• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Big Brother”, kur televizioni mbushë me kotësi boshllëkun tonë kulturor e shoqëror

February 20, 2022 by s p

Ergys Mertiri/

Studiuesit e komunikimit e shohin Big Brother-in, përgjithësisht si një tregues të dështimit të televizionit për të emetuar vlera, duke patur si funksion tashmë vetëm të mbushë me kotësi boshllëkun tonë kulturor e shoqëror.Big Brother konsiderohet masivisht si një produkt që ofron dhe ushqen vulgaritetin. Njerëzit që marrin pjesë në të, bisedat që ata bëjnë, problemet shqetësimet, dramat, zënkat, dashurickat, janë tmerrësisht vulgare, madje shpesh edhe patetike e qesharake. Por, nuk ështe kaq. Ky produkt ushqen edhe perversionin. Ai kultivon vuajerizmin, dëshirën perverse për të përgjuar jetët e të tjerëve, deri në gjërat e tyre më intime, duke shkallmuar nevoja krejt të natyrshme njerëzore si privatësia. Ai ushqen gjithashtu sadizmin, qoftë në modelIn e eskperimentimit të marrëdhënieve njerëzore mes protagonistëve (e cila denatyrohet nga loja dhe efekti që ka kërcënimi i nominimit dhe eleminimit), qoftë edhe në shtrëngimin e tyre për të hapur barkun, për tu ekspozuar lakuriq ndaj publikut i cili vihet në rolin e gjykatësit dhe xhelatit. Në natyrën e tij, ky lloj spektakli ushqehet nga skandali, dhe ai ka sukses sidomos kur protagonistët viktima qajnë para kamerave.Ok, publiku është në të drejtën e vet të konsumojë çfarë dëshiron, pavarësisht nga vlerat. Problemi qendron kur shikon profesorë të filozofisë që vlerësojnë produkte të tilla, me iluzionin se ato na ofrojnë një pamje të realitetit. Në fakt, ato nuk kanë asnjë lidhje me realitetin. Pikë së pari, përzgjedhja e pjesëmarrësve bëhet gjithmonë në funksion të spektaklit, jo të besnikërisë ndaj realitetit. Pjesëmarrësit përzgjidhen në atë mënyrë që brenda në shtëpi të krijohen situata që tërheqin vëmendjen e publikut, jo situata normale të jetës së përditshme. Televizioni, spektakli ka interes të shfaqë gjithmonë anormalen, jo normalen, pasi vetëm anormalja tërheq vëmendjen e publikut.Vec kësaj, protagonistët janë të vetëdijshëm se janë para kamerave dhe se publiku po i ndjek, ndaj nuk mund të jenë kurrsesi të natyrshëm në sjelljen e tyre. Po ashtu, ata janë aty për lojë, për sa kohë janë në garë për preferencën e publikut. E mbi të gjitha, drejtuesit e programit ndërhyjnë në ngjarjet brenda shtëpisë duke i shtyrë ato sipas nevojës së produksionit për sukses mediatik. Gjithcka është një lojë dhe gjithcka që ndodh aty brenda është e organizuar nga një staf i madh, i përkushtuar vetëm në funksion të prodhimit dhe spektakolarizimit të ngjarjeve.Në të vërtetë këto produkte më shumë prodhojnë se pasqyrojnë realitet. Ato ndikojnë mbi publikun, duke ofruar modele që adaptohen lehtësisht, sidomos nga të rinjtë, dhe e keqja është se ofron përgjithësisht modelet e gabuara. Studiuesit kanë vënë në pah shpesh rolin c’edukues të Big Brotherit duke ushqyer idenë se suksesi nuk varet nga meritat apo aftësitë, por nga intrigat dhe finokëria. Po kështu, vetë ideja se protagonistët e këtij spektakli bëhen personazhe, bëhen vipa, ftohen nëpër studio, bëhen objekt lajmesh edhe pasi spektakli mbaron, është një shembull i arritjes së suksesit pa pasur asnjë vlere e pa derdhur asnjë mund. Cfarë i bën ata të rëndësishëm, është fakti se kanë ndenjur për disa muaj të mbyllur në një shtëpi me kamera dhe kanë jetuar aty brenda pa bërë asgjë, përvec budallëqeve të rastit apo konsumimit të marrëdhënieve njerëzore pa asgjë për tu vlerësuar. Në rastin e Big Brother VIP, ku protagonistët kanë qenë të famshëm edhe para pjesëmarrjes në reality show, kjo nuk eleminohet pasi, krijohet ideja se, pavarësisht nga fakti që ti mund të jesh artist e njeri publik, fama që merr nga të mos bërit asgjë e të mos pasurit asnjë meritë, është më e madhe se cfarë ti mund të arrish me profesionin tënd. Nuk kemi përse të habitemi pastaj kur shohim të rinj që parazitojnë e janë të gatshëm të bëjnë gjithcka në këmbim të pasurimit e suksesit në rrugë të shkurtra e të shpejta.A është Big Brother problemi më i madh që kemi me mediat? Sigurisht që jo. Mediat, sidomos në Shqipëri, janë dramë në cdo aspekt ndaj, se u shtua edhe një tjetër, nuk ngre apo ul gjë në kandar.

Filed Under: Sociale

KAZAKISTANI DHE PRESIDENTI NAZARBAJEV: SI MUND TË ÇOHET N’URÍ NJË POPULL E SI MUND TË KTHEHET NË MILIARDER

February 9, 2022 by s p

Nga FRANCESCO BATTISTINI DHE MILENA GABANELLI

2221 Baker Street. Të apasionuarit mbas librave të verdhë e dijnë se ajo adresë në qëndrën e Londrës është shtëpia e Sherlock Holmes. Pronari i fundit i pallatit quhej Rakhat Alijev: një ish ambassador që ishte martuar me Darigën, bijën e parë të të parit – e për 29 vite I vetmi president I Kazakistanit, Nursultan Nazarbajev. I rënë në fatkeqësi dhe i ikur n’Evropë, Alijev kishte mbërritur të padiste publikisht se sa i korruptuar ishte regjimi i ish vjehrrit. Në 2014 e arrestuan n’Austri, me padinë se kishte vrarë dy funksionarë kazakë. Tetë muaj më vonë, ndërsa priste gjykimin, e gjetën të varur në qelinë e tij në Vjenë. Pronar bankash e rafinerish, u zbulua se Alijevi ishte mbajtës i muzeut të Sherlock Holmes-it e të gjitha shtëpive të Baker Street që shkojnë nga numëri 215 në 237: vlera 215 milionë dollarë. Por pronësia e paluajtëshme e përgjithshme është prej 450 milion dollarësh. Është vetëm një pikë uji në detin e pafund të arit të klanit Nazarbajev.

Në Kazakistanin e pasur vuajnë nga uria

Në Kazakistan, më 2 janar, shpërtheu një kryengritje kundër shtrenjtimit të jetesës, aq e ashpër sa të bindëte Putinin  të dërgonte ushtrinë në mbështetje të qeverisë mike. Më e pasura e më e shtrira nga republikat sovjetike n’Azinë Qëndrore – me më pak se 20 milionë banorë – është edhe eksportuesi më i madh botëror i uraniumit dhe ka rezervën e dytë më të madhe naftëmbajtëse të botës. Megjithatë e ardhura mesatare familiare e kazakëve nuk arrin as në 600 dollarë mujorë dhe gjysma e gjithë pasurisë kombëtare është në duart e 162 njerëzve. 81 vjeçari baba pronari i Kazakistanit e ka lënë kryesinë tre vite më parë, dhe mbas revoltës popullore, duket se nuk kontrollon më makinën e pushtetit, por klani i tij, nja pesëdhjetë vetë ndërmjet nipash e familiarësh,  zotëron ende gjithshka: 40 miliardë dollarë vetëm në të holla. Sigurisht protestat për shtrenjtimin e gazit të lëngët i paskëshin shkaktuar një humbje prej 3 miliard dollarësh bijës së dytë të Nazarbajevit, Dinara, dhe bashkëshortit të saj Timur Kulibajev: njëri ndër mijë njerëzve më të pasur të botës, pronar i fondit sovran, i të gjithë hidrokarbureve e të një pjese të mirë të bankavet kazake.

Të gjitha bankat e klanit

Bankat, pikërisht. Në Kazakistan, vetëm gjashtë vite më parë ishin nëntë dhe kontrollonin 78 % të tregut: katër janë zhdukur, të tjerat kanë mbaruar në kuletën e klanit. Jysan Bank, njëra ndër më të mëdhatë, është e drejtuar nga dhëndërri i Nazarbajevit, e quhet si bankomati vetiak i tij, megjithëse ka në barkun e saj 44 % të borxheve të skaduara. Është pastaj rasti i Tengri Bank, e themeluar nga çifti më i përfolur i klanit, financieri Timur Kuanyshev dhe bashkëshortja e tij Alfija: i quajnë “të pasurit në të mbathura” që kur u vunë në pranga në Moskë me një milion dollarë të papohuara e të qepura në të brëndëshmet. Timuri dhe Alfija, miq të Princit Andrea, të ftuar të posaçëm në martesën mbretërore të William &Kate, në gusht i kanë shitur kinezëve kuotat e tyre të Tengrit: bash në kohë para se drejtuesit të arrestoheshin për përvehtësim fondesh. Së fundi është Italian Connection: një ish ministër i Nazarbajevit që tani nga Parisi drejton opozitën, Muhtar Abliazov, ka kujtuar rriskun e pabesueshëm bankar që çoi institutin më të madh bankar, Unicredit, të stërpagojë me 2,1 miliard dollarë një bankë (Atf) që i përkiste Bulat Utemuratovit, një ortak i Nazarbajevit. Gjashtë vite më pas, më 2013, vetë Unicredit e ka shitur Atf për 493 milionë një nipi të Nazarbajevit. Një veprim i kushtuar Unicreditit shifrën marramendëse të 1,6 miliard dollarësh që përfundoi në xhepat e diktatorit. Përse banka italiane pranoi të humbiste aq para? N’ata muaj regjimi padiste ENI-n se ishte në vonesë me kontratat e shfrytëzimit të puseve të Kashaganit dhe kërcënonte se do të bënte të paguante një shumë të madhe si dëmshpërblim. Mbas operacionit Atf, mrekullisht, Nazarbajevi hoqi çdo farë trysnie mbi ENI-n.

Përfrikësime e ryshfete

Natyrisht është nafta ajo që parfumos paratë e Nazarbajevit. Ky bir barinjsh të thjeshtë, ish puntor i metalurgjisë së zezë dhe drejtues komunist, qe i fundit udhëheqës i një republike sovjetike që shpalli pavarësinë nga BRSS dhe më i shkathti për të nuhatur volitë. “Vinte në Moskë për të më kërkuar t’i shpjegonja të fshehtat e biznesit” kujton ish ambasadori amerikan Robert Strauss. Më 1993, i zgjedhur president prej pak kohe, Nazarbajevi i ofronte Perëndimit qindra raketa sovjetike me zbritje çmimi. Departamenti amerikan i Dejtësisë ka hetuar shpesh ish presidentin kazak për korrupsion, ndërsa miku i tij bankier, lobist në Washington, u arrestua për 78 milionë ryshfete të përvehtësuara nga shoqëritë e mëdha të naftës. I famshëm ryshfeti i një miliard dollarësh të ofruar nga vetë Nazarbajevi James Baker-it, në mes të një takimi zyrtar me sekretarin e Shtetit amerikan, që të ndihmonte një naftësjellës. Ose propozimi Bushit të ri, tre muaj mbas 11 shtatorit, për të hyrë në luftën kundër terrorizmit  në shkëmbim të një ndihme të vogël për hallet gjyqësore në Shtetet e Bashkuara. Gjatë një ngrënie mëngjezi në Rockfeller Center, Nazarbajevi i kërkoi shoqërive të naftës të derdhnin ovullin për një investim të tijin të paluajtëshëm në New York, në këmbim të kontratave. Një nip i Nursultanit, Aisultan, biri 29 vjeçar rebel i Darigës me probleme të drogës, një ditë iku në Londër dhe zbuloi, ndërmjet gjërave të tjera,  një ryshfet prej 1,5 miliardë të derdhur nga rusët e Gazpromit  gjyshit  të tij mbi një llogari të Singaporit. “Jam delja e zezë, do të më japin një helm e do të më vrasin”, paralajmëroi djali pak muaj para se të vdiste papritmas, e nuk u sqarua kurrë se si.

Këshilltarët: nga Blair tek Schröder

Në tridhjet vite, nga llogaritë e klanit Nazarbajev në Zvicër e në Ishujt e Virgjër kanë dalë para nga pak për të gjithë. Tridhjetë milionë përfunduan në fondacionin e Bill Clintonit, që më 2005 në vizitën e kryeqytetit kazak kishte thurur lëvdata publike. Të tjerë nëntë Tony Blair-it, i thirrur si këshilltar ndërkombëtar i regjimit. Në listën e këshilltarëve politikë  qëndronin edhe Romano Prodi, ish kançelari gjerman Schröder, ai austriak Gusenbauer. Në listën e miqve italianë ishte veçanërisht Silvio Berlusconi. Presidenti Scalfaro i dorëzoi diktatorit urdhërin e Kryqit të Madh. Nga ana tjetër, prej vitesh Italia është partneri i dytë i çështjeve evropiane në Kazakistan. WikiLeacs në 2012 zbulon: ndërmarrjet italiane, për të punuar, janë të detyruar të paguajnë diktatorin.

Nga kështjellat në Zvicër tek Hotel Plaza

Bija Dariga kontrollon mediat dhe partinë e vetme. Së bashku me të birin Nurali, vjehrrin Aisultan, motrat Dinara e Alija, kunetërit Timur e Bolat, mbarështon pasurinë e stërmadhe të paluajtëshme të familjes. Një listë e vështirë për t’u përditësuar: kështjella e Bellerives dhe vila koloniale me tre kate në Anières, buzë liqenit të Gjenevës (të vlerësuara në 190 milionë dollarë); kuota në Hotel Plaza që zotëron Central Park në New York (20 milionë); shtëpitë në Wall Street, në New Jersey e në Florida (30 milionë); pronësitë angleze në Chelsea, në Ascot e në Surrey (165 milionë); (Tropikalja) e Cannes (34 milionë); pastaj çifliku spanjol i Lloret de Mar, hotelet e llixhave në Republikën Çeke, të tjerë 140 milionë të shpërndarë në pronësi që Agjensia Kombëtare britanike e Krimit i përcakton si “të blera me para nga fonde të paligjëshme”.

Mbas javësh mungese, e revolte të mbaruar, Nazarbajevi u shfaq në publik për t’a siguruar atë “se nuk ka luftë për pushtet” e që padroni ishte ende ai. Ndoshta jo, por sigurisht mbetet pronar i gjithshkaje që ka grabitur, ndërsa Kazakistani që le në trashëgim me vështirësi paguan faturën e gazit dhe është në të 113-tin vënd (ndërmjet 180) në klasifikimin e Transparency International të Vëndeve më të korruptuara. Në të 157-tin e atij të lirisë së shtypit. Ka pak të ngjajshëm për ndotjen nga mbeturinat bërthamore dhe substancat helmuese. Kazakët e quajnë bukën, “nan”, një ushqim i shenjtë që simbas zakonit, kur të mbarojë dreka nuk duhet të teprojë asgjë. Drejtuesi i kombit ka qënë më i zoti i të gjithëve për të mos lënë as edhe një thërrime.

“Corriere della Sera”, 26 janar 2022     Përktheu Eugjen Merlika 

Filed Under: Sociale

FONDACIONI ARSIMOR I VATRES-APLIKIME PER BURSE PER VITIN AKADEMIK 2022-23

February 4, 2022 by s p

NGA DR. PASHKO CAMAJ- Kryetari i Fondacionit Arsimor të Vatrës


Fondacioni Arsimor i Vatres aktualisht po pranon aplikime për bursë për vitin akademik 2022-2023. Vatra ka siguruar mbështetje financiare në formën e bursave për qindra studentë shqiptarë amerikanë për gjashtdhjetë vite. Vatra këtë vit do të japë disa bursa në shumën prej 500 – 1000 dollarë për studentët meritorë.
KRITERET PER TE APLIKUAR:
1. Aplikanti duhet të regjistrohet si student me kohë të plotë në një kolegj / universitet gjatë vitit akademik 2022-2023.2. Aplikanti duhet të jetë me origjinë shqiptare. Përparësia do t’u jepet anëtarëve të Vatrës dhe fëmijëve / nipërve të tyre.3. Marrësit e mëparshëm të bursave Vatra kanë të drejtë të ri-aplikojnë për një total prej dy vitesh akademike. Jo më shumë se dy çmime bursash do të jepen për të njëjtin aplikant.
DOKUMENTE TE NEVOJSHME
1. Formulari i aplikimit për bursë (shih shënimin më poshtë)2. Një transkript zyrtar (i vulosur) nga shkolla juaj (kopjet nuk do të pranohen).3. Dy letra rekomandimi nga individë që ju njohin të paktën një vit. Një nga rekomandimet duhet të shkruhet nga një profesor, mësues i shkollës së mesme ose këshilltar udhëzues. Letrat duhet të jenë të vulosura dhe të nënshkruara.4. Një përmbledhje (jo më shumë se një faqe e gjatë) me një seksion mbi aktivitetet jashtëshkollore. (8 ½ x 11).5. Një deklaratë personale mbi temën e asaj që shpresoni të arrini në fushën tuaj të studimit, të mos kalojë një faqe (8 ½ x 11, me një hapësirë të vetme).
KRITERET E VLERESIMIT
1. Të dhënat akademike2. Aktivitete jashtëshkollore3. Letrat e rekomandimit4. Deklarata personaleAplikimet e vonuara nuk do të merren parasysh.
AFATI DHE PARAQITJA
Të gjitha dokumentet e kërkuara duhet të dorëzohen deri më datë 20 Prill 2022. Fituesit e çmimeve do të njoftohen përmes postës elektronike deri më datë 20 Maj 2022.
Aplikantët e interesuar, për çdo paqartësi, ju lutemi dërgoni një email ose shkruani tek Dr. Pashko R. Camaj-Kryetari i Fondacionit Arsimor të Vatrës në adresën e mëposhtme:
• Email: Prcmaj@gmail.com
• Ju lutem dërgoni zarfin me dokumentet e kërkuara në adresën:
VATRA(Për: Vatra Education Fund) 2437 Southern Boulevard, Bronx, New York, 10455-6501****
SCHOLARSHIP APPLICATION FORM
(Please Type or Print)
First Name:
Last Name:
Mailing Address:
Telephone No:
E-mail Address:
Date of Birth:
Birthplace:
Are you or anyone in your family a member of Vatra? Who?
How did you hear about us? Scholastic Record Current College/University:
City, State:
Prior College/University:
City, State:
Undergraduate Degree from:
City, State:
High School:
City, State:
Major Field of Study:
Present Academic Standing. Circle (Freshman, Sophomore, Junior, Senior, Other):
GPA: _________Anticipated Graduation Date: ________
Please email this application to: prcamaj@gmail.com

Filed Under: Sociale Tagged With: bursa vatra

I BURGOSI VETËM KOHA*

January 28, 2022 by s p

(In memoriam për dom Gjergj Simonin)”

Oh sa kanë heq shkrimet e mia! Kur më vinte frymëzimi e mbasi shkruejshe m’u dukshin se më thojshin: ‘Kemi frikë me ndejë mbrenda shtëpisë me ju, na çoni në nji vend jashtë sajë që të mund ta ndigjojmë vedin të qetë e të sigurt, pra na varrosni në dhe’”. Përnjëmend, të bukurën e burgos vetëm koha, vetëm rrethanat dhe koniunkturat, por ajo është bërë për lirinë e kur liria vjen, ajo shpërthen edhe më e bukur se sa në gjenezë, pasi ndërkohë është rritur, ka marrë pamje dhe hijeshi. Dom Gjergj Simoni u dënua dhe u burgos për agjitacion e propagandë si poet dhe jo si prift, sepse i tillë u bë vetëm në vitin 1992. Në dosjen nr. 11628/1 të Ministrisë së Punëve të Brendshme thuhet se “…nëpërmjet agjitacionit e propagandës, nëpërmjet shkrimit të poezive me përmbajtje armiqësore ky pseudopoet reaksionar, duke qenë konsekuent në rrugën e tij armiqësore, në fletoret me poezi të gjetura këtij të pandehuri në shtëpi, pjesa më e madhe janë shkruar me urrejtje të thellë kundër Partisë, Pushtetit dhe Atdheut tonë socialist”. Ai dhe poezitë e tij mbetën të burgosura për shumë vite, ndërsa tani ato promovohen pikërisht në tempullin e dijes, Akademinë e Shkencave, aty ku deri para pak vitesh asnjë i burgosur politik as mund ta kishte imagjinuar një gjë të tillë. Ndërkohë që dom Gjergji flet e ndërsa fjalët e poezive të tij braktisin fletët duke iu bashkuar këndshëm ajrit për të mbërritur të zemrat e dëgjuesve, mendja më shkon në atë kohë të kaluar dhe nuk kam se si të mos përlotem. Kurrë, ne të rinjtë dhe brezat që do të vijnë nuk do të kuptojmë se çfarë ka ndodhur në vitet më të errëta të shpirtit njerëzor shqiptar, komunizmit. Ai ishte një tunel i errët ku gjërat e bukura ishin dënuar të rrinin të fshehura, të marra peng e të lidhura sysh që të mos dinin rrugën e kthimit për në liri. Gjërat e bukura si dashuria, arti, poezia, mendimi, duhet të kishin vetëm një funksion: të bëheshin skllave të një njeriu apo një grupi njerëzisht, klounë për të argëtuar mbretin dhe oborrin e tij e më pas kur “bezdisnin” shikuesit të hidheshin me shkelma jashtë e madje të burgoseshin apo të vriteshin. Por, ama, ato gjëra nuk mund të jenë skllave, sepse natyrshëm janë të lira dhe në to liria është si një shpërthim vullkanik që këput çdo vargua. Këto poezi e të tjera sish do të jenë dëshmitaret e asaj kohe edhe atëherë kur autorët e tyre të mos jenë më. Dom Gjergji sot është dëshmitar i fjalës e nesër fjala do të jetë dëshmitarja e tij dhe e një kohe që burgosi, internoi e vrau, por jo përjetësisht.Këto ditë po lexoja parathënien e ribotimit të librit “Dimri i vetmisë së madhe” të shkrimtarit Ismail Kadare. Autori i këtij romani mjaft të diskutuar sa i përket tablosë globale të së vërtetës komuniste në Shqipëri, cungimin e së cilës vetë Kadareja e pranon në këtë parathënie, ndër të tjera shprehet se “… kjo vepër do të kishte një jetë të dyfishtë, njërën në kohën pa liri, që quhej epokë socialiste, dhe tjetrën në kohën e lirisë, atë që mund të quhej kohë eterne, që është koha e natyrshme e artit”. Jetë të dyfishtë patën shumë vepra e persona dhe vetëm koha, koha e ardhme e distancuar nga faktet, ideologjitë, urrejtjet dhe inati do të jetë në gjendje të gjykojë. Një jetë të dyfishtë pati edhe poezia e dom Gjergjit, vetëm se njërën pjesë të kësaj jete e kaloi jo në duar të lexuesit, por nën dhe sikurse vetë ai thotë duke iu përgjigjur përlutjes së vargjeve të tij që i kërkonin t’i varroste prej frikës: “E unë çka bajshe? I ndigjojshe dëshirat e tyne, i palojshem fletët e shkrueme e mandej i vendoseshe në kavanoza tuj mbështjellë kapakët me zift që të mos hynte lagshtina e mbasi çilshe nji gropë në oborrin e shtëpisë tui mbulue me dhe e mbi te mbillëshe lule…”. Një varrim i denjë, një varr i ri për poezi. Në sallën e gjyqit, gjykatësi e pyet: “Pse i ke ruejt këto shkrime?”. E ai përgjigjet: “Që kur të përmbyset ky pushtet me i botue”. Dom Gjergji sot është i lirë e poezia e tij po ashtu e i lirë. Ashtu sikurse në vitin 1972 ai mbetet ende sot me një pyetje: “A thue do t’ketë njerz që kangët e mia/një ditë kanë me i këndue/ Ato që radhë melankonija/ i ka vue tis, i ka errsue./ A por ndoshta do t’heshtin në përjetësi/ si hesht i vdekuni mbrenda njaj vorri/ Tuj pasë t’fundit qetsi?”. Ndiej t’i përgjigjem sot: Jo, dom Gjergj, ai varr që ti hape për poezitë e tua, duke mbjellë lule mbi të, sot është bosh…!GJERGJ META *Shkrim i botuar në Gazetën Panorama me datë 30 maj 2012

Filed Under: Sociale

Ndërrmarjet politike shqiptare

January 24, 2022 by s p

Ilir Levonja/

Gjykata Kushtetuese nuk e ka shpallur akoma vendimin se duhet shkarkuar apo jo, Presidenti i Shqipërisë? E kishte për t’u mbledhur më 18 janar, për shkak të Covid-19, u tërhoq. Mbledhja e radhës është më 1 shkurt 2022, ora 10 e mëngjesit. Pra, Gjykata nuk ka folur, ndërsa Edi Rama urdhëron grupin parlamentar që të fillojnë nga puna për zgjedhjen e presidentit të ri. Madje me afat, brenda prillit, shqiptarët meritojnë një President normal, thotë ai. Bile, biles, u sugjeron edhe seksin, si preferencë e tij, që mund të jetë edhe grua. Jepini vet shpjegimin se çfarë domethënie ka kjo fushatë përpara vendimit që duhet të marrë Gjykata Kushtetuese. Ndaj mos prisni drejtësi të pavarur apo institucione të pavarura. Kur thotë një president normal, përdor llogjikën e budallait se Presidentin anormal nuk e zgjodhën shqiptarët, por ai vet. Ai dhe lali Eri, në drekën e famshe me ngjala. Pra, Presidenti aktual nuk është vullnet i shqiptarëve, por i tij. Eshtë ai ekuivok kushtetues të cilin vullneti i shqiptarëve ka kohë që kërkon ta ndryshojë duke bërë të mundur që Presidenti të zgjidhet me votë popullore, jo parlamentare. Ose të gjendet një rrugë e mesme ku emri të mos ketë të bëj fare me politikën por me profilin e lartë social. Kështu mund të ofrojmë një garant kushtetues. Dhe jo një emër puro politik që në mëngjes është normal dhe në darkë anormal. Do ndryshuar Kushtetuta? Po, patjetër. Por partitë shqiptare nuk duan. E kanë si xhol të luajnë me Presidentin. Po të kujtoheni, ka qënë gjithmonë një krizë parlamentare, deri sa u shëmb numri 84, me ndryshim Kushtetute, Presidenti mund të zgjidhet tashmë edhe me një shumicë të thjeshtë. Gjithsesi ishte një ndryshim kushtetues për të ruajtur dhe fuqizuar po partitë politike. Sidomos PS dhe PD, jo për të fuqizuar votën e shqiptarëve. Ndaj sot Shqipëria nuk ka më parti politike, por dy ndërrmarje shtetërore me drejtorë privatë. Ata vetëm urdhërojnë ndërsa vota është një instrument formal dhe gjoja demokratik. Se për mua Presidenti aktual duhej të ishte vetshkarkuar, mbas premtimit që bëri për zgjedhjet e 25 prillit, ku bëri një opozitë reale në raport me Lulzim Bashën, duhej të ishte vetshkarkuar. Tha që do fitojmë në mënyrë plebishitare, po nuk fituam unë dorëhiqem. Dhe nuk fitoj, kështu që duhej ta kishte dhënë dorëheqjen me kohë edhe për faktin se është pro zgjedhjes së Presidentit nga shqiptarët dhe jo nga ndërrmarrjet politike shqiptare. Nuk e mbajti fjalën. Sipas tij ka bërë një betim kushtetues, sipas meje ka bërë dhe po bën  një luftë qokash në raportin dhe kontekstin e politikës së dështuar, tanimë, prej 31 vitesh në demokracinë tonë. Dhe keqardhja është një konstatim fare i thjeshtë, ndërrmarjet politike shqiptare hapin fronte pune për debate kombëtare, dëmet e tërmetit i riparon Turqia, dëmet e covid-it europa, kurse mbrojtjen territoriale Nato dhe magazinat e Amerikës. Eshtë kjo arsyeja që 40% e shqiptarëve janë sot në emigrim dhe se në 2030 kjo shifër mund të shkoj në 70%.

Filed Under: Sociale

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 55
  • 56
  • 57
  • 58
  • 59
  • …
  • 75
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞
  • LËVIZJA KOMBËTARE – NGA AUTONOMIA TE PAVARËSIA E SHQIPËRISË
  • “VATRA” në Boston ju fton në “Albanian Boston Community Center” më 17 janar 2026
  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT