• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Federata e Mjekëve Shqiptarë në Europë: ´´Zbulo abuzimin me drograt dhe mbroni fëmijët & rinjtë nga vartësitë“

June 26, 2024 by s p

Në Shqipëri dhe Kosovë, përdorimi i drogave është një problem i madh dhe në rritje. Në Kosovë, numri i përdoruesve të drogës është në trend të rritjes, dhe konsumues gjithnjë e më të shpeshtë po bëhen adoleshentët. Federata e Mjekëve shqiptarë në Europë mbajti me sukese Konferencën e XXIII europiane në Qytetin e bukur të Prizrenit. Kjo konferencë u realizua në kuadër të Sensibilizimit mbi ´´Drogat dhe Shëndeti Mendor´´ dhe si vazhdim i misionit humanist të mobilizimit të mjekëve në Europë, organizoi në bashkëpunim me Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren, Konferencën e XXIII-të Shkencore të akredituar (8 Kredite). Konferencën e Federatës dhe bashkëpunimin me Universitetin e Prizrenit e përgëzoi zyrtarisht Z. Albin Kurti- Kryeministri i Republikës së Kosovës.Në fjalën e mirëseardhjes – Dr. Aurora Dollenberg – President of AMFE (Federata e Mjekëve në Europë) falenderoi pjesëmarrjen e gjerë dhe folësit/Profesorat e Nderit për kontributin e tyre vullnetar.

Konkluzionet nga kjo konference mjekesore ishin:

1. Sipas të dhënave të Qendrës Mediko-Psikoterapeutike Labirint, janë 5,000 – 6,000 përdorues të varur drogash në Kosovë, që kanë probleme me sjelljen dhe rrethin, ndërsa numri i përgjithshëm i përdoruesve kalon 30,0001. Në Shqipëri, droga trafikohet përmes Kukësit ose Prizrenit, pastaj përmes Ferizajt dhe Gjilanit në Kosovë

2. Shqipëria është një nga vendet kryesore tranzit të trafikimit të heroinës dhe kokainës 3.Përdorimi i drogave ka pasojat e mëdha në shëndetin mendor. Përdorimi i substancave narkotike ndikon në shëndetin mendor të adoleshentëve

4. Përdorimi i substancave ka simptoma të zakonshme të sjelljes. Disa shenja dhe simptoma të të gjitha çrregullimeve të përdorimit të substancave përfshijnë: Duke pasur nxitje intensive për të përdorur substanca

5.Është e rëndësishme që të merret parasysh se përdorimi i drogës dhe varësia nga droga janë çështje serioze të shëndetit mendor dhe kërkojnë trajtim profesional. Nëse ju ose dikush që e njihni po përballen me këto çështje, është e rëndësishme të kërkoni ndihmë nga një profesionist i shëndetit mendor.

Dekorim me titullin ´´ Goodwill AMBASADOR´´, për meritën e lartë të kontributit në federatë, e morën këto personalitete shqiptare: Z. Shaqir Totaj, Kryetar i Qytetit të Prizrenit, Dr. Arben Vitia, Ministër i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Prof. Mentor Alishani, Rektor i Universitetit-Prizren “Ukshin Hoti” , Dr. Fatmire Kollçaku, Kryetare e Komisionit të Shëndetësisë në Parlamentin e Republikës së Kosovës, Dr.Jusuf Ulaj, Këshilltar i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Dr. Narqize Hoxhaj, Drejtoreshë e Spitalit Prizren. Paneli me të ftuarit e Nderit: Prof. Gazmend SH Bojaj, Prof. Fadil Çitaku, Prof. Lule Elezi, Dr. Edmond Nushi, Gjergji Pasha dhe Erdi Rexha, dhanë një kontribut të vyer organizativ.

Një Urim i përzemërt i shkon referentave të konferencës, të cilët paraqiten punime të shkëlqyera: 1- ´´Drogat dhe urgjencat më të shpeshta mjekësore´´- Dr. Aurora Dollenberg-Specialiste e Urgjencës dhe Mjekësisë Familjare, Psikoterapiste, CEO Dollenberg Clinic

2- “Ndikimi i substancave psikoaktive në gjendjen mendore të adoleshentëve – Dr.Behar Kamberi, Specialist i Pediatrisë 3-´´Sfida institucionale për evidentimin dhe trajtimin e rasteve të abuzimit me drogat´´- Dr. Arsim Gerxhaliu-Specialist i Mjekësisë Ligjor 4-´´Mbështetje psikologjike dhe psikoterapeutike për familjarët e përdoruesve të drogës´´ Arton Ademi – Specialist i Psikologjisë 5-´´ Varësia nga droga si problem social dhe zvogëlues i aftësisë për punë´´ Dr. Salih Bytyqi – Specialist i mjekësisë së punës 6-´´Efekti i substancave psikoaktive në procesin e detoksifikimit në mjedisin spitalor: objektivat dhe sfidat´´- Dr. Nik Agani- Specializimi në Psikiatri 7-´´Substancat narkotike dhe përdorimi i tyre tek adoleshentët dhe të rinjtë´´ Dafina Broqi- Specialiste e Psikologjisë 8-´´Situata e përdorimit të drogës në Kosovë, droga të reja – sfida të reja´´ Safet Blakaj – Specialist i trajtimit të drogës 9-´´Ndikimi i Inteligjencës Artificiale (AI) në trajtimin e çrregullimeve mendore´´- Erdi Rexha– Drejtor-bordi studentor AMFE – Kosovë.

Ishte privilegj që konferenca jonë u nderua nga familja e 2 heronjëve të Kombit: Dr. Fahrije Jashari-Zv. Kryetare e Federata europiane Mjekëve AMFE-Suedi nga Familja e Adem Jasharit dhe Familja e Dr. Fahredin Hoti deshmor i Kombit, ku personalisht Djali i heroit-Z. Besnik Fahredin Hoti.Nje homazh i merituar u dha me ngritje ne kembe dhe duartrokitje te zgjatura nga gjithe salla e konferences, per heronjte e kombit.

Falenderojmë moderatorët e konferencës, gazetarët e njohur Z. Hajriz Mamaj & Znj. Alketa Gashi Fazliu dhe fotografin Edon Mamaj për punën e tyre shumë profesionale në konferencë. Falenderimi më i përzemërt i shkon pjesëmarrëve të shumtë , të cilët me pyetjet dhe diskutimet e tyre shkencore e bën këtë konferencë shumë dinamike dhe të frytshme.

Filed Under: Sociale

Festojmë Ditëlindjen e 248-të të Amerikës

June 25, 2024 by s p

Prof. Asc. Dr. Gëzim MUSTAFAJ*/

Është një ditë vere në Shtetin e New Yorkut. Duke qënë shumë largë Atdheut tonë të dashur Shqipërisë, Amerika është kthyer në Atdheun tonë të dytë. Association of “Skënderbej”, (Shoqata Skënderbej), ka vite që e ka kthyer në traditë festimin e ditës së Pavarsisë të SHBA-s. Kështu në Restaurant PINE 19 13 Bronxdale Avenue, Bronx, NY 10462 organizuam mbasditen e 23 Korrikut, takim festiv për këtë ngjarje të shënuar në biografinë e kombit Amerikan.
248 vjet më parë, Kongresi i Dytë Kontinental, që përfaqësonte 13 kolonitë amerikane të Mbretërisë, miratoi Deklaratën e Pavarësisë. Shumë gjëra kanë ndryshuar që nga ajo kohë. Në vend të 13 kolonive të grumbulluara përgjatë Oqeanit Atlantik, tani janë 50 shtete dhe pesë territore që shtrihen në të gjithë globin. Kongresi Kontinental përbëhej nga 60 anëtarë, të gjithë burra, pronarë tokash të klasës së mesme dhe disa skllavopronarë me origjinë britanike.
Deklarata e Pavarësisë përmban pohimin e mirënjohur se: “Ne i konsiderojmë këto të vërteta si të vetëkuptueshme, që të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se ata janë të pajisura nga Krijuesi i tyre me disa të drejta të patjetërsueshme, dhe midis tyre janë Jeta, Liria dhe ndjekja e lumturisë….. Kjo ishte një deklaratë e së vërtetës, por më shumë një shpallje e aspiratës, dhe që kur ato fjalë tingëlluan për herë të parë në vitin 1776, populli amerikan është përpjekur dhe ka luftuar për ta bërë atë aspiratë të madhe kombëtare më të vërtetë për çdo brez. Lidhja midis së vërtetës dhe aspirates, midis asaj që besojmë, asaj për të cilën shpresojmë dhe asaj që jemi të gatshëm të punojmë për të arritur, është zemra e ëndrrës Amerikane. Është gjithashtu ajo që lidh Shtetet e Bashkuara dhe Atdheun tonë të dashur, Shqipërinë. Si zakonisht mjedisi festiv fillon nën tingujt solemn të dy himneve, të atij Amerikan dhe Shqiptar. Më pas modratorja e aktivitetit Znj.Nadire Xhakolli pasi u uroj të pranishëmve mirëseardhjen dhe gëzuar festën e Amerikës, i dha fjalen Presidëntit të shoqates Profesor Asc. Dr. Gëzim MUSTAFAJ. Ai u uroj të gjithë anëtarëve ditëlindjen e 248-të të Amerikës dhe të kalojnë një ditë sa më të gëzuar. Më pas përshendetën në emër të Forumit të Ushtarakëve nga Shoqata “Bijët e Shqipes” në Philadelfia, Kryetari Z.Ali Sopi. Kryetari i Organizates së Veteranëve të Luftës të UÇK, Z. Astrit HUSKAJ. Mbreselënëse ishte përshëndetja që Z. Huskaj solli nga bashkëluftëtarët, strukturat drejtuese të UÇK në Kosovë.
Në këtë ditë të shënuar për disa nga anëtarët e shoqatës u dhanë edhe Çertifikata Mirënjohje për punën e bërë. Po kështu Çertifikatë Mirënjohje. për bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi me Forumin e Ushtarakëve nga Shoqata “Bijët e Shqipes” në Philadelfia ju dha ish kryetarit të këtij forumi Z. Eqerem Murati. Ishte në nderin e shoqatës tonë që një Çertifikatë Mirënjohje ju dha edhe ish luftëtarit të UÇK-së dhe ushtarak në Forcat e TMK-së dhe FSK-së, Z. Hysni Kelmendi, për mbajtjen latrtë të ndjenjave patriotike dhe atdhetare të kombit tonë. Amosfera u zbukurua me këngëtarin dhe DJ, Z. Argjend Lloga, si dhe këngëratët, Kristina Marku, Hysni Kelmendi dhe Agim Shiqerukaj.
I gjithë aktiviteti u filmua nga Tv Albania Culture, NY me pronarë Z. Adem Belliu, të cilin e falenderojmë shumë për prezëncen e tij në aktivitetet e shoqatës tonë. Nën tingujt e muzikës, valles, trokitjes së gotave, dashamirësis dhe mikpritjes vazhdoj gjithë aktiviteti. Një falënderim special është për, Restaurant PINE, Bronx, anëtarët e rinj të shoqatës si dhe të gjithë të ftuarit që na nderuan me pjesëmarrjen e tyre në këtë aktivit. Mirë u takofshim në aktivitete të tjera.
*President, Shoqata Skënderbej.

Filed Under: Sociale

“S’KA PRA M’I LEHTË ZANAT SE POLITIKA, O VËLLEZËR SHQIPTARË…ZANATI MË I LEHTË ËSHTË TË BËNESH MINISTËR” (Andon Zako Çajupi)

June 19, 2024 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag

Description automatically generated

Gjatë viteve më ka pëlqyer të sjell, nga koha në kohë, shkrime dhe artikuj të fillim shekullit të kaluar si për shembull nga At Gjergj Fishta, Faik Konica, Fan Noli e të tjerë, Frank Shkreli: Paralajmërimi i At Gjergj Fishtës: Kujdes nga rreziku i brendshëm! | Gazeta Telegraf ), të cilët ndonëse kanë jetuar dhe zhvilluar veprimtarinë e tyre në fillim të shekullit XX – mendimet dhe qëndrimet e tyre të shprehura atëherë, janë mjaft aktuale edhe në ditët e sotëme përball zhvillimeve politike në Shqipëri, Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare. Sot e ka radhën një shkrim i Andon Zako Çajupit që mban datën 22 Shkurt, 1922 shkruar në Kairo – si parathënje në krye të dramës, “E Thena” të Milo Duçit – ribotuar në numrin e parë të revistës “Shejzat” të Ernest Koliqit (Viti i Parë, Gusht -1957) në Romë me mbishkrimin, “Zane të Kalesës”.  

Artikulli i Çajupit, që po e sjellim të plotë, është shkruar prej tij një shekull më parë, në formën e një parathënjeje të dramës “E Thena”. E përzgjodha këtë shkrim të Çajupit, ndonëse ka kaluar një shekull nga botimi (1922), sepse sjellë edhe sot një freski të gjëndjes politike dhe kulturore që mbretëronte në atë kohë, anë e mbanë trojeve shqiptare, por sikur të ishte shkruar sot, pasi pasqyron me mjaft përpikmëri, sidomos gjëndjen e sotme politike në Shqipëri, por jo vetëm.  Në atë shkrim, Çajupi shpreh zhgënjimin dhe trishtimin e tij mbi gjëndjen dhe mungesën e zhvillimeve letrare e kulturore të gjuhës shqipe, në përgjiithsi, në Shqipërinë e 1920-ave. Ndërkohë që “shqiptarët janë të lindur për politikë” sipas Çajupit, “Për njëmënd, ndë Shqipëri gjënden plot ministra, qeveritarë, depytenj, diplomatë të fortë.  Mbijnë sikurse kërpudhat nga dhéu…Përkundra, shkronjëtorët, vjershëtorët, janë fort të pakët.”

Megjithse kanë kaluar mbi 100-vjet nga botimi – fjalët e Çajupit pasqyrojnë edhe sot shqetsimet dhe trishtimet e patriotëve të vërtetë të asaj kohe në lidhje me gjëndjen politike dhe kulturore të shqiptarëve atëherë, por që përputhen aq përpikmërisht me gjëndjen e sotëme politike dhe kulturore në marrëdhëniet e shqiptarëve me njëri tjetrin dhe me të tjerët.  

Andon Zako Cajupi - KultPlus
At Gjergj fishta - KultPlus

          Andon Zako ÇAJUPI                                     At Gjergj Fishta

“Për shumicën e Shqiptarëve, politika është një punë fort e lehtë dhe u vërtetoj se, për me fitu bukën, në këtë botë të reme, zanati m’i lehtë është të bënesh ministër. S’ke nevojë të dish asnjë punë, asnjë mjeshtëri me themel.”  Çajupi

                                              ———————–

Lexoni, pra, (në origjinalin e shqipës së atëhershme) parathënien e Andon Zako ÇAJUPIT për dramën e Milo Duçit, “E THËNA”, Kairo, 1922.  

“Bashkatdhetarëve: 

 S’është neovoja t’u prezantoj unë autorin e këtij libri, që pata naflakë me lëçit i pari në dorëshkrim. Mjafton t’u kallëzoj se, Zoti Milo Duçi është vetë Lulo Malsori, që ka pas botue “Gjakun”, një fjalor shqip-italisht, dhe plot vjersha të bukura e artikulla ndë gazeta dhe të përkohëshme, në kohë të shkuara.  Se duet me dit se Z. Milo Duçi, sido që ala trim i ri, është nga Shqiptarët e vjetër që kanë punuar për letraturën shqipe dhe për liri t’Atdheut qysh në kohë të tiranisë, kur Turku s’ka dashur të dëgjojë as emrin Shqiptar.

Sot, që cilido mund të thotë e shkruajë çka të dojë, pa asnjë farë reziku, na kanë dalë disa Shqiptarë të lashtë, aty ku s’i pandenim, dhe këta njerëz të guxuashim përmenden tani si atdhetarë të vërtetë, sido që herët kanë vepruar kundra Shqipërisë.  Një faktum i tillë nuk e dëshpëroi Z.Milo Duçi, dhe mori prapë pëndën e shkroi një dramë tjetër fort origjinale, “E THËNA”, që ka me u pëlqye të tërve kur ta këndoni e kur ta shikoni të luhet në theatro.

Tani disa vjet, kemi rënë tepër pas politikës. Jemi mërzitur, jemi lodhur pa dobi, duke u grindur me bisedime të politikës që nukë mbarojnë kurrë. Politika! Formirë. Po na duet dhe letratura, për Zonë! Kemi nevojë të dëfrejmë e të çdëfrejmë dopak, të jetojmë dhe me ëndërra. Pastë të mirë pra Z.Milo Duçi, që na mbushi dëshirën e zemrës, se “E THËNA”, do të na zbavitë mjaft sa të harojmë, një orë a dy, mendimet e mundimet e jetës, ndë këtë botë ku hollësitë, kodhelet dhe lodrat e politikës gadi na prishin trutë në ditë të sotme.

Do të më thuani se jam në gabim, se politika për Shqiptarët është si buka që hamë; janë të lindur për politikë. Për njëmënd, ndë Shqipëri gjënden plot ministra, qeveritarë, depytenj, diplomatë të fortë.  Mbijnë sikurse kërpudhat nga dhéu.

Përkundra, shkronjëtorët, vjershëtorët, janë fort të pakët. Në këta 3 a 4 vjet të fundit, Shqipëria ka mundur me pas më tepër se 300 a 400 ministra, diplomatë, depytenj të çkëlqyerë!  Po, qysh 40 vjet e tëhu, s’ka mundur me na dhënë veç 4 a 5 shkronjëtorë e vjershëtorë që meritojnë të përmenden në letratyrë…

Si shpjegonet kjo pasunië në pikëpamje të politikës? Unë, që jam krejt budallë në këtë pikëpamje, them se, për shumicën e Shqiptarëve, politika është një punë fort e lehtë dhe u vërtetoj se, për me fitu bukën, në këtë botë të reme, zanati m’i lehtë është të bënesh ministër. S’ke nevojë të dish asnjë punë, asnjë mjeshtëri me themel. Ministri i bujqësisë, bie fjala, tokon të mos çquaj qepët nga prasët; ministri i luftës tokon të mos ketë marë një pushkë në dorë; ministri i financës tokon të mos ketë fituar asnjë grosh, veç me të grabitur; ministri i arsimit tokon të mos dijë as shqip, veç të mundi të shkruaj një ë me dy pika mbi krye; ministri i punëve të përjashtëme tokon të jetë prift a hoxhë…., dhe puna të vejë mbarë gjithmonë…

Një herë në një kohë, populli lypte nga qeveritarët të jenë sidomos atdhetarë të vërtetë.  Jo, sot s’është nevojë. Ndë Shqipëri, një turkoman, një grekoman, një sllavoman, një intrigant, një tradhëtor, tokon të bënet, pa vesvese, regjent, ministër, depytet, prefekt, faqe me nder dhe mbret. 

S’ka pra m’i lehtë zanat se politika, o vëllezër shqiptarë. Përkundrë, letratyra është një punë fort e rëndë: shkronjëtor, vjershëtor, s’bënet kushdo. Dhe në daltë dokush, s’ka si jeton, se librat shqip nukë shiten. Shqiptarët s’janë budallë me tret kot pare duke blerë libra e gazeta. Më mirë është me pi se me lëçit. . .Prandaj shkronjëtorët shqiptarë janë të rrallë dhe nuk nderonen aspak.  Shkojnë gjithë barabar, si i miri dhe i ligu, dhe ky përmëndet më tepër se ay.  Po, kam uzdajë se një shkronjëtor, si Z. Milo Duçi do ta mërgojë këtë rezik.  S’kam dyshim se “E THËNA”, kur të lëçitet a keq, i lutem autorit të mos dëshpëronet, por të kujtonjë fjalët e plakut La Fontenë: “Kurkush s’mund të kënaqij tërë botën dhe babanë”.  (Botuar në Kairo, shkurt 1922. A. Zako Çajupi, ribotuar në revistën Shejzat, Viti i I, Gusht 1957, Romë) –

                                            ———————

Ka disa vite që — të dëshpëruar me politikën aktuale shqiptare – ashtu siç ishte i dëshpëruar edhe Çajupi me politikën shqiptare të fillim shekullit të kaluar – shumë veta bëjnë pyetjen, nëse mund të bëhet Shqipëria!?  

“Nuk ashtë mjaftë që të jetë ba Shqypnia; duhet ta mbajmë”, ka paralajmëruar At Gjergj Fishta duke thenë se nëse duam të shohim se “Çfarë rreziku mund t’i kërcënohet atdheut nga s’përmbrendi…simbas parimeve të etikës së popujve të qytetnuem” duhet të shohim, “natyrën e pëmbrendshme të autoritetit dhe rregullat simbas të cilave duhet përdorue financat e shtetit, e mandej të ndajmë elementin ma të rrezikshëm për autoritetin dhe financat…” Frank Shkreli: Paralajmërimi i At Gjergj Fishtës: Kujdes nga rreziku i brendshëm! | Gazeta Telegraf — I tmeruar me politikanët e kohës së tij, ashtu siç ishte edhe Çajupi në atë kohë, Fishta i shikon ata që i quan “sundimtarë” të shtetit, qofshin ata “princë, bajraktarë, pashë a beg”, jo si të preferuarit e shoqërisë me privilegje, të drejta e pasuri, në krahasim me njerëzit e thjeshtë, por si të barabartë me të gjithë të tjerët, sepse “gjaku i gjithë njerëzve ashtë një.”  Si rrjedhim, Fishta paralajmëron në artikullin e Hyllit të Dritës se, “Ditën, pra, që nji sundimtar i shtetit zen ta përdorojë autoritetin shtetnuer, jo për dobi të shtetit mbarë, por për qëllime vetjake ase për interes të ndonji kastës në shtet, qëllimi i të cilës mos të ketë kurrnjë të përpjekun me lehtësimin e gjallnimit të njeriut mbi tokë e me të përmirësuemit e tij individual e kolektiv, atë ditë fillon shkatërrimi i atij shteti, e sundimtari bahet mikrobi-gjaks i kombit të vet, pa qenë nevoja që armiku prej së jashtmi të harxhojë fishekë në të…”.

Prandaj, ja vlen që të merren parasysh mësimet dhe parlajmërimet e vyera nga e kaluara — aktuale edhe sot — nga personalitete historike si Fishta e Çajupi për ndërtimin e një të ardhme më të mirë për Shqipërinë dhe kombin shqiptar. “Të mësojmë nga e djeshmja, të jetojmë të sotmen dhe të shpresojmë për të ardhmen”, ka thenë Albert Einstein-i.  

Frank Shkreli

Filed Under: Sociale

A ËSHTË SHËNDETI MALL ?

June 18, 2024 by s p

Dr. Shefqet Deliallisi/

Iniciativa private, tregu i lirë, konkurenca, privatizimet, shpesh paraqiten si “çelsi i artë” për zgjidhjen e problemeve të sistemit shëndetsor. Sigurish që është një kundërpërgjigje radikale ndaj super-centralizimit të sistemit që lamë pas, apo ndryshimeve mbresëlënese të sektorëve të tjerë, në sajë të forcave të tregut. Por a janë forcat e tregut mekanizmi i vetëm i regullues i sistemit shëndetsor?

TË GJITHË TË PAKËNAQUR, TË GJITHË NË REFORMË..

Të gjithë vendet janë të pakënaqur me sistemin shëndetsor. Dikush kërkon më shumë mekanizma tregu, dikush më shumë solidaritet social. Dikush thotë sistemi vuan nga mungesa e konkurencës, dikush konkurenca e tepërt e dëmton. Ndryshe mendojnë ekonomistët, që e shohin kujdesin shëndetsor si një industri shërbimesh dhe fokusohen në aspektin “industri,” duke nënkuptuar treg, konkurencë, por dhe pabarazi. Ndryshe politikëbërësit dhe qytetarët, që fokusohen në aspektin “shërbim,” duke nënkuptuar nevojë, detyrë, drejtësi sociale Të gjitha vendet janë në reformim të sistemit shëndetsor. Reformim pambarimisht i gjatë. Në reformë sitemi shëndetsor Amerikan, Kanadez, Britanik. Në reformë sitemi në Gjermani, Danimarkë, Hungari, Greqi, Turqi, Bullgari, Kroaci, Qipro, Estoni, Kazakistan, Rumani, Sllovaki, etj, etj.

Në shumicën e vendeve, politikat shëndetsore janë në gjendje fermentimi, tronditje dhe konfuzioni … asnjë zgjidhje e lehtë nuk propozohet, mbasi, asnjë e tillë nuk egziston.

Duke u përballur nga njëra anë me presionin e financimit të sistemit shëndetsor, nga ana tjetër me dështimin në shpërndarjen e tij, politikëbërësit kërkojnë zgjidhje radikale.

REVOLUCIONI DHE KUNDËREVOLUCIONI

Në librin “E ardhmja e politikave shëndetsore” , më tërhoqën vëmendjen dy kapituj, renditur njëri pas tjetrit. “Revolucioni i konkurencës i viteve 80-të” dhe “Kundërevolucioni i financimit të kujdesit shëndetsor.” Në kapitullin e parë flitej për “revolucionin” e sistemit shëndetsor të viteve 80, funksionimin e tij sipas koncepteve të industrisë, ligjeve të tregut të lirë, konkurencës. Në të dytin, 20 vjet më pas, bëhej fjalë, tashmë për nevojën e një “kundërrevolucion”, mbasi “revolucioni”…. kish dështuar!!!

Po le të kthehemi në vitet 80-të. Ishte koha kur në vendet e zhvilluara mjeksia shkencore, pa zhurmë po zhvendoste funksionin social dhe “apostolik” të mjeksisë, rolin ngushëllues, këshillues, me pak fjalë efektin placebo, apo “ilaçin doktor”. Ishte koha kur si pasojë e shpërthimit të dijeve mjeksore, komercializimit të praktikës mjeksore, sistemi shëndetsor doli jasht kontrollit. U bë më i pabarabartë dhe shumë më i shtrenjtë…… Ishte koha kur Regani në Amerikë dhe Thatcher në Britani, adoptuan ideologjinë ekonomike sipas të cilës kontrolli dhe drejtimi i gjithë aspekteve të jetës mund të realizohej nëpërmjet e forcave të tregut, të cilat mund të kontrollonin rezultatin, shpërblenin apo penalizonin ekonomikisht individët për arritjet apo dështimet. Principet e tregut u konsideruan universale. Madje u shkua deri aty sa, nëse diçka ishte gabim, “ishte jo-mjaftueshëm si tregu!!!”. Kjo ideologji ekonomike u aplikua edhe në sistemin shëndetsor. Avokati më i fuqishëm i saj ishte këshilltari i Reganit, sekretar i Shëndetit, Edukimit dhe Çeshtjeve Sociale(1977-79) Joseph Califano, i cili idetë e tij i shprehu në librin “Revolucioni Amerikan i Kujdesit Shëndetsor” Kush jeton? Kush vdes? Kush Paguan ?” (1986).

Califano impononte një set levash ekonomike si promovimi i fuqishëm i pagesave DRG, menaxhimin e kujdesit shëndetsor, kontrollin e mjekëve nëpërmjet incentivave ekonomike. Sipas tij, zgjidhja ishte : më shumë treg, më shumë konkurentë, dhe më shumë presion konkurence. Califano u përpoq që “sëmundjen” e sistemit shëndetsor ta shëronte duke përdorur ”ilaçin” treg. Por koha tregoi se ky “ilaç” nuk e përmirësoi gjëndjen. Gabimi themelor ishte mos-konsiderimi i shëndetit si një mall i veçantë.

SHËNDETI MALL, PO EDHE NJË E DREJTË NJERËZORE

Në sistemin kapitalist shëndeti, si çdo gjë tjetër, kthehet në mall mbasi hyn në përdorim, furnizimi me të nuk është pa kufi, kërkesa për të është në raport të zhdrejtë me çimin e tij. Duke u konsideruar mall, përdoruesi duhet të paguajë për të. Por, shëndeti ndryshe nga mallrat e tjera është më pak i qartë, është vështirë të tregtohet ndërmjet personave, në masë të madhe vetë-prodhohet, kërkon bashkëpunimin njerëzor mjek- pacient, dhe jo mardhënie të ftohta komerciale shitës-blerës, ndikohet fuqishëm nga konsumimi i mallrave të tjera. Të gjitha këto vështirësojnë matjen, vlerësimin e shëndetit. Bëjnë që tregu i shëndetit të jetë jo një treg i regullt konkurence, sipas modelit tradicional të konkurencës së pastër që përshkruhet në tekstet e ekonomisë.

Në të njejtën kohë, sipas shumicës, shëndeti konsiderohet një e drejtë njerëzore. Si e tillë nuk duhet të alokohet si mallrat e tjerë, në bazë të aftësisë për të paguar. Dhe, kur një shërbim shpërblehet si e drejtë, pa u siguruar në treg, de-mallizohet. Por ndërsa mallizimi i plotë i shëndetit në sistemin kapitalist është i mundur, de-mallizimi i plotë i tij jo. Konsiderimi i shëndetit si mall pa çmim (“I pa çmuar” siç zakonisht thuhet) krijon probleme në prodhimin dhe furnizimin me të.

Pra, njëkohësisht kërkohet që shëndeti të gëzojë edhe atributet e drejtës njerëzore, edhe ato të mallit. Të jetë si një “ishull” socialist në “oqeanin” kapitalist.

Është pikërisht ky dualizëm që e bën shëndetin mall të veçantë dhe ndërlikon problemet.

ROLI I TREGUT

Sipas ideve neo-liberale, tregu i lirë i bazuar në kërkesë-ofertë, rregullon në mënyrë natyrale prodhimin dhe furnizimin me shërbimin e kujdesit shëndetsor. Në sajë të konkurencës natyrale ai siguron shërbim cilësor, madje me kosto të ulët. Ndonëse idetë neo-liberale janë përqafuar gjerësisht, asnjë sistem shëndetsor perëndimor nuk është plotësisht i rregulluar sipas sistemit të tregut të lirë (madje edhe Amerika ka kujdese shëndetësore publike si Medicaid dhe Medicare). Ende në vende të ndryshme perëndimore sitemet shëndetsore janë të organizuar rreth vlerave të solidaritetit.

Në Europë zakonisht flitet për një sistem shëndetësor “quasi-market,” ku sigurimi i kujdesit shëndetsor i është lënë konkurencës së tregut, ndërsa financimi, dhe në disa raste edhe shitja e tij, bëhet nga shteti. Kjo për faktin se tregu i lirë e ka të pamundur të sigurojë një alokim social optimal të resurseve.

ROLI QEVERISË

Ajo që sot tërheq vëmendjen është se pothuaj në të gjitha vendet e industrializuara vërehet zgjerimi i ndërhyrjes së qeverisë në sektorin shëndetsor. Ndonëse këto vende kanë përqafuar politika liberale, tregun e lirë, privatizimin, etj, kur flitet për sigurimet shëndetsore dhe kujdesin shëndetsor, qeveritë e tyre luajnë një rol të konsiderueshëm regullues si subvencionuese, rimbursuese, blerëse direkte apo prodhuese të kujdesit shëndetsor, apo shpërndarëse të tij. Dhe kjo ndodh ndonëse dihet që kontrolli burokratik që shoqëron ndërhyrjen e qeverisë, nuk favorizon një kujdes shëndetsor kosto-efektiv me cilësi të lartë, kur është provuar se kontrolli i gjithanshëm i qeverisë mbi kujdesin shëndetsor nuk ka mirëfunksionuar në asnjë vend.

Në fakt ekonomistët i kanë kushtuar vëmendje ndërhyrjes së qeverisë dhe pasojave. Ndërsa M.Fridman e ka argumentuar ekspansionin e qeverisë, si një politikë mjaft të gabuar, Stigler(1975) është më racional : “ Nëse një politikë ekonomike përqafohet nga shumë komunitete, apo ndiqet nga shoqëria në mënyrë të vazhdueshme, për kohë të gjatë, është mirë të pranohet, mbasi tashmë efektet reale të saj janë të njohura dhe të dëshiruara.” Madje edhe Von Hayek (2000), një prej avokatëve më të mëdhenj të noe-liberalizmit, mendon se fushat ku shteti mund të luajë një rol të rëndësishëm, pa dëmtuar liritë individuale janë pikërisht shëndeti dhe arsimimi. Problemi, sipas tij, krijohet kur shteti,qeveria, kalojnë masën si ridistributor i të mirave materiale, shërbimeve dhe të ardhurave.

SI PËRFUNDIM…

Sigurisht, tregu është një mekanizëm i fuqishëm regullues, konkurenca një komponent i rëndësishëm që ai të funksionojë mirë. Por konkurenca në kujdesin shëndetsor duhet të menaxhohet, dhe qeveria duhet të jetë menaxhuesja kryesore.

Të gjithë vendet moderne përdorin kombinimin e mekanizmave rregullues tregut dhe qeverisë. Por, propocioni ndryshon së tepërmi nga një vend në tjetrin, madje, dhe nga një kohë në tjetrën, në të njejtin vend. Ruajtja e një ekuilibri të domosdoshëm ndërmjet rolit të qeverisë (politikës), dhe rolit të tregut (ekonomisë), është e domosdoshme.

Në librin

“Në labirintin e reformës shëndetsore (ONUFRI 2013)

Filed Under: Sociale

As për lotin e një fëmije…

June 17, 2024 by s p

Historia e shtrembëruar nuk mund të jetë mësuese e mirë e jetës

Nga dr. Sadik Elshani/

Është për t’u habitur e duket si diçka e pakuptimtë kur lexon e dëgjon se një pjesë e mirë e shqiptarëve ende flasin me adhurim për regjimin komunist. Habia është edhe më e madhe kur e dëgjon këtë edhe pas më shumë se 30 viteve nga rënja e komunizmit në Shqipëri. E dëgjon këtë edhe nga një pjesës e mirë e shqiptarëve që me vite të tëra jetojnë në ShBA dhe vende të tjera përendimore, të cilët e shohin me sytë e tyre sesi funksionojnë shoqëritë demokratike dhe vlerat njerëzore që ato i rrezaojnë. Jetojnë në këto vende dhe i gëzojnë privilegjet që këto vende i ofrojnë, por ata mendjen dhe zemrën e kanë te një periudhë e errët e historisë së kombit tonë – periudhës komuniste. Mundohen ta arsyetojnë përkrahjen e tyre për regjimin komunist duke i radhitur disa të arritura: ndërtimi i hidrocentraleve, ndërtimi i hekurudhave, shëndetësia, arsimi, etj. Wshtë e kuptueshme që kur një regjim rri në pushtet për afro 50 vite diçka duhet të ndërtohet, se ndryshe nuk mund të ekzistonte. Në rastin e Shqipërisë shumica e ndërtimeve janë bëre me ndihmën e Jugosllavisë në fillim e pastaj me ndihmën e Bashkimit Sovjetik e Kinës. Kur u prishën këto marrëdhënie, që më mirë mos të kishin ekzistuar fare, regjimi komunist nuk mund t’i përballonte sfidat e shumta ekonomike dhe ai regjim u shemb, falimentoi. Edhe nëse është bërë ndonjë gjë e mirë, është bërë duke e paguar një çmim të madh: zhdukjen e lirisë së njeriut, eliminimin e elitës intelektuale,arrestimet, burgosjet, internimet, pushkatimet që nuk u ndalen kurrë deri në grahmat e fundit të atij regjimi çnjerëzor. Regjim që u fundos nga pesha e rëndë e krimit, paaftësisë, injorancës – regjim që u mposhtë nga populli më i molisur i kontinentit evropian. Një e keqe i hijëson, i mbulon të gjitha të mirat, e në Shqipëri në atë kohë kanë ndodhur shumë të këqia. Nga të mirat nuk përmbyset asnjë regjim. Nëse qenka jetuar mirë në atë regjim, atëherë përse shqiptarët e shporrën atë?! Wshtë shkruar mjaft për atë periudhë dhe këtu nuk do të ndalemi më tepër, janë dokumentuar mirë çmenduritë e asaj kohe. Zbehtësinë e këtyre “përparimeve” bukur e ka paraqitur Visar Zhiti në romanin e tij, “Këpuca e aktorit” (Tiranë, 2022, f. 130): “Me fitoren e tyre, vërtet punojnë të gjithë, mbase edhe bukë kanë të gjithë, por nuk janë të lirë, nuk kanë as vetet e tyre. Atdheu duket i mbyllur forcërisht…si një teatër absurd, ku të zihet fryma e ti je i detyruar të shohësh të njejtën skenë, të njejtën komedi. Që vetëm duke u bërë aktor mund të përballohet. Xhaxhai më fliste për ndryshime të mëdha, punohen tokat kudo, bëhen ndërtime, rrugë, shkolla, spitale, hidrocentrale, shpesh më dukej se donte t’ia thoshte vetes me zë, që ta dëgjonin të tjerë, dakord, s’isha kundër, doja t’u gëzohesha edhe unë, por mjaftonte të shikoja sytë e trishtuar të nënës time, atë buzëqeshje të venitur që të rrënoheshin të gjitha…”.

As për lotin e një fëmije

Diçka të ngjashme më tha edhe një koleg rus. Në mesin e viteve të 90-ta të shekullit të kaluar kur po punoja në Departamentin e Kimisë në Universitetin e Idahos, në grupin e profesorit me të cilin punoja erdhi një koleg rus nga Universiteti i Moskës. (Për kurreshtjen e lexuesit, edhe qyteti ku ndodhej universiteti quhej Moscoë – Moska. Dhe këtë bashkëpunim e quanin: nga Moska në Moskë.). Ai ishte një djalë i qetë dhe me të bisedoja edhe rusisht, sepse anglishtja e tij nuk ishte aq e mirë. Bisedonim shpesh edhe për gjendjen në Rusi, vitet e sistemit sovjetik, etj. Më interesonte të dija se çfarë qëndrimi kishte për sistemin komunist të ish-Bashkimit Sovjetik dhe si do ta karakterizonte atë periudhë. Nuk doja ta pyesja në mënyrë direkte për të mos e vënë në ndonjë pozitë të pakëndshme apo provokuese, prandaj provova pak më ndryshe, në një mënyrë të tërthortë dhe iu drejtova: Trofim, po Bashkimi Sovjetik ka arritur edhe suksese, ndërsa ai menjëherë m’u përgjigj: Sadik, nuk ia vlen as për lotin e një fëmije. Kështu, fare qart e në një mënyrë mjaft domethënëse më tha një koleg rus që ai vetë, babai i tij, e me siguri edhe gjyshi i tij ishin lindur e rritur në vendlindjen e bolshevizmit. E në Shqipëri sa lot janë derdhur, sa gjak është derdhur, sa jetëra njerëzish e familje janë shkatërruar, sa njerëzve të pafajshëm as varri ende nuk u dihet! E dikush ende sot e mbron atë regjim se paskan bërë këtë e atë. Të gjitha kanë mundur të bëhen pa shkatërrimin, terrorizmin e një populli të tërë (përveç atyre të privilegjuarëve të atij regjimi). Diku në një shkrim lexova edhe një thënie të ngjashme nga F. M. Dostojevski (1821 – 1881): “Madje as lumturia më e madhe e botës nuk do t’ia vlente çmimin e një loti në faqet e një fëmije të pafajshëm”.

Shembuj të guximit intelektual

Ndoshta mund të kuptohet heshtja në kohën e diktaturës, sepse për një fjalë goje rrezikohej jeta, familja, madje edhe farefisi i gjërë. Por, sot në liri e demokraci ende të mbrohen krimet e komunizmit?! Edhe gjatë diktaturës ka patur mjaft njerëz të guximshëm që e kundërshtuan diktaturën dhe vetë diktatorin, duke e fliuar edhe jetën e tyre. Të kujtojmë shkencëtaren e parë shqiptare, Sebiha Kasimati, që me mjaft guxim u ballafaqua me diktatorin: “Kam ardhur të të them se ti po vret gjithë intelektualët. Dua të të pyes se, me cilët ke ndërmend ta ndërtosh Shqipërinë, me teneqexhinjtë apo me kepucëtarët?!” Dihet fati tragjik i Sebiha kasimatit – u pushkatua në vitin 1951. “Po të më jepni një top, do të qëlloja mbi regjimn tuaj” – ishin fjalët e fundit të poetit të talentuar e atdhetar, Trifon Xhaxhika, para trupit gjykues, inkuizitorëve të tij. Edhe Trifoni u pushkatua ne vitin 1963, në moshën 31 vjeçare.

Historia e shtrembëruar nuk mund të jetë mësuese e mirë

Gjatë historisë së tyre shumë gjëra të tmerrshme, çnjerëzore u kanë ndodhur edhe disa popujve e vendeve të qytetëruara e të përparuara. Të kujtojmë këtu Gjermaninë Naciste e Italinë Fashiste. Por, këto vende janë ballafaquar me të kaluarën e tyre, i kanë pranuar, dënuar e gjykuar gabimet, krimet e tyre të tmerrshme. E kanë hequr atë gur të rëndë nga qafa e ndërgjegjes së tyre kombëtare dhe sot Gjermania e Italia janë bërë forca motorike e zhvillimit demokratik e ekonomik të Bashkimit Europian. Po në Shqipëri? Ende nuk janë pranuar e dënuar krimet e komunizmit në mënyrë institucionale e shtetërore. Ende paraqiten në publik simbolet e komunizmit. Disa historianë tanë në vend se të merren me studimin e asja periudhe, t’i analizojnë me vërtetësi e saktësi shkencore ato ngjarje, ata nëpër studio televizive e mbrojnë atë regjim. Akademikët rumunë e kanë bërë një studim kritik për regjimin komunist në vendin e tyre. Gjërat studiohen me një sy kritik e me gjykime të shëndosha, që të mos përsëriten më. Nga historianët e deridjeshëm, vegla të regjimit të kaluar, nuk mund të pritet një studim historik objektiv. Madje edhe vetë Ramiz Alia, udhëheqësi i fundit komunist e tha në një intervistë se nuk mund ta rishkruajnë historinë ata që vetë e kanë shkruar me parë.Na duhen studiues të rinj të përgatitur nëpër universitetet përendimore e të liruar nga çdo bagazh i së kaluarës. Derisa të mos dënohen krimet e komunizmit do të jemi një popull me ndërgjegje të vrarë dhe kjo gjithmonë do të jetë një pengesë për të ecur përpara. Historia e shtrembëruar kurrë nuk mund të jetë mësuese e mirë e jetës.

Philadelphia, më 10 qershor 2024

Filed Under: Sociale

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • …
  • 78
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT