
Sot në Tiranë ‘Diaspora për Shqipërinë e Lirë’ ka paraqitur një Projektligj për ndryshimin e Kodit zgjedhor të Republikës së Shqipërisë për votën e diasporës. Përfaqësuesi i lëvizjes Florjan Haçkaj tha përpara përfaqësuesve të KQZ-së, OSBE-së, Avokatit të Popullit dhe institucioneve e organizatave të tjera se projektligjin do ta dorëzoj në tryezën e reformës zgjedhore në Parlament.
Projektligji, të cilin Haçkaj e quajti të plotë, është punuar nga ekspertët e lëvizjes. “Ne duam që ta parashtrojmë dhe ta prezantojmë te 140 deputetët, OSBE, KQZ, Presidenti, Avokati i Popullit, Këshilli i Ministrave, pra që kjo të ketë shkuar në çdo institucion të rëndësishëm në vend,” tha ai në tryezën e sotme.
“Gjykata Kushtetuese e ka njohur të drejtën e diasporës për të votuar dhe i ka dhënë kuvendit një vit kohë për të plotësuar kuadrin ligjor më 9 janar 2023,” tha Haçkaj. Kjo do të thotë se “çdo palë zgjedhje pas këtij afati janë antikushtetuese.”
Drejtuesi i lëvizjes ‘Diaspora për Shqipërinë e Lirë’ ju kujtoi të pranishmëve se ka një vendim gjykate për votën e diasporës dhe se “ne jemi grupi i interesit që e përfaqësojmë dhe duhet ta realizojmë. Është një proces i gjatë, por koha është e shkurtër.” Për sa i takon përmbajtjes së projektligjit, ai tha se aty “kemi sjellë një risi, shtesa në nenet ekzistuese, nene shtesë dhe një krye shtesë që është kreu 10.” P
Ai ftoi në dialog palët dhe shoqatat që mbështesin votën e diasporës.
Nga ana e autoriteteve shqiptare në qershor 2022 u njoftuan disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.16/2018 “Për Diasporën” si rezultat i vendimit të Këshillit nr. 81, ku në vend të Ministrisë për Diasporën institucioni përgjegjës është Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.
E drejta e diasporës për të votuar në zgjedhje të përgjithshme është e sanksionuar me ligj. Mekanizmat dhe institucionet përgjegjëse për realizimin e saj janë bërë ngërçi politik në Shqipëri. Partitë politike parimisht pajtohen por praktikisht gjejnë vështirësi në llogaritjen e mbështetjes nga një diasporë e shpërndarë dhe ‘pa garanci’ se ku e jep votën, tha Haçkaj.
Duke e ripërsëritur rëndësinë e votës së diasporës, ai se pa të “zgjedhjet do quheshin nul”.
Ndonëse vota e diasporës gëzon përkrahje të përgjithshme, si brenda dhe jashtë Shqipërisë, ka kritikues që thonë se Haçkaj po e përdor lëvizjen që ka krijuar dhe kërkon të faktorizohet dhe të bëhet deputet, i mbështetur nga shpresa që kanë shqiptarët te diaspora. Në përgjigje të tyre, Florian Haçkaj, Drejtues i kompanisë Ontinue Cybersecurity në Zvicër, thotë se i ka pasur mundësitë të bëhet deputet. “Synimi im është të bëhet vota e diasporës, demokratizimi i vendit dhe t’i iki nga dora partive kalkulimi që bëjnë me shqiptarët kur vjen puna e zgjedhjeve, të tjerat janë të gjitha dytësore,” tha Haçkaj për Diellin.
Ndërkohë Dielli kërkoi ta lexojë projektligjin e përgatitur nga Diaspora për Shqipërinë e Lirë. Haçkaj tha se do t’ju dërgohet mediave sapo të paraqitet në parlament.
Në maj 2022 themeluesit e Lëvizjes Diaspora për Shqipërinë e Lirë, Florian Haçkaj dhe Aisel Omerbashi u mirëpritën në Vatër. “Federata Pan shqiptare e Amerikës Vatra mbështet fuqishëm projektin e Lëvizjes Diaspora për Shqipërinë e Lirë me qëllim garantimin e të drejtës së votës për shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve territorial të shtetit shqiptar.” https://gazetadielli.com/vota-e-mergates-vatra-mbeshtet…/