• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPERIA ZBRET 5 SHKALLE

October 29, 2013 by dgreca

“Doing Business”, Shqipëria humbet 5 vende/

Banka Botërore publikoi sot raportin vjetor Doing Business 2014, një vëzhgim mbi lehtësirat e të bërit biznes në 189 vende të botës. Krahasuar me vitin e kaluar kur Shqipëria renditej e 85-ta në klasifikim, këtë herë ajo ka humbur 5 pozicione, duke u renditur në vend të 90-të.
Raporti merr në shqyrtim 10 tregues të cilët lidhen me kompleksitetin dhe kostot e proceseve rregulatore si dhe me kuadrin ligjor dhe institucional me të cilin ndeshet një aktivitet biznesi. Pothuajse të gjithë treguesit për Shqipërinë kanë mbetur të pandryshuar, sipas raportit të këtij viti, dhe vendi përmendet vetëm se ka lehtësuar pagesat për korporatat, të cilat, taksat mbi të ardhurat mund t’i paguajnë tanimë cdo tremujor.
Përkeqësimi i pozicionit të Shqipërisë duket se është ndikuar më së shumti nga përmirësimet e vendeve të tjera, ndërkohë që në ndryshim nga një vit më parë, në listë janë shtuar edhe katër shtete të tjera.
Shqipëria vazhdon të ruajë një vlerësim mjaft pozitiv përsa i përket treguesve që lidhen me marrjen e një kredie apo me mbrojtjen që gëzojnë investitorët, ku ajo është respektivisht në vend të 13 dhe 14, në përmirësim nga viti i shkuar. Ajo është gjithashtu në pozicion të mirë edhe me treguesit që lidhen me zgjidhjen e problemeve të likuiditetit (klasifikohet e 62-ta) apo dhe me hapjen e një biznesi, ku klasifikohet e 76-a, 14 pozicione më keq se një vit më parë e ku rezulton që të ketë një shtim në procedura dhe një rritje të lehtë të kostove.
Ndërkohë që Shqipëria vazhdon të mbetet e fundit në treguesin për lejet e ndërtimit, ashtu si dhe gjatë viteve të shkuara. Një vlerësim negativ sërish edhe për kriterin e energjisë, që mat lehtësinë me të cilën një biznes mund të sigurojë furnizimin elektrik. Shqipëria është e 158-a.
Ndonëse ende në brezin e fundit të klasifikimit, Shqipëria ka përmirësuar pozitën e saj përsa i përket pagesës së taksave, duke u renditur e 146, nga vendi i 160 në të cilin ndodhej vitin e shkuar. Ndërsa ka një përkeqësim të fortë, duke humbur 39 pozicione, në treguesin e respektimit të kontratave, ku nga vendi i 85-të ka shkuar në të 124-in.

Filed Under: Sociale Tagged With: Banka Boterore, shqiperia

Analiza premtuese kanceri

September 1, 2013 by dgreca

Hulumtuesit janë duke eksploruar një strategji të re për zbulimin e kancerit të vezoreve. Prej një kohe të gjatë, mjekët përdorin një analizë gjaku për të zbuluar këtë lloj kanceri tek gratë që dyshohen të jenë prekur nga sëmundja. Tani ata shpresojnë se kjo mënyrë mund të funksionojë edhe për gratë e shëndetshme. Njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Jessica Berman.
Sipas Fondit Ndërkombëtar të Studimeve për Kancerin, ai i llojit ovarian apo i vezoreve është përgjegjës për gati 2 përqind të të gjitha llojeve të kancereve që diagnostikohen çdo vit. Sëmundja është mjaft vdekjeprurëse pasi nuk ka simptoma specifike në fazat e para dhe kur gruaja shkon tek mjeku me ankesat për fryrje barku dhe dhimbje, është shumë vonë për të filluar trajtimin.
Karen Lu është shefe e Departamentit të Onkologjisë dhe Gjinekologjisë në qendrën Anderson në Universitetin e Teksasit.
“Ne dimë se mbi 75 përqind e grave me kancerin e vezoreve paraqiten në fazat e vonëshme kur shanset për një kurim të qëndrueshëm janë shumë të pakta. Ne e dimë se nëse e zbulojmë në fazat e para shanset për kurim afatgjatë, mund të jenë deri në 90 përqind.”
Shansi për ta zbuluar kancerin herët mund të vijë nga një analizë gjaku që është përdoryr për gati 20 vjet. Mjekët e përdorin këtë analizë, që kontrollon nivelin e një proteine të quajtur CA-125, për të konfirmuar diagnostikimin e kancerit të vezoreve ose për të monitoruar përparimin e grave që tratohen për sëmundjen.
Lu dhe kolegët e saj hetuan mundësinë e përdorimit të niveleve CA-125 për të kontrolluar gratë në fazat pas menopauzës për kancer.
Ato ishin të përfshira në një studim 11 vjecar me gati 4 mijë gra të shëndetshme në mbarë Shtetet e Bashkuara. Pjesëmarrëset, 50 deri në 74 vjeç pa histori të kancerit të gjirit apo të vezoreve në familje, bënë një analizë gjaku për proteinën CA-125 në fillim të studimit dhe u ndanë në grupe. Gratë bënë analiza të regullta për gati një dekadë.
Zonja Lu thotë se ato gra që e kishin nivelin e proteinës CA-125 të ulët vinin çdo vit për të përsëritur analizën. Gratë me nivel mesatar e bënë analizën çdo tre muaj.  Gratë me nivel të lartë të proteinës CA-125 u dërguan tek specialisti i kancerit për një ekzaminim me ultratinguj. 85 gra u referuan tek mjeku bazuar tek kjo analizë. Për 10 gra u rekomandua operacion, katër nga të cilat kishin kancerin e vezoreve në faza të hershme. Mes grave të tjera, njëra kishte kancer endometrial, tre kishin tumore beninj dhe dy kishin ndryshime të dyshimta të qelizave.
Metoda e ndarjes së grave në tre grupe rreziku, sipas zonjës Lu, provoi të ishte gati 100 përqind e efektshme në zbulimin e kancerit të vezoreve perms analizës së proteinës CA-125.
“Kur pamë shtim të nivelit të proteinës i referuam gratë për analizë me ultratinguj që diktoi kancerin në fazat e para.”
Studiuesit britanikë kanë përfunduar një studim me gati 200 mijë gra të shëndetshme për të parë nëse rreziku i tyre për vdekje nga kanceri ovarian u pakësua përmes analizave të përvitshme.
Zonja Lu thotë se në varësi të rezultatit, analiza mund të rekomandohet edhe për gratë e shëndetëshme. Rezultatet e studimit nga zonja Karen Lu dhe kolegët e saj u publikuan në revistën Cancer.(VOA)

Filed Under: Sociale Tagged With: analiza premtuse, kanceri

JA SI MUND TA FITOSH NE PAK MINUTA DESHMINE E TRASHEGIMISE

September 1, 2013 by dgreca

Më shumë se 30.000 qytetarë në vit nuk do shkojnë më në gjykatë për të kërkuar dëshminë e trashëgimisë, nuk do të harxhojnë me mijëra lekë për shpenzime gjyqësore dhe afërsisht një muaj kohë, por do të përfitojnë këtë shërbim në pak minuta, nga noteri…/

Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, me anë të një postimi në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, ka njoftuar se sot hyn në fuqi paketa civile, e cila i vjen në ndihmë mijëra qytetarëve.

“Thyejmë tabutë dhe sjellim një traditë të re në fushën civile. Më shumë se 30.000 qytetarë në vit nuk do shkojnë më në gjykatë për të kërkuar dëshminë e trashëgimisë, nuk do të harxhojnë me mijëra lekë për shpenzime gjyqësore dhe afërsisht një muaj kohë, por do të përfitojnë këtë shërbim në pak minuta, nga noteri. Nga nesër qytetarët që kanë fituar një proçes gjyqësor nuk do të detyrohen të shkojnë sërisht në Gjykatë për të filluar një tjetër proçes, atë të lëshimit të urdhërit të ekzekutimit”- shkruan Halimi.

Sipas tij, gjykime për lëshimin e urdhërit të ekzekutimit nuk do të ketë më.

Qytetarët do të informohen edhe nëpërmjet sms-ve apo e-mail-it për ditën e gjyqit, për çfarë ka ndodhur në seancë dhe do të kenë mundësi monitorimi 24 orë në 24.

Halimi sqaron se reforma civile që hynë sot në fuqi, ndihmon në rritjen e efiçencës së sistemit gjyqësor, duke eleminuar muajt e pritjes për daljen e datës së gjyqit apo zvarritjen me vite në Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën e Lartë.

Gjyqtarët do të kenë më pak proçese, ndaj trupat gjykues më fleksibël si dhe kalendari elektronik për proçeset civile do të shkurtojnë kohën e gjykimit për këdo që i drejtohet gjykatës.

“Hyrja e kësaj pakete në fuqi është siguri e shtuar edhe për sistemin bankar i cili do të ketë mundësi të ekzekutojë më shpejt kreditë e këqija, do të mund të kontrollojë on-line se çfarë bën përmbaruesi me çështjen e tyre si dhe të sigurojë kolateralin”- shkruan ai.

“Të dashur miq,

Sot hyn në fuqi paketa civile. Thyejmë tabutë dhe sjellim një traditë të re në fushën civile. Më shumë se 30.000 qytetarë në vit nuk do shkojnë më në gjykatë për të kërkuar dëshminë e trashëgimisë, nuk do të harxhojnë me mijëra lekë për shpenzime gjyqësore dhe afërsisht një muaj kohë, por do të përfitojnë këtë shërbim në pak minuta, nga noteri. Nga nesër qytetarët që kanë fituar një proçes gjyqësor nuk do të detyrohen të shkojnë sërisht në Gjykatë për të filluar një tjetër proçes, atë të lëshimit të urdhërit të ekzekutimit. Gjykime për lëshimin e urdhërit të ekzekutimit nuk do të ketë më.

Qytetarët do të informohen edhe nëpërmjet sms-ve apo e-mail-it për ditën e gjyqit, për çfarë ka ndodhur në seancë dhe do të kenë mundësi monitorimi 24 orë në 24.

Reforma civile që hyn sot në fuqi, ndihmon në rritjen e efiçencës së sistemit gjyqësor duke eleminuar muajt e pritjes për daljen e datës së gjyqit apo zvarritjen me vite në Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën e Lartë.

Gjyqtarët do të kenë më pak proçese; ndaj trupat gjykues më fleksibël si dhe kalendari elektronik për proçeset civile do të shkurtojnë kohën e gjykimit për këdo që i drejtohet gjykatës.

Hyrja e kësaj pakete në fuqi ështe siguri e shtuar edhe për sistemin bankar i cili do të ketë mundësi të ekzekutojë më shpejt kreditë e këqija; do të mund të kontrollojë onlinë se çfarë bën përmbaruesi me çështjen e tyre si dhe të sigurojë kolateralin.

E realizuam këtë reformë dhe nga sot çdo shqiptar do të gëzojë frutet e saj. Paketa Civile si të gjitha proçeset transformuese që ndërmorri Ministria e Drejtësisë, u mbështetën nga ekspertë të misioneve të huaja, u përkrahën nga grupet e interesit dhe për to u investua stafi i Ministrisë, një ekip profesionistësh, të cilit i jam mirënjohës për reformat e guximshme të këtyre viteve.”shkruan Halimi

Filed Under: Sociale Tagged With: eduard Halimi, ne pak minuta, si mund ta fitosh, Trashegimine

Darwin-i kundër hyjnive

August 28, 2013 by dgreca

Nga Luan Rama/

Debati rreth Darwin-it dhe Zotit, Darwin-it dhe Gjenezës, Kataklizmës, krijimit të botës dhe njeriut, etj, për më shumë se 150 vjet nuk ka rreshtur së kundërvëni midis tyre «darvinizmin» si shkencë materialiste dhe fenë, e cila në themel të saj ka krijimin e botës dhe të njeriut nga Perëndia. Ky debat duket se mund të jetë akoma më i ashpër, veçanërisht këtë vit që është dhe 150 vjetori i shpalljes së teorisë së tij Teoria e Evolucionit, tekst shkencor që në mënyrë llogjike do të kthehej në një filozofi të re të perceptimit të botës. Në shkurt të vitit 2009, po ashtu do të festohet 200 vjetori i lindjes së Darwin-it, i cili nuk ishte thjesht formuluesi i teorisë së evolucionit të specieve, dhe si rrjedhojë dhe të njeriut, por ai ishte njeriu që u vu në qëndër të një prej revolucioneve më të mëdha shkencore dhe filozofike të të gjitha kohrave.

Njëqind e pesëdhjetë vjet më parë, para Asamblesë Shkencore të Londrës, ai bëri të njohur teorinë e tij, çka tronditi thellë vizionin e deriatëhershëm mbi natyrën, njeriun dhe …. Zotin. Shpejt emri i Charles Darwin-it, (1809-1882), u bë i njohur, edhe pse ishin të pakët ata njerëz që e njihnin atë njeri. Cili ishte ai? Si ndodhi që ai zbuloi një nga mekanizmat më vitalë dhe më të qënësishëm të zhvillimit dhe të evolucionit të botës? Ishte ai një até apo çfarë? Ku bazohej teoria e tij dhe çfarë i solli ajo njerëzimit modern? Përse kjo teori nuk është zbehur edhe me zhvillimin e jashtëzakonshëm të shkencës gjatë shekullit XX dhe këtij fillim mijëvjeçari? Dhe së fundi, çfarë do t’i shtohet si diçka e re kësaj teorie, bazat e së cilës deri tani nuk kanë ndryshuar dhe siç duket nuk do të ndryshojnë?

Charles Darwin (Çarls Darvini) ka lindur në vitin 1809, në një familje në gjëndje të mirë, por mjaft humaniste. Gjyshi i tij, Erasme Darwin, ishte një «deist», autor i një libri të quajtur Zoonomia, që ashtu si ateisti Lamarc, në kohë të tij, edhe ai «deist», mendonte se «evolucioni ishte zhvilluar drejt perfeksionit dhe se apogjeu i këtij ishte njeriu» Por atëherë Charles adoleshent nuk ishte i interesuar rreth evolucionit. I ati, Robert Darwin, ishte një njeri me shpirt të lirë që kujdesej shumë për të varfërit e vëndit ku ata jetonin. Në rini të tij Darwin-i studioi për mjeksi në Edimburg, por gjatë studimeve, seancat e kirugjisë i sillnin të vjella dhe dukej ai ishte i ndjeshëm për ta përballuar këtë anë të mjeksisë. Meqë familja e tyre ishte mjaft e lidhur me Kishën anglikane, i ati e regjistroi në «Christ’s College» për të studjuar teologji në Kembrixh. Por pikërisht aty, ai ra në kontakt me botanistin anglez John Hensow, i cili ishte njëkohësisht dhe gjeolog. Ishte pikërisht ai që do t’i hapte dritaret e para të shkencës.

Vite më vonë, kur kapiteni anglez, i anijes «Beage», Fitz Roy, i cili do të ndërmerrte një udhëtim shkencor rreth botës, kërkonte dikë për ta shoqëruar, Darwin-i shkoi menjëherë pranë tij. Kjo anije do të merrej me hartimin e një kartografie të zonës së Amerikës Latine. Gjatë pesë vjetëve, Darwin-i do të përjetonte një nga periudhat më të lumtura e më frutdhënëse të jetës së tij. Plot 5 vjet midis peripecish të shumta, duke zbuluar botra të reja nga Brazili në Falkland, përgjatë bregut kilian, në ishujt Galapagos, në Tahiti, Tasmani, në Kepin e Shpresës së Mirë, në Shën Helena e përsëri në Brazil, duke iu afruar ishujve Açores në mes të oqeanit Paqësor dhe duke u kthyer në Angli. Gjatë këtyre udhëtimeve të jashtëzakonëshme, Darwin-i zbuloi fosile mamiferësh gjigandë, çka dëshmonte për ndryshime të mëdha klimatike që kishin ndodhur në rruzullin tokësor, në epoka të mëparshme. Ai analizoi në vënd impaktin e tërmeteve në formacionet gjeologjike, shpjegoi formimin e bazamenteve të koraleve, zbuloi fosile të shumta dhe mori shumë shënime rreth faunës, florës, ndryshimeve midis specieve dhe perfeksionimit të llojeve gjatë seleksionit natyral. Madje siç shkruan ai në kujtimet e tij, një ditë, një skllav, i kishte treguar për histori të çuditshme që kishin ndodhur dhe ndodhnin në thellësitë e pyjeve tropikale. Dhe Darwin-i ishte një njeri kurioz… Një nga zbulimet e tjera të tij, veçanërisht në ishujt Galapagos, ishin breshkat gjigande apo zvarranikë gjigandë me struktura që u përkisnin kohrave të dinosaurëve, specie që jetojnë ende dhe sot.

Kur u kthye në Londër, botimet e tij u bënë të njohura dhe koleksionet e tij u panë si gjëra shumë të çmuara për botanistët, natyralistët dhe gjeologët. Në vitin 1836, ai ende mendonte se llojet janë të krijuara e të fiksuara njëherësh sipas llojeve të tyre dhe se ato mund të zhdukeshin vetëm si pasojë e transformimit të mjedisit apo ndryshimeve të mëdha. Por një vit më vonë, ai ndryshoi pikëpamje dhe më 1839 u pranua në Akademinë Mbretërore të Shkencave. Ai filloi të punojë me ngulm për formulimin e tezës së tij me ide të panjohura deri në atë kohë. Më 1853 ai u nderua me medaljen mbretërore të Royal Society. Por një ngjarje interesante që lidhet në këtë periudhë me Darwin-in, ishte dhe ajo e tre indigjenëve, që ata morrën në Tokën e Zjarrit dhe përmes anijes “Beagle” i sollën në Londër, ku u integruan në një tjetër sistem shoqëror, duke venë në dukje efektin social në transformimin njerëzor.

 

Një surprizë e çuditshme

 

Darwin-i kishte kohë që po përpunonte teorinë e tij të re. Tashmë ai ishte në mes të udhës së formulimit të veprës së tij më madhore, kur papritur, nga miku i tij Alfred Russel Wallace, i erdhi një letër e çuditshme. Në atë kohë, ky biolog ishte në arqipelagun Moluk (Indonezia e sotme), kur papritur ishte sëmurë dhe ishte gozhduar në shtrat për një kohë të gjatë. Në ethe e sipër, ai kishte zbuluar një teori të re që gjer atëherë nuk ishte përmëndur nga asnjë shkencëtar: teorinë e seleksionimit natyror. Brënda tre ditëve, në disa faqe ai shkroi teorinë e tij dhe ua dërgoi kolegëve të tij në Londër, midis të cilëve dhe Darwin-it. Darwin-i u habit që argumentet e tij përputheshin në këtë pikë me formulimet e Wallace, ndërkohë që Nga ana e tij, konkluzionet e para, Darwin-i i kishte bërë të njohura në një rreth të kufizuar miqsh. Meqë kishte një përkim idesh, dhe duke qënë se Darwin-i e kishte teorinë e tij më të gjërë dhe më të argumentuar, si xhentëllmen që ishte, ai vendosi që këtë «kujtesë» të Wallace, botimet e mëparshme si dhe formulimet e fundit të tij, t’i diskutoheshin në një rreth të gjërë akademikësh. Dhe ashtu do të bëhesh, edhe pse Wallace ishte një biolog i ri, 14 vjeç më i ri se Darwin-i, dhe jo me atë pasuri zbulimesh e vëzhgimesh shkencore. Ky kolegj i dha prioritet Darwin-it, meqë teoria e tij ishte shumë më e hershme dhe më e argumentuar shkencërisht në bazë të vëzhgimeve të tij shkencore, veçanërisht të atyre të bëra me anijen «Beagle».

 

Teoria e evolucionit

 

Në vitin 1859, pas deklarimit të teorisë së tij Teoria e Evolucionit, brënda një kohe të shkurtër ai shkroi kryeveprën e tij origjina e llojeve (Mbi origjinën e llojeve përmes seleksionimit natyral, – On the Origine of Species by Means of Natural Selection, që është dhe titulli i plotë). Ai zbuloi kompleksitetin e llojeve për ekzitencë, pra seleksionimin natyral drejt perfomancës dhe këtë jo vetëm tek bimët por edhe tek qëniet. Kjo ishte «lufta për jetën», siç do ta cilësonte atë kohë filozofi Maltus. Kjo teori e luftës brënda llojit, arrin deri në atë fazë zhvillimi, saqë njëri grup performant nuk arrin më të kryqëzohet me grupin tjetër që më parë i përkiste, duke krijuar kështu një lloj të ri brënda species, që është më i fortë, më rezistent, më i përsosur. «Seleksionimi natyror, – shkruante Darwin-i, – kërkon në çdo çast dhe në të gjithë botën variacionet e tij më të mira brënda llojit; ai largon ato që janë të padobishëm dhe ruan të dobishmit; ky seleksionim bëhet në heshtje dhe me këmbëngulje, kudo e gjithnjë, sapo i paraqitet rasti për të përmirësuar kështu të gjitha qëniet e organizuara relativisht në kushtet e ekzistencës organike dhe inorganike.»

Debati i madh rreth teorisë së Darwin-it u bë në Oksford, në vitin 1860, dhe ky ka qënë një nga ngjarjet më të mëdha shkencore të asaj epoke, që analistët dhe filozofët i referohen gjithnjë. Vetë Darwin-i nuk asistoi në këtë debat rreth veprës së tij, meqë atë ditë ai ishte shumë sëmurë. Debati u zhvillua mes mikut të tij, natyralistit Thomas Huxley, mbrojtës i teorisë darviniane, dhe peshkopit të Oksfordit, që njihej si një radikal i madh. Pas debateve të ashpra, kur peshkopi i tha midis të pranishmëve se “çdo të thoshte atëherë po ta pyesnin nëse ai rridhte nga majmuni”, Huxley i ishte përgjigjur: «Mendoj se nuk është turp për një njeri që ka patur stërgjysh një majmun. Nëse do të kishte turp, kjo do të ishte më tepër ndaj një njeriu, i cili në çështje shkencore, të huaja për të, ndërhyn duke kërkuar të errësojë përmes paragjykimesh fetare.»

Në fakt, Kisha angleze, por edhe më shumë ajo skoceze, sundohej nga një rrymë mendimi evolucionist dhe nuk iu kundërvu hapur Darwin-it, edhe pse teza e Kishës ishte gjithnjë krijimi i njeriut dhe i botës nga Zoti. Madje dhe kur Darwin-i vdiq, atij iu bë një nga varrimet më madhështore nga Kisha anglikane. Ai u varros në varrezat e Westminster, disa hapa larg varrit të Njutonit, atje ku ishte dhe kryeqëndra e kishës anglikane. Atë ditë, ku kishin ardhur nga akademitë e gjithë Evropës, arkivoli mbahej nga miku i tij Wallace dhe shkencëtari tjetër Hooker. Pra, në këtë paradoks të madh, Darwin-i ishte bërë një lloj heroi kombëtar, i cili tashmë kurorëzohej nga kisha. Vetëm peshkopët e mbledhur në Këln e dënuan menjëherë teorinë e Darwin-it. Në Romë, Papa Pie IX, foli atëherë për «broçkullat e darvinizmit» por megjithatë Vatikani nuk e dënoi atë zyrtarisht, meqë, sigurisht, evolucioni i botës dhe i specieve egzistonte realisht dhe argumentohej nga fakte të pakundërshtueshme. Natyrisht, kryevepra tjetër e Darwin-it që ishte Prejardhja e njeriut, botuar më 1871, (The descent of Man and Selection in relation to sex), ishte vepra më e diskutuar e tij nga rreth fetare dhe radikale jo vetëm në të gjallë të tij, por edhe më vonë dhe deri në ditët tona. Në Prejardhjen e njeriut Darwin-i shkruan se «objekti i vetëm i kësaj vepre është të konsiderojë së pari që njeriu, si çdo lloj specie, rrjedh nga një lloj tjetër i mëparshëm; së dyti, mbi mënyrën e zhvillimit të tij dhe së treti, për vlerën e ndryshimeve që ekzistojnë midis asaj që quhet racë njerëzore.»

Që në të gjallë të tij, Darwin-in do ta shoqëronin shumë fyerje e karikatura që botoheshin në revistat e kohës, ku Darwin-i kishte një fytyrë majmuni dhe shpesh kacavirej nëpër pemë, çka krijonte të qeshura tek çdo lexues. Pas vdekjes së Darwin-it në vitin 1882, interpretime të shumta u bënë rreth «darvinizmit social», pra interpretimin e teorisë darviniane në fushën sociale, me problematikën e madhe të saj, që do të përfshinte  gjer dhe revolucionet e para të fillimit të shekullit XX. Si vallë funksiononte seleksionimi natyror? Vallë a funksionojnë të njëjtat ligje?…

 

Në vazhdën e zbulimeve të mëdha

 

Zbulimi i Darwin-it, ashtu si dhe zbulimet e mëvonshme shkencore që i dhanë zhvillimit një interpretim të ri, nuk u bë në një terren djerrë, por në vazhdë të një udhe të pasur me ngjarje shkencore e zbulime të mëdha. Nuk është fjala vetëm për lëmin filozofik dhe zbulimet shkencore të kohës së Antikitetit dhe Mesjetës, por në veçanti të kohës së Copernic-ut, Galile-ut, Giordano Bruno-s, etj. Zbulimet e mëdha shkencore kishin sjellë në atë kohë ndarjen e shkencës nga feja. Tepër të rëndësishme ishin dhe veprat e Decarte-it dhe Newton-it, studimet e Copernic-ut, i cili ishte i pari që mendoi për «heliocentrizmin», (ndërtimin e sistemit diellor dhe diellin si qëndër të botrave), pra që Toka nuk është në qëndër të botës dhe se ajo rrotullohet rreth diellit. Por evolucioni i vërtetë kishte ardhur me Galile-un kur në vitin 1609, ai zbuloi teleskopin për të vëzhguar qiellin, planetet, duke zbuluar shkencërisht hipotezën e Copernic-ut (i vdekur në vitin 1543). Më 1600, Giordano Bruno digjej si heretik në sheshin Campi dei Fiori, në Romë, i akuzuar nga Vatikani se ishte partizan i heliocentrizmit. Bruno në fakt, kishte qënë një prift domenikan që mbronte idenë se duhej të kishte dhe botra të tjera. Por sigurisht, nën influencën e shekullit të Lumières, (filozofëve dhe shkencëtarëve të mëdhenj fracezë të atij shekulli), shkenca do të shkëputej tërësisht nga feja në shekullin e XIX me filozofë si Fojerbah, Marx, Freud e shumë të tjerë. Frojdi botoi veprën e tij të famshme Moisiu dhe monoteizmi, etj.

Edhe pse në enciklikën Humani generis, të vitit 1950, ku Papa Pie XII shpjegoi se nuk ka opozitë midis evolucionit dhe doktrinës së besimit të njeriut, edhe pse më 1966, Gjon Pali II, foli në Akademinë pontifikale të shkencave se «Njohuri të reja na çojnë që të mos e konsiderojmë teorinë e evolucionit si një hipotezë», përsëri, Kisha flet për teori të ndryshme evolucioni, ku disa janë materialiste dhe jo kompatibël me doktrinën katolike dhe të tjera që janë jo kontradiktore me doktrinën. Ky nuancim, është sot një pozicionim delikat i Kishës, kur zhvillimet e shumta shkencore, veçanërisht gjenetika, kanë sjellë deshifrime të habitshme rreth llojit njerëzor, ndërtimit të tij shkencor, etj. Lufta e hapur sot është në fushën e etikës shkencore, lidhur me embrionet, ku feja lufton dhe e dënon përdorimin e shkencës që mund të shpërfytyrojnë llojin njerëzor.

 

Kreacionizmi kundër darvinizmit

 

Që prej një shekulli, fondamentalistët amerikanë kanë kërkuar e vazhdojnë të kërkojnë ndalimin e mësimit nëpër shkolla të Teorisë së Evolucionit të Darwin-it. Në fakt kjo luftë është hapur që në fundin e shekullit XIX, kur James Woodrow, një nga përkrahësit e flaktë të darvinizmit, u përpoq të bashkonte pikëpamjet e Kishës me ato të Darwin-it, u akuzua për herezi dhe u përjashtua nga Kisha anglikane. Dihet që debati më themelor është mbi Gjenezën, librin e Moisiut, që siç thuhet nga Kisha, është shkruar nën frymëzimin dhe diktimin e drejtpërdrejtë të Zotit. «Neo-kreacionistët», (Young-earth creationists, apo të cilësuar shkurtimisht YEC), praktikojnë një lexim litral të 11 kapitujve të librit të Gjenezës, duke afirmuar se krijimi i botës është bërë brënda 6 ditëve. Kryepeshkopi James Ussler jep si datë të krijimit të botës vitin 4004 p.e.s;. të tjerë pohojnë për dhjetë mijë vjet më parë dhe disa të tjerë, njëzet mijë vjet. Pra gjithçka, të gjitha speciet, njeriu dhe kafshët janë krijuar «ex-nihilo», nga hiçi. Për kreacionistët, «evolucioni është veçse një mit». Sipas tyre, Bibla tregon qartë dhe me bindje, se si u shfaq jeta në tokë: Adami, Eva, arka e Noe-s, etj… Por çdo të thoshte në të kundërtën sot kozmologu i famshëm Hubert Reeves, kur ai pohon se krijimi i planetit tonë është bërë në 4,5 miliard vjet? Edhe Shën Agustini në fillimet e kristianizmit e kishte kuptuar se krijimi i botës nuk mund të bëhej brënda gjashtë ditëve, duke shtuar se kjo deklarohej kështu sepse mundësitë imagjinative dhe intelektuale të njerëzve të asaj kohe ishin të kufizuara.

Që të kuptosh thelbin e debatit të kreacionistëve, duhet tu referohesh padyshim dhe dy vargjeve të para të librit të Gjenezës: «Në fillim Zoti krijoi qiellin dhe tokën”, (1), dhe pastaj, “Por toka ishte bosh dhe e vagët, errësirat mbulonin humbëtirat, një erë e Zotit vërtitej mbi ujra” (2)… Kur pyet sot ideologë të Klerit, disa prej tyre thonë se sigurisht, nuk janë dashur gjashtë ditë për krijimin e universit, por është dashur një kohë më e gjatë, etj. Sigurisht, fusha më e ndjeshme krahas genetikës është dhe paleontologjia, prejardhja e njeriut, origjina e krijimit njerëzor, prejardhja e tij, ku ende në studimet paleontologjike, shfrytëzohen disa boshllëqe për të hedhur poshtë teorinë e Darwin-it. Po cili është njeriu i parë? “Neandertal man” i familjes së Homonidëve? Cro-Magnon? Eshtë «homo sapiens”? Eshtë Lucie skeleti i kësaj gruaje që mbahet si njeriu më i vjetër, apo janë specie të tjera të gjetura së fundi në Afrikë dhe Azi?…

Më 1925, në shtetin e Tenesse të Amerikës u aprovua një ligj, i cili ndalonte të mësohej në shkolla çdo «teori që mohonte natyrën hyjnore të krijimit njerëzor, siç shkruhet në Bibël». Po kështu dhe në shtetet e tjera amerikane, si në Karolinën e jugut, në Alabama, Texas, Georgie, Florida, Oklahoma, ku darvinizmi cilësohej «subversiv» dhe në shërbim të të «kuqve». Ky ligj qëndroi në Amerikë për një kohë të gjatë, deri sa në vitin 1968, Gjykata Supreme e Amerikës e anulloi këtë ligj. Më 1984, “Natinal Academy of Science” e Amerikës, krijoi një Komitet Special mbi «kreacionizmin». Tre vjet më vonë, një gjykatë amerikane anulloi vendimin për ndalimin e ligjit të 1968, që u lejonte profesorëve tu mësonin nxënësve teorinë e evolucionit. Sipas një ankete të CBS, të zhvilluar në vitin 2004, 55% e amerikanëve besojnë ende se Zoti e ka krijuar njeriun kështu siç është sot. Edhe krerë të judaizmit, si Moshe Feinstein, i kanë bërë një luftë të madhe Darwin-it, duke ndaluar librat e tij në shkollat hebraike, edhe pse rabinë të tjerë të mëdhenj, si ai i Palestinës, Abraham Isaao Ha-Kohen Cook, (i vdekur në 1935), pohonte se «teoria e evolucionit të Darwin-it përkon me teorinë e «kabbale»-s të hebrenjve në librin e Shenjtë. Më 1999, në shtetin e Kansas, nga dhjetë anëtarë të Komitetit Shtetëror për Arësimin, gjashtë vendosën me maxhorancë për të zhdukur nga programet dhe tekstet shkollore çdo referencë rreth Darwin-it dhe teorisë evolucioniste të tij. Ne këtë fillim mijëvjeçari, «kreacionistë» të rinj kanë shpallur luftën kundër Darwin-it në emër të Zotit, dhe kjo në emër të një aleance fetare kundër darvinizmit. Në këtë kuadër ishte së fundi dhe botimi i Atlasit të krijimit, një botim lluksoz i financuar nga radikalë të fuqishëm dhe lobet kreacioniste të Amerikës. Shumë site internet janë krijuar rreth këtij Atlasi të hartuar nga një studjues turk i quajtur Harun Jahja, i cili e akuzon Darwin-in si atin shpirtëror të Hitlerit, Stalinit dhe të terrorizmit bashkëkohor, meqë Darwin-i e konceptonte konfliktin si një koncept natyror dhe njerëzor njëkohësisht. Pra sipas këtij studiuesi, Darwin-i na qënka një «justifikues i luftrave shfarosëse në emër të seleksionimit» dhe në këtë kuadër, ai thërret të treja fetë monoteiste të bashkohen në një kryqëzatë kundër Darwin-it. Por ai harron se t’i kundërvihesh sot Darwin-it, do të thotë t’i kundërvihesh shkencës, thelbit të saj. Sot në betejën e «kreacionistëve» kundër Darwin-it janë angazhuar çuditërisht dhe genetistë të njohur amerikanë të cilët çuditërisht sot pohojnë se «Të gjitha llojet e qënieve janë krijuar nga aktet direkte të krijimit hyjnor». Pra duket qartë pesha e madhe që ka sot feja jo vetëm mbi shoqërinë por dhe mbi shkencën dhe zhvillimet shkencore.

 

Darwin-i dhe shpjegimi simbolik i botës

 

Shumë studjues fetarë, duke parë se argumentet darviniane të seleksionimit natyror dhe origjinës së specieve janë të parefuzueshme dhe se pasazhe të librit të shenjtë bien ndesh me historinë e njerëzimit, pohojnë se Bibla nuk i duhet kundërvënë as Darwin-it dhe as të rejave historike të zbuluara së fundi, por Libri i Shenjtë duhet lexuar në mënyrë “simbolike”. Kjo mënyrë e re vështrimi, kërkon të largojë nga ndeshja mes tyre evolucionin shkencor me frymën e shenjtë të krijimit.

Para pak kohësh, në Londër, historiani Georges Smith njoftoi botën shkencore se kishte zbuluar një pllakë të vjetër të kryeqytetit të Perandorisë Asiriane, Ninive, një tregim mbi «Kataklizmën», që datonte shumë kohë më parë se datimi biblik rreth kataklizmës dhe gjenezës. Ky zbulim shkencor e hidhte poshtë me argumente, tezën e formuluar prej dy mijë vjetësh, (por edhe më parë, sipas Testamentit të vjetër), të krijimit të botës drejtpërdrejt nga Zoti. Sigurisht, arkeologët dhe historianët vazhduan të verifikojnë tezat e ndryshme biblike, përmes krahasimit të fakteve dhe gjetjeve të ndryshme, punë që vazhdon edhe sot. Po kështu ndodh dhe kur krahason fragmente të Epopesë së Gilgameshit, të kësaj poeme madhështore me 300 strofa, gjetur gjatë zbulimeve arkeologjike në Ninive. Miti i super të mënçurit ka qënë që në mijëvjeçarin e tretë p.e.s. Kjo histori relaton kataklizmën e shkaktuar nga Perëndia “për të dënuar njeriun që ishte bërë shumë i zhurmshëm”. “Çdo farë të jetës, – këndohet në këtë sagë poetike, – unë e vura në një anije dhe mbylla portën. Sapo agoi, re të zeza filluan të mblidhen. Era dhe kataklizma shkatërruan gjithçka. Kur erdhi dita e shtatë, deti u qetësua, po kështu dhe uragani e kataklizma. Dhe gjithë njerëzimi ishte transformuar në baltë.”

Para dy vjetësh, arkeologu Eilat Mazar, zbuloi në Jeruzalem rrënojat e pallatit të Davidit të shekullit X p.e.s., të Davidit fitues mbi Goliatin gjigand, që ishte mbreti i dytë i Izraelit. Po kështu, është provuar tashmë se tekste, (pjesë), të Dhjetë Urdhërave, (Porosive), gjënden gati fjalë për fjalë në tekste para epokës së Moisiut, të viteve 1200 p.e.s., pra ngjashmëri me tekste të mbretit babilonas Hammurabi, (rreth vitit 1750 p.e.s.), ndërkohë që Bibla thotë se Moisiu i mori porositë nga Mali i Sionit drejtpërdrejtë nga Zoti, tradita mesopotamike bën të njohur se ligjet mbretërore u janë diktuar njerëzve nga Dielli, zoti i Drejtësisë, nga maja e një mali. Po kështu një ngjashmëri e dukshme janë dhe fragmente të ndryshme midis dy kodeve të vjetra. Në Eksodin e Biblës, thuhet se «nëse një dem godet me brirë një burrë apo një grua, i cili vdes, atëherë demi vritet dhe nuk i hahet mishi. Pronari i tij konsiderohet i pafajshëm.» Ndërsa në kodin e Hammurabi-së, në pikën 250, shkruhet: “Nëse një dem, duke kaluar në rrugë godet me brirë dikë, i cili vdes, pronari i tij nuk detyrohet të shpaguaj». Në shekullin e VI p.e.s. shumë hebrenj ishin robër në Mesopotami dhe kuptohet se ata e njihnin kodin e Hammurabi-t, i cili ishte shumë më i vjetër se kodi i tyre, Bibla hebraike. Kuptohet që Bibla e sotme, ajo që i është transmetuar njerëzimit, ka huazuar e integruar brënda saj shumë tregime më të vjetra sesa Bibla Hebraike apo Bibla Kristiane (jo vetëm ringjallja e Krishtit p.sh. të kujton ringjalljen e Osiris të Egjiptit të lashtë, por edhe ngjarje historike, siç është dhe ajo e Arkës së Noe-s, për të cilën dëshmon dhe burimi i parë hebraik i kohës së Krishtit, Flavius Josef-it, etj. Por sidoqoftë, tregimet e ndryshme biblike dhe teoria e evolucionit e shpjegojnë botën, njeriun dhe historinë njerëzore nga kënde diametralisht të kundërta. E megjithatë, ato mund të bashkëjetojnë pa shpallur luftra dhe kryqëzata.

Darwin-i ishte një shkencëtar që i shërbeu jo ideologjive, por shkencës dhe kuptimit të botës, ashtu si dhe Bibla, (hebraike dhe kristiane), apo Kurani, janë tekste që edhe pse e shpjegojnë botën në një mënyrë të kundërt nga Darwin-i, përsëri ato i kanë dhënë njerëzimit një referencë që me sa duket, ai e ka patur të domosdoshme. Jo më kot shkrimtari francez André Malraux, i njohur me letërsinë revolucionare të viteve 30 të shekullit XX (La Condition humaine), etj, deklaroi në fund të jetës së tij se “Njerëzimit të shekullit të ardhshëm do t’i duhet të integrojë mitet”. Eshtë fjala për mitet që i kemi harruar…

 

 

 

Filed Under: Sociale Tagged With: Darvini, kunder Hyjnive, Luan Rama

PER HERE TE PARE- Përfundojnë planet e detajuara vendore për 26 nën-njësi në Tiranë

August 27, 2013 by dgreca

Për herë të parë që prej vitit 1989, Tirana do të zhvillohet në bazë të një plani të hartuar nga ekspertët më të mirë dhe me konsensusin më të gjerë të mundshëm. Pas miratimit të planit të përgjithshëm rregullues, i premtuar nga kryebashkiaku gjatë fushatës elektorale të 2011-ës dhe që i mungonte Tiranës për 23 vite, Bashkia e Tiranës nisi punën për planet e detajuara vendore. Aktualisht, janë miratuar planet e detajuara vendore të 26 zonave të Tiranës, duke i hapur rrugën zhvillimit të këtyre zonave.

Planet e Detajuara Vendore (PDV) kanë në themel të tyre parime të forta të respektimit të pronës private, mjedisit dhe zhvillimit ekonomik. Qytetarët vendosen në kushte të barabarta përara zhvillimit e në asnjë rast nuk do të lejohet që e drejta e dikujt, të cënojë të tjerët. Këto studime i japin njëherë e përgjithmonë fund zhvillimit kaotik, ku për vite me radhë, fokusi ishte përqendruar tek ndërtimi i pallateve shumëkatëshe që shpërfillin territorin përreth, duke reduktuar hapësirat publike, duke cënuar infrastrukturën rrugore dhe duke mos lënë asnjë sipërfaqe për zhvillimin e institucioneve sociale e arsimore, si ҫerdhe, kopshte apo shkolla.

Të gjithë studimet e miratuara, janë bazuar mbi një përqasje që përcakton si prioritete, nevojat e komunitetit. Në gjitha rastet, zhvillimi i pronës është shoqëruar me përcaktimin e hapësirave për rrugë, institucione arsimore, hapësira rekreative, kënde të lojrave për fëmijë e sipërfaqe të gjelbra kompakte. Në këto studime parashikohet ndërtimi i 4 institucioneve të reja arsimore: 1 ҫerdhe, 2 kopshte dhe 1 shkollë 9-vjeҫare si dhe parashikohet ristrukturimi i institucioneve arsimore, aktualisht prezente në territor e përshtatja e tyre me kërkesat në rritje të banorëve. Hapësirat e gjelbra e rekreative, të përcaktuara mbi bazën e standardeve mjedisore janë vendosur në të gjitha zonat e studiuara.

Të gjithë zhvillimet e reja do të kontribuojnë për realizimin e rrugëve dhe hapësirave të gjelbra kompakte, në shërbim të banorëve. Në të gjitha nën-njësitë e studiuara, territori i përdorur për ndërtimin rrugëve, hapësirave të gjelbra përbën 30-50% të gjithë sipërfaqes së truallit. Për të 26 nën-njësitë e miratuara, të interesuarit për zhvillimin e pronës mund të aplikojnë menjëherë pranë Bashkisë së Tiranës, për t’u pajisur me leje ndërtimi. Procesi për marrjen e lejeve të ndërtimit është shkurtuar nga 365 ditë, në vetëm 45 ditë, duke nisur nga momenti i aplikimit.

Aktualisht, në Bashkinë e Tiranës janë drejt përfundimit planet e detajuara vendore edhe për 10 nën-njësi, ndërkohë që për 15 të tjera, planet po hartohen nga vetë ndërtuesit.

Tabela e PDV-ve të miratuara

Nr Nën-njësia Sip. e nën-njësisë m² Kufiri ( Rrugët që e kufizojnë)
1 5/24 33 962 Rr.”Perlat Rexhepi”; Rr. “Janos Huniadi”; Rr. “Adem Jashari”; Rr. “Sami Frashëri”
2 5/25 46 539 Rr.”Perlat Rexhepi”; Rr. “Janos Huniadi”; Rr. “Ibrahim Rugova”
3 5/28 43 860 Rr.”Kosovarëve”; Rr. “Dora d’Istria”; Rr. “Margarita Tutulani”; Rr. “Sami Frashëri”
4 3/21 12 628 Rr.”Arkitekt Sinani”; Rr. “Ramiz Treni”; Rr. “Ramazan Zakja”
5 10/8 25 730 Rr.”Myslym Shyri”; Rr. “Shyqyri Bërxolli”
6 6/10 83 043 Rr.”Haki Stërmilli”; Rr. “Llazi Miho”;

Rr. “Petraq Leka”

7 8/1 10 678 Rr.”Barrikadave”; Rr. “Dibrës”;

Rr.”Kostandin Kristoforidhi”; Rr. “Qemal Stafa”

8 8/2 31 778 Rr.”Saracëve”; Rr. “Dibrës”;

Rr.”Kostandin Kristoforidhi”; Rr. “Qemal Stafa”

9 8/3 74 506 Rr.”Tafaj”; Rr. “Ali Pashë Gucia”;

Rr.”Saraçëve”; Rr. “Qemal Stafa”

10 8/9 40 419 Rr.”4 Dëshmorët”; Rr. “Riza Cerova”;

Rr.”Dervish Hekali”; Rr. “Thanas Ziko”

11 5/38 54 853 Rr.”Dhimitër Shuteriqi”; Rr. “Tish Dahija”;

Rr.”Robert Shvarc”; Unaza e Re

12 7/25 152 505 Rr.”Frosina Plaku”; Rr. “Ndre Mjeda”;

Rr.”Artan Lenja”

13 9/15 57 051 Rr.”Asim Vokshi”; Rr. “Haxhi Hysen Dalliu”;

Rr.”Ramazan Kasa”; Rr. “Kongresi i Tiranës”

14 9/18 54 937 Rr.”Don Bosko”; Rr. “Estref Frashëri”;

Rr.”Asim Vokshi”; Rr. “Asllan Shahini”

15 9/33 18 051 Rr.”Don Bosko”; Rr.”Asim Vokshi”;
16 7/9 58 850 Rr.”Kavajës”; Rr. “Muhamed Gjollesha”;

Bulevardi “Gjergj Fishta”; Rr. “Shefqet Musaraj”

17 9/7 22 713 Rr.”Barrikadave”; Rr. “Bardhok Biba”;

Rr.”Dervish Hatixhe”

18 7/33 42 510 Rr.”Dritan Hoxha”; Rr. “Muhamed Gjollesha”;
19 4/15 88 665 Rr.”5 Maji”; Rr. “Jorgo Plaku”;
20 10/15 14 242 Rr.”Kavajës”; Rr. “Kont Urani”;

Rr. “Mihal Duri”

21 10/9 45 506 Rr.”Myslym Shyri”; Rr. “Shyqyri Berxolli”;

Rr. “Ibrahim Rugova”; Rr. “Camëria”

22 2/18 158 188 Rr.”Elbasanit”; Rr. “Unaza e re”;

Rr. “Pjetër Budi”; Rr. “Arben Broci”; Rr. “Kadri Kërciku”

23 4/8 60 420 Rr.”Xhanfize Keko”; Rr. “Kahreman Ylli”;
24 7/22 23 144 Rr.”Bab Rexha”; Rr. “Frosina Plaku”;

Rr. “Ndre Mjeda”; Rr. “Stavri Themeli”

25 5/31 72 059 Rr.”Sulejman Delvina”; Rr. “Sami Frashëri”;

Rr. “Margarita Tutulani”; Rr. “Gjik Kuqali”

26 1/38 42 471 Rr.”Ali Demi”; Rr. “Idriz Dollaku”;

Rr. “Shemsi Haka”; Rr. “Myslym Lela”

 

Filed Under: Sociale Tagged With: per 26 njesi vendore, Plane te detajuar, Tirane

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Vatra Queens feston 10 vjetorin e themelimit më 3 Qershor 2023 ora 4 pm
  • THE MISSIONARY HERALD (1894) / GJERASIM QIRIAZI, PREDIKUESI I PARË PROTESTANT SHQIPTAR
  • Nuk mund të ketë individë e as grupe mbi ligjin
  • NAT0 deploys 700 additional troops in Kosovo after clashes in Serb-majority North
  • Albanian American Community Calls for Immediate Action Against Serbia for Inciting Violence and Attacking NATO Troops in Kosova
  • Shënohet 4- vjetori i Shoqatës së Avokatëve Shqiptaro-Kanadezë
  • Ismail Qemal Vlora në Staten Island, Amerikë – Takim pune për ditën historike 3 Qershor
  • Fe e re
  • Poezi nga Marjeta CANAJ – Bukuritë e vendit tim
  • Shqip për të huajt në Prishtinë
  • TENSIONET NË VERI, OSE PARADHOMA E NJË PROTEKTORATI TË RI!
  • Albanian Festival of Worcester
  • HOMAZH PATRIOTIZMIT TE POPULLIT UKRAINAS
  • Kosova përjetë do t’i kujtojë Rasim Kiçina dhe Ragip Halilaj
  • VATRA DËNON SKENARËT SERBO-RUSË NË VERI TË KOSOVËS

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT