• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KËRKESA E SINQERTË PËR FALJE SI URË DREJT CIVILIZIMIT PERËNDIMOR

September 21, 2023 by s p

Artan Nati/

Kërkimi i faljes dhe dhënia e faljes janë pjesë përbërëse e çdo zgjidhjeje afatgjatë të një konflikti të vështirë. Pa to, është e pamundur të arrihet pajtimi dhe paqja e qëndrueshme. Shtypësit që kryen shkelje të të drejtave të njeriut dhe mizori të tjera duhet të marrin përgjegjësinë për veprimet e tyre dhe të kërkojnë falje. Një falje duhet të jetë e sinqertë dhe të pasqyrojë keqardhjen e vërtetë për veprimet e kaluara. Një kërkim falje mund të jetë ende i rëndësishëm nëse bëhet nga dikush që është pasardhës i asaj klase që ka kryer krimet apo abuzimet, diçka që Presidenti William Clinton e kuptoi kur kërkoi falje për skllavërinë, edhe pse ajo kishte marrë fund pothuajse një shekull para se ai të lindte.

Shoqëria jonë nuk e ka kaluar një proçes të tillë prandaj dhe kemi disa probleme serioze që reflektohen edhe në politikë e në jetën tonë të përditëshme dhe sa më shpejt t’i evidentojmë dhe të përpiqemi të zgjidhim këtë nyje gordiane të politikës dhe kulturës shqiptare, më i shpejtë do të jetë integrimi ynë kulturor e politik me Europën e bashkuar.

Debati më i madh që konstatohet tek ne ështe se: A duhet të kërkojnë të falur (apologji) përfaqësuesit apo pasardhësit e regjimit komunist dhe pastaj të bashkëpunojmë me ta, apo të persekutuarit mund të falin persekutonjësit e tyre dhe të bashkëpunojmë për interesin e vendit dhe integrimin e tij. Besoj se çështja nuk është kaq e thjeshtë sa duket dhe eksperienca botërore mund të na vijë në ndihmë.

Duke pranuar gabimin, ju i jepni vlefshmëri dhimbjes së një individi ose tragjedisë së një popullsie të tërë. Në skenën globale, krerët e shteteve dhe institucionet fetare si Kisha Katolike shpesh kanë kërkuar falje publike. Ndonjëherë, duket sikur i nënshtrohesh një debati global gjithnjë në rritje që kërkonte njohjen e së kaluarës, dhe ndonjëherë dukej si një gjest nxitës i momentit. “Përballë humnerës së historisë gjermane dhe barrës së miliona njerëzve që ishin vrarë, unë bëra atë që ne njerëzit bëjmë kur fjalët na mungojnë”, kështu shprehej Brandt në kujtimet e tij. Ai u ul në gjunjë si një mëkatar, duke iu referuar traditës së krishterë. Ai u lut që gjermanët të faleshin. Willy Brandt, një socialdemokrat që kishte qenë pjesë e rezistencës kundër nazistëve, po lutej për falje për popullin e tij. Por a ishte i planifikuar gjesti? “Jo, nuk ishte,” këmbënguli Brandt. Ndihmësit e mi të afërt ishin jo më pak të befasuar se sa gazetarët dhe fotografët që qëndronin pranë meje. Edhe qeveria polake u befasua. Deri në atë moment konsideroheshin gjithmonë si “gjermanët e këqij”. Ata shiheshin si “revanshistë dhe luftënxitës” dhe pastaj papritmas ishte një kancelar gjerman, i cili u gjunjëzua duke sinjalizuar një hapje ndaj faljes.

Dhe në këtë mënyrë , politika e Brandt ishte një moment historik në rrugën e vështirë të pajtimit midis Lindjes dhe Perëndimit në Luftën e Ftohtë. Ishte, pikënisja e zhvillimeve që fillimisht çuan në revolucionet paqësore në Poloni dhe Gjermaninë Lindore, më pas në ribashkimin e Gjermanisë dhe më në fund në një partneritet të vërtetë: “Partneriteti midis Gjermanisë dhe Polonisë në një Evropë të bashkuar”.

Kur gabojmë me dikë që njohim, qoftë edhe pa dashje, në përgjithësi pritet të kërkojmë falje. Personi që lëndojmë ndjen të drejtën për te falur dhe shprehjen e keqardhjes . Ne, nga ana tjetër, përpiqemi të përmirësojmë situatën duke thënë: “Më fal” dhe ndoshta duke bërë dëmshpërblim.

Por kur ne veprojmë si udhëheqës, rrethanat janë të ndryshme. Udhëheqësit janë përgjegjës jo vetëm për sjelljen e tyre, por edhe për atë të ndjekësve të tyre, të cilët mund të jenë në qindra, mijëra apo edhe miliona. Pyetja e parë, pra, është, kush është saktësisht pala fajtore? Shkalla e dëmtimit është gjithashtu një problem. Kur një udhëheqës ndihet i detyruar të kërkojë falje (apologji), veçanërisht për një shkelje në të cilën janë përfshirë ndjekësit, dëmi i shkaktuar ka të ngjarë të jetë serioz, i përhapur dhe i qëndrueshëm.Meqenëse udhëheqësit flasin për vete, si dhe për ndjekësit e tyre, faljet e tyre kanë implikime të gjera. Akti i kërkimit të faljes kryhet jo thjesht në nivel individi por edhe në nivel institucioni. Nuk është vetëm personale, por edhe politike. Është një performancë në të cilën çdo shprehje ka rëndësi dhe çdo fjalë bëhet pjesë e të dhënave publike. A duhet të falin ish të persekutuarit politik ish persekutonjësit e tyre dhe pasardhësit e tyre? “Falja (e fajtorit) është mbi të gjitha një zgjedhje personale, një vendim i zemrës për të shkuar kundër instinktit natyror për ta kthyer të keqen me të keqe.” thoshte Papa Gjon Pali II. Mendoj se është e rëndësishme të kuptojmë se falja nuk e shfajëson persekutonjësin. Falja e çliron viktimën. Duke thënë të gjitha këto mendoj se po kthehemi përsëri në pyetjen fillestare. Mendoj se kërkesa për falje duhet të bëhet më parë nga pasardhësit e atij brezi që kreu krime dhe përfaqësuesit më të lartë të shtetit tonë duhet të kërkojnë falje publike ashtu si edhe Bill Clinton dhe të ulen në gjunjë si kancelari gjerman përpara gjithë shtresës së persekutuarëve. Gjithashtu është domosdoshmëri që të konkretizohen me ndërtimin e disa muzeve si burgu i Spaçit si dhe realizimin e filmave dhe dokumentarëve për përjetësimin e këtyre ngjarjeve sepse siç thotë filozofi George Santayana “Ata që nuk e kujtojnë të kaluarën janë të dënuar ta përsërisin atë”.

Filed Under: Sociale Tagged With: artan nati

Të dhënat për vaksinën e re të Covid-it

September 15, 2023 by s p

Rafaela Prifti/

Dy vaksina të reja të Covid-it kanë kaluar inspektimin e Food and Drug Adminstration (Agjencia për Ushqime dhe Medikamente) si edhe kanë hyrë në rekomandimet e Qendrës për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve për moshat 6 muaj e lart. Njoftimi u dha në konferencën për shtyp ditën e hënë. Tashmë vaksinat janë gati dhe po administrohen për publikun në qendrat mjekësore apo farmaci, sipas rasteve.

Numri i rasteve të shtrimeve në spital dhe vdekjeve është pakësuar gjatë vitit të kaluar, thonë ekspertët, por virusi ka evoluar duke krijuar mutacione të reja të më shumë se dhjetëra variacione që qarkullojnë në Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë imuniteti i fituar nga vaksinimi apo infektimi ka rënë. Numri i shtuar i rasteve me Covid gjatë verës ka shkaktuar shqetësime për ‘rikthimin e virusit’ por ekspertët thonë se nuk do të kthehemi në situatën e jashtëzakonshme të viteve të kaluara.

A ka ndryshim vaksina e re nga të kaluarat? Vaksina e re është monovalente, e krijuar për mbrojtje ndaj një varianti XBB.1.5 – pasardhës i Omicronit që ishte dominant në fillim të këtij viti. Sipas hulumtimeve të deritanishme, vaksina është efektive ndaj variantit aktual. Virologjistët thonë se vaksina e re krijon mbrojtje nga EG.5 and BA.2.86, që janë dominuese në këtë periudhë. 

Rregullatorët do të shqyrtojnë edhe një vaksinë monovante tjetër nga kompania Novavax në muajt e ardhshëm. Kjo nuk është vaksinë e tipit mRNA, dhe si e tillë nuk përmban protein nga virusi origjinal, gjë që, sipas ekspertëve, mund të krijojë mbrojtje më të zgjeruar ndaj varianteve të reja.

Numri i dozave të vaksinës së re varet nga imunizimi i mëparshëm. Përfaqësuesit e Walgreens dhe CVS thanë se vaksinat do të jenë gati për të gjithë ata që plotësojnë kriteret e rekomanduara nga CDC. Kostoja për vaksinën do të ri negociohet por sipas të dhënave do të jetë falas për të gjithë ata që kanë sigurim shëndetësor privat dhe publik, duke supozuar se administrohet brenda rrjetit që e përfshihet në planin tuaj shëndetësor. Personat pa sigurim mjekësor mund të drejtohen në qendra të caktuara shëndetësore. Kompanitë do dhurojnë një sasi të dozave falas për ta.  

Zyrtarët rekomandojnë se vaksinimi kundra gripit dhe Covid-it mund të bëhet në të njëjtën kohë. 

Filed Under: Sociale Tagged With: Rafaela Prifti

‘Diaspora për Shqipërinë e Lirë’ paraqet Projektligj për ndryshimin e Kodit zgjedhor të Shqipërisë

September 8, 2023 by s p

Sot në Tiranë ‘Diaspora për Shqipërinë e Lirë’ ka paraqitur një Projektligj për ndryshimin e Kodit zgjedhor të Republikës së Shqipërisë për votën e diasporës. Përfaqësuesi i lëvizjes Florjan Haçkaj tha përpara përfaqësuesve të KQZ-së, OSBE-së, Avokatit të Popullit dhe institucioneve e organizatave të tjera se projektligjin do ta dorëzoj në tryezën e reformës zgjedhore në Parlament.

Projektligji, të cilin Haçkaj e quajti të plotë, është punuar nga ekspertët e lëvizjes. “Ne duam që ta parashtrojmë dhe ta prezantojmë te 140 deputetët, OSBE, KQZ, Presidenti, Avokati i Popullit, Këshilli i Ministrave, pra që kjo të ketë shkuar në çdo institucion të rëndësishëm në vend,” tha ai në tryezën e sotme.

“Gjykata Kushtetuese e ka njohur të drejtën e diasporës për të votuar dhe i ka dhënë kuvendit një vit kohë për të plotësuar kuadrin ligjor më 9 janar 2023,” tha Haçkaj. Kjo do të thotë se “çdo palë zgjedhje pas këtij afati janë antikushtetuese.”

Drejtuesi i lëvizjes ‘Diaspora për Shqipërinë e Lirë’ ju kujtoi të pranishmëve se ka një vendim gjykate për votën e diasporës dhe se “ne jemi grupi i interesit që e përfaqësojmë dhe duhet ta realizojmë. Është një proces i gjatë, por koha është e shkurtër.” Për sa i takon përmbajtjes së projektligjit, ai tha se aty “kemi sjellë një risi, shtesa në nenet ekzistuese, nene shtesë dhe një krye shtesë që është kreu 10.” P

Ai ftoi në dialog palët dhe shoqatat që mbështesin votën e diasporës.

Nga ana e autoriteteve shqiptare në qershor 2022 u njoftuan disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.16/2018 “Për Diasporën” si rezultat i vendimit të Këshillit nr. 81, ku në vend të Ministrisë për Diasporën institucioni përgjegjës është Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.

E drejta e diasporës për të votuar në zgjedhje të përgjithshme është e sanksionuar me ligj. Mekanizmat dhe institucionet përgjegjëse për realizimin e saj janë bërë ngërçi politik në Shqipëri. Partitë politike parimisht pajtohen por praktikisht gjejnë vështirësi në llogaritjen e mbështetjes nga një diasporë e shpërndarë dhe ‘pa garanci’ se ku e jep votën, tha Haçkaj.

Duke e ripërsëritur rëndësinë e votës së diasporës, ai se pa të “zgjedhjet do quheshin nul”.

Ndonëse vota e diasporës gëzon përkrahje të përgjithshme, si brenda dhe jashtë Shqipërisë, ka kritikues që thonë se Haçkaj po e përdor lëvizjen që ka krijuar dhe kërkon të faktorizohet dhe të bëhet deputet, i mbështetur nga shpresa që kanë shqiptarët te diaspora. Në përgjigje të tyre, Florian Haçkaj, Drejtues i kompanisë Ontinue Cybersecurity në Zvicër, thotë se i ka pasur mundësitë të bëhet deputet. “Synimi im është të bëhet vota e diasporës, demokratizimi i vendit dhe t’i iki nga dora partive kalkulimi që bëjnë me shqiptarët kur vjen puna e zgjedhjeve, të tjerat janë të gjitha dytësore,” tha Haçkaj për Diellin.

Ndërkohë Dielli kërkoi ta lexojë projektligjin e përgatitur nga Diaspora për Shqipërinë e Lirë. Haçkaj tha se do t’ju dërgohet mediave sapo të paraqitet në parlament.

Në maj 2022 themeluesit e Lëvizjes Diaspora për Shqipërinë e Lirë, Florian Haçkaj dhe Aisel Omerbashi u mirëpritën në Vatër. “Federata Pan shqiptare e Amerikës Vatra mbështet fuqishëm projektin e Lëvizjes Diaspora për Shqipërinë e Lirë me qëllim garantimin e të drejtës së votës për shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve territorial të shtetit shqiptar.” https://gazetadielli.com/vota-e-mergates-vatra-mbeshtet…/

Filed Under: Sociale

Shoqata Humanitare “Duart e Hapura” në New York dhurata për fëmijët me rastin e vitit të ri shkollor

September 6, 2023 by s p

Në ditën e shenjtërimit të Nënë Terezës, Shoqata Humanitare Shqiptaro-Amerikane “Duart e Hapura” në Bronx, New York, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor dhuroi rreth 480 çanta shkollore me mjetet e përshtatshme didaktike për fëmijët. Të shoqëruar nga prindërit fëmijë shqiptarë dhe të kombësive të tjera u shërbyen më gëzim të veçantë prej skuadrës së vullnetarëve që udhëhiqet prej bamirësit Aleksandër Nilaj. Përveç mjeteve mësimore, për fëmijët dhe prindërit e tyre u shpërndanë produkte ushqimore të ndryshme. Me ndihmën dhe përkrahjen e vazhdueshme të miqve e mbështetësve shqiptaro-amerikanë, Shoqata Humanitare Shqiptaro-Amerikane “Duart e Hapura” në Bronx e drejtuar nga Aleksandër Nilaj dhe ekipi i vullnetarëve prej 11 vitesh është e përfshirë në aktivitete komunitare bamirësie. Shqiptarë që shërbejnë, ndihmojnë e ofrojnë kapacitetet, infrastrukturën e kohën e tyre në shërbim të njerëzve në nevojë, përbëjnë një krenari kombëtare në mërgatën e Amerikës.

Kjo shoqatë me vullnetarët e stafin e ngushtë lartësojnë çdo ditë emrin, vlerat, historinë dhe krenarinë tonë kombëtare. Në veprimtarinë e tyre patriotike dhe komunitare shqiptarët gjithmonë shkëlqejnë dhe tregojnë vlerat më të çmuara si popull, si kulturë dhe si komb karshi kombeve e popujve të tjerë. Bamirësia i ka kthyer sytë e botës te shqiptarët si vazhdues të misionit e shpirtit human global të Nënë Terezës. Pikërisht në këtë ditë të shenjtërimit të Nënë Terezës, shqiptarët zhvilluan një akt bamirësie me shumë zemër dhe devocion.

Filed Under: Sociale

Pema

September 4, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Pema përkufizohet si një bimë që ka një kërcell ose trung të gjatë. Pra, është trungu që ndan pemët nga shkurret, lulet dhe bimët e tjera. Ka rreth tre trilion pemë në Tokë, që arrin në rreth 420 pemë për person. Pyjet mbulojnë rreth 30% të sipërfaqes së Tokës.

Pema më e famshme në botë është Pema Bodhi, e vendosur në Bodh Gaya, Indi. Budistët besojnë se Pema Bodhi është vendi ku Buda mori ndriçimin. Pemët janë spermatofite ose bimë me farëra. Mund të duket e çuditshme, por organet seksuale të pemëve janë të dukshme – lulet e tyre.

Protoshqipishtja *druwa, nga proto-indoevropianishtja *druh nga *dóru u bë dru. Krahasoni greqishten e vjetër drus me kuptimin pyll dhe Druid ishte prift që jetonte në pyll, magjistar ose falltar në fenë e lashtë; fjala është regjistruar për herë të parë nga mesi i shekullit të 16-të në burimet angleze dhe vjen nga latinishtja druidae, druides (drutë), nga galishtja, që lidhet me draoidh ‘tempull në pyll’ .

Sipas Plinit plak, dushku ishte pema e shenjtë e Druidëve, të cilët e prisnin atë ritualisht me një drapër të artë si pjesë e ceremonive të flijimit. Lidhja popullore e druidëve me pemët e lisit rrjedh kryesisht nga tregimi i Plinit.

Përdorimi i Druidit për një anëtar të një grupi që pretendon se përfaqëson ose rrjedh nga kjo fe është regjistruar në fillim të shekullit të 18-të.

Një pyll boreal është një pyll pishe në gjerësinë veriore që njihet shpesh me termin rus, taiga. Nuk ka pyje natyrore boreale në hemisferën jugore. Pemët e dushkut janë anëtarë të familjes së ahut. Me më shumë se 500 lloje, dushqet janë më të bollshme në Amerikën e Veriut: Meksika ka rreth 160 lloje dhe në SHBA rreth 90.

Methuselah është emri i një peme pishe me qime në Kontenë Inyo, Kaliforni që besohet të jetë më e vjetra në botë treth 4,853 vjeç.

Më shumë se gjysma e pyjeve të botës janë brenda kufijve të Rusisë, Kinës, Shteteve të Bashkuara, Brazilit dhe Kanadasë. Në të kundërt, shtetet sovrane të qytetit të Vatikanit, Monakos dhe Naurut nuk kanë pyje.

Madhësia nuk është gjithçka. Edhe pse pemët priren të jenë më të mëdha se shkurret, kjo nuk është gjithmonë kështu. Dallimi kryesor është se shkurret nuk kanë një trung të vetëm. Rreth 15 miliardë pemë priten çdo vit në planet. Me ritmin aktual, do të duhen rreth 200 vjet për të prerë çdo pemë në planet.

“Larja në pyll” është një formë e terapisë natyrore të shëndetit mendor ku një person thjesht kalon kohë në pyje. Aktiviteti është sanksionuar zyrtarisht nga qeveria japoneze, e cila e quan atë ‘shinrin-yoku’, rain forest, pylli i shiut përkufizohet si një pyll që ka një tendë të vazhdueshme, bimësi që varet nga nivelet e larta të lagështisë. Pyjet e shiut mund të jenë tropikale ose të buta.

Sipas gjeologjisë, Toka është rreth 4.5 miliardë vjet e vjetër, por vetëm rreth 385 milion vjet më parë evoluan pemët e para të vërteta.

Ju mund ta mendoni Australinë si pothuajse tërësisht shkretëtira dhe plazhe, por kjo është vetëm një pjesë e tablosë. Pyjet mbulojnë rreth 19% të sipërfaqes së tokës së Australisë. Një dru i vetëm pambuku mund të lëshojë 40 milionë fara në një sezon. Farat më pas mund të notojnë në ajër për ditë të tëra, shumë më gjatë se çdo lloj tjetër farë.

Në mitologjinë norvegjeze/Vikinge, Ygg-drasil ishte emri i një peme gjigante të jetës. Ygg-drasil (druri i jetës) formoi trungun rreth të cilit bazoheshin botët e njerëzve, perëndive dhe gjigandëve.

Mosha e të gjitha pemëve mund të përcaktohet duke parë unazat e tyre të rritjes përmes një seksioni kryq të trungjeve të tyre. Heqja e lëvores mund të deformojë unazat.

Pylli më i famshëm i Brazilit është pylli i shiut i Amazonës, por nuk është i vetmi pyll i shquar në vend. Pylli i Atlantikut shtrihet përgjatë bregut lindor të Brazilit, duke u shtrirë në brendësi të Argjentinës dhe Paraguajit. Ekorajoni përfshin qytete të mëdha si Rio de Zhaneiro dhe Sao Paulo dhe është shtëpia e më shumë se 148 milionë njerëzve.

Jo të gjithë anëtarët e familjes Arecaceae ose palmave janë pemë. Shumë palma janë në fakt shkurre dhe hardhi, por edhe palmat që konsiderohen si pemë, nuk kanë unaza pemësh.

Pyjet e dafinës njihen për lagështi të lartë, por temperatura të buta. Ato gjenden në zona në të gjithë SHBA-në juglindore. Laurel, Misisipi është afër pyjeve të dafinës.

Një pemë e vetme mund të thithë më shumë se 48 kilogramë dioksid karboni çdo vit dhe të lëshojë oksigjen përsëri në ajër. Kjo është arsyeja pse pemët janë të rëndësishme në zonat urbane.

Aktori dhe ikona amerikane, Mr. T, zemëroi banorët e lagjes së tij luksoze Lake Forest, Illinois kur personalisht preu 100 pemë lisi në pronën e tij.

Termi “xhungël” në përgjithësi i referohet pyjeve tropikale të shiut, gjë që është e çuditshme kur merret parasysh origjina e fjalës. Xhungla është fjalë sanskrite që do të thotë “tokë e thatë”.

Filed Under: Sociale Tagged With: Astrit Lulushi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • …
  • 78
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIMENSIONET ETNOKULTURORE DHE NARRATIVE NË ROMANIN “SHTJELLË FATESH”
  • Mbreti Zog I, themeluesi i shtetit të parë modern shqiptar, burrshtetas, politikan dhe diplomat i rralle e shumë dimensional
  • 𝗔𝗹𝗯𝗮𝗻𝗶𝗮𝗻 𝗡𝗶𝗴𝗵𝘁 @ 𝗬𝗮𝗻𝗸𝗲𝗲 𝗦𝘁𝗮𝗱𝗶𝘂𝗺
  • 27 Vjetori i Betejës së Koshares – Një epokë lavdie, sakrifice dhe bashkimi kombëtar
  • Historia e Krizës së Kosovës 1999-2000 përmes Zarfave Postare
  • Ali Dino – deputeti i Çamërisë dhe artisti i shquar
  • “Rikoshete e fatit” dhe “Nusja e Topiajve”, botimet më të reja nga shkrimtarja Raimonda Moisiu -Sade
  • Zgjidhje urgjente për kërkesat e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut
  • STILISTIKA DHE BOTA E PERSONAZHEVE
  • Nga kërcënimi te kompromisi: Realpolitika e armëpushimit Trump–Iran
  • KRYENGRITJA E MALËSISË SË MADHE E VITIT 1911 DHE RËNDËSIA E SAJ HISTORIKE
  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT