• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

100 years of the Boston Sunday School at St. George Cathedral

May 11, 2024 by s p

Rafaela Prifti/

On Sunday, Albanian Orthodox Cathedral of St. George marks the 100th anniversary of the Sunday School. The event pays homage to an institution that was organized in 1923 at the directive of Bishop Fan Noli. Since that time for a few decades, the Sunday School classes, much like the church services, were held at different locations in Boston.

The church school has provided generations of children in the community with a fundamental education in the Orthodox faith. According to Fan Noli writings, in November 1955, the Diocese acquired a building at 529 East Broadway, South Boston which was used for Sunday School classes.

Linda Tochka, the current head of the school, was once a student there and remembers fondly how the fellow classmates gathered around the piano as Mr. George Atwater provided the instructions of the liturgical hymns. In honor of the distinguished and dedicated director of the institution, the school has established a scholarship named after him. Dr. George Atwater scholarship is awarded annually to a deserving former Sunday School students and altar servers.

The classes run from October through the beginning of May and are conducted each Sunday during liturgy with the students coming to church to receive holy Communion. Linda says that “the most anticipated part of the graduation program each year is the quiz where students compete with the congregation. It was initiated by the late Father Arthur Liolin to showcase what the students have learned in the course of one year and it includes a range of questions. Of course, the students always win,“ says Linda Tochka.

Evans Liolin, son of Father Liolin, recalled how he attended the Sunday school with a large group of kids in the early 80s.

Tomorrow the Albanian Orthodox Cathedral of St. George invites the community to join in celebrating three events: the centennial of the Sunday School, the Atwater scholarship as part of the graduation ceremony and Mother’s Day!

Filed Under: Sociale

Guximi për të studiuar lidershipin

May 7, 2024 by s p

Nga Prof. Dr. Nevila Nika/

Studiuesi Evarist Beqiri befason dashamirët e librit me këtë prurje tejet interesante. Autori ka zgjedhur të trajtojë një ndër figurat qendrore të historisë sonë kombëtare, atë të Ismail Qemal Vlorës, Babait të Pavarësisë, në rolin e tij si Lider ose thënë ndryshe si Prijës i Kombit. Edhe pse një zgjedhje aspak e lehtë, pasi askush më parë nuk ishte marrë me studimin në këtë aspekt të ndonjë prej figurave të njohura të historisë tonë, Evaristi guxoi dhe ia ka dalë mbanë më së miri. Me të vërtetë libri është një risi tejet e këndshme e njëkohësisht edhe e veçantë, që lexuesi ka fatin ta ketë në dorë.
Të mësuar prej dekadash tashmë që punimet rreth personaliteteve e ngjarjeve të ndryshme të trajtoheshin të rrumbullakosura sipas linjës partiake e shtetërore deri në vitin 1991 e më pas në kushtet e reja të krijuara mbas ndërrimit të sistemit kur liria i dha mundësi gjithkujt të na jepte në dorë punime me shumë vlera e të tjera për t’u hedhur tutje, punimi i Evaristit zë pa dyshim një vend me të vërtetë të merituar.
Të shkruash sot rreth figurës së Ismail Qemal Vlorës gjithkush prej nesh do të mendonte se, “autori po humb kohën kot”, apo, “nuk ka çfarë të re të sjellë”, apo “të gjitha i kanë thënë të tjerët më parë” etj. etj. Por kur lexon punimin e Evaristit kupton që në faqet e para se je nxituar në gjykim.
Falë një pune të mundimshme ai ja ka dalë të mbledhë të dhëna të shumta, të rralla e shumë të vyera për këtë figurë të ndritur të

historisë tonë kombëtare. Ka qëmtuar arkiva e biblioteka, autorë të huaj e shqiptarë duke zbuluar të dhëna të njohura pak ose aspak nga publiku shqiptar, por edhe ai i huaj. Mbledhja e të dhënave ka qenë faza e parë e punës së tij dhe sigurisht e kushtëzuar fort nga qëllimi që autori i kishte vënë vetes, analizimin e personazhit të jashtëzakonshëm Ismail Qemal Vlora në rolin e të qenët Lider,
Prijës i kombit të vet drejt Lirisë e Shtetformimit.
Familja, fëmijëria e vendlindja janë për autorin pikënisja e gjithçkaje që kjo figurë e ndritur e kombit tonë do të dëshmojë
gjatë gjithë jetës së tij. Lindja në një mjedis si ai i familjes zëmadhe Vlora, për autorin Beqiri është një fakt më shumë se domethënës.
Sipas tij ky mjedis familjar sa aristokratik aq edhe patriotik do të ndikonte fuqishëm në formimin e mbrujtjen e karakterit të djaloshit Ismail Vlora si Lideri, Prijësi ardhshëm i Kombit Shqiptar. Nuk ka dyshim se familjet e mëdha të pajisura me një mbiemër e pasuri ju kalonin pasardhësve për shekuj me radhë pushtetin e prestigjin për ruajtjen e transmetimin e kujtesës historike të familjes, vendlindjes e mbarë kombit. Ismaili i ri nuk mund të bënte përjashtim. I pajisur me inteligjencë të rrallë ai kur largohet nga gjiri familjar, kishte mundur të merrte më vete gjithçka nga historia e familjes Vlora, pra e të parëve të tij, por dhe gjithë krahinës. E kjo pasi ishin kohët kur e kaluara e familjes, por edhe më gjerë se ajo, nuk hidhej poshtë me të shpejtë si diçka e pavlerë. Ekzistonte një dialog midis brezave brenda mureve të sarajeve të kësaj familjeje. Për Ismailin e ri ishte vendi ideal për përpunimin e kujtimeve të të parëve të tij, bëmave të tyre. E kaluara ishte gjithnjë për “darkë”, duke kultivuar tek pjesëtarët më të rinj të familjes dashuri për tokën e të parëve, por mbi të gjitha dëshirën për të shpëtuar nga zgjedha e pushtimit e ngritjen e flamurit të Gjergj Kastriotit, flamurin e Pavarësisë.
Mendoj se Evaristi ia ka dalë të na përcjellë me shumë vërtetësi ndikimin që historia familjare ka pasur në formimin e karakterit të tij si Prijës i ardhshëm i Kombit. Gjithsesi në punimin e tij autori nuk ka lënë mënjanë të analizojë edhe rrugëtimin e Ismail Qemalit si nëpunës i lartë në administratën e Perandorisë Osmane, gjatë të cilit ai kishte dëshmuar se zotëronte tipare e aftësi prej Lideri.
Do t’i mbyll këto pak rreshta me një pasazh të shkëputur nga një artikull i shkruar 91 vite më parë nga biografi i parë i Mustafa
Qemal Ataturkut, gazetari Ismet Toto:
“Njerëz të mëdhenj ka patur e do të ketë në çdo kohë, sa herë që do të ketë qejf e Madhja Natyrë. Këta janë Drita të botës….Mbrenda në thellësin e shpirtit të këtyre njerzve origjinalë qëndron një fuqi hyjnore.
Ideali dhe vullneti i tyre është arsyeja e qënies për ata. Ata e kanë dedikuar vehten realizimit të një ideali. Ata s’mendojnë gjë tjetër në jetë. S’mund të mendojnë! Ata qëndrojnë për çështjen e tyre në çdo kusht e me çdo sakrificë. S’ka gjë në botë që mund të zërë vendin e qëllimit për të cilin ata rrojnë në jetë….
Në këtë kuptim duam të marrim dhe ne këtë Ismail Benë tonë, jo vetëm se pse me veprën e 28 Nëntorit ndezi një zjarr që s’u shua dhe s’do shuhet kurrë, por se pse e gjithë jeta e tij ka një frymë madhështie. Një madhështi mendore të habitshme për të cilën Shqiptarët e gjithë kohëve kanë të drejtë të rrinë kryelartë.
Është pikërisht kjo madhështi e Mendjes dhe e Shpirtit që e bën të mundur që një Ismail Qemal të sundojë Shqiptarët duke qenë vetë i vdekur. Kjo lloj madhështie është e pa zhdukur; përkundrazi
bashkë me kalimin e kohës rritet e shkëlqen më fort dhe gjithnjë
më fort…Neve besojmë me të gjitha fuqitë e ekzistencës tonë se shkëlqimi i veprës së Ismail Qemal Vlorës do të vazhdojë e do të zmadhohet sa dhe vetë Shqipëria. Neve besojmë në sinqeritetin e këtij Burri të Madh që ka trashëguar gjitha ç’është më e bukur, e lartë dhe fisnike në palcën e shpirtit Arbnor.”

Filed Under: Sociale

PREMTIMET PARAZGJEDHORE PËR KRYETAR TË REPUBLIKËS SË MAQEDONISË SË VERIUT – SA PREJ TYRE JANË TË REALIZUESHME!?

April 22, 2024 by s p

Emir Kurtishi, jurist

TË GJITHA RRUGËT TË ÇOJNË DREJT VILËS “VODNO”

Viti 2024 zyrtarisht është shpallur vit i zgjedhjeve, jo vetëm në vendin tonë, por në mbarë botën, ku priten të mbahen edhe një sërë zgjedhjesh presidenciale, parlamentare dhe ato lokale, pa i anashkaluar edhe zgjedhjet për përbërjen e re të Parlamentit Evropian.

Lista e konfirmuar e kandidatëve që do të marrin pjesë në Zgjedhjet për Kryetar të Republikës së Maqedonisë së Veriut, shihet që interesimi është i lartë, por ajo që bie në sy është se nga të gjithë kandidatët janë propozuar nga së paku 10.000 votues, për dallim nga Gordana Siljanovska-Davkova, është e vetmja kandidate e cila është propozuar nga së paku 30 deputetë të Kuvendit të RMV-së.

Për dallim nga zgjedhjet e kaluara për Kryetar të Republikës, ku kishim vetëm një kandidat shqiptar që synonte karrigen e Kryetarit në Vilën Vodno, në këto zgjedhje kemi dy kandidatë të cilët pretendojnë dhe shpresojnë se do të futen në rrethin e dytë që do të mbahet më 8 Maj të këtij viti, së bashku me Zgjedhjet Parlamentare.

Dy kandidatët kryesorë që vijnë nga provinienca e partive politike maqedonase, janë të njëjtit që patën garuar në Zgjedhjet për Kryetar të Republikës në vitin 2019, ku fitues u shpall kandidati aktual, Stevo Pendarovski me gjithsej 435.656 vota apo 51.65% nga numri i përgjithshëm i votuesve, përkundër kandidates aktuale, Gordana Siljanovska-Davkova e cila arriti të merr 377.446 vota apo 44.75% nga numri i përgjithshëm i votave. A do të ketë befasi të reja në këto zgjedhje siç ka pasur dhe pritet të ketë në botë apo edhe këtë vit, zgjedhjet janë të parashikuara si ajo e zgjedhjes së Putinit në Rusi!?

Ndikimi i politikës globale dhe zhvillimi i luftës Ukrainë-Rusi, përkatësisht ndarja në fronte Evropë, SHBA dhe Rusi, dukshëm ka ndikuar dhe ka reflektuar edhe në skenën politike maqedonase. Një garë e ngjajshme interesante për Kryetar të Shtetit këtë vit ka pasur edhe Sllovakia, ku kandidati prorus Pellegrini arriti që t’i fitojë zgjedhjet për Kryetar të Shtetit në Sllovaki me 53% të votave në rrethin e dytë, përkundër kundërkandidatit të tij, ish-ministrin e punëve të jashtme, i njohur në skenën politike sllovake me orientim properëndimor, Ivan Korcok, i cili mori vetëm 47% të votave. Edhe Pellegrini, pas triumfit në zgjedhje, deklaroi se do të jetë kryetar i të gjithë qytetarëve sllovakë dhe se zotohet se do të jetë gjithmonë në anën e Sllovakisë. Befasia në këto zgjedhje për kryetar të shtetit në Sllovaki, ishte mosgarimi i kryetares Caputova, e cila ishte mbështetësja më e madhe e shtetit fqinj, Ukrainës në luftën e saj kundër pushtimit rus. Jo më pak interesante ishin edhe zgjedhjet në Finlandë, ku në mesin e pesë kandidatëve kryesorë kishte edhe një ish-kryeministër, ministra të jashtëm dhe të financave dhe kryeparlamentarë. Gara për shtetin nordik është zhvilluar mes ish-kryeministrit finlandez, Aleksander Stub, i cili në rrethin e dytë politik bëri një rikthim politik, duke e mundur kundërkandidatin, ish-ministrin e punëve të jashtme, Pekka Haavisto me 51.6% të votave, kundrejt 48.4%. Sipas mediave të huaja, vëmendja më e madhe i është kushtuar këtij vendi duke pasur parasysh vendndodhjen strategjike përgjatë kufirit lindor të BE-së dhe NATO-s me një Rusi gjithnjë e më agresive.

PREMTIME QË I TEJKALOJNË KOMPETENCAT E KRYETARIT TË REPUBLIKËS

Sipas Kushtetutës së RMV-së, Kryetari i Republikës është ai që e përfaqëson Republikën dhe është komandant suprem i forcave të armatosura. Kompetencat e tij të përcaktuara me Kushtetutë, më tepër janë të karakterit ceremonial, sepse, kompetencat ekzekutive, përkatësisht bartës i pushtetit ekzekutiv në vendin tonë është Qeveria (Neni 88).

Edhe kësaj radhe, çështja që diskutohet nëpër fushata zgjedhore, sidomos nga VMRO-DPMNE-ja është çështja e censusit zgjedhor, përkatësisht heqja e saj, që u integrua me Amendamentin XXXI të Kushtetutës së RMV-së në vitin 2009 që të zvogëlohej mundësia e dështimit të Zgjedhjeve për Kryetar të Republikës, sepse nga të gjitha kryetarët e deritanishëm, vetëm Kiro Gligorov është zgjedhur që në rrethin e parë, të gjithë të tjerët pas tij, janë zgjedhur në rrethin e dytë, edhe atë Boris Trajkovski me 52,40% të votave; Branko Crvenkovski me 60,64% të votave, kur censusi ishte 50% nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar, ndërkaq, Gjorge Ivanov u zgjodh në rrethin e dytë me 42% të votave, kur censusi u ul në 40%. Nëse merret parasysh legjitimiteti i Gjorge Ivanovit dhe të tjerëve pas tij, sigurisht që është më i ulët se i paraardhësve të tyre. Kjo është një indikator se gjithnjë e më shumë, jehona e votuesve bie në çdo cikël zgjedhor, si pasojë e dëshpërimit të votuesve, përkatësisht votuesit ndihen të lodhur me zhvillimin e deritanishëm të politikave, ku më tepër premtohet, se sa diç realizohet. Kjo në përgjithësi krijon klimë apatie, e cila reflektohet në anketat e përgjithshme të realizuara nga institucionet e ndryshme qofshin edhe ato organizata joqeveritare me një mosbesim të thellë ndaj institucioneve relevante në shtetin tonë dhe në daljen e përgjithshme të votuesve në zgjedhje.

Në këtë kontekst janë edhe sloganet e partive politike të cilët mundohen t’i zgjojnë votuesit e tyre nga apatia shoqërore, duke përçuar mesazhe rreziku dhe gjendje kritike, megjithëse, komunikologët i vlerësojnë si shterp dhe mungesë vizioni, duke përdorur slogane me fjalë të njohura e të përdorura përgjatë gjithë kohës. “Guximshëm për Maqedoninë” është për shembull, slogani i Stevço Jakimovskit, i cili edhe është i vetmi prej kandidatëve deri më tani, i cili është futur në listën e zezë të SHBA-së, për të tjerët deri në këtë moment që po shkruaj, nuk ka, por që me gjasë mund të del këto ditë, në përputhje me premtimet e Ambasadores së SHBA-së, e cila pati deklaruar se përgjatë tërë kampanjës listës së zezë do t’i shtohen emra të rinj.

Gordana Siljanovska-Davkova, kësaj here për dallim nga zgjedhjet e kaluara që kërkonte “Drejtësi për Maqedoninë – atdheu thërret”, ka dalur me sloganin “Maqedonia sërish krenare”. Për cfarë krenarije flet, mund të shquhet në përdorimin e retorikës dhe herë-herë sulmeve personale që ia adreson kundërkandidatit të saj, Stevo Pendarovskit dhe Qeverisë mbi zhvillimin e politikave vis a vis zgjidhjes së kontestit të emrit dhe çështja me Bullgarinë. Analogjia mund të jetë e gabuar, poqëse mendohet në “Maqedoninë krenare” të kohës së VMRO-DPMNE-së dhe Gjorge Ivanovit, i cili për dallim nga Stevo Pendarovski, më shumë ka qëndruar në heshtje, dhe ka vepruar atëherë kur s’duhej vepruar, duke krijuar precedente të reja juridike përgjatë kohës së tij. Nëse merret parasysh edhe vetoja presidenciale si mjet i fuqishëm në dorën e Kryetarit të Republikës, për të mos i dekretuar ligjet që janë të dëmshme për rendin juridik, Stevo Pendarovski, megjithëse ka mundur të jetë më aktiv, por qëndron më lart se kryetari paraprak, i cili nuk pati guxim asnjëherë që ligjeve të miratuara nga partia e tij politike, t’i abstenojë.

Kandidati, Stevo Pendarovski, duke vlerësuar veten e tij si të suksesshëm, kësaj here ka dalur me sloganin “Kryetari ynë Stevo”, ku dhe nga reklamat një gjë e tillë kërkohet nga qytetarët. Si slogan është më i thjeshtë dhe vetëpërcaktuar dhe vetëofrues për qytetarët. Deri më tash, mund të thuhet se ka qenë prej kandidatëve më modest dhe njëkohësisht më i moderuar në paraqitjet në fushatë, theks të veçantë duke i vendosur integrimit të vendit në BE dhe shqetësimin e migrimit të qytetarëve.

Maksim Dimitrievski nga Kumanova, e kërkon maksimumin për Maqedoninë e Veriut, kështu titullohet edhe slogani i tij: “Maksimum për Maqedoninë”, duke e vendosur theksin tek dy shkronjat e fundit, që në gjuhën maqedonase domethënë mençuri. Nuk është ndonjë kandidat që duhet nënvlerësuar, sepse largimi i tij, dukshëm e ka dobësuar ish partinë e tij në Kumanovë, megjithatë analizuar në mënyrë objektive, gjasat janë minimale për t’u futur në garën e rrethit të dytë.

“E majta” si gjithmonë e pakënaqur me zhvillimin e politikave të këtij vendi, e natyrshme ishte se do të paraqitet kandidatja e tyre femër, Biljana Vankovska me sloganin: “E rikthejmë dinjitetin e qytetarëve”. Ky slogan, mbase është më i duhuri dhe më i qëlluari për çdo qytetar, për cilin ka nevojë dhe vlerësohet si një ndër arsyet e shumta përse vendosin të largohen nga ky vend. Edhe kjo parti, nuk është për t’u nënvlerësuar, në çdo cikël zgjedhor shënon rritje gjithnjë e më shumë, duke kanalizuar pakënaqësinë e dy partive më të mëdha maqedonase. Kandidati i saj, vështirë që do të arrijë të futet në rrethin e dytë, për shkak të personalitetit të kandidatit dhe retorikës nacionaliste dhe thirrjeve kundër Marrëveshjes së Prespës, e cila me gjasë shumë shpejt mund të përfundojë në listën e zezë të SHBA-së, në përputhje me urdhërin ekzekutiv të miratuar nga Presidenti i SHBA-së.

Për dallim nga maqedonasit, kandidatët shqiptarë, garojnë me slogane të thjeshta si ajo “Kryetari evropian” i kandidatit Bujar Osmanit dhe “Taravari për President”. Edhe këta dy kandidatë, garojnë me retorikën e njohur e të dëgjuar deri më tani të subjekteve politike që garojnë për idenë e integrimit në BE dhe rrezikut prej Rusisë, më i zëshëm në këtë drejtim është kandidati i BDI-së, Bujar Osmani me sloganin e njohur “Po Evropës, Jo Rusisë”, kjo edhe për shkak të përvojës së deritanishme me zhvillimin e politikës së jashtme që është edhe njëra ndër kompetencat e Kryetarit të Republikës. Subjektet e këtyre dy kandidatëve, me vetëdijen se nuk do të arrijnë të futen as në rrethin e dytë zgjedhor në garën për Kryetar të Republikës, që në fillim të fushatës, i pari i cili e lansoi idenë që Kryetari i Republikës të zgjidhet në Kuvend, ishte kandidati Arben Taravari, me çka BDI e zënë ngushtë, idenë e tillë e përpunoi me kandidatin aktual, Bujar Osmani, duke propozuar që i njëjti të zgjidhet në Kuvend me shumicë të Badinterit, me çka Kryetari të ketë edhe zëvendësin e tij.

EPILOGU I ZGJEDHJEVE

Zgjedhjet konsiderohen të suksesshme dhe demokratike, kur përfundojnë pa ndonjë kontest dhe problem të caktuar. Pra, më e rëndësishme se krejt, është epilogu demokratik dhe fer i këtyre zgjedhjeve. Megjithëse rrethi i parë gjithçka e bën më të qartë fotografinë për kandidatin favorit që do të bëhet Kryetar i ardhshëm i Republikës.

Kësisoj, Kryetari i ardhshëm duhet të jetë parasëgjithash përfaqësues i krejt qytetarëve. Këtë detyrë të rëndësishme nuk duhet ta harrojë në asnjë moment. Model i një kryetari të tillë ishte Ivo Josipoviq, Kryetari i Kroacisë. Përpara se të zgjidhje kryetar ishte kryetari i PSD-së dhe deputet në Parlamentin e Republikës së Kroacisë, i zgjedhur nga PSD-ja. Shefi i tij partiak, Zoran Milanoviq, pas zgjedhjes së Josipoviqit për kryetar, tha si në vijim: “I pari fitoi njeriu, më pas PSD-ja”.

Pse të mos kemi edhe kryetar të tillë, i cili pas përfundimit të mandatit ta ndjekë shembullin e Monteskjes, i cili edhe pse ka qenë aristokrat, vullnetarisht ka dhënë dorëheqje prej privilegjeve të cilët i ka pasur si Kryetar i Parlamentit në Bordo!

Filed Under: Sociale

Dr. IRFAN BREGU, GAZETAR, POET DHE STUDIUES

April 17, 2024 by s p

Luan Çipi/

Irfan Bregu, gazetari i njohur, poeti, mësuesi dhe studiuesi, u lind në qytetin e Vlorës më 14 Prill të vitit 1937. Ai, u rrit dhe u burrërua në Vlorë dhe në Kryeqytet dhe po në Vlorë, më 26 Mars 2018, në “Betlehemin e Lirisë’ (siç e quante), pati fatin të mbylli sytë dhe të sigurojë përjetësinë.

Në vendlindje kreu shkollën 7-vjeçare dhe të mesme, ndërsa studimet e larta i përfundoi me sukses në Fakultetin Histori-Filiologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, Dega Gjuhë-Letërsi Shqipe. Në këtë Universitet kreu edhe kursin e lartë për Filozofi.

Fillimisht shërbeu si mësues i gjuhë-letërsisë në Gjimnazin “Halim Xhelo” dhe në “Shkollën e Mesme Ekonomike” të mbrëmjes, (ku, si kolegë, patëm fatin të bashkëpunojmë e të njihemi më mirë), në qytetin e Vlorës (1962-1967), po shpejt kaloi në gazetari, ku thuajse e mbylli gjithë jetën, së pari si redaktor i gazetës lokale “Zëri i Vlorës’’ (1967-197O), pastaj si korrespondent i “Zërit të Popullit’’ për rrethet Vlorë e Fier (1973- 1976), ca kohë u dërgua korrespondent i ‘’Zërit të Popullit’’ në Republikën Popullore të Kinës, në (1976-1979) dhe së fundi, redaktor i gazetës ‘’Zërit të Popullit’’ në Tiranë (1979-1983).

Pas një ndërprerje, i dërguar për “riedukim” si gazetar në gazetën lokale të qytetit Lushnje, u kthye sërish në Kryeqytet, emëruar redaktor, në ‘’Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor” (1983-1993).

Shumë shpejt, menjëherë pas ndryshimeve demokratike, Irfan Bregu, u rikthye në fushën e tij të dashur të punës, në gazetari. Punoi redaktor në të përkohshmen ‘’Demokracia’’ (1993-1996) dhe, në të njëjtën kohë, ishte kjo periudhë e punës për studimet e tij shkencore kur, nga viti 1994, morri gradën shkencore “Doktor i Shkencave”.

Duhet të kujtojmë, gjithashtu, se gjatë gjithë jetës së tij, si njeri plot energji e pasion, krijues letrar i talentuar dhe punëtor i palodhur, ka bashkëpunuar pa ndërprerje me shtypin e kohës, si në gazetën ‘’Bashkimi’’, te ’’Zëri i Rinisë’’, te gazeta letrare “Drita’’, “Rilindja Demokratike’’, “Ballkan’’, si dhe thuajse, me të gjitha revistat e Kryeqytetit.

Duke mos u ndalur te gazetaria, me të cilën u mor thuajse gjithë jetës në Tiranë, Vlorë, Lushnje e deri në Kinën e largët dhe mësuesia, në specialitetin gjuhë-letërsie shqip, që në fakt, mbulojnë një periudhe të gjatë kohe, për Irfan Bregun, ajo çka do ngelet gjithashtu ecilësore dhe me shumë vlerë, është krijimtarinë e tij letrare – artistike, (e nisur me poezinë e parë, qysh nga viti 1959) kryesisht poezia e bukur, me specifikë gjininë e poemës. Poemat e Irfan Bregut janë tërheqëse e gjurmëlënëse, të mbushur me ide atdhetarie e dashurie njerëzore dhe me bazë figurat artistike letrare dhe me metaforat e shumta e që s’harrohen lehtë.

Irfani, i nisi veprat e tij letrare e artistike herët dhe nuk pushoi së shkruari, për 60 vjet rresht. E filloi me librin me poezi “Bisedë me pushkën” (1964) dhe në vitet e ardhshme edhe “No pasaran” , ’’Në këmbë e në këngë’’, vazhdoi te librat madhore si “Betlehemi i lirisë’’, (poezi 1997), ”Liria erdhi vonë; ”(Tri libra për Kosovën”, 2OO2) e deri te “Gjaku ynë’’. Irfan Bregu pas një pune këmbëngulëse e të lodhshme shumë vjeçare, u bë gjithashtu autor i një Fjalori Enciklopedik (social-kulturor-artistik) prej disa vëllimesh. Produkt i punës së pa ndërprerë janë edhe një larmi botimesh të shumta, ku veç 15 poemave, duhen përmendur edhe disa libra shkollore, tekste e antologji, fjalorë gjuhësor, kritikë letrare e pedagogjike, etj. Sidomos librat e Irfan Bregut me poezi, po dhe poemat, dallohen njëkohësisht për lirizmin dhe epizmin, ku ndihen të skalitura karakteret e qenësishme të figurave letrare e artistike, që i bëjnë lexuesit kureshtar, të jetojnë me to e t’i dashurojnë, pa i harruar.

Irfan Bregu, ishte qysh herët, anëtar i “Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë” dhe së fundi, në vitet e Demokracisë edhe anëtar i Klubit të Shkrimtarëve “Petro Marko” Vlorë.

Si personalitet i mirënjohur publik e si një nga krijuesit me kontribute të shumta për vendin, në fushën e letrave, kohët e fundit, Këshilli Bashkiak i Vlorës, i akordoi Doktor Irfan Bregut, titullin e lartë qytetar “Nderi i Vlorës’’.

Poeti dhe gazetari Irfan Bregu, i kuptoi shpejt dhe i favorizoi dukshëm qysh në embrion, ndryshimet demokratike në vend. Në krijimet e tij të fundit, duke luftuar edhe me gjendjen e tij shëndetësore të rënduar, vërente si qytetar, poet, shkencëtar e publicist me keqardhje, shkallën e pamjaftueshme të demokracisë shqiptare. Ai i ndjente deri në dhimbje personale, shtimin e padrejtësive në qëndrimet partiake e shtetërore dhe ato në Prokurori e Gjykatë, si dhe gjallërimin e krimit, drogës e të prostitucionit. Në shkrimet e tij periodike e deri te poema e fundit, ai shpreh dëshirën që këto padrejtësi, mangësi, dobësi e pengesa, të zgjidhen e të ndreqen sa më shpejt, si dhe të marrin fund grindjet shekullore dhe të vendoset e të mbizotërojë mirëkuptim i plotë shoqëror, me shpresë dhe besim që “lulet e zeza” të bëhen sa më shpejtë të bardha…

Kaluan disa vjet pa poetin, gazetarin dhe studiuesin Irfan Bregu dhe i gjithë vendi edhe pse në kushte të vështira karantine, po sidomos ne, shokët e tij të hershëm vlonjat, secili izoluar në shtëpitë e veta, e kujton me respekt e dashuri, publicistin dhe krijuesin e palodhur. Ngelet e paharruar sidomos krijimtaria e tij publicistike, po dhe letrare, me më shumë se 20 krijime, në poezi dhe në prozë, që kanë në themel heroizmin, atdhetarizmin dhe dashurinë për vendlindjen dhe njerëzit e saj, duke e renditur autorin midis publicistëve dhe zërave poetik të nderuar e ndër më të shquarit në vend.

Në 6 vjetorin e vdekjes.

NGA LIBRI IM: “ATDHETARË TË SHQUAR”

Filed Under: Sociale

Frasnita arbëreshe, një hap të rëndësishëm për mbrojtjen e gjuhës lokale arbëreshe!

April 9, 2024 by s p

Nga Ornela Radovicka

Qendra Albanologjike mbi gjuhën dhe kulturën arbëreshe themeluar nga At Bellusci 1980/

Bashkia e Frasnitës\ Frashineto,e para Bashki arbëreshe në Klabrinë Kontinentale, që ka vënë në përdorim administartiv gjuhën arbërishte, si gjuhë të zyrtarizuar krahas italishtes. Në datën 30 Mars 2024 me rastin e promovimit të librit të poeteshës popullore Maria Marku, nga Eianina (ngulim arbëresh në Kalabri), iu dorëzua ne forme simbolike (poeteshës  ne fjale) certificata e parë lëshuar nga gjendja civile e Frasnitës  në dy gjuhë; arberisht  dhe italisht. Mundësinë për të përpiluar dhe përdororur një certifikatë të tillë ia jep ligji italianë 482\99. Në bazë këtij ligji popullsia arbëresh që shtrihet në shtatë rajonet me popullsi historike kane të drejtë të vendosin në përdorim gjuhën amëtare. Kjo ngjarje është një hap drejt asaj rruge për ringjalljen e gjuhës arbërore, gjuhës lokale, si dhe hap një dritë jeshile për komunat e tjera arbëreshe  që të promovojnë gjuhën e tyre lokale për të mbrritur në  njehësim gjuhe të përbashkët të 52 ngulimeve arbëreshe.

Kjo ngjarje u arrit me miratimin e Kryetarit të Bashkisë së Frasnitës Z. Angelo Catapano, këshilltares mbi gjuhën dhe kulturën arbëreshe Z. Caterina Adducci  dhe të palodhrit , këmbngulësit, mbrojtësit të gjuhës lokale të varjanit arbërisht, profesorit Agostino Giordano, i cili është themelues i së vetmes gazetë shkruar në arbërisht “Jeta Arbëreshe”,  dhe që vazhdon me mish e me shpirt  të punoj për të mbajtur gjallë këtë gjuhë. Sot në një farë mënyre të gjithë ata albanolog që u lindën dhe u rritën në Frascineto,që tani i përkasin qiellit sot me siguri janë në këtë  kozmo si ato xixëllonjat që përhapin pranverën. Edhe At  Bellusci u mallëngjye, e dy lot i rrëshkitën nga sytë  kur e pa më në fund këtë certifikatë të realizuar. Në këtë ligj janë të përjashtuar 10 mijë arbëreshë të Torinos, si edhe cilido arbëresh që nuk është banues në  shtatë krahinat me pakicë  popullsie historike.

Bota arbëreshe edhe pse e tkurrur prezantohet; Konservatore e një gjuhe arkaike e së djeshmes,  Përpunuese e fjalëve  të së sotmes, Komparativë e një etimologjie e së nesërmes, Edhe pse në miniaturë ajo është fanatike e rrënjëve të shpirtit si edhe të fjalës arbëroreqë ato të mos bëhen të gjitha, erë, tym, por të ngelen frymë.  …Të ringjallësh  këtë komunitet duhet të fillosh nga ajo  dozë humusi identiteti që ka të mbetur,  Pastaj ta spërkasësh me ndërgjegjen e të qenit arbëresh që përmblidhet në tezën: “Të folmi ashtu si na mbësonj mëma dhe tata.”

Arbëreshët i ngjajnë feniksit

Ringjallen edhe atëherë kur duken të djegur! Mbyll këto rreshta me shpresën që komunat e tjera në Kalabri e në krahinat e tjera të ndjekin këtë shembull! Në vijim  një fotokopje të një certifikatë në arbërishten e Frasnitës!

Filed Under: Sociale

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • …
  • 78
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT