e Lezhës nuk ka arritur të zbulojë se kush ia ka vjedhur mjetin.

“Big Brother”, një shplarje trush kolektive

A të jetë kjo kaq e thjeshtë apo një mjet presioni publik? Kjo është çështja. A është kjo është një metodë mafioze? E nëse media e tillë si Top Channel ka qenë e lidhur për shumë kohë me pushtetin dhe i ka shërbyer interesave të tij, dhe në për hapjen e drogës morale dhe shoqërore me emrin “Big Brother”, një shplarje trush kolektive që i lë dorë të lirë qeverisë dhe qarqeve të biznesmenëve mediatikë të fitojnë e duke mbyllur gjithë shqiptarët pas Big Brother në shtëpi, me vullnet, madje, dhe pa ndonjë urdhër si pandemia.
A mund të kenë qenë të shtënat me armë një mesazh për pronarët e Top Channel? Po pse jo> Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, anëtaret e familjes Hoxha u morë në pyetje nëse janë ndjerë të kërcënuar më herët, apo nëse kanë ndonjë të dyshuar për ngjarjen. Asnjë prej tyre nuk ka dhënë një shkak të qenësishëm për ta ndjekur më tej këtë pistë. Disa ditë para sulmit me armë, në media doli lajmi se Top Channel ishte shitur drejt një kompanie në Belize për 9 milion dollarë. Shitja ishte kryer drejt “Western Media Conglomerate Investments LTD” në datën 14 Janar të këtij viti. A është kjo realitet apo duket si një fake news i sajuar nga kundërshtarët, pasi mendo se vlera e Top Channel nuk mund të jetë vetëm 9 milionë dollarë.
Nëse është kjo e vërtetë atëherë cilat interesa të cilit aksionar ka shqetësuar ky transaksion. Siç raportoi më herët media, transaksioni mund të ishte një siguresë para vendimit të Gjykatës së Apelit për mosmarrëveshjet e pronësisë, ku janë përfshirë pronarët e Top Channel. Kjo tregon se media edhe ajo më e madhe sot nuk është imune jo vetëm nga presioni i politikës, por edhe ai i krimit. Ne fakt Politiko.al e botoi atë dokument.
“Ndër të gjitha pistat e mundshme për ngjarjen tronditëse në Top Channel, vetëm për një jam i sigurt: nuk ka gisht Sali Berisha! , shkruante këto ditë Alfred Lela. Doktorin, në ndoshta minutat e reminishencave, mund ta kapësh beft duke menduar për veten thënien brilante të Giulio Andreotit ‘më kanë akuzuar për çdo gjë në këtë vend… që nga Luftrat Punike”. Nëse vrojton Gardën Mediatike afër Ramës, thuajse shqiptojnë akuzën se, në mos e bëri, Berisha e frymëzoi atentatin në Top Channel. Ndërkohë, madje, një drejtues emisioni në RTSH, shkonte aq larg sa përpiqej të bënte përqasime me djegjen e gazetës “Koha Jonë në 1997. O tempa. o mores!

S’na intereson shtëpia, por seç bën komshija

Përmasat e spektaklit “Big Brother” këtë vit dolën jashtë çdo parashikimi. Ajo është shndërruar në një “peep show” kolektiv, jo vetëm në Shqipëri por me induksion edhe këtu në SHBA, ku ka një masë të madhe njerëzish që shprehin pakënaqësi, se konkurenti më i votuar i “reality show”, Luiz Ejlli po penalizohet nga produksioni. Pra deri këtu kemi shkuar?! (Unë nuk kam gjë me Luizin ai është pjesë e lojës. Ai luan për vete dhe jo pa sukses).
Ka disa faktorë psikologjikë që lidhen me perceptimin, emocionet dhe sjelljen e njerëzve në shoqëri si e jona i bëjnë këta njerëz trushplarë, dhe ky shërbimi më i mirë që këto media i bëjnë pushtetit.
“Reality TV u ofron shikuesve një ndjenjë lidhjeje me pjesëmarrësit, gjë që mund të krijojë një ndjenjë përkatësie shoqërore dhe vlefshmërie. Mund të shkaktojë gjithashtu ndjenja zilie, konkurrence dhe dëshirë për t’u parë si të suksesshëm dhe të dëshirueshëm.” shkruan Shira Gabriel, një psikologe sociale amerikane.
Big Brother TV shpesh mbështetet në manipulimin e emocioneve dhe dinamikave ndërpersonale për të krijuar dramë dhe argëtim. Kjo mund të çojë në shfrytëzimin dhe keqtrajtimin e pjesëmarrësve dhe gjithashtu mund të kontribuojë në qëndrime dhe sjellje negative midis shikuesve. Por edhe ajo që në shoqëri të pazhvilluar si e jona ka shumë ndjellje, jo ajo që ndodh brenda shtëpisë, por ajo që bën komshija. Ne si shqiptarë në çdo kohë kemi pasur dikë në lagje që interesonte jo shtëpia e tija por seç bënte komshija, apo jo?

Gosip apo gazep?

Miq të tij kanë thënë se Ejlli u detyrua të firmosë një kontratë me Top Channel në kushtet kur qëndron i izoluar prej 90 ditësh për të drejtat e imazhit. Familjarët u detyruan të ndryshojnë profilin e tij në rrjetet sociale për shkak të kësaj kontrate. Në përkrahje të Luiz Ejllit janë zhvilluar edhe protesta, kryesisht nga të rinj të pakënaqur me Top Channel.
A mund të ketë shkuar deri në këtë pikë marrëzia e një shfaqjeje televizive? Pse jo kur u keq fëmijëve lojën e shpëlarjes të trurit gjithçka mund të ndodhë dhe kallashnikovi në mes të natës. Është ende herët për ta pohuar këtë, megjithatë policia po konsideron çdo indicie. RENEA kreu kontrolle në shtëpinë e reperit Kleviol Ahmetaj pas ngjarjes. Ky i fundit prej ditësh ndodhej në Itali dhe ka sqaruar se nuk kishte gisht në vrasjen e rojës.
Kjo nuk ishte hera e parë që pranë Top Channel qëllohet me armë. Në rrjetet sociale qarkullojnë filmime ku duken banorët e Big Brother, teksa flasin për të shtënat me armë që dëgjohen pranë tyre, disa ditë para sulmit ku mbeti i vrarë roja. Produksioni i “Big Brother VIP” i informoi banorët për sulmin terrorist të ndodhur ndaj Top Channel. Por synimi nuk ishte vetëm tu tregonin realitetin por të tregonin lajmin, se Luizi ka treguar se e njihte personalisht viktimën Pal Kola dhe se është përlotur.
“Unë e kam njohur dhe prej emrit rojën. Ndihem shumë keq. Jam i sigurt që kjo shtëpi është më e sigurt se çdo ambasadë. Është një masakër. Kur goditet fjala e lirë, nuk gjej emër ti vë këtij akti terrorist, tha ai. Kështu dhe kjo vrasje e një fatkeqi u bë një puntatë tjetër e Big Brother.

Big Brother, një orë psikologjie vëzhguese

Miliona njerëz në mbarë botën janë të sintonizuar në shfaqjet e realitetit dhe kanë ndjekur për dekada. Ajo që filloi si një eksperiment është kthyer në programim të zakonshëm dhe si kulturë, ne nuk mund të ngopen prej tyre. Por a ka ndonjë kosto personale apo shoqërore për magjepsjen tonë të vazhdueshme me shfaqjet e realiteti TV?
Ndërsa mendimet sigurisht ndryshojnë për këtë temë, kjo varet nga disa faktorë: lakueshmëria e vlerave tuaja dhe angazhimi juaj për t’u sjellë në mënyra që pasqyrojnë vlerat tuaja Televizioni dhe të gjitha format e tjera të medias kanë ndikim në mendimet, opinionet dhe sjelljet tuaja. Nuk ka dyshim se ajo që marrim për argëtim dhe informacion ndikon në mënyrën se si mendojmë për botën përreth nesh. Mendjet tona janë krijuar për të sintetizuar një mori informacionesh çdo ditë, nga ndërveprimet tona me të tjerët te librat që lexojmë dhe argëtimi që kërkojmë. Ne e kuptojmë botën përmes këtyre pjesëve të informacionit që mbledhim dhe kjo ndikon në mënyrën se si e jetojmë jetën tonë çdo ditë. Përtej informacionit të përditshëm që thithim, ne jemi të ndikuar edhe nga përvojat tona të mëparshme të jetës, familja jonë e origjinës, mjedisi ku jemi rritur dhe një mori faktorësh të tjerë kulturorë dhe gjenetikë. Këto ndikime ndër personale dhe të drejtpërdrejta kanë më shumë gjasa të ndikojnë në vlerat dhe sjelljet tona sesa tregon realiteti.
A do të thotë kjo se ne nuk duhet të shqetësohemi për mënyrat në të cilat trendet e Reality Show-t ndikojnë tek ne? Jo, patjetër duhet t’u kushtojmë vëmendje mesazheve themelore në këto shfaqje dhe të eksplorojmë pse tërheqin kaq shumë.
Pse tërheqin shfaqjet e realitetit? Pse Reality show i bën njerëzit të rikthehen javë pas jave. Është pse ne duam të dimë se kush i tha kë kujt, cili person tradhtoi një tjetër ose kush komprometoi aleancat e tyre ose mori një vendim të dyshimtë që ndikoi te njerëzit e tjerë. Gjithçka ka të bëjë me sjelljen më të mirë dhe më të keqe njerëzore; është një orë e psikologjisë vëzhguese pa leksione apo provime.
Shpesh shfaqjet e realitetit na bëjnë të reflektojmë se çfarë mund të bëjmë në një situatë të ngjashme, gjë që mund të jetë një ushtrim i mirë në eksplorimin e vlerave Këto tema të sjelljeve të mira dhe të këqija, tradhtisë, konkurrencës dhe lidhjes janë të njohura për ne; ne marrim vendime të ngjashme çdo ditë, pa kamerat, skenarët artificialë dhe publicitetin. Na thërret sepse në një nivel shumë themelor, ne e duam dramën njerëzore dhe lidhemi me vendime të vështira. Pavarësisht nëse është një konkurs për dashuri, para, famë apo famë, ne kënaqemi duke parë luftën.
Ndërsa kënaqemi në shfaqjet tona të preferuara të realitetit, mund të pyesim veten: Çfarë më pëlqen në këtë shfaqje dhe çfarë emocionesh shkakton? Çfarë më tërheq mua për këta personazhe dhe rolin e tyre në shfaqje? A do të bëja zgjedhje të ndryshme nga këta personazhe? Nëse po, pse? Çfarë vlerash përqafoj në jetën time që ose respektohen ose braktisen në këtë shfaqje?
Reality show emërtohen me ironi sepse shpesh janë larg skenarëve realistë. Edhe pse këto programe janë kënaqësi fajtore për shumë njerëz, ne mund t’i përdorim ato si fillime të mira bisedash me miqtë dhe si ushqim për të menduar në mendjen tonë, ndërsa marrim parasysh vlerat tona dhe si të jetojmë në mënyra që demonstrojnë ato vlera.

Rama dhe PR-in i Gebëlsit – “Kazan, kazan, kazan”

Por ti kthehemi sulmit mbi Top Channel, kjo e shtënë në mes të natës dhe vrasja e atij rojës fatkeq është si një faqe tjetër e realitetit të inkriminuar shqiptar, të medias ku mediat lidhen jo vetëm me partitë politike, por edhe me grupe kriminale, gjersa edhe veprimet e shitjes, nëse është e vërtetë apo jo i kryejnë off shore. Kjo tregon se dhe media e madhe, po nuk qe politikisht dhe ideologjikisht dhe financiarisht e pavarur mund te behet rastësisht ne vend te pasqyrës se lajmit, objekt i lajmit që këtë rast ka dhe viktimën fatkeqe familjes së të cilit i shprehim ngushëllimet tona.
Ndërsa kryeministri Rama një dishepull i stilit propagandistik të Gëbelsit, përsërit, përsërit se diçka ngelet “Nuk kam ndryshuar mendim për kazanin, kam përdorur një shprehje për raste flagrante të dy gazetarëve paedukatë. E treta është që unë nuk vë gjoba ndaj mediave”. Vërtet?
Krahasoni parimin e propagandës të Gëbelsit , me stilin e fjalimeve të Ramës. “Parimi themelor i të gjithë propagandës”, deklaronte ai, ishte “përsëritja e argumenteve efektive”; por ato argumente nuk duhet të jenë shumë të rafinuara – nuk kishte kuptim të kërkonim të konvertonim intelektualët. Sepse intelektualët nuk do të konvertoheshin kurrë dhe gjithsesi do t’i dorëzoheshin më të fortëve, “dhe ky do të jetë gjithmonë njeriu i rrugës”. Prandaj, argumentet duhet të jenë të vrazhda, të qarta dhe të forta, dhe t’u drejtohen emocioneve dhe instinkteve, jo intelektit. “Krahasoni, Kazan, kazan ,kazan”

Në emër të medias të lirë !

Unë edhe pse nuk mbështes linjat editoriale të Top Channel, i bëjmë apel shoqërisë shqiptare të ndalojë dhunën kundër mediave dhe ndaj gazetarëve. Sulmi me armë është një akt i neveritshëm dhe i papranueshëm që nuk ka vend në shoqërinë tonë. Ne si gazetarë kemi detyrimin dhe dëshirën pavarësisht mangësive për të informuar publikun dhe kjo është e pamundur pa një mjedis të sigurt dhe paqësor për të punuar.
Reality TV mund t’i bëjë njerëzit të varur sepse ofron një burim të vazhdueshëm stimulimi dhe argëtimi, dhe mund të përdorë dëshirat tona themelore njerëzore për dramë, konflikt dhe zgjidhje. Por ai është fake Reality, është i Rrenë -Reality.
“Megjithatë, është e rëndësishme të jemi të vetëdijshëm për efektet e mundshme negative dhe të balancojmë Reality TV si konsum me aktivitete dhe marrëdhënie të tjera të shëndetshme.” – shkruan Jennifer Harman, një psikologe dhe autore amerikane.
Ndaj ju lutem organeve kompetente shtetërore të ndihmojnë, në ndalimin e dhunës dhe në mbrojtjen e lirive të gazetarisë dhe të shtypit!. Kjo është një shprehje e solidaritetit njerëzor dhe profesional në mes të mediave.
Ndal dalldisë idiote qoftë dhe masive të Big Brother! Koha sot është të mendojmë më thellë për fatin e shtyllës të katërt të demokracisë në Shqipëri, që ajo mos jetë vulnerabile, të mos jetë objekt shitje- blerjesh ekonomike, e preh e presioneve politike, e një mjet tru-shpëlarës për shoqërinë shqiptare, pasi big-brother-i vërtetë, kryeministri Edi Rama, i cili rri e kundron Shqipërinë, si fermën e Kafshëve të Orwellit.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Rafael Floqi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 87
  • 88
  • 89
  • 90
  • 91
  • …
  • 179
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashamir Gurabardhi: “Arti si zhvillim dhe emancipim kombëtar”
  • SHUMËSIA STILORE-LIGJËRIMORE NË PROZËN DOKUMENTARE TË REXHEP QOSJES
  • Atë Arthur Liolin, kleriku, studiuesi dhe shërbestari i shquar i komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
  • FEDERATA VATRA URON: GËZUAR FITËR BAJRAMIN
  • Gjykata: Mbyllja e “Zërit të Amerikës” e paligjshme, urdhërohet rikthimi i 1,000 punonjësve
  • Experience History: Ambassador William Walker’s inaugural visit to the Saint George Orthodox Cathedral and the Fan Noli Cultural Center
  • 𝑺𝒉𝒆̈𝒏𝒅𝒆𝒕𝒊 𝒊 𝑺𝒊𝒔𝒕𝒆𝒎𝒊𝒕 𝑻𝒓𝒆𝒕𝒆̈𝒔 – 𝑩𝒂𝒔𝒉𝒌𝒆̈𝒃𝒊𝒔𝒆𝒅𝒊𝒎 𝒎𝒆 𝑱𝒖
  • NICOLAE IORGA, HISTORIANI ME I MADH RUMUN DHE ZBULUESI I SHKRIMIT TE PARE NE GJUHEN SHQIPE
  • Doktrina Wilsoniane dhe mbijetesa e shtetit shqiptar – nga shpëtimi i Shqipërisë te e drejta historike e Kosovës për vetëvendosje
  • Zarfi që sfidoi censurën në Shqipërinë komuniste
  • Albanian Night @ Yankee Stadium
  • O SOT, O KURRË! O FLAMUR, O DEKË!
  • Liria fillon gjithmonë nga refuzimi për të gënjyer veten…
  • Një nderim për historinë tonë kombëtare…
  • Habermas në mbrojtës i vendosur i intervenimit të NATO-s në Kosovë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT